Struga e hapë javën e tretë, të dielën derbi shqiptar Shkëndija – Arsimi
Sot rikthehen emocionet e futbollit në Ligën e Parë të Maqedonisë me ndeshjet e javës së tretë. Struga kërkon vazhdimsi të suksesit, ndërsa të dielën luhet derbi shqiptar në Tetovë në mes Shkëndijës dhe Arsimit, njofton Telegrafi.
Sot me fillim në ora 17:00 rikthehen betejat e kampionatit në futbollin elitar të Maqedonisë së Veriut, me duelin e parë që e luajnë Struga dhe Rabotniçki, struganët nga dy ndeshje kanë po aq fitore dhe kërkojnë të vazhdojnë serinë pozitive, ndërsa Rabotniçki ka një barazim dhe në javën e fundit u mund në shtëpi nga Bashkimi. Në ora 20:00 është përballja e dytë e ditës ku Vardari do të ketë përballë AP Breran nga Strumica.
Kampionati vazhdon me një duel të shtunën, ku në ora 17:00 Sileksi është nikoqir i Makedonija Gj.P., ndërsa të dielën kemi përballjen e dy ekipeve shqiptare, Shkëndija – Arsimi e cila luhet me fillim në ora 17:00. Shkëndija edhe pse po luan në dy fronte, atë evropian dhe kampionat, kërkon të vazhdojë serinë e fitoreve, ndërsa Arsimi shpreson në fitoren e parë që do të ishte historike pas inkuadrimit në Ligën e Parë.
Java e tretë mbyllet të hënën me dy përballje. Bashkimi pas pikëve të plota që mori si mysafir në Shkup ndaj Rabotniçkit, kërkon fitoren e parë para shikuesve të saj në Kumanovë, pasi në javën e parë e mbylli në barazim me Arsimin. Kësaj radhe kumanovarët kanë përballe Tikveshin nga Kavadari. Ndeshja e fundit e javës së tretë është përballja Pelisteri – Shkupi, ku padyshim duke marrë parasysh situatën te bardhekaltrit nga Çairi, pritet fitore e pastër e nikoqirëve nga Manastiri të cilët këtë ndeshje do ta luajnë në Kavadar. Të dy këto përballje luhen me fillim në ora 17:00. /Telegrafi/
The post Struga e hapë javën e tretë, të dielën derbi shqiptar Shkëndija – Arsimi appeared first on Telegrafi.