Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 August 2025Main stream

“Jemi një hap larg fundosjes”, protestë para zyrës së Netanyahut gjatë mbledhjes së kabinetit të sigurisë

By: A R
26 August 2025 at 20:53

Qindra protestues po marshojnë drejt zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jeruzalem, ku aktualisht është duke u mbajtur një mbledhje e kabinetit të sigurisë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat e huaja.

Në krye të protestës gjenden anëtarë të lëvizjes së të rinjve socialistë Hashomer Hatzair, të cilët mbajnë një pankartë me mbishkrimin: “Jemi një hap larg fundosjes së plotë”, duke shprehur shqetësimin se qeveria mund të dështojë në arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve.

Policia ka bllokuar njërën krah të rrugës për të lejuar zhvillimin e marshimit dhe po shoqëron protestuesit. “Para së gjithash, jeta e njeriut”, është një nga parullat kryesore që po brohorasin pjesëmarrësit, ndërsa akuzojnë kryeministrin Netanyahu dhe aleatët e tij se po i braktisin pengjet.

Protesta po zhvillohet në të njëjtën kohë kur kabineti i sigurisë po shqyrton dhe pritet të miratojë planin për fazat e ardhshme të operacionit ushtarak izraelit, i cili synon marrjen e plotë të kontrollit në qytetin e Gazës.

The post “Jemi një hap larg fundosjes”, protestë para zyrës së Netanyahut gjatë mbledhjes së kabinetit të sigurisë first appeared on JavaNews.al.

VIDEO / Pylli i Pishë-Poros në Vlorë prej dy ditësh në flakë, tymi mbulon zonën! Vështirësohet ndërhyrja

By: A R
26 August 2025 at 20:46

Zjarri në pyllin me pisha në fshatin Akërni, Vlorë, vazhdon të jetë aktiv prej ditës së hënë. Forcat zjarrfikëse dhe ato të Forcave të Armatosura (FA) janë mobilizuar që prej orës 05:00 të mëngjesit për të shuar flakët.

Një ditë më parë, situata u bë kritike për shkak të erës së fortë, që mundësoi përhapjen e flakëve në sipërfaqe të mëdha, ndërkohë që terreni i vështirë ka penguar ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.

Në vendngjarje janë dërguar katër helikopterë, dy të Forcave të Armatosura dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, njoftoi se zjarri në zonën e Pishë-Poro ka përfshirë një gjatësi prej 2-3 km dhe dyshohet se mund të ketë qenë i qëllimshëm.

Ditën e djeshme datë 25.08.2025, rreth orës 15:00, në fshatin Delisuf, njësia administrative Novoselë, bashkia Vlorë, është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe pyjore me pishë dhe bimësi të përzier. Zjarri i favorizuar nga intensiteti i erës ka marrë një shtrirje të madhe duke depërtuar në pyllin e Pishë-Poros. Me gjithë punën e bërë nga forcat në terren dhe ndërhyrja nga ajri nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, zjarri mbetet aktiv. Vatra e zjarrit gjatë natës ka zgjeruar perimetër në gjatësi dhe gjerësi. Sot në terren janë të angazhuara 3 automjete MZSH dhe 20 efektiv BMEC, 3 automjete dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ⁠3 automjete dhe 18 efektivë nga MZSH Vlorë, ⁠6 forca nga AdZM, 23 forca bashkiake, 10 forca policore. Sot operuan sërish 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe 2 helikopterët e Forcës Ajrore. Të gjitha forcat po punojnë për të penguar kalimin e vatrës së zjarrit në kanalin e hidrovorit.

The post VIDEO / Pylli i Pishë-Poros në Vlorë prej dy ditësh në flakë, tymi mbulon zonën! Vështirësohet ndërhyrja first appeared on JavaNews.al.

Disa plagosen, të tjerë humbin jetën! Çdo ditë përfshihen në aksidente rrugore mesatarisht 5 persona

By: A R
26 August 2025 at 20:39

Një pjesë plagosen e të tjerë humbin jetën… në rrugët e vendit përfshihen në aksidente rrugore mesatarisht 5 persona çdo ditë.  Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në gjysmën e parë të vitit ndodhën 636 aksidente rrugore me pasojë vdekjen apo dëmtimin e 883 vetëve.

Disa plagosen, të tjerë humbin jetën! Çdo ditë

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se pjesa dërrmuese e aksidenteve rrugore në harkun e muajve janar-qershor ndodhën për faj të drejtuesve të automjeteve. 88 aksidente u shkaktuan nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga kalimtarët.

Disa plagosen, të tjerë humbin jetën! Çdo ditë

Vitin e shkuar u shkaktuan gjithsej 2 mijë e 88 aksidente rrugore për shkak të së cilave 175 vetë humbën jetën. Në 2023-shin pati 1 mijë e 539 aksidente rrugore me 192 fatalitete.

Disa plagosen, të tjerë humbin jetën! Çdo ditë

Ajo që bie në sy në drejtim të shkaktarëve është fakti se aksidentet i shkaktojnë kryesit drejtuesit me më shumë eksperiencë të automjeteve. Ata me patentë mbi 9 vjet shkaktuan plotë 742 aksidente vjet nga 296 që shkaktuan ata me deri në 3 vjet eksperiencë.

Disa plagosen, të tjerë humbin jetën! Çdo ditë

Për shkak edhe të flukseve më të larta të qarkullimit të njerëzve dhe automjeteve, Tirana është qarku me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore ndjekur nga Lezha, Durrësi dhe Fieri. Berati dhe Dibra janë dy qarqet me numrin më të ulët të aksidenteve rrugore.

Disa plagosen, të tjerë humbin jetën! Çdo ditë

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se e shtuna është dita gjatë së cilës ndodhin më shumë aksidente gjatë shtatorit, ndjekur nga e hëna. E mërkura dhe e diela janë ditë gjatë së cilave ndodhin më pak aksidente.

The post Disa plagosen, të tjerë humbin jetën! Çdo ditë përfshihen në aksidente rrugore mesatarisht 5 persona first appeared on JavaNews.al.

Në vend po qarkullon viroza që prek stomakun, mjekët: Kujdes, se është infektive. Mos u vetëmjekoni!

By: A R
26 August 2025 at 20:31

Në vendin tonë po qarkullon një virozë e cila ka prekur rrugët e stomakut dhe zorrëve, duke sjellë tek shumë pacientë pështjellime që zgjasin 3–4 ditë.

Mjekët e familjes në qendrat shëndetësore thonë se gastroenteritet e vërejtura së fundi janë të shkaktuara nga viruset dhe kanë sjellë simptomatikë komplekse.

Ky është një gastroenterit sezonal, inflamacion i stomakut dhe i zorrëve. Në shumë raste, pacientët kanë diarre dy-tri herë në ditë, nauze, të vjella, dhimbje stomaku, krampe abdominale, dhimbje muskulare, anoreksi dhe herë-herë shoqërohet me temperatura subfebrile deri në 37,5 gradë. Fluksi më i shtuar i pacientëve ka qenë në moshat mbi 65 vjeç dhe fëmijët e vegjël,” thotë mjekja e familjes Barie Karasani.

Mjekët thonë se duhet bërë kujdes me pacientët e prekur, pasi në ditët e para ata janë shumë infektues për të tjerët në familje.

Personat me gastroenterit janë kontaminues kur i shprehin simptomat e tyre fillestare,” thekson mjekja e Qendrës Shëndetësore nr. 4.

Ndërkohë shumë pacientë zgjedhin të vetëmjekohen nëpër farmaci, duke sjellë zgjatje të problematikës shëndetësore.

Disa prej tyre përdorin dhe loperamid pa këshillën e mjekut, ndërkohë që loperamidi është i kundërindikuar, sepse i fsheh simptomat. U duket që qetësohen për dy-tri ditë, ndërkohë që sëmundja për tri-katër ditë shfaq simptoma të tjera, duke filluar nga temperatura, diarreja…” tregon Dr. Karasani.

Mjekët këshillojnë që krahas mjekimit të rekomanduar, pacientët mund të ndihmojnë veten edhe në kushte shtëpie.

Sa më shumë lëngje, supa të ndryshme, ushqime të lëngshme, lëngje pa gaz dhe në mënyrë të shpeshtë,” këshillon mjekja e familjes.

Problematika shëndetësore e konstatuar lidhet me stinën e verës, e cila shton ngarkesat virale dhe bakteriale tek çdo grupmoshë.

The post Në vend po qarkullon viroza që prek stomakun, mjekët: Kujdes, se është infektive. Mos u vetëmjekoni! first appeared on JavaNews.al.

Situata me zjarret, 16 nga 17 rajone në Spanjë shpallen zona katastrofike

By: A R
26 August 2025 at 20:23

Spanja po përballet me një nga katastrofat më të mëdha mjedisore të dekadave të fundit, teksa zjarret kanë shkatërruar mbi 350 mijë hektarë.

Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, njoftoi se qeveria ka shpallur 16 nga 17 rajonet e vendit si zona katastrofike, duke përfshirë rajonet më të goditura: Castilla y León, Extremadura dhe Galicia. Kjo masë do të mundësojë përdorimin e burimeve shtetërore për të ndihmuar të prekurit, përmes asistencës direkte, përjashtimeve fiskale dhe masave të tjera.

Është e qartë se kemi të bëjmë me një nga katastrofat më të mëdha mjedisore të viteve të fundit. Dëmet në infrastrukturë janë shumë të larta,” tha Grande-Marlaska gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Ai theksoi gjithashtu se qeveria ka aktivizuar të gjitha mjetet shtetërore të disponueshme dhe ka marrë ndihmë nga efektivë ndërkombëtarë për të përballuar situatën.

Partia Popullore ka akuzuar qeverinë se ka vepruar vonë për të dërguar ndihmë në rajonet e prekura. Lideri i PP, Alberto Núñez Feijóo, argumentoi se ka pasur mungesë planifikimi dhe parandalimi, duke propozuar një plan me 50 masa për të parandaluar katastrofa të tilla, përfshirë krijimin e një regjistri kombëtar për pirómanët.

Grande-Marlaska nënvizoi se piromanët janë përgjegjës vetëm për një pjesë të vogël të zjarreve.

The post Situata me zjarret, 16 nga 17 rajone në Spanjë shpallen zona katastrofike first appeared on JavaNews.al.

Kosova me krizë të re! Nuk ka kompromis për nënkryetarin e Kuvendit nga radhët serbe

By: A R
26 August 2025 at 20:06

Ligjvënësit kosovarë arritën të tejkalonin ngërçin kryesor drejt konstituimit të kuvendit, duke zgjedhur kryetarin e ri, por seanca ende nuk mund të quhet e përfunduar pasi nuk ka konsensus për 5 nënkryetarët.

Pas 57 përpjekjesh të dështuara, deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha u zgjodh kryetar i kuvendit duke marrë 73 vota, 30 kundër dhe 8 abstenim.

Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një pjese të pakicave. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe votuan kundër.

Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim.

Pas zgjedhjes së Bashës kryetar, kuvendi zgjodhi edhe 3 nënkryetarët nga partitë shqiptare; Albulena Haxhiun nga Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK.  Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.

Lista Serbe , si partia më e madhe e këtij komuniteti me 9 deputetë në kuvend, propozoi emrin e Sllavko Simic për postin e nënkryetarit, por ai dështoi të merrte votat 3 herë.

Kryetari i kuvendit mori më pas vendimin që zgjedhja e nënkryetarit serb të kalojë në formatin me short, mes kundërshtisë së listës serbe.

Pavarësisht refuzimit të kësaj partie që të marrë pjesë në hedhjen e shortit për të zgjedhur nënkryetarin serb, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka vazhduar procedurën, teksa secili deputet që doli nga shorti u votua për të siguruar 61 votat.

Teksa shpresa ishte që votat e nevojshme mund ti siguronte kreu i Partisë Serbe për Liri dhe Mbijetese, Nenad Rashiq, i cili ka qenë pjesë e qeverisë së kaluar të Kurtit, ai mori mbështetjen e vetëm 55 deputetëve.

Në këtë pikë, kryetari i kuvendit ndërpreu seancën në mungesë konsensusi,  për t’u mbledhur sërish të enjten në orën 11:00.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Muja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje e ka përshkruar si “gabim historik” mosvotimin e deputetit Nenad Rashiq si nënkryetar Kuvendi nga radhët e komunitetit serb.

The post Kosova me krizë të re! Nuk ka kompromis për nënkryetarin e Kuvendit nga radhët serbe first appeared on JavaNews.al.

“Qeveria e re me mercenarë nga PD”, demokrati: Opozita nuk duhet të hyjë në Kuvend, e pamoralshme

By: A R
26 August 2025 at 19:58

Demokrati Lisandër Hoxha kërkoi që demokratët të mos hyjnë në parlamentin e ri pasi kjo gjë do të ishte e pamoralshme dhe për qëndrimet që PD ka mbajtur se zgjedhjet ishin të vjedhura.

Ai shtoi se drejtuesit duhet të thërrasin popullin në rrugë pasi të gjitha mënyrat e tjera demokratike kundër kësaj qeverie janë ezauruar.

“E shikoj të pavend që të shkosh në këtë sesion parlamentar kur tjetri të vjedh zgjedhjet po ti thua po shkoj dhe po e luftoj aty. Për mua PD i ka ezauruar të gjitha rrugët e saj që prej 2013 dhe duhet të mbajë qëndrim koherent sa i përket mosnjohjes së parlamentit. Duhet bërë koherencë me qëndrime politike. Më 10 shtator, kur të hapet sesioni, PD nuk duhet të jetë dekor, por të thërrasë popullin në rrugë dhe të mos lejojnë Ramën të marrë mandatin e katërt”, tha Hoxha.

Më tej, ai shtoi se qeveria e re Rama 4 pritet të ketë emra mercenarësh nga PD.

“Rama këto ditë do të dalë dhe do të përpiqet të shesë një qeveri ylber përtej të majtës dhe të djathtës, ka gjetur ca mercenarë që gjoja kanë qenë me PD. Duhet të bëjmë çmos për një shtet normal, ky nuk është normal, ky shtet të shkel, nuk ka gjykata, nuk ka ushqime. Ka shumë njerëz që iu konvenon të bëjnë një hap majtas. Qytetarët duhet t’i përfaqësoj dikush. Dhe këtë duhet ta bëjë me vepra dhe jo deklarata”, tha Hoxha për Bruna Çifligun.

The post “Qeveria e re me mercenarë nga PD”, demokrati: Opozita nuk duhet të hyjë në Kuvend, e pamoralshme first appeared on JavaNews.al.

Sindikata kundër urdhrit të ministrit: “Rekrutimi në polici vetëm për nën-30-vjeçarët, antikushtetues”

By: A R
26 August 2025 at 19:50

Të gjithë aplikantët që synojnë konkurrimin për në Akademinë e Policisë për vitin e ardhshëm akademik, por që kanë mbushur moshën 30 vjeç, nuk do të kualifikohen, pasi tashmë ka hyrë në fuqi urdhri i ri i ministrit të Brendshëm.

Për Sindikatë e Punonjësve të Policisë së Shtetit, ky urdhër është antikushtetues dhe i paparashikuar në Ligjin e Policisë së Shtetit.

Ligji i Policisë së Shtetit nuk përcakton moshë. Për sa kohë ligji nuk ka vendosur moshë, do të thotë se ligji ka respektuar Kushtetutën, ka respektuar të drejtat e njeriut sipas Kushtetutës. Mund të vësh kufizime sa të duash, që janë kritere pranimi, por mosha është një kriter që nuk është kompetencën as të ministrit, as të kryeministrit, as të drejtorit, por është kompetencë e ligjit. Unë i bëj thirrje edhe Komisionerit për Diskriminim, sepse ky është diskriminim,” thekson Sadetin Fishta, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë.

Ai shkon edhe më tej, kur thotë se fenomeni i “plakjes” së radhëve të uniformave blu nuk mund të realizohet nga prurje që nuk qëndrojnë më shumë se pesë vite si pjesë e Policisë.

Këta që futen deri 30 vjeç, në moshën 25 vjeç punojnë pesë vjet e largohen, siç po largohen. Ligji që duhet të dalë për Policinë e Shtetit duhet të jetë i tillë për t’i dhënë Policisë një ligj për pension shërbimi. Më mirë ta kufizonte në ligj pensionin suplementar, për të cilin nuk del asnjë, kur mbush moshën 47 vjeç. Asnjë punonjës policie nuk del në pension suplementar. Prandaj është plakur Policia e Shtetit dhe vazhdon të plaket,” thekson z. Fishta.

Ky vit akademik në Akademinë e Policisë është viti i fundit ku kriteri i moshës nuk është marrë parasysh në konkursin që po mbahet në Akademinë e Sigurisë për vitin akademik vijues.

Në organizatën e Policisë së Shtetit numërohen rreth 12.300 efektivë, ndërsa numri i vendeve bosh është i lartë.

The post Sindikata kundër urdhrit të ministrit: “Rekrutimi në polici vetëm për nën-30-vjeçarët, antikushtetues” first appeared on JavaNews.al.

Skafi pësoi defekt në motor, Policia u vjen në ndihmë turistëve në Gjirin e Kakomesë

By: A R
26 August 2025 at 19:42

Policia Kufijtare i ka ardhur në ndihmë një grupi turistësh në Gjirin e Kakomesë, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defect në motorr.

Përmes një njoftimi, Kapiteneria e Portit Sarandë bëri të ditur se grupi i turistëve përbëhej nga shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Po ashtu, në njoftim, Kapiteneria e Portit Sarandë u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese që të kryejnë kontrollet e nevojshme përpara nisjes, për të siguruar lundrime të qeta e të sigurta.

Njoftim nga Kapiteneria e Portit Sarandë:

Sot, rreth orës 18:00, Kapiteneria e Portit Sarandë mori një kërkesë për ndihmë nga një grup turistësh shqiptarë dhe të huaj, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt në motor, në Gjirin e Kakomesë.

Menjëherë u nis mjeti lundrues i Kapitenerisë, i cili bëri rimorkimin e mjetit drejt Gjirit të Limionit, duke siguruar mbërritjen e tyre të sigurt.

U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese që të kryejnë kontrollet e nevojshme përpara nisjes, për të siguruar lundrime të qeta e të sigurta.

Kapiteneria mbetet në dispozicion për çdo kërkesë apo nevojë të qytetarëve dhe turistëve.

The post Skafi pësoi defekt në motor, Policia u vjen në ndihmë turistëve në Gjirin e Kakomesë first appeared on JavaNews.al.

Çelet kësti i pestë i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë, publikohet lista e përfituesve

By: A R
26 August 2025 at 16:02

Ministria e Financave ka nisur procedurën e pagesës së këstit të pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore, përfshirë trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë.

Përmes një komunikate për mediat bëhet me dije dhe lista e parë e dosjeve në radhë për përfitimin e këtij kësti, ku përfshihen emrat e përfituesve që plotësojnë kriteret ligjore dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Kjo nismë vjen në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Financave Nr. 12, datë 20.08.2025, si dhe ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

Procedura e pagesës zhvillohet edhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 419, datë 14.01.2011, që rregullon afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist.

Në bazë të dokumentacionit të depozituar pranë Drejtorisë përkatëse të Ministrisë së Financave, kontrollohet me kujdes çdo dosje individuale, ndërsa pagesat kryhen sipas rendit të përcaktuar dhe pas pagesave të mëparshme.

Ky është një tjetër hap konkret i qeverisë për të përmbushur angazhimet ligjore dhe historike për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë dhe familjeve të tyre. Për më shumë informacion dhe listën e plotë të përfituesve, Ministria e Financave ka vënë në dispozicion linket në njoftimin zyrtar.

The post Çelet kësti i pestë i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë, publikohet lista e përfituesve first appeared on JavaNews.al.

Parlamenti në pritje të KQZ-së dhe Presidentit, seanca e parë jo më vonë se 19 shtatori

By: A R
26 August 2025 at 15:52

Legjislatura e njëmbëdhjetë e Kuvendit të Shqipërisë nis punën brenda shtatorit pas dekretimit të datës nga Presidenti i Republikës, kur 140 deputetët e zgjedhur më 11 maj do të ulen në sallën e Kuvendit.

Seanca e parë është thjesht konstituive dhe drejtohet, sipas rregullores, nga deputeti më i vjetër në moshë. Edhe këtë herë radha i takon Sali Berishës, por në rast se do të refuzonte, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, drejtimin mund ta marrë Tritan Shehu ose socialisti Vasil Llajo.

Parlamenti i ri do të ngrejë një komision të përkohshëm për të verifikuar mandatet e deputetëve. Këta të fundit më pas do të bëjnë betimin para se Kuvendi të nisë funksionimin normal.

Socialistët kanë shumicën me 83 mandate. Sfida e tyre e parë është formimi i qeverisë së re.

Kryeministri Edi Rama pritet të paraqesë programin dhe ekipin qeveritar brenda 10 ditësh nga nisja e legjislaturës. Kabineti “Rama 4” do të kërkojë votëbesimin me të paktën 71 vota, përpara se të bëjë betimin te Presidenti i Republikës.

Demokratët dhe aleatët morën 50 mandate. Në të njëjtën kohë do të strukturohen edhe grupet parlamentare. Opozita pritet të krijojë tri grupe, ndërsa partitë e vogla ende nuk janë pozicionuar, duke lënë të hapur mundësinë për t’u bërë pjesë e forcave të mëdha, për të formuar një grup të ri apo për të vepruar të ndara.

Kështu do të ngrihet mozaiku i ri politik që do të përcaktojë ekuilibrat në Kuvend për katër vitet e ardhshme.

The post Parlamenti në pritje të KQZ-së dhe Presidentit, seanca e parë jo më vonë se 19 shtatori first appeared on JavaNews.al.

U vra nga i shoqi! Përcillet për në banesën e fundit 36-vjeçarja, vajza premton hakmarrje për nënën

By: A R
26 August 2025 at 15:45

Trupi i pajetë i Marjola Nakoleci ka mbërritur në Korçë ku ditën e sotme është kryer edhe ceremonia mortore.

Familjarët janë në gjendje të rëndë shoku dhe refuzojnë të kenë kontakte me median, për shkak të situatës së rënduar emocionale ndërsa vajza e madhe është shprehur se e ka mohuar kategorikisht babain e saj ndërsa ka vijuar se do të marrë hak për gjakun e nënës.

Nga ana tjetër, motrat e viktimës jashtë kamerave janë shprehur se para tre javëve Marjola Nakoleci ka shpëtuar nga vetvarja Pandeli Nakolecin, ndërsa ky i fundit, sipas tyre, e ka dhunuar sistematikisht pasi dyshonte per tradheti.

Ato shtojnë se Pandeli Nakoleci për të mos u ndarë here pas here kryente marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj me qëllim për ta lënë shtatzënë, ndërsa vetëm para një muaji gjinekologu i kishte vendosur mase parandaluese shtatzënie.

The post U vra nga i shoqi! Përcillet për në banesën e fundit 36-vjeçarja, vajza premton hakmarrje për nënën first appeared on JavaNews.al.

Berisha refuzon të hapë Parlamentin e ri: S’mund t’ia lejoj vetes, kurrë!

By: A R
26 August 2025 at 15:37

Pas pushimeve verore, politika shqiptare rikthehet me nisjen e legjislaturës së re në shtator.

Sali Berishës si ligjvënësi më i vjetër në moshë, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, sipas rregullores i takon ta drejtojë këtë seancë, por kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar prerë se do ta refuzojë këtë privilegj.

Në një dalje për mediat nga selia blu, Berisha tha se ai s’mund t’ia lejojë vetes që të çelë legjislaturën e një Parlamenti që sipas tij i takon partisë shtet.

“Një parlament jo legjitim, nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Nuk mund ti bëj vendit tim unë një antishërbim të tillë. Harroje. Po të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja, do ta kisha patur kënaqësi, por ky është një parlament jo legjitim. Nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sipas të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Është rekomandim i Këshillit të Europës që thotë; në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Kaq mjafton kjo frazë për të treguar se ky është parlamenti i partisë-shtet. E si mund ta hap unë atë? Si mund të ja lejoj vetes të ulem unë aty? Kurrë…”, u shpreh Berisha.

Më tej kryedemokrati tha se për këtë vendim të tijin nuk ka diskutuar me demokratët, ndërsa nuk e kurseu ironinë, duke thënë se pas tij dhe Tritan Shehut, ndoshta vjen kryeministri Rama në radhë si më i moshuari.

“Nuk kam biseduar me asnjë njeri, por unë shpreha mendimin tim. Nuk kam biseduar. Pas Tritanit vjen Edi Rama, apo kush vjen? …Thashë mos ishte Edi”, shtoi Berisha.

The post Berisha refuzon të hapë Parlamentin e ri: S’mund t’ia lejoj vetes, kurrë! first appeared on JavaNews.al.

Turistët ndihmojnë shqiptarët të pastrojnë plazhet, Rama: Shembull qytetarie

By: A R
26 August 2025 at 14:56

Në një nismë të veçantë që ndërthur turizmin me ndërgjegjësimin qytetar, turistë dhe qytetarë i janë bashkuar fushatës së pastrimit të plazheve.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë iniciativë si një model të sjelljes qytetare dhe të përkujdesjes për hapësirat publike.

“Turistë dhe qytetarë vullnetarë i janë bashkuar ekipeve të bashkive dhe operatorëve të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në nismën e pastrimit të plazheve, duke dhënë kështu shembullin model se si duhen trajtuar hapësirat publike, me qytetari, angazhim të përbashkët e stil të bukur jetese.”, shkruan Rama krahas fotove që tregojnë qytetarë të cilin mbledhin mbeturina në rrugë apo në bregdet.

The post Turistët ndihmojnë shqiptarët të pastrojnë plazhet, Rama: Shembull qytetarie first appeared on JavaNews.al.

Firmoset marrëveshja, pasuritë e konfiskuara do të kthehen në hapësira për fëmijët dhe komunitetin

By: A R
26 August 2025 at 14:47

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe UNICEF Shqipëri kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për transformimin e pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar në qendra sociale për fëmijët, të rinjtë dhe komunitetin.

Marrëveshja parashikon që AAPSK të vërë në dispozicion pasuritë e konfiskuara, ndërsa UNICEF do të ofrojë ekspertizën ndërkombëtare dhe mbështetjen teknike për t’i shndërruar ato në modele funksionale që promovojnë të drejtat e fëmijëve dhe zhvillimin social.

“Sot hedhim një hap të madh përpara në kthimin e pasurive të konfiskuara në vlerë të prekshme për fëmijët, të rinjtë dhe gjithë shoqërinë. Nëpërmjet këtij partneriteti me UNICEF Shqipëri, ne jo vetëm që i japim një destinacion të ri këtyre pasurive, por ndërtojmë hapësira ku fëmijët dhe të rinjtë ndihen të mbrojtur, të përfshirë dhe të fuqizuar”, theksoi KRYEADMINISTRATORJA e AAPSK, Risena Xhaja.

Edhe Përfaqësuesi i UNICEF Shqipëri, Murat Sahin, nënvizoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

“Transformimi i pasurive të konfiskuara në hapësira për fëmijët dhe komunitetin është një nga mënyrat më të forta për të kthyer drejtësinë sociale në realitet. UNICEF është i angazhuar të bashkëpunojë me AAPSK në këtë nismë, duke sjellë ekspertizën dhe përvojën ndërkombëtare për të krijuar mjedise që u japin fëmijëve mundësi të reja për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për t’u përfshirë në jetën shoqërore”, tha ai.

Ky bashkëpunim do të hapë rrugën për krijimin e qendrave komunitare, programe për fëmijë dhe të rinj, si dhe modele të qëndrueshme të ripërdorimit social, duke i kthyer pasuritë e përfituara nga krimi në aset për shoqërinë shqiptare.

The post Firmoset marrëveshja, pasuritë e konfiskuara do të kthehen në hapësira për fëmijët dhe komunitetin first appeared on JavaNews.al.

Zgjidhet misteri i Trekëndëshit të Bermudës?

By: A R
26 August 2025 at 14:30

Prej dekadash, Trekëndëshi i Bermudës ka qenë një nga misteret më të famshme të botës, duke u renditur përkrah teorive konspirative si ekzistenca e “bigfoot”, vdekja e Tupac apo zbarkimi i rremë në Hënë. Zona trekëndore që shtrihet mes Majamit, Porto Rikos dhe ishullit Bermuda është përmendur si vendi ku mbi 50 anije dhe rreth 20 avionë janë zhdukur në mënyrë misterioze gjatë shekujve, sipas Enciklopedisë Britannica. Madje edhe Kristofor Kolombi ka raportuar dukuri të çuditshme në këtë hapësirë gjatë udhëtimit të tij drejt “Botës së Re”.

Por sipas një shkencëtari britanik, zgjidhja e këtij misteri nuk ka lidhje me portale ndërdimensionale, krijesa detare gjigante apo vizitorë nga hapësira. Dr. Simon Boxall, oqeanograf në Universitetin e Southampton, beson se shkaku janë valët e egra.

Në një simulim, ekipi i tij rindërtoi rastin e anijes amerikane USS Cyclops, e cila u fundos në vitin 1918 në këtë zonë duke marrë me vete 309 jetë.

“Nëse stuhitë nga jugu dhe veriu bashkohen dhe mbi to shtohen ato që vijnë nga Florida, mund të krijohen formacione jashtëzakonisht të rrezikshme të valëve të egra”, shpjegoi ai për një dokumentar të Channel 5.

Këto valë, që mund të arrijnë mbi 30 metra lartësi, sipas tij, janë aq të fuqishme sa mund ta përkulnin një anije gjigante deri në “thyerje në dy pjesë”, duke e fundosur për vetëm pak minuta.

Megjithatë, jo të gjithë shkencëtarët pajtohen. Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) vlerëson se shumica e zhdukjeve mund të shpjegohen nga faktorë mjedisorë, si numri i madh i ishujve në Karaibe dhe zonat e cekëta, që shpesh përbëjnë rrezik për lundrimin.

The post Zgjidhet misteri i Trekëndëshit të Bermudës? first appeared on JavaNews.al.

“Nuk doja t’i vrisja”, qëlloi me kallash në Kombinat pas sherrit, gjykata lë në burg 28-vjeçarin

By: A R
26 August 2025 at 14:20

Gjykata e Tiranës ka vendosur të izolojë në paraburgim Oltion Asllanin (alias Vodollari). 28-vjeçari që qëlloi me një armë kallashnikov drejt një automjeti në lëvizje pasditen e së premtes në zonën e Kombinatit në kryeqytet do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë.

Në sallën e gjyqit, i riu ka pretenduar se nuk ka pasur qëllim vrasjen, por se në gjaknxehtësi ka dashur veç t’i trembte personat, që sipas tij, pak çaste më parë kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Në lidhje me armën kallashnikov ai ka treguar se e kishte blerë vite më parë për 15 mijë lekë dhe se e kishte mbajtur të fshehur pranë shtëpisë.

Masë sigurie “arrest në burg” për të njëjtën vepër penale u caktua edhe për Serxhio Bajzën, personin që ka shoqëruar me automjet 28-vjeçarin Asllani.

Në gjykatë Bajza ka pohuar, se shoku i tij i ka hipur në mjet bashkë me armën kallashnikov. Edhe pse i ka kërkuar të mos shkonte tek personat e tjerë, ai e ka shoqëruar me makinë drejt tyre duke u ndjerë i kërcënuar nga arma që mbante në dorë dhe gjendja e tij e tensionuar psikologjike.

The post “Nuk doja t’i vrisja”, qëlloi me kallash në Kombinat pas sherrit, gjykata lë në burg 28-vjeçarin first appeared on JavaNews.al.

VIDEO / Zjarr me përmasa të mëdha në Lezhë, flakët përfshijnë dhe një lokal dasmash

By: A R
26 August 2025 at 14:12

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të martë një magazinë dhe një lokal dasmash në Lezhë.

Gazetari Martin Marku raportoi direkt nga Lezha për “Klan News” se fillimisht zjarri kishte nisur nga një sipërfaqe me shkurre, mirëpo për shkak të erës ka përfshirë dhe një magazinë, e më pas edhe një lokal dasmash, i cili është në pronësi të këngëtarit të muzikës popullore Zef Beka.

“Fillimisht zjarri ka rënë në një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ferra, në zonën e Shënkollit, në afërsi të superstradës Lezhë-Laç. Është duke u djegur totalisht një magazinë e cila është në afërsi të një lokali dasmash, në pronësi të këngëtarit të njohur Zef Bega.”, tha Marku.

Fatmirësisht nuk ka të lënduar”, tha gazetari, i cili shpjegoi se disa punonjës kishin qenë brenda në magazinë në momentin kur kishin nisur flakët.

Forcat zjarrfikëse janë aktualisht në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Por për shkak se ka përmbajtje plastike situata bëhet më e vështirë.

The post VIDEO / Zjarr me përmasa të mëdha në Lezhë, flakët përfshijnë dhe një lokal dasmash first appeared on JavaNews.al.

Gushti shënon rekord aksidentesh në Fier, pasoja në jetë njerëzish

By: A R
26 August 2025 at 14:05

Muaji gusht ka shënuar një numër të lartë aksidentesh në qarkun e Fierit, me pasojë tre humbje jete dhe 9 të plagosur rëndë. Sipas shefit të sektorit të Policisë Rrugore pranë DVP Fier, Altin Dervishi, ndër shkaqet kryesore kanë qenë mosrespektimi i normave të shpejtësisë, parakalimi i gabuar, ndryshimi i menjëhershëm i korsisë, dhe ndërprerja e menjëhershme e rrugës jo vetëm nga automjetet, por edhe nga këmbësorët.

Po sipas Dervishit akset kryesore më problematike kanë qënë “ Pushimi i Shoferit”, “ Kryqëzimi i Savrës” aksi “Savër- Çermë,” “ Rreth-rrotullimi Savër- Ura e Kuçit, “ Kryqëzimi i Vajkanit”, “ Rrethrrotullimi i Parkut- Qëndër”, “ Qendër- QTU” , ku kontrollet kanë vijuar në mënyrë të pandërprerë me patrullë dhe shërbim të përforcuar. Gjithashtu shefi i qarkullimit ka pohuar se vetëm gjatë muajit gusht në qarkun e Fierit janë vendosur 6088 masa administrative, nga të cilat 4185 për shpejtësi, për parakalim të gabuar 416, për përdorim alkooli 22, pa rrip sigurimi 122, për kasë mbrojtëse 196, përdorim celulari 12, për parkim të gabuar 328 dhe 789 për shkelje të tjera.

Përdorimi i automjeteve nga adoleshentët mbetet një problematikë tjetër madhore ka thënë Dervishi teksa ka apeluar për më shumë kujdes nga ana e prindërve për të mos lejuar fëmijët në timon.

Edhe pse kjo periudhë shënon fundin e sezonit veror, trafiku në të gjithë qarkun e Fierit vijon të jetë tepër i rënduar, dhe përballë këtij fluksi të lartë automjetesh të shtuar krahasuar me vitet e mëparshme kemi marrë një sërë masash për monitorimin e shpejtësisë me radar dhe mjete inteligjente si në akset kryesore ashtu edhe në ato dytësore ka thënë Dervishi .

Dervishi ka apeluar gjithashtu për të gjithë përdoruesit e rrugës, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

The post Gushti shënon rekord aksidentesh në Fier, pasoja në jetë njerëzish first appeared on JavaNews.al.

Horoskopi ditor për nesër, e Mërkurë 27 Gusht 2025

By: A R
26 August 2025 at 13:56

Dashi
Ambient mjaft i ngrohte sot për ata qe janë ne një lidhje. Do ndiheni me afër se kurrë me partnerin tuaj dhe do kuptoheni edhe pa folur. Për beqaret klima do jete e kontrastuar kështu qe me mire te qëndrojnë edhe sot ashtu si janë. Dite me vone situata do ndryshoje. Ne planin financiar nuk do keni aspak vështirësi, megjithatë nuk duhet as te prisni qe te pasuroheni menjëherë.

Demi
Ne jetën tuaj ne çift është partneri qe si gjithmonë do beje komplimente dhe do mundohet te ruaje një klime sa me te ngrohte. Ju nga ana juaj mundohuni te paktën te shprehni ato qe ndjeni. Beqaret do kenë fat sot dhe do e gjejnë personin me te përshtatshëm. Ne planin financiar do jeni mjaft te organizuar dhe do e dini mire sa shpenzime te kryeni.

Binjaket
Çdo gjë do shkoje me se miri sot ne jetën tuaj ne çift. Nuk do keni asnjë debat apo mosmarrëveshje me personin qe keni ne krah. Beqaret nuk duhet te nxitohen për asgjë sepse gjerat me ngut asnjëherë nuk dalin për mire. Ne planin financiar duhet te bëni çmos qe ta ekuilibroni sa me shpejt situatën sepse po kaloi koha gjerat mund te ndërlikohen.

Gaforrja
Saturni do ndikojnë negativisht tek jeta e çifteve. Nuk do kaloni shume kohe me partnerin dhe here pas here do ndiheni te vetmuar. Për beqaret do ndodhin gjera te papritura sot dhe rrjedha e jetës do ndryshoje njëherë e përgjithmonë. Financat do përmirësohen si me magji fale një ndihme goxha te madhe qe do iu japin te afërmit.

Luani
Lidhja juaj do marre bekimin e yjeve gjate kësaj dite dhe gjithçka do shkoje për mrekulli me partnerin. Zënkat nuk do jete aspak pjese jetës suaj. Beqaret do kenë disa takime dhe do marrin propozime interesante. Shfrytëzojini sepse jo gjithmonë mund te ketë raste te tilla. financat fatmirësisht do mbeten ne një gjendje te qëndrueshme dhe jo problematike.

Virgjeresha
Çiftet qe kane pak kohe qe janë lidhur mund te kalojnë ndonjë krize te vështirë gjate kësaj dite. Mos u nxitoni te thoni fjalën e fundit qe ne fillim. Ata qe kane një lidhje afatgjate dhe te forte nuk do kenë probleme. Beqaret do kenë një dite normale dhe pa surpriza. Ne planin financiar do keni shume besim tek vetja dhe do e dini mire sa shpenzime te kryeni.

Peshorja
Te dashuruarit do kujdesen për çdo detaj gjate kësaj dite ne mënyrë qe jeta e tyre te jete sa me e bukur. Beqaret me shume gjase do bien ne dashuri me një person humoristik dhe mjaft te këndshëm. Gjithçka mund te ndryshoje për ta. Te ardhurat do kenë pakësime sepse do iu duhet me patjetër te kryeni disa shpenzime te domosdoshme.

Akrepi
Dite e mbushur me çaste te lumtura kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Do iu duket vetja sikur jeni ne ëndërr pranë atij qe doni. Beqaret do refuzojnë disa persona qe edhe pse ne dukje nuk duken interesante janë te veçante dhe mund t’i bëjnë te ndihen mire. Ky do jete një gabim. Financat do jene te mira. Është koha e duhur për te kryer investimet e menduara.

Shigjetari
Ne përgjithësi jeta ne çift do vije duke u përmirësuar sot, megjithatë mund te ketë edhe nga ata qe do i vazhdojnë debatet dhe mosmarrëveshjet. Beqaret do kenë veçse mundësi për aventura kalimtare dhe pa asnjë te ardhmen. Ne planin financiar do jeni shume te zotet dhe do arrini t’i menaxhoni si duhet te ardhurat. Edhe do shpenzoni dhe gjendja do mbetet e mire.

Bricjapi
Mos ëndërroni me shume sesa duhet sot ne jetën tuaj ne çift sepse realiteti mund te jete i hidhur dhe mund te zhgënjeheni tej mase. Beqaret do jene ambicioze dhe nuk do kënaqen me takimet qe do realizojnë. Ky do jete një gabim i rende. Financat do kenë përmirësime te vogla, por qe mund t’iu ndihmojnë te zgjidhni disa halle te hershme.

Ujori
Dite jo shume e mire kjo si për çiftet ashtu edhe për beqaret. Asgjë nuk do shkoje ashtu si ju e kishit menduar dhe nuk do përjetoni asnjë emocion pozitiv. Ata qe janë ende vetëm me mire te gjejnë një mënyrë për t’u argëtuar dhe për te mos e mbajtur mendjen tek krijimi i një lidhjeje. Nëse doni t’i stabilizoni financat duhet t’i dëgjoni këshillat e me te mëdhenjve.

Peshqit
Merkuri do e favorizoje mjaft sot jetën tuaj ne çift dhe pasioni do jete akoma me i zjarrte se me pare. Shfrytëzojeni ditën deri ne sekondën e fundit. Beqaret me ne fund do kenë edhe dashuri me shikim te pare. Gjithçka do jete edhe me e bukur për ta. Me financat gjerat do ecin si duhet. Nuk do ketë aspak vështirësi edhe për te kryer disa investime.

The post Horoskopi ditor për nesër, e Mërkurë 27 Gusht 2025 first appeared on JavaNews.al.

❌
❌