Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 August 2025Main stream

Danimarka: Jemi pro njohjes së një shteti palestinez, por duhet të jetë demokratik

By: e xh
26 August 2025 at 22:36

Danimarka nuk e përjashton njohjen e një shteti palestinez. Kryeministrja Mette Frederiksen deklaroi se janë në favor të njohjes së shtetit palestinez, por nënvizoi se duhet të jetë demokratik.

“Ne nuk po i themi jo njohjes së një shteti palestinez. Ne jemi pro. Kemi qenë pro prej kohësh. Por padyshim që duhet të sigurohet që të jetë shtet demokratik”, tha ndër të tjera ajo.

Më tej Frederiksen deklaroi se vazhdimi i politikës së Netanyahut në Gaza është i papranueshëm.

Njohja e një shteti palestinez duhet t’i shërbejë “kauzës së mirë”. Nga ana tjetër Danimarka do të përdorë presidencën e saj të BE-së për të rritur presionin.

Zjarr në një pallat në Lushnje, evakuohen banorët

By: e xh
26 August 2025 at 22:04

Një zjarr ka rënë mbrëmjen e sotme në katin e parë të një pallati në qytetin e Lushnjes.

Sipas informacioneve paraprake, shkak i flakëve ka qenë djegia e panelit elektrik. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arritur ta vendosin nën kontroll, duke shmangur përhapjen në katet e tjera.

Ngjarja ka shkaktuar panik dhe ankth tek  banorët e pallatit, të cilët u detyruan të dilnin me nxitim jashtë.

Aktualisht, në ndërtesë mungon energjia elektrike, ndërsa ashensorët kanë dalë jashtë funksionit. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Zyrtari izraelit: Po shqyrtojmë çdo mundësi që çon në lirimin e pengjeve nga Hamasi

By: e xh
26 August 2025 at 21:32

“Izraeli dëshiron një marrëveshje të plotë dhe që i sjell pengjet në shtëpi”, kështu ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë izraelite David Mencer. Këtë të martë është mbledhur edhe kabineti i sigurisë izraelite.

Mencer u pyet gjithashtu nëse Izraeli do të dakordohet me Hamasit për të arritur një marrëveshje, duke thënë se “ne do të shqyrtojmë çdo veprim që çon në lirimin e pengjeve”.

Mencer shton se të gjitha mediat ndërkombëtare duhet të ushtrojnë presion mbi Hamasin që të lirojë pengjet.

Aksident në Korçë, makina përplas për vdekje një grua

By: e xh
26 August 2025 at 21:11

Një aksident i rëndë ndodhi këtë mbrëmje në Korçë, në rrugën që të çon drejt fshatit Voskop.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një mjet ka përplasur një grua, e cila ka qenë duke kaluar në rrugë.

Pas përplasjes së fortë ajo u transportua për në spital, por humbi jetën gjatë rrugës.

Policia në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave.

Donnarumma drejt Manchester City për 30 milionë euro

By: e xh
26 August 2025 at 21:01

Pasi u zyrtarizua largimi nga PSG-ja, Gianluigi Donnarumma duket se do të vazhdojë karrierën në Premier League.

Portieri italian është pranë transferimit te Manchester City. Sipas mediave britanike, marrëveshja pritet të mbyllet për 30 milionë euro.

Francezët janë gati të pranojnë ofertën e City-t, pavarësisht se më parë kërkonin 50 milionë euro. PSG-ja dëshiron ta shesë Donnarumma-n në fundin e merkatos, për të mos rrezikuar largimin e tij falas pas një viti, kur i përfundon edhe kontrata.

Sa i përket lojtarit, ai ka arritur marrëveshjen me City-n dhe pret vetëm dritën jeshile, për tu nisur drejt Anglisë.

Lëvizja ka mbetur pezull për shkak të Ederson, i cili duhet të largohet për të hapur vendin për italianin. Gardiani brazilian është pranë kalimit te Galatasaray.

Me pak fjalë, transferimi i Donnarumma-s te Manchester City është vetëm çështje kohe.

Administrata Trump “shënjestron” ministrin e Drejtësisë të Brazilit

By: e xh
26 August 2025 at 20:33

Viza amerikane e ministrit brazilian të Drejtësisë, Ricardo Lewandowski, është revokuar, tha sot presidenti brazilian Lula, duke dënuar Uashingtonin për një “veprim të papërgjegjshëm”.

Gjatë një takimi ministror, ​​Luiz Inacio Lula da Silva shprehu “solidaritetin” e tij me ministrin e tij kundër “veprimit të papërgjegjshëm për të revokuar” vizën e tij.

Kjo është një masë tjetër që Uashingtoni po merr kundër Brazilit në shenjë hakmarrjeje për gjyqin e vazhdueshëm të ish-presidentit të ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili është në gjyq për tentativë grushti shteti.

Këto masa “janë të papranueshme, jo vetëm kundër ministrit, por edhe kundër gjyqtarëve të Gjykatës Supreme apo ndonjë figure tjetër braziliane”, shtoi Lula. Revokimi i vizës së ministrit brazilian nuk është konfirmuar ende nga Ministria e Drejtësisë, as nga autoritetet amerikane të kontaktuara nga Agence France-Presse.

Megjithatë, javën e kaluar, Paulo Figueiredo, një influencues brazilian që jeton në SHBA, e përmendi këtë veprim në X.

Dyshja e Paulo Figueiredo dhe Eduardo Bolsonaro, djali i ish-presidentit i cili gjithashtu jeton në SHBA, po lobojnë qeverinë amerikane kundër autoriteteve aktuale braziliane.

Në këtë kontekst, Trump ka vendosur një tarifë prej 50% për një pjesë të eksporteve braziliane në SHBA. Një vendim që presidenti amerikan e justifikoi në bazë të një “gjuetie shtrigash”, viktimë e së cilës është ish-presidenti i ekstremit të djathtë i vendit të Amerikës Latine.

Administrata Trump ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj gjyqtarit Alexandre de Moraes, i cili po kryeson gjyqin e Bolsonaros me akuzat për tentativë grushti shteti, duke ia revokuar vizën.

Masa të ngjashme janë vendosur ndaj disa anëtarëve të tjerë të Gjykatës Supreme, sipas qeverisë braziliane.

Situata e zjarreve në vend, 4 vatra ende aktive

By: e xh
26 August 2025 at 20:18

Qendra Kombëtare Operacionale te Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC raporton se prej orës 09:00, datë 26.08.2025 deri në orën 19:30, datë 26.08.2025 , janë raportuar 12 vatra zjarri nga të cilat 8 janë shuar, 4 janë aktive dhe 1 është në monitorim.

Ditën e djeshme datë 25.08.2025, rreth orës 15:00, në fshatin Delisuf, njësia administrative Novoselë, bashkia Vlorë, është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe pyjore me pishë dhe bimësi të përzier. Zjarri i favorizuar nga intensiteti i erës ka marrë një shtrirje të madhe duke depërtuar në pyllin e Pishë-Poros. Me gjithë punën e bërë nga forcat në terren dhe ndërhyrja nga ajri nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, zjarri mbetet aktiv. Vatra e zjarrit gjatë natës ka zgjeruar perimetër në gjatësi dhe gjerësi. Sot në terren janë të angazhuara 3 automjete MZSH dhe 20 efektiv BMEC, 3 automjete dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ⁠3 automjete dhe 18 efektivë nga MZSH Vlorë, ⁠6 forca nga AdZM, 23 forca bashkiake, 10 forca policore. Sot operuan sërish 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe 2 helikopterët e Forcës Ajrore. Të gjitha forcat po punojnë për të penguar kalimin e vatrës së zjarrit në kanalin e hidrovorit.
Ditën e djeshme datë 25.08.2025 rreth orës 16:30, në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Ditën e sotme vijoi puna për shuarjen e zjarrit me 7 automjet zjarrfikëse më 22 efektivë nga MZSH-të, Skrapar, Berat, Poliçan, 5 forca nga Shërbimi Pyjor, 35 forca bashkiake dhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura. Sipërfaqja e përshkuar deri në këto momente është rreth 18 ha. Si rezultat i erës janë riaktivizuar disa vatra të vogla brenda asaj kryesore. Janë vetëm dy vatra të vogla brenda zonës së djegur me prezencë tymi, nuk ka rrezik për banesa.

Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zarri është riaktivizuar në afërsi të piramidës 15. Në terren gjatë ditës u angazhuan forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë të cilët punuan midis piramidave 14 dhe 15, në kufi me Greqinë. Ditën e sotme situata paraqitet më e normalizuar. Zona do vashdojë të mbahet në monitorimi nga forcat MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen 4 efektivë me 1 automjet zjarrfikës që po qëndrojnë në gatishmëri të pandërprerë 24 orë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vatrës së zjarrit.

Është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e zjarreve në:

 

1.      Fshatin Vrepckë (Shelegur), njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë.

2.      Në rrugën “Bilal Troksi”, zona “Fushë Farkë”, njësia administrative Dajt, bashkia Tiranë .

3.      Në fshatin Stajke, njësia administrative Bushat, bashkia Vau – Dejës.

4.      Në fshatin Shtoi i Ri, njësia administrative Rrethina, bashkia Shkodër.

5.      Në fshatin Peshtan i Madh, njësia administrative Levan, bashkia Fier.

6.      Në autostradën Laç-Lezhë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë.

7.      Në fshatin Shumbat, njësia administrative Sllovë, bashkia Dibër.

8.      Në fshatin Portgorcë, njësia administrative Maqellarë, bashkia Dibër.

Sulmi izraelit në spitalin në Gaza, OKB: Duhet të ketë drejtësi

By: e xh
26 August 2025 at 20:04

OKB ka kërkuar hetime më të detajuara lidhur me sulmin e ndodhur në një spital në Gaza ku u vranë 20 persona, mes të cilëve edhe gazetarë.

Gjithashtu OKB thekson se një situatë e tillë e rëndë, kërkon drejtësi dhe se Izraeli duhet të hetojë vrasjet në Gaza.

“Duhet të ketë drejtësi”, tha zëdhënësi i zyrës së OKB Thameen Al-Kheetan, ndërsa ritheksoi se numri i gazetarëve të vrarë ngriti shumë pyetje në lidhje me shenjëstrimin e punonjësve të medias.

Kujtojmë se të hënën Izraeli goditi dy herë spitalin Nasser, spitalin e fundit publik funksional në jug të Gazës. Zyra e kryeministrit izraelit tha se “shpreh keqardhje të thellë për ngjarjen tragjike” që ndodhi dhe se ushtria Izraeli po kryente hetimet.

Itali, 26-vjeçari përdhunon 60-vjeçaren në një park në Romë

By: e xh
26 August 2025 at 19:34

Një 26-vjeçar me origjinë nga Gambia ka përdhunuar një grua 60-vjeçare në një park në Romë. I riu është arrestuar dhe ka pranuar krimin.

Gjatë marrjes në pyetje, ai ka thënë se kishte vepruar nën ndikimin e substancave narkotike, të cilat i kishte blerë vetëm disa minuta para se të kryente aktin e rëndë.

Hetimet nisën pas dëshmisë së gruas së abuzuar dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë rrugës ku kishte kaluar autori. Këto prova kanë ndihmuar autoritetet të identifikojnë dhe të lokalizojnë të dyshuarin.

26-vjeçari, i cili qëndronte ilegalisht në Itali, u ndalua pranë stacionit Termini në Romë.

Ai u identifikua nga karabinierët falë veshjeve që kishte në momentin e ngjarjes; një palë këpucë dhe një kapele. 26-vjeçari u identifikua gjithashtu edhe nga e abuzuara. I riu përballet tani me akuzat për përdhunim dhe grabitje.

Trump parashikon përfundimin e luftës në Gaza brenda 3 javësh

By: e xh
26 August 2025 at 19:01

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka theksuar që lufta e Izraelit në Gaza duhet të përfundojë.

“Mendoj se brenda dy deri në tri javëve të ardhshme, do të keni një përfundim mjaft të mirë dhe efektiv”, u tha Trump gazetarëve.

Presidenti amerikan më parë ka premtuar një fund të luftës, por deklaratat e tij nuk janë materializuar në një armëpushim apo edhe në rrjedhën e lirë të ndihmës humanitare për një popullsi palestineze që vuan nën një bllokadë ndëshkuese izraelite.

Administrata Trump ka furnizuar Izraelin me miliarda dollarë në armë dhe ka hedhur poshtë përpjekjet ndërkombëtare për të njohur një shtet palestinez.

“Duhet të mbarojë sepse midis urisë dhe të gjitha problemeve të tjera, më keq se uria njerëzit po vriten”, tha Trump.

Kujtojmë se në shkurt, Trump sugjeroi largimin e të gjithë palestinezëve nga Gaza – një plan që u vlerësua se do të përbënte spastrim etnik, një krim kundër njerëzimit.

Vijon zjarri në pyllin e Poros në Vlorë për të dytën ditë radhazi

By: e xh
26 August 2025 at 18:51

Në pyllin e Poros në Vlorë vijon për të dytën ditë radhazi zjarri që po djeg pishat pranë lagunës së Nartës.

Vatrat e zjarrit janë përhapur në një sipërfaqe të madhe pyjore, për shkak të shtrirjes së gjerë që ka kjo zonë.

Tymi i dendur ka mbuluar zonën dhe është përhapur drejt qytetit të Vlorës. Ndërkohë, nga ajri po luftojnë intensivisht dy helikopterë për të shuar zjarret.

Sevilla dhe Udinese në garë për Nedim Bajramin

By: e xh
26 August 2025 at 18:29

E ardhmja e Nedim Bajramit te Rangers mbetet e paqartë. Mesfushori i kombëtares shqiptare nuk ka arritur të bindë në aventurën e tij në Skoci dhe së fundmi është lënë jashtë listës së skuadrës, duke shtuar zërat për një largim të mundshëm.

“Transferfeed” në Britani raporton se për 25-vjeçarin ka interes serioz nga dy klube me emër në futbollin evropian, Sevilla në Spanjë dhe Udinese në Itali. Sipas zërave, një ofertë mes 4 deri në 5 milionë euro mund të mjaftojë për të bindur Rangers që të pranojë shitjen.

Bajrami iu bashkua klubit skocez verën e kaluar për rreth 4 milionë euro dhe drejtuesit kërkojnë të paktën të rikuperojnë këtë shifër në rast transferimi. Kontrata e tij është e vlefshme deri në maj 2028, ndërsa sipas “Transfermarkt” vlera aktuale e kartonit të tij në treg është rreth 3 milionë euro.

Një rikthim në Serie A, ku Bajrami shkëlqeu me Empolin dhe Sassuolon, ose një aventurë e re në La Liga, mund të jenë hapat e ardhshëm të mesfushorit që mbetet një aset i rëndësishëm për kuqezinjtë e Shqipërisë.

Osmani uron kreun e ri të Kuvendit: Qeveria të votohet sa më shpejt

By: e xh
26 August 2025 at 18:26

Presidentja e Republikës së Kosovë, Vjosa Osmani ka përshëndetur zgjedhjen e kreut të Kuvendit dhe nënkryetarëve të rinj, që i jep fund krizës disamujore

Osmani mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën.

Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilija Redžepi.

Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Katari akuzon Izraelin se po përpiqet të “shtyjë” marrëveshjen e paqes

By: e xh
26 August 2025 at 18:22

Një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit është “në tryezë”, thotë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, por sipas tij, “nëse Izraeli dëshiron të japë një përgjigje… kjo varet nga ata”.

Sipas mediave të huaja, duke folur gjatë një konference javore për median, Dr. Majed al-Ansari thotë se diskutimet për zhvendosjen e vendit të diskutimeve nga Doha janë thjesht “manovrim taktik i përpjekjes për të vonuar marrëveshjen” nga Izraeli.

“Nuk mendoj se bashkësia ndërkombëtare është budallaqe, ne e kuptojmë se çfarë nënkuptojnë këto manovra”, thotë ai, duke shtuar “gjëja kryesore tani është që izraelitët duhet të kthehen me një përgjigje për atë që është në tryezë”.

“Gjë që përsëri është diçka për të cilën ata kanë rënë dakord në të kaluarën, dhe tani e kanë mohuar”, thotë Ansari.

Siç sapo kemi raportuar, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha më parë se ai do të pranonte një marrëveshje vetëm nëse të gjithë pengjet do të liroheshin menjëherë dhe një zyrtar izraelit i tha BBC javën e kaluar se nuk është i interesuar për “marrëveshje të pjesshme”.

25 shtete i përgjigjen tarifave të Trump, pezullojnë dërgesat postare drejt SHBA

By: e xh
26 August 2025 at 18:20

Unioni Postar Universal, një agjenci e Kombeve të Bashkuara, njoftoi se 25 nga shtetet e saj anëtare kanë ngrirë dërgesat për në Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të pasigurisë së shkaktuar nga tarifat e reja të vendosura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Unioni Postar Universal, një agjenci që promovon bashkëpunimin midis shërbimeve postare në 192 vendet e saj anëtare, tha se kishte përcjellë shqetësimet e saj në lidhje me këto pezullime në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të datës 25 gusht 2025.

“Operatorët postarë në 25 vende anëtare kanë njoftuar tashmë pezullimin e shërbimeve të tyre postare për në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur pasiguri që lidhen veçanërisht me shërbimet e tranzitit”, tha agjencia e OKB-së në një deklaratë.

Nuk i përmendi vendet, megjithëse Australia, Norvegjia dhe Zvicra, ndër të tjera, tashmë i kanë njoftuar publikisht këto pezullime.

Muajin e kaluar, administrata Trump njoftoi se po eliminonte përjashtimin global “de minimis”, i cili lejonte mallra me vlerë deri në 800 dollarë të hynin në Shtetet e Bashkuara pa taksa dhe gjithashtu kishte burokraci minimale. Masa pritet të hyjë në fuqi më 29 gusht.

Zgjedhjet, Komisioni Rregullator do të vulos rezultatin e 11 majit të enjten

By: e xh
26 August 2025 at 18:03

Merr fund saga e zgjedhjeve, pasi Komisioni Rregullator do të vulos rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

Mbledhja e komisionit do të mbahet të enjten, më 28 gusht, në orën 11:30. Miratimi i rezultatit nga Komisioni Rregullator i hap rrugë dekretit të Presidentit Barjam Begaj për mbledhjen e parë të Kuvendit të ri.

Vendimi i plotë:

Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 11 maj 2025. Në mbështetje të nenit 20, pikat 2, shkronja “d”, e 3, dhe nenit 167, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator vendosi:

Të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 Maj 2025, si më poshtë vijon: Numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve për çdo subjekt zgjedhor, për çdo zonë zgjedhore, sipas lidhjes nr. 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi;

Numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve për çdo subjekt zgjedhor në rang vendi, sipas lidhjes nr. 2 që i bashkëlidhet këtij vendimi; Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve’.

Dora e nxirë e Trump, Shtëpia e Bardhë sqaron gjendjen shëndetësore të presidentit

By: e xh
26 August 2025 at 17:44

Shenjat dhe mavijosjet në dorën e Donald Trump u bënë sëruish virale dhe ngritën shqetësime nëse presidenti amerikan ka probleme me shëndetin. Edhe në takimin me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung të hënën në Zyrën Ovale, Trump u fotografua me shenja në duar të mbuluara me pak grim.

Sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, mavijosja në dorën e Trump ka ardhur për shkak të acarimit nga “shtrëngimi i shpeshtë i duarve dhe përdorimi i aspirinës”.

Mjeku Dr. Ronny Jackson tha se shëndeti i Trump është mirë.

“Kjo është në përputhje me acarim të lehtë të indeve të buta nga shtrëngimi i shpeshtë i duarve dhe përdorimi i aspirinës, e cila merret si pjesë e një regjimi standard parandalues ​​kardiovaskular”, tha ai.

Mavijosjet në duart e presidentit, si dhe ënjtja e kyçeve të këmbëve, kanë shkaktuar shqetësim dhe kuriozitet nga publiku gjatë gjithë mandatit të dytë të Trump. Shtëpia e Bardhë zbuloi  muajin e kaluar se Trump është diagnostikuar me ‘pamjaftueshmëri kronike venoze’.

Prodhuese diamantesh, Botswana shpall gjendjen emergjente në shëndetësi

By: e xh
26 August 2025 at 17:35

Presidenti i Botswanës, Duma Boko, ka shpallur gjendje emergjente në sektorin e shëndetësisë, mes mungesës së theksuar të barnave dhe pajisjeve mjekësore në vend.

Në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, Presidenti Boko njoftoi një plan shumëmilionësh për të rregulluar zinxhirin e furnizimit me ilaçe, duke përfshirë edhe mbikëqyrjen nga ushtria. Ai theksoi se përballimi i kësaj krize do të jetë “jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj kostos, për shkak të fondeve të kufizuara që ka shteti”.

Botsvana, një nga prodhuesit më të mëdhenj të diamantëve në botë dhe me një popullsi prej 2.5 milionë banorësh, po përjeton një rënie ekonomike të ndjeshme pas tkurrjes së tregut ndërkombëtar të diamantëve dhe shkurtimit të ndihmës nga SHBA. Kjo situatë ka sjellë papunësi dhe varfëri në rritje, sipas burimeve mediatike.

“Puna do të vijojë pa ndërprerje deri në rregullimin e plotë të gjithë zinxhirit të prokurimit”, u shpreh presidenti Boko, duke konfirmuar se Ministria e Financave ka miratuar një fond emergjent prej 18.3 milionë dollarë amerikanë.

Presidenti 55-vjeçar, i diplomuar në Harvard, erdhi në pushtet pas fitores historike të partisë së tij Umbrella for Democratic Change (UDC) në zgjedhjet e fundit, duke i dhënë fund një sundimi 58-vjeçar të partisë paraprake. Ai kishte deklaruar më herët se prioriteti i tij kryesor do të ishte rindërtimi i një ekonomie tepër të varur nga diamantët.

Edon Zhegrova merr pasaportën shqiptare

By: e xh
26 August 2025 at 17:30

Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, është pajisur me pasaportë shqiptare, me dekret të Presidentit Bajram Begaj. Vendimi është marrë më 22 gusht.

Zhegrova, një prej futbollistëve më të mirë të përfaqësueses së Kosovës, luan aktualisht te skuadra franceze Lille. Gjatë kësaj hapësire të merkatos, emri i tij është lidhur me klubin gjigant italian, Juventus dhe në Serie A, nuk konsiderohesh ekstrakomunitar nëse federohesh si shqiptar pas një pakti mes dy qeverive.

Bardhezinjtë flitet se janë të gatshëm të paguajnë deri në 20 milionë euro për shërbimet e tij, ndërsa mund t’i ofrojnë deri në 2,5 milionë euro rrogë vjetore.

Pse Trump dëshiron të kontrollojë Rezervën Federale?

By: e xh
26 August 2025 at 17:28

Nuk duhej tentativa e djeshme për të shkarkuar Lisa Cook nga Bordi i Guvernatorëve të Rezervës Federale, që të kuptohej se çfarë modeli qeverisjeje ekonomike ka në mendje Donald Trump. Mjafton të bashkosh pikat e vendimeve të tij gjatë javëve të fundit, pa marrë parasysh as rritjen më të madhe të tarifave doganore amerikane të nëntëdhjetë viteve të fundit.

Një administratë centralizuese

Sepse edhe përpara se të tentonte të shkarkonte Cook (apo të paktën të përpiqej), presidenti kishte kaluar verën duke i dhënë formë një sistemi padyshim ndryshe nga ai që ka dominuar në Perëndim dekadat e fundit. Largohet ideja e një qeverisjeje të paanshme, të parashikueshme, të respektueshme ndaj ligjit, agjencive të pavarura dhe operatorëve privatë të tregut. Përparon në vend të saj veprimi i një administrate centralizuese, ndërhyrëse, armiqësore ndaj pavarësisë së autoriteteve të ngarkuara me funksione jetike për stabilitetin dhe besueshmërinë e ekonomisë amerikane.

Precedenti i Byrosë së Statistikave të Punës

Sepse letra e djeshme, me të cilën Trump kërkon të përzërë Lisa Cook nga Rezerva Federale, nuk është lëvizja e parë në këtë drejtim. Më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte shkarkuar drejtoreshën e Byrosë së Statistikave të Punës, Erika McEntarfer, pasi agjencia publikoi të dhëna mbi punësimin të papëlqyera nga qeveria: akuzat për manipulim politik kundër McEntarfer nuk u mbështetën kurrë me prova, ndërkohë që Trump emëroi në krye të agjencisë që mat inflacionin dhe punësimin një besnik të tij, pa kualifikime, të quajtur EJ Antoni.

Nvidia dhe AMD

Në të njëjtat javë administrata Trump përfundoi një marrëveshje me gjigantët e çipave dhe mikroprocesorëve, Nvidia dhe AMD. Administrata demokrate e Joe Biden u kishte ndaluar të dyve të shisnin produktet e tyre në Kinë, për të penguar përparimin teknologjik të rivalit strategjik të madh të Shteteve të Bashkuara. Trump përkundrazi u ka premtuar të japë «licenca eksporti» – me një aromë disi sovjetike – me kusht që këto kompani të pranonin t’i transferonin qeverisë 15% të të ardhurave të tyre në Kinë. Edhe kjo, një kërkesë pa precedent në historinë amerikane.

Emërimi i bashkëpunëtorit

Trump gjithashtu ka emëruar në Bordin e Guvernatorëve të Rezervës Federale një bashkëpunëtor të ngushtë, Stephen Miran, i cili propozon që presidenti i Shteteve të Bashkuara të ketë mundësinë të shkarkojë edhe drejtuesit e bankës qendrore. Ndërkohë presidenti përgatit hyrjen e qeverisë amerikane në grupin e madh të çipave Intel, me një kuotë prej 10%. Në këtë rast motivimi është një konflikt i supozuar interesi i administratorit të deleguar Lip-By Tan: dyshimi (sërish pa prova) është se drejtuesi, i lindur në Malajzi, i rritur në Singapor dhe rezident në Amerikë prej dyzet vitesh, punon fshehtas për interesat e Kinës.

Shantazhet ndaj aleatëve

Lista e ndërhyrjeve të Trump, të frymëzuara nga një vizion autoritar dhe i centralizuar i qeverisjes ekonomike, mund të vazhdojë pafundësisht. Sekretari i tij i Thesarit, Scott Bessent, thekson për shembull se marrëveshja tregtare me Japoninë do ta detyronte Tokion të siguronte një “fond sovran” prej 550 miliardë dollarësh dhe administrata amerikane do të mund ta shpenzonte sipas dëshirës në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, një gjobë ndaj një aleati në këmbim të aksesit në treg, me tarifa 15%. Sipas Bessent, kjo “marrëveshje”, ashtu si edhe licencat e paguara të eksportit për Nvidia, do të ishin “modele” për vendime të tjera të ngjashme në të ardhmen.

Çfarë mund të ndodhë me shkarkimin e Cook

Dhe tani sulmi ndaj Fed për postin e guvernatores Cook. Edhe ky duket si një shtrembërim i ligjit të vitit 1951 mbi pavarësinë e bankës qendrore amerikane. Ligji parashikon që një drejtues i Fed (ose i agjencive të tjera të pavarura) mund të shkarkohet nga presidenti “me shkak” nëse vërtetohen sjellje të paligjshme. Në rastin e Cook nuk ekziston asnjë hetim nga prokurorët, e vetmja akuzë (edhe këtu, pa prova apo indicie) vjen nga drejtori i Federal Housing Financial Agency, Bill Pulte, një tjetër besnik i Trump-it, i emëruar prej tij. Pulte pretendon se Lisa Cook ka firmosur deklarata të rreme kur ka marrë një kredi hipotekore disa vite më parë. Çështja do të përfundojë me gjasë në gjykatë, deri në Gjykatën e Lartë (një tjetër institucion ku dominon një shumicë e emëruar nga Trump ose e afërt me të).

Strukturat brenda Rezervës Federale

Kjo betejë mund të ndryshojë radikalisht ekuilibrat e brendshëm të Rezervës Federale nëse Trump do të arrinte ta zëvendësonte Cook me një figurë të kontrollueshme prej tij. Bordi i Guvernatorëve përbëhet nga shtatë anëtarë, dy prej të cilëve tashmë të emëruar nga Trump dhe të afërt me të (Michelle Boëman dhe Stephen Miran) dhe një tjetër (Christopher Ëaller) që ndjek preferencat e Trump sepse shpreson të emërohet prej tij president i bankës qendrore pas tetë muajsh. Nëse në vend të Cook do të vinte një tjetër bankier qendror pro-Trump, në Bordin e Guvernatorëve do të formohej një shumicë e gatshme të ndiqte udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë. Presidenti i Rezervës Federale, Jay Poëell, shpesh objekt i fyerjeve të Trump-it (“një gomar kokëfortë”), do të përfundonte në minorancë brenda institucionit që drejton.

Emërimet e shkurtit

Çfarë mund të ndryshojë në atë pikë? Së pari, Bordi i Guvernatorëve vendos mbi politikat monetare, për të cilat votohet në Federal Open Markets Committee. Por mbi të gjitha, në shkurtin e ardhshëm Bordi i Guvernatorëve do të vendosë për emërimin e presidentëve të të 12 degëve rajonale (San Francisko, Kansas City, St. Louis e të tjera). Në thelb, Trump ka një mundësi të artë për të blinduar për të paktën pesë vjet kontrollin e kreut të bankës qendrore më të rëndësishme në botë. Kjo do të ishte fundi i pavarësisë së saj nga pushteti politik. Trump do të kishte në dorë mjete të fuqishme për të ndikuar mbi dollarin, normat e interesit dhe Ëall Street-in.

Qëllimi i vërtetë i presidentit

Po cili është qëllimi i manjatit? Trump ka këmbëngulur gjithmonë se Rezerva Federale duhet të ulë normat e interesit, edhe pse dëbimi masiv i mbi një milion punëtorëve të huaj dhe rritja e tarifave doganore po rrisin inflacionin (pa përfshirë ushqimet dhe energjinë, në korrik kostoja e jetesës bazë është rritur tashmë nga 2,9% në 3,1%).

Në veçanti, kontrolli mbi Rezervën Federale mund t’i shërbejë Shtëpisë së Bardhë për të tentuar të kontrollojë dhe administrojë borxhin publik. Sot Shtetet e Bashkuara (pas Izraelit dhe Suedisë) kanë pjesën më të lartë mes 38 vendeve të OECD-së, rreth 25% të totalit, të borxhit të emetuar afatshkurtër për të reduktuar barrën totale të interesave. Kjo e detyron Thesarin amerikan, edhe për shkak të deficitit në rritje, të emetojë çdo vit tituj në treg në masën e 30% të prodhimit kombëtar bruto: rreth 10 mijë miliardë dollarë obligacione të reja që duhet të gjejnë blerës në 2025, 2026 e më tej. Administrata nuk fsheh frikën nga tensionet në tregun e borxhit. Por gozhdimi i bankës qendrore për të emetuar borxh me kosto të ulët, ose për ta blerë atë duke krijuar para, është një teknikë e praktikuar ndoshta nga Italia e viteve ’70 dhe disa autokraci në zhvillim sot. Jo nga një vend i madh i avancuar i shekullit XXI. Në Amerikë, për momentin, tregu në thelb nuk rebelon dhe e lejon. Deri kur mund të mos e lejojë më./Corriere Della Sera

❌
❌