Nga Ismet Munishi te Ilir Daja, deri te goli ndaj Hajduk Split – Hekuran Berisha rrëfehet për të gjitha
Nga Dukagjini i Klinës te Dinamo City në Shqipëri, 19-vjeçari Hekuran Berisha po shkruan kapitullin e ri të karrierës së tij me hapa të mëdhenj.
Vetëm pak javë pas transferimit, ai u bë hero në arenën evropiane, duke vulosur me gol në kohën shtesë fitoren 3-1 ndaj Hajduk Splitit.
I formuar nën drejtimin e Ismet Munishit në elitën e futbollit kosovar dhe tani nën urdhrat e strategut Ilir Daja, Berisha po dëshmon se është një talent që ka ardhur për të lënë gjurmë.
Ai për Telegrafin ka folur për momentin e tij në garat evropiane, adaptimin te Dinamo City, punën me trajner si Ismet Munishi dhe Ilir Daja dhe synimet e tij në të ardhmen.
“Goli kundër Hajdukut ishte vërtet një moment me shumë emocione të papërshkrueshme, të cilin nuk do ta harroj kurrë në jetën time”, ka thënë Berisha fillimisht.
Tutje, ai shprehet falenderues ndaj Ilir Dajës, të cilin e cilëson si trajnerin më të mirë shqiptar, duke thënë se ai e ka ndihmuar dhe i ka dhënë besim në fushë.
“Të punosh me trajnerin Ilir Daja është vërtet krenari dhe privilegj, sepse ai është trajneri më i mirë shqiptar, me shumë trofe dhe suksese në arenën ndërkombëtare, gjë që e ka dëshmuar me vite radhazi”.
“Ai është një trajner që e bashkon grupin e skuadrës si një zinxhir çeliku të pathyeshëm, si një familje e vërtetë. Për këtë, më ka ndihmuar shumë në përmirësimin tim, duke më mësuar gjëra që më herët nuk i kisha, dhe jam shumë falënderues për besimin që më ka dhënë në fushën e blertë. Jam shumë i lumtur që jam nën urdhrat e tij”, deklaroi Berisha për Telegrafin.
Ishte trajneri Ismet Munishi ai i cili ia dha debutimin Berishës në Superligën e Kosovës me fanellën e Dukagjinit. Për këtë, Berisha thotë se do të jetë gjithmonë falenderues ndaj tij.
“Për trajnerin Ismet Munishi kam shumë kujtime të mira, sa që nuk mund t’i tregoj të gjitha. Ai ishte njeriu që më dha besimin e parë në fushën e blertë dhe më mësoi që duhet të punoj fort, me kokën ulur. Për këtë do t’i jem gjithmonë falënderues”.
Për fund Berisha u shpreh se objektivi i tij personal është të kontribuojë maksimalisht për arritjen e synimeve të klubit.
“Objektivat e mia për të ardhmen janë që ta ndihmoj klubin tim,Dinamo City, në objektivat që kemi si synim, të jap maksimumin dhe të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur”.
“Suksesi nuk do të mungojë, dhe shpresoj që kjo të më ndihmojë të bëj një hap edhe më të madh në karrierën time”, përfundoi 19-vjeçari./Telegrafi/
The post Nga Ismet Munishi te Ilir Daja, deri te goli ndaj Hajduk Split – Hekuran Berisha rrëfehet për të gjitha appeared first on Telegrafi.