Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Britania pret grupin e parë të fëmijëve të plagosur palestinezë

Një grup prej 30 deri në 50 fëmijësh palestinezë, të sëmurë rëndë dhe të plagosur, do të evakuohen nga Gaza në Britaninë e Madhe për trajtim mjekësor në javët e ardhshme.

Ata do të jenë të parët që do të pranohen si pjesë e një operacioni të koordinuar nga qeveria laburiste e Keir Starmer, e koordinuar nga Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë.

Fëmijët do të udhëtojnë me familjet e tyre. Vendimi erdhi pasi 96 deputetë të Westminster nga parti të ndryshme i shkruan një letër kryeministrit Starmer duke i kërkuar atij të transferonte fëmijët pa vonesë në ishull.

Korçë/ Dhunuan autorin e plagosjes me thikë në Dvoran, Gjykata liron 4 të arrestuarit! Për Aleks Qiqin masa do jepet në spital

Dalin para Gjykatës së Korçës 4 personat e arrestuar pas ngjarjes së plagosjes së 27-vjeçarit në fshatin Dvoran (Mollaj).

Gjykata ka caktuar masën detyrim paraqitje për 3 prej të arrestuarve, ndërsa për njërin prej tyre u vendos të hetohet në gjendje të lirë.

Konkretisht në masë detyrim paraqitje u lanë Isuf Dalip, Dhimitër Kodra dhe Bilal Shkëmbi, ndërsa në gjendje të lirë do hetohet Thanas Paskali.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konkluduar se Aleks Qiqi u plagos lehtë nga katër të arrestuarit, pak pasi sulmoi dhe goditi me thikë Ari Kodrën, që mori plagë në shpatull dhe shumë pranë zemrës.

Këta të fundit akuzohen se pasi Qiqi plagosi me thikë 27 vjeccarin Ari Kodra, reaguan duke e goditur.

Sa i përket masës së autorit të plagosjes, mësohet se ajo do të zhvillohet në ambientet e spitalit rajonal të Korçës, për shkak se autori është duke marrë ende ndihmë mjekësore.

Qiqi ishte person me precedentë të shumtë penalë për plagosje dhe drogë, në Shqipëri dhe në Greqi, ku jetonte herë pas here. Së fundmi ishte arrestuar dhe dënuar për drogë, teksa ishte liruar nga burgu disa javë më parë.

Të dy personat kanë qenë në të njëjtën tavolinë lokali bashkë me persona të tjerë dhe pas ngacmimeve me fjalë Qiqi ka shkuar në shtëpi për të marrë thikën, duke plagosur Kodrën. Në këto momente personat e tjerë sulmuan Qiqin me grushte e shkelma, duke e dëmtuar lehtë.

50.000 trupa tokësore në Ukrainë nëse arrihet një armëpushim

Vendet evropiane janë të përgatitura të vendosin 50.000 trupa tokësore në Ukrainë nëse arrihet një armëpushim, raportoi e përditshmja finlandeze Iltalehti, duke cituar burime të politikës së jashtme dhe të sigurisë, transmeton Anadolu.

Në lajm thuhet se është hartuar tashmë një plan operativ për të dërguar një forcë të tërë ushtarake, të komanduar nga një gjeneral perëndimor, si pjesë e një garancie sigurie për Kievin.

Vendosja e trupave do të kryhet nën “Koalicionin e të Gatshmëve”, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Prania e 50.000 ushtarëve perëndimorë do të shërbente si një pengesë, tha lajmi, duke parandaluar në mënyrë efektive Rusinë nga vazhdimi i pushtimit të saj.

Forca do të mbështetet nga njësitë ajrore dhe detare aleate, duke siguruar mbrojtjen e hapësirës ajrore ukrainase.

Përderisa Ukraina mund të ruajë sovranitetin e saj politik edhe nëse humbiste territor, plani i raportuar synon t’i ofrojë Kievit një ombrellë të besueshme sigurie në rast të një armëpushimi, raportoi e përditshmja.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit viziton pikën kufitare të Gazës, refuzon vizionin e “Izraelit të Madh”

Ministri i Jashtëm i Egjiptit refuzon deklaratat zyrtare izraelite në lidhje me të ashtuquajturin “Izrael të Madh”, gjatë vizitës së tij në pikën kufitare Rafah me Rripin e Gazës të bllokuar. “Refuzojmë çdo zhvendosje palestineze nga Gaza”, tha Badr Abdelatty në një konferencë për media ndërsa vizitoi pikën kufitare Rafah me kryeministrin palestinez Mohammad Mustafa.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i tha një kanali lajmesh se ndihet “shumë i lidhur” me vizionin e një “Izraeli të Madh”. Ai tha se e konsideron veten “në një mision historik dhe shpirtëror” të cilin “breza hebrenjsh që ëndërruan të vinin këtu dhe breza hebrenjsh që do të vijnë pas nesh”.

“Izraeli i Madh” është një term biblik i përdorur në politikën izraelite për t’iu referuar zgjerimit të territorit të Izraelit për të përfshirë Bregun Perëndimor, Gazën, Lartësitë e Golanit të Sirisë, Gadishullin Sinai të Egjiptit dhe pjesë të Jordanisë.

Abdelatty tha se ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari po punojnë për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve midis Hamasit dhe Izraelit. “Qëndrimi ynë mbi çështjen palestineze është i vendosur dhe i pandryshueshëm. Përsërisim refuzimin tonë të të gjitha politikave që synojnë likuidimin e kauzës palestineze”, shtoi ai.

Një fëmijë midis 8 të vrarëve në sulmet izraelite në Rripin e Gazës

Ushtria izraelite vrau 8 palestinezë, përfshirë 1 fëmijë, në sulmet e reja që shënjestruan të hënën zonat veriore dhe qendrore të Rripit të Gazës, sipas mjekëve. Burime mjekësore i thanë Agjencisë Anadolu se 3 persona, përfshirë 1 vajzë të vogël, u vranë në një sulm izraelit ndaj një ndërtese që strehonte civilë të zhvendosur në qytetin lindor të Gazës.

Ushtria izraelite goditi një ndërtesë tjetër përballë Spitalit Al-Shifa në qytetin perëndimor të Gazës, duke plagosur civilë. Një peshkatar palestinez u vra dhe vëllai i tij u plagos kur forcat izraelite qëlluan në varkën e tyre në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës. Ushtria izraelite gjithashtu shkatërroi një shtëpi me kurthe minash ndërsa vazhdoi bombardimet me artileri dhe sulmet ajrore në lagjet Zeitoun dhe Sabra.

Trupi i një gruaje palestineze u transferua në Spitalin Al-Awda pasi ushtria izraelite bombardoi kampin e refugjatëve Nusairat në Rripin qendror të Gazës. Disa të tjerëve u plagosën gjithashtu në sulm, njoftoi administrata e spitalit në një deklaratë. Gjithashtu 3 persona të tjerë u vranë nga aeroplanët izraelitë kur shënjestruan një tubim civilësh në kampin e refugjatëve Bureij, në Gazën qendrore.

Ushtria izraelite hapi zjarr ndaj civilëve që prisnin shpërndarjen e ndihmave në rrugën Salah al-Din, në jug të Wadi të Gazës, duke plagosur një numër palestinezësh. Javën e kaluar, Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi planin e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të ripushtuar plotësisht Gazën, duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe protesta vendase që paralajmëruan se kjo përbënte një “dënim me vdekje” për robërit izraelitë të mbajtur në enklavë.

Izraeli ka vrarë më shumë se 61.900 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri. Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

Gjendet 37-vjeçar i pajetë në banesë në Këlcyrë, dyshohet për…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Këlcyrë ku një 37-vjeçar është gjendur pa shenja jete në banesën e dajës së tij.

Dyshohet se viktima është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë.

Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Njoftim i Policisë:

Mbrëmjen e djeshme, është gjetur pa shenja jete, në banesën e dajës së tij, shtetasi A. S., 37 vjeç, i cili dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.    

Rama: Vijojnë punimet për Teatrin e ri Kombëtar, një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës

Vijon puna për Tatrin e ri Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet në Facebook, ndërsa shprehet se çdo ditë po punohet për t’i dhënë jetë një godine që sipas tij do të jetë një tjetër vepër arkitektonike e Tiranës dhe ikonë e artit dhe kulturës.

“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, ku punohet çdo ditë për t’i dhënë jetë një godine që do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës dhe ikonë e artit dhe kulturës mu në zemër të kryeqytetit”, shkruan Rama.

 

Berisha: Kjo qeveri vetëm vjedh dhe nuk zhdëmton, Thethi një krim shtetëror, do të ndëshkohen autorët

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër qeverinë për mënyrën si po trajtohen qytetarët e dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, duke e akuzuar për mosdëmshpërblim dhe shpërdorim të qëllimshëm të fondeve. Në një deklaratë publike, Berisha tha se “kjo qeveri vetëm vjedh dhe nuk zhdëmton”, duke sjellë si shembull mungesën e ndihmës reale për banorët e prekur nga tërmeti në Durrës, Laç, Kurbin, Lezhë dhe Tiranë.

Ai i garantoi banorët e zonave të prekura nga zjarret dhe banorët e Thethit se do të bëhet gjithçka për të kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve dhe kompensimin e plotë të viktimave. Sipas tij, edhe ndërhyrjet në Theth përbëjnë një “krim të mirëfilltë shtetëror”, pasi ndërtimet që janë dëmtuar ishin brenda zonave të lejuara dhe në pronat e qytetarëve.

“Do të bëjmë gjithçka që ndaj këtij krimi shtetëror të ndëshkohen autorët dhe të dëmshpërblehen viktimat,” deklaroi Berisha, duke e cilësuar të papranueshme që qeveria të përfitojë nga fatkeqësia për të shpërdoruar fondet publike.

Dëmet nga zjarret/ Berisha: Qëllimi im është që të ndërgjegjësoj qytetarët se meritojnë zhdëmtimin maksimal për këtë krim shtetëror

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se dëmet e shkaktuara nga zjarret masive në jug të vendit përbëjnë një “krim shtetëror”, për të cilin ai fajëson drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama si autor kryesor. Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se qëllimi i tij nuk është vetëm të ngrejë akuza, por të ndërgjegjësojë qytetarët e dëmtuar se kanë të drejtën ligjore dhe kushtetuese për dëmshpërblim të plotë nga shteti, për çdo dëmtim në banesa, tokë bujqësore, bagëti e pasuri të tjera.

Cili është qëllimi im sot para jush?
Është të mbroj interesat e qytetarëve të dënuar, sepse duke i njohur si një krim shtetëror, qeveria ka detyrimin ligjor dhe kushtetues për zhdëmtime maksimale, urgjente të të gjitha dëmit të bërë, në banesa, në bahçe, ullishte, bagëti dhe çdo gjë tjetër qindra e qindra fermerëve të dëmtuar.
Pra, sigurisht që, Edi Rama është përgjegjës kryesor dhe e them edhe njëherë, është autori kryesor i këtij krimi shtetëror.
Por nuk është ky qëllimi im kryesor, akuza në këtë rast, qëllimi im kryesor është të ndërgjegjësoj qytetarët e dëmtuar se në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, njohja e përgjegjësisë nga qeveria për krimin shtetëror, përbën detyrim madhor për t’iu përgjigjur zhdëmtimit maksimal të çdo fermeri, për çdo dëmtim në banesë, për çdo dëmtim fizik, për viktimat që u varrosën nga djegiet, për të plagosurit, për bagëtitë, për rrënjët e ullinjve, për pyjet, për bletët dhe çdo gjë tjetër.
Pra, kjo ishte një verë e një krimi monstruoz shtetëror.

Tentoi të kalonte kufirin me armë të ftohta dhe dy thika, procedohet shtetasi polak në Qafë Thanë

Një shtetas polak është proceduar në pikën doganore të Qafë Thanës, pasi gjatë kontrollit nga policia kufitare, në automjetin e tij u gjetën një pistoletë dhe armë të ftohta.

Bëhet me dije se 39-vjeçarit  iu sekuestruan një sëpatë, dy thika dhe katër radio dore në cilësinë e provës materiale.

Ai akuzohet për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Njoftim i Policisë:

 

 

Sherbimet e Policisë Kufitare në PKK Qafë Thanë, në dalje të RSh-së, gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit polak R. R., 39 vjeç, kanë gjetur 2 thika, 4 radio marrëse, 1 pistoletë me gaz dhe 1 sëpatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve për rastin, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 39-vjeçarin, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Tregu i aksioneve/ Evropa e pasigurt, sytë drejt takimit Trump-Zelensky

Tregjet evropiane të aksioneve kanë pasur një fillim të përzier, me indeksin e qëndrueshëm Stoxx 600 dhe një pamje të përzier midis indekseve kombëtare të referencës, ndërsa investitorët i mbajnë sytë te takimi i ardhshëm midis Trump dhe Zelensky.

Londra u hap me 0.2% rritje, Frankfurti me 0.19% rënie dhe Parisi ngeci në të njëjtin nivel (+0.08%).

Bankat janë të dobëta dhe po ndikojnë në tregje, me Commerzbank (-3.19%) që po humbet terren pas një uljeje nga analistët e Deutsche Bank. HSBC (-0.6%), Banco Santander (-0.9%) dhe BBVA (-0.9%) gjithashtu treguan dobësi.

Kamioni u përplas me automjetin, ndërron jetë një prej të plagosurve të aksidentit në Shkodër

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Shkodër–Bushat, në afërsi të kryqëzimit të Kryebushatit. Në aksident janë përfshirë një kamion dhe një autoveturë, të cilat janë përplasur me forcë, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të tre personave.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës nga autoambulanca.

Gjendja shëndetësore e tyre raportohet të jetë e rëndë, ndërsa mjekët po japin ndihmën e parë për stabilizimin e tyre. Në vendin e ngjarjes ndodhen edhe forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.

Sarandë: Përplasi këmbësorin dhe iku nga vendi i aksidentit, në pranga 21-vjeçari

Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Sarandës pasi ditën e djeshme duke drejtuar automjetin ka përplasur këmbësorin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Aktualisht 23-vjeçari i dëmtuar ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Njoftim i Policisë:

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan shtetasin
• E. T., 21 vjeç, banues në Mallakastër, pasi më datë 17.08.2025, në orën 22:00, në rrugën Ksamil–Pema e Thatë, duke drejtuar automjetin tip “Fiat”, ka përplasur këmbësorin F. A., 23 vjeç, banues në Ksamil, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. 23-vjeçari i dëmtuar ndodhet në Spitalin e Traumës, Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Humbja më e thellë në karrierën e Neymar, braziliani shpërthen në lot pas disfatës turpëruese me 6 gola! E pëson trajneri

Santosi pësoi një humbje të thellë 0-6 ndaj Vasco da Gamës në ligën braziliane, në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin Vila Belmiro.

Ky rezultat shënoi humbjen më të madhe në karrierën e Neymar Jr, i cili nuk kishte humbur më parë me një diferencë të tillë.

Ylli i ndeshjes ishte Filipe Coutinho, i cili shënoi dy gola dhe kontribuoi në një mbrëmje të vështirë për vendasit. Nejmar, i cili po përballet me rikthimin në formë pas një periudhe lëndimesh, nuk mundi të reagonte ndaj rezultatit dhe u shfaq i tronditur në fund të takimit. “Është një humbje e turpshme. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë. Tifozët kanë të drejtë të jenë të pakënaqur,” tha Neymar pas ndeshjes.

Humbja pati pasoja të menjëhershme për stolin e Santosit: trajneri Cuca u largua nga detyra menjëherë pas takimit, pas vetëm katër muajsh në drejtim të skuadrës. Drejtuesit e klubit vendosën se humbja ndaj Vasco da Gamës ishte një pikë kritike që kërkonte ndryshime të menjëhershme.

Santosi tani ndodhet në vendin e 15-të në tabelën e klasifikimit dhe po përballet me rrezikun e rënies nga kategoria. Trajneri i ri Jorge Sampaoli pritet të marrë drejtimin dhe të përpiqet të rikthejë stabilitetin në skuadër.

Delfinët vizitojnë bregdetin e Darzezës, pushuesit surprizohen nga pamjet e rralla

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në plazhin e Darzezës, ku disa delfinë janë shfaqur shumë pranë vijës bregdetare.

Pushuesit u surprizuan nga pamjet e rralla dhe nuk ngurruan t’i filmojnë teksa lëviznin lirshëm mes dallgëve.

Skena ka krijuar emocion dhe entuziazëm tek të pranishmit, të cilët i duartrokitën delfinët për “shfaqjen” e tyre të papritur. Sipas njohësve të faunës detare, prania e delfinëve në këto ujëra tregon një ekosistem të pastër dhe të shëndetshëm, duke e kthyer këtë episod në një lajm pozitiv për zonën bregdetare.

Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për kultivim kanabisi dhe vjedhje të energjisë elektrike, arrestohet 41-vjeçari në Elbasan, pritet ekstradimi në Spanjë

Një 41-vjeçar është arrestuar nga Policia me qëllim ekstradimi pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për kultivim të bimëve narkotile dhe vjedhje të energjisë elektrike.

Bëhet me dije se shtetasi E.B është ndaluar ndërkohë që qarkullonte mr automjet në fshatin Papër në Elbasan.

 

 

Njoftim i Policisë:

Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, kapën në rrugën e fshatit Papër, ndërkohë që qarkullonte me automjet, dhe arrestuan shtetasin E. B., 41 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Sabadellit, Spanjë, më datë 30.06.2025, ka lëshuar urdhër arresti, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit E. B.

Ina Zhupa kërkon dëmshpërblim të menjëhershëm për banorët e jugut: Vonesat po i detyrojnë të largohen

Deputetja Ina Zhupa, përfaqësuese e qarkut të Vlorës në Kuvend është drejtuar me një kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Bashkive Delvinë, Finiq, Konispol, Prefektit të Vlorës dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ajo kërkon ngritjen e menjëhershme të një grupi të përbashkët pune për evidentimin e dëmeve të zjarreve në Bashkitë Delvinë, Finiq, Konispol dhe marrjen e masave për dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur.

Zhupa argumenton se “Duke pasur parasysh përmasat e mëdha dhe dëmet kolosale që kanë sjell kërkoj që pa asnjë vonesë në shërbim të banorëve:
1. Të ngrihet një grup pune i përbashkët, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, së Ministrisë së Brendshme, të secilës nga bashkitë, përfaqësues tëprefektit të Qarkut dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
2. Të bëhet një proces evidentimi real dhe i shpejtë nëterren i dëmeve që la pas situata e zjarreve.
3. Të përgatitet një projektvendim që dëmshpërblen nëmënyrë të plotë sipas cmimeve të tregut të dëmeve të shkaktuara banorëve”

Deputetja demokrate shprehet se: “pamundësia financiare e buxheteve të këtyre bashkia nuk është dhe nuk mund të jetë justifikim për dëmshpërblimet e banorëve, në këtë rast janë institucionet qëndrore që do duhet të përgjigjen”.

Zhupa gjithashtu ka deklaruar gaditshmërinë e përfaqësuesve demokrat në këshillat bashkiak për të qënë pjesë e grupeve të punës për evidentimin e dëmeve me paanshmëri dhe korrektësi. Dhe vullnetin për të votuar cdo vendim për dëmshpërblimin e plotë dhe të shpejtë të banorëve tëprekur nga zjarret.

Zhupa shprehet se: Banorët nuk mund të braktisen në premtime boshe me thasë koncentratesh. Është detyrë e shtetit tju përgjigjet në këtë fatkeqësi për të cilën ata nuk kanë asnjë përgjegjësi.

Deklarata:

Si deputete e Qarkut të Vlorës, ju kam dërguar sot një kërkesë zyrtare ministrive të brendshme dhe të mbrojtjes për ngritjen e menjëhershme të grupi të përbashkët pune për evidentimin e dëmeve të zjarreve në Bashkitë Delvinë; Finiq; Konispol dhe marrjen e masave për dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur.

Duke pasur parasysh përmasat e mëdha dhe dëmet kolosale që kanë sjell kërkoj që pa asnjë vonesë në shërbim të banorëve:
1. Të ngrihet një grup pune i përbashkët, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, së Ministrisë së Brendshme, të secilës nga bashkitë, përfaqësues tëprefektit të Qarkut dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
2. Të bëhet një proces evidentimi real dhe i shpejtë nëterren i dëmeve që la pas situata e zjarreve.
3. Të përgatitet një projektvendim që dëmshpërblen nëmënyrë të plotë sipas cmimeve të tregut të dëmeve të shkaktuara banorëve.

Shpreh gaditshmërinë e përfaqësuesve tanë në këshillat bashkiak për të qënë pjesë e grupeve të punës për evidentimin e dëmeve me paanshmëri dhe korrektësi. Dhe vullnetin për të votuar cdo vendim për dëmshpërblimin e plotë dhe të shpejtë të banorëve të prekur nga zjarret.

Sic e parashikon ligji për “Mbrojtjen Civile” pamundësia financiare e buxheteve të këtyre bashkive nuk është dhe nuk mund të jetë justifikim për dëmshpërblimet e banorëve, në këtë rast janë institucionet qëndrore që do duhet të përgjigjen. Por fillimisht është evidentimi dhe nxjerrja e faturës financiare si detyrë e drejtpërdrejtë e grupit të punës, proces që nuk duhet vonohet.

Djegie e shtëpive, djegie e tokave bashkë me prodhimet e tyre bujqësore, djegie e ullishteve, djegie e bagëtive, e kanë kthyer jetesën e këtyre banorëve të pamundur për shkak se nuk kanë më asgjë. Banorët nuk mund të braktisen në premtime boshe me thasë koncentratesh. Është detyrë e shtetit tju përgjigjet në këtë fatkeqësi për të cilën ata nuk kanë asnjë përgjegjësi.

 

Berat/ Policia Rrugore intensifikon kontrollet, dy të arrestuar dhe mbi 600 masa administrative

Policia Rrugore e Beratit vijon monitorimet në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.=

Vëmendje e veçantë i është kushtuar mjeteve të cilët qarkullojnë me xhama të riveshur dhe shtetasve që drejtojnë mjetin, nën ndikimin e alkoolit.

Gjatë 2 javëve të fundit, janë arrestuar 2 shtetas, për drejtim të mjetit, në ndikimin e alkoolit. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi

Më tej, gjatë kësaj periudhe:

janë ndëshkuar administrativisht 2 drejtues mjeti, për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit;
janë ndëshkuar 194 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
janë ndëshkuar 36 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
janë ndëshkuar 57 drejtues motomjetesh, për mosvendosjen e kaskave mbrojtëse;
janë ndëshkuar 10 drejtues mjetesh, për shpejtësi mbi normat e lejuara;
janë ndëshkuar 410 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;
janë ndëshkuar 183 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut.

Policia Rrugore e Beratit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Thirri në banesë për seks me pagesë, por e grabiti – 49-vjeçarja në kërkim, ishte në ‘arrest shtëpie’

Ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, i ofroi marrëdhënie seksuale, kundrejt pagesës, një 44-vjeçari, dhe bashkëpunoi me një 40-vjeçar, i cili i mori me dhunë 44-vjeçarit, celularin dhe një shumë parash, shpallet në kërkim 49-vjeçarja.

Vihet në pranga 40-vjeçari, gjithashtu me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale të kryer më parë, në bashkëpunim me 49-vjeçaren.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin R. L., 40 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, dhe shpallën në kërkim shtetasen A. H., 49 vjeçe, banuese në Durrës. 49-vjeçarja, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dyshohet se i ka ofruar marrëdhënie seksuale, kundrejt pagesës, në banesën e saj, një 44-vjeçari. Në këtë banesë, shtetasi R. L. i ka marrë me dhunë 44-vjeçarit, celularin dhe një shumë parash.

Shtetasja A. H. dhe shtetasi R. L. ishin me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “Last Threat”, i zhvilluar në muajin prill.

 

 

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Dëmtim i rëndë në debutim, Alen Sherri del nga spitali! Trajneri: Jemi të shqetësuar për të

Debutimin me Frosinonen e kishte menduar ndryshe, por Alen Sherri nuk mundi ta mbyllte ndeshjen e fituar 0-1 në fushën e Monzës për Kupën e Italisë. Gardiani i Kombëtares u përplas me shokun e tij të skuadrës në minutën e 80-të dhe iu desh të linte stadiumin për të shkuar në spital, kjo pas lëndimeve në fytyrë.

Prej mbrëmjes së djeshme ai iu nënshtrua kontrolleve dhe këtë mëngjes ka lënë spitalin. Te Frosinone, trajneri Masimiliano Alvini u shpreh i shqetësuar për gjendjen e shkodranit.

“Jemi të shqetësuar për Sherrin. Ai ishte në spital dhe duhet të vendosim si do jetë më tej, për një operacion ose jo. Ekipi ia dedikon këtë fitore atij”, tha ai. Frosinone në fund fitoi 0-1 duke kaluar në 1/16 e Kupës së Italisë.

Megjithëse Sherri ka lënë spitalin, ai do vijojë të jetë në kontrollin e mjekëve pasi ka disa fraktura në fytyrë. Te Frosinone e presin sa më shpejt në fushë dhe duket se portieri nuk e ka pasur të nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale.

❌