BRUKSEL, 15 korrik /ATSH/- Bashkimi Evropian po kërkon përditësime nga Izraeli mbi zbatimin e një marrëveshjeje të re për të ofruar ndihmë humanitare në Gazë, tha sot diplomatja më e lartë e bllokut, Kaja Kallas, sipas AP.
Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së u takuan në Bruksel pas një marrëveshjeje të re për ndihmën në Gazë, e cila u arrit kryesisht nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kallas, dhe ministri i Jashtëm Izraelit, Gideon Saar.
Saar u takua dje me udhëheqësit e BE-së, pasi ranë dakord javën e kaluar për të lejuar ushqimin dhe karburantin e nevojshëm në enklavën bregdetare prej 2,3 milionë banorësh, të cilët kanë duruar më shumë se 21 muaj luftë.
“Ne kemi arritur një mirëkuptim të përbashkët me Izraelin për të përmirësuar vërtet situatën në terren dhe nuk ka të bëjë me dokumentin, por me zbatimin e këtij dokumenti”, tha Kallas para takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme.
“Për sa kohë që nuk është përmirësuar situata humanitare, atëherë nuk kemi bërë mjaftueshëm,” tha ajo, përpara se të bënte thirrje për armëpushim.
Detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta, por zyrtarët e BE-së kanë hedhur poshtë çdo bashkëpunim me Fondin Humanitar të Gazës – të mbështetur nga Izraeli për shkak të shqetësimeve etike dhe të sigurisë.
Hapja e më shumë kalimeve kufitare dhe lejimi i më shumë kamionëve me ndihma në Gazë është përparësi, por zyrtarët thonë se do të donin të ngrinin një stacion monitorimi në kalimin Kerem Shalom.
Kallas tha se ministrat do të diskutojnë gjithashtu programin bërthamor të Iranit, shqetësimet mbi zhvillimet në Gjeorgji dhe Moldavi, si dhe sanksionet e reja ndaj Rusisë.
Vendet evropiane si Irlanda, Holanda dhe Spanja kanë bërë thirrje gjithnjë e më shumë që lidhjet e BE-së me Izraelin të rivlerësohen pas luftës në Gazë.
Një raport nga Komisioni Evropian gjeti “indikacione” se veprimet e Izraelit në Gazë po shkelin detyrimet e të drejtave të njeriut në marrëveshjen që rregullon lidhjet e tij me BE-në – por blloku është i ndarë në lidhje me masat që duhet të marrë kundër Tel Avivit.
Lufta në Gaza filloi pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 251 të tjerë, shumica e të cilëve janë liruar në armëpushimet e mëparshme.
“Izraeli u përgjigj me një ofensivë që ka vrarë më shumë se 58 000 palestinezë, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. //a.i/
The post BRUKSEL – BE kërkon më shumë informacion nga Izraeli mbi zbatimin e marrëveshjes së ndihmës për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.