“Gratë nuk duhet të votojnë” – shefi i Pentagonit përhap mesazhe tronditëse
Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale pasi ka shpërndarë një video ku pastorë të krishterë deklarojnë se grave duhet t’u hiqet e drejta e votës.
Sipas agjencisë Associated Press, ky postim kontrovers zbulon lidhjet e thella të Hegseth me një lëvizje nacionaliste të krishterë që mbron qëndrime ekstreme për rolin e fesë dhe të grave në shoqëri.
Hegseth ka shpërndarë në platformën X një video gati shtatëminutëshe nga CNN, që heton aktivitetet e Doug Wilsonit, bashkëthemelues i Komunitetit të Kishave të Reformuara Ungjillore (CREC).
Në video, njëri prej pastorëve nga kisha e Wilsonit flet hapur për heqjen e të drejtës së votës për gratë, ndërsa një tjetër thotë se në botën e tij ideale do të votonte i gjithë familja si një njësi e vetme.
All of Christ for All of Life. https://t.co/QqXhqZFStv
— Pete Hegseth (@PeteHegseth) August 8, 2025
Gjithashtu, një anëtare e komunitetit deklaron se i bindet plotësisht burrit të saj. Hegseth e shoqëroi videon me komentin e shkurtër “i gjithë Krishti për gjithë jetën”. Postimi i tij mori mbi 12 mijë pëlqime dhe 2000 shpërndarje, me reagime të ndara – disa e mbështetën, ndërsa të tjerë u shprehën thellësisht të shqetësuar që një zyrtar i lartë shtetëror promovon ide të tilla.
Doug Pagitt, pastor dhe drejtor ekzekutiv i organizatës progresive ungjillore “Vote Common Good”, theksoi se këto ide përfaqësojnë “një grup të vogël të krishterësh” dhe e cilësoi “shumë shqetësuese” përfshirjen e Hegseth në përhapjen e tyre.
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi të premten se Hegseth është “anëtar krenar i një kishe” të lidhur me CREC-në dhe se “vlerëson shumë veprat dhe mësimet e zotit Wilson”. Kjo nuk është hera e parë që Hegseth përdor pozitën për të promovuar bindjet e veta fetare.
Në maj, ai ftoi pastorin e tij personal, Brooks Potteiger, që të udhëhiqte një shërbesë lutjeje brenda Pentagonit gjatë orarit të punës, me ftesa të dërguara në adresat zyrtare të punonjësve.
Vetë Wilson, në një deklaratë për CNN, përmblodhi synimet e lëvizjes që mbështet Hegseth, “do të doja që kombi të ishte një komb i krishterë dhe që bota të ishte një botë e krishterë”. /Telegrafi/
The post “Gratë nuk duhet të votojnë” – shefi i Pentagonit përhap mesazhe tronditëse appeared first on Telegrafi.