Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 August 2025Main stream

BRUKSEL- Hungaria kundër deklaratës së BE-së për paqen në Ukrainë

12 August 2025 at 14:26

BRUKSEL, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Hungaria ka refuzuar të mbështesë një deklaratë të përbashkët të 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së, e cila mirëpriste përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përpara takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë.

Deklarata, e lëshuar sot  nga udhëheqësit e BE-së, theksonte se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë dhe se çdo “paqë e drejtë dhe e qëndrueshme” duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, përfshirë parimet e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Hungaria nuk e bashkangjit veten me këtë deklaratë”, përfundonte teksti.

Kryeministri hungarez Viktor Orban e justifikoi vendimin në një postim në Facebook, duke argumentuar se deklarata përpiqej të “vendoste kushte për bisedime ku politikanët kryesorë të BE-së as nuk ishin ftuar”.

Ai shtoi se ishte “mjaft e trishtueshme që BE-ja është lënë mënjanë” dhe se “mund të bëhet edhe më keq nëse ne japim udhëzime nga jashtë”.

Qeveria e djathtë e Orban-it kundërshton ndihmën ushtarake të BE-së për Ukrainën, duke thënë se ajo vetëm po zgjat konfliktin, dhe ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë si joefektive dhe të dëmshme për ekonominë e Europës.

Kryeministri ka kërkuar më parë heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj disa individëve rusë.

Deklarata e BE-së rikonfirmoi mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për të vendosur vetë të ardhmen e saj, duke theksuar se negociatat kuptimplota janë të mundshme vetëm në kushtet e një armëpushimi ose uljeje të armiqësive. /Ad.Ab./

 

The post BRUKSEL- Hungaria kundër deklaratës së BE-së për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Madonna i bën thirrje Papës të vizitojë Gazën

12 August 2025 at 13:47

NJU JORK, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Ikona e muzikës Pop, Madonna, i ka bërë thirrje Papa Leone XIV të vizitojë Rripin e Gazës, i cili ndodhet nën bllokadën izraelite, mes një krize urie që ka shkaktuar një indinjatë ndërkombëtare.

“Ju jeni i vetmi të cilit nuk mund t’i ndalohet hyrja”, shkroi këngëtarja amerikane në platformën X.

“Ne kemi nevojë që portat njerëzore të hapen plotësisht për të shpëtuar këta fëmijë të pafajshëm. Nuk ka më kohë”, shtoi ajo.

Në  25-vjetorin e lindjes së djalit të saj, Rocco Ritchie, Madonna njoftoi gjithashtu se do të dhuronte fonde për organizatat humanitare që punojnë në Gazë.

“Mendoj se dhurata më e mirë që mund t’i jap atij si Nënë është t’i kërkoj të gjithëve të bëjnë çfarë munden për të shpëtuar fëmijët e pafajshëm në Gaza”, shkroi ajo.

Një agjenci e Kombeve të Bashkuara tha javën e kaluar se kequshqyerja tek fëmijët në Gazë ka arritur nivelet më të larta.

Sipas zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), vetëm gjatë muajit korrik, rreth 12 000 fëmijë nën moshën 5-vjeçare ishin të kequshqyer – ndërsa 2 500 të tjerë vuanin nga kequshqyerja akute, forma më kërcënuese për jetën.

Izraeli kontrollon rrugët hyrëse në Gazë dhe e ka bllokuar zonën bregdetare.

Nën presionin ndërkombëtar, Izraeli së fundmi ka filluar të lejojë më shumë autokolona me ndihma në territor, ndërsa disa vende kanë hedhur nga ajri pako me ndihma.

Të dielën, grupi irlandez i muzikës “U2” kritikoi ashpër veprimet e qeverisë izraelite.

“E dimë që Hamasi po përdor urinë si armë në luftë, por tani e njëjta gjë po ndodh edhe nga Izraeli dhe unë ndiej neveri për këtë dështim moral”, shkroi këngëtari Bono Vox. /Ad.Ab./

The post Madonna i bën thirrje Papës të vizitojë Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STUDIM – Demenca tek macet zhvillohet njësoj si Alzheimeri tek njerëzit

12 August 2025 at 13:28

LONDËR, 12 gusht /ASH-DPA/ – Maceve u zhvillohet demenca në mënyrë të ngjashme me njerëzit që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit, gjë që ka rritur shpresat për një përparim në kërkime, sipas shkencëtarëve.

Ekspertë nga Universiteti i Edinburgut kryen ekzaminime post-mortem të trurit të 25 maceve që kishin treguar shenja të demencës gjatë jetës, si konfuzion, çrregullime të gjumit dhe rritje të vokalizimit, me synim gjetjen e trajtimeve të reja për njerëzit.Më parë, studiuesit kishin përdorur brejtës të modifikuar gjenetikisht, megjithëse kjo specie nuk zhvillon natyrshëm demencë.

Tek truri i maceve me demencë u gjet grumbullim i proteinës toksike amiloid-beta, një nga shenjat dalluese të Alzheimerit, duke u cilësuar nga shkencëtarët si një “model natyral perfekt për Alzheimerin” për shkak të ngjashmërive të mëdha.

Pamjet nga mikroskopia treguan grumbullime të amiloid-betës brenda sinapseve të maceve më të vjetra dhe atyre me demencë. Shkencëtarët shpresojnë se këto zbulime do të ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si amiloid-beta çon në çrregullim kognitiv dhe humbje të kujtesës, duke ofruar një model të vlefshëm për studimin e demencës tek njerëzit.

Sinapset lejojnë transmetimin e mesazheve midis qelizave nervore dhe humbja e tyre shkakton rënie të kujtesës dhe aftësive mendore tek pacientët me Alzheimer. Studiuesit gjetën prova se qelizat mbështetëse të trurit, astrocitet dhe microglia, përfshijnë sinapset e prekura, një proces i njohur si “krasitje sinaptike”, i cili është i rëndësishëm gjatë zhvillimit të trurit, por që ndikon negativisht në demencë.

Ekspertët besojnë se këto zbulime mund të çojnë në zhvillimin e trajtimeve të reja për Alzheimerin, si dhe të ndihmojnë në kuptimin dhe menaxhimin e demencës tek macet.

“Demenca është një sëmundje shkatërruese, qofshin njerëz, mace apo qen. Zbulimet tona theksojnë ngjashmëritë e habitshme mes demencës së maceve dhe Alzheimerit tek njerëzit. Kjo hap mundësinë të shohim nëse trajtimet premtuese për Alzheimerin tek njerëzit mund të ndihmojnë edhe kafshët tona të moshuara”, tha Robert McGeachan, drejtues i studimit nga Royal  School of Veterinary Studies në Universitetin e Edinburgut

Ai shtoi se, për shkak se macet zhvillojnë natyrshëm këto ndryshime në tru, ato mund të ofrojnë një model më të saktë të sëmundjes sesa kafshët tradicionale të laboratorit, duke përfituar kështu si njerëzit ashtu edhe kafshët shtëpiake dhe kujdestarët e tyre. /Ad.Ab./

The post STUDIM – Demenca tek macet zhvillohet njësoj si Alzheimeri tek njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Franca në gatishmëri të lartë, ndërsa temperaturat arrijnë mbi 40 gradë Celsius

12 August 2025 at 12:32

PARIS, 12 gusht  /ATSH-DPA/ – Vala e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë Celsius ka vënë Francën në gjendje të lartë gatishmërie.

Shërbimi kombëtar i motit, “Meteo France”, u ka bërë thirrje sot  banorëve në pjesën më të madhe të vendit që të tregojnë kujdes të jashtëzakonshëm.

Katërmbëdhjetë departamente administrative janë vendosur në nivelin më të lartë të alarmit për të menaxhuar këtë valë të nxehti

Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, tha se spitalet janë vënë në gatishmëri për të pranuar pacientë të mundshëm për shkak të temperaturave ekstreme, ndërkohë që kushtet atmosferike kanë shkaktuar rritje të niveleve të ozonit dhe përkeqësim të cilësisë së ajrit në qytete.

Për të ndihmuar qytetarët të freskohen, qyteti i Lion ka mbajtur një park hapur gjatë gjithë natës, duke u lejuar njerëzve të flenë jashtë, ndërsa disa muzeume me ajër të kondicionuar kanë hapur dyert falas për publikun.

Hapësirat publike, përfshirë metronë e Parisit, po shfaqin njoftime që i inkurajojnë njerëzit të pijnë mjaftueshëm lëngje dhe të mbrohen nga dielli.

Ndërkohë, rreziku i zjarreve mbetet jashtëzakonisht i lartë për shkak të temperaturave dhe thatësirës.

Gjatë fundjavës së kaluar, zjarrfikësit arritën të vendosin nën kontroll zjarrin më të madh ndër dekada, i cili përfshiu  jugun e vendit. /Ad.Ab./

The post METEO – Franca në gatishmëri të lartë, ndërsa temperaturat arrijnë mbi 40 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPORT – Ronaldo fejohet me partneren afatgjatë Georgina Rodriguez

12 August 2025 at 10:42

LONDËR, 12 gusht  /TSH-DPA/ – Cristiano Ronaldo ka shpallur fejesën me partneren e tij afatgjatë Georgina Rodriguez, pas nëntë vitesh së bashku.

Rodriguez, 31 vjeçe, ndau lajmin mbrëmë në Instagram me një fotografi ku shfaqej një unazë e madhe diamanti në gishtin e saj, duke prekur dorën e yllit të futbollit portugez, 40 vjeç.

Ajo e shoqëroi imazhin me mbishkrimin: “Po, pranoj. Në këtë dhe në të gjitha jetët e mi”.

Çifti kanë dy vajza së bashku, Alana, 7 vjeçe, dhe Bella, 3 vjeçe, ndërsa binjaku i Bellës, Angel, vdiq gjatë lindjes.

Rodriguez gjithashtu ka ndihmuar në rritjen e tre fëmijëve të tjerë të Ronaldos,  Cristiano Jr, 15 vjeç, dhe binjakëve Mateo dhe Eva Maria, të dy 8 vjeç.

Ata u njohën në vitin 2016, kur Rodriguez punonte në një dyqan “Gucci” në Madrid.

Familja tani jeton në Riad, ku Ronaldo luan për ekipin saudit “Al-Nassr”.  Rodriguez e publikoi lajmin e fejesës nga kryeqyteti saudit./Ad.Ab./

The post SPORT – Ronaldo fejohet me partneren afatgjatë Georgina Rodriguez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON- Trump:  Nuk do të bëj një marrëveshje me Putinin

12 August 2025 at 10:04

UASHINGTON, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk synon një marrëveshje mbi luftën në Ukrainë nga takimi i ardhshëm me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Nuk do të bëj një marrëveshje”, tha ai mbrëmë në një konferencë shtypi në Uashington. “Nuk më takon mua të bëj një marrëveshje. Mendoj se duhet të bëhet një marrëveshje për të dy palët”, tha Trump.

Ai tha se do të donte të shihte një armëpushim dhe marrëveshjen më të mirë të mundshme që mund të arrihej për të dyja palët.

Presidenti Trump gjithashtu tha se dëshironte që Putini dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të takoheshin pas samitit të ardhshëm të së premtes.

“Takimi tjetër do të jetë, Zelensky me Putin, ose Zelensky,  Putin dhe unë. Unë do të jem aty nëse kanë nevojë, por dua të organizoj një takim mes dy liderëve”, tha Trump.

Presidenti amerikan  tha se do të telefononte presidentin Zelensky dhe liderët evropianë “menjëherë pas takimit” me presidentin rus. /Ad.Ab./

 

The post UASHINGTON- Trump:  Nuk do të bëj një marrëveshje me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 11 August 2025Main stream

PAKISTAN – Shtatë të vdekur nga përmbytjet në veri të vendit

11 August 2025 at 16:03

ISLAMABAD, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Të paktën shtatë persona humbën sot jetën nga përmbytjet e rrëmbyeshme në Pakistanin verior, tha një zyrtar, në një tjetër fatkeqësi që goditi rajonin e Himalajeve mes ndikimeve në rritje të ndryshimeve klimatike.

Viktimat ishin vullnetarë që punonin për të restauruar një kanal uji në një luginë malore në rajonin Gilgit-Baltistan kur pati përmbytje uji pas shpërthimit të një liqeni akullnajor, tha zyrtari lokal i shpëtimit Tahir Shah.

“Të paktën gjashtë të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim në spital”, shtoi ai.

Përmbytjet bllokuan një autostradë që lidh Pakistanin me Kinën fqinje dhe i prenë disa fshatra malore nga rrugët e furnizimit, sipas një zyrtari tjetër, Islam Uddin.

Ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë mijëra njerëz të bllokuar në fshatra të largëta ku bashkohen vargmalet Karakoram dhe Himalaje, tha Haroon Gull nga agjencia e fatkeqësive. /Ad.Ab./

The post PAKISTAN – Shtatë të vdekur nga përmbytjet në veri të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Zjarrfikësit luftojnë me “vorbullat  e zjarrit” në veri të vendit

11 August 2025 at 15:55

MADRID, 11 gusht /ATSH/ – Nxehtësia ekstreme dhe erërat e forta shkaktuan zjarre  të fuqishme duke detyruar evakuimin e qindra njerëzve pranë një parku kombëtar trashëgimi e UNESCO -s në veri të Spanjës, thanë  sot autoritetet , sipas Reuters.

Tetëmbëdhjetë zjarre shpërthyen në veri të rajonit Kastili dhe Leon, ku rreth 700 banorë u urdhëruan të braktisin shtëpitë e tyre në gjashtë fshatra.

”Katër zjarre vazhdojnë të jenë ende aktive”, tha Juan Carlos Suarez-Quinones, kreu i ambientit për qeverinë rajonale.

Zjarrfikësit kishin shuar nëntë vatra të tjera zjarri.

Zjarret  shpërthyen pranë parkut “Las Medulas”, duke detyruar zjarrfikësit të tërhiqeshin dhe duke djegur disa shtëpi në fshatin përreth, sipas Suarez-Quinones.

Zjarrfikësit po luftojnë edhe me zjarre në Navara në verilindje të Spanjës dhe në Huelva në jugperëndim, thanë autoritetet. /Ad.Ab./

The post SPANJË – Zjarrfikësit luftojnë me “vorbullat  e zjarrit” në veri të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Gjermania përgatitet për një valë të nxehti me temperatura rreth 40 gradë

11 August 2025 at 15:42

FRANKFURT, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania po përgatitet për një valë të nxehti me parashikimet që paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë rreth 40 gradë Celsius deri në mesin e javës.

Shërbimi Gjerman i Motit (DWD) njoftoi se i nxehti do të shtohet gradualisht, përpara se të mbërrijnë shirat në fund të javës, duke sjellë njëfarë freskimi.

DWD paralajmëron për “probleme të mëdha nga i nxehti” në disa zona të jugperëndimi të vendit  Pjesa më e madhe e vendit do të mbetet me diell, megjithëse mund të ketë reshje të izoluara mbi zonat malore jugore.

Kjo periudhë e të nxehtit pritet të zgjasë deri të premten,  kur do të ritet mundsia për rreshje shiu. /Ad. Ab./

The post METEO – Gjermania përgatitet për një valë të nxehti me temperatura rreth 40 gradë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz mbështet embargo të pjesshme të armëve për Izraelin mes përçarjeve në parti

11 August 2025 at 14:59

BERLIN, 11 gusht  /ATSH-DPA/ – Embargoja e pjesshme e Gjermanisë për eksportin e armëve drejt Izraelit mund të ketë ndikim të kufizuar praktik, pasi Berlini tashmë ka vendosur kufizime për shitjen e armëve dhe pajisjeve që përdoren nga ushtria izraelite në Gaza, sipas një dokumenti të brendshëm të bërë sot public.

Shënimi me gjashtë pika nga kancelari Friedrich Merz, drejtuar drejtuesve të partisë së tij konservatore CDU, tregon se”vendimi për mallrat e tjera ushtarake kufizohet shprehimisht vetëm për një përdorim të mundshëm në Gaza; ai bazohet në kushtet aktuale atje”.

Ndalimi i eksporteve të armëve që mund të përdoren në Gaza u njoftua të premten, pasi kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një plan për zgjerimin e operacioneve ushtarake në këtë territor.

Lëvizja e papritur e Merz-it, që shënon një largim nga mbështetja e pakushtëzuar e Gjermanisë për Izraelin në luftën kundër Hamasit, ka shkaktuar përçarje brenda bllokut të tij qendror të djathtë.

Kancelari ka nxituar të sigurojë aleatët se kjo politikë nuk nënkupton braktisjen e sigurisë së Izraelit, e cila konsiderohet një “arsye shtetërore” për Gjermaninë.

Dokumenti sqaron se embargoja nuk zbatohet për “armët për mbrojtjen ajrore dhe detare, të cilat janë thelbësore për vetëmbrojtjen e Izraelit”.

“Ky përshkallëzim ndikon gjithashtu në përkeqësimin e konflikteve shoqërore në Gjermani dhe Evropë, të cilat duhet t’i shmangim edhe për shkak të detyrimit tonë ndaj shtetit të Izraelit”, shkruan ai. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Merz mbështet embargo të pjesshme të armëve për Izraelin mes përçarjeve në parti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN –  Gjermania rrit tregtinë me vendet e  Lindjes, Polonia në krye

11 August 2025 at 12:21

BERLIN, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Eksportuesit gjermanë shohin potencial të madh në tregtinë me Evropën lindore dhe juglindore mes pasigurisë globale, me Poloninë që po shfaqet si partner i veçantë, sipas Komitetit Gjerman për Marrëdhëniet me Evropën Lindore.

Ndërsa eksportet totale të Gjermanisë ranë me 0,1% në 786 miliardë euro (916 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2025, dërgesat drejt 29 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe Azisë Qendrore të ndjekura nga komiteti u rritën me 2,2%, duke arritur në 144 miliardë euro.

Rritja u nxitur nga shtimi i dukshëm i tregtisë dypalëshe me Poloninë, e cila arriti një rekord prej mbi 90 miliardë euro në gjysmën e parë të 2025-ës, një rritje prej 4.6 miliardë euro ose 5.4% krahasuar me një vit më parë.

Eksportet gjermane drejt Polonisë u rritën me mbi 2,6 miliardë euro (5,7%), duke tejkaluar eksportet drejt Kinës, ndërsa importet nga Polonia u rritën me 2 miliardë euro (5,2%).

Polonia është partneri i pestë më i madh tregtar i Gjermanisë, shumë afër Francës.

Partnerët kryesorë në gjysmën e parë të 2025-ës ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Holanda. /Ad.Ab./

 

 

The post BERLIN –  Gjermania rrit tregtinë me vendet e  Lindjes, Polonia në krye appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon largim të menjëhershëm të të pastrehëve nga Uashingtoni

11 August 2025 at 10:29

UASHINGTON, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i amerkan Donald Trump, ka kërkuar largimin e menjëhershëm të personave të pastrehë nga Uashingtoni.

“Të pastrehët duhet të largohen menjëherë”, shkroi mbrëmë Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke postuar foto që tregonin çadra dhe mbeturina përgjatë rrugës.

“Do t’ju japim vende ku të qëndroni, por larg nga kryeqyteti. Kriminelë, nuk keni pse të largoheni.  Do t’ju fusim në burg, aty ku e keni vendin”, shtoi ai.

Trump përmendi gjithashtu një konferencë shtypi të planifikuar për sot  ku do të trajtonte çështjet e krimit dhe të  pastërtisë në kryeqytet. Ai tha se qyteti duhet të bëhet  “më i sigurt dhe më i bukur se kurrë më parë”.

Uashingtoni, si kryeqytet i SHBA-së, është unik pasi qeveriset nga një kryebashkiake dhe një këshill vendor, por mbetet nën mbikëqyrje të konsiderueshme federale.

Sipas mediave amerikane, qeveria federale po harton plane për të dislokuar qindra trupa të Gardës Kombëtare për të zbatuar synimet e presidentit Trump, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump kërkon largim të menjëhershëm të të pastrehëve nga Uashingtoni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË –  Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s vriten në një sulm izraelit

11 August 2025 at 07:52

TEL AVIV, 11 gusht /ATSH/  – Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s janë vrarë në një sulm izraelit pranë spitalit “Al-Shifa” të qytetit të Gazës, sipas BBC-së.

Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, së bashku me kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ishin në një tendë për gazetarët në portën kryesore të spitalit kur u goditën për vdekje, raportoi “Al Jazeera”.

“Vrasja  ishte në tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”, tha Al Jazeera” në një deklaratë.

Menjëherë pas sulmit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se kishin  goditur Anas al-Sharif, duke shkruar në një postim në Telegram se ai kishte “shërbyer si kreu i një qelize terroriste në Hamas”.

IDF nuk përmendi asnjë nga gazetarët e tjerë që u vranë.

Në total, shtatë persona vdiqën në sulm, raporton “Al Jazeera”. Transmetuesi fillimisht tha se katër nga stafi i tij ishin vrarë, por e ndryshoi atë në pesë disa orë më vonë.

Redaktori i saj menaxhues, Mohamed Moawad, i tha BBC-së se al-Sharif ishte një gazetar i akredituar i cili ishte “zëri i vetëm” që bota të dinte se çfarë po ndodhte në Rripin e Gazës.

Gjatë gjithë luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë të hyjnë në Gaza të raportojnë lirisht. Prandaj, shumë media mbështeten te gazetarët vendas brenda territorit për mbulim.

“Ata u goditën në tendën e tyre, nuk po mbulonin nga vija e frontit,” tha Moawad për sulmin izraelit.

“Fakti është se qeveria izraelite po dëshiron të heshtë mbulimin e çdo kanali raportimi nga brenda Gazës,” tha ai për programin “The Newsroom”. /Ad.Ab./

The post GAZË –  Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s vriten në një sulm izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

ART – Ekspozita e Edward Munch hapet në Chemnitz, kryeqyteti evropian i Kulturës për vitin 20025

10 August 2025 at 08:36

CHEMNITZ/GJERMANI, 10 gusht  /ATSH-DPA/ – Koleksionet e Artit të Chemnitz-it në Gjermaninë lindore i dedikohen artistit norvegjez Edward Munch me një ekspozitë që do të çelet sot.

Rreth 140 vepra do të ekspozohen, duke përfshirë pothuajse 100 vepra të vetë Munch-it, si dhe punë të artistëve të tjerë si Andy Warhol, Neo Rauch dhe Karl Schmidt-Rottluff, të cilat lidhen me pikturat dhe grafikët e Munch-it, thanë kuratorët.

Ekspozita e Munch-it konsiderohet një nga pikat kulmore të programit të Chemnitz-it gjatë vitit të tij si kryeqytet Evropian i Kulturës, së bashku me Nova Gorica-n e Sllovenisë, në kufi me Italinë.

Përveç motivit shumë të njohur botëror të Munch-it, “Krik”, i cili shfaqet si një litografi, një pikturë e shitur nga nazistët në vitin 1937 po kthehet në Chemnitz.

“Two people.The Lonely Ones”  (Dy njerëz, Të vetmuarit), e blerë për koleksionin në vitin 1928, tregon një grua dhe një burrë në një plazh nordik duke parë drejt detit. Midis tyre ekziston një distancë jo vetëm fizike, por edhe emocionale.

Pas pothuajse 90 vjetësh, ajo po shihet përsëri në Gjermani dhe për herë të parë në Chemnitz, tha drejtoresha e përgjithshme e koleksioneve të artit, Florence Thurmes.

Munch (1863-1944) konsiderohet një pionier i rëndësishëm i modernizmit. Ai kaloi disa javë në Chemnitz në vitin 1905 me ftesë të një sipërmarrësi të industrisë tekstile.

Gjatë kësaj kohe, u krijuan disa piktura dhe vizatime, dy prej të cilave janë në ekspozitë: portreti i Herbert Esche dhe piktura peizazhi “Pamje e Luginës së Chemnitz-it.”

Ekspozita mund të vizitohet deri më 2 nëntor në koleksionet e artit në sheshin Theaterplatz përpara operas së qytetit. /Ad.Ab./

The post ART – Ekspozita e Edward Munch hapet në Chemnitz, kryeqyteti evropian i Kulturës për vitin 20025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Kina hap dyqanin e parë në botë ku shiten vetëm … robotë

10 August 2025 at 08:03

PEKIN, 10 gusht /ATSH/ – Kina sapo ka hapur një qendër të re tregtare me katër kate që shet vetëm robotë… në rast se jeni në kërkim të tyre, sipas BBC-së

Kjo qendër ka gjithçka që ju duhet me një gamë të gjerë robotësh të disponueshëm. Ka një robot humanoid në madhësi reale që i ngjan fizikantit Albert Einstein, një robot që luan shah, qen robotë shtëpiakë dhe më shumë se 100 robotë të ndryshëm gjithsej.

Mbi 40 marka kineze, si “Ubtech”, “Robotics”, “Unitree Robotics”, dhe “Qendra Inovative e Robotëve Humanoidë” të Pekinit, kanë nxjerrë produktet e tyre në shitje në këtë qendër tregtare.

Sipërfaqja e prej mbi 43,000 metra katrorë, është vendosur në distriktin E-Town (Yizhuang) të Pekinit.

Sipas gazetës “Global Times”, robotët që shiten në këtë qendër mbulojnë fusha të ndryshme, duke përfshirë robotët mjekësorë, industrialë, bionikë dhe humanoidë.

Çmimet e robotëve variojnë nga 2 000 juanë (rreth 278 dollarë) deri në disa milionë juanë. (Roboti humanoid që flet dhe ngjan me Albert Einstein kushton 700,000 juanë, rreth 97,473 dollarë).

“Nëse robotët do të hyjnë në mijëra shtëpi, nuk mjafton të mbështetemi vetëm te kompanitë e robotikës,” tha Wang Yifan, drejtues i qendrës.  Qendra e Robotëve ndjek modelin “4S”,duke ofruar shitje, pjesë këmbimi, shërbim dhe sondazhe, shumë siç veprojnë tregtarët e makinave. /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – Kina hap dyqanin e parë në botë ku shiten vetëm … robotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Përçarje të konservatorëve gjermane pas ndalimit të armëve për Izraelin

9 August 2025 at 18:44

BERLIN. 9 gusht /ATSH-DPA/ – Vendimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz për të pezulluar furnizimet me armë për Izraelin ka nxjerrë në pah përçarje brenda bllokut të tij konservator qeverisës, duke e shtyrë grupin e punës për çështjet e jashtme të caktojë një mbledhje urgjente për nesër.

Sipas burimeve nga grupi parlamentar, ekspertët e politikës së jashtme do të diskutojnë ndryshimin e kursit ndaj Izraelit.

Takime të tilla janë të zakonshme kur ndodhin zhvillime të rëndësishme, por burime të partisë thanë se organizimi i menjëhershëm i një takimi të dielën gjatë pushimeve verore tregon sa delikate është çështja.

Merz, i cili u bë kancelar në maj, njoftoi dje  se Gjermania do të ndalojë eksportet e pajisjeve ushtarake për Izraelin që mund të përdoren në fushatën 22-mujore në Rripin e Gazës.

Ky hap, një ndryshim i madh për një nga mbështetësit më të afërt të Izraelit, erdhi pasi kabineti i sigurisë së Izraelit miratoi planet për një ofensivë të re për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës, qendra urbane më e madhe në territorin palestinez të shkatërruar.

Megjithatë, brenda vetë partisë së tij CDU, si edhe në partinë simotër bavareze CSU, ka përçarje.

Deputeti i CDU-së dhe eksperti i politikës së jashtme Norbert Röttgen i tha sot gazetës “Rheinische Post” se ai e mbështet ndalimin e eksporteve.

“Ky reagim është i drejtë dhe fatkeqësisht është bërë i pashmangshëm për shkak të vendimeve të fundit të qeverisë izraelite”, tha ai

Ndërkohë, kolegu i tij në parti Carsten Müller shkroi në X se e dënon “me termat më të ashpra” vendimin e qeverisë federale.

Rinia e CDU-së e quajti lëvizjen një “shkëputje” nga parimet e partisë, ndërsa nënkryetari i grupit të punës për politikën e jashtme, ligjvënësi i lartë Roderich Kiesewetter, e cilësoi atë si “gabimin serioz politik dhe strategjik të Gjermanisë”. /Ad.Ab./

 

The post BERLIN – Përçarje të konservatorëve gjermane pas ndalimit të armëve për Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermani – Një muzeum organizon mbrëmje “nudo” në ekspozite

9 August 2025 at 18:03

SHTUTGART, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Vizitorët e muzeut “House of History” (Shtëpia e Historisë”  në Shtutgart do të ftohen të zhvishen deri te këpucët për të marrë pjesë në ekspozitën “Not i lire së bashku” në dy mbrëmje të ardhshme.

Muzeu, i vendosur në kryeqytetin e landit jugperëndimor Baden-Württemberg, synon të theksojë ndryshimin e qëndrimeve ndaj notit dhe trupit të njeriut.

“Në pishinë pasqyrohet shoqëria. Një shumëllojshmëri njerëzish me mënyra jetese dhe koncepte morale të ndryshme takohen në pishinat publike , ndonjëherë më në harmoni e ndonjëherë më pak”, thuhet në faqen e tij zyrtare.

Muzeu kujton se dikur të pasurit dhe të varfrit laheshin veçmas, ashtu si gratë dhe burrat. “Gjatë periudhës naziste, popullsia hebreje dhe ‘të huajt’ përjashtoheshin. Edhe më herët, invalidët e luftës nuk lejoheshin të hynin. Pamja e tyre konsiderohej e papranueshme”, vazhdon njoftimi.

Duke iu referuar kufizimeve të sotme, thuhet se liria dhe lëvizja e lirë janë sërish tema debati. “A kanë nevojë gratë dhe personat me aftësi të kufizuara për një ‘hapësirë të mbrojtur’? A e ndihmon apo e dëmton toplessi feminismin? A është pranimi i mbulimit maksimal prapakthim apo përparim”?, shtrohet  pyetja nga muzeu.

Shoqata gjermane “Get Naked” beson se ka ardhur koha që nudoja të mos shihet më si diçka e jashtëzakonshme dhe të mos lidhet automatikisht me seksin.

“Shtëpia e Historisë” po prezanton një ekspozitë me mbi 200 artefakte dhe fotografi, e cila do të zgjasë deri më 14 shtator, për të treguar se si seksizmi dhe racizmi, konceptet morale, përjashtimi dhe paragjykimet kanë lënë gjurmë në larjen publike, krahas të drejtave të barabarta dhe demokracisë.

Ngjarje të ngjashme janë zhvilluar më herët në Paris, Marsejë, Bruksel dhe Hanover. /Ad.Ab./

 

The post Gjermani – Një muzeum organizon mbrëmje “nudo” në ekspozite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Lammy,Vance dhe aleatë europiane të sigurisë takohen për Ukrainën  

9 August 2025 at 17:47

LONDËR. 9 gusht /ATSH-DPA/ – Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy do të presë sonte një takim të këshilltarëve të sigurisë kombëtare të aleatëve, ndërkohë që  presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të arrijë një marrëveshje paqeje për Ukrainën.

“Downing Street” njoftoi se në takimin që do të zhvillohet në rezidencën zyrtare në Chevening do të marrin pjesë këshilltarë nga SHBA-ja, Evropa dhe Ukraina për të “diskutuar progresin drejt sigurimit të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Takimi organizohet me kërkesë të SHBA-së dhe bashkëpritës do të jetë gjithashtu  zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili po qëndron në Kent për pushime.

Ky zhvillim vjen pas njoftimit të presidentit Trump se ai do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë më 15 gusht për të diskutuar rreth përfundimin të luftës në Ukrainë.

Presidenti amerikan kishte sugjeruar më parë se çdo marrëveshje paqeje mund të përfshijë “disa shkëmbime territori,” me raporte që sugjerojnë se Ukraina mund të dorëzojë rajonin e Donetskut.

Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar çdo propozim që do të komprometonte integritetin territorial të Ukrainës, duke thënë se Kievi “nuk do t’i japë Rusisë asnjë shpërblim për atë që ka bërë” dhe se “ukrainasit nuk do t’i japin tokën e tyre pushtuesit.”

Kushtetuta e Ukrainës ndalon dorëzimin e territoreve.

Zelensky paralajmëroi gjithashtu se çdo marrëveshje paqeje që do të përjashtonte Ukrainën do të çonte në “zgjidhje të vdekura”. /Ad.Ab./

The post BM – Lammy,Vance dhe aleatë europiane të sigurisë takohen për Ukrainën   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARKEOLOGJI – Studiuesit: Pompei u ripopullua pas shpërthimit të vitit 79

9 August 2025 at 17:09

ROMË, 9 gusht /ATSH/ – Zbulime të reja arkeologjike në qytetin e lashtë të Pompeit kanë hedhur dritë mbi një nga misteret më të mëdha të historisë romake. Studiuesit kanë gjetur prova konkrete që sugjerojnë se qyteti, i cili u shkatërrua nga shpërthimi katastrofik i malit Vezuv në vitin 79 pas Krishtit, është ripopulluar pjesërisht pas fatkeqësisë, sipas “The Guardian”.

Për dekada me radhë, historianët dhe arkeologët kanë debatuar nëse ndonjë pjesë e qytetit ishte banuar përsëri pas shpërthimit. Tani, gërmime të fundit kanë zbuluar struktura të ndërtuara mbi rrënojat e mëparshme, si dhe objekte që datojnë dekada pas vitit 79, duke përfshirë monedha, vegla bujqësore dhe mbetje të aktivitetit të përditshëm.

Sipas ekspertëve, këto zbulime tregojnë se, ndonëse qyteti nuk u rindërtua plotësisht, zona të caktuara të Pompeit mund të jenë përdorur sërish, ndoshta për bujqësi, tregti apo si vendbanime të përkohshme. Kjo provon se jeta në këtë pjesë të Italisë nuk u ndal plotësisht nga tragjedia.

Ky zbulim është një hap i rëndësishëm për të kuptuar më mirë si reaguan njerëzit ndaj katastrofave natyrore në antikitet dhe si përpiqeshin të rindërtonin jetën në zonat e prekura. /Ad.Ab./

 

The post ARKEOLOGJI – Studiuesit: Pompei u ripopullua pas shpërthimit të vitit 79 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Qindra protestues  në Londër sfidojnë  ndalimin e “ Palestine Action”

9 August 2025 at 16:09

LONDËR, 9 gusht  /ATSH-DPA/ – Qindra persona pritet të rrezikojnë arrestimin sot në Londër, për të treguar mbështetje për “Palestine Action”, duke sfiduar nxjerrjen e saj jashtë ligjit si grup terrorist.

Policia Metropolitane tha se ka thirrur oficerë nga forca të tjera për të ndihmuar në krijimin e një “pranie të konsiderueshme policore” në kryeqytet, për shkak të një fundjave të ngarkuar me protesta.

Më shumë se 500 persona pritet të mbajnë pankarta në mbështetje të “Palestine Action” në sheshin e Parlamentit, pasi organizatorët e “Defend Our Juries” njoftuan për zhvillimin e kësaj proteste.

Ndalimi nënkupton se anëtarësimi ose mbështetja për “Palestine Action” është vepër penale e dënueshme deri në 14 vite burg, sipas “Ligjit për Terrorizmin” të vitit 2000.

Një zëdhënës i ministrisë së Brendshme tha se “nxerrja jasht[ ligjit e ‘Palestine Action’ nuk ka të bëjë me Palestinën dhe nuk ndikon në lirinë për të protestuar mbi të drejtat palestineze. Ai zbatohet vetëm për këtë organizatë specifike, e cila nuk përfaqëson mijëra njerëz në vend që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar për çështje të ndryshme”.

“Vendimi u mor mbi bazën e këshillave të forta të sigurisë dhe rekomandimit unanim të grupit qeveritar për rishikimin e ndalimeve, pas sulmeve serioze që grupi ka kryer, duke përfshirë dhunë, lëndime të rënda dhe dëme të mëdha materiale. Gjithashtu, u mor parasysh edhe vlerësimi i Qendrës së Përbashkët të Vlerësimit të Terrorizmit, se ‘Palestine Action’ përgatitet për akte terroriste, si dhe informacione shqetësuese për plane dhe ide për sulme të tjera, detajet e të cilave nuk mund të bëhen publike për shkak të procedurave gjyqësore në vazhdim”,  shtoi zëdhënësi

Ngjarje të tjera të mëdha në Londër këtë fundjavë përfshijnë ndeshjen e “Community Shield” mes Liverpool-it dhe Crystal Palace në stadiumin “Wembley,” e cila kërkon gjithashtu një prani të madhe forcash të policisë. /A.Ab./

 

The post BM – Qindra protestues  në Londër sfidojnë  ndalimin e “ Palestine Action” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌