Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Jorge Luis Borges dhe historia e perandorit që dogji librat për t’u bërë “i pavdekshëm”

Më 1950, Jorge Luis Borges botoi një tekst në të cilin përshkruante se si perandori kinez Qin Shi Huang e ndaloi me ligj përmendjen e vdekjes. Kjo ishte mënyra e shkrimtarit për t’iu kundërvënë presidentit fuqiplotë argjentinas, Juan Peron.

Më 22 tetor të vitit 1950, një vit pas miratimit të Kushtetutës së re në Parlamentin argjentinas, që nuk i vinte më limite rizgjedhjes së Presidentit, duke i dhënë kështu gjeneralit Peron një pavdekshmëri simbolike, Jorge Luis Borges botoi në gazetën “La Nación” një tekst të shkurtër që sot është kthyer në një klasik të letërsisë, “Muri i madh dhe librat”.

Qëllimi i tij, na thotë Borges, ishte thjesht e vetëm të bënte ndonjë reflektim mbi perandorin kinez Qin Shi Huang (që Borges e quan, sipas nomenklaturës së lashtë, Shih Huang Ti), që në fillim të shekullit të tretë para Krishtit, “ndaloi të përmendej vdekja dhe kërkoi eliksirin e pavdekësisë”. Qin Shi Huang mori famë sepse urdhëroi ndërtimin e një muri të madh dhe dogji të gjithë librat përpara tij. Në rreth tre faqe të admirueshme, Borges përmend disa aspekte thelbësore të atij personazhi misterioz, megjithatë fluturon mbi shumë veçanti të tjera, si dy sipërmarrjet kolosale që i dhanë famë.

Gjatë mbretërimit të tij, Qin Shi Huang, së bashku me ministrin Li Si, kërkoi të zbatonte një plan reformash ekonomike dhe politike, me qëllim bashkimin e një shteti të madh të fragmentarizuar dhe të korrigjonte praktikat administrative korruptive të qeverisë paraardhëse, duke e transformuar nga një vend feudal në një shtet federativ. Këto masa i dhanë admirimin e brezave të ardhshëm dhe Tom Ambrose, në studimin e tij të zellshëm mbi origjinën e tiranive, e quan Qin Shi Huangit si themeluesin e shtetit të parë me polici në historinë botërore.

Stephen Haw, autor i “Beijing: A Concise History” ngre hipotezën se ambicia për pushtet e Qin Shi Huang e kishte burimin nga një traumë të pësuar gjatë adoleshencës. Pas vdekjes së të atit, mbretit Zhuangxiang të Qin, kundërshtarët e monarkut të ri, që në atë kohë ishte vetëm 13-vjeç, hapën fjalë sikur ai nuk ishte fëmija legjitim i mbretit, por i një tregtari, Lu Buwei, dashnor i bashkëshortes së mbretit. Në një shoqëri që, për shkak të influencës së etikës konfuciane, i konsideronte tregtarët si pjesa më e neveritshme e shtresave sociale, një akuzë e tillë ishte shumë e turpshme.

Pasi ndenji nën tutelën e një regjenti të gjykatës së provincës së largët Zhao, gjëja e parë që Qin Shi Huang bëri kur mori fronin, ishte pushtimi i provincës ku e kishin mbajtur peng dhe ekzekutimi i guvernatorëve të tij. Qin Shi Huang vendosi të marrë titullin Perandor i Parë, në mënyrë që historia e Kinës të fillonte me të. Një shekull më vonë, pas vdekjes së perandorit të pavdekshëm, poeti i njohur Jia Yi shkroi se Qin Shi Huang “nuk kishte mëshirë për askënd” dhe “veprimet e tij politike i bënte në funksion të drejtësisë”. “Të marrësh pushtetin”, shkroi Jia Yi, “është shumë ndryshe nga ruajtja e tij”.

Sipas historianëve Gregory Veeck dhe Clifton Pannell, pasioni më i madh i perandorit ishte inxhinieria: edhe sot në gjithë Kinën mund të shihen rrënojat e kanaleve dhe rrugët e këmbësorëve të ndërtuara me urdhër të Qin Shi Huang. Ndërsa kultura i interesonte shumë pak.

Ministri i tij, Li Si, e kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej nga poetët dhe filozofët, të cilët duke u bazuar në tekstet e ruajtura në bibliotekat e vendit, do ta krahasonin qeverinë e tij me ato paraardhëse duke ia zvogëluar madhështinë. Për të shmangur një çnderim të tillë, Li Si i këshilloi të urdhëronte shkatërrimin e gjithë librave që ishin shkruar para ardhjes së tij në pushtet, duke ruajtur vetëm disa tekste burokratike mbi teknologjinë, e duke vënë teknokratë në krye të institucioneve kulturore.

Borges thekson se shkatërrimi nuk ishte një hiçgjë: në atë kohë, kultura kineze, mes qindra emrave të mëdhenj, kishte edhe atë të Perandorit të Verdhë, të Zhuang Zi, të Konfucit dhe Lao Zi.

Duke ndjekur gjithmonë këshillat e ministrit të tij, Qin Shi Huang mori kontrollin e shkollës konfuciane, duke urdhëruar që 460 filozofët e saj të varroseshin të gjallë së bashku me librat e tyre. Kur në shekullin XX, pas Revolucionit Kulturor, një opozitar kërkoi të krahasonte Mao Cedunin me Qin Shi Huan, Mao u indinjuar thellë: “Ai varrosi të gjallë 460 intelektualë, ne varrosëm 46,000!”

Njëzetë e katër shekuj pas vdekjes së tij, hija ambicioze e Qin Shi Huang nuk është zhdukur plotësisht nga bota jonë përsëritëse./KultPlus.com

Edicioni i pestë i RLIOF kulmon me Gala Mbrëmjen Rame Lahaj & Friends, nën përcjelljen e Orkestrës Simfonike të RTSH-së

Vjollca Duraku

Nën qiell të hapur, publiku i Prishtinës mbrëmë pati rastin të përjetoj çaste të paharrueshme në mbrëmjen GALA të festivalit Rame Lahaj International Opera Festival, përmes zërit kristal të solistëve Nino Machaidze, Drio Russo dhe nikoqirit Ramë Lahaj. Ky koncert i cili shënoi përmbylljen e edicionit të pestë të festivalit RLIOF erdh në bashkëpunim me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Roberto Rizzi Brignoli.

“Ëndrra pa kufi, Opera pa Mure” ka qenë motoja e këtij edicioni, që vjen si thirrje për të ndjekur ëndrrat dhe për t’i tejkaluar sfidat. Brenda 10 ditësh sheshet e Prishtinës u shndërruan në teatro operistikë, ku adhuruesit e muzikës klasike patën mundësi të shijojnë madhështinë e veprave më të njohura vendore dhe botërore nga artistë të shquar të skenave prestigjioze.

Mbrëmja e shumëpritur GALA filloi me interpretimin e “Overture”-I vespri siciliani të Giuseppe Verdit nga Orkestra Simfonike e RTSH, e cila përmes tingujve të veçantë të ftonte në përgatitje dhe përqendrim për pjesën ku solistët do të shkriheshin së bashku me shpirtin e tyre, duke jehuar në çdo cep si notë e tingull. Gjatë kësaj kohe, të gjithë ata që ende nuk kishin zënë ulëset e tyre, iu dha mundësia që të rehatoheshin përfundimisht, dhe të shijonin koncertin plotë mrekulli.

Skenës së improvizuar me shkëlqim fishekzjarrësh iu shtua ndriçimi kur instrumenistëve iu bashkangjit edhe sopranoja Nino Machaidze me veprën “Odieu! Que do bioux”- Faust nga Charles Gounod. Kjo vepër nxirrte në pah zërin e kumbues të solistes që përhapej si dritë në tërë hapësirën e sheshit “Skënderbeu”, ku të ulur gjendeshin mijëra shikues. Timbri i saj i ngrohtë të ftonte në një përjetim të ndjerë duke prekur thellë shpirtin njerëzor.

Dinamika e koncertit ndryshoi kur në skenë u shfaq bass-i Dario Russo me veprën “Madamina, il catalogo e questo”- Don Giovani nga më i zëshmi kompozitor i muzikës klasike Wolfgang Amadeus Mozart. Me një zë që peshonte rëndë, si metal i çmuar, tokëzonte atë prani hyjnore të një kompozimi brilant të realizuar shekuj më parë. Një kontroll i kujdesshëm i teknikës vokale, i mundësonte atij një interpretim të jashtëzakonshëm edhe përkundër ngritjeve dhe uljeve të tonit që shpërndahej lehtësisht brenda hapësirës së përcaktuar për një koncert të tillë.

Ndërkaq emocioni i nikoqirit të mbrëmjes, Ramë Lahaj, me veprën “Questa o quella” i dha natës një ëmbëlsi që pushtoi skenën në tërësi. Të kënduarit e tij plotë jetë, u jepte jetë ëndërrave të shumë artistëve të rinj që me sy plotë ëndje ndiqnin performancën e tenorit që e ka jetuar ëndërrën e tij në skena të ndryshme botërore. “Besame mucho” erdh si një himn me elegancë të theksuar që prekte lehtësisht zemrat e publikut.

Veprat “Shiu i verës”, “O moj bukuroshe”, “Po më shkon si zog n’hava” dhanë një shkarkim energjik gëzimi dhe nostaligje për këto perla të cilat ndër vite kanë qenë pjesë e pandashme e shpirtit të popullit. Kënga e preferuar e tenorit Lahaj, “Bishtalecat palë-palë”, e cila vazhdon të jehojë gjithandej nga shkel këmba e solistit shënoi kulmin e edicionit të pestë të RLIOF, edicion ky që u nderua nga një emision i pullave postare për tenorin Lahaj- si një nga zërat më të dalluar të operës moderne ndërkombëtare.

Ramë Lahaj tha se ndihet i privilegjuar për këtë moment sipas tij të veçantë, duke theksuar se  përpjekjet e tij ndër vite kanë qenë të përqendruara në promovimin e imazhit të Kosovës përmes muzikës.

“Ndjej privilegj, janë këto momente që realisht më frymëzojnë, më inspirojnë, më japin përgjegjësi për të bërë atë që kam provuar të bëj viteve fundit, duke menduar që po kontribuoj të promovojë imazhin e Kosovës duke sjellë këngën shqipe nëpër katër kontinente e globin në botë pesë vjetët e fundit. Është moment inspirimi sepse unë sapo kam ardhur nga sezoni i fundit operistik…”, ka thënë Lahaj.

Pjesë e koncertit ishte edhe vepra “Moj e bukura more” e interpretuar me mallëngjim nga arbëreshja 83- vjeçare Angela Dell Aquila, dhe publiku i cili ishte thellësish i prekur nga kjo performancë. Kurse “Për ty atdhe” që u soll nga Dario Russo ishte një moment tejet i veçantë po ashtu. Vepra “Lippen Schweigen”- Die lusige Witwe nga Franz Lehar dha një skenë jashtëzakonisht të bukur romace të luajtur mrekullisht nga Ramë Lahaj dhe sopranoja Nino Machaidze.

Veprat tjera që u interpretuan në këtë mbrëmje plotë magji ishin: “Mesicku na nebi hlubokem”- Rusalka- Antonin Dvorak, “La calunnia  e un venticello”- ll barbiere di Siviglia- Giochino Rossini, “Recondita amonia”-Tosca- Giamo Puccini, “Pleurez! Pleurez mes yeux!- Le Cid- Jules Massenet, “Di due figli… Abbietta zingara”- ll Trovatore- Guiseppe Verdi, “Quanto amore ed io spietata”- L’elisir d’amore- Gaetano Dinozetti, “Fandango”- Dona Francisquita”- Amadeo Vives, “Les filles de Cadix”- Leo Delibes.

Pjesë e mbrëmjes ishte edhe ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana, i cili ka shpalosur një material promovues për Dokumentarët e realizuar për Arbëreshët.

“Këtë vit, duke qenë përvjetori i pestë doja të bashkoheshim me Ramën në një projekt që po e bëj me fondacionin Lorik Cana. Është fjala për botën arbëreshe. Bota në mes të dy arbërive: Arbërisë Italiane dhe Arbërisë Shqiptare. Pas të gjithë këtyre Dokumentarëve që janë bërë në Tiranë, Milano, Cyrih, New York e pyeta Ramën nëse do të kem mundësi që të sjell një shije arbëreshe në këtë mbrëmje madhështore. Me shumë kënaqësi pranoi. Dokumentarët do të dalin tani. Kanë bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Cana.

Pas koncertit plot ndjesi të bukura, solistja Nino Machaidze në një prononcim për media ka thënë se interpretimi në mbrëmjen Gala të RLIOF ka qenë një përvojë e mrekullueshme.

“Absolutisht është e mahnitshme energjia që ndjemë që nga minuta e parë që mbërritëm këtu, për të qenë pjesë e provave dhe gjithçkaje në të gjithë ekipin e këtij Festivali. Ata janë të gjithë kaq të mrekullueshëm dhe e bëjnë këtë punë me shumë dashuri. Dhe rezultati është ky, sepse kur bën diçka me dashuri dhe me zemër rezulton në diçka në një nivel të lartë. Ishte një energji e mrekullueshme, dhe një kënaqësi e madhe të këndoja këtu”, ka thënë sopranoja, duke e theksuar edhe miqësinë me tenorin Lahaj dhe rendësin që ka ky aspekt për të dhuruar një koncert fantastik.

“Para së gjithash ne jemi miq dhe, siç e dini, kur miqësia ekziston, ndodhin gjithmonë gjëra magjike. Ishte e mrekullueshme për mua të performoja herën e parë së bashku në këtë skenë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, solisti Dario Russo i cili para një viti kishte realizuar një master class në Kosovë, tha se gjatë tërë procesit për realizimin e këtij koncerti është ndier “si në shtëpi”.

“Dhe u ndjeva vërtet si në shtëpi dhe ndjeva një energji të jashtëzakonshme që nuk di si ta shpjegoj me fjalë, por është diçka që e percepton në nivelin e lëkurës dhe është diçka që më emocionoi vërtet dhe më pëlqen shumë. Kjo përvojë e përjetuar në Prishtinë është diçka që nuk ka çmim”, ka thënë Russo.

Dirigjenti Roberto Rizzi Brignoli tha se ndihej shumë i lumur që kishte arritur të realizonte këtë eksperiencë të veçantë para publikut në sheshin e Prishtinës.

“Koncerti ishte shumë, shumë emocionues, plot dashuri, me të vërtetë plot emocione kur e shikon këtë, ky është një shesh plot me njerëz, është një moment vërtet i mrekullueshëm. Reagimi i publikut ishte shumë i bukur, shumë i fuqishëm dhe shumë i rëndësishëm për ne. Unë jam shumë i lumtur sepse orkestra e RTSH-së ishte e mrekullueshme dhe programi ishte shumë interesant sepse ne i ndryshuam këngët nga opera në opereta. Ne bëmë gjithçka për këtë koncert”, ka përfunduar dirigjenti Brignoli.

Me Gala Mbrëmjen Rame Lahaj & Friends ka përfunduar edhe edicioni i pestë i festivalit Rame Lahaj Internationa Opera Festival, i cili këtë vit është realizuar me moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa Mure” nga data 23 korrik deri më 2 gusht 2025./ KultPlus.com

Leskovik, Rama ndan pamje nga perëndimi i diellit

Leskoviku vitet e fundit është kthyer në destinacionin e preferuar të turistëve vendas e të huaj.

Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga perëndimi i diellit në Leskovik.

Segmenti i ri rrugor Ersekë – Leskovik ka sjellë edhe rritjen e numrit të turistëve, ku përmes tij ofrohet një udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar të një tjetër zone të mrekullueshme të Shqipërisë.

Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë. Edhe defterët osmane e përmendin Leskovikun me fshatrat përreth shumë të populluar.

Leskoviku veçohet për relievin malor e kodrinor, me pyje, florë dhe faunë të pasur, me burime ujërash minerale-kurative e vreshtari të begata.

Gjithashtu, Leskoviku është një nga krahinat më të njohura të juglindjes së vendit për trashëgiminë kulturore, për vreshtarinë, llixhat e Sarandoporit, kishën e Cerskës, Postenanin e shumë atraksione të tjera të kërkuara nga turistët vendas e të huaj./atsh/KultPlus.com

‘Djalli vishet me Prada 2’, pse ‘jemi çmendur’ pas një filmi që s’ka dalë ende

“Djalli vishet me Prada 2” nuk ka dalë ende, madje as produksioni s’ka përfunduar, por tashmë është hit.  Skenat e xhirimeve në rrugët e Manhatanit tregojnë sesi policët përpiqen të mbajnë turmën pas  barrikadave. Është reklamë falas që shpërndahet në rrjetet sociale dhe gjendet nën velin e bekimit të  filmit të parë që doli në vitin 2006 në një premierë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe fitoi dy çmime Oskar në vitin pasardhës. Filmi i dytë do të dalë 20 vite më vonë, më 1 maj 2026.

Sigurisht do të jetë një ngjarje e madhe, është tashmë. Rikthehen yjet, Meryl  Streep, Stanley Tucci, Anne Hathaway dhe Emily Blunt. Padurimi është kaq i madh sa edhe filmi i parë u ngjit menjëherë në krye të top dhjetëshes së Disney Plus. Më 30 qershor, kur doli një video e shkurtër e këpucës së famshme të kuqe me një sfurk djalli në takë, mijëra njerëz e ripanë filmin (madje disa e dinë përmendësh).

Këtë herë janë dy këpucë që rrotullohen ndërsa në sfond dëgjohet: “Gabbana, me një ‘b’ apo dy?”,  “Refuzoj të ndihem fajtore. Kam veshur Valentino” dhe më pas “Të gjithë duan të jenë si ne”, duke iu referuar revistës së filmit, “Runway” që është një analogji për “Vogue America” ndërsa kryereedaktorja mizore Miranda Priestly mishëron Anna Wintour: një grua prej çeliku, me flokët e shkurtër të    pangatërrueshëm dhe syzet e errëta.

Vetëm ajo video 22 sekondëshe ka mjaftuar që të shkaktojë një çmenduri të vërtetë: shkrepje paparacësh nga sheshxhirimi, postera të rremë, video me Inteligjencë Artificiale të Meryl Streep me veshje Chanel që s’do të jenë në film. Në të vërtteë, ajo shfaqet me një kostum të kaltër të lehtë dhe një çantë nën krahë. Ose një veshje me ngjyrë të lehtë pjepri, lejla dhe kafe që tingëllon çuditshëm, por çdo grua do të donte të dukej si ajo në moshën 76-vjeçare.

Por pse njerëzit e adhurojnë “Djalli vishet me Prada?” Ndoshta kasti, të cilit tanimë i bashkohet edhe Sir Kenneth Branagh. Ndoshta sepse filmi nuk është vetëm për modën, por edhe për pushtetin. Historia zhvillohet në redaksinë e një reviste të pushtetshme dhe me ndikim, me një kryeredaktore tirane, të padurueshme, brilante që flet me zë të lehtë por thotë gjithnjë fjalën e fundit duke i tmerruar të gjithë. 

Është për fuqinë e një reviste, dinamika me pushtetet e tjera dhe problemet e  brendshme të pushtetit  brenda çdo ambienti pune. Mizoria, kurthet, miqtë e gënjeshtërt, pesha e një pune që s’është vetëm e tillë. Shumë njerëz gjetën veten dhe jo vetëm adhuruesit e modës apo ata që punojnë në këtë industri. 20 vite më vonë, gjithçka ka ndryshuar.

Vitet e moshës së protagonisteve janë shtuar dhe bota ka ndryshuar edhe më shumë. Sistemi i modës nuk është më i dikurshmi. Shtëpitë e modës kanë ndryshuar udhëheqësit. Tarifat kanë hyrë në lojë. Komunikimi ka ndryshuar kaq shpejt dhe komandohet nga rrjetet sociale saqë një foto e thjeshtë e shpërndarë në Facebook a Instagram mund të tejkalojë një fushatë të tërë marketingu.

Vetë Wintour nuk është më kryeredaktorja e Vogue America. Ajo mbetet shefe globale e përmbajtes në Condé Nast ndaj është ende perandoresha e kësaj perandorie. Në fund, gjërat nuk ndryshojnë kurrë vërtet, të paktën jo në lojën e pushtetit. Sigurisht, kjo shkon përtej modës./KultPlus.com

Posta e Kosovës prezanton pullën postare me emrin e Rame Lahaj

Posta e Kosovës, emetoi emisionin e ri të pullave postare në nderim të tenorit të shquar shqiptar, Rame Lahaj – një nga zërat më të dalluar të operës moderne ndërkombëtare.

I lindur në Istog, Rame Lahaj ka ngjitur me dinjitet dhe talent skenat më prestigjioze të botës, duke përfaqësuar me krenari kulturën shqiptare në qendra të tilla si ‘Royal Opera House” në Londër, “Teatro Real” në Madrid, “Opera de Paris” dhe shumë të tjera. Zëri i tij është bërë simbol i klasit, shpirtit dhe përkushtimit artistik.

Përveç karrierës së jashtëzakonshme ndërkombëtare, Lahaj është i njohur edhe për kontributin e tij në jetën kulturore të vendit, përmes themelimit të Rame Lahaj International Opera Festival, duke sjellë artin operistik më afër publikut kosovar, por edhe duke përkrahur brezat e rinj të artistëve.

Kjo pullë përjetëson figurën e një artisti që me zërin e tij ka tejkaluar kufijtë, duke u bërë ambasador i kulturës sonë në mbarë botën.

Emisioni i pullës postare është realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Rame Lahaj. Pulla postare nga ky emision mbart në motiv fotografinë e realizuar nga Z. Fahredin Spahija, ndërkaq bashkë me Zarfin e Ditës së Parë do të jenë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë./KultPlus.com

Prishtina nën magjinë e yllit Shawn Mendes, spektakël në natën e dytë të Sunny Hill

Flonja Haxhaj

Në natën e dytë të Sunny Hill Festival, Prishtina vazhdoi të jetë një skenë ku arti dhe muzika bashkohen për të krijuar një përvojë që i kalon kufijtë e argëtimit. Në qendër të kësaj nate qëndroi një emër i dashur për publikun ndërkombëtar, këngëtari Shawn Mendes, shkruan KultPlus.

Në një atmosferë ku performuan emra të njohur si Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri dhe Headie One, skena kulmoi me ardhjen e kantautorit kanadez, i cili e përjetoi Prishtinën për herë të parë jo vetëm si një vend koncertesh, por si një hapësirë emocionale ku ndjenjat artistike përqafohen me një publik që i këndon njëzëri këngët e tij.

Mendes e nisi performancën me “There’s Nothing Holding Me Back”, duke vendosur që në fillim një ton energjik. Vazhdimi i koncertit ndërtoi një imazh të bukur emocional, me këngë si “Wonder”, “Treat You Better” dhe “Monster”, që përçuan ndjenja të brishta përmes një interpretimi të ndjerë.

Në një moment të koncertit, Shawn Mendes foli përpara publikut duke i falënderuar për këtë ndjesi që i dhanë.

Të jesh muzikant do të thotë të vizitosh shumë vende dhe të takosh shumë njerëz, kur erdha këtu isha pafundësisht i emocionuar të shoh gjithë këta njerez, jemi shumë të lumtur qe jemi këtu”, u shpreh Mendes teksa falënderoi publikun e Prishtinës për këtë pritje.

Në çdo varg dhe çdo notë, publiku dukej i përfshirë në një bashkëbisedim të heshtur me artistin. Këngët “Lost in Japan”, “Heart of Gold”, “Isn’t That Enough” dhe “It’ll Be Okay” sollën një atmosferë poetike, duke e kthyer koncertin në një udhëtim të brendshëm e intim për të pranishmit.

Një moment i veçantë ishte interpretimi i “Señorita”, që krijoi një ndjesi të ëmbël romantike, ndërsa koncerti vazhdoi me “Ruin”, “Never Be Alone”, “Mercy”, “Youth” dhe “Stitches”.

Mendes përfundoi mes emocionesh përvojën e tij të parë në Prishtinë me hitin e tij ‘In my blood’.

Ndërkaq sonte, në përmbylljen e Sunny Hill Festival, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancat e artistëve, Deezy, Bess, Adrian Berisha, MyGal, Edgar Kerry, Tsha, ndërkaq do të përmbyllet fuqishëm me artistin kryesor Anyma./KultPlus.com

Çfarë ka ndodhur më 3 gusht


8 – Gjenerali romak Tiberi mposht dalmatët në betejën e Bathinus (sot në Bosnje).
 Dalmatae ose Delmatae ishin një popull i lashtë përgjatë bregdetit lindor të Adriatikut (sot Kroaci), mes lumenjve Kirka dhe Neretva.

Dalmatët ishin ilirë, por jetonin të pavarur ose të ndarë nga fiset e tjera ilire. Emri i tyre lidhet me fjalën shqipe ‘dele’. Thuhet se një nga fiset dalmate, Bariust, u vendos më vonë në atë që sot është Rumani.

1492 – Kristofor Kolombi niset në udhëtimin e parë historik me tre anijet e tij Santa Maria, Pinta dhe Nina nga Palos de la Frontera, Spanjë për në Indi.

Ai shoqërohej nga një një ekuipazh prej 90 vetësh. Ata lanë Spanjën pak para lindjes së diellit. Pas gati 2 muaj e gjysmë lundrimi, Kolombi dhe ekuipazhi i tij zbriti më 12 tetor në ishullin Guanahani, San Salvador në Bahamas … që ishte jo Indi, por Bota e Re, Amerika.

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 17 gusht?

1527 – Letra e parë e njohur nisur nga Amerika e Veriut dërgohet nga eksploruesi John Rut, ndërsa ndaloi në Newfoundland (Kanada).

Rut i shkroi Mbretit Henry mbi zbulimet e tij dhe se kishte në plan të vazhdonte lundrimin në drejtim të jugut ku moti ishte më i ngrohtë. Pas largimit nga Newfoundland, Xhon Rut mbërriti me anijen e tij në Gjirin Chesapeake në Florida, duke u bërë udhëtari i parë anglez në këto brigje.

1778 – Teatro alla Scala hapet në Milano – quhet shkurtimisht La Scala.

Dy vjet më pare më 1776, një zjarr kishte shkatërruar teatrin Regio Ducale, pas një feste karnavalesh. Një grup milanezësh të pasur, me lozha private në teatrin e djegur, i shkruajtën arkidukës së Austrisë, duke i kërkuar një teatër të ri. Kërkesa e tyre u pranua. Teatri i ri u ndërtua në vendin ku ndodhej kisha Santa Maria alla Scala, dhe teatri mori emrin e saj.

1908 – Francë; vëllezërit Bouyssonie zbuluan skeletin e plotë fosil të një njeriu 60-mijë vjeçar, Neandertal – këtë emër kjo specie kishte marrë që prej vitit 1856, kur në luginën Neander, afër Duseldorfit, Gjermani, ishin zbuluan për herë të parë eshtrat e tij.

Lugina Neander quhej e tillë nga emri Joachim Neander, pastor gjerman të shekullit të 17-të që kishte shërbyer atje. Dhe Neander do të thotë Neumann – ose “njeri i ri”. Neandertali klasifikohet si nën-lloj i njeriut dhe me shumë ngjashmëri me njeriun e sotëm.

1948 – Luftë e Ftohtë, SHBA: Whittaker Chambers, në dëshminë para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuese, tha se presidenti i Institutit Carnegie për Paqen, Alger Hiss, ish-këshilltar i presidentit Franklin Roosevelt në konferencën e Jaltës mes treshes Roosevelt, Stalin, Churchhill (1945), kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste të Shteteve të Bashkuara, atëherë organizatë ilegale.

Chamber, një ish-komunist, e akuzoi Alger Hissin edhe si spiun për Bashkimin Sovjetik. Hiss u gjykua dhe u dënua – ai bëri 44 muaj burg – “gati 4 vjet në burg më shërbyen sa 4 vite në universitetin Harvard”, tha ai kur u lirua. Alger Hiss (1904 – 1996) gjithmonë këmbënguli si ishte i pafajshëm.

1987 – SHBA; Lëshohet një pullë postare me foton e shkrimtarit William Faulkner – pulla u përurua në Oksford, Misisipi, ku Faulkner kishte punuar si poster nga viti 1921 deri në në vitin 1924, kur u pushua nga puna pas akuzave për neglizhencë.

William Faulkner (1897 – 1962) ishte shkrimtar amerikan nga New Albany, Misisipi, dhe laureat i Çmimit Nobel për letërsi më 1949; ai shkroi romane, tregime, drama, poezi, ese dhe skenarë. Faulkenri shkëlqeu në klasën e pare fillore, anashkaloi klasën e dytë, dhe vazhdoi mirë nëpër klasat e tretë dhe të katërt. Por, duke filluar diku në klasën e pestë, Faulkner u bë një fëmijë shumë i tërhequr.

Kjo solli rënie në mësime që vazhdoi dhe Faulkner kurrë nuk u diplomua nga shkolla e mesme. Në një intervistë me revistën Paris Review në vitin 1956, Faulkner u shpreh: “Nuk ka asnjë formulë për të shkruar mirë … Shkrimtari i ri është budalla nëse ndjek një teori për t’u bërë shkrimtar. Mëso nga gabimet e tua; njerëzit mësojnë vetëm duke gabuar..dhe artisti i vërtetë beson se askush nuk është mjaft i mirë për t’i dhënë atij këshilla..”/KultPlus.com

 ‘And Just Like That’, sezoni i tretë i rikthimit të ‘Sex and the City’, do të jetë i fundit

”And Just Like That”, vazhdimi i serialit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 ”Sex and the City”, do të mbyllet pas sezonit të tretë, njoftoi HBO, sipas BBC.

Regjisori dhe skenaristi i njohur amerikan, Michael Patrick King shpjegoi në Instagram se ndërsa po shkruante episodin e fundit, ”u bë e qartë se ky mund të ishte një moment i mrekullueshëm për ta mbyllur”.

I emërtuar sipas frazës së famshme të personazhit kryesor Carrie Bradshaw, seriali komedi-dramë ndjek romancat e tre prej katër personazheve origjinale, teksa jetojnë të 50-at e tyre në Nju Jork.

Finalja me dy pjesë nuk është transmetuar ende.

Sarah Jessica Parker, që luan Carrie-n, ndau një montazh fotosh nga të dy sezonet dhe tha se personazhi ”ka dominuar jetën time profesionale për 27 vjet”, por tani ”ky kapitull është i mbyllur”.

Ajo shtoi se ”And just like that” ishte ”gëzim, aventurë dhe puna më e bukur, krahas talenteve më të jashtëzakonshme”.

”Do të më duhet shumë kohë për ta harruar”, shkroi Parker.

”Shpresoj që këto dy episode të fundit t’ju pëlqejnë po aq sa na pëlqyen neve”, shtoi ajo.

Kristin Davis (Charlotte York në serial) tha se “jam thellësisht e trishtuar”.

Fansat shpresonin për një tjetër serial apo spin-off, por King deklaroi se ”rrëfimi në vazhdim i universit të ‘Sex and the City’ po përfundon”.

Shikueshmëria ka rënë gjatë tre sezoneve.

”Episodi i parë u ndoq nga 1,1 milionë familje amerikane, ndërsa të fundit kishin më pak se gjysmën e këtij numri”, sipas Samba TV.

Seriali gjithashtu është kritikuar, veçanërisht për përpjekjet për të diversifikuar kastin.

Revista ”Elle” tha se kjo përpjekje “dështoi”, ndërsa ”The Guardian” e cilësoi si “mbikompensim i rëndë” që tentonte të shlyente mungesën e ndjeshmërisë racore në origjinalin.

Në sezonin e fundit, personazhi Che Diaz – i quajtur “personazhi më i keq në televizion” nga ”The Daily Beast”, u zëvendësua nga një tjetër që punon në BBC./KultPlus.com

Ana

Poezi nga Ajne Iberhysaj

Ana – Engjëjt që lufta ua vrau ëndrrat

Dhimbja i ngjan një mjegulle që s’pyet për kufij.
Në xhamat e thyer të mëngjesit,
ku agu i këndon ditës me rrobë mortore,
ajo ecën pa fjalë e heshtur mes shekujve.

Në cep të oborrit, sytë më mbetën pezull,
ku luhaja priste hijen e saj.
Ana luante me fluturat.
Muret dëgjuan e panë, por duar nuk patën.
Lulet ranë në tokë si të pashpirta,
dhe bilbilit iu këput kënga.

Anaaa, çika ime! … një copë diell u vra!

Thirrja copëtoi qiellin pash më pash.
Thirrjet u bënë shungullimë lutjesh,
nën të, dheu u përmbys.
Në qiell… askush s’e ndjeu.

Një kor i zi korbash u lëshua
mbi trupin e nënës me të bijën dardane.

“Ana…”, thashë me vete, u dridha nga ethet!
Mjegull…flakë…më zunë sytë.
Lotët derdheshin si një faj i fshehur,
që as koha s’e shlyen dot.
Mëkati, dhimbja…
pa mëshirë, e përvëluan tokën tonë.

Britma, si klithmë legjendash ndër shekuj,
u ngrit drejt kupës së qiellit.
Ana! As lisat nuk u përkulën më.
Vetëm shi dhimbje e një nëne, dhe lotët…
që përqafohen me dhé baladash.


Zëri me hijen e saj endet ndër ne.
një erë e egër,
si fryma e fundit e një epoke.
Sakrament lutjesh ngushëlluese, edhe sot.
Toka i ruan si dëshmi.

Ana!
Shndrit…si shenjtore, me sy drejt diellit.

Ana!
Fluturo në qiellin e tokës dardane,
fluturat t’i mbajnë krahët hapur.

Për 1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së Kosovës
(1024 fëmijë u vranë dhe 109 ende konsiderohen të zhdukur)
/KultPlus.com

“Vala Fest” turistët e huaj dhe pushuesit mbushin shëtitoren në Sarandë

Saranda këtë fundjavë gumëzhiu nga tingujt e muzikës në kuadër të Vala Fest.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela kumbaro ndau në rrjetet social pamje nga Vala Fest, që u organizua gjatë dy netëve bë Sarandë.

“Mbrëmjet e Sarandës në ritmin e verës me Vala Fest. Kur muzika bashkon njerëz nga e gjithë bota dhe deti reflekton dritat e festës, Saranda shndërrohet në një skenë të gjallë verore”, shkruan Kumbaro.

Qytetarë sarandiotë, por edhe turistë të shumtë, që ndodhen me pushime në Sarandë në këto ditë të nxehta vere, kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë nën ritmet e muzikës .

Për disa orë me radhë, të pranishmit kanë kërcyer dhe kënduar bashkë me këngëtarët dhe DJ-të më të njohur të skenës muzikore shqiptare, duke e shndërruar shëtitoren “Naim Frashëri” në një hapësirë festive dhe energjike./atsh/KultPlus.com

‘Heshtja’

Poezi Fyodor Ivanovich Tyutchev

Hesht, ëndrrat, ndjenjat mos i shfaq,
Fshehur thellë e thellë mbaji.
Atje në shpirt, në thellësi,
Të rrinë bashkë qetë e qetë.
Të heshtura, si yje nëpër natë.
Si ëndërrimet, mbetur shkretë.

A mund të jehojë zemra ?
A mund të thuhet ëndrra ?
Të kupton kush, si jeton,
Fjala e thënë, të mashtron.
Duke folur ti gënjen,
Hesht, se fjala nuk të vlen.

Jeto me shpirtin tënd të thellë,
Një botë e tërë, atje do të jetë.
Një botë e shpirtit plot magji,
Që s’mund të duket kursesi.
Dita, dritën e ka përpirë,
Ajo ndrin veç në errësirë./KultPlus.com

Zemrën askujt mos ia fal krejt

Poezi nga William Butler Yeats
Përktheu: Orjela
 Stafasani

Zemrën askujt mos ia fal krejt
se grave pasionante dashnia u duket e lehtë,
e padenjë për kujdes, kur për të siguri kanë
dhe ato s’andrrojn’, n’mend s’e mbajn’
se prej puthjes n’puthje atë e kap nji dobësi;
çdo gja e bukur asht veç nji knaqësi
andrruese, e kandshme, që kalon përherë.
Oh, zemrën kurrë mos e jep përnjiherë
se, pavarsisht çka buza e ambël nxjerr,
zemrat si zaret n’lojë i kanë hedhë.
Dhe si mundet vallë n’lojë me fitu’ ndonja
që shurdh, memec e qorr dashnia e ka ba?
Kush e ka provu’ e di cili asht çmimi dhe mundi
sepse e fali gjithë zemrën dhe humbi. / KultPlus.com

Vera

Poezi nga Ndre Mjeda

Vera

A zverdhe fusha, e nder grunore
Po velojne korrcat porsi zogj;
Kendojne katundcat me malcore
Pa u kujtue si dielli i dogj
Vec n’at are, porsi nji e tretun
Zi nder petka e ne fetyre terr
Korre nji cuce pa shoqe,vetun
Me hije t’vet qe mbrapa e merr
Tjetra here tri vet e treta
Korrshe o bij me motra n’shend
Si vjet vetun tiu korr t’gjeta
Pa nji moter, pa gazmend./KultPlus.com

Nëse do të dish të më rrish pranë

Poezi nga Pablo Neruda

Nëse do të dish të më rrish pranë,
dhe të mund të jemi të ndryshëm,
nëse Dielli do të na ndriçojë të dy,
pa u mbivendosur hijet tona,
nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë
dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë.

Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi
dhe jo të kujtojmë se cilët ishim,
nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit
pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit,
nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi…

Atëherë do të jetë dashuri
dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë./KultPlus.com

‘Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë’

Thënie nga Volteri

-Asnjë flokë bore në një ortek nuk ndjen se ka përgjegjësi.

-Triumfi i vërtetë i arsyes është se ne aftëson të vazhdojmë rrugën me ata që nuk e kanë.

-Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt.

-Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi.

-Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet.

-Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë.

-Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë.

-Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe.

-Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye.

-Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim.

-Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë.

Nëse një ditë do të kesh dëshirë të qash

Poezi nga Gabriel García Márquez

Nëse një ditë do të kesh dëshirë të qash, telefonomë:
Nuk premtoj të të bëj të qeshësh por mund
të qaj me ty.

Nëse një ditë do t’ia dalësh të ikësh,
mos hezito të më telefononosh:

Unë nuk premtoj të të kërkoj të qëndrosh,
por unë mund të vi me ty…

Nëse një ditë nuk do të flasësh me askënd:
më telefono: do të heshtim…

Por nëse një ditë ti më telefonon
dhe unë s’të përgjigjem,
eja duke vrapuar tek unë:
sepse sigurisht do të kem nevojë për ty !.

Përktheu: Faslli Haliti

‘Ndiq pasionin, dhe bota është e jotja’

Carmine Gallo

Në vitin 1997, Steve Jobs u rikthye tek Apple, pas një mungese 12-vjeçare. Kompanisë që ai kishte bashkëthemeluar po i mbaronin paratë dhe ishte pranë falimentimit. Jobs mbajti një mbledhje të stafit dhe shpjegoi rolin që pasioni do të luante në rigjallërimin e markës:

“Apple nuk është vetëm prodhim kutish me të cilat njerëzit të kryejnë punët e tyre, ndonëse edhe këtë ne e bëjmë shumë mirë. Apple është më shumë se kaq. Vlera e saj qëndron në faktin se ne besojmë që njerëzit që kanë pasion, mund ta ndryshojnë botë, për ta bërë më të mirë”.

Thjeshtë fraza – “njerëzit me pasion mund ta ndryshojnë botën” – përmban sekretin e suksesit në sipërmarrje. Pothuajse një dekadë më vonë, në vitin 2005, Jobs iu rikthye kësaj teme në fjalimin e tij të famshëm, përpara studentëve të Universitetit të Stanfordit.

“Duhet të gjesh atë që do të bësh”, tha Jobs. “E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha, është të duash atë që bën. Nëse nuk e keni gjetur ende, vazhdoni kërkoni. Mos rrini. Ashtu si me të gjithë gjërat që kanë të bëjnë me zemrën, do ta kuptoni kur ta keni gjetur”.

Pasioni është gjithçka. Ndjekja e pasionit është sekreti për të kapërcyer pengesat që ndeshin të gjithë sipërmarrësit, dhe për të ndërtuar rezistencë kundër nihilistëve të pashmangshëm, që do të vënë gjithmonë në dyshim vizionin tënd. Është gjithashtu një përbërës thelbësor në komunikimin e suksesshëm. Nëse nuk je ti pasionant për idetë që ke, askush tjetër nuk do të jetë.

Sipërmarrësit e suksesshëm e kanë pasionin me bollëk – por jo domosdoshmërisht për produktin. Ata janë pasionantë për misionin e tyre. Ata janë pasionantë, për domethënien që produkti ose shërbimi i tyre, ka në jetët e klientëve të tyre. Ata janë pasionantë për të ndryshuar botën.

Për shembull, Jobs nuk ishte pasionant për kompjuterët. Ai kishte për pasion ndërtimin e mjeteve që do të ndihmonin njerëzit të çlironin krijueshmërinë e tyre personale.

Kur intervistova CE)-në e Starbucks, Houard Schultz, ne folëm për më shumë se një orë, dhe ai nuk e përmendi asnjëherë fjalën “kafe”.

“Kafeja është produkti, por nuk është biznesi ku jemi ne”, më tha ai.

Schultzi ndërtoi një perandori të tërë nga hiçi, pikërisht sepse ai nuk ishte aq pasionant për produktin, se sa ishte për “krijimin e një vendi të tretë, mes punës dhe shtëpisë”. Çdokush mund ta shesë një filxhan kafe. Duhet një inovator i vërtetë për të krijuar një eksperiencë.

“Kushdo që është pasionant, zhytet i tëri në një fushë të caktuar. Dëshiron të dijë gjithçka për të”, thotë Maxine Clark, themeluese e “Build-a-Bear”.

Gjatë një bisede të kohëve të fundit, Clark më rrëfeu se sa shumë admironte Steve Jobsin, si një njeri që ndoqi pasionet e tij, kudo ku ata e çuan.

“Ai ishte kurioz. Kishte studiuar kaligrafinë, artin, muzikën dhe i bashkoi të gjitha bashkë, për ne të tjerët”, thotë ajo.

Clark nuk është më CEO e kompanisë që vetë e krijoi dhe tani po investon në kompanitë që ndodhen në faza të hershme, si dhe si mentore sipërmarrësish. Ajo thotë se pasioni është një tipar themelor, të cilin ajo e kërkon kur duhet të vendosë se kë të mbështesë dhe këtë mësojë. Ajo dëgjon me vëmendje fjalët që përdorin njerëzit. Për shembull, nëse dikush dëshiron që “thjeshtë të bëhet i pasur”, dhe nuk ka pasion për atë ide të caktuar, Clarku e anashkalon. “Nuk më mjafton. Nuk ka nxitim për të krijuar një biznes, për të cilin nuk ke pasion”, thotë ajo. “Në terma afatgjatë nuk do të funksionojë. Duhet të vësh zemrën. Është zemra që do të të udhëheqë pastaj, për të fituar para”.

Shumë investitorë u kanë bërë jehonë vëzhgimeve të Clarkut. Kohët e fundit më ndodhi të takoj Doug Leonen e Sequoia Capital. Investitori legjendar ka mbështetur Google, AirBnB, whatsApp dhe qindra kompani të tjera.

“Cila është cilësia që e kanë të gjithë sipërmarrësit e suksesshëm?”,- e pyeti një pjesëtar i audiencës. “Nuk e bëjnë për paratë”, u përgjigj atypëraty Leone. “Kanë pasion për misionin e tyre”.

Ndiq pasionin, dhe bëj diferencën. /KultPlus.com

Një mijë vizitorë gjatë korrikut në Kalanë e Lezhës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se, Kalaja e Lezhës gjatë muajit korrik ka pritur mbi 1 000 vizitorë.

Vizitorët, vendas e të huaj, i bashkon pasioni dhe dëshira për të njohur vlerat arkeologjike dhe historike të kësaj kalaje, por edhe për të shijuar peizazhin përreth që ajo ofron.

Kalaja e Lezhës, e vendosur si një kurorë dhe e rrethuar plot me histori nga bukuritë e qytetit, ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit të Lezhës, pjesë e qytetit antik Lissus.

Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e qytetit të Lezhës, luginës së Drinit dhe e Detit Adriatik. Këtu mund të gjejmë gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine, veneciane dhe osmane./atsh/KultPlus.com

Rama: Energji pushimesh në Gjirin e Gramës

Gjiri i Gramës, një nga plazhet më spektakolare të jugut të Shqipërisë, tërheq çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj, është ndër atraksionet absolute të pushimeve për turistët e huaj, por edhe ata vendas.

I fshehur në vijëzimin bregdetar të Karaburunit, Gjiri i Gramës është një destinacion i preferuar për pushuesit që zgjedhin bregdetin e jugut të Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një grupi pushuesish që shijojnë ujërat e kaltra të Gjirit të Gramës, ndërsa kanë ngritur çadra kampingu në rërën e plazhit.

“Dhe me këtë energji pushimesh nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjiri i Gramës gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit (Vlorës).

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga stuhitë detare.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në Antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com

❌