Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Egnatia nis mbrojtjen e titullit në ‘Loro Boriçi’, djepin e futbollit

Nga Gazeta Si – Kategoria Superiore ngre siparin e edicionit të 87 në stadiumin “Loro Boriçi”. Sfida Vllaznia – Egnatia në orën 20:00 do të paraprihet nga ceremonia zyrtare e hapjes së kampionatit.

Themeluesit e futbollit në vend do të presin dy herë kampionët rradhazi në fuqi pas një starti në Kupat e Evropës ku kuqeblu dhe të gjelbër nuk arritën në raundin e playoff-it.

Vendas dhe miq kanë objektiv titullin dhe këtë e deklarojnë hapur. Raundi i parë në sezonin e ri vazhdon të shtunën me dy ndeshjet e rradhës. Bylis – Tirana në orën 17:00, në stadiumin “Adush Muça” në Ballsh.

Atje ku bardheblutë janë në provën “Josa”. Legjenda kryeqytetase do të drejtojë mallakstriotët këtë sezon.

Në orën 20:00, AF Elbasani dhe Flamurtari zbresin në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në stolin e kuqezinjve do të debutojë spanjolli Carlos Garcia dhe vlonjatët pretendojnë se kanë ardhur për gjëra të mëdha mes më të mirëve.

Partizani – Vora, që do të luhet në orën 20:00 të së dielës në stadiumin “Arena e Demave” do të mbyllë pjesërisht javën e parë.

Të kuqtë kryeqytetas vijnë pas një vere turbulente të cilën shpresojnë ta lënë pas sa më shpejt nën drejtimin e Milinkovic.

Impenjimi i Dinamo City-t në UEFA Conference League shtyu ndeshjen ndaj Teutës më 5 Shtator.

Sfida mes tyre do të luhet në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana”

The post Egnatia nis mbrojtjen e titullit në ‘Loro Boriçi’, djepin e futbollit appeared first on Gazeta Si.

Vuçiç fton protestuesit në debat publik mes tensioneve dhe akuzave për dhunë

Nga Gazeta ‘Si’– Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ftuar përfaqësuesit e protestuesve në një debat publik, që mund të mbahej përpara të gjitha televizioneve dhe portalet.

Ai këtë ftesë e bëri publike përmes një videoje në Instagram.

Në Serbi, për më shumë se nëntë muaj po mbahen protesta, ku kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Studentët, që udhëheqin protestat, kanë shtuar edhe kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ata e konsiderojnë këtë një hap të pashmangshëm, pasi “shteti nuk ka bërë asgjë lidhur me përgjegjësinë për tragjedinë” në Novi Sad.

Ndërkohë, pushteti në Serbi ka refuzuar që të shpallë zgjedhje të parakohshme.

“Ftoj përfaqësuesit e lëvizjes së bllokadës në një bisedë dhe debat publik mbi vizionet, të flasim për planet dhe programet tona për të ardhmen dhe që së bashku të dënojmë dhunën në rrugët tona”, tha Vuçiç në videon e publikuar më 22 gusht.

Presidenti serb tha se protestat po zgjasin tash e nëntë muaj dhe se “një pjesë e njerëzve në vendin tonë duan ndryshime”.

“Së pari këto u paraqitën si kërkesa për drejtësi, e më pas hapur filluan të flasin për ndryshime politike dhe për kërkesa për zgjedhje, edhe pse më parë i mohonin. Pavarësisht gjithçkaje të keqe që mendoj për kërkesat e tyre, besoj se është shumë e rëndësishme të dëgjojmë njëri-tjetrin. Mendoj se është me rëndësi vendimtare që të rifillojmë dialogun në Serbinë tonë”, theksoi Vuçiç.

“E pranoj këtë si gabim timin, por jam i gatshëm të mos flasim për dhunën në rrugë, sepse neve nuk na nevojitet asnjë luftë civile, as përplasje e dhunë. Dua të flasim për të ardhmen e Serbisë. Të gjithë së bashku, sepse kjo është më e mira për Serbinë tonë”, u shpreh ai.

Prandaj, siç tha Vuçiç, “propozoj dhe ofroj bisedë e debat në të gjitha televizionet dhe portalet tona, me përfaqësues legjitimë, të cilët ata i zgjedhin vetë”.

“Kur them ata, mendoj për përfaqësuesit e lëvizjes studentore bllokuese – profesorë, politikanë, studentë… Të hyjmë në dialog, në debat me ata që mendojnë ndryshe. Ata kanë të drejtë ta kërkojnë këtë nga presidenti i tyre, përfshirë edhe zgjedhjet”, tha presidenti i Serbisë.

Sipas tij, qëllimi është që “së bashku të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme për vendin tonë dhe të paraqesim programet tona”.

“Ka ardhur koha të tregojmë fytyrat e secilit prej nesh, por shumë më e rëndësishme se kjo është të tregojmë programet dhe të prezantojmë vizionet. Unë dua të bëjmë një garë vizionesh, një betejë për të ardhmen, ta zgjidhim këtë me dialog e bisedë, ashtu siç do të donte çdo qytetar i vendit tonë. Pa përplasje dhe pa dhunë. Të rindërtojmë shtetin, ta kthejmë në pozitën e duhur ku ishte para nëntë muajsh”, deklaroi Vuçiç.

Në fund të video-adresimit ai tha se beson se do të japë gjithçka nga vetja për të treguar respekt, por se dëshiron që të dëgjohet edhe pala tjetër.

“Kjo është oferta ime, më shumë se e drejtë. Dua të hyj në debat dhe dua që të dyja palët të paraqesin vizionin dhe planet e tyre. Për Serbinë, në këtë moment, kjo është gjëja më e rëndësishme. Më pas qytetarët do të kenë mundësinë të shohin se cili vizion është real dhe i vërtetë”, tha presidenti serb.

Ndërkohë që në Serbi po vazhdojnë protestat, ditët e fundit janë intensifikuar sulmet e përkrahësve të Partisë Progresive Serbe (SNS) të Vuçiçit kundër protestuesve në qytete të ndryshme të vendit.

Lidhur me raportimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia serbe – veçanërisht ndaj të miturve, gazetarëve dhe grave, përfshirë rastin kur një polic e kërcënoi një studente të ndaluar me përdhunim – ka reaguar edhe Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi, Brankica Jankoviç.

Ajo ka kërkuar që dhuna të ndalet dhe u ka bërë thirrje pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme që të trajtojnë të gjithë qytetarët në Serbi në mënyrë të barabartë.

The post Vuçiç fton protestuesit në debat publik mes tensioneve dhe akuzave për dhunë appeared first on Gazeta Si.

Pse u la në burg Ilir Meta? GJKKO: Rrezikon provat dhe intimidimin e dëshmitarëve

Gazeta Si – GJKKO ka publikuar arsyetimin e vendimit të 13 gushtit, për të lënë në burg ish-presidentin Ilir Meta.

Sipas gjykatës, nuk ekzistojnë rrethana të reja që të justifikojnë zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë.

Në vendim theksohet se pozita procedurale e Metës është rënduar, pasi ai tashmë ka marrë cilësinë e të pandehurit dhe i janë komunikuar zyrtarisht akuzat për korrupsion pasiv në tre raste (dy prej tyre në bashkëpunim), pastrim parash në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, si dhe mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.

GJKKO vlerëson se masa e sigurisë mbetet proporcionale me rëndësinë e fakteve dhe dënimin e mundshëm, duke theksuar se ekziston ende rreziku i “helmimit të provave” përmes ndikimit tek dëshmitarët apo personat që kanë dijeni mbi faktet e hetimit.

Gjykatat kanë vlerësuar se në rastin konkret evidentohet prania e rrethanave nga të cilat krijohet vlerësimi se ka rrezik eminent që liria e pakushtëzuar me masë sigurimi e kërkuesit (të pandehurit) Ilir Metaj mundet të helmojë provat apo mundet të riskojë gjetjen dhe fiksimin e gjendjes natyrore të tyre”, vlerëson gjyqtari Çela.

Sipas gjykatës, funksionet aktuale dhe ato të mëparshme të Metës i japin atij mundësi të ushtrojë ndikim të paligjshëm në procesin gjyqësor.

Në vendimin e zbardhur të GJKKO-së thuhet se, “Meta për shkak të funksionit që ka aktualisht apo funksioneve që ka pasur në të kaluarën, mund të ushtrojë influencën e tij për të ndikuar në procesin e marrjes dhe vërtetësisë së provave të tjera, të ndryshme nga ato dokumentare, sikurse janë pyetja e personave që kanë dijeni për faktet objekt hetimi, duke qenë se ai po hetohet për disa vepra penale”.

Po ashtu, gjyqtari Çela ka vlerësuar se tashmë pozita e Metës përballë drejtësisë është rënduar dhe nuk është me një person në hetim, por është marrë zyrtarisht i pandehur.

Më 4 gusht, SPAK i komunikoi zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë. Ish-presidenti akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

Gjykata argumenton se përfundimi i hetimeve paraprake nuk e eliminon rrezikun për provat, sidomos ato “të gjalla” si dëshmitarët, të cilët do të pyeten gjatë gjykimit. Për këtë arsye, kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u refuzua.

Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.

The post Pse u la në burg Ilir Meta? GJKKO: Rrezikon provat dhe intimidimin e dëshmitarëve appeared first on Gazeta Si.

Konfirmohet zia e bukës në Gaza! OKB: Uri, mjerim dhe vdekje

Nga Gazeta ‘Si’- Qyteti i Gazës dhe zonat përreth tij po përballen me zinë e bukës. Kjo është deklaruar për herë të parë zyrtarisht nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore, një sistem i mbështetur edhe nga Kombet e Bashkuara.

Sistemi i mbështetur nga OKB dhe i njohur globalisht për klasifikimin e pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes ka deklaruar vetëm katër zi buke të tjera që nga themelimi i tij në vitin 2004.

Është hera e parë që një klasifikim i tillë bëhet jashtë kontinentit afrikan, pasi rastet e mëparshme ishin në Somali në vitin 2011 dhe Sudan në vitet 2017, 2020 dhe 2024. Ky njoftim është i pari i IPC-së jashtë Afrikës. Qyteti i Gazës është shtëpia e rreth gjysmë milioni njerëzve.

Niveli i urisë në Gaza është klasifikuar në Fazën 5, që është edhe niveli më i lartë, ku mbizotëron uria, varfëria dhe vdekja. I njëjti klasifikim parashikohet të zgjerohet në Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit, pra për më shumë se gjysmë milionë njerëz në të gjithë Gazën.

Në raport thuhej se zia e bukës në Gaza është shkaktuar nga njeriu dhe mund të ishte parandaluar. Koordinatori i emergjencave në OKB, Tom Fletcher tha se raporti i ri duhet lexuar me hidhërim dhe me zemërim.

Ai shtoi se zia e bukës i detyron njerëzit të rrezikojnë jetën e tyre për të kërkuar ushqim.

“Është një zi buke që do të na ndjekë dhe duhet të na ndjekë të gjithëve. Është një zi buke e parashikueshme dhe e parandalueshme”, tha ai.

Por Ministria e Jashtme e Izraelit ka hedhur poshtë kategorikisht raportin, duke thënë se nuk ka zi buke në Gaza dhe se te dhenat bazohen në “gënjeshtrat e Hamasit”.

Zhvillimi më i fundit vjen teksa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka hapur rrugë pushtimit të plotë të qytetit të Gazës, një plan që ka marrë shumë kritika si nga qytetarët e Izraelit, ashtu edhe nga aleatët e tij.

Netanyahu tha gjithashtu planifikon rifillimin e negociatave për rikthimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi dhe për fundin e luftës, por sipas kushteve të Izraelit.

The post Konfirmohet zia e bukës në Gaza! OKB: Uri, mjerim dhe vdekje appeared first on Gazeta Si.

Plagosi me armë dy persona në Sarandë, 43-vjeçari arrestohet pas një muaji në Korçë

Gazeta Si – Në një operacion policor në Korçë, forcat operacionale arrestuan 43-vjeçarin Ramadan Zoto, i cili ishte shpallur në kërkim për plagosjen e 2 personave para një muaji në Sarandë.

Agjentët, pasi morën informacion për vendndodhjen e shumë të kërkuarit, organizuan operacionin për ndalimin e tij.

Sipas burimeve, 43-vjeçari po lëvizte me një mjet tip “Audi”, ku bashkë me të u arrestua edhe miku i tij, Arben Ismaili, i cili akuzohet se e ka strehuar gjatë arratisjes.

Sipas informacioneve, Zotos i është kapur edhe pistoletë me fishekë në fole me vete në momentet e arrestimit.

Arrestimi është kryer për llogari të DVP Vlorë ndërsa ndërhyrja është kryer nga operacionalja e policisë së shtetit për shkak të rrezikshmërisë së lartë.

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet 43-vjeçari, ndodhi në qendër të qytetit të Sarandës, ku mbetën të plagosur E.L., dhe G.H., ku ky i fundit u arrestua pasi iu gjet një armë pa leje.

Policia gjeti në vendngjarje 4 gëzhoja. Në njoftimin për shtyp deklaroi se sherri nisi fizikisht për motive të dobëta dhe më pas agravoi në përdorimin e armës.

The post Plagosi me armë dy persona në Sarandë, 43-vjeçari arrestohet pas një muaji në Korçë appeared first on Gazeta Si.

Diamond League – Hodgkinson nuk di të ndalet

Nga Gazeta Si – Hodgkinson konfirmon rikthimin e më të fortës
Kampionia olimpike në 800m, Keely Hodgkinson vazhdon formën e saj spektakolare pas rekordit të mitingut që vendosi në “Athletissima Wanda Diamond League” në mesjavë në një ndër vitet më të vështirë për të.

Prej medaljes së artë në “Paris 2024”, ylli britanik i 800m ka kaluar një ndër periudhat më të vështira në karrierë.

Ajo ja doli të rekuperohet nga dëmtimet për tu kthyer në “World Athletics Championships”. Durimi i saj më në fund po shpaguhet.

Fundjavën e kaluar në Silesia ajo vendosi kohën 1’54”74 në të parën garë nga Olimpiada.

Ndërsa në mesjavë vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe performancë në “Athletissima Lausanne”.

Në mbrëmjen që shumë kampionë olimpikë patën probleme me kushtet klimatike, Hodgkinson nuk u shqetësua nga reshjet e shiut për një tjetër fitore dominuese me kohën 1’55”69.

Nuk ishte thjejtë një rekord i ri i mitingut por thyerja e një rekordi që zgjaste prej 23 vitesh, i vendosur nga Legjenda Maria Mutola.

Ndërsa për Hodgkinson është një provë tjetër se ajo po gjen formën më të mirë në prag të Tokyo-s.

The post Diamond League – Hodgkinson nuk di të ndalet appeared first on Gazeta Si.

Bayern nis mbrojtjen e titullit, Bundesliga starton edicionin e 63

Nga Gazeta Si – Bayern Munich do të startojë mbrojtjen e titullit ndaj Leipzig në Allianz Arena me objektivin për 3 pikët e para që do të ishin vazhdim i suksesit në Superkupë dhe një sinjal i dërguar për kundërshtarët që kampionët janë aty.
Bayern vërtetë humbi të pakrahasueshmin Thomas Müller por mund të bazohet te eksperienca dhe influenca e Manuel Neuer që bëhet gati të nisë edicionin e 15 pas titullit të 12 (në klub) në Maj.

39 vjeçari u shpall Lojtari i ndeshjes në Franz Beckenbauer Supercup ndaj Stuttgart dhe përballë tij është Péter Gulácsi në portën e Leipzig.

35 vjeçari hungarez është ndër të paktët konstantë në një skuadër që ka qarkulluar talente të shumtë.

Sezonin e kaluar nuk pësoi gol në 14 nga 30 ndeshje dhe mbetet zgjedhja e parë në dëm të Maarten Vandevoordt.

Përpara Gulácsi rrjeshtohen 4 mbrojtës me patriotin Willi Orbán, Kapitenin David Raum, El Chadaille Bitshiabu dhe Castello Lukeba.

Te Bayern, Jonathan Tah erdhi nga Leverkusen dhe në Superkup impresionoi përkrah Dayot Upamecano-s. Konrad Laimer, Josip Stanišić dhe Raphaël Guerreiro janë kandidaturat e tjera për Vincent Kompany.

Mbërritja e Tom Bischof dhe Aleksandar Pavlović janë e ardhmja e mesfushës bavareze që sërish do të ndërtohet rreth Joshua Kimmich në partneritet me të rilindurin Goretzka në pritje të të dëmtuarit Musiala.

E ardhmja e Xavi Simons është ende e hapur por tek Leipzig sqarojnë se holandezi do të largohet për ofertën e duhur financiare.

Në të kundërt Xavi do të qëndrojë te Leipzig që pak ditë më parë largoi Benjamin Šeško drejt man Utd. Braziliani Rômulo nga Göztepe dhe Loïs Openda janë shpresa e trainerit Werner për sezonin e ri.

Ndërkohë në sulmin e vendasve, aftësia e Harry Kane dhe saktësia e Michael Olise u pasuruan me mbërritjen e Luis Díaz nga Liverpool.

Sezonin e kaluar Bayern fitoi 5-1 në shtëpi në raundin e 15 dhe barazoi 3-3 në raundin e 32.

The post Bayern nis mbrojtjen e titullit, Bundesliga starton edicionin e 63 appeared first on Gazeta Si.

Tronditet Italia, zbulohet grupi i burrave që shpërndanin foto intime të grave të tyre

Kompania Meta ka mbyllur një grup italian në Facebook ku burrat shpërndanin fotografi intime të grave të veta, pa dijeninë e tyre.

Grupi quhej “Mia Moglie” përkthyer në “Gruaja ime” dhe kishte nisur që në 2019-n pa asnjëlloj kufizimi për t’u bashkuar dhe numëronte 32 mijë anëtarë që ndanin qindra foto dhe komente seksiste.

Skandali ka ekspozuar një fenomen akoma më të rëndë në Itali, ku gratë mbeten viktimat kryesore të urrejtjes në rrjet, duke i bullizuar ato për pamjen e tyre fizike.

Qeveria e djathtë e drejtuar nga Giorgia Meloni po përballet me presion të fortë nga opozita. Ata i kanë kërkuar kryeministrisë të marrë masa direkte kundër mentalitetit patriarkal që i trajton gratë si objekte dhe instrumente.

Roberta Mori nga Partia Demokratike në Itali thotë se incidenti nuk është i izoluar, por një nga shumë rastet e dhunës digjitale që buron nga kultura patriarkale, si rasti i Gisele Pelicot në Francë, e cila ishte përdhunuar prej shumë vitesh nga bashkëshorti dhe shokët e tij.

Qeveria italiane nuk ka dhënë asnjë koment.

Aktivistët që kanë denoncuar grupin e quajnë një “përdhunim virtual në grup”. Policia italiane ka regjistruar rreth 2.800 ankesa për këtë rast.

“Kemi marrë një numër tepër të lartë ankesash, nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha Barbara Strappato, zv/drejtoreshë e Policisë Postare. “Nuk kishte asnjë autorizim për përdorimin e imazheve intime.”

Autoritetet italiane thanë se nuk e dinin saktësisht për sa kohë burrat e kishin përdorur grupin për të shkëmbyer fotografi. Por fakti që grupi qëndroi aktiv për gjashtë vjet, pavarësisht ndalimit të qartë të Metës për imazhet shfrytëzuese seksuale, ngre pikëpyetje në lidhje me aftësinë e tij për të zbatuar rregullat.

Meta në fillim të këtij viti zbuti disa nga politikat e saj të moderimit të përmbajtjes për të qetësuar administratën Trump, pavarësisht thirrjeve nga grupet e të drejtave civile për më shumë përmbajtje policore.

Marisa Marraffino, një avokate e specializuar në çështjet penale në internet, tha se anëtarët e grupit që shpërndanin foto intime ose komentonin mbi to, mund të përballen me akuza penale të dënueshme deri në gjashtë vjet burg.

Veprat e mundshme përfshijnë ndarjen e paligjshme të imazheve intime – ose pornografi hakmarrëse – shkelje të privatësisë, shpifje të rënduara dhe pornografi për fëmijë, tha Marraffino.

Sipas ligjit italian, gratë kanë gjashtë muaj kohë për të ngritur akuza kundër autorëve të mundshëm të pornografisë hakmarrëse, tha ajo, duke shtuar se “mund të rezultojë në një gjyq maksimal që përfshin mijëra familje”./FinancialTimes

The post Tronditet Italia, zbulohet grupi i burrave që shpërndanin foto intime të grave të tyre appeared first on Gazeta Si.

Tiranë, 37-vjeçari qëllohet me armë zjarri teksa lëvizte me makinë

Gazeta Si – Një konflikt për motive të dobëta mes dy personave, ka precipituar me përdorimin e armëve të zjarrit në Tiranë, ku një 37-vjeçar është qëlluar teksa lëvizte me automjetin e tij.

Ngjarja ka ndodhur këtë të premte, 22 gusht, rreth orës 12:10, kur janë regjistruar të shtëna me arme pranë zonës së Kombinatit në rrugën “Petraq Leka”.

Sipas policisë, në një informacion paraprak, thuhet se nuk ka asnjë të lënduar. Sakaq, autori i ngjarjes është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Dyshohet se mes tyre ka pasur një konflikt.

“Rreth orës 12:10, në rrugën “Petraq Leka” dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, është qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit me të cilin po lëvizte shtetasi E. K., 37 vjeç. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes, gjeneralitet e të cilit nuk jepen, për shkak se hetimi vijon. Po punohet intensivisht për dokumentimin e rrethanave të rastit si dhe kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes”, njofton policia.

The post Tiranë, 37-vjeçari qëllohet me armë zjarri teksa lëvizte me makinë appeared first on Gazeta Si.

Tre turiste italiane vjedhin bizhuteri dhe suvenire në mes të Ksamilit (video)

Gazeta Si – Një turiste 21-vjeçare italiane u arrestua dhe dy mikesha të saj janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë vjedhur bizhuteri dhe suvenire në tendat e vendosura në zonën pranë pedonales së Ksamilit.

Policia e Sarandës thotë se u arrestua në flagrancë 21-vjeçarja italiane M.D., ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë bashkëpunëtoret e saj, G.D., 18 vjeçe dhe G.C., 22 vjeçe.

Dyshohet se 3 italianet, më 21 gusht 2025, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë vjedhur sende me vlerë, bizhuteri, parfume dhe suvenire, nga stendat në zonën e pedonales së Ksamilit. Vlera e tyre arrin rreth 150 mijë lekë.

“Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, më datë 21.08.2025, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë kryer vjedhje të sendeve të ndryshme (bizhuteri, parfume dhe suvenire), të vendosura në stenda, në zonën e bulevardit të Ksamilit, me vlerë rreth 150 000 lekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pjesë e sendeve të vjedhura”, – njofton Policia e Sarandës.

The post Tre turiste italiane vjedhin bizhuteri dhe suvenire në mes të Ksamilit (video) appeared first on Gazeta Si.

Kostot ekonomike dhe politike të urisë në Gaza

Nga Gazeta ‘Si’– Fjalët dhe fotografitë që dokumentojnë urinë në Rripin e Gazës janë të tmerrshme.

Mbulimi i ngjarjes ka çuar në debate të ashpra dhe shpesh të gabuara nëse ka zi buke dhe kush është fajtor për të – më së fundmi e ilustruar nga polemika rreth një fotografie të botuar nga New York Times të një fëmije të dobësuar i cili vuan gjithashtu nga një gjendje shëndetësore.

Ndërsa fotografitë dhe fjalët mund të çorientojnë, numrat zakonisht nuk e bëjnë.

Ekonomisti indian, fitues i çmimit Nobel, Amartya Sen, vërejti disa dekada më parë se zitë e bukës janë gjithmonë ngjarje politike dhe ekonomike, dhe se mënyra më e drejtpërdrejtë për t’i analizuar ato është të shohim sasitë dhe çmimet e ushqimit.

Kjo ka çuar në dekada të tëra kërkimesh mbi zitë e bukës në të kaluarën. Një vëzhgim është se rritjet dramatike të çmimeve të ushqimeve nënkuptojnë gjithmonë se ka zi buke, edhe pse jo çdo zi buke shoqërohet me rritje të kostove të ushqimit.

Rritjet e çmimeve që kemi parë në Gaza janë të pashembullta.

Historiani ekonomik Yannai Spitzer vërejti në gazetën izraelite Haaretz se çmimet e ushqimeve bazë gjatë Urisë së Patateve në Irlandë treguan një rritje tre deri në pesëfish, ndërsa pati një rritje dhjetëfish gjatë Urisë së Madhe të Bengalit të vitit 1943. Në urinë e Koresë së Veriut të viteve 1990, çmimi i orizit u rrit 12-fish. Të paktën një milion njerëz vdiqën nga uria në secilën prej këtyre ngjarjeve.

Tani, Neë York Times ka raportuar se çmimi i miellit në Gaza është rritur 30-fish dhe patatet kushtojnë 50 herë më shumë.

Bllokada ushqimore e Izraelit

Ashtu siç ishte rasti i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në Irlandë në vitet 1840 dhe në Bengal në vitet 1940, Izraeli është përgjegjës për këtë zi buke sepse kontrollon pothuajse të gjithë Rripin e Gazës dhe kufijtë e tij. Por Izraeli gjithashtu ka krijuar kushtet për zinë e bukës.

Pas një politike të qëllimshme në mars për të ndaluar hyrjen e ushqimit, ajo rifilloi shpërndarjen e ushqimit në maj përmes një grupi shumë të kufizuar “stacionesh” që krijoi përmes një organizate të re të mbështetur nga SHBA-ja (Fondacioni Humanitar i Gazës), në një sistem që dukej i projektuar të dështonte.

Përpara vendimit të Izraelit në mars për të ndaluar importimin e ushqimit, çmimi i miellit në Gaza ishte pak a shumë në nivelet e paraluftës (duke arritur kulmin më parë në vitin 2024 në një raund tjetër mbylljesh kufitare). Që nga marsi, çmimet e ushqimeve janë rritur me një normë vjetore inflacioni prej më shumë se 5.000%.

Justifikimi që jep qeveria izraelite për politikën e saj të urisë është se Hamasi kontrollon popullsinë duke kufizuar furnizimin me ushqim. Ajo fajëson Hamasin për çdo mungesë ushqimi.

Megjithatë, nëse doni ta çarmatosni një armik nga aftësia e tij për të përdorur furnizimet ushqimore si armë duke i racionuar ato, mënyra e dukshme për ta bërë këtë është e kundërta: do ta rrisni ndjeshëm furnizimin me ushqim dhe kështu do ta ulni çmimin e tij.

Kufizimi i furnizimeve dhe rritja e vlerës së tyre është kryesisht imorale dhe kriminale, por është gjithashtu kundërproduktive për qëllimet e deklaruara të Izraelit. Në të vërtetë, përmbytja e Gazës me ushqime do të kishte arritur shumë më tepër në dobësimin e Hamasit sesa politika e urisë që ka zgjedhur qeveria izraelite.

Zyrtari më i lartë i ndihmës humanitare i OKB-së e ka përshkruar vendimin e Izraelit për të ndaluar ndihmën humanitare për të ushtruar presion mbi Hamasin si “ndëshkim kolektiv mizor” – diçka e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.

Pasojat afatgjata të urisë

Cormac Ó Gráda, historiani irlandez i ekonomisë që merret me zitë e bukës, citon një proverb të Kashmirit që thotë “uria ikën, por njollat ​​mbeten”.

Uria aktuale në Gaza do të lërë dhimbje afatgjatë për banorët e Gazës dhe një njollë morale të qëndrueshme në Izrael – për shumë breza. Ó Gráda thekson dy mënyra kryesore se si pasojat e urisë vazhdojnë. Më e dukshmja është kujtesa e vazhdueshme e saj; e dyta janë efektet e drejtpërdrejta në mirëqenien afatgjatë të popullatave të ekspozuara dhe pasardhësve të tyre.

Irlandezët dhe indianët nuk i kanë harruar zitë e bukës që i prekën. Ata ende e urrejnë qeverinë britanike për veprimet e saj. Kujtimi i këtyre zive të bukës ende ndikon në marrëdhëniet midis Irlandës, Indisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ashtu si zia e bukës në Ukrainë në fillim të viteve 1930 është ende një sfond i luftës Ukrainë-Rusi.

Ndikimi brez pas brezi është gjithashtu i rëndësishëm. Disa studime në Kinë zbulojnë se fëmijët e ngjizur gjatë zisë së madhe të bukës së Kinës në vitet 1959-1960 (e cila vrau gjithashtu miliona njerëz) janë më pak të shëndetshëm , përballen me më shumë sfida të shëndetit mendor dhe kanë aftësi më të ulëta njohëse sesa ata të ngjizur para ose pas zisë së bukës.

Studiues të tjerë gjetën prova të ngjashme nga zitë e bukës në Irlandë dhe Holandë , duke mbështetur atë që njihet si hipoteza e ” origjinës fetale “, e cila propozon që periudha e shtatzënisë ka ndikime të rëndësishme në shëndet në moshë madhore. Edhe më shqetësuese është se hulumtimet e fundit tregojnë se këto efekte të dëmshme mund të transmetohen te brezat e mëvonshëm përmes kanaleve epigjenetike .

Çdo ditë pa furnizime ushqimore të disponueshme dhe të arritshme do të thotë efekte më serioze të vazhdueshme për popullin e Gazës dhe pengjet civile izraelite që mbahen ende nga Hamasi – si dhe për brezat e mëvonshëm.

Dështimi për të parandaluar urinë do të vazhdojë në kujtesën kolektive si një njollë morale për bashkësinë ndërkombëtare, por kryesisht për Izraelin. Vetëm përmbytja e menjëhershme e Rripit të Gazës me ndihma ushqimore mund të ndihmojë tani.

Burimi: The Conversation/Përshtati Gazeta Si

The post Kostot ekonomike dhe politike të urisë në Gaza appeared first on Gazeta Si.

Arrestohet vajza e këngëtares Eli Fara, kapet me kokainë në Tiranë

Gazeta Si – Vajza e këngëtares së njohur, Eli Fara është arrestuar në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, Roxhensa Kapurani, 39-vjeçe, u kap me kokainë një ditë më parë në zonën e Vorës pranë Tiranës.

Gjatë kontrollit që policia ka ushtruar në makinën e saj, ka gjetur kokainë, sasia e së cilës ende nuk bëhet me dije.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, arrestuan, R.K., 39 vjeçe, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë i gjetën një sasi të dyshuar narkotike kokaine”, njoftoi Policia e Tiranës.

The post Arrestohet vajza e këngëtares Eli Fara, kapet me kokainë në Tiranë appeared first on Gazeta Si.

Turistëve të huaj u ikën interesi për Shqipërinë. Shqiptarët po pushojnë jashtë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Shifrat e turizmit për sezonin veror 2025 tregojnë një panoramë jo fort entuziaste.

INSTAT raporton, se në korrik të këtij viti janë regjistruar vetëm 0.4% më shumë të huaj se një vit më parë, ose 1.8 mln.

Në total, gjatë korrikut në Shqipëri raportohen 2.6 mln hyrje, me një rritje modeste prej 1.5% nga korriku i shkuar, kur rritja ishte 2.7%. Në shumicën e rasteve qëllimi i hyrjeve në Shqipëri është për pushime, por treguesi është rritur me vetëm 0.2% nga një vit më parë.  

Vizitorët nga Europa zënë 95% të hyrjeve të regjistruara, kryesisht Europa jugore. Në tendencë rritëse janë edhe vizitorët nga SHBA, Afrika e Azia.

INSTAT raporton një rritje të ndjeshme të shqiptarëve që kanë dalë nga vendi gjatë këtij muaji, 11%, përkthyer në 782 mijë. Korrikun e shkuar ky tregues ishte 1.7%.

Sezoni 2025, ndonëse nuk ka përfunduar ende është përshkruar si i zbehtë nga operatorët dhe turistët, ndryshe nga dy vitet paraardhëse. Për bizneset dhe qytetarët, problemet e shumta në infrastrukturë, fasilitete dhe informaliteti po mbajnë “peng” potencialin turistik të Shqipërisë.

Gjithsesi, Shqipëria vazhdon të dominojë listat e mediave botërore si një ndër vendet që duhet të vizitohet.

The post Turistëve të huaj u ikën interesi për Shqipërinë. Shqiptarët po pushojnë jashtë! appeared first on Gazeta Si.

Florida, një gjykatëse urdhëron mbylljen e burgut ‘Alligator Alcatraz’ të planifikuar nga Trump

Gazeta Si – Një gjyqtare federal në Florida ka urdhëruar mbylljen e pjesshme të qendrës së diskutueshme të paraburgimit të emigrantëve “Alligator Alcatraz” dhe i ka ndaluar shtetit të pranojë të burgosur të rinj.

Vendimi i gjyqtares Kathleen Williams kërkon gjithashtu heqjen, brenda 60 ditëve, të gjeneratorëve, gazit dhe sistemeve të kanalizimeve të instaluara për projektin, si dhe të gardheve të përkohshme për t’i lejuar fisit “Miccosukee” qasje në zonë siç ishte para ndërtimit të kampit.

Qendra, e ndërtuar gati dy muaj më parë, aktualisht strehon disa qindra të burgosur, por mund të zgjerohet në 3,000.

Organizatat mjedisore e mirëpritën vendimin, duke theksuar rrezikun për Everglades dhe speciet e rrezikuara të zonës, me dëme “të pariparueshme” për habitatin lokal.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare e kishte paraqitur “Alligator Alcatraz” si një strukturë shtetërore model për ndalimin e emigrantëve pa dokumente.

The post Florida, një gjykatëse urdhëron mbylljen e burgut ‘Alligator Alcatraz’ të planifikuar nga Trump appeared first on Gazeta Si.

Rama kritika gjyqtarit Demiri: Bllokoi çlirimin e një ‘toke të xanun’! 

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama nuk kursen sërish kritikat ndaj një tjetër gjyqtari të Gjykatës Administrative të Tiranës.

Kësaj radhe reagimi vjen për gjyqtarin Klarent Demiri, të cilin Rama e akuzoi se ka penguar ekzekutimin e vendimit për çlirimin e një hapësirë publike të zaptuar nga një lokal në kryeqytet, të cilin e ka ndarë edhe me foto.

Gjyqtarin e akuzon se vendimi i tij ka rënë ndesh me interesin publik dhe zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë 2030 në BE. Ai paralajmëroi se rasti i gjyqtarit Demiri do të ndiqet në të njëjtën mënyrë si ai Gjelit dhe Balliut, duke iu drejtuar organeve të pavarura të kontrollit të gjyqësorit.

Rama shtoi se pret nga këto institucione të dalin nga “zona e komfortit”, duke treguar përkushtim dhe kurajë në zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?

Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE

Një gjë është pak po e sigurtë:

Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut

Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre”, shkruan Rama.

The post Rama kritika gjyqtarit Demiri: Bllokoi çlirimin e një ‘toke të xanun’!  appeared first on Gazeta Si.

Zbulimi i testamentit të humbur rihap luftën për trashëgiminë e William Shakespeare

Nga Gazeta “SI”- Një testament që ka qenë i humbur për më shumë se 150 vjet dhe që ndodhej në qendër të një beteje të ashpër ligjore nga familja e William Shakespeare mbi pronësinë e shtëpisë së fundit të dramaturgut, është zbuluar në një kuti të paetiketuar në Arkivin Kombëtar.

Dokumenti origjinal i vitit 1642 u hartua nga Thomas Nash, i cili ishte i martuar me mbesën e Shekspirit, Elizabeth Hall. Në të ai ia linte New Place e konsideruar si shtëpia e dytë më e madhe në Stratford-upon-Avon ,kushëririt të tij Edward Nash.

Megjithatë, pas vdekjes së Thomas-it në vitin 1647, vajza e Shekspirit, Susanna Hall, dhe mbesa e tij Elizabeth, e veja e Thomas-it, refuzuan ta zbatonin testamentin, duke pretenduar se vetë testamenti i Shekspirit kishte përcaktuar që prona t’u takonte atyre dhe se Thomas nuk kishte të drejtë ta linte me testament.Si pasojë, Edward paditi Elizabeth-ën në gjykatën e kancelarisë për të kërkuar pronën e çmuar.

Testamenti i Nash u rizbulua tani në një kuti dokumentesh të kancelarisë së shekullit XVII dhe më herët, nga Dr. Dan Gosling, specialist i dokumenteve ligjore në Arkivin Kombëtar.

“Ishte një zbulim i jashtëzakonshëm,” tha Gosling, i cili po shfletonte kutitë që nuk kishin katalog, data apo përshkrim.

Dokumenti ishte i njohur në mesin e shekullit XIX pasi ishte parë nga një studiues i Shekspirit kur mbahej në kapelën Rolls. Më pas, gjatë riorganizimit të dokumenteve, përfundoi në kutinë e paetiketuar.

“Nuk ishte regjistruar dhe pastaj mbeti aty për rreth 150 vjet,” tha Gosling. Shekspiri bleu New Place, një banesë trekatëshe prej druri dhe tulle, për 60 £ në vitin 1597 dhe jetoi aty deri në vdekjen e tij më 1616. Ajo kishte 10 oxhaqe, pesë kulme madhështore dhe oborre aq të mëdha sa të përfshinin dy hambarë dhe një kopsht.

Thomas Nash e hartoi testamentin ndërsa jetonte në New Place me Susanna-n dhe Elizabeth-ën. Edhe pse testamenti i Shekspirit ia kishte lënë tokën dhe pronën vajzës e mbesës së tij, “është e mundur që Thomas Nash e bëri këtë testament me mendimin se do të mbijetonte si Susanna-n, ashtu edhe Elizabeth-ën,” tha Gosling.



“Por në të vërtetë ai vdiq në vitin 1647, shumë i ri. Elizabeth ishte vetëm 39 vjeçe dhe më pas u rimartua. Susanna vdiq në vitin 1649.”

Susanna dhe Elizabeth hartuan një marrëveshje pronësore për të konfirmuar të drejtat e tyre. “Më pas Edward Nash e çon Elizabeth-ën në gjyq. Ai argumenton se testamenti i Thomas Nash ishte vërtetuar në gjykatën e pronës së Canterbury-t, dhe se Elizabeth, si vejë dhe ekzekutore, kishte për detyrë ta zbatonte dhe t’ia jepte New Place Edward Nash-it.”

Elizabeth u paraqit në gjykatën e kancelarisë për të shpjeguar se toka dhe prona i ishin dhënë asaj dhe nënës së saj nga “gjyshi im William Shakespeare”. Si pjesë e procesit ajo u detyrua të paraqiste testamentin e Thomas-it, gjë që bëri që dokumenti të përfundonte në arkivat e kancelarisë, që tani ruhen në Arkivin Kombëtar.

Rezultati i gjyqit nuk është i qartë, por, sipas Gosling, duket se Edward nuk e fitoi kurrë pronën. Kur Elizabeth vdiq më 1670, pa pasur fëmijë dhe duke i dhënë fund vijës së drejtpërdrejtë të pasardhësve të Shekspirit, ajo në testamentin e saj i dha Edward-it të drejtën për të blerë New Place.

“Ajo përdor fjalët ‘sipas premtimit që i kisha bërë më parë’, gjë që tregon se ka pasur marrëveshje verbale,” tha Gosling. Në fund nuk ka asnjë dëshmi që Edward të ketë qenë pronar i New Place, e cila kaloi tek familja e pasur Clopton pas vdekjes së Elizabeth dhe u shkatërrua në vitin 1702.

“Është një zbulim me shumë fat,” tha Gosling. “Rasti i kancelarisë dihej nga disa studiues të Shekspirit dhe përmendet në disa histori të Shekspirit, por gjithmonë duke iu referuar zbulimit të testamentit në shekullin XIX.”

Tani dokumenti origjinal është regjistruar, kataloguar dhe i hapur për publikun për herë të parë pas më shumë se një shekulli.

Burimi:The Guardian

The post Zbulimi i testamentit të humbur rihap luftën për trashëgiminë e William Shakespeare appeared first on Gazeta Si.

Kënaqësia financiare e shqiptarëve më e ulëta në Europë

Nga Gazeta ‘SI’ – Kënaqësia financiare e shqiptarëve është e ulët , duke u rreshtuar krahë shteteve në nivelet minimale.

4.8 vlerësohet kënaqësia financiare në Shqipëri nga 10 që është maksimumi. Kjo është norma më e ulët e raportuar pas 4.6, që ka Turqia dhe Bullgaria.

Eurostat sqaron se niveli i kënaqësisë nuk lidhet vetëm me nivelin e të ardhurave, por edhe me moshën dhe përbërjen e familjes. Të rinjtë shprehen më të kënaqur dhe ata që jetojnë në familje me të paktën dy të rritur.

Finlanda dhe vendet e tjera skandinave raportojnë kënaqësi të lartë financiare, maksimumi i regjistruar, 7.6.

Nga viti 2013 deri në vitin 2022, kënaqësia e njerëzve me gjendjen e tyre financiare u rrit në shumicën e vendeve të BE-së. Përjashtim bënë Danimarka, Luksemburgu dhe Suedia, ku ra pak, dhe Franca dhe Finlanda, që mbeti në vend.

The post Kënaqësia financiare e shqiptarëve më e ulëta në Europë appeared first on Gazeta Si.

Arbër Veliaj në SPAK për të dytën ditë radhazi, dorëzon dokumente në BKH (video)

Gazeta Si – Për të dytën ditë me radhë, Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Ndryshe nga të enjten, 21 gusht, ku qëndroi rreth 4 orë në SPAK, vizita e kësaj të premteje gjati vetëm gjysmë ore, ndërsa dorëzoi disa dokumente shtesë te agjentët e BKH-së.

Gazetarët i drejtuan pyetjen: “A u paraqitët edhe sot vullnetarisht?”, por Arbër Veliaj zgjodhi të mos përgjigjej, ndërsa një ditë më parë tha se kishte shkuar vullnetarisht për të sqaruar pozicionin e tij ne lidhje me hetimet, ku është pandehur kryebashkiaku i Tiranës dhe njëkohësisht vëllai i tij.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se ai ka dorëzuar disa dokumente tek hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas materialeve hetimore, emri i Arbër Veliaj përmendet në disa episode të dosjes së SPAK që lidhen me lëvizje financiare të dyshimta të vëllait dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, të cilat ngrejnë dyshime për përfshirje në pastrim parash.

Pak javë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi ankimimin e Arbër Veliajt, për kontrollet e kryera nga SPAK në dhjetor 2024, në banesat e tij apo biznese.

Ndërkohë, më 25 maj, Gjykata e Lartë pranoi rekursin e paraqitur nga Arbër Veliaj dhe vendosi që çështja të rikthehej për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, tek i njëjti trup gjykues.

Më 23 korrik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i arrestuar në 10 shkurt 2025, u shpall zyrtarisht i pandehur për disa akuza të rënda, ndërsa pak ditë më parë i ka drejtuar GJKKO-së kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së hetimeve të kryera nga SPAK.

The post Arbër Veliaj në SPAK për të dytën ditë radhazi, dorëzon dokumente në BKH (video) appeared first on Gazeta Si.

Arrestohet punonjësi i Gardës, kanosi me armën e shërbimit kushëririn e tij

Gazeta Si – Një punonjës i Gardës së Republikës është arrestuar, pasi ka kërcënuar të afërmin e tij me armën e shërbimit.

Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në pranga ka rënë Inspektori E.K., i cili u përfshi në një konflikt me të afërmin e tij, I.K., pranë banesës së tij për motive të dobëta.

Për shkak të këtij konflikti, ai nxorri armën e shërbimit, por pa qëlluar. Punonjësi i Gardës do të hetohet për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës së Shqipërisë, Inspektor E. K., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

The post Arrestohet punonjësi i Gardës, kanosi me armën e shërbimit kushëririn e tij appeared first on Gazeta Si.

Shtrenjtë dhe larg! Shqipëria ka numrin më të lartë të të sëmurëve që nuk marrin trajtim shëndetësor

Nga Gazeta ‘SI’ – Kostot e larta financiare apo distanca gjeografike, i ka detyruar shqiptarët të mos I shkojnë pas nevojave shëndetësore.

Sipas gjetjeve të Eurostat, Shqipëria ka numrin më të lartë në Europë, të qytetarëve që kanë lënë shëndetin e tyre pas dore, 15.2%. 10.2% e tyre përmendin kostot ose udhëtimet e largëta si arsye e mosndjekjes së problmeve shëndetësore. 5% përmendin “arsye të tjera” ku përfshihen mungesa e kohës, e informacioneve apo frika ndaj spitaleve dhe mjekëve.

Në Bashkimin Europian, përqindja e njerëzve që nuk kanë plotësuar nevojat shëndetësore raportohet 3.8%. Qipro raporton nivelin më të ulët të këtij problemi, 0.1%. Në BE, 2 arsyet kryesore më të zakonshme për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në 2024 ishin për shkak të listave të pritjes ose se ishte shumë e shtrenjtë.

Eurostat ndan edhe grupmoshat që kanë shmangur kontrollet shëndetësore në Shqipëri, ku vendin e parë e zënë pensionistët, ata mbi 65 vjeç, 15% e të cilëve nuk kanë marrë trajtim apo kujdes për shëndetin.

Në norma të larta janë edhe personat e moshës së mesme, 45-64 vjeç, 14% e të cilëve nuk janë trajtuar dhe rreth 8% e të rinjve, grupmoshës 16-44 vjeç.

Shifrat e Eurostat i referohen vitit 2024, matur sipas personave që kanë pasur nevojë për trajtim shëndetësor.

The post Shtrenjtë dhe larg! Shqipëria ka numrin më të lartë të të sëmurëve që nuk marrin trajtim shëndetësor appeared first on Gazeta Si.

❌