Nga Ceppe Tabibian*- Ashtu si shumë amerikanë, gjithmonë kisha ëndërruar të transferohesha në Europë. Dhe në vitin 2015, në moshën 35-vjeçare, vendosa të largohesha nga Teksasi për në Spanjë.
Dy vjet më vonë, themelova “She Hit Refresh”, një komunitet që ndihmon gratë mbi 30 vjeç të bëjnë një hap jashtë vendit.
Që atëherë, kam ndihmuar qindra gra të ndërtojnë jetë të reja në vende si Portugalia, Spanja, Franca, Italia dhe Holanda.
Një nga vendet europiane – që amerikanët ndoshta nuk e njohin ende, është Shqipëria. Por kjo po ndryshon! Vitet e fundit, dëgjoja shpesh për Shqipërinë nga anëtarët e komunitetit tim.
Disa ishin transferuar atje dhe nuk mund të ndalonin së foluri me entuziazëm për të.
Në vitin 2024, qëndrova një muaj në Shqipëri – kryesisht në kryeqytet, Tiranë, dhe përgjatë bregdetit.
Doja të shihja se për çfarë bëhej fjalë dhe ajo që zbulova më habiti vërtet!
Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë – asnjë vend nuk është – por për shumë amerikanë që ëndërrojnë një jetesë jo shumë të shtrenjtë, ajo plotëson shumë kushte.
Ja pse e konsideroj “Destinacionin Numër 1” në Europë për ata që shpresojnë të zhvendosen nga SHBA-ja:
Plazh në Sarandë, Shqipëri
Çuditërisht është e përballueshme
Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj.
Kjo kosto e ulët jetese është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët po dynden atje.
Merrni shembull Cheryl Orlov, e cila u zhvendos nga Redondo Beach, Kaliforni, në Tiranë.
Edhe pse kostoja e jetesës po rritet në Tiranë, është ende shumë më e ulët se në Kaliforni.
Qiraja për një apartament me dy dhoma gjumi në Tiranë, për shembull, është më pak se një e gjashta e asaj që paguhet për një vilë me dy dhoma gjumi në “Redondo Beach” në Kaliforni.
Ushqimet, ngrënia jashtë dhe kujdesi shëndetësor janë gjithashtu shumë më të përballueshme.
Për nomadët digjitalë dhe pensionistët, Shqipëria ofron një cilësi jetese që është gjithnjë e më e lirë se në shumë qytete të SHBA-së.
Mund të qëndroni deri në një vit pa vizë
Një nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë është se amerikanët mund të jetojnë atje pa vizë deri në 12 muaj, një përfitim i rrallë në Europë.
Mund të hipni në avion sonte dhe të filloni jetën tuaj të re në Shqipëri nesër, pa pasur nevojë për dokumente.
Kjo e bën ideale për ata që duan të “provojnë” jetën jashtë vendit pa pasur nevojë të kalojnë nëpër proceset komplekse të marrjes së vizave.
Ndërsa isha në Tiranë, u takova me Denisa Kaca Bradley, themeluese e “Expats in Albania”, për të mësuar më shumë rreth opsioneve të emigracionit.
Ajo më shpjegoi se ndërsa qëndrimi përtej një viti kërkonte dokumente, organizata e saj i ndihmonte të sapoardhurit me këtë proces.
Në takimet e saj javore, takova dhjetëra amerikanë: gra beqare, çifte dhe familje.
Shumë e shihin Shqipërinë si trampolinë. Ata qëndrojnë për një ose dy vite, të tjerë zgjedhin të qëndrojnë për një periudhë afatgjatë.
Cepee Tabibian me qytetin shqiptar të Vlorës në sfond.
Është natyrshëm një vend mahnitës
Nga Alpet Shqiptare në veri deri te ujërat bruz të detit Adriatik në perëndim dhe detit Jon në jug, peizazhi i vendit është marramendës.
Gjatë udhëtimit tim, udhëtova me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet bregdetar të gjallë me një shëtitore të bukur.
Ishte shtator dhe moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për të marrë rreze – por plazhet ishin praktikisht bosh – një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja apo Italia.
Në një ditë të kthjellët mund ta shihni Greqinë në distancë! Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me traget.
Nuk arrita të shkoja në malet veriore, por ato janë në listën time për vizitën tjetër.
Fshatrat e largëta, shtigjet e ecjes dhe peizazhet e mrekullueshme e bëjnë atë një ëndërr për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë.
Shqiptarët janë mikpritës
Deri në fillim të viteve 1990, Shqipëria ishte kryesisht e mbyllur ndaj botës nën regjimin komunist.
Turizmi është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit. Si rezultat, Shqipëria ende ndihet autentike shqiptare.
Në të njëjtën kohë, shqiptarët janë dukshëm mikpritës ndaj amerikanëve, diçka që i ka habitur shumë emigrantët.
Ndjenja pro-amerikane dhe miqësia ndaj emigrantëve e bën më të lehtë për të sapoardhurit të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të lidhen me komunitetin vendas.
Në qytete si Tirana dhe qytete bregdetare si Vlora, ka gjithashtu një numër në rritje të të huajve që po “lëshojnë rrënjë”.
Monica Miranda, një amerikane që u zhvendos nga Nju Xhersi në Vlorë në moshën 43-vjeçare me qenin e saj – ka gati dy vjet që jeton në Shqipëri dhe kohët e fundit mori kartën e saj të qëndrimit 5-vjeçar.
“Nuk dija shumë për Shqipërinë. Por në momentin që mbërrita, diçka më tërhoqi. Një muaj u shndërrua në dy”, tha ajo.
“Kam ndërtuar një komunitet mbështetës emigrantësh nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Australia dhe Amerika Latine. Takohemi disa herë në javë. Ka qenë një përvojë tepër emocionuese”, tha Monica Miranda.
“Mund të mos jetë vendi i parë që më vjen ndërmend, por për shumë amerikanë që kam takuar, Shqipëria është bërë vendi i duhur në kohën e duhur”, theksoi ajo.
Nga Gazeta ‘Si’- SHBA-të dhe Kina kanë zgjatur armëpushimin tregtar deri më 10 nëntor, vetëm disa orë përpara se dy ekonomitë më të mëdha në botë të vendosnin rritje të tarifave doganore ndaj njëra-tjetrës.
Tarifat më të larta do të pezullohen për 90 ditë të tjera, thanë Pekini dhe Uashingtoni në një deklaratë të përbashkët.
Bisedimet muajin e kaluar përfunduan me të dyja palët që i quajtën diskutimet “konstruktive”.
Kryenegociatori i Kinës tha në atë kohë se të dy vendet do të punonin për të zgjatur armëpushimin, ndërsa zyrtarët amerikanë deklaruan se po prisnin miratimin përfundimtar të Trump.
Të hënën, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të zgjatur armëpushimin. Shtëpia e Bardhë tha se zgjatja e fundit e armëpushimit do t’i japë më shumë kohë negociatave rreth “korrigjimit të çekuilibrave tregtarë” dhe “praktikave të padrejta tregtare”.
Sipas marrëveshjes, SHBA-të do të mbajnë tarifat e tyre mbi importet kineze në 30%, ndërsa Kina do të mbajë një tarifë prej 10% mbi mallrat amerikane.
Uashingtoni kërcënoi më herët me tarifa deri në 145% për mallrat kineze, ndërsa Pekini iu kundërpërgjigj me tarifa prej 125% për dërgesat amerikane. Tarifat për të dy vendet u ulën që atëherë pas një raundi bisedimesh tregtare të mbajtura në Gjenevë në maj.
Nga Gazeta ‘Si’- Liderët e shteteve të BE-së kanë miratuar një deklaratë të hënën vonë, përmes së cilës theksojnë nevojën që ukrainasit të kenë lirinë për të vendosur për të ardhmen e tyre.
Deklarata e mbështetur nga të gjithë vendet, përveç Hungarisë, vjen përpara samitit të së premtes që të mbahet mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.
“Negociatat kuptimplotë mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose reduktimi të armiqësive”, thanë udhëheqësit, duke shtuar se “ne ndajmë bindjen se një zgjidhje diplomatike duhet të mbrojë interesat jetësore të sigurisë së Ukrainës dhe Europës”.
Deklarata, e cila u miratua vonë të hënën dhe u botua të martën, u mbështet nga udhëheqësit e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, përveç Hungarisë.
Europianët po përpiqen të ushtrojnë njëfarë ndikimi mbi takimin e së premtes, nga i cili janë lënë mënjanë. Mbetet e paqartë nëse edhe Ukraina do të marrë pjesë. Të hënën, Trump konfirmoi se ai dhe presidenti rus do të diskutojnë për “shkëmbimin e territoreve” kur të takohen.
Deklarata e plotë:
Ne, udhëheqësit e Bashkimit Europian, mirëpresim përpjekjet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës agresionale të Rusisë kundër Ukrainës dhe për të arritur një paqe dhe siguri të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën.
Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme që sjell stabilitet dhe siguri duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë parimet e pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe parimin se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë.
Populli ukrainas duhet të ketë lirinë për të vendosur për të ardhmen e vet. Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën. Negociatat kuptimplote mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose një reduktimi të armiqësive.
Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës ka implikime më të gjera për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare. Ne ndajmë bindjen se një zgjidhje diplomatike duhet të mbrojë interesat jetësore të sigurisë së Ukrainës dhe Europës.
Bashkimi Europian, në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë me të njëjtat ide, do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetje politike, financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike, ndërsa ajo ushtron të drejtën e saj të lindur për vetëmbrojtje. Gjithashtu, do të vazhdojë të mbështesë dhe të vendosë masa kufizuese kundër Federatës Ruse.
Një Ukrainë e aftë për të mbrojtur veten në mënyrë efektive është një pjesë integrale e çdo garancie sigurie në të ardhmen. Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të tij janë të gatshme të kontribuojnë më tej në garancitë e sigurisë bazuar në ekspertizën dhe aftësitë e tyre përkatëse, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht politikat e sigurisë dhe mbrojtjes të disa Shteteve Anëtare dhe duke marrë parasysh interesat e sigurisë dhe mbrojtjes të të gjitha Shteteve Anëtare.
Bashkimi Evropian nënvizon të drejtën e lindur të Ukrainës për të zgjedhur fatin e saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka krijuar kushtet për një marrëveshje të mundshme paqeje me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, por “do të ketë lëshime” për të cilat “askush nuk do të jetë i lumtur”.
Kështu u shpreh Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në një intervistë me Fox News, sipas të cilit Presidenti Trump tashmë i ka ndryshuar rregullat e lojës.
“Ai krijoi kushtet për një zgjidhje të mundshme paqësore, që ishte qëllimi i tij që në fillim, në një fushëbetejë shumë të vështirë. Nuk mendoj se Vladimir Putin do të kishte rënë dakord për takimin nëse nuk do të ishte ndjerë i presionuar…” tha Hegseth.
“Mund të ketë shkëmbime territoriale në negociata. Do të ketë lëshime. Askush nuk do të jetë i lumtur. Por nëse dikush mund ta bëjë këtë, ai është Presidenti Trump”, shtoi ai.
Nga Gazeta ‘Si’- Moti i së martës, më 12 gusht, do të sjellë një tjetër ditë përvëluese për qytetarët në të gjithë Shqipërinë.
Sipas parashikimeve të fundit meteorologjike, vendi do të përfshihet nga një tjetër valë e të nxehtit afrikan, me temperatura që në shumë zona do të arrijnë deri në 41 gradë Celsius.
Qytetet e zonës perëndimore, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin dhe Elbasanin, do të jenë më të ekspozuarat ndaj vapës përvëluese.
Orët më të nxehta priten të jenë mes orës 12:00 dhe 17:00, kur termometri do të ngjitet mbi 40°C. Edhe në zonat malore, ku zakonisht moti është më i freskët, priten temperatura mbi mesataren sezonale, me vlera që shkojnë deri në 34°C në qytete si Korça, Peshkopia apo Kukësi.
Moti do të jetë i kthjellët gjatë gjithë ditës, pa reshje shiu, me diell të fortë dhe erë të lehtë nga veriperëndimi. Nuk përjashtohen disa orë me lagështi të lartë atmosferike, veçanërisht në ultësirën perëndimore, çka do të shtojë ndjesinë e të nxehtit.
Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, planifikon të diskutojë shkëmbimin territorial midis Ukrainës dhe Rusisë gjatë negociatave me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, në Alaska.
Në një konferencë për shtyp, Trump shpjegoi arsyetimet e tij: “Do të ketë disa shkëmbime territoresh”. Disa do të jenë të dobishme për Ukrainën, disa do të jenë të dëmshme për të. E njëjta gjë vlen edhe për Rusinë. Rusia ka pushtuar një pjesë të madhe të Ukrainës. Ata kanë pushtuar disa zona shumë të rëndësishme. Ne do të përpiqemi të rimarrim një pjesë të territorit për Ukrainën”, theksoi Trump.
Trump theksoi se së pari do të fliste me Putinin të premten, pastaj do të telefononte drejtpërdrejt Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe më pas do t’i informonte evropianët. Ai tha se do ta dinte brenda pak minutash nëse një marrëveshje me Putinin ishte e mundur.
Trump dhe Putin planifikojnë të takohen në shtetin amerikan të Alaskës të premten. Presidenti ukrainas Zelenskyy tashmë e ka përjashtuar mundësinë e dhënies së territorit ukrainas Rusisë. Trump, nga ana tjetër, ka ngritur mundësinë e një “shkëmbimi territoresh” midis Rusisë dhe Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kishte përmendur më parë njohjen de facto të kontrollit rus mbi territoret e pushtuara ukrainase si një opsion . Një marrëveshje e ardhshme mund të njohë që Rusia “kontrollon de facto një pjesë të territorit të Ukrainës”, tha Rutte për rrjetin televiziv amerikan ABC Neës në një intervistë të transmetuar të dielën. Megjithatë, do të duhej të ishte një njohje “de facto”, jo ligjore.
Para takimit në Alaska, krerët e shteteve dhe qeverive evropiane do të takohen me Zelenskyn dhe Trumpin të mërkurën me iniciativën e Kancelarit Friedrich Merz (CDU).
Videokonferenca do të trajtojë, ndër të tjera, mundësi të mëtejshme për të ushtruar presion ndaj Rusisë. “Për më tepër, do të diskutohet përgatitja e negociatave të mundshme për paqe dhe çështjet përkatëse të pretendimeve territoriale dhe sigurisë”, tha zëdhënësi i qeverisë Stefan Kornelius në Berlin
Nga Gazeta ‘Si’- Situata në Parkun e Syrit të Kaltër është përkeqësuar pas përhapjes së flakëve.
Mbi 500 turistë janë evakuuar nga zona, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për neutralizimin e vatrës.
Aktualisht po operon një helikopter “Black Hawk” me hedhje të vazhdueshme uji. Zona është e mbuluar me pisha, çka e bën rrezikun për përhapje edhe më të madhe.
“Nëse nuk ndërhyhet me shpejtësi, zjarri mund të marrë përmasa katastrofike për zonën tonë,” deklaroi nënprefekti i Vlorës, Kristaq Kiço. Ai tha se që prej mëngjesit forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të emergjencës janë angazhuar për të frenuar përhapjen e flakëve, të ndihmuara nga era dhe temperaturat e larta.
Dy avionë “Canadair” janë nisur nga Greqia për të ndihmuar në shuarjen e vatrave në Leshnicë dhe pranë Syrit të Kaltër.
Për shkak të situatës, është vendosur sërish bllokimi i rrugës nacionale drejt Qafës së Muzinës dhe po bëhet largimi i vizitorëve nga parku i Syrit të Kaltër.
Nga ana tjetër, rreziku për fshatin Dhrovjan është shmangur, ndërsa flakët janë drejtuar drejt lartësisë së malit.
Autoritetet po marrin masa për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në drejtim të Bashkisë së Dropullit.
Vendi ynë ndodhet prej javësh në luftë me flakët pasi temperaturat e larta dhe erërat në disa zona favorizojnë përhapjen e zjarreve. Situata është veçanërisht kritike në jug të vendit.
Nga Gazeta ‘Si’- Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se dhënia e lëshimeve territoriale ndaj Rusisë nuk do ta bindë atë të ndalojë luftimet në Ukrainë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të takohet me Vladimir Putinin në Alaska të premten, me udhëheqësin rus që thuhet se kërkon pjesë të territorit ukrainas si pjesë të një marrëveshjeje paqeje.
Por Zelensky, pjesëmarrja e mundshme e të cilit në Alaska nuk është konfirmuar ende, thotë se “lëshimet nuk e bindin një vrasës”, shkruan Sky News.
Ai tha se pati 137 përleshje luftarake në vijën e frontit vetëm gjatë ditës së kaluar, me Rusinë “që nuk e uli presionin dhe nuk i numëroi humbjet e saj”.
“Rusia po e zvarrit luftën dhe për këtë arsye meriton një presion më të fortë nga bota. Rusia refuzon të ndalojë vrasjet dhe për këtë arsye nuk duhet të marrë asnjë shpërblim apo gjë pozitive për veten e saj. Dhe ky nuk është vetëm një qëndrim moral – është një qëndrim racional. Lëshimet nuk e bindin një vrasës.
Nga Gazeta ‘Si’- Lëndët ushqyese që merrni nga dieta juaj lejojnë që zemra juaj të rrahë fort, kockat tuaja të qëndrojnë të forta dhe muskujt elastikë.
Ajo që shpesh është më pak e dukshme është mënyra se si ushqimi fuqizon mirëqenien mendore. Aktiviteti i vazhdueshëm i trurit tuaj varet nga energjia që vjen nga ajo që konsumoni.
Hulumtimet kanë zbuluar se njerëzit që i përmbahen një diete me cilësi të lartë kryesisht me ushqime të plota (si dieta mesdhetare) ose që dyfishojnë konsumin e frutave dhe perimeve kanë më pak gjasa të zhvillojnë simptoma depresioni ose ankthi gjatë një periudhe prej disa vitesh, ndërsa ata që hanë kryesisht ushqime të përpunuara ultra, ose (si ushqime të paketuara dhe vakte të ngrira), kanë një shans më të madh për t’u prekur nga njëra prej këtyre gjendjeve.
Dhe ka disa arsye të mundshme pse. Për fillestarët, vitaminat dhe mineralet në ushqimet e plota mund të fuqizojnë reagimet në trurin tuaj që ndikojnë në mënyrën se si ndiheni – domethënë, ato që prodhojnë neurotransmetues si dopamina (e cila nxit shpërblimin dhe motivimin), serotonina (e cila rregullon humorin) dhe GABA (e cila nxit qetësinë), thotë për SELF Bonnie J. Kaplan, PhD , një profesoreshë gjysmë e pensionuar në Shkollën e Mjekësisë Cumming të Universitetit të Calgary dhe bashkautore e The Better Brain.
Dieta juaj gjithashtu mund të ndryshojë ekosistemin e baktereve që jetojnë në zorrën tuaj, të quajtur mikrobioma juaj, e cila komunikon me trurin tuaj nëpërmjet sinjaleve nervore.
Marrja e lëndëve ushqyese të mjaftueshme, veçanërisht fibrave, vitaminave dhe mineraleve nga bimët, mund të ndihmojë që bakteret tuaja të mira të zorrëve (të njohura edhe si probiotikë) të lulëzojnë – të cilat, nga ana tjetër, mund të mbështesin nivelet tuaja të neurotransmetuesve të mësipërm.
Më poshtë, shqyrtoni llojet e ushqimeve që mund të përmirësojnë shëndetin tuaj mendor dhe arsyet pse ato mund të ofrojnë një mbështetje të tillë për përmirësimin e humorit.
Zarzavatet me gjethe
(Dhe burime të tjera të vitaminave B si bishtajoret, drithërat e plota, arrat dhe farat)
Vitaminat “B” mund të përfaqësojnë edhe “vitaminat e trurit”, pasi shumë prej tyre kanë ndikime të rëndësishme në këtë organ, thotë për SELF Uma Naidoo, MD , drejtoreshë e psikiatrisë ushqyese dhe të stilit të jetesës në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts.
Dhe zarzavatet me gjethe si spinaqi, lakra jeshile dhe rukola përmbajnë një grusht prej tyre.
Pa përmendur që perimet me gjethe jeshile janë të pasura me antioksidantë – në veçanti, vitamina A, C dhe E – të cilat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trurit tuaj nga efektet e inflamacionit të zgjatur.
Peshk i yndyrshëm
(Dhe burime të tjera të acideve yndyrore omega-3 si farat e lirit, farat chia dhe arrat)
Omega-3-shat tek salmoni, toni, trofta dhe peshq të ngjashëm shpesh etiketohen si ” yndyrna të shëndetshme ” dhe, siç rezulton, efekti pozitiv shtrihet edhe në gjendjen tuaj mendore. Këto omega janë fuqi anti-inflamatore, të njohura për të zvogëluar inflamacionin e trupit dhe trurit përmes një sërë rrugësh të ndryshme që studiuesit dyshojnë se mund të kenë efekte antidepresive.
Veçmas, omega-3 janë gjithashtu “jashtëzakonisht të rëndësishme në ndërtimin e mureve qelizore [të trurit]”, thotë Dr. Kaplan.
Studiuesit mendojnë se ky efekt mund të zbutë ose të riparojë disa nga lidhjet më të dobëta midis neuroneve në një tru të depresionuar.
Manaferrat
Manaferra të ndryshme, por dhe luleshtrydhet dhe boronicat, kanë sasi të ndryshme antioksidantësh të dallueshëm (si flavonoidet dhe vitamina C), thekson Dr. Naidoo, kështu që ia vlen t’i përzieni për të maksimizuar përfitimin anti-inflamator për trurin tuaj. Disa studime sugjerojnë se manaferrat mund të mbështesin gjithashtu aspekte të caktuara të sinjalizimit dhe funksionit nervor, të cilat mund të përmirësojnë humorin tuaj.
Ushqime prebiotike
Mund të mendoni se aliumet (si qepa dhe hudhra), perimet (si patatet e ëmbla) dhe drithërat e plota (si tërshëra dhe elbi) nuk janë në të njëjtin grup ushqimor por ajo që të gjitha kanë të përbashkët është shumë fibër prebiotike – e cila ushqen veçanërisht zorrët tuaja të mira, thotë Dr. Naidoo.
Rezultati është një mikrobiomë e lumtur dhe e ekuilibruar, e cila përsëri, ndihmon në maksimizimin e disponueshmërisë së serotoninës që rregullon humorin dhe neurotransmetuesve të tjerë në trurin tuaj.
Ushqime të fermentuara
Këto ushqime të veçanta, si kimçi, kefiri, kosi dhe lakra turshi, janë natyrshëm të mbushura me baktere të dobishme, të cilat mund të ndihmojnë në përmirësimin e ekuilibrit të mikrobiomës suaj, dhe ashtu si me prebiotikët, rrisin nivelet e neurotransmetuesve kryesorë që mbështesin humorin. Plus, hulumtimet sugjerojnë se ngrënia e një sasie të mirë të ushqimeve të fermentuara mund të ulë inflamacionin, vëren Dr. Naidoo.
Në fakt, si probiotikët e gjallë që përmbajnë ashtu edhe nënproduktet e këtyre mikrobeve në sistemin tuaj mund të kenë përfitime anti-inflamatore me përfitime të mëtejshme për trurin tuaj.
Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka denoncuar kreun e SPAK-ut Altin Dumani, i cili sipas tij ka mbrojtur kryeministrin Edi Rama duke mos hapur dosjen McGonigal.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha sipas tij se McGonigal u kontraktua nga Edi Rama, por kreu i SPAK po hesht për këtë çështje.
“Jam këtu për të denoncuar publikisht, Altin Troplinin, për heshtjen dhe mburojën e tij, mbrojtjen e tij, të Edi Ramës, Agron Nezës dhe Dorian Duçkës, duke mos hapur dosjen McGonigal. McGonigal, një armik i egër i presidentit aktual Donald Trump. Një nga njerëzit më kryesorë në aferën e dosjes së mashtrimit të madh rus, i njohur për këto botërisht, për të cilin 2 javë më parë FBI rihapi dosjen, edhe njëherë, konkretisht, për McGonigalin, Altin Troplini hesht si fija e barit. Paçka se, McGonigal u kontraktua nga Edi Rama, u kontraktua nga zyrat e Edi Ramës, iu dërguan dëshmitarë në Nju Jork për të kryer misionin e tij kundër opozitës”, u shpreh Berisha.
Sipas tij McGonigal urdhëroi Ramën të heqë licenca të një kompanie ruse, për t’ia dhënë një kompanie tjetër ruse, të lidhur me Deripaskën.
“Paçka se, famëziu McGonigal vendosi gjoba të tmerrshme, një gjer në 5 milionë euro bizneseve shqiptare, duke i mashtruar me blacklistim. Paçka se McGonigal, udhëtoi në Vjenë, duke përzgjedhur dhe një prokuror amerikan, udhëtoi në Vjenë më ministër të narkoqeverisë Rama, për të dëgjuar përrallat e Tom Doshit dhe dhe Durim Bamit, se si kishte nxitur Ilir Meta Durimin për të vrarë Tom Doshin. Pra, aktiviteti kriminal i McGonigal dhe Edi Ramës është më i dënueshmi pas atij që McGonigal ka kryer në SHBA ndaj presidentit në detyrë, Donald Trump, pas ardhjes së tij herën e parë në pushtet”.
Berisha thekson se pavarësisht këtyre, Dumani të cilit gjatë konferencës iu drejtua si Altin Troplini, mban në sirtar dosjen e tij.
“Me gjithë këto, Altin Troplini, ky mercenar, që nuk ka as ligj as oral, mban në sirtar dosjen e McGonigal prej dy vitesh, të dorëzuar aty, nga opozita. E garantoj Altin Troplinin se, do të jetë opozita që do të hetojë Ramën, McGonigalin dhe Altin Troplinin, së bashku, të lidhur ngushtë në një krim të shëmtuar”.
Ai tha se opozita do të krijojë komisionin hetimor parlamentar për veprimtarinë kriminale, Rama-McGonigal, në Shqipëri e Kosovë.
“Opozita do krijojë komisionin hetimor parlamentar dhe do u dëshmojë shqiptarëve veprimtarinë kriminale, Rama-McGonigal në Shqipëri, do përpiqemi të hetojmë edhe me Kosovën, se kjo veprimtari është shtrirë dhe në Kosovë, sikundër do të demaskojë me prova dhe fakte mbrojtjen që Altin Troplini i ka bërë McGonigalit, delinkuent dhe një nga protagonistët kryesorë në mashtrimin e madh të dosjes ruse për presidentin Donald Trump, në mandatin e tij të parë.”
Nga Gazeta ‘Si’- Një aksident ka ndodhur në aksin e vjetër Mamurras – Thumanë pranë Urës së Drojes, ku tre persona kanë mbetur të plagosur.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, njëra me shtetas ukrainas.
Dy të rinj të plagosur janë dërguar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, ndërsa një grua që udhëtonte me shtetasin e huaj ndodhet jashtë rrezikut.
Nga Gazeta ‘Si’- Pas një periudhe moti më të freskët, Europa do përballet me një tjetër valë të nxehti gjatë ditëve të mesit të gushtit.
Që nga fundi i korrikut, pjesë të mëdha të gadishullit Iberik kanë përjetuar vapë të vazhdueshme, me temperatura që shpesh ngjiten në 30-40 gradë Celsius.
Një stacion meteorologjik 350 metra mbi nivelin e detit në qytetin spanjoll Talavera de la Reina regjistroi një maksimum prej 42.7C, afërsisht 18 gradë Celsius mbi normën lokale të gushtit.
Kjo nxehtësi e fortë u përhap në Francën jugore në fillim të javës së kaluar, duke i çuar disa zona në temperaturat e larta prej 30 gradë Celsius. Të kombinuara me tokat e thata, kushtet janë ideale për përhapjen e zjarreve në pyje.
Këto ditë, një sistem i gjerë me presion të lartë që zhvendoset në lindje të kontinentit pritet të përfshijë masën e ngrohtë të ajrit në veri dhe në lindje, duke i rritur temperaturat 10-15 gradë Celsius mbi mesataren në Francën veriore, Anglinë, Beneluksin dhe Europën qendrore dhe lindore këtë javë.
Të martën, në pjesë të ndryshme të Francës temperaturat do të arrijnë 35-40 gradë Celsius, me disa zona që do të ngjiten në minimum 40 gradë Celsius, ndërsa pjesë të Spanjës dhe Portugalisë mund të arrijnë 43-44 gradë Celsius. Moti i nxehtë pritet të shtrihet më pas në Gjermani dhe Poloninë perëndimore të mërkurën dhe të enjten, ku ka të ngjarë të arrijë në minimum 30 gradë Celsius.
Me Europën jugore dhe jugperëndimore që tashmë po përballet me nxehtësi të fortë, mbërritja e këtij ajri të ngrohtë në pjesët qendrore dhe lindore ka të ngjarë të shënojë fillimin e një atmosfere të
Ndërkohë, zjarret kanë vazhduar të digjen në Greqi dhe Turqi, dhe kushtet e thata përtej Atlantikut kanë intensifikuar sezonin e zjarreve në Amerikën e Veriut.
Reshjet në rajon kanë qenë dukshëm nën mesataren që nga fillimi i verës.
Tani, me temperatura 10-15 gradë Celsius më të larta se normalet në disa pjesë të lindjes, ka shqetësim në rritje për mungesën e ujit dhe zjarre të reja.
Nga Gazeta ‘Si’– Pak më shumë se 24 orë u deshën për krijimin e një portali rreth denoncimeve për zënien e jashtëligjshme të hapësirave publike dhe shqiptarët, duket se janë përgjigjur.
Kryeministri Edi Rama bëri publike aktivizimin e një platforme online për denoncimin e rasteve, të emërtuar “Hapësira ime Publike” dhe ftoi qytetarët të jenë aktivë në dokumentimin e rasteve të shkeljeve, duke garantuar veprim të shpejtë nga organet përkatëse.
Dhe në fakt, kështu ka ndodhur.
Sipas të dhënave të portalit, mbi 2 mijë e 900 raste janë raportuar në më pak se 48 orë prej qytetarëve dhe një pjesë modeste e tyre, e kanë marrë zgjidhjen menjëherë, kur ndërkaq me mijëra presin përmbylljen e procesit.
Vendodhjet e këtyre raportimeve, nga sa lihet të kuptohet në portal, nuk janë të përcaktuara, por megjithatë harta tregon se ka shpërndarje në të gjithë Shqipërinë.
Nisma vjen në një kohë kur aksioni për lirimin e hapësirave publike është intensifikuar në vend, me aksionin, i cili sipas vetë Ramës, do të vijojë dhe do shtrihet gjatë në kohë.
Sipas ndërfaqe së portalit vetë, ka disa kategori ku mund të raportohet.
Zënia e trotuareve, ndërtimet pa leje, parkingjet e paligjshme, zaptimet në rrugët kombëtare, kantieret e ndërtimit apo ato për ndotje fizike dhe akustike të hapësirës publike, janë ndër opsionet.
“Në rast mosreagimi brenda 24 orësh nga institucionet përkatëse lutemi të plotësoni formularin e ankesës”, shkruhet gjithashtu në portal.
Raportimi bëhet në tre hapa, ku portali fillimisht kërkon një përshkrim të ngjarjes, kategorinë e saj, bashkinë ku ndodh, dhe datën e raportimi.
Hapi i dyti është informacioni për denoncuesin. Përdoruesi mund të zgjedhë të identifikohet përmes e-Albania, i cili është detaj opsional, ose të qëndrojë anonim.
Hapi i fundit është dokumentimi me foto ose video.
Nga Gazeta ‘Si’- SHBA-të dhe Rusia kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim midis Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump njoftoi takimin të premten e kaluar, të njëjtën ditë të afatit të tij të vetëimponuar që Rusia të binte dakord për një armëpushim ose përndryshe të përballej me më shumë sanksione të SHBA-së.
Tre raunde bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës të mbajtura me urdhër të Trump këtë verë ende nuk i kanë afruar të dyja palët drejt paqes.
Ja çfarë dimë për takimin midis dy udhëheqësve, që do zhvillohet në Alaskë – një ish-territor rus i cili u bë shtet i SHBA-së vetëm në vitin 1959.
Pse po takohen Putini dhe Trumpi?
Trump ka bërë presion të fortë – pa shumë sukses – për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Si kandidat, Trump u zotua se mund ta përfundonte luftën brenda 24 orëve pas marrjes së detyrës. Ai gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se lufta “nuk do të kishte ndodhur kurrë” nëse ai do të kishte qenë president në kohën e pushtimit të Rusisë.
Muajin e kaluar, Trump i tha BBC-së se ishte “i zhgënjyer” nga Putini.
Frustrimet u rritën dhe Trump i caktoi Putinit një afat deri më 8 gusht për të rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm ose të përballej me sanksione më të ashpra të SHBA-së.
Ndërsa afati i fundit arriti, Trump njoftoi në vend të kësaj se ai dhe Putini do të takoheshin personalisht më 15 gusht.
Takimi vjen pasi i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, zhvilloi bisedime “shumë produktive” me Putinin në Moskë të mërkurën, sipas Trump.
A do të marrë pjesë Ukraina në takim?
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Trump është i gatshëm të zhvillojë një takim trepalësh, ku do të përfshihej edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Por, për momentin, mbetet një samit Trump-Putin, siç u kërkua fillimisht nga udhëheqësi rus.
Në përgjigje të lajmit për samitin e Alaskës, Zelensky ka thënë se çdo marrëveshje pa kontributin e Kievit do të përbëjë “vendime të vdekura”.
Dhe të premten, pasi Trump tha se do të duhej “një shkëmbim territoresh” që Moska dhe Kievi të arrinin një marrëveshje, Zelensky foli në Telegram.
“Ne nuk do ta shpërblejmë Rusinë për atë që ka kryer”, shkroi Zelensky. “Çdo vendim kundër nesh, çdo vendim pa Ukrainën, është gjithashtu vendim kundër paqes.”
Duke folur për Fox News të dielën, zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance sugjeroi që Zelensky mund t’u bashkohet Putinit dhe Trumpit për bisedime në një datë të mëvonshme.
Por për momentin, ai tha se nuk do të ishte “produktive” që Zelensky të takohej me Putinin përpara takimit të Trump me udhëheqësin rus në Alaska.
“Në thelb, presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë ai që i bashkon këto të dyja,” tha ai.
Çfarë shpresojnë të nxjerrin të dyja palët nga kjo?
Presidenti amerikan deklaroi se një marrëveshje “për të ndaluar vrasjet” është “shumë afër”. Ai gjithashtu thuhet se ka hedhur disa mendime mbi atë që mund të jetë e nevojshme që të dyja palët të bien dakord për të ndaluar luftimet.
Ndërsa si Rusia ashtu edhe Ukraina thonë se duan që lufta të mbarojë, të dyja duket se duan gjëra që pala tjetër i kundërshton ashpër.
Ukraina ka qenë e vendosur të mos pranojë kontrollin rus të rajoneve të pushtuara, veçanërisht Krimesë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka hedhur poshtë idenë plotësisht. “Nuk ka asgjë për të folur këtu. Kjo është kundër kushtetutës sonë”, tha ai.
Deri më tani, Putini nuk është tërhequr nga kërkesat e tij territoriale, neutraliteti i Ukrainës dhe madhësia e ardhshme e ushtrisë së saj.
Rusia pushtoi vendin , pjesërisht, për shkak të bindjes së Putinit se Ukraina po perëndimizohej dhe akuzoi aleancën mbrojtëse perëndimore, NATO-n, se po e përdorte vendin për të fituar një pikëmbështetje dhe për t’i afruar trupat e saj kufijve të Rusisë.
Administrata Trump është përpjekur të bindë udhëheqësit europianë për një marrëveshje armëpushimi që do t’i dorëzonte Rusisë pjesë të mëdha të territorit ukrainas, raporton partneri amerikan i BBC-së, CBS Neës.
Marrëveshja do t’i lejonte Rusisë të mbante kontrollin e gadishullit të Krimesë dhe të merrte rajonin Donbas të Ukrainës lindore, i cili përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku, sipas burimeve të njohura me bisedimet.
Rusia pushtoi në mënyrë të paligjshme Krimenë në vitin 2014 dhe forcat e saj kontrollojnë pjesën më të madhe të rajonit të Donbasit.
Sipas marrëveshjes, Rusia do të duhej të hiqte dorë nga rajonet ukrainase të Khersonit dhe Zaporizhzhisë, ku aktualisht ka njëfarë kontrolli ushtarak.
“Do të ketë disa shkëmbime territoresh në dobi të të dyjave”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të premten.
Vance, në intervistën e tij për Fox, tha se çdo marrëveshje e ardhshme “nuk do ta bëjë askënd shumë të lumtur”.
“Duhet të bësh paqe këtu… nuk mund të tregosh me gisht”, tha ai. “Rruga drejt paqes është të kesh një udhëheqës vendimtar që të ulet dhe t’i detyrojë njerëzit të bashkohen.”
Ku do të takohen Trump dhe Putin?
Të premten në mbrëmje, Trump postoi në faqen e tij të mediave sociale Truth Social se një “takim shumë i pritur” midis tij dhe Putinit do të zhvillohej më 15 gusht në “shtetin e madh të Alaskës”.
“Detaje të mëtejshme do të vijojnë,” tha ai.
Trump kishte thënë se vendi i takimit do të ishte “shumë i popullarizuar për një numër arsyesh”.
Vendndodhja e saktë e takimit të tyre në Alaska nuk është bërë e ditur.
Pse zgjodhën një vend në SHBA?
SHBA-të blenë Alaskën nga Rusia në vitin 1867, duke i dhënë këtij takimi një rëndësi historike.
Ndihmësi presidencial rus, Yuri Ushakov, tha se vendndodhja është “mjaft logjike” dhe se të dy vendet janë fqinjë, me Ngushticën e Beringut që i ndan ato.
“Duket mjaft logjike që delegacioni ynë thjesht të fluturojë mbi Ngushticën e Beringut dhe që një samit kaq i rëndësishëm dhe i shumëpritur i udhëheqësve të të dy vendeve të mbahet në Alaskë.”
Herën e fundit që Alaska zuri vend qendror në një ngjarje diplomatike amerikane ishte në mars të vitit 2021, kur ekipi i sapoformuar diplomatik dhe i sigurisë kombëtare i Joe Biden u takua me homologët e tyre kinezë në Anchorage.
Biseda u shndërrua në një debat të ashpër, me kinezët që akuzuan amerikanët për “përbuzje dhe hipokrizi”.
Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, thanë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim real për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Kurti, gjatë edicionit të tetë të Konferencës së Ambasadorëve – që mbledh në Prishtinë të gjithë ambasadorët e Kosovës në mbarë botën – tha se ambasadorët e Kosovës kanë rol jetik në luftimin e propagandës kundër shtetit, por edhe të promovimit të Kosovës jashtë vendit.
“Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare”, tha Kurti.
Ndërkaq, Gërvalla i cilësoi si “sfiduese” raportet e Kosovës me Serbinë, shtet që sipas saj paraqet “kërcënim real për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”.
“Serbia jo vetëm që refuzon ta njohë shtetin tonë, por zhvillon fushata të hapura për ta minuar subjektivitetin tonë ndërkombëtar, pengon proceset integruese dhe financon e udhëzon struktura ilegale, kriminale në vendin tonë”, tha ajo.
Sipas Gërvallës, këto nuk janë vetëm kundërshti politike, por “sulme të drejtpërdrejta ndaj Kosovës”.
“Si shtet ligjor, ne i kundërvihemi me vendosmëri dhe bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë për të garantuar se kërcënimet e Serbisë nuk do të shndërrohen kurrë në realitet”, tha ajo.
Kosova vazhdimisht akuzon Serbinë që kryen fushata kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, e pengon të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe kryen fushata të dezinformimit.
Në këtë drejtim, Kurti tha se Serbia “në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse”, shpenzon miliona euro për lobim dhe shpërndarjen “sistematike të mesazheve të rreme kundër Kosovës” nëpër botë.
Serbia reagon gjithmonë ashpër kur shtetet e tjera njohin pavarësinë e Kosovës, siç ndodhi gjatë këtij viti, kur Kenia dhe Sudani njohën pavarësinë e Kosovës.
Në Kushtetutën e Serbisë, Kosova ende figuron pjesë e këtij shteti.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga viti 2023, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic. Që atëherë, ka pasur edhe incidente të tjera në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kosova e fajëson Serbinë për sulmin në Banjskë, por Serbia mohon se ka gisht në të. Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.
Prishtina kërkon që Beogradi t’ia dorëzojë Radoiçiçin dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur, të cilët besohet se gjenden në Serbi. Edhe faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Nga Gazeta ‘Si’- Mbi 12.000 fëmijë në Gaza janë aktualisht të kequshqyer.
Kjo është bërë e ditur nga UNICEF, i cili raporton se kjo është një shifër rekord mujore, që përfaqëson një rritje dramatike dhe të vazhdueshme që nga fillimi i vitit. Sipas organizatës së OKB-së në shkurt 2.000 fëmijë vuanin nga kequshqyerja akute në Gaza dhe deri në qershor kjo shifër ishte trefishuar, ndërsa tani është pothuajse dyfishuar sërish.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë e cilëson këtë zhvillim shqetësues dhe bën thirrje për ndihmë urgjente ushqimore, për të shmangur humbjen e mëtejshme të jetëve të fëmijëve.
“Kjo është një provë e qartë se kequshqyerja po përshpejtohet me shpejtësi, duke i vënë jetët e të rinjve në rrezik të madh. Ritmi i këtij përkeqësimi është alarmues. Ne e dimë si ta parandalojmë dhe trajtojmë kequshqyerjen. Mjetet ekzistojnë. Ekspertiza ekziston. Por pa qasje të sigurt dhe të qëndrueshme, ato janë të padobishme. Fëmijët e Gazës kanë nevojë për qasje urgjente në ndihmë në shkallë të gjerë dhe një armëpushim. Tani!”, thekson UNICEF.
Organizata kërkon akses të menjëhershëm humanitar dhe një armëpushim urgjent, për të lejuar shpërndarjen efektive të ndihmës dhe për të shpëtuar jetë.
Nga Gazeta ‘Si’- Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet nën vlerën 1.167 trenda do të jetë rënëse drejt suportit 1.16. Tregtimi mbi vlerën 1.167 do të pasohej me rritje të mëtejshme me target 1.17.
Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet nën vlerën 1.347 trendado të jetë rënëse me objektiv 1.34. Tregtimi mbi vlerën 1.347 hap rrugën për avancim drejt rezistencës 1.36
Për sa kohë USD/JPY do të tregtohet nën vlerën 148.2 trenda do të jetë negative me target 146.tregtimi mbi vlerën 148.2 do të ndiqej nga avancim i mëtejshëm me objektiv 149
Për sa kohë DOW JONES do të tregtohet mbi vlerën 43800 trenda do të jetë pozitive me target 45000. Tregtimi nën vlerën 43809 rikthen tendencën rënëse drejt suportit 43650
Për sa kohë CRUDE OIL do të tregtohet nën vlerën 63.65 trenda do vazhdoje të jetë rënëse me objektiv 662. Tregtimi mbi vlerën 63.65 do e vononte në kohë këtë tendencë duke u paraprirë nga testimi i rezistencës 64.5
Për sa kohë BTC/USD do të tregtohet nën vlerën 118709 trenda e fillim javës do të jetë rënëse drejt suportit 117500, reagimi negativ ndaj të cilit e thellon rënien drejt suportit të radhës 114000. Tregtimi mbi vlerën 117500 do të ndiqej nga avancim i mëtejshëm me objektiv 121000
Nga Gazeta ‘Si’- Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha se Shtetet e Bashkuara po punonin për bisedime midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në një intervistë për Fox News, ai tha se nuk mendonte se do të ishte produktive që Putin të ulej me Zelensky-n para se të takohej me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Vance shtoi gjithashtu se administrata e tij shpresonte të arrinte një zgjidhje të negociuar midis Rusisë dhe Ukrainës, por paralajmëroi se të dyja palët ndoshta do të ishin të pakënaqura me rezultatin.
Duke iu drejtuar mundësisë së sanksionimit të Kinës për blerjen e naftës ruse, Vance vuri në dukje se Trump ende po shqyrtonte opsionet e tij dhe ende nuk kishte marrë një vendim.
Vance tha më tej se presidenti Donald Trump po kërkon një përfundim të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht të situatës në Gaza.
Ai tha se administrata Trump po përpiqet të ndalojë Hamasin nga “vrasja e njerëzve të pafajshëm”, të sigurojë lirimin e pengjeve izraelite dhe të zgjidhë krizën humanitare në Rripin e Gazës.
“Ajo që ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara është se ai dëshiron të jetë president i paqes”, tha Vance për Fox News, duke shtuar se Trump po përpiqet të “arrijë të tre këto gjëra”.
“Ai po inkurajon – përmes çdo metode diplomatike të mundshme – një përfundim të shpejtë të konfliktit, që pengjet të kthehen në shtëpi, që populli i Gazës të marrë një rrjedhë të lirë të ndihmës humanitare”, përmblodhi Vance.
Nga Gazeta ‘Si’- Pesë gazetarë të Al Jazeera-s janë vrarë në një sulm izraelit pranë Spitalit Al-Shifa të Qytetit të Gazës.
Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, së bashku me kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ishin në një tendë për gazetarët në portën kryesore të spitalit kur u godit, raportoi Al Jazeera.
“Vrasja e synuar” e të dielës ishte “një tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”, shtoi më tej Al Jazeera.
Menjëherë pas sulmit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan se kishin shënjestruar Anas al-Sharif, duke shkruar në një postim në Telegram se ai kishte “shërbyer si kreu i një qelize terroriste në Hamas”.
Gjatë gjithë luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë në Gaza të raportojnë lirisht. Prandaj, shumë media mbështeten te gazetarët vendas brenda territorit për mbulim, shkruan BBC.