XHAKARTË -Wadenphul: Gjermania duhet të jetë mikpritëse ndaj punëtorëve të huaj
XHAKARTË, 21 gusht /ATSH – DPA/ – Gjermania duhet të jetë më mikpritëse ndaj punëtorëve të huaj, duke pasur parasysh mungesën e stafit të kualifikuar, tha sot ministri i Jashtëm Johann Wadephul gjatë një vizite në Indonezi.
“Ne nuk kemi nevojë vetëm për mënyra teknike për të sjellë njerëz në Gjermani, por gjithashtu duhet të tregojmë një kulturë mikpritëse për punëtorët e huaj të kualifikuar”, tha politikani konservator pas vizitës së tij në një universitet për profesionet shëndetësore në Jakarta.
Ai shtoi se për një shoqëri kaq të re sa ajo e Indonezisë, ku gjysma e popullsisë është nën 30 vjeç, punësimi jashtë vendit paraqet një mundësi të konsiderueshme.
Megjithatë, ai paralajmëroi se Gjermania përballet me konkurrencë nga destinacione të tjera tërheqëse, veçanërisht në fusha shumë të kërkuara.
“Dhe shumë nuk na preferojnë ne pjesërisht sepse gjuha gjermane nuk është nga më të lehtat”, vuri në dukje ai. “Prandaj, na takon neve të bëjmë kushtet sa më tërheqëse për punëtorët e ardhshëm të kualifikuar.”
“Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar nga jashtë, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, si dhe në IT dhe hotelieri”, tha Wadephul.
Ai theksoi rëndësinë e integrimit të mësimit të gjuhës në edukimin profesional, duke lavdëruar bashkëpunimin midis Goethe-Institut dhe ministrisë së Shëndetësisë së Indonezisë si një projekt model.
Wadephul gjithashtu vizitoi një kurs për gjuhên gjermane dhe diskutoi planet e karrierës me studentët, duke vëzhguar një ushtrim infermierije të kryer në gjermanisht.
Aktualisht, migracioni i punëtorëve të kualifikuar në Gjermani mbetet i ulët, me rreth 1 000 viza të lëshuara çdo vit. Berlini citon nivelet e ulëta të trajnimit, kërkesat për gjuhë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale si sfida./Ad.Ab./
The post XHAKARTË -Wadenphul: Gjermania duhet të jetë mikpritëse ndaj punëtorëve të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.