Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 August 2025Main stream

Mozaiku i Kishës Paleokristiane në Antigone, i hapur deri më 22 gusht

By: Kult Plus
15 August 2025 at 11:00

Parku Arkeologjik i Antigones, një nga sitet më të rëndësishme historike në jug të Shqipërisë, po mirëpret gjatë kësaj periudhe një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.

Natyra përreth dhe historia e pasur e bëjnë këtë park arkeologjik një ndër pikat më të vizituara nga turistët gjatë udhëtimeve të tyre në luginën e Drinos.

Mozaiku i Kishës Paleokristiane në “Parkun Arkeologjik Antigone” është një prej objekteve të kultit më të vizituara nga turistët që zgjidhin këtë sit arkeologjik.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se ky mozaik është i hapur për të gjithë vizitorët deri më datën 22 gusht.

Mozaiku i Kishës Paleokristiane gjendet në skajin jugor të qytetit antik Antigone, ku ndodhen rrënojat e një objekti kulti i tipit Bazilikë, që daton më shek. V – VI.

Motivi i aplikuar në pjesën qendrore të mozaikut i cili formon një figurë antropomorfe, ka trajtën e një gruaje dhe për studiuesit interpretimi, është në favor të “Shën Kristoforit” Krishtmbartës.

Antigonea është një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinosit. Brenda mureve fortifikuese të shek. III, vendbanimi ka një sipërfaqe prej 45 ha, ndërsa territori i parkut arkeologjik është mbi 90 ha.

Emrin qyteti e ka marrë nga Antigona, gruaja e parë e mbretit Pirro.

Rritja e interesit të vizitorëve për këtë destinacion po i jep një impuls pozitiv zhvillimit të turizmit kulturor në jug të vendit./atsh/KultPlus.com

Before yesterdayMain stream

Restaurohet rrethimi i Parkut Kombëtar të Butrintit sipas projektit të viteve `60

By: Kult Plus
13 August 2025 at 10:00

Në Parkun Kombëtar të Butrintit përfundoi restaurimi i rrethimit.

Rrethimi ishte projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri në vitet ’60. Pas më shumë se dy dekadash pa ndërhyrje të rëndësishme, ky element i infrastrukturës është rikthyer në gjendjen e tij të plotë funksionale dhe estetike.

Procesi është kryer duke përdorur materiale origjinale dhe duke respektuar konceptin arkitektonik fillestar. Parku Kombëtar i Butrintit theksoi në një postim në rrjetet sociale se ky projekt nuk është thjesht një punim restaurimi, por një homazh për mjeshtërinë e projektuesit dhe një investim në mbrojtjen e trashëgimisë së Butrintit për brezat që vijnë.

Parku Kombëtar i Butrintit renditet i pari ndër 5 institucionet e trashëgimisë kulturore më të vizituara për periudhën janar-korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Butrinti është vizituar gjatë këtyre muajve nga 150,178 vizitorë, vendas e të huaj./atsh/KultPlus.com

Fëmijë e të rritur mësojnë së bashku mbi xhubletën

By: Kult Plus
12 August 2025 at 16:30

Në Durrës u zhvillua aktiviteti krijues i cili mblodhi fëmijë dhe të rritur në një proces ndërveprues, ku përmes artit dhe dorës së tyre, ata u njohën me simbolet tradicionale të xhubletës dhe disa nga elementet karakteristike të dyerve të vjetra të qytetit të Durrësit.

“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm për t’u ruajtur, por për t’u ndjerë, eksploruar dhe rikrijuar”, shkruhet në faqen online të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, e cila e mbështeti këtë projekt.

Në fokus ishte xhubleta, një veshje simbolike me histori mijëravjeçare, e cila u interpretua nga fëmijët përmes qepjes me rruaza dhe motive dekorative. Në një tjetër kënd, pjesëmarrësit punuan mbi modele të dyerve të vjetra të qytetit, të cilat i zbukuruan me qëndisje dhe ngjyra, duke sjellë histori të reja mbi simbole të vjetra.

MEKI tha se, kjo punëtori ndërvepruese lehtësoi njohjen dhe kuptimin e trashëgimisë kulturore përmes pjesëmarrjes aktive dhe krijuese./atsh/KultPlus.com

Muzeu Etnografik i Lezhës – Dritare drejt historisë dhe traditave shqiptare

By: Kult Plus
12 August 2025 at 12:30

Në zemër të qytetit të Lezhës, në një ndër godinat më autentike të tij, ndodhet Muzeu Etnografik, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Kjo hapësirë muzeale është shndërruar në një pikë referimi për këdo që dëshiron të zbulojë më shumë mbi trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Brenda ambienteve të muzeut ruhen me kujdes objekte të çmuara që pasqyrojnë mënyrën e jetesës së shqiptarëve ndër shekuj. Vizitorët kanë mundësi të shohin armë të vjetra, flamuj historikë, kostume popullore tradicionale si dhe mjete të përdorura në jetën e përditshme, të cilat së bashku krijojnë një mozaik të pasur të jetës shqiptare, transmeton KultPlus.

Sipas Zefit, një nga përfaqësuesit e muzeut, interesimi nga vizitorë ndërkombëtarë është në rritje. Turistët shprehin kureshtje për të mësuar më shumë rreth kulturës, zakoneve dhe historisë së vendit, duke e parë muzeun si një vend ideal për këtë qëllim.

Muzeu Etnografik i Lezhës mbetet një ndër pikat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në veriun e Shqipërisë. Përveçse vlerë për komunitetin lokal, ai shërben si një portë hyrëse për të gjithë ata që duan të njihen nga afër me rrënjët dhe shpirtin e kulturës shqiptare./KultPlus.com

‘Apolonia e Ilirisë’, Gonxhja: Gërmimet janë përqendruar në tri zona kryesore të sitit arkeologjik

By: Kult Plus
11 August 2025 at 22:35

Projekti kërkimor-shkencor “Apolonia e Ilirisë”, i bashkëdrejtuar nga profesorët Belisa Muka dhe François Quantin, po vijon në sitin arkeologjik të Apolonisë dhe këtë vit është përqendruar në tri zona kryesore të tij.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “në kuadër të projektit kërkimor-shkencor “Apolonia e Ilirisë”, i bashkëdrejtuar nga profesorët Belisa Muka dhe François Quantin, vijon me përkushtim bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Institutit të Arkeologjisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë), UMR 8546 – AOrOc Paris, Shkollës Franceze të Athinës (EfA), Shkollës Franceze të Romës (EfR), Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore (Universiteti i Tiranës), IKTK-së dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia (nën varësinë e MEKI-t)”.

Sipas ministrit Gonxhja, “programi i vitit 2025 është përqendruar në tri zona kryesore të sitit arkeologjik: Sektori i termave të periudhës romake; Porta verilindore; Linja e fortifikimit”.

Gonxhja nënvizoi se “paralelisht me gërmimet, vijon puna e studimit të materialit arkeologjik dhe formimi i studentëve shqiptarë e francezë, përmes trajnimeve mbi metodologjitë bashkëkohore të dokumentimit, si dhe analizës së teknikës, stilit dhe ikonografisë së skulpturave antike”.

“Ky vit shënon fazën e dytë të ateliesë mbi skulpturën antike, një hap i rëndësishëm në thellimin e njohurive dhe praktikave kërkimore mbi artin skulpturor të Apolonisë dhe trashëgimisë së saj unike”, theksoi Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Nis restaurimi i kishës 1.300-vjeçare në Arrëz të Lushnjës

By: Kult Plus
11 August 2025 at 20:35

Një nga monumentet më të hershme të Myzeqesë, kisha 1.300-vjeçare e “Shën Todrit” në fshatin Arrëz të Lushnjës, ka hyrë në një fazë të rëndësishme restaurimi. Ndërhyrja u konsiderua urgjente, pasi ndërtesa rrezikonte shembjen për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike dhe tërmetet ndër vite.

Punimet, të mbështetura nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, po përqendrohen kryesisht në rikonstruksionin e çatisë dhe riparimin e mureve të degraduara. Kjo kishë, e cila besohet të jetë e dyta më e vjetër në zonë pas manastirit të Ardenicës, mbart jo vetëm vlera të veçanta fetare dhe historike, por edhe një arkitekturë të rrallë. Për këtë arsye, ajo gëzon statusin e “Monumentit të Kulturës” të kategorisë së parë, përcjellë KultPlus.

E mbyllur për besimtarët që prej vitit 2020 për shkak të amortizimit, kisha pritet të hapet sërish brenda pesë muajve, madje punimet po ecin me ritme të tilla që afati mund të përfundojë më herët. Drejtuesit e saj theksojnë se, krahas restaurimit të ndërtesës, mbetet e rëndësishme edhe rregullimi i rrugës që të çon drejt këtij objekti të trashëgimisë.

Pas restaurimit të kishës në Bishqethëm, ky është projekti i dytë i këtij lloji që realizohet në Lushnjë, duke treguar përkushtimin për ruajtjen e monumenteve me vlera të rralla historike dhe shpirtërore./KultPlus.com

Lindja e Mesme: Thesaret kulturore në rrezik nga konfliktet

10 August 2025 at 13:39

Si mund të mbrohen artifaktet dhe sitet historike gjatë konflikteve? Sulmet me raketa mes Izreaelit e Iranit nuk morën vetëm jetë njerëzish e plagosën civilët, por rrezikuan edhe trashëgiminë kulturore në rajon. Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), me bazë në Paris, shpërndau një deklaratë pas lëshimit të raketave të para mes Iranit dhe Izraelit në luftimet para disa javësh, ku theksoi […]

The post Lindja e Mesme: Thesaret kulturore në rrezik nga konfliktet appeared first on BoldNews.al.

“Onufri” një nga destinacionet e preferuara nga turistët që vizitojnë Beratin

By: Kult Plus
9 August 2025 at 09:30

Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” është njëri prej destinacioneve më të vizituar ndër sitet kulturore të qytetit të Beratit.

Ikonat, ngjyrat, historia, gjithçka është ruajtur me kujdes, për t’u parë nga afër. “Ejani. Jo thjesht për të kaluar kohën, por për ta ndjerë atë”, është ftesa që bën ky institucion drejtuar artdashësve, të cilët këtë sezon turistik kanë qenë të shumtë dhe nga të gjitha anët e globit.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat administron Muzeun “Onufri”, si edhe Muzeun Etnografik, të cilët mbledhin, ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shek XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare./atsh/KultPlus.com

‘Vajzë Fest 2025’, një përvojë unike në zemër të Vlorës

By: Kult Plus
8 August 2025 at 14:45

Në fund të çdo gushti, fshati Vajzë i Vlorës, vendlindja e poetit Ali Asllani, kthehet në një qendër të gjallë të kulturës, artit dhe mikpritjes shqiptare.

Edhe këtë vit, nga data 22 deri më 24 gusht, ju ftojmë në “Vajzë Fest – Art, Film, Trashëgimi”, një festë që ndërthur me mjeshtëri traditën me frymën bashkëkohore, kujtesën me rininë krijuese.

Artistë të njohur, kineastë, muzikantë, piktorë dhe figura publike do të sjellin në Vajzë një energji të re përmes tre ditëve plot ngjarje: shfaqje filmike e teatrore, ekspozita arti, poezi, muzikë polifonike, valle popullore, cirk, muzikë bashkëkohore dhe aktivitete të dedikuara për fëmijët.

Një nga risitë e këtij edicioni është “Dita Olimpike”, e cila do të zhvillohet në Parkun Arkeologjik të Amantias, nën kujdesin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kjo iniciativë sjell një frymë të re në një vend me histori të lashtë, si një rikthim simbolik i shpirtit të lojërave antike.

Për të rinjtë e apasionuar pas aventurës dhe natyrës, do të ketë ecje në shtigjet malore, kampingje nën yje, netë me zjarr rrethues dhe muzikë live, duke krijuar kujtime dhe miqësi që zgjasin.

Eksplorimet do të shtrihen në disa nga perlat natyrore dhe historike të zonës: Ujvara e Rasalit, Ura e Bratajt, shpellat e Velçës, Beuni historik, dhe rrënojat mbresëlënëse të Amantias.

Pjesë e pandashme e kësaj përvoje do të jetë edhe kuzhina vendase. Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatime tradicionale, mish të pjekur, bulmet të freskët, raki dhe verë vendi, të ofruara në shtëpi mikpritëse, stenda të improvizuara, apo në lokalin piktoresk pranë Shpellës së Bletës, ku natyra dhe qetësia krijojnë një atmosferë magjepsëse.

“Vajzë Fest” është rezultat i përkushtimit të Shoqatës së fshatit Vajzë, në bashkëpunim me Bashkinë Selenicë dhe banorët vendas, të cilët besojnë se trashëgimia shqiptare ka ende shumë për të treguar./KultPlus.com

Ruki Kondaj, gruaja shqiptare që është nderuar me medaljen e Kurorëzimit të Mbretit Charles III

By: KultPlus
8 August 2025 at 13:04

Ruki Kondaj është me profesion mjeke, por aktiviteti i saj është shtrirë për shumë vite në ruajtjen e vlerave të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në Kanada, e cila prej viteve të 90-ta jeton atje. 

Ruki Kondaj është një prej figurave shqiptare që është shndërruar në urën e komunikimit mes figurave të njohura shqiptare me atë kanadeze, e cila shumë shpesh ka prezantuar artistë shqiptarë para audiencës kanadeze, duke i prezantuar shumë shpesh edhe brenda parlamentit kanadez. 

Por puna më e madhe që vlerësohet të ketë bërë Ruki Kondaj është ai i miratimit të ligjit të trashëgimisë shqiptare në Kanada, kontribut që ka bërë krenarë shumë shqiptarë që jetojnë në Kanada. 

Dhe për kontributin e saj në shumë dimensione, Ruki Kondaj brenda këtij viti është dekoruar me medaljen e Kurorëzimit të Mbretit Charles III, ceremoni që është mbajtë në Kanada, medalje që e ka vërtetuar angazhimin e saj nëpër vite, por që sipas saj është motiv për të vazhduar edhe më tutje për promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore para popullit të Kanadasë./ KultPlus.com

Manastiret dhe kishat e Fierit, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore

By: Kult Plus
8 August 2025 at 12:30

Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, prej shekullit XIII shenjon historinë e bukur shqiptare dhe rrëfen trashëgiminë tonë kulturore.

Ky manastir është pjesë e Mitropolisë së Apolonisë dhe Fierit, ku ka një komunitet të madh besimtarësh ortodoksë, të cilët pak ditë më parë kremtuan me madhështi “Shpërfytyrimin e Shpëtimtarit”, “Metamorfozën”, ose siç e thotë populli “Shën Sotirin” (5 dhe 6 gusht).

Besimtarët morën pjesë në “Mbrëmësoren e Madhe” dhe ritualin e bekimit të pesë bukëve.

Në zonë janë të shumta kishat dhe manastiret të shpallura Monumente Kulture.

Gjatë një vizite në Fier, nuk duhen lënë pa vizituar tre nga manastiret më të famshme të ortodoksisë shqiptare, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore dhe njëri prej tyre është Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, brenda Parkut Arkeologjik Apoloni. Dy të tjerët janë Manastiri i Ardenicës, i shekullit XI si dhe Manastiri i Shën Kozmait në Libofshë (1815), vend pelegrinazhi nga banorët e zonës por edhe nga besimtarë përtej kufijve.

Këta janë manastire me gjurmë të figurave të shquara të historisë shqiptare dhe me arkitekturë bizantine. Por edhe kishat shekullore më të famshme myzeqare, si Shën Gjergji (Libofshë, 1767) dhe Shën Kolli (Libofshë, 1777) kanë gjurmë të artistëve më të shquar të artit bizantin: Shpataraku, Zografët dhe Çetirët./atsh/KultPlus.com

Çamëria, dhembja e heshtur: Fjalimi i fuqishëm i Esad Mekulit

By: Kult Plus
8 August 2025 at 10:30

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun.

Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.”/KultPlus.com

Kalaja e Palokastrës, një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë historike

By: Kult Plus
7 August 2025 at 13:35

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër ka ndarë së fundmi pamje të veçanta nga Kalaja e Palokastrës, një monument kulture i kategorisë I, i vendosur në fshatin Palokastër, në qarkun e Gjirokastrës, brenda Njësisë Administrative “Cepo”.

Kjo kështjellë ndodhet në një terren të sheshtë, pikërisht aty ku bashkohen lumi Drinos dhe Belica, degë e lumit të Kardhiqit. Sipas studimeve arkeologjike, ndërtimi i saj daton në periudhën e shekujve IV-VI.

Kështjella ka një formë trapezore të rregullt, me një sipërfaqe prej 0.915 hektarësh. Baza e saj përshkon 113.5 metra, ndërsa brinjët anësore masin 92.5 metra dhe ajo e sipërme 90.5 metra. Struktura mbrojtëse përforcohet nga 14 kulla: katrore në anët lindore, në formë patkoi në pjesën veriperëndimore dhe rrethore në juglindje.

Sipas analizave të bëra mbi strukturat e mureve, kullave dhe hyrjeve, janë identifikuar tri faza ndërtimi të kështjellës. Gjatë gërmimeve arkeologjike në bazilikën e zbuluar brenda saj, nën dysheme janë gjetur gjurmë të mureve dhe kapanoneve që dikur shërbenin si strehim për ushtarët.

Këto ambiente kanë një gjerësi prej rreth 11 metrash dhe janë ndarë gjatësisht në dy pjesë, të cilat më pas ndaheshin në dhoma më të vogla me përmasa 5×5 metra. Ato komunikonin përmes rrugëve të vendosura në lindje dhe perëndim. Përveç kapanoneve, brenda kalasë është zbuluar një bazilikë, ndërsa jashtë saj një kishë me një nef.

Hyrja kryesore e fortifikuar me dy kulla ndodhet në pjesën perëndimore të kalasë. Gjithashtu, janë identifikuar edhe dy hyrje të vogla sekondare, një në anën lindore dhe një tjetër në atë veriore, të cilat shërbenin për lëvizje më të shpejtë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me pjesët përreth.

Gërmimet kanë zbuluar gjithsej 18 varre. Nga gjurmët e ruajtura, duket se ambientet brenda kullave ishin shtruar me pllaka guri dhe kishin ndarje të brendshme me dysheme druri që shërbenin si kate të sipërme. Brenda tyre ndodheshin shkallë që lidhnin katet, ndërsa mungesa e rampave guri sugjeron se ato kanë qenë prej druri./KultPlus.com

Mozaikët e Parkut Kombëtar të Butrintit

By: Kult Plus
7 August 2025 at 12:45

Parku Kombëtar i Butrintit publikoi në rrjetet sociale pamje nga Mozaiku i Pagëzimores. Publikimi i i pamjes së mozaikut, i cili mbart një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore vjen në kuadër të rubrikës “Të njohim Butrintin”.

Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit është më i madhi dhe më i ruajturi nga mozaikët e çdo pagëzimoreje tjetër të botës romake. Ai ishte kompozuar në mënyrë që të jepte mesazhe të qarta të shpëtimit dhe jetës së amëshuar për ata që vendosnin të pagëzoheshin.

Përreth dy rrathëve koncentrikë prej tetë kolonash, shtatë unaza mozaiku rrethonin kryqin qendror, duke riformuar edhe një herë numrin tetë.

Ky numër në fillimet e krishtërimit simbolizonte pagëzimin, krijimin dhe shpëtimin.

Muajin e kaluar, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore njoftuan për hapjen dhe ruajtjen e dy mozaikëve: mozaiku i termeve romake pranë teatrit dhe mozaiku i galerisë në oborrin verior të gjimnazit. Këta mozaikë të rrallë qëndrojnë të hapur për publikun nga 22 korriku deri më 15 gusht./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik i Shkodrës pasurohet me pesë harta historike

By: Kult Plus
7 August 2025 at 09:30

Fondi i Muzeut Historik të Shkodrës është pasuruar së fundmi me pesë harta me vlerë të veçantë historike, një dhuratë e çmuar nga z. Gjergj Marena, një qytetar i njohur për pasionin e tij ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Këto dokumente të rralla përbëjnë një kontribut të vyer në ruajtjen e kujtesës sonë historike, duke reflektuar dashurinë për qytetin e Shkodrës dhe ndjenjën e fortë të identitetit kombëtar, transmeton KultPlus.

Ky akt bujar u kurorëzua përmes një ceremonie simbolike të titulluar “Një Dhuratë me Vlerë Historike”, ku u shpreh mirënjohja për këtë kontribut me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të qytetit.

“Një falënderim i veçantë për Gjergj Marena, për përkushtimin, vizionin dhe kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.” – shkruan Beci në profilin e tij në Facebook.

Ky gjest i z. Marena është një shembull i frymëzues për të gjithë ata që vlerësojnë dhe mbështesin trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore./KultPlus.com

Nga Strehim në Frymëzim: Bunkeri i Ulpianës shndërrohet në qendër për art dhe kulturë

By: Kult Plus
6 August 2025 at 10:15

Dikur vendstrehim i ndërtuar për të mbrojtur jetën në kohë lufte, sot një simbol i ringjalljes përmes artit dhe bashkësisë. Në zemër të lagjes Ulpiana në Prishtinë, bunkerët e errët, të harruar e të mbushur me lagështi, kanë nisur një kapitull të ri: janë shndërruar në një hapësirë moderne, të ndritshme dhe të hapur për të gjithë.

Ky transformim rrënjësor është më shumë se një rikonstruktim fizik. Është një mesazh i qartë: çdo hapësirë, sado e errët apo e frikshme që ka qenë në të kaluarën, mund të bëhet vend i dritës, i krijimtarisë dhe i bashkimit. Sot, aty ku dikur sundonte heshtja dhe frika, lind jeta përmes artit, ngjall kureshtje tek fëmijët dhe ngjiz ide e ëndrra të reja për të ardhmen, transmeton KultPlus.

Hapësira e re kulturore në Ulpianë përfaqëson një vizion të qartë për transformim social dhe kulturor. Nga një vend i izoluar, në një epiqendër të bashkëpunimit e frymëzimit. Është një hap konkret drejt përfshirjes së komunitetit, veçanërisht të të rinjve, në aktivitete kulturore, arsimore dhe kreative që nxisin zhvillimin personal dhe shoqëror.

Ky projekt u bë i mundur falë financimit nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut, në partneritet me UNDP Kosovë, dhe do të menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Një bashkëpunim ndërkombëtar dhe lokal që dëshmon se ndryshimi është i mundur kur vizioni shoqërohet me përkushtim dhe mbështetje konkrete.

Qendra e re për Art dhe Kulturë do të shërbejë si një urë lidhëse mes brezave, duke krijuar një hapësirë të sigurt dhe stimuluese për fëmijët, të rinjtë dhe gjithë banorët e lagjes. Një vend ku talentet e reja mund të shprehen, ku komuniteti mund të mblidhet, dhe ku kujtimet e errëta të së kaluarës shndërrohen në dritare të së ardhmes.

Kryeqyteti, edhe një herë, po dëshmon se di si të kthejë sfidat në mundësi, dhe të ndërtojë nga rrënojat një të ardhme që frymëzon./KultPlus.com

Udhëtime kulturore nën kupolat e kishave dhe peizazheve unike në Dropull

By: Kult Plus
5 August 2025 at 16:05

Me monumentet e shumta kulturore dhe natyrore, zona e Dropullit në Gjirokastër është kthyer në një destinacion tërheqës për vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa prej këtyre monumenteve, të cilat po tërheqin çdo ditë e më shumë vizitorë.

“Pasuritë turistike të Dropullit nuk janë thjesht atraksione për t’u vizituar, por janë udhëtime kulturore që të rrëmbejnë nën rrënojat e historisë në qytetin antik të Adrianopolit në Sofratikë, nën kupolat magjepsëse të kishave si ajo e Lindjes së Virgjëreshës, si dhe mes peizazheve unike, ku natyra ka skalitur monumente të gjalla si Ujëvara e Selckës”, u shpreh Rama.

Bashkia e Dropullit ka 42 monumente kulture dhe 14 monumente natyre.

Vitte e fundit banorët e zonës po çelin shtëpitë e tyre si bujtina familjare për te mikpritur vizitorët që zgjedhin Dropullin për të vizituar./atsh/KultPlus.com

Rikthehet ‘Mokra n’Fest’, festa që ngjall traditën dhe mikpritjen

By: Kult Plus
5 August 2025 at 15:40

Mokra po bëhet gati të presë edicionin e gjashtë të festivalit “Mokra n’Fest”, një festë që prej vitesh mbledh bashkë mokrarët nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke kthyer këtë zonë të bukur malore në një qendër të traditës, kulturës dhe mikpritjes.

Kjo festë do të mbahet më 16 gusht, nga ora 14:00 deri në mbrëmje vonë tek ura monument kulture në Golik. Gjatë festës do të zhvillohen aktivitete kulturore si koncerte e muzikë live dhe panair me gatime tradicionale.

Në skenën kryesore do të performojnë këngëtarët Mariola & Jurgen Kaçani, vëllezërit Lushka, Avni Lushka dhe Luli Qose, Vëllezërit Kapa, Ansambli “Mokra”, Julian Elezi, Juli Tollozhina etj, si dhe këngëtarë të tjerë lokalë, që do të sjellin muzikën dhe shpirtin e kësaj treve të lashtë ilire.

Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatimet karakteristike të zonës, përgatitur nga duart e nënave mokrare si lakror në saç, kulaç tradicional, mish në hell, të gjitha me shije shtëpie dhe shumë dashuri.

Ndër aktivitetet që pritet të mbahen janë edhe kanoe në lumin Shkumbin, kamping në natyrë, koloni piktorësh, ekspozitë fotografike, argëtim për fëmijë dhe të rinj.

Ky festival folklorik është më shumë se një festë, është një kthim në rrënjë, një kujtesë e vlerave dhe identitetit tonë kulturor, dhe një ftesë për të jetuar nga afër shpirtin mokrar./atsh/KultPlus.com

‘Shqipja nuk është vetëm gjuhë, është kujtesë që flet’, Stuart Edward Mann

By: Kult Plus
5 August 2025 at 15:30

Shkruan Albert Vataj

In memoriam për Stuart Edward Mann, albanologun që na bekoi me postulatin “Shqipja nuk është vetëm gjuhë, është kujtesë që flet”

Sot, më 5 gusht, në këtë ditë përkujtimore të ndarjes nga jeta të Stuart Edward Mann-it, kujtojmë jo vetëm një studiues të shquar të shqipes, por një përfaqësues të atij rralli fisnikërimi akademik që nuk thjeshton, por thellon; që nuk vjen për të cituar, por për të dëgjuar; që nuk mban qëndrim spektator, por bëhet pjesë e asaj që studion.

Ai qe një ndërmjetës i dijes dhe një përkthyes i ndjeshmërisë kulturore shqiptare, një shpirt kërkues që u afrua me gjuhën shqipe jo për t’ia matur strukturën, por për t’i zbuluar zemrën. Ai i përkiste atij brezi të filologëve që kuptonin se çdo gjuhë është një univers me kujtesë, me brenga, me dritë, dhe shqipen e trajtoi si një pasuri që duhej trajtuar me kujdesin e një restauratori të objekteve të shenjta.

Nga Tirana e viteve ’30, ku mësonte anglishten në Shkollën Teknike të Harry Fultz-it, e deri te Universiteti i Londrës, ku drejtoi për vite të tëra katedrën e albanologjisë dhe ndikoi në formimin e shumë studiuesve të rinj të shqipes, Mann ndërtoi një urë të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe botës akademike anglofone.

Në veprën e tij më të njohur, “An Historical Albanian-English Dictionary” (1951), ai shkroi: “Fjalët janë më shumë sesa mjete të komunikimit – ato janë dëshmitarë të historisë.”

Në këtë pohim zë vend ideja se për të, gjuha shqipe nuk ishte vetëm sistem fonemash dhe rregullash morfologjike, por një arkiv shpirtëror. Ai e lexonte shqiptimin e një fjale jo vetëm si tingull, por si jehonë e shekujve, si kujtim i një rrëfimi që nuk duhet humbur.

Studimet e tij mbi fonologjinë dhe gramatikën historike të shqipes mbeten gurë themeli në albanologji. Por më shumë se për përmbajtjen e tyre, ato vlejnë për shpirtin me të cilin janë shkruar. Mann i qaset shqipes me përvujtërinë e dikujt që njeh thellësinë e një kulture tjetër dhe e trajton atë me nderimin që meriton.

Në një nga shënimet e tij personale thuhet se ai e përkufizonte gjuhën shqipe si: “një gjuhë që nuk dëshiron të imponohet, por të mbijetojë me dinjitet.”

Ky pohim e bën të qartë se Mann ishte mbrojtës i dinjitetit të një kombi nëpërmjet gjuhës së tij – një zë që na kuptoi pa qenë i yni, një mik që deshi më shumë sesa vizitoi.

Fjalorët e tij nuk janë thjesht bashkësi fjalësh të përkthyera, por laboratorë të ndjeshmërisë, ku çdo përkthim është edhe një gjurmë dashurie për mënyrën sesi shqiptarët emërtojnë botën.

Në këtë ditë përkujtimore, le ta kujtojmë jo si të huajin që na studioi, por si të afërmin që na kuptoi dhe na bëri të dukshëm në një kohë kur bota nuk i kishte kthyer sytë nga ne. Ai nuk deshi të fliste për Shqipërinë, por të fliste me të.

Stuart Edward Mann mbetet një shembull i lartë i asaj që albanologjia duhet të jetë: jo vetëm një disiplinë akademike, por një akt dashurie, një përpjekje për ta bërë të përjetshme kujtesën e një populli përmes gjuhës së tij.

Nëse trashëgimia është ajo që jeton pas njeriut, Stuart Mann jeton në çdo përpjekje serioze për të mësuar dhe përkthyer shqipen, në çdo student që merr fjalorin e tij për të kuptuar rrënjën e një fjale, në çdo kujtim që lidhet me përpjekjen për ta ruajtur këtë gjuhë të lashtë e të ndërlikuar.

Për këtë arsye, gurët e varrit të tij nuk janë mermer, por faqe librash, fjalorësh, dorëshkrimesh. Janë edhe shpirtra që e përmendin me nderim.

“Shqipja nuk është vetëm gjuhë, është kujtesë që flet.”

Le të jetë kjo thënie postume, mesazh i përhershëm për ne që duam ta ruajmë këtë kujtesë – me përkushtim, me dije dhe me dashuri, ashtu siç e bëri Stuart Mann./KultPlus.com

Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët

By: Kult Plus
2 August 2025 at 15:30

Kisha e Shën Marisë në Mamurras, Kurbin, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, është rikonstruktuar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.

E ndërtuar rreth shekullit XI, kjo kishë bizantine lidhet me figura historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe bashkëshortja e tij Donika, të cilët thuhet se e kanë frekuentuar për meshë dhe ceremoni fetare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot se falë partneritetit mes ministrisë, programit EU4Culture dhe agjencisë së Kombeve të Bashkuara UNOPS, objekti i kultit është rikthyer në gjendjen e tij autentike.

“Kisha e Shën Marisë në Mamurras, një perlë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kurbinit, ndërtuar rreth shekullit XI, e ku Gjergj Kastrioti e Donika thuhet e vizitonin për meshë apo kremtimin e ceremonive fetare. Pas dëmtimeve nga tërmeti i 2019-s, falë partneritetit të MEKI-it me EU4Culture dhe UNOPS, kjo kishë bizantine është rikthyer si simbol i historisë, harmonisë fetare dhe turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ministri Gonxhja.

Restaurimi i kësaj kishe është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e kthyer atë në një destinacion të vizitueshëm për vendas dhe të huaj njëkohësisht./atsh/KultPlus.com

❌
❌