Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Main stream

‘Locked In’, koncerti me muzikë elektronike ndez atmosferën në Vlorë

By: Kult Plus
27 August 2025 at 19:34

Artdashësit vlonjatë, por edhe turistët e shumtë vendas e të huaj, shijuan mbrëmjen e djeshme rimet e muzikës elektronike.

Për rreth katër orë artistë ndërkombëtarë dhe shqiptarë ndezën atmosferën në Lungomare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga ky koncert.

“Kështu dukej Vlora mbrëmë me Locked In – mijëra të rinj, qytetarë dhe turistë përjetuan në Lungomare muzikën e mirë dhe energjinë pa fund”, shkruan Kumbaro.

Në koncert performuan emra të njohur si Burak Jeter, Kristian Marki, Stefi Deriko dhe Abelo Mania.

Ky koncert i organizuar nga bashkia e Vlorës kishte për synim gjallërimin e jetës artistike të qytetit bregdetar gjatë sezonit veror./atsh/ KultPlus.com

Me koncert solemn shënohet 115-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i Katedrales

By: Kult Plus
27 August 2025 at 19:10

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20- vjetorit të bekimit të gurëthemelit të Katedrales që mban emrin e saj është mbajtur një koncert solemn për të nderuar veprën e shenjtores së njohur në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet solemn i cili ka mbledhur personalitete të shumta nga arti, kultura, religjioni dhe politika është organizuar nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Qendrën për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK).

Pjesa e parë e mbrëmjes iu dedikua fjalimeve përshëndetëse, ligjëratës historike nga Don Shan Zefi për 20-vjetorin e gurthemelit të Katedrales dhe dokumentarit me pamje arkivore nga dita e bekimit të gurëthemelit.

Ndërsa, pjesa e dytë solli një program të pasur artistik me: Besiana Mehmedi (mezzosoprano), Mariana Leka (soprano), Gerald Murra (tenor), Bledar Domi (bas), Rudina Ciko (piano), kori “Të Mirët e Kombit” nën drejtimin e dirigjentit të njohur Zhani Ciko.

Një atmosferë e paharrueshme me tinguj që vallëzonin në hapësirën e madhe të këtij objekti të rëndësishëm religjioz u dha përmes veprave të njohura si: “Ave verum corpus”- “W.A. Mozart, “Ombra mai fu nga opera Xerxes”-G.F. Handel, “Pieta, Signore”- A. Stradella, “Panis Angelicus”- Cesar Franck, “Lamtumirë”- Lorenc Antoni, “Aria e Rozafës”- Imzot Mikel Koliqi, “Nënës së mirë”- Gjon Gjeveleka”, “Fanar”-S. Piraj, “Me gjak shqiptari”- Gj.Simoni, “La Vergine degli angeli nga La forza del destino”-G. Verdi, “Valsi i lumturisë”- A.Mula, “Happy Birthday”- Chopin, “Ti më je si një gonxhe”.

Ndërkaq, aktorja Safete Rogova e veshur me “sari”-n që e mbante veshur e madhja e popullit shqiptar, në një mënyrë shumë origjinale solli “Lutjet e Shën Nënë Terezës” duke bërë thirrje për paqe, mëshirë dhe dashuri. Aktori Xhevat Limani përmes performancës së tij solli në skenë figurën e “Skënderbeut”, duke sjellë porosi për mbrojtjen e atdheut dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Në këtë mbrëmje dedikuar misionares së shenjtë, me mirënjohje për kontributin e saj ndaj Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e vitit 1999 u nderua Stanë Pjetër Gashi- Nëna e UÇK-së, nga Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Në fjalimin e tij, Imzot Dodë Gjergji, përmes fjalëve të Shën Nënë Terezës ka bërë thirrje për të kontribuar për vendin.

“Nga viti 1997 kur ajo kaloi në amshim, ia shtrëngoi dorën e Zotit, dhe ka vazhduar të thotë të njëjtën fjalë, jam i bindur me fe, bën diçka për popullin tim. Dhe, me të vërtetë me Nënë Terezën qielli është afruar më afër popullit tonë, sikurse edhe populli jonë është afruar më afër qiellit, sepse një kishë e këtij vendi i dhuroi botës një nënë të bamirësisë, mirësisë, butësisë, vuajtjes, shërbimit dhe sakrificës. Ai nga qielli na dhuroi një shenjtëreshë, një shenjtëreshë e cila vazhdon të ndritë zemrat e të gjithë njerëzve” ka thënë Imzot Dodë Gjergji.

Kurse, artisti i njohur i skenës, dirigjenti Zhani Ciko ka thënë se e ka lumturuar pjesëmarrja në këtë përvjetor të rëndësishëm të figurës së Shën Nënë Terezës dhe të katedrales qe mban emrin e saj.

“Po nderojmë me modestinë tonë artistike dhe qytetare një figurë shumë të madhe. Unë jam i lumtur që kam në krah partnerë dhe kolegë të artit, një numër të shkëlqyer të tyre. Jam i lumtur dhe e quaj për nder që jam i ftuar sot të jap kontributin tim në këtë drejtim”, ka thënë dirigjenti Zhani Ciko.

Ndërkaq, udhëheqësja e mbrëmjes artistike dhe solistja Besiana Mehmedi ka thënë se programi për një figurë kaq domethënëse është realizuar në saje të një përkushtimi të veçantë.

“Koncerti solemn ‘Shën Nënë Tereza- Nëna e mbarë globit’ është bërë më një dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Faleminderit që keni mbushur këtë katedrale të kryeqytetit tonë plotë dhe na keni mbushur zemrat plot”, ka thënë ajo.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup. Me misionin e saj u shëndrrua në një nga personalitetet më me ndikim në botë, duke fituar edhe Çmimin Nobel për Paqe (1979). Shën Nënë Tereza u përkujdes për 960 mijë të sëmurë në mbarë botën në 213 qendra dhe është përkujdesur për 47 mijë viktima me lebrozë. Në vitin  2003 është shpallur e Lume nga Papa Gjon Pali II, ndërsa në vitin 2016 është shpallur Shenjtore nga Papa Françesku./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Mbështesim ndërtimin e urave të reja mbi Ibër, kërkojmë heqjen urgjente të masave ndaj Kosovës

By: Kult Plus
27 August 2025 at 19:10

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin René Troccaz, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet politike në vend, sigurinë rajonale dhe proceset integruese të Kosovës.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani ritheksoi orientimin strategjik të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin për Këshillin e Evropës, duke nënvizuar se reformat, sundimi i ligjit dhe përputhja me standardet evropiane mbeten prioritetet kryesore të institucioneve.

Një pjesë e diskutimit u përqendrua tek urat mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Presidentja u shpreh se mirëpret ndërtimin e një ure të re dhe hapjen e urës kryesore, duke i cilësuar ato si ura integrimi, bashkimi dhe lëvizjeje të lirë për qytetarët. Ajo theksoi se pengesat nuk janë vetë urat, por strukturat kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat kanë krijuar frikë e tensione për dekada me radhë.

Sa i përket masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Presidentja Osmani i quajti ato “të padrejta dhe të dëmshme”, pasi sipas saj, ndikojnë drejtpërdrejt në qytetarët, zhvillimin demokratik dhe kredibilitetin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Në përfundim të takimit, Presidentja riafirmoi se Kosova do të mbetet një partner i besueshëm në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal./KultPlus.com

Ferizaj mirëpret edicionin e 55-të të Festivalit të Teatrove

By: Kult Plus
27 August 2025 at 18:44

Nga 1 deri më 7 shtator, Ferizaj do të shndërrohet në kryeqendrën e teatrit shqiptar me edicionin e 55-të të Festivalit të Teatrove. Ky aktivitet tradicional mbledh çdo vit trupa dhe artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni, duke sjellë në skenë produksione të reja dhe interpretime që sfidojnë publikun e artdashës.

Pjesë e jurisë këtë vit do të jenë tre personalitete të spikatura të artit dhe kulturës: Zyrafete Shala, shkrimtare dhe kritike letrare me përvojë shumëvjeçare në fushën e analizës dhe botimeve, Simon Shkreli, aktor me karrierë të pasur në teatrot e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe Agon Myftari, regjisor i njohur për qasjen e tij avangarde dhe pjesëmarrjet në festivale prestigjioze ndërkombëtare.

Festivali i Teatrove në Ferizaj ka ndërtuar një traditë të fuqishme prej më shumë se gjysmë shekulli, duke u bërë një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë. Ky edicion pritet të sjellë shfaqje që trajtojnë tema të forta shoqërore, si dhe të ofrojë një hapësirë të gjallë diskutimi mbi të ardhmen e teatrit në hapësirat shqiptare.

Ferizaj, për shtatë netë me radhë, do të jetë shtëpia e artit skenik, duke e dëshmuar se ky festival mbetet një nga shtyllat e rëndësishme të kulturës kombëtare./KultPlus.com

“Radical Opimsm Tour”, Dua Lipa gati për të pushtuar skenat amerikane

By: Kult Plus
27 August 2025 at 18:20

Këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Dua Lipa, ka njoftuar se me turneun e saj Radical Optimism Tour do të prezantohet së shpejti edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, këngëtarja Lipa ka treguar se turneu i saj “Radical Optimism Tour” në Amerikën Veriore do të filloj në fund të muajit gusht dhe se do të zgjasë deri në mesin e muajit tetor.

“Amerikë… Po vij për ty!! Kush është gati për pop-ups të Radical Optimism”, ka qenë mbishkrimi i këtij njoftimi.

Toronto, Chikago, Atlanta, New York, Dallas, Los Angeles, Seattle janë vendet të cilat do të mirëpresin performancën mbresëlënëse të këngëtares së njohur në botë, ku pritet të reflektojë energjia dhe stili i saj unik./ KultPlus.com

Taylor Swift thyen një tjetër rekord Guinness, këtë herë me një podcast

By: Kult Plus
27 August 2025 at 18:00

Taylor Swift ka vendosur një tjetër rekord botëror, por jo përmes një albumi apo koncerti. Këtë herë, rekordi lidhet me një podcast. Pjesëmarrja e saj për herë të parë në episodin e “New Heights”, të drejtuar nga Jason dhe Travis Kelce, më 13 gusht, tërhoqi 1.3 milionë shikues të njëkohshëm në YouTube, duke u futur në Librin e Rekordeve Guinness.

Detaji interesant që i entuziazmoi fansat është fakti se kjo shifër përkon me numrin e preferuar të Swift – 13. Episodi dy-orësh tashmë ka kaluar mbi 20 milionë shikime, duke u kthyer në një ngjarje kulturore.

Në këtë podcast, Swift zbuloi për herë të parë albumin e saj të 12-të në studio, të titulluar “The Life of a Showgirl”, që do të publikohet më 3 tetor. Albumi, me 12 këngë të reja, është i frymëzuar nga turneu madhështor Eras Tour dhe, sipas artistes, përfaqëson “një periudhë të gëzueshme, dramatike dhe elektrike” të jetës së saj, transmeton KultPlus.

Travis Kelce, i fejuari i saj, u shpreh: “Është një album i gjallë, shumë pop dhe plot energji pozitive.”

Ky sukses i ri i shtohet listës së gjatë të arritjeve të Swift, e cila së fundmi thyeu edhe një rekord tjetër me albumin “The Tortured Poets Department”, duke regjistruar mbi 313 milion dëgjime në një ditë në Spotify./KultPlus.com

NEWARK, NEW JERSEY – AUGUST 26: Taylor Swift attends the 2019 MTV Video Music Awards at Prudential Center on August 26, 2019 in Newark, New Jersey. (Photo by Jamie McCarthy/Getty Images for MTV)

Mario Irarrázabal – Skulptori kilian i dorëve gjigante që ka mahnitur botën

By: Kult Plus
27 August 2025 at 17:30

Mario Irarrázabal (lindur në vitin 1940) është një nga skulptorët më të njohur të kohës moderne, i njohur për veprat e tij të fuqishme prej bronzi dhe skulpturat gjigante të dorës, të cilat ndodhen në hapësira publike në mbarë botën.

I trajnuar në Shtetet e Bashkuara, Itali dhe Gjermani, Irarrázabal ka zhvilluar një stil shprehës që ndërthur filozofinë, teologjinë dhe formën artistike, duke u bazuar thellësisht në përvojën njerëzore. Çdo skulpturë e tij përçon emocione të forta dhe shpesh përfaqëson mesazhe universale si mbrojtja, shpresa dhe solidariteti.

Një nga veprat më të famshme të tij është “La Mano” në Punta del Este, Uruguai, një dorë gjigante që del nga rëra e plazhit dhe është bërë simbol i qytetit dhe një atraksion turistik ndërkombëtar. Skulptura është një shembull i qartë i fuqisë së artit publik për të krijuar lidhje emocionale dhe për të bërë vizitorët të ndihen pjesë e një hapësire më të madhe.

Irarrázabal ka realizuar gjithashtu skulptura në vende të tjera si Spanja, Italia, Chile, dhe madje edhe në Lindjen e Mesme, duke sjellë artin e tij unik dhe mesazhet njerëzore në një shkallë globale. Puna e tij është vlerësuar për ekspresivitetin dhe simbolikën e thellë, që flet për universale të jetës dhe përvojën njerëzore.

Përmes veprave të tij, Mario Irarrázabal ka arritur të krijojë një lidhje mes artit, natyrës dhe shoqërisë, duke i dhënë skulpturës një dimension emocional dhe filozofik që kap çdo shikues, pavarësisht nga vendi apo kultura./KultPlus.com

Muzeu Marubi hap ekspozitën “Homeward” në Shkodër

By: Kult Plus
27 August 2025 at 17:10

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” prezanton ekspozitën “Homeward”, një iniciativë që vjen në kuadër të 10-vjetorit të Art House. Kjo ekspozitë është një bashkëpunim i dytë i muzeut me këtë platformë, pas projektit “Shtatë fotografë shqiptarë. Një rezidencë” në vitin 2019.

Ekspozita synon të mbështesë artistët e rinj dhe të promovojë praktika të reja në fushën e fotografisë dhe artit pamor, duke e hapur institucionin ndaj qasjeve bashkëkohore dhe ndaj krijuesve që po ndërtojnë identitetin e tyre artistik.

Përmes “Homeward”, Muzeu Marubi përcjell mesazhin se arti zhvillohet përmes bashkëpunimit, ndërveprimit dhe mbështetjes së ndërsjellë, duke krijuar ura mes artistëve në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë në Ballkan.

Hapja e ekspozitës: 13 shtator 2025
Hapësirat ekspozuese në Shkodër:

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”

Galeria e Arteve e Shkodrës

Radio Shkodra

Art House

Auditori Françeskan

Banesa e vjetër e familjes Paci/KultPlus.com

Festivali i Filmit në Venecia 2025: 21 filma garojnë për “Luanin e Artë”

By: Kult Plus
27 August 2025 at 16:50

Ka nisur këtë të mërkurë në lagunën italiane Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia, ngjarja më prestigjioze dhe më e vjetër e kinemasë në botë, i cili këtë vit shënon edicioni e 82-të. Festivali, që zgjat nga 27 gushti deri më 6 shtator 2025, e ka kthyer Venecian në epiqendrën e industrisë globale të filmit për disa ditë me radhë.

Në këtë edicion, 21 filma janë në garë për çmimin kryesor “Luani i Artë”, ndërsa dhjetëra të tjerë do të shfaqen jashtë konkurrimit. Hapja e festivalit u bë me premierën botërore të filmit të shumëpritur “La Grazia” nga regjisori fitues i Oscar-it, Paolo Sorrentino, ku në rolin kryesor rikthehet aktori i madh italian Toni Servillo.

Tapeti i kuq i Venecias do të presë edhe këtë vit emrat më të mëdhenj të kinemasë botërore. Mes yjeve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë Julia Roberts, George Clooney, Cate Blanchett, Adam Driver dhe Timothée Chalamet, duke i dhënë festivalit një shkëlqim të veçantë.

I themeluar në vitin 1932, Festivali i Filmit në Venecia është i pari i këtij lloji në botë dhe për dekada është konsideruar një trampolinë drejt suksesit ndërkombëtar, shpesh duke paralajmëruar fituesit e ardhshëm të Oscar-it.

Përveç filmave në konkurrim, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqje speciale, dokumentarë, retrospektiva dhe aktivitete artistike, duke e kthyer këtë edicion në një festë të vërtetë të artit të shtatë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 6 shtator 2025, ku përveç “Luanit të Artë”, do të shpërndahen edhe çmime për regjinë, aktrimin dhe kontributet artistike.

Me atmosferën e saj unike dhe traditën e gjatë në promovimin e kinemasë, Venecia edhe një herë dëshmon se mbetet zemra e artit të shtatë, duke u dhënë hapësirë si ikonave të njohura, ashtu edhe kineastëve të rinj që synojnë të lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare./KultPlus.com

Nga udhëtimet e gjata me autobus, te koncertet madhështore: Historia e violinistes Pathrycia Mendonça

By: Kult Plus
27 August 2025 at 16:25

Pathrycia Mendonça, violiniste 26-vjeçare venezueliane, ka përjetuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm: nga të udhëtuarit me autobus për tetë orë për mësime violine në Barquisimeto, deri te skenat më ikonike, si Wembley Stadium, ku do të performojë për 10 netë me Coldplay, si pjesë e Simón Bolívar Symphony Orchestra.

Megjithëse fluturimi drejt Londrës zgjati 12 orë dhe i la pas shtëpinë dhe vogëlushen 10-muajshe, Mendonça ka plot energji teksa nis provat në Air Studios, në veri të Londrës.

“Kur isha 12-vjeçare në Venezuelë, udhëtoja me autobus nga Barquisimeto për në Caracas. Lëvizja natën për të mbërritur në mëngjes, doja të mësoja violinë, dhe në mesditë kthehesha me nënën time. E bëja çdo javë. Kjo më solli këtu, tani.” – u shpreh Mendonça.

Ajo është jo vetëm muzikante, por edhe mësuese violine, nënë dhe mjeshtre kuzhine, me një master të sapo përfunduar në muzikë. Dhe, siç ajo vetë pranon, është një fanse e çmendur e Coldplay:

“Kur thanë ‘Do të doje të luaje me ne?’ – mendova se po qeshnin”.

Interpretimi i këngës ikonë “Viva La Vida” është për të një ëndërr që u bë realitet.

Pathrycia është pjesë e programit El Sistema, iniciativës venezueliane për arsimin muzikor që nisi në 1975 nga José Antonio Abreu, një antidot ndaj krimit dhe varfërisë. El Sistema ka kultivuar jo vetëm muzikantë teknikalë, por edhe përgjegjës të fortë shoqërorë si Gustavo Dudamel, drejtori i orkestrës, tashmë i nderuar me shumë Grammy, dhe drejtues i filarmonikës së Los Angeles dhe së shpejti, i New York Philharmonic.

Dudamel vetë është thirrur nga Chris Martin për të udhëhequr orkestrën në koncertet e Wembley, duke sjellë një letër dashurie artistike midis muzikës klasike dhe pop-kulturës:

“Chris i beson muzikës si mjet për të ndihmuar, shëruar dhe transformuar… Mendoj se ai dëshiron të na dhurojë pak prej kësaj magjie, së bashku me orkestrën.”

Shoqëria mes çiftit artistik u formua që në 2007, pas debutimit të Simón Bolívar Orchestra në BBC Proms, duke sjellë një shfaqje energjike dhe revolucionare mbi skenë. Që atëherë, bashkëpunimi nuk ka ndalur. Dudamel e çoi hungërin e klasikes edhe në Coachella, duke luajtur Beethoven dhe Wagner në skenë me figura si Dave Grohl dhe LL Cool J.

Për koncertet në Wembley, repertori përfshin edhe Beethoven, temën e Star Wars nga John Williams dhe “Spring” nga Vivaldi, për të përçuar harmoninë dhe dashurinë që el Sistema ka për muzikën dhe njerëzit.

Sfidat politike rrotull El Sistema-s s’mënjanojnë Dudamel-in:

“Jam kritik ndaj Maduron dhe dhunës në Venezuelë… por përgjegjësia ime më e madhe është te fëmijët që ndryshojnë jetën përmes këtij programi.”

Mendonça ndan një ndjesi të thellë për këtë moment:

“Jam e gëzuar ta përfaqësoj vendin tim dhe të jap shpresë fëmijëve që kam mësuar. Kur shikon dikë të tregon se është e mundur, atëherë lind pyetja: ‘Nëse ajo mundet, pse të mos mundem unë?’”

Mbi 3 milionë fëmijë kanë kaluar përmes El Sistema, një trashëgimi që tani vijon të lulëzojë dhe prekin afro një milion shikues përmes koncerteve në Wembley./BBC/KultPlus.com

Çfarë sjell pjesa e dytë, e sezonit të dytë të ‘Wednesday’?

By: Kult Plus
27 August 2025 at 15:55

Seriali gotik më i dashur i Netflix, “Wednesday”, rikthehet më 3 shtator 2025 me pjesën e dytë të sezonit të dytë, dhe me të, një stuhi e re misteresh, kërcënimesh të errëta dhe fytyrash të njohura e të reja që do të tronditin botën e Nevermore Academy.

Pasi katër episodet e para të sezonit u publikuan në gusht, pritshmëritë për pjesën e dytë janë rritur ndjeshëm, falë zbulesave befasuese dhe narrativës që ka marrë një kthesë të errët. Këtë herë, Wednesday Addams nuk është më vetëm një nxënëse e re në një shkollë të çuditshme, ajo është një hetuese e ftohtë në një luftë të heshtur mes të vërtetës dhe iluzioneve që e rrethojnë, përcjellë KultPlus.

Një nga momentet më të bujshme është rikthimi i Principal Weems, e interpretuar nga Gwendoline Christie. Edhe pse personazhi i saj u mendua i vdekur, traileri i pjesës së dytë e shfaq atë si një udhërrëfyese shpirtërore për Wednesday, çka ngjall pyetje të shumta për natyrën e vërtetë të vdekjes dhe jetës në Nevermore.

Ndërkohë, Tyler, i njohur si Hyde, është i lirë dhe më i rrezikshëm se kurrë. Krijuesit e serialit e kanë përshkruar atë si “kartën e egër” që mund të shpërthejë në çdo moment, duke çuar në një përballje të pandalshme me Wednesday.

Këtë sezon, kastit i është bashkuar edhe Lady Gaga në rolin e Rosaline Rotwood, një figurë enigmatike që pritet të ketë ndikim të thellë në zhvillimet e ardhshme. Ajo jo vetëm që sjell një prani të re në ekran, por edhe muzikë origjinale, përfshirë këngën “Dead Dance”, që do të shoqërojë momentet kulmore të serialit.

Gjithashtu, familja Addams ka rol më të thelluar në këtë pjesë, me Morticia, Gomez dhe Pugsley që përfshihen më shumë në jetën dhe sfidat e Wednesday, duke thelluar lidhjet familjare dhe tensionet që i shoqërojnë ato.

Një sekuencë shqetësuese në trailer paraqet varrin e Enid, mikeshës së ngushtë të Wednesday, duke ngritur frikën se mund të jetë ajo viktima e radhës në këtë betejë të errët. Fansat janë të shqetësuar për fatin e saj, duke krijuar teori të shumta online.

Të gjithë mendonin se Wednesday tashmë e njihte Nevermore si pëllëmbën e dorës, por në pjesën e dytë zbulohet se asgjë nuk është siç duket. Konspiracione të fshehta, eksperimente të ndaluara dhe një fuqi e errët që po ngrihet nën sipërfaqe, gjithçka bëhet pjesë e një loje që mund të ketë pasoja të përjetshme për të gjithë.

Pjesa 2 e sezonit të dytë të “Wednesday” pritet të jetë më e errët, më misterioze dhe më e mbushur me tronditje emocionale se kurrë më parë. Me rikthime dramatike, rritje tensioni dhe një kast gjithnjë e më të pasur, kjo pjesë e re pritet të përforcojë pozicionin e serialit si një prej prodhimeve më të suksesshme të Netflix-it në vitet e fundit.

Premiera e pjesës së dytë, të sezonit të dytë të “Wednesday” është me 3 Shtator 2025, vetëm në Netflix./KultPlus.com

Fotografi kazak që dokumentoi Covid-in nga brenda një spitali

By: Kult Plus
27 August 2025 at 14:55

Në verën e vitit 2020, fotografi kazak Andrey Khludeyev u infektua me Covid-19. Ai kontrabandoi një aparat të vogël fotografik në spital për të dokumentuar jetën në vijën e parë të pandemisë.

Ndërsa bota reagonte ndaj përhapjes së Covid-19 në fillim të vitit 2020, vendi i madh i Azisë Qendrore, Kazakistani, dukej ende i paprekur. Edhe pse kufizohej me Kinën, burimin e pandemisë globale, asnjë rast nuk ishte konfirmuar. Më 13 mars 2020, kjo ndryshoi. Dy qytetarë kazakë që ishin kthyer nga një udhëtim në Gjermani dolën pozitiv, rastet e para në një vend me mbi 20 milionë banorë. Vetëm dy ditë më vonë, presidenti Kassym-Jomart Tokayev shpalli gjendje emergjente për një muaj, por pandemia do të shkaktonte mbi 13,000 viktima në vend, përpara se autoritetet të deklaronin se situata ishte nën kontroll.

Megjithatë, Khludeyev thotë se nuk ishte veçanërisht i shqetësuar në fillim.

“Për herë të parë dëgjova për Covid nga një shofer taksie. M’u duk si një shaka, si ‘fake news’. Së shpejti, u tregova se sa gabim isha.”

Fillimisht kishte plan të dokumentonte situatën në spitale si fotograf, por u bind se nuk ishte e mundur:

“Nuk jam fotograf i akredituar, nuk ka shans,” mendoi ai. Por do të gabonte sërish.

Në verën e vitit 2020, gjatë izolimeve, Khludeyev u infektua. Simptomat ishin të ngjashme me gripin, temperaturë 38-39°C, kollë, por rezultatet e skanerëve treguan pneumoni dypalëshe me përhapje të gjerë.
Kur një mik fotograf humbi jetën papritur nga komplikimet e Covid-it, Khludeyev u alarmua dhe kërkoi ndihmë mjekësore. Një mike me përvojë mjekësore e këshilloi të shkonte urgjentisht në spital.

“Më tha se nuk do të mbijetoja po të qëndroja në shtëpi. Kështu që nuk pata zgjidhje tjetër.”

Ai u shtrua në një spital në Almaty, në juglindje të Kazakistanit, ku shumë nga stafi ishin vullnetarë.

“Nga njëra anë ndihesha mirë, isha nën përkujdesje 24-orëshe, me ilaçe dhe injeksione. Por shihja njerëz rreth meje që dukej se ishin mirë, dhe papritur fillonin të mbyteshin… Ishte një ndjesi e çuditshme, sikur gjithçka mund të ndryshonte përnjëherë.”

Mes sendeve që mori me vete për në spital ishte dhe një aparat fotografik i vogël, model Chaika-II, një aparat gjysmë-frame nga epoka sovjetike që i lejonte të dyfishonte numrin e fotografive në një film.

“Pa ditur nëse do të mbijetoja apo jo, nuk doja të humbja këtë mundësi. Mund të ishte seria ime e fundit fotografike.”

Ai përdori një film me 36 poza bardhë e zi, dhe fotografonte gjithçka, përfshirë me telefonin e tij. Fillimisht, mjekët dhe pacientët ishin skeptikë, por pasi u tregoi portretet që kishte bërë, reagimi i tyre ndryshoi.

“Një ditë një mjek më tha: ‘Zotëri, tani ka një radhë me gjashtë mjekë në korridor që duan të fotografohen. Doni të ju them që nuk ndiheni mirë, që të mos i prisni?’ ‘Sigurisht që jo,’ i thashë. ‘Le të fillojmë!’”

Fotot që realizoi Khludeyev kanë një atmosferë të zymtë dhe thuajse halucinante. Mjekët të veshur me veshje mbrojtëse ngjasojnë me pastruesit e katastrofës së Çernobilit, ndërsa rrjedhjet e dritës në film i shtojnë mister fotografive.
Spitali, që ishte planifikuar për rikonstruksion para pandemisë, u vendos të shërbente si spital për Covid-in, duke shtuar ndjesinë e braktisjes dhe pasigurisë.

“Doja të tregoja një histori të vërtetë, se Covid-i nuk është shaka apo mashtrim, por një rrezik i vërtetë për jetën. Prandaj, edhe stili i fotografive e pasqyron këtë luftë.”

Sot, pesë vite pas shërimit, Andrey Khludeyev thotë se i sheh ato fotografi me nostalgji dhe mirënjohje.

“Ata mjekë dhe infermierë ishin vullnetarë. Rrezikuan jetën për ne. Disa ishin studentë, disa ishin në pushime që i ndërprenë. Bënë një gjë të madhe dhe shpëtuan mijëra jetë.”

Ai gjithashtu falënderon bashkëshorten, miqtë dhe familjen për mbështetjen.

“Ishte një nga periudhat më të vlefshme të jetës sime. Bëra fotografi që njerëzit i vlerësuan. E ndjeva jetën në çdo sekondë. Ishte një përvojë njëkohësisht e tmerrshme dhe e mrekullueshme.”/BBC/KultPlus.com

‘Jetoj midis formave të ndritshme e të paqarta që ende errësirë s’janë bërë’

By: Kult Plus
27 August 2025 at 14:25

Nga Jorge Luis Borges

Pleqëria (kështu e quajnë të tjerët)
mund të jetë koha e lumturisë sonë.
Kafsha ka ngodhur ose do të ngordhë.
Jetoj midis formave të ndritshme e të paqarta
që ende errësirë s’janë bërë.
Buenes Aires,
që dikur është shkyer midis periferish
deri te rrafshi i pafund,
prapë janë Rokeleto, Retiro,
rrugët plot baltë të Kuartit Njëmbëdhjetë
dhe shtëpizat e rrënuara
që i quajmë J u g u.
Gjërat në jetën time
kanë qenë prore shumë të mëdha.
Demokriti prej Abderre
nxorri sytë e vet që të mendojë më mirë;
koha ishte Demokriti im.
Kjo gjysmë errësi është e ngathët e nuk dhemb;
lëshohet nga një shpat i lehtë
dhe i ngjan amshimit.
Miqt e mi nuk kanë fytyra,
gratë janë po ato që ishin para shumë vjetësh,
ndoshta udhëkryqet janë krejtësisht ndryshe,
në faqet e librave nuk ka germa.
Të gjitha këto duhet të më frigsojnë,
ndërsa kthimi ma ngjall gëzimin.
Nga korrja e teksteve që dheu na fali
pak nga ato do t’i lexoj,
vetëm ato që më kanë mbetur në kujtesë
do t’i lexoj dhe do t’i ndërroj.
Nga Jugu, Lindja, Perëndimi, Veriu
lidhen shtigjet që më kanë çuar
kah epiqendra ime e fshehur.
Këto shtigje janë jehonë dhe hapa,
gra, burra , agoni ,ringjallje,
ditë dhe netë,
gjysmë ëndrra dhe ëndrra,
çdo çast i vogël i së djeshmes
dhe e djeshma e botēs ,
pallë e sigurtë e Danezit
dhe hënëza e Persianit,
qëndrimi i të vdekurve,
dashuri e përgjigjur,fjalë,
Emersoni e bora shumë gjëra të tjera.
Tash mund t’i harroj.
Arrij në epiqendrën time,
algjebrës sime dhe çelsit tim,
pasqyrës sime.
Shpejt do ta di se kush jam.

Përkthyer nga Enver Gjergjeku,marrë nga libri:
“Zjarri në breg”/KultPlus.com

‘Shtylla më gjeniale që nga Kali i Trojës’: Vepra artistike sovjetike që përgjonte SHBA-të

By: Kult Plus
27 August 2025 at 13:55

Një pajisje përgjimi e fshehur në një vepër arti në vitin 1945 nuk u zbulua nga shërbimet e sigurisë amerikane për shtatë vite, dhe nuk është shembulli i vetëm kur arti është manipuluar për qëllime të fshehta.

Tetëdhjetë vite më parë, në javët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, një grup skautësh rusë i dhuruan ambasadorit amerikan në Moskë një vulë të madhe të gdhendur me dorë, simbolin e madh të SHBA, për rezidencën e tij zyrtare, Spaso House. Dhurata simbolizonte bashkëpunimin mes Rusisë dhe SHBA-ve gjatë luftës, dhe ambasadori amerikan W. Averell Harriman e vari me krenari në murin e shtëpisë deri në vitin 1952.

Por pa dijeninë e ambasadorit dhe ekipit të tij të sigurisë, vula përmbante një pajisje të fshehtë përgjimi, që më vonë u quajt “The Thing” (Gjësendi) nga ekipet amerikane të sigurisë teknike. Pajisja përgjonte biseda diplomatike për plot shtatë vite pa u zbuluar. Duke përdorur një vepër arti të pafajshme për të depërtuar tek armiku dhe për të marrë avantazh strategjik, sovjetikët realizuan një nga veprimet më të zgjuara që nga kali i famshëm i Trojës. Por kjo nuk është legjendë, është histori e vërtetë, edhe pse tingëllon si roman spiunazhi.

John Little, një 79-vjeçar specialist në kundër-përgjim, është prej kohësh i fascinuar nga pajisja dhe madje ka ndërtuar një kopje të saj. Një dokumentar për punën e tij të jashtëzakonshme u publikua këtë vit dhe, pas një shfaqjeje të parë të suksesshme në maj, do të transmetohet më 27 shtator në Muzeun Kombëtar të Informatikës në Bletchley Park, Buckinghamshire.

Ai e përshkruan teknologjinë e “The Thing” me terma muzikorë, si një pajisje me tuba si organo dhe një membranë “si lëkura e daulles, që dridhet nga zëri i njeriut”. Por gjithçka ishte futur në një objekt shumë të vogël, që dukej si një gjilpërë kapeleje, dhe kishte avantazhin e padukshmërisë ndaj pajisjeve të kontrollit, pasi nuk kishte elektronikë, as bateri, dhe nuk ngrohej.

Përpunimi i saj ishte jashtëzakonisht i saktë, “si një përzierje mes një ore zvicerane dhe një mikrometri”. Historiani H. Keith Melton ka thënë se në kohën e vet, “The Thing” e ngriti shkencën e përgjimit në një nivel që më parë mendohej i pamundur.

Në Spaso House, pajisja aktivizohej vetëm kur një transmetues i largët, i vendosur në një ndërtesë aty pranë, ndizte një sinjal me frekuencë të lartë, i cili reflektonte prapa të gjitha dridhjet që vinin nga antena e pajisjes. Pajisja u zbulua vetëm kur një operator radio britanik, që punonte në Moskë në vitin 1951, aksidentalisht u fut në të njëjtën frekuencë dhe dëgjoi biseda nga një dhomë e largët. Vitin pasues, teknikët amerikanë kontrolluan rezidencën e ambasadorit dhe, pas një kërkimi që zgjati tre ditë, kuptuan se vula e gdhendur e SHBA-ve ishte një vesh i padukshëm, që përgjonte bisedat diplomatike.

Duke reflektuar mbi suksesin e pajisjes, një nga teknikët rusë që e operonte atë, Vadim Goncharov, tha: “Për një kohë të gjatë, vendi ynë ishte në gjendje të merrte informacione shumë specifike dhe të rëndësishme, që na dhanë përparësi… gjatë Luftës së Ftohtë”.

Deri më sot, askush jashtë shërbimeve të inteligjencës sovjetike nuk e di se sa “Gjësende” të tjera mund të jenë përdorur për të spiunuar Perëndimin. Por suksesi i saj nuk ishte vetëm për shkak të teknologjisë. Ajo funksionoi sepse shfrytëzoi perceptimin tonë kulturor ndaj objekteve të bukura. Ne kemi tendencën t’u besojmë veprave artistike dhe dekorative si simbole pasive të statusit ose shijes. Inteligjenca sovjetike e ktheu këtë paragjykim në armë me vulën e gdhendur nga druri i ahut.

Dhe kjo nuk është e vetmja herë kur arti është përdorur për spiunazh, mashtrime ose strategji ushtarake. Përveçse pikturoi Mona Lizën, Leonardo da Vinci gjithashtu projektoi tanke dhe armë rrethimi. Piktori flamand Peter Paul Rubens ishte spiun gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare. Artistë nga kombe të ndryshme, gjatë Luftërave Botërore, hartuan strategji kamuflazhi dhe mashtrimi. Madje Anthony Blunt, historian arti britanik dhe kujdestar i koleksionit mbretëror, ishte një agjent sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të Luftës së Ftohtë.

Në këtë rast të çuditshëm të “Gjësendit”, edhe historia muzikore ka rol. Shpikësi gjenial i saj, Lev Sergeyevich Termen, i njohur si Léon Theremin, ishte shpikës rus dhe muzikant i talentuar. Ai krijoi instrumentin e parë elektronik në botë, Theremin, i cili luhet pa e prekur fizikisht: lëvizjet e dorës përreth antenave kontrollojnë notat. Tingulli i tij i çuditshëm u bë simbol i kolonave zanore të filmave fantastiko-shkencorë amerikanë të viteve 1950, më së shumti në filmin “The Day the Earth Stood Still” (1951), që për ironi, shpesh shihet si alegori për paranojën e Luftës së Ftohtë.

Pas zbulimit, “The Thing” u mbajt sekret nga inteligjenca amerikane. Por në maj 1960, në kulmin e garës bërthamore, një avion spiun amerikan U-2 u rrëzua mbi territorin rus. Gjatë krizës diplomatike që pasoi, zyrtarët e Departamentit të Shtetit e ekspozuan publikisht vulën në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të treguar se edhe Bashkimi Sovjetik merrej me spiunazh. John Little beson se shkelja e tillë e sigurisë në rezidencën e ambasadorit ishte kaq turpëruese, “sa u desh të rrëzohej një avion spiun për ta nxjerrë ‘The Thing’ në dritë”.

Megjithatë, mjeshtëria e vërtetë teknike e “The Thing” nuk iu zbulua kurrë publikut të gjerë. Pajisja u studiua me kujdes nga kundër-inteligjenca britanike, që i dha emrin sekret SATYR. Detajet e saj mbetën sekret shtetëror deri në vitin 1987, kur ish-oficeri i sigurisë Peter Wright i zbuloi në kujtimet e tij “Spycatcher”.

“The Thing” ka magjepsur historianët jo vetëm për mjeshtërinë teknike të kohës, por edhe për ndikimin e saj në lojërat e spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo na zbulon edhe një anë të errët të kulturës së lartë, përtej sallave të operës dhe galerive të artit, ku muzikantë klasikë shpikin pajisje përgjimi, dhe vepra të bukura arti shërbejnë si instrumente të inteligjencës ushtarake.

Dokumentari për “The Thing” do të shfaqet më 27 shtator në Muzeun Kombëtar të Informatikës në Bletchley Park, Buckinghamshire./BBC/KultPlus.com

6 projekte të përzgjedhura për garën ‘Best Pitch’ në PriForum

By: Kult Plus
27 August 2025 at 13:25

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, PriFest, përmes platformës së tij rajonale të industrisë së filmit PriForum, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale për 6 projektet e përzgjedhura që do të marrin pjesë në garën e rëndësishme Best Pitch Competition.

Kjo garë është një nga ngjarjet më të pritura të PriForum-it, duke mbledhur projekte filmike nga rajoni dhe më gjerë që janë në faza të ndryshme zhvillimi, me synim bashkëpunimin dhe realizimin në skenën ndërkombëtare.

Projektet e përzgjedhura për PriForum 2025 janë:

“Personazh”– Kosovë me regjisor Ekrem Xani, producentë Bardhyl Bejtullahu dhe Ekrem Xani, skenaristë Brikena Sopi dhe Zymber Kelmendi

“Voices” – Bullgari me regjisor Magdelena Ilieva, producent Magdelena Ilieva, skenaristë Magdelena Ilieva dhe Jonathan Heidelberger.

“The general and the butterfly” – Maqedonia e Veriut me regjisor Antonio Mitrikeski, producent Vladimir Stojcevski, skenarist Venko Andonovski.

“Adet” – Kosovë, me regjisor Mentor Shala, producent Shkumbin Istrefi, skenariste Lyra Xhoci.

“Two times one” – Bullgari me regjisor Vladimir Petev, producentë Victoria Mitreva & Vanya Rainova, skenarist Vladimir Petev

“Spider” – Turqi me regjisorë Barış Fert dhe Lara Kamhi, producent Ilgım Coşar, skenaristë Barış Fert dhe Lara Kamhi.

PriForum do të mbahet nga 11 deri më 13 shtator 2025, si pjesë e edicionit të 17-të të PriFest, i cili do të zhvillohet në Prishtinë nga 9 deri më 14 shtator 2025./KultPlus.com

Kapsula e kohës e Princeshës Diana nga vitet ’90 përmban CD të Kylie Minogue dhe televizor xhepi

By: Kult Plus
27 August 2025 at 12:55

Një kapsulë kohe e varrosur nga Diana, Princesha e Uellsit, në Spitalin e Fëmijëve Great Ormond Street (GOSH) në vitin 1991 është hapur, duke zbuluar një CD të këngëtares Kylie Minogue, një kalkulator me energji diellore dhe një pasaportë.

Kutia prej druri, e mbështjellë me plumb, u vulos për të shënuar vendosjen e gurit themeltar të ndërtesës Variety Club të spitalit, e cila u hap në vitin 1994.

Objektet brenda kapsulës u zgjodhën nga dy fëmijë që fituan një konkurs të programit televiziv “Blue Peter”, dhe synonin të përfaqësonin jetën në vitet 1990. Ndër të tjera, në kapsulë ndodheshin edhe një televizor xhepi, një hologram në formë dëbore dhe një fotografi e Princeshës Diana.

Kapsula ishte planifikuar të hapej pas “qindra vitesh”, por u nxor më herët për t’i hapur rrugë ndërtimit të një qendre të re për trajtimin e kancerit te fëmijët. Princesha Diana u bë presidente e GOSH në vitin 1989 dhe e vizitoi shpesh spitalin përpara vdekjes së saj në vitin 1997.

Ajo ndihmoi dy fëmijët për të zgjedhur objektet që do të vendoseshin në kapsulën e kohës.

CD-ja ishte albumi “Rhythm of Love” i Kylie Minogue, i publikuar në vitin 1990, që përfshin këngët “Better the Devil You Know”, “What Do I Have to Do” dhe “Shocked”, dhe ishte një nga 10 objektet në kapsulë. CD-ja u zgjodh nga David Watson, atëherë 11 vjeç, nga Paignton, Devon. Ai gjithashtu përzgjodhi një fletë letre të ricikluar dhe një pasaportë.

Sylvia Foulkes, atëherë 9 vjeç, nga Norwich, zgjodhi një koleksion monedhash britanike, një enë me pesë fara pemësh, dhe hologramin me dëborë. Në kuti ndodhej gjithashtu një kopje e gazetës “The Times” nga data e varrosjes së kapsulës.

Titujt në faqen e parë përfshijnë: “Mishrat e gatuar nxjerrin në votime sovjetikët me shumicë”, së bashku me një foto të ish-udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov, si dhe titullin “SHBA refuzon kërkesën për avionë luftarakë irakianë ndërsa rebelët afrohen”.

Fotot e publikuara nga arkivistët tregojnë disa dëmtime në objektet e kapsulës, por ato janë ruajtur kryesisht të paprekura. Punonjës që ishin lindur në vitin 1991 ose tashmë punonin në spital në atë kohë ndihmuan në nxjerrjen e saj.

Varrosja e kapsulës ishte e ngjashme me një ceremoni të vitit 1872, gjatë së cilës Princesha e atëhershme e Uellsit, Aleksandra, vendosi një gur themeltar në spital, duke vulosur gjithashtu një kapsulë kohe.

Kjo kapsulë e hershme, që përmbante një foto të Mbretëreshës Viktoria, nuk është gjetur ende.

Qendra e re për trajtimin e kancerit tek fëmijët në GOSH do të jetë një “burim kombëtar për trajtimin e kancereve të fëmijërisë”, sipas një deklarate.

Dizajni i saj do t’i ndihmojë ekipet mjekësore të zhvillojnë trajtime “më të buta dhe më efektive” për fëmijët që qëndrojnë në spital./BBC/KultPlus.com

‘E ty të ndalin ata që as emrin s’ta dinë, derisa unë ta di edhe heshtjen’

By: Kult Plus
27 August 2025 at 12:27

Poezi nga Lulzim Tafa

Heshtja që le në mua

E pranoj
Më dhemb pak ajo që ndodh

Nuk më shikon në sy
Vetëm për të më treguar se unë
Nuk jam

S’e di
Nëse ty të dukem gur apo hije
Apo diçka tjetër
Që nuk dhemb

Çdo përbuzje
Më bëri fëmijë të vogël
Para një deti të madh
Para një zjarri

Të dua dhe nuk të mallkoj
E ndjej veten të mbetur
Në duart tua
Shumë prekëse kjo ndjesi

Unë jam aty
E ty të ndalin ata
Që as emrin s’ta dinë
Derisa unë ta di
Edhe heshtjen

Tash më mjafton heshtja
S’kam nevojë më për asgjë
As për zhurmë
E as për hanë
Që qanë /KultPlus.com

Koleksioni i rrallë ‘Geschichte des osmanischen Reiches in Europa’, pasuron fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

By: Kult Plus
27 August 2025 at 11:30

Në një postim në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Bibliotekës Kombëtare ka njoftuar se është pasuruar së fundmi me një nga veprat më të rëndësishme dhe voluminoze të historiografisë evropiane të shekullit XIX: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa” (Historia e Perandorisë Osmane në Evropë), një koleksion prej 11 vëllimesh që tashmë është pjesë e fondit të saj të çmuar.

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pasuruar fondin e saj me një nga veprat më të rëndësishme shumëvëllimëshe të historiografisë evropiane të shekullit XIX: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa” (Historia e Perandorisë Osmane në Evropë), një koleksion 11-vëllimesh, pjesë e serisë prestigjioze Geschichte der europäischen Staaten (Historia e shteteve evropiane) të botuar nga A.H.L. Heeren dhe F.A. Ukert, midis viteve 1840 dhe 1863.

Nëntë vëllimet e para, të botuara nga 1840 deri në 1859, janë të historianit të njohur gjerman Johann Wilhelm Zinkeisen dhe mbulojnë historinë e Perandorisë Osmane nga rritja e saj e hershme deri në fillim të shekullit XIX, duke përfshirë periudha kyçe si kulmi i zhvillimit dhe i zgjerimit të fuqisë osmane, fillimi i rënies së brendshme, luftërat me Venedikun, ndikimin e Rusisë, ndryshimet politike të shekullit XVIII, reformat dhe rivalitetet e Fuqive të Mëdha.

Vëllimi i 10-të dhe i 11-të, të botuar në 1812 dhe 1815, përfshijnë vepra të tjera historike të rëndësishme mbi Perandorinë Osmane dhe rajonin e Ballkanit, duke përfshirë punimet e Joseph von Hammer dhe Mustafa Ben Abdalla Hadschi Chalfa. Këto vëllime ofrojnë kontekste të gjera mbi organizimin shtetëror, administrimin dhe zhvillimet gjeografike në Rumeli dhe Bosnjë, duke i shtuar koleksionit një dimension të gjerë historiografik dhe rajonal.

Veçanërisht e rëndësishme është vlera e këtij koleksioni për historinë e Ballkanit, përfshirë edhe të shqiptarëve. Ai ofron informacion të detajuar mbi marrëdhëniet ndërkufitare, strukturën e shoqërisë dhe ndikimet osmane në territorin e sotëm shqiptar, duke e bërë këtë koleksion një burim të pazëvendësueshëm për studiuesit që studiojnë historinë kombëtare dhe rajonale në kontekst evropian.

Përveç rëndësisë shkencore, koleksioni ka një vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, duke e bërë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës një pikë referimi të rëndësishme për studiuesit e historisë osmane, ballkanike dhe evropiane.” – shkruhet në postimin e publikuar./KultPlus.com

Fondacioni Rame Lahaj sjell Grupin PasParTouT nga Gjermania: Një shfaqje muzikore që i çon fëmijët në një udhëtim ritmik e plot energji

By: Kult Plus
27 August 2025 at 11:00

Fondacioni Rame Lahaj sjell grupin gjerman PasParTouT, me programin muzikor për fëmijë “Gjelat në Pentagram”, një teatër muzikor edukativ, që do t’i bëjë fëmijët jo vetëm të dëgjojnë dhe të shohin, por të përjetojnë nga afër fuqinë dhe bukurinë e muzikës klasike në një mënyrë krejtësisht të re.

PasParTouT, me përvojë në skena ndërkombëtare, ka ndërtuar një shfaqje që kombinon tregimin artistik, performancën skenike interaktive dhe tingujt magjikë të instrumenteve klasike, transmeton KultPlus.

Fëmijët nuk do të jenë vetëm spektatorë, por do të përfshihen drejtpërdrejt në shfaqje, duke mësuar për emocionet që përcjellë muzika, instrumentet që e krijojnë atë dhe historitë që ajo tregon.

Kjo është shumë më tepër se argëtim, është edukim përmes artit, ku më të vegjlit e sotëm bëhen publiku i vetëdijshëm dhe i apasionuar i së nesërmes./KultPlus.com

‘Nuk vdes njeri nga dashuri e humbur, sidoqoftë, dhimbje ka’

By: Kult Plus
27 August 2025 at 10:30

Poezi nga Teodor Keko

Trishtimi. Ai vetëm mua më përket!
Iku një vajzë. E desha dhe i thashë shko!
Jeta ime boheme në dy metra katrore vdes.
Vdekja! Ç’fjalë e trishtme dhe e fortë!
Nuk vdes njeri nga dashuri e humbur.
Sidoqoftë, dhimbje ka.
Edhe vdekja në metastaza dhembjesh është strukur,
galopi i tyre baraz me hata.
Po bota jeton. Jeton njeriu.
Me dhembje, dhe më i lumtur.
Unë dua të jetoj.
Ajo, gjithashtu. Dhe iku.
Trishtimi vetëm mua më përket!
Për inat të tij bëhem më i bukur!/KultPlus.com

❌
❌