Kur na ndajnë edhe dy javë nga nisja e vitit të ri shkollor, ka nisur sot në të gjithë vendin shpërndarja e librave shkollorë falas. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama, sipas të cilit 236 mijë nxënës do të përfitojnë libra falas. Kreu i qeverisë thekson se kjo është mbështetje e përvitshme e Qeverisë për fëmijët dhe familjet e tyre në prag të vitit të ri shkollor.
“Mirëmëngjes dhe me nisjen sot të shpërndarjes së librave shkollorë falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin, një mbështetje e përvitshme e Qeverisë për fëmijët dhe familjet e tyre në prag të vitit të ri shkollor, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama, përcjell A2 CNN.
Shpërndarja e librave do të vazhdojë sipas një grafiku të caktuar në koordinim me mësuesit dhe prindërit, duke siguruar që të gjithë nxënësit të marrin tekstet e tyre në kohë.
Kujtojmë se mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në vend, qofshin këto publike apo private, do të nisë zyrtarisht në datën 8 shtator. Për secilin cikël të arsimit parauniversitar është detajuar struktura e plotë e vitit të ri shkollor, me periudhat në të cilat do të zhvillohet mësim, periudhat e pushimeve, si dhe afatet kur do të zhvillohen provimet kombëtare.
Sa i takon arsimit bazë, bëhet e ditur së viti shkollor do të nisë në datën 8 shtator të vitit 2025, për të përfunduar më 12 qershor të vitit të ardhshëm. Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të kenë dy periudha pushimesh. Periudha e parë e pushimeve do të jetë në fundvit, ndërsa përudha e dytë do të jetë në javën e parë të muajit prill.
Charles Kushner, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Francë, ka thyer heshtjen që nga mbërritja e tij në Paris në fillim të korrikut. E para e tij nismë publike ka potencialin të tensionojë marrëdhëniet mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Në një letër të datës 25 gusht, e publikuar nga mediat më 24 gusht, Kushner, paralajmëron Macron për rritjen shqetësuese të antisemitizmit në Francë.
“Shkruaj me shqetësim të thellë për rritjen dramatike të antisemitizmit dhe mungesën e veprimeve të mjaftueshme nga qeveria juaj,” thekson Kushner.
Letra vjen pak ditë pas një paralajmërimi të ngjashëm nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kritikoi planet e Francës për të njohur Shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Netanyahu tha se mbështetja për Palestinën “frymëzon urrejtjen ndaj hebrenjve dhe fuqizon Hamasin”.
Kushner është në të njëjtin mendim me Netanyahu-n. Ai thekson se deklaratat publike kundër Izraelit dhe hapja për njohjen e shtetit palestinez “inspirojnë ekstremistët, ushqejnë dhunën dhe rrezikojnë jetën e hebrenjve në Francë”. Ambasadori amerikan nënvizon se “Presidenti Trump dhe ai kanë fëmijë hebrenj dhe nipër hebrenj. E di se si ndihet për antisemitizmin, ashtu si të gjithë amerikanët.”
Kushner, i jep sugjerime të qarta Presidentit Macron: zbatimi i ligjeve kundër urrejtjes, siguria e shkollave, sinagogave dhe bizneseve hebreje, ndëshkimi i sulmuesve dhe heqja e çdo hapësire që i jep legjitimitet Hamasit!
Kjo lëvizje, dhe tonet e letrës, reflektojnë qëndrimin e administratës Trump kundër planeve franceze për njohjen e Shtetit të Palestinës, në një kohë kur diplomacia franceze synon të marrë mbështetjen edhe të vendeve si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia.
Detaje të reja për vrasjen makabër në Volos të Greqisë, ndodhur paraditen e 22 gushtit.
Siç shkruan Protothema, motra e 36 vjeçares shqiptare që u vra nga bashkëshorti i saj ka folur për dhunën që viktima përjetonte në mënyrë të vazhdueshme. Ajo ka rrëfyer se 40 vjeçari e kishte përdhunuar për ta lënë shtatzënë, një mënyrë kjo për ta pasur nën kontroll.
“Shkonte dhe bënte abort shpesh, po ai e kërcënonte. I thoshte nëse më lë, do të të bëj akoma më keq…”, ka treguar motra e viktimës.
Sipas saj, çifti janë njohur që në moshë të re, por sjellja e burrit ka ndryshuar drastikisht pas lindjes së fëmijëve.
“Kur bënë fëmijët, ai ndryshoi. E rrihte”, ka thënë motra e 36 vjeçares për mediat greke.
Momenti i arrestimit të 40 vjeçarit shqiptar
Mësohet se familja e së ndjerës kishte dijeni për dhunën, por nuk e denoncoi kurrë te autoritetet.
“Shumë vite nuk folëm dhe ky është faji ynë. I thosha motrës të ndahej, por ajo kishte frikë. Bëra çfarë munda për ta ndihmuar, edhe me para, por ajo nuk mund të përballonte situatën”, është shprehur e motra, duke shtuar se 36 vjeçarja e ka përjetuar shpesh dhunën në sy të fëmijëve.
Mediat greke raportojnë se 40 vjeçari ka dhënë një deklaratë të detajuar para autoriteteve pas arrestimit të tij. Sipas thenewspaper.gr, i akuzuari, i ka treguar policisë veprimet e tij vetëm pak orë pas arrestimit.
“Ajo më bërtiste se e kisha tradhtuar, atëherë e humba fillin dhe fillova ta ndjek. Pas vrasjes, endesha rrugëve. Sa herë shihja një patrullë, fshihesha. Natën e kalova në një parking të vjetër, pa ushqim, vetëm me pak ujë që gjeta në një shishe“, ka rrëfyer ai.
Sipas hetuesve, 40-vjeçari kishte xhelozi patologjike ndaj gruas së tij, duke e përshkruar si një person “mizor dhe të pamëshirshëm”, ndërsa nuk janë gjetur shenja të çrregullimit psikologjik.
Më shumë se 10 mijë njerëz morën pjesë në një demonstratë pro-palestineze në Kopenhagen, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe duke i kërkuar Danimarkës të njohë shtetin e Palestinës.
Rreth 100 organizata, përfshirë Oxfam, Greenpeace dhe Amnesty International, morën pjesë në marshim, së bashku me sindikata, parti politike, kolektiva arti dhe aktivistë, përfshirë Greta Thunberg.
Midis protestuesve ishin shumë familje me fëmijë të vegjël, flamuj dhe banderola me mbishkrimet “Ndaloni shitjen e armëve”, “Çlironi Palestinën” dhe “Danimarka i thotë jo gjenocidit”.
Një mbështetëse tradicionale e Izraelit, Danimarka ka thënë se synon të përdorë presidencën e saj aktuale të Bashkimit Evropian për të rritur presionin mbi qeverinë izraelite për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Megjithatë, Danimarka ka deklaruar se nuk ka ndërmend të njohë një shtet palestinez në të ardhmen e afërt.
“Ata që janë në pushtet nuk po e ndalojnë gjenocidin, kështu që është edhe më e rëndësishme të dalim dhe të protestojmë dhe t’u tregojmë të gjithë udhëheqësve se nuk jemi dakord”, tha një protestues për AFP-në.
Po kështu dhjetëra mijëra australianë janë mbledhur në më shumë se 40 qytete anembanë Australisë për të protestuar kundër luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza dhe për të bërë thirrje për sanksione ndaj Tel Avivit.
Organizatorët nga Grupi i Veprimit për Palestinën thanë se demonstratat kishin për qëllim të ushtronin presion mbi qeverinë federale për të sanksionuar Izraelin dhe për të vendosur një embargo armësh.
Sipas tyre pjesëmarrja në protesta ishte në rreth 40,000 njerëz në Sydney, 50,000 ose 60,000 në Melbourne, 10,000 në Hobart, mijëra në Perth dhe rreth 50,000 në Brisbane, dhe gjetkë”.
Senatorja e të Gjelbërve, Larissa Ëaters, tha se qeveria “do ta ndiejë presionin” dhe duartrokiti pjesëmarrjen e lartë, duke bërë thirrje për sanksione kundër Izraelit “ashtu siç bëmë me Rusinë”. “Ka kaq shumë njerëz këtu që bëjnë thirrje për paqe, bëjnë thirrje për sanksione kundër Izraelit ashtu siç bëmë me Rusinë dhe bëjnë thirrje për t’i dhënë fund tregtisë dypalëshe të armëve”, tha ajo në tubimin e Brisbane.
“Australianët janë të tmerruar që po i shesim pjesë armësh qeverisë izraelite. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ajo.
Partizani nisi me fitore sezonin e ri te Kategorisë Superiore duke mundur debutuesit e Vorës me rezultatin minimal 1-0. Të kuqtë zhvilluan një ndeshje në sulm që nga minuta e parë, dhe përfituan nga një autogol i shpejtë i Repajt, i cili vendosi ritmin e takimit dhe i dha avantazhin ekipit mikpritës.
Megjithatë, Vora nuk u tërhoq dhe reagoi me disa sulme të rrezikshme, ku Kasalla dhe Luis Felipe patën mundësi për të barazuar, por nuk arritën të konkretizonin rastet. Pjesa e parë dhe e dytë u karakterizuan nga ndërhyrje të forta dhe disa kartonë të verdhë, duke bërë ndeshjen më të tensionuar, shkruan A2 CNN.
Incidenti më i diskutueshëm erdhi në minutat e fundit, kur gjyqtarja Emanuela Rusta tregoi dy herë kartonin e verdhë për lojtarin Shanaj, por harroi ta nxirrte nga fusha me të kuq.
Të shtunën u luajtën takimet Bylis-Tirana 0-0 dhe Elbasani-Flamurtari 1-0. Ndërsa të premten, kampionët në fuqi të Egnatias, u mundën nga Vllaznia 2-0 në Shkodër.
Ndeshja e fundit e javës së parë, Teuta-Dinamo, është programuar për t’u zhvilluar më 5 shtator, për shkak të impenjimit të bluve në Conference League.
Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Çukë të Sarandës, ku një vajzë e mitur, vetëm 15 vjeçe, është gjetur e vetëvarur në banesën e të afërmve të saj.
E mitura kishte ardhur nga Tirana për pushime pranë familjarëve.
Trupi i saj është transportuar në morgun e Sarandës.
Policia ka nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.
Ditën e sotme (25 gusht) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.
Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin ndërsa nga orët e mesditës deri ato të pasdites alternime vranësirash kalimtare të pakta deri mesatare në relievet malore në lindje. Sipas SHMU-së, vranësirat në këto relieve do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe të dobëta ndërsa në relievet e larta malore në formën e shtrëngatave afatshkurtra. Pas orëve të pasdites mot përsëri i kthjellët në të gjithë territorin.
Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi 12 m/s. Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-2 ballë.
Dy jetë të reja u shuan në një aksident fatal mbrëmjen e djeshme, ndërsa një tjetër vajzë mbeti e plagosur.
Ky është bilanci i rëndë i një aksidenti që iu mori jetën dy motrave nga fshati Kopaçëz i Delvinës mbrëmjen e të dielës.
Ela Dhimaku 22 vjeçe ishte drejtuesja e mjetit tip Lancia që u përplas me një automjet tip ‘Audi’ të drejtuar nga 23-vjeçari Kevi Norra, ndërsa motra e saj Rezi Dhimaku 20 vjeçe ishte pasagjere.
Në mjet bashkë me dy motrat që morën plagë fatale nga përplasja udhëtonte edhe një vajzë tjetër, Antonela Zhupa 24 vjeçe rezulton e plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt Tiranës.
Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 20:15 të mbrëmjes në vendin e quajtur “Pularia”. Në vendin e aksidentit shkuan forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për nxjerrjen e trupave dhe për ndihmën e të plagosurit. Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në aksin rrugor Sarandë–Delvinë, në vendin e quajtur “Pularia”, ku për pasojë kanë humbur jetën dy vajza të reja nga fshati Kopaçezë, njësia administrative Delvinë. Ngjarja e rëndë ka tronditur zonën, ndërsa viktimat janë identifikuar nga autoritetet, por emrat nuk janë bërë ende publikë.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se një person tjetër ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës, ku ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Në vendin e aksidentit kanë mbërritur forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikësja, të cilat kanë ndërhyrë për nxjerrjen e trupave dhe për ndihmën e të plagosurit.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Paraprakisht dyshohet se mjeti ka dalë nga rruga për shkaqe që janë ende në hetim.
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe me shkurre në fshatin Zharrëz të Fierit, duke vënë në rrezik serioz një nga puset e naftës që ndodhen në këtë zonë, shkruan A2 CNN. Flakët, të përhapura me shpejtësi nga era e fortë, kanë shkaktuar panik te banorët, pasi afërsia me pusin e naftës paraqiste rrezik të madh.
Menjëherë pas sinjalizimit, dy mjete zjarrfikëse të Albpetrolit kanë ndërhyrë duke arritur të izolojnë vatrën e zjarrit dhe të parandalojnë përhapjen e tij në territorin përreth. Për shkak të natyrës së rrezikshme të zonës, operacioni ka qenë mjaft delikat.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë, të cilat po kryejnë hetime për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Ende nuk ka të dhëna nëse bëhet fjalë për një incident aksidental apo për zjarrvënie të qëllimshme. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale të tjera përveç sipërfaqes së djegur me shkurre.
Zelenski falënderon Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shpreh mirënjohjen e tij ndaj Shqipërisë dhe Presidentit Bajram Begaj, për urimet e ngrohta në 34-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës.
“Faleminderit sinqerisht Presidentit Bajram Begaj, për fjalët e tij të ngrohta në këtë ditë të veçantë,” shkruan Zelensky në rrjetin social “X”.
Ai shton se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm i Ukrainës, si në skenën ndërkombëtare, ashtu edhe në marrëdhëniet bilaterale, dhe shprehu shpresën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ky mesazh vjen në një moment kur miqësia dhe mbështetja ndërkombëtare janë më të rëndësishme se kurrë për Ukrainën, ndërsa vendi vazhdon të përballet me agresionin rus.
Largimi i Genc Deromemajt nga radhët e Partisë Demokratike dhe emërimi i tij në krye të Kadastrës së Vlorës bëri jo pak bujë.
Ish-kreu u degës së PD-së në Vlorë dhe pjesë e subjektit opozitar që prej vitit 2002, braktisi partinë e tij për postin drejtues në Kadastër, që iu besua pak javë më parë.
Por, një hulumtim i Top Channel zbulon se rrjedhjet nga Partia Demokratike e Vlorës janë të shumta. Figura të larta të PD-së, me kontribut të gjatë në parti, tashmë kanë ikur.
Zamira Sinaj, anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe ish-drejtoreshë e Spitalit Psikiatrik të Vlorës gjatë kohës kur ky subjekt ishte në pushtet, tashmë është bërë pjesë e Partisë Socialiste, duke u zgjedhur edhe deputete në parlamentin e ardhshëm. Për më tepër Sinaj më 11 Maj ishte në listën e sigurt të PS-së.
Edhe shumë emra të tjerë, që kanë qenë anëtarë të Partisë Demokratike, sot janë bërë pjesë e administratës publike, të drejtuar nga socialistët. Nënkryetarja e Bashkisë së Vlorës, Klea Lalo, vjen nga radhët e demokratëve, ashtu si edhe tre këshilltarët e kryebashkiakut socialist, Ermal Dredha: Sokol Kuçi, Erdet Mandi dhe Saimir Haxhiu. Po ashtu, Spitali i Vlorës drejtohet nga një ish-demokrate, Julinda Çuni, ndërsa Tatimet nga Bled Taushani, dikur pjesë e strukturave të PD-së.
Për kreun e Partisë Demokratike në Vlorë, Hysni Sharra, emërimi i demokratëve në poste drejtuese ka qenë zgjedhje e vetë atyre.
Rrjedhjet nga Partia Demokratike u komentuan dhe nga ish-kreu i degës së Vlorës, kandidat në listat e mbyllura më 11 Maj, por që nuk mundi të fitonte mandat, Atird Hoxha, i cili i sheh ikjet si plan të Ramës për të dobësuar PD-në.
Vlora njihet si një bastion i majtë, që në çdo cikël zgjedhor ja ka besuar qeverisjen Partisë Socialiste.
Një sherr ka ndodhur në Itali, mes anëtarëve të dy familjeve me origjinë shqiptare, të cilët janë përleshur fizikisht dhe si pasojë gjashtë burra janë ndaluar nga policia.
Sipas mediave italiane, përleshja dyshohet se ka ndodhur në qendër të Cassano delle Murge, në provincën e Barit, pas një konflikti për motive të dobëta.
Pesë nga të dyshuarit, të moshës midis 27 dhe 66 vjeç, kanë përfunduar në spital.
Tre prej tyre pësuan lëndime më të rënda, ndërsa dy të tjerë më të lehta. Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të gjashtë personat e përfshirë në konflikt.
Valës së fundit të të nxehtit në Spanjë i ka ardhur fundi, por pasojat që ka lënë pas janë të zymta.
Midis 3 dhe 18 gushtit, temperaturat ekstreme dyshohet se kanë shkaktuar 1,149 viktima, sipas Instituto de Salud Carlos III. Shifrat vijnë nga një sistem monitorimi që gjurmon “vdekjet shtesë” duke i krahasuar numrat e përditshëm me ato që normalisht pritet të ndodhin. Në korrik, sistemi kishte regjistruar 1,060 vdekje të tjera të lidhura me të nxehtin, 50% më shumë se një vit më parë.
Këto shifra nxjerrin në pah një të vërtetë në rritje: vera spanjolle nuk është më thjesht e padurueshme, por vdekjeprurëse.
Edhe pse temperaturat kanë rënë, zjarret e nisura gjatë valës së të nxehtit vazhdojnë të përhapen. Galicia, Castilla y León dhe Extremadura mbeten të goditura rëndë, me vatra të cilat vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit.
Vetëm në dy javë janë djegur mbi 100 mijë hektarë tokë, përfshirë 30 mijë hektarë në një ditë të vetme. Këtë vit, Spanja ka humbur 373 mijë hektarë tokë nga flakët. Kjo e bën 2025-ën sezonin më të zi të zjarreve në historinë e vendit, duke kaluar shkatërrimin e vitit 2022 dhe duke iu afruar rekordit absolut të Portugalisë në 2017-ën.
Telenovela verore për një karrige në Kuvend që dhuruan Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, të hënën e 25 gushtit do të prodhojë një seri të re me protagonist Kolegjin Zgjedhor që pritet ti japë fund gjithë sagës së ankimimeve për procesin e 11 majit.
Në gjykatën zgjedhore Adriatik Lapaj do kërkojë që mandati i vetëm të transferohet nga e para e listës së mbyllur te i pari në listën e hapur, të cilën e udhëheq vete, duke shpresuar në rrëzimin e vendimmarrjes së Komisionit te Ankimimeve dhe Sanksioneve, por një lëvizje e tillë duket mision i pamundur.
Pesë anëtarët e KAS në vendimin e tyre te 30 korrikut për t’ia kaluar mandatin Ana Dajkos, të parës së listës së mbyllur kanë analizuar edhe elementin e kuotës gjinore. Në argumentin e kësaj trupe edhe nëse bëhet transferimi i mandatit, në të gjitha rastet duhet të kalojë në dorën e një zonje, pasi Kodi Elektoral përcakton qarte se një grua nuk mund të zëvendësohet me një burrë, raporton Top Channel.
“Nëse kandidatja zgjedh të mos bëhet pjesë e Kuvendit, atëherë është Kuvendi që ka kompetencën të vejë në lëvizje KQZ-në, duke i kërkuar emrin e kandidatit zëvendësues, i cili, në zbatim të pikës 2, të nenit 164, të Kodit Zgjedhor duhet të vijë gjithashtu nga lista e mbyllur e subjektit dhe duhet t’i përkasë gjithashtu gjinisë së nën-përfaqësuar”, thuhet ne vendimin e KAS të zbardhur nga gazetarja e Top Channel Elda Menga.
Çështja e kuotës gjinore u reflektua në Kodin Zgjedhor si një mekanizëm që burrat të mos u zënë vendin grave, një element i ëndësishëm, të cilën Adriatik Lapaj duket se nuk e kishte menduar mirë. Në rast dorëheqjeje të Ana Dajkos, e para në listë, radha i shkon të dytës, Livia Stavri, partneres së Endri Shabanit, qëndrimet e të cilit ishin shkëndija që i dhanë jetë telenovelës verore.
Cilido që të jete vendimi i Kolegjit për mandatin e vetëm të “Shqipëria Bëhet”, nuk prek rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm i jep dritën jeshile certifikimit të rezultatit në mënyrë që, edhe de jure 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet të kenë mundësi të betohen në seancën e parë të legjislaturës së re parlamentare që nis më 10 shtator.
Në Kavajë “Sacro e Profano” është një nga agroturizmat më të rinj në zonë, një investim i kuzhinierit Xhovani Ziu, i cili pas shumë vitesh në Itali vendosi të rikthehet për të investuar në vendin e tij.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhivllimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjetet sociale një video nga agroturizmi “Sacro e Profano”.
Sipas ministres “kjo sipërmarrje agroturistike ndërthur traditën shqiptare me finesën italiane, duke ofruar një ambient të kuruar në çdo detaj dhe një kuzhinë të pasur me produkte të freskëta që vijnë drejtpërdrejt nga fermerët lokalë”.
Denaj nënvizoi se përmes bashkëpunimit me prodhuesit e zonës, “Sacro e Profano” bëhet pjesë e zinxhirit ushqimor Made in Albania, duke sjellë në tryezë shije autentike dhe duke i dhënë turizmit rural një eksperiencë gastronomike të pasuruar me mikpritje dhe pamje të mahnitshme nga të katër anët.
“Agroturizmin e kam jetuar në eksperiencën time në Itali. Ne këtu kemi përveç restorantit dhe akomodimin në zonë. Klientela jonë janë më shumë kryesisht të huaj, më shumë nordikët se turistë klasikë. Kjo na jep garanci që në të ardhmen mund të kemi një rritje të punës”, u shpreh Ziu.
Ministrja rikujtoi se “përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%, ndërsa për zonat malore mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve”./Marrë nga ATSH
Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Stefanchuk, në një postim në rrjetet sociale njofton se sot, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Presidenti Zelenksi ka dekoruar 14 kryeparlamentarë, deputetë, senatorë e kongresmenë të ShBA dhe vendeve europiane, mes tyre Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe bashkëpunimin me Parlamentin e këtij vendi.
Kryeparlamentares Spiropali iu akordua Çmimi i Lartë Shtetëror “Urdhëri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë”.
“Faleminderit secilit prej jush, miqtë tanë të dashur, anëtarë të familjes së madhe parlamentare, për çmimet e merituara që u janë dhënë nga Presidenti Zelenski, në emër të popullit ukrainas!”, shkruan kryeparlamentari ukrainas Ruslan Stefanchuk.
Pasditen e së dielës pranë shkëmbinjve të Gjipesë është shpëtuar një turist francez që rrezikonte të mbytej. Kanë qenë pushuesit që kanë lajmëruar policinë kufitare e cila e nisur nga Dhërmiu ka arritur të shpëtojë 38-vjeçarin nga Franca.
Turisti i identifikuar si Hassabou Elias, me shtetësi franceze, kishte pësuar probleme me shpinën dhe nuk mund të lëvizte pjesën e poshtme të trupit, duke mos qenë në gjendje të notonte.
Ai u shpëtua në kohë, u transportua drejt bregut dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në gjendje të mirë shëndetësore.
Vladimir Putin, arkitekti i luftës më të përgjakshme të shekullit XXI, nuk e sheh pushtimin e Ukrainës thjesht si politikë apo strategji. Ai e justifikon atë përmes një miti të lashtë, “Përralla e Viteve të Shkuara”, një kronikë mesjetare ku kryeplaku danez Rørek (i njohur si Rurik) paraqitet si themelues i një tradite të shenjtë që, sipas Putinit, legjitimon pretendimet e Rusisë mbi Kievin.
Por e vërteta historike është tjetër: Rørek nuk ka shkelur kurrë në Kiev, e aq më pak të ketë themeluar ndonjë shtet rus. Këto janë mashtrime mesjetare që shërbyen për të forcuar pushtetin e princave të asaj kohe, dhe që sot Putini i përdor për të justifikuar një luftë të përgjakshme.
Një mit që udhëton nga murgjit te Kremlini
Në vitin 862, sipas kronikës së murgjve të Kievit, sllavët i ftuan skandinavët që t’i sundonin. Historianët janë të qartë: ky ishte një trillim i huazuar nga sagat nordike, ku pushtimet justifikoheshin si “ftesa”.
Në fakt, Rørek ka sunduar në brigjet e Baltikut, por kurrë nuk ka qenë në Kiev. Vetëm një shekull më vonë skandinavët filluan të vendoseshin aty. Megjithatë, murgjit i dhanë Rørek-ut një jetë biblike, e bënë hero, e bënë “babain” e një dinastie imagjinare dhe ia sollën “trashëgimtarin” fshehurazi në Kiev.
Kjo ishte thjesht politikë e mitizuar: një mënyrë për të rritur prestigjin e sundimtarëve të Kievit.
Shekuj më vonë, Moska, e krijuar shumë më vonë se ngjarjet e shekullit IX, e përvetësoi mitin e Rurik-ut për të ndërtuar dinastinë e saj. Në 1721, Pjetri i Madh e përdori për të themeluar “Perandorinë Ruse” dhe për ta lidhur atë me një origjinë të lashtë skandinave.
Sot, Putini bën të njëjtën gjë, por në një shkallë më të rrezikshme: ai përdor mitin për të thënë se Moskës i takon Kievi, dhe se ukrainasit nuk ekzistojnë si komb më vete.
Hamlet, Putini dhe politika e mashtrimit
Historia e Rørek-ut nuk ndalet te kronikat e Kievit. Në një tjetër vepër mesjetare, Gesta Danorum, ai paraqitet si një viking pagan, gjysh i Amleth, personazhi që më vonë do të frymëzonte Shekspirin për Hamletin.
Kështu, Rørek qëndron në prapaskenën e një prej tragjedive më të mëdha të artit botëror. Por ai nuk është themelues i Rusisë, sado që Putini ta paraqesë si të tillë. Ky manipulim i së shkuarës është pikërisht ajo që filozofja Hannah Arendt do ta quante totalitarizëm: kur një regjim përdor mite për të justifikuar pushtimin dhe gjakderdhjen reale.
Ukraina, historia dhe e ardhmja
Ndërsa Putini e “ngrin” të shkuarën për ta përdorur si armë, Ukraina po rilind në një tjetër drejtim. Më shumë se një shekull më parë, mendimtarë si Mykhailo Hrushevsky dhe Ivan Franko i dhanë kombit një histori sociale dhe kulturore, jo mite dinastike. Sot, në mes të luftës, Ukraina po përjeton një ringjallje me botime të reja, histori globale, dhe një dialog të hapur me kulturat tjera.
Kjo e dallon thellësisht nga Rusia e Putinit, e cila vazhdon të jetojë me mitin e “Rusisë së përjetshme dhe të pastër”.
Aleanca e dy cinikëve
Takimi i Putinit me Donald Trump në Alaskë javën e kaluar e vërtetoi këtë tragjedi. Putini foli për “kombin vëllazëror” ukrainas, duke e lidhur me mitin e Rurik-ut. Trump, nga ana tjetër, u përqendrua te pakënaqësia e tij për faktin se njerëzit kujtojnë ende ndihmën ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Trump e mohoi gjithçka si një “mashtrim”, ndërsa Putini vetëm buzëqeshi. Në këtë simbiozë, Ukraina mbeti e padukshme: askush nuk përmendi qindra mijëra të vrarë e të plagosur.
Kur arti bëhet armë
Nga Rurik te Hamlet, nga murgjit mesjetarë te diktatorët modernë, arti dhe miti janë përdorur për të justifikuar pushtetin. Por kur politika kthehet në teatër mitesh, ajo sjell tragjedi reale: qytete të bombarduara, fëmijë të rrëmbyer, popuj të zhdukur nga historia.
Putini mund të besojë se po bën “të vërtetë” një legjendë të shekullit IX. Por në shekullin XXI, pasojat e këtij mashtrimi janë shumë konkrete: gjak, shkatërrim dhe humbje.
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka denoncuar këtë të diel një episod të shëmtuar të ndodhur në dëm të disa shtetasve të Kosovës, të cilët po përpiqeshin të futeshin në Ukrainë.
“Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Sot, Ukraina ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë, jo vetëm që i ka refuzuar, por i ka ofenduar dhe keqtrajtuar, madje duke i quajtur “terroristë”. Ky nuk është rasti i parë: para disa vitesh, e njëjta Ukrainë veproi në mënyrë skandaloze me ekipin tonë kombëtar të futbollit, të cilët u detyruan të udhëtonin në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen”, shkruan Pacolli në një status në Facebook, përcjell A2 CN.
Pacolli kërkon reagim nga autoritetet shtetërore për këtë sjellje nga pala ukrainase. “Ne këtu në Kosovë vazhdojmë të tregojmë solidaritet dhe dhimbje për ta, ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?”.