Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 August 2025Main stream

Mbajini larg telefonave dhe pranë leximit: Disa këshilla si t’i afroni fëmijët me librat!

By: Kult Plus
9 August 2025 at 23:31

Leximet e para nuk harrohen kurrë dhe janë një hap thelbësor në rritjen e një fëmije.

Por cila është mënyra e saktë për t’i afruar të vegjlit me librat? Si është e mundur t’i bëjmë ata të apasionuar pas leximit?

Identifikoni nivelin e duhur të vështirësisë për të filluar

Eshtë e rëndësishme që fëmija të përjetojë një ndjenjë sfide dhe një shkallë të mirë të kënaqësisë: nëse tregimi është shumë i vështirë, ose përtej mundësive të fëmijës, ekziston rreziku që ta bëjë atë të ndiejë zhgënjim dhe zemërim; nëse është shumë i lehtë, ose jo shumë stimulues, rrezikoni ta mërzitni atë.

Riti i të lexuarit

Eshtë e rëndësishme që leximi të bëhet pjesë e rutinës prind-fëmijë. Mund të jetë një herë në ditë, çdo dy ditë ose çdo javë: të dielën në mëngjes me një filxhan çaj bimor të zierë, në mbrëmje menjëherë pas darkës, të shtunën pasdite. Zhdukni të gjitha shpërqendrimet, mendimet dhe shqetësimet e jashtme, bëje të qetë dhe kushtojuni vetëm faqeve të librit që keni në dorë.

Rrëmbehuni nga leximi: emocione dhe argëtim

Roli i të rriturit është thelbësor për suksesin e aktivitetit. Gëzimi, argëtimi, imagjinata janë përbërësit për të përfshirë fëmijën dhe për të hapur mendjen e vet. Po aq e rëndësishme do të jetë, që prindi të ketë aftësinë të ndalet herë pas here, sepse vëmendja e fëmijëve ka një kohëzgjatje shumë të kufizuar.

Rëndësia e zërit për të artikuluar rrokjet dhe fjalët

Për fëmijën shumë fjalë dhe fraza janë thjesht një grup shkronjash ose rrokjesh. Prandaj, mbështetja juaj do të jetë thelbësore si për shqiptimin e saktë të fjalës, ashtu edhe për intonacionin e tërë fjalisë dhe për të kuptuar tekstin. Prandaj është e rëndësishme që së pari t’i jepet kënaqësia që ta lexojë fjalën në mënyrë të pavarur. Pastaj përsërisni fjalën e lexuar për të, duke qenë shumë të kujdesshëm për të vendosur theksin në rrokjen e saktë. Pasi fëmija të ketë lexuar të gjitha fjalët që përbëjnë fjalinë, ajo rilexohet, duke u siguruar që të jep intonacionin e saktë të zërit, të shtojë ngjyra në tekst dhe të lehtësojë të kuptuarit.

Rindërtoni të gjithë historinë së bashku

Pasi të keni lexuar fjalën e fundit të fjalisë së fundit, lexoni sërish tregimin së bashku. Tani që fëmija është njohur me fjalët, ai mund të përqendrohet në kuptimin e tekstit që ka lexuar. Pasi të lexoni përsëri historinë, përpiquni të argëtoheni me aktivitetet e propozuara në fund të tregimit, për të forcuar të kuptuarit tuaj për tekstin e lexuar./KultPlus.com

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë

By: Kult Plus
9 August 2025 at 23:30

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë

Petrit Ruka

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.

Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.

Pastaj jemi përqafuar ; “e po unë isha në gjumë “
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as O.K.B-ëja s’ka parë.

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!/KultPlus.com

Yesterday — 9 August 2025Main stream

Dita Kombëtare e Gruas në Afrikën e Jugut

By: Kult Plus
9 August 2025 at 22:31

Më 9 gusht 1956, rreth 20 mijë gra nga e gjithë Afrika e Jugut marshuan drejt ndërtesës së Union Buildings në Pretoria, për të dorëzuar një peticion kundër ligjeve diskriminuese të apartheidit, veçanërisht atyre që kufizonin lëvizjen e personave me ngjyrë. Ky ishte një akt i jashtëzakonshëm guximi dhe uniteti, ku gratë nga të gjitha racat dhe etnitë dolën bashkë për të thënë se padrejtësia nuk mund të pranohej më.

Simbol i kësaj proteste u bë heshtja e fuqishme e grave, e ndjekur nga kënga “Wathint’ Abafazi, Wathint’ Imbokodo” (“Kur prek një grua, prek një shkëmb”), që u kthye në thirrje frymëzuese për barazi dhe dinjitet., shkruan KultPlus.

Pas rënies së regjimit të apartheidit, ky moment historik u bë festë zyrtare kombëtare në vitin 1995 dhe sot, Dita Kombëtare e Gruas në Afrikën e Jugut përkujton jo vetëm këtë protestë të madhe, por edhe rëndësinë e vazhdueshme të betejës për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore.

Në mbarë vendin organizohen ngjarje kulturore, ekspozita, koncerte dhe debate publike, që kujtojnë rolin kyç të grave në shoqëri dhe fuqinë e artit dhe kulturës si mjete për ndryshim shoqëror./KultPlus.com

Përmbyllet me sukses edicioni i 24-të i DokuFest në Prizren, shpallen fituesit e çmimeve prestigjioze

By: Kult Plus
9 August 2025 at 21:37

Sonte u mbyll me sukses edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe Ballkan. Për më shumë se një javë, qyteti historik i Prizrenit u shndërrua në një kinema të hapur, ku u shfaqën rrëfime kinematografike nga e gjithë bota, duke rikthyer vëmendjen ndërkombëtare në kinematografinë e rajonit.

“DokuFest” vazhdon të jetë pikë referuese për filmat dokumentarë dhe të shkurtër, duke promovuar tematika të rëndësishme shoqërore dhe artistike dhe duke mbështetur artistët e rinj dhe të afirmuar.

Filmi “SOS” nga Anita Morina u shpall fitues i kategorisë kombëtare, duke marrë çmimin kryesor të festivalit.

Në ceremoninë përmbyllëse u shpallën fituesit e çmimeve të ndryshme:

Çmimi i distribuimit: “Ndera”, nga Endrit Qarolli

Çmimi i publikut: “Palace of Youth”, nga Maddie Gwin

Çmimi për filmin më të mirë nga të rinjtë: “Coexistence My Ass”, nga Amber Fares

Mirënjohje speciale në kategorinë “The Green Dox”: “May the Soil Be Everywhere”, nga Yehui Zhao

Çmimi i kategorisë “The GREEN DOX”: “Shifting Baselines”, nga Julien Elie

Çmimi për të drejtat e njeriut: “My Dear Theo”, nga Alisa Kovalenko

Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër: “Blue Heart”, nga Samuel Suffren

Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër dokumentar: “We Were the Scenery”, nga Christopher Radcliff

Çmimi për filmin e gjatë dokumentar: “Action Item”, nga Paula Ďurinová

Mirënjohje speciale në kategorinë “Balkan Dox”: “Antigona”, nga Ibër Deari dhe Mirsad Abazi

Çmimi në kategorinë “Best Balkan Short Dox”: “Merging Bodies”, nga Adrian Paci

Mirënjohje speciale në kategorinë “Balkan Dox”: “Soil and Wings”, nga Stefan Malesheviq

Çmimi në kategorinë “Balkan Dox”: “A Strange Colour of Dream”, nga Yasemin Akinci

Çmimi i kategorisë kombëtare: “SOS”, nga Anita Morina

Ky festival i konsoliduar ka rikthyer Prizrenin në hartën kulturore ndërkombëtare dhe ka nxjerrë në pah talentet më të mira të dokumentarit, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e industrisë së filmit në rajon./KultPlus.com

Lindja e Whitney Houston, një zë që ndryshoi historinë e muzikës

By: Kult Plus
9 August 2025 at 21:29

Më 9 gusht 1963, në Newark të New Jersey-t, lindi Whitney Elizabeth Houston, një artiste që do të bëhej një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të historisë së muzikës moderne.

Me një timbër unik, diapazon të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të shkrirë soul, pop dhe gospel në një harmoni të përsosur, Whitney nuk ishte thjesht këngëtare, por një fenomen kulturor,shkruan KultPlus.

Që me albumin e saj të parë, i cili thyeu rekorde shitjesh në mesin e viteve ’80, ajo u ngjit në majat e klasifikimeve botërore dhe krijoi hite që u kthyen në himne të dashurisë dhe forcës. Performanca e saj e paharruar në filmin “The Bodyguard” dhe kënga “I Will Always Love You” mbeten ndër momentet më ikonike të muzikës dhe kinemasë.

Përtej skenës, Whitney ishte një frymëzim për breza të tërë artistësh, duke hapur rrugë për këngëtare të reja dhe duke treguar se fuqia e talentit të vërtetë mund të kapërcejë çdo kufi.

Edhe pse jeta e saj u shënua nga sfida personale dhe një fund tragjik në vitin 2012, trashëgimia e saj muzikore vazhdon të jetojë, duke i kujtuar botës se disa zëra nuk shuhen kurrë./KultPlus.com

Sonte përmbyllet edicioni i 24-të i DokuFest në Prizren

By: Kult Plus
9 August 2025 at 21:15


Pas më shumë se një jave plot rrëfime kinematografike nga e gjithë bota, sonte përmbyllet edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” në Prizren.

Ky festival i njohur ndërkombëtarisht ka rikthyer qytetin historik të Prizrenit në një kinema të hapur, duke sjellë një gamë të gjerë filmash që pasqyrojnë realitete dhe tema të ndryshme nga kultura dhe shoqëritë globale, shkruan KultPlus.

Përveç prezantimit të filmave me cilësi të lartë, DokuFest ka ndërtuar një reputacion si pikë referuese në Kosovë dhe Ballkan sa i përket kinematografisë, duke shërbyer si platformë për artistë dhe krijues të rinj dhe të njohur.

Edicioni i 24-të i këtij festivali i ka ofruar publikut mundësinë të përjetojë artin e filmit në forma të ndryshme dhe ka kontribuar në zhvillimin kulturor dhe artistik të rajonit./KultPlus.com

Presidentja Osmani: DokuFest shndërron Prizrenin në kryeqendrën kulturore dhe të ideve të reja

By: Kult Plus
9 August 2025 at 20:49

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar ndikimin e jashtëzakonshëm që DokuFest ka në qytetin e Prizrenit, duke e kthyer atë në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe artistike në rajon.

Në një postim të fundit, Osmani e përshkroi këtë festival si një përvojë të mrekullueshme, ku bashkohen historitë që frymëzojnë dhe njerëzit që e bëjnë artin pjesë të jetës së tyre të përditshme. Sipas saj, DokuFest nuk është vetëm një festival filmi, por një hapësirë ku kultura, arti dhe idetë e reja takohen dhe ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë.

Ky festival ndërkombëtar, i cili sjell në Prizren artistë, kineastë dhe krijues nga e gjithë bota, është bërë një platformë e fuqishme për promovimin e filmit dokumentar dhe diskutimeve kulturore, duke rritur edhe më shumë vlerën dhe rëndësinë e Prizrenit si qytet multikulturor dhe historik.

Përmes DokuFest, qytetarët dhe vizitorët kanë mundësinë të ndjekin filma me tematika të ndryshme, të marrin pjesë në punëtori, panele dhe debate që sjellin ide dhe perspektiva të reja, duke nxitur dialogun dhe bashkëpunimin artistik në një mjedis kreativ dhe stimuluese.

Presidentja Osmani falënderoi organizatorët, artistët dhe komunitetin lokal për përkushtimin në zhvillimin e këtij festivali, duke e cilësuar atë si një gur themeli të rëndësishëm të kulturës së Kosovës dhe rajonit./KultPlus.com

Studentja shqiptare Fiona Kabashi diplomon në Universitetin Mjekësor të Vjenës dhe kthehet si mjeke në spitalin ku lindi

By: Kult Plus
9 August 2025 at 20:26

Një histori inspiruese suksesi vjen nga Vjena, ku Fiona Kabashi, një e re nga Kosova, ka përfunduar me sukses studimet në Universitetin Mjekësor të Vjenës (Medizinische Universität Wien) dhe tashmë do të fillojë punë si mjeke në spitalin ku ka lindur para 25 vitesh.

Fiona ka marrë titullin Dr. med. univ dhe është një shembull i përkushtimit dhe sakrificës që mund të bëjë një student i përkushtuar. Historia e saj është përshkruar në mënyrë emocionuese edhe nga nëna e saj, Miradije Berisha, mësuese e gjuhës shqipe në Vjenë, e cila ka ndarë dedikimin e saj për Fionën.

“Fiona, bija jonë e dashur, sot hyn në klinikën ku linde para 25 vitesh, jo si paciente, por si mjeke. Një rreth i plotë, një simbol i bukur i jetës dhe përkushtimit tënd,” shkruan ajo.

Pavarësisht ofertave të shumta për punë, Fiona ka zgjedhur të kthehet në vendlindjen e saj dhe të shërbejë komunitetin që e ka rritur, duke bërë krenar familjen dhe komunitetin e saj.

Kjo arritje e saj është një dëshmi për dashurinë ndaj profesionit dhe vendit, si dhe një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë që aspirojnë për sukses në fushat e tyre./albinfo.at

Kosova U19 feston fitoren e parë historike në Botërorin e Hendbollit në Egjipt

By: Kult Plus
9 August 2025 at 19:53

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka shënuar një fitore të madhe në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Egjipt. Të shtunën, në arenën “Hassan Moustafa” pranë Kajros, djemtë tanë triumfuan me rezultat bindës 32:22 ndaj ekipit të Marokut.

Pas dy humbjeve në ndeshjet e para ndaj Zvicrës dhe Hungarisë, kjo fitore përfaqëson një kthesë pozitive për Kosovën, që tani avancon nga pozita e tretë në grupin B, me dy pikë në total.

Ndeshja ishte e tensionuar, por djemtë tanë mbajtën vazhdimisht epërsi gjatë gjithë pjesës së dytë. Suad Pajaziti u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, me tetë gola nga dhjetë tentime, ndërsa performanca e Olt Kabashit në portë ishte vendimtare me pritjet e shumta.

Në fitoren e ekipit kontribuan edhe golat e Olsi Mulajt (6 gola), Drijon Istefit (5 gola) dhe Amar Muqollit (4 gola), si dhe përpjekjet e gjithë lojtarëve në fushë.

Kombëtarja jonë do të pushojë të dielën dhe do të vazhdojë garën me ndeshjen e radhës të hënën./KultPlus.com

“Çast” – Muzeu që nderon dhe përkujton mbijetueset e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

By: Kult Plus
9 August 2025 at 19:34

“Çast” është muze unik i krijuar nga Fondacioni Jahjaga, i dedikuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky muze përdor gjuhën e artit dhe simbolikën për të sjellë zërin dhe përjetimet e grave që kanë kaluar këtë dhimbje, duke i kthyer ato në një thirrje të fuqishme dhe të heshtur për drejtësi dhe ndërgjegjësim.

Në një takim të fundit me presidenten Atifete Jahjaga, Sibel Halimi vlerësoi thellësisht kontributin e saj në ngritjen e kësaj kauze dhe krijimin e muzeut si një hapësirë kujtese dhe respekti ndaj dinjitetit njerëzor. Diskutimet përfshinë nisma të përbashkëta për promovimin e muzeut dhe forcimin e rolit të tij në rritjen e ndërgjegjësimit publik.

Drejtoria për Kulturë u zotua se do të mbështesë vazhdimisht projekte artistike që ruajnë kujtesën kolektive dhe përçojnë mesazhin e nderimit ndaj viktimave dhe dinjitetit njerëzor./KultPlus.com

Lord Bajron: “Shqiptarët janë raca më e bukur dhe trimat më të fortë se kështjellat e tyre”

By: Kult Plus
9 August 2025 at 19:30

Shqiptarët kanë mahnitur prej kohësh udhëtarët dhe poetët e huaj, por pak kush i ka përshkruar me aq pasion sa Lord Bajron, poeti i madh romantik anglez. Gjatë udhëtimeve të tij në fillim të shekullit XIX në territoret shqiptare, Byron u frymëzua nga bukuria e natyrës, fisnikëria e veshjeve tradicionale dhe karakteri i fortë i popullit.

“Shqiptarët me kostumet e tyre krijojnë peizazhin më mahnitës në botë. Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston dhe me trima më të fortë se kështjellat e tyre,” shënon ai në një nga shënimet e tij të udhëtimit.

Vlerësimet e Bajron-it jo vetëm që e vendosën Shqipërinë në hartën romantike të Evropës, por edhe dëshmuan se imazhi i shqiptarëve si popull krenar, trim dhe mikpritës ka rrënjë të thella historike. Ky portret poetik vazhdon të mbetet një nga dëshmitë më të bukura të lidhjes mes artit dhe identitetit kombëtar./KultPlus.com

Përfundon restaurimi i shtëpisë ikonike në Janjevë, vazhdojnë punimet në monumentet tjera

By: Kult Plus
9 August 2025 at 19:06

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur përfundimin e punimeve restauruese në një nga shtëpitë më ikonike të Janjevës, duke theksuar se puna për restaurimin e monumenteve historike nëpër gjithë Kosovën vazhdon me intensitet të lartë, shkruan KultPlus.

Sipas Çekut, drejt përfundimit janë edhe kulla e Azem Ramë Lokajt dhe ajo e Florim Gecajt në Deçan, ndërsa vijojnë punimet në kullën e Bashor Pren Gegajt në Istog, shtëpinë e Naser Thaçit në Han të Elezit, si dhe në shtëpinë Dobruna-Polloshka, kullën e Shain Dulës dhe kullën e Tahsun Beut në Gjakovë.

Ministri ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke theksuar se ajo nuk duhet të shihet si një barrë, por si një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik dhe turizëm në vend.

“Trashëgimia kulturore nuk është barrë, por mundësi për zhvillim dhe turizëm,” ka shkruar Çeku në njoftimin e tij, duke i bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të vazhdojnë përkushtimin në këtë drejtim./KultPlus.com

Dhërmiu, mikpritje dhe bukuri natyrore në çdo stinë

By: Kult Plus
9 August 2025 at 18:32

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau sot pamje të mrekullueshme nga Dhërmiu, një nga zonat më atraktive të turizmit veror në vendin tonë, që po zgjeron ofertën turistike edhe përgjatë dimrit.

Dhërmiu është një zonē ku gërshetohet natyra e egër malore, që ofron ajër të pastër e pamje të mrekullueshme, si dhe deti i kaltër dhe i pastër i Jonit.

Fshati dhe gjiri i Dhërmiut është i mbrojtur në veri nga gadishulli i Karaburunit, teksa vija bregdetare vijon në jug, ku ofrohen atraksione si shpella e piratëve, për të vijuar në Gjipe, jalē e mandej në Himarë.

Fshati është tepër tërheqës edhe në periudhën e dimrit, falë kishave karakteristike, shtëpive të riparuara me mjaft shije falë projektit të 100-fshatrave dhe me shtigjet natyrore për të apasionuarit e natyrës.

Këto karakteristika e kthjnë Dhërmiun në një nga perlat e turizmit buz Jonit, duke e kthyer zonën në “vatër” të mikëpritjes të turistëve nga e gjithë bota përgjatë gjithë vitit.

Mediet e ndryshme ndërkombëtare pasqyrojnë në reportazhet dhe shkrimet e tyre bukuritë e Dhërmiut, duke tërhequr vëmendjen e turistëve për ta vizituar atë.

Gjatë muajit korrik edhe gazeta prestigjioze amerikane ”New York Times” ka përzgjedhur edhe Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale.

Pak më shumë se një kilometër i gjatë, me shezlongë në dispozicion dhe gjire shkëmbore të izoluara, që shpërndahen në skajin jugor të plazhit, Dhërmiu është një destinacion kryesor edhe për ata që duan të festojnë, pasi në zonë organizohen disa festivale të mëdha muzikore gjatë gjithë verës.

Plazhet e Jonit këtë vit janë frekuentuar nga mijëra pushues, jo vetëm vendas, por edhe shumë të huaj./atsh

Raksha Bandhan: Festa që forcon lidhjen mes motrave dhe vëllezërve

By: Kult Plus
9 August 2025 at 17:46

Sot, më 9 gusht, miliona njerëz në Indi dhe komunitete të tjera hindu në mbarë botën festojnë Raksha Bandhan, një nga festat më të dashura dhe të ngrohta të traditës indiane. Kjo ditë simbolizon dashurinë, kujdesin dhe mbrojtjen që motrat dhe vëllezërit kanë për njëri-tjetrin.

Gjatë ceremonisë, motrat lidhin një byzylyk të shenjtë të quajtur rakhi në dorën e vëllezërve, duke u lutur për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Në këmbim, vëllezërit u japin dhurata dhe u premtojnë se do t’i mbrojnë në çdo rrethanë, shkruan KultPlus.

Raksha Bandhan ka origjinë të lashtë, me rrënjë në legjenda dhe tekste të shenjta, ku ky gjest simbolik shfaqet si shenjë e besnikërisë dhe dashurisë familjare.

Sot, festa shoqërohet me takime familjare, gatime tradicionale dhe një atmosferë gëzimi që tejkalon kufijtë gjeografikë, duke mbetur një moment i veçantë për bashkimin e zemrave dhe forcimin e marrëdhënieve familjare./KultPlus.com

Hëna e plotë e gushtit ndriçon qiellin sonte me një spektakël të rrallë

By: Kult Plus
9 August 2025 at 17:30

Mbrëmjen e sotme, më 9 gusht, qielli do të zbukurohet nga hëna e plotë e gushtit, një nga dukuritë natyrore më të admirueshme të vitit. Ky fenomen, i njohur në disa tradita si “Hëna e Stuhive” për shkak të shfaqjes së saj në periudha të motit të paqëndrueshëm veror, do të arrijë pikën kulmore të ndriçimit pas perëndimit të diellit.

Astronomët këshillojnë adhuruesit e qiellit ta vëzhgojnë në orët e para të mbrëmjes, kur hëna shfaqet me një nuancë të artë dhe madhështore, para se të ngrihet plotësisht në kupolën e natës. Për ata që dëshirojnë ta fotografojnë, një vend me horizont të hapur dhe pa ndotje drite do të ofrojë pamjen më të mirë.

Ky fenomen jo vetëm që është një mrekulli për sytë, por ka edhe rëndësi kulturore në shumë vende, ku hëna e gushtit lidhet me festa, mite dhe zakone të lashta që nderojnë lidhjen mes njeriut dhe natyrës./KultPlus.com

Dy pianistet shqiptare që po pushtojnë skenat europiane: Riola Susuri dhe Hira Haxhibeqiri

By: Kult Plus
9 August 2025 at 17:24

Riola Susuri dhe Hira Haxhibeqiri, dy pianiste të reja shqiptare me talent të jashtëzakonshëm, po bëjnë jehonë në skenat prestigjioze të Europës. Edhe pse në moshë të re, ato kanë fituar admirimin e publikut dhe kritikës për interpretimin brilant dhe pasionin e tyre të pakufishëm për muzikën klasike.

Të lindura dhe rritura mes dashurisë për artin, Riola dhe Hira sot jetojnë në Itali, ku vazhdojnë studimet dhe karrierën muzikore, duke u bërë ambasadore të kulturës shqiptare në botë, përcjellë KultPlus.

Ambasada e Kosovës në Itali u ka dërguar urime të përzemërta, duke theksuar:
“Me talentin dhe suksesin e tyre, ju urojmë vajzave tona suksese pafund.”

Historia e tyre është frymëzim për gjeneratat e reja të muzikantëve shqiptarë, duke treguar se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për artin, kufijtë janë vetëm një iluzion./KultPlus.com

Dua Lipa, nga skena e Sunny Hill tek pushimet buzë bregdetit shqiptar

By: Kult Plus
9 August 2025 at 17:00

Pas performancës spektakolare në festivalin Sunny Hill në Prishtinë javën e kaluar, superylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë me fansat disa momente relaksi nga bregdeti shqiptar.

Në fotot e publikuara në Instagram, ajo shfaqet me një set veror elegant në të bardhë, duke shkëlqyer nën diellin e gushtit dhe duke e shoqëruar postimin me përshkrimin: “Vitamin Sea”.

Vetëm pak ditë më parë, Dua ndezi atmosferën para mijëra adhuruesve në vendlindjen e saj, ku u prit me ovacione dhe emocione të jashtëzakonshme.

Edhe pse karriera e saj është në kulmin e suksesit ndërkombëtar, këngëtarja vazhdon të ruajë një lidhje të ngrohtë me vendin e origjinës – një arsye më shumë pse është kaq e dashur për shqiptarët kudo./KultPlus.com

Kurti në hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica International Jazz”

By: Kult Plus
9 August 2025 at 16:43

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica Internacional Jazz”, që po mbahet në Parkun e Qytetit në Mitrovicë.

Në këtë mbrëmje kulturore festive, kryeministri Kurti tha se “Mitrovica International Jazz Days” e bën bashkë edhe dimensionin ndërkombëtar e universal të muzikës në njërën anë, por edhe në anën tjetër veçantinë e zhanrit të Jazz-it. Ky është një festival i cili sjellë muzikë cilësore, krijon lidhje të reja dhe pasuron jetën kulturore të qytetit.

Me nëntë koncerte dhe pjesëmarrje të artistëve nga Holanda dhe Britania e Madhe, ai theksoi se ky edicion ka sjellë një kombinim të veçantë mes talentit ndërkombëtar dhe mikpritjes lokale, duke bërë kështu që publiku ta ndjekë me entuziazëm dhe ta bëjë festivalin pjesë të natyrshme të qytetit.

“Këto nëntë koncerte po zhvillohen në të dy anët e Ibrit, sepse e tillë është Mitrovica juaj, Mitrovica e të gjithë neve, pra në të dy anët e Ibrit, dhe nuk mund ta pengoj ose cenoj askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor. Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdojë të mbështesë këtë festival të Mitrovicës dhe të gjitha iniciativat që fuqizojnë jetën kulturore në vendin tonë. Sepse aty ku ka kulturë dhe art, ka zhvillim, e mirëkuptim, dhe mjedis për të gjithë njësoj”, tha ai.

Kryeministri Kurti falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për realizimin e këtij festivali, duke thënë se organizimi i një ngjarjeje të tillë kërkon përkushtim të madh dhe bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve, artistëve dhe komunitetit dhe mirënjohje për secilën e secilin që ka dhënë kontributin e vet.
“Urime për këtë edicion të suksesshëm. Uroj që Mitrovica International Jazz Festival të vazhdojë të rritet çdo vit, duke sjellë më shumë muzikë ditën dhe natën, më shumë bashkëpunim gjithandej dhe më shumë mundësi për vetë Mitrovicën dhe mbarë Kosovën”, tha ai në fund të fjalës së tij.

Kometa të errëta: Rreziku i padukshëm që fshihet në Sistemin Diellor

By: Kult Plus
9 August 2025 at 16:30

Në hapësirën e thellë të Sistemit Diellor ndodhen disa nga objektet më të çuditshme që astronomët kanë zbuluar ndonjëherë, të ashtuquajturat “kometa të errëta”. As asteroidë tipikë, as kometa klasike, këto trupa janë një përzierje e mistershme që sfidojnë ndarjet tradicionale të astronomisë. Edhe pse janë zbuluar vetëm në vitet e fundit, shkencëtarët besojnë se këto objekte mund të ofrojnë përgjigje për origjinën e ujit në Tokë, dhe ndoshta paraqesin një rrezik të padukshëm për të ardhmen e planetit tonë.

Gjithçka filloi në vitin 2016, kur një objekt që u mendua fillimisht si asteroid tregoi sjellje të ngjashme me atë të një komete, duke përjetuar një nxitim të lehtë jo të shkaktuar nga graviteti, por pa asnjë gjurmë tymi apo pluhuri. Një sjellje e ngjashme u vu re edhe me objektin ndëryjor ‘Oumuamua në vitin 2017. Deri në vitin 2023, ekipi i astronomit Darryl Seligman nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit kishte identifikuar gjashtë objekte të tilla me sjellje të çuditshme dhe pa karakteristika kometare të dukshme. Ky numër u rrit në 14 në fund të vitit 2024.

Pavarësisht përpjekjeve, shkencëtarët ende nuk e dinë çfarë i shkakton këto nxitime të pazakonta. Ato nuk mund të shpjegohen as nga efektet termale si Yarkovsky, që zakonisht ndikojnë në orbitën e trupave të vegjël hapësinorë. Astronomët po dyshojnë se këto mund të jenë trupa me akull të fshehur nën sipërfaqe, të shtyrë drejt Diellit nga graviteti i Jupiterit dhe të aktivizuar nga rrotullimi i shpejtë apo përplasjet me objekte të tjera.

Një ndihmë e papritur mund të vijë nga Japonia. Anija kozmike Hayabusa2, e cila në vitin 2020 solli mostra nga asteroidi Ryugu, ndodhet aktualisht në një mision të dytë drejt një objekti të quajtur 1998 KY26. Në mënyrë krejt rastësore, ky objekt është identifikuar më pas si një kometë e errët. Hayabusa2 pritet të arrijë aty në vitin 2031 dhe mund të jetë mjeti që do të zbulojë nëse këto trupa lëshojnë vërtet gaz si kometat tradicionale. Nëse misioni shkon sipas planit, kjo do të jetë hera e parë që një kometë e errët vizitohet nga afër.

Për momentin, teleskopë si Lowell Discovery Telescope po ndihmojnë në ndjekjen e këtyre objekteve. Përpjekjet për të përdorur teleskopin hapësinor James Webb nuk kanë pasur sukses deri tani, por studiuesit shpresojnë të zbulojnë më shumë në vitet në vijim, sidomos pasi disa nga kometat e errëta pritet të ndriçohen më shumë nga Dielli.

Një hipotezë gjithnjë e më e mbështetur është se ka dy lloje kometash të errëta: ato të vogla dhe të afërta me Tokën, të cilat janë asteroidë të thyer me akull të ekspozuar, dhe ato më të mëdha që vijnë nga afër orbitës së Jupiterit, kometa në fazën e fundit të jetës së tyre.

Përveç vlerës shkencore që kanë për të kuptuar se si uji mund të ketë mbërritur në Tokë, kometat e errëta mund të paraqesin edhe një rrezik të vërtetë. Disa prej tyre, si objekti 2003 RM – janë në afërsi të Tokës dhe ndryshojnë orbitën në mënyrë të paparashikueshme. Kjo do të thotë se mund të ketë objekte të padukshme që, në dukje të padëmshme, papritur mund të ndryshojnë drejtim dhe të kërcënojnë Tokën.

“Nëse nuk arrijmë t’i zbulojmë saktë, nuk do të mund të dimë nëse do të na godasin apo jo,” thotë Aster Taylor nga Universiteti i Miçiganit. Ndërkohë, misteri i kometave të errëta vazhdon të thellohet, dhe e ardhmja mund të sjellë surpriza nga më të papriturat./BBC/KultPlus.com

Si u kthye ‘The Black Cauldron’ në një nga dështimet më famëkeqe të Disney-t

By: Kult Plus
9 August 2025 at 16:15

Filmi ambicioz dhe inovativ i Disney Animation në vitin 1985, “The Black Cauldron”, ishte një eksperiment që dështoi në mënyrë dramatike, duke vendosur në diskutim vetë të ardhmen e studios. Në vitet 1980, Disney Animation po kërkonte një identitet të ri. Pas gjysmë shekulli suksesi, kjo dekadë në historinë e kompanisë njihet zakonisht si “Epoka e Bronzit” ose “Epoka e Errët”.

Shpresa erdhi në formën e “The Black Cauldron”, që dukej si mënyra perfekte për të shpallur një epokë të re në animacionin Disney. Ishte hera e parë që studio hynte në territorin e fantazisë epike, një film me vlerësim PG që fliste për një djalë të ri që përpiqet të ndalojë një kazan magjik që mund të krijojë një ushtri të të vdekurve (skena famëkeqe “Cauldron-Born”, ku një ushtri e të vdekurve ngjallet nga një kazan që zien, është ende e frikshme edhe pas 40 vitesh). Ishte një sinjal se Disney ishte gati t’i fliste një audience të re.

Por, “The Black Cauldron” rezultoi të ishte një dështim për studion. Një fiasko në arkë, fitoi vetëm 21 milionë dollarë (15.6 milionë £), më pak se gjysma e buxhetit prej 44 milionë dollarësh (32.7 milionë £). Në fundjavën e hapjes, u rendit i katërti, pas National Lampoon’s European Vacation, një ripërsëritje e E.T. The Extra-Terrestrial, dhe Back to the Future, i cili tashmë ishte një muaj në kinema. Në kohën kur u publikua, ishte filmi më i shtrenjtë i animuar ndonjëherë.

Në vend që të ishte filmi që do ta çonte Disney-n në lartësi të reja, “The Black Cauldron” mbeti në histori si filmi që për pak sa nuk e shkatërroi kompaninë. Ky perceptim duket se lindi për herë të parë në një artikull të Slate në vitin 2010, ku thuhej se filmi “gati sa e vrau animacionin e Disney-t”. Në vitin 2025, është e vështirë të flasësh për “The Black Cauldron” pa përmendur se thuhet që për pak sa nuk e mbylli departamentin e animacionit. Por, a është ky një pretendim i drejtë, apo thjesht një mit që ka mbijetuar për dekada?

Një gjë është e qartë: The Black Cauldron synonte të ishte një film ndryshe nga çdo tjetër në historinë e Disney-t.
“Ron Miller, ish-CEO i kompanisë dhe dhëndri i Walt Disney-t, donte që filmi të ishte një largim i qëllimshëm,” tregon Neil O’Brien, autor i After Disney: Toil, Trouble, and the Transformation of America’s Favorite Media Company.
“Ai donte që t’i drejtohej një audience adoleshente dhe të rriturish të rinj, dhe punoi qëllimisht që të mos kishte këngë në film që mund të largonin shikuesit adoleshentë.”

“The Black Cauldron” mori vlerësimin PG, një tjetër risi për Disney.
“Sot kjo është diçka standarde, por në atë kohë ishte shumë progresive, duke shtyrë kufijtë se çfarë mund të ishte një film i animuar,” thotë Mindy Johnson, autore e Ink & Paint: The Women of Walt Disney’s Animation.
“Është vërtet i errët. Skena me Cauldron-Born është ndoshta më makabre se gjithçka që kishin bërë më parë,” thotë Dr Sam Summers, lektor i animacionit në Middlesex University.

Por edhe në prapaskenë gjërat po errësoheshin. Një brez i ri animatorësh të diplomuar nga California Institute of the Arts, si Brad Bird dhe John Lasseter (që më vonë do të bëheshin figurat kyçe në Pixar, me The Incredibles dhe Toy Story), kërkonin të sillnin një estetikë të re në studio. Kjo çoi në përplasje me gjeneratën e vjetër, të vendosur për të ruajtur traditat.

“Gjatë zhvillimit të Cauldron, kishte shumë fraksione që konkurronin në studio,” thotë O’Brien.
Atmosfera në studio kaloi nga optimiste në të shqetësuar. Bazuar në një seri me pesë libra nga vitet 1960, “The Chronicles of Prydain” nga Lloyd Alexander, përshtatja e “The Black Cauldron” ishte një sfidë monumentale.
“Ishte një narrativë epike dhe kishte sfida të mëdha për ta përmbledhur në vite zhvillimi,” thotë Johnson.

Filmi shënoi gjithashtu disa risi teknologjike: ishte i pari që përdori animacion kompjuterik, për efektet e kazanit dhe një sferë magjike. Ishte gjithashtu filmi i parë i Disney që nga “Sleeping Beauty” (1959) që realizohej në 70mm, duke i dhënë animatorëve një “kanavacë” më të madhe, por edhe më të kushtueshme. Ata eksperimentuan madje edhe me teknologji si sisteme hologrami për kinematë, që do sillnin në jetë “të vdekurit nga kazani”.

“The Black Cauldron ishte një projekt shumë i madh për një grup të rinjsh,” thotë Johnson. Por ata ishin të uritur për të treguar çfarë dinin.
“Animatori Andreas Deja më ka thënë se ata donin që Cauldron të ishte “Snow White”-i i brezit të tyre.” Disa nga ata që punuan në të, janë sot emra kyç në industri: Tim Burton, Ron Clements, Jill Colbert dhe Kathy Zielinski e nisën karrierën aty.

Pastaj ndodhi një ndryshim i madh në drejtimin e Disney-t. Më 6 shtator 1984, CEO Ron Miller u shkarkua nga bordi dhe, dy javë më vonë, u zëvendësua nga presidenti i Paramount, Michael Eisner. Ai solli ndryshime të mëdha, përfshirë emërimin e Jeffrey Katzenberg si kryetar të Walt Disney Studios.
“Gjërat u bënë më korporative,” thotë Johnson.
“Katzenberg u përfshi në një kohë kur filmi ishte pothuajse gati për publikim në Krishtlindje. Por nuk i pëlqeu ajo që pa dhe e shtyu. Kjo vetëm sa shtoi konfuzionin e asaj periudhe.”

Animacioni nuk ishte përparësi për Katzenberg.
“Filmat me aktorë të gjallë ishin thesari kryesor, dhe atyre u kushtohej më shumë vëmendje. Katzenberg-it iu caktua animacioni, por si një gjë dytësore,” thotë Johnson.

Pas disa shfaqjeve testuese të tmerrshme, ku thuhet se fëmijët dilnin nga salla duke qarë, Katzenberg u shokua.
“Ai mendoi, ‘Nuk mund ta nxjerrim këtë’. Ai nuk mendonte për filmat e frikshëm që kishin ndërtuar trashëgiminë e Disney-t. Mendonte për arkat dhe fitimin,” thotë Summers.

Katzenberg kërkoi prerje drastike, duke hequr 15 minuta nga filmi. Por montazhi në animacion ndodh shumë përpara se të fillojë vetë animimi.
“Çdo kuadër mendohet me kujdes dhe kalon në shumë versione storyboard-esh. Zakonisht e përfundon historinë dhe prerjet që në fazat e para,” thotë O’Brien.

Por Katzenberg u fut vetë në dhomën e montazhit në një fazë shumë të vonë dhe filloi të priste personalisht filmin, duke krijuar tensione të mëdha me animatorët.
“Ai erdhi i freskët, pa përvojë në animacion, dhe filloi të priste vetë filmin, kjo krijoi përçarje në studio,” thotë Summers.

Pas shumë vonesash dhe vështirësish, buxheti i filmit u rrit nga 25 milionë dollarë (18.6 milionë £) në rreth 44 milionë dollarë, më shumë sesa buxheti i gjashtë filmave të mëparshëm të studios së bashku. Por kjo nuk ishte domosdoshmërisht problem.

“Ron Miller e shihte buxhetin e madh si diçka pozitive. Ishte një kohë kur studiot e Hollivudit mburreshin me sa kishin shpenzuar, për të treguar cilësinë,” thotë O’Brien.

Fatkeqësisht, “The Black Cauldron” dështoi. Vlerësimi PG largoi audiencën e re, që ishte baza e Disney-t, dhe historia e komplikuar dhe pritjet e ulëta nga kritika larguan edhe shikuesit më të rritur. Ishte një humbje e madhe financiare. Ndodhën shkarkime nga puna.

“Jo, aspak. Kjo ide doli për herë të parë në vitin 2010,” thotë O’Brien, duke iu referuar artikullit të Slate.
“Nuk gjeta asnjë dëshmi që “The Black Cauldron” për pak sa nuk e vrau studion. Por kjo nuk do të thotë që gjërat nuk ishin seriozisht të pasigurta.”

“Humbi shumë para pikërisht në kohën më të keqe, sepse ishte tamam në atë moment kur drejtuesit e rinj kishin ardhur nga jashtë dhe po i vëzhgonin gjërat nga afër,” thotë Summers. Rezultatet për “The Black Cauldron” ishin aq të dobëta, saqë fitoi më pak se një ripërsëritje e filmit të vitit 1961 “One Hundred and One Dalmatians”, i cili grumbulloi 33 milionë dollarë. Drejtuesit duhej të merrnin në konsideratë nëse prodhimi i animacionit të ri ishte ende i vlefshëm, sidomos kur pjesa tjetër e korporatës Disney po lulëzonte me filmat live-action, shitjen e produkteve dhe parqet tematike.

“Nëse i shikon drejtuesit që ishin aty në atë kohë, ata do të thoshin: ‘Pse na duhet kjo? Pse po hedhim para kot? Ne po fitojmë para me grushte nga ana tjetër. Të fokusohemi aty,’” thotë Johnson.

“Nuk pati mundësi të vriste animacionin, sepse ata do të përfundonin ‘The Great Mouse Detective’,” thotë Summers, duke folur për filmin pasues të Disney Animation pas “The Black Cauldron”, i cili ishte tashmë në zhvillim të avancuar. Ai film pati një performancë shumë më të mirë, duke fituar 25 milionë dollarë në publikimin fillestar me një buxhet prej vetëm 14 milionë dollarësh (10.4 milionë £), duke e rikthyer studion në rrugën e duhur.

“Cauldron ishte një pikë kthese dhe na çoi aty ku jemi sot,” thotë Johnson.

Ekspertët bien dakord se ishte një njeri ai që siguroi vazhdimësinë e Disney Animation: Roy E. Disney, nipi i Walt-it.

“The Black Cauldron” ishte një goditje e madhe për studion. U desh që Roy Disney të hynte në skenë, ta përkrahte dhe të qëndronte i palëkundur në qëndrimin se animacioni është themeli mbi të cilin është ndërtuar kjo kompani,” thotë Johnson.

Dhe këmbëngulja e Roy E. Disney padyshim që dha fryte. Katër vite pas “The Black Cauldron” erdhi “The Little Mermaid” (1989), që nisi epokën e “Rilindjes Disney”, periudha më e suksesshme në aspektin kritik dhe komercial në historinë e Disney-t./BBC/KultPlus.com

❌
❌