Reading view

Rama: Për Veliajn kemi dhimbje personale, drejtësia duhet të bëjë punën e saj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste ndjen dhimbje personale për Erion Veliajn, por theksoi se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Gjatë një takimi me kandidatët e qarkut të Durrësit për zgjedhjet e 11 majit, ai vuri në dukje se ishte PS ajo që hapi rrugën për reformën në drejtësi.

Ne duhet të jemi krenarë, jo kokulur, për faktin, që përtej dhimbjes personale për arsye njerëzore se nuk na vjen mirë të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh, ndërsa sot është në duart e drejtësisë. Por ama nuk ndodhte kjo kurrë nëse nuk do e kishim hapur ne këtë kapak. Këtu u vranë 4 veta mes bulevardit dhe s’u pyet njeri. U refuzua zbatimi i urdhrave të prokurorit. E kupton ku kemi qenë.”

Rama akuzoi opozitën se synon të dëmtojë SPAK-un, duke përmendur qëndrimet e saj për drejtësinë. “E kemi bërë ne. Si qenka kjo. E kemi bërë ne dhe nuk e bën dot askush tjetër. Ata e thonë copë, më 12 maj do shkrijmë SPAK”, tha ai.

Kryeministri gjithashtu ritheksoi se integrimi në BE është i domosdoshëm për të garantuar barazinë para ligjit. “Ne jemi për reformën në drejtësi, pavarësisht problematikave dhe lajthitjeve të herëpashershme, por ne e kemi të ndarë këtë punë që ia kemi dhënë këtë shpatën që në histori e ka pas drejtësia, por në Shqipëri që nga 1912 e ka pasur qeveria”, u shpreh ai.

 

j.l./ dita

The post Rama: Për Veliajn kemi dhimbje personale, drejtësia duhet të bëjë punën e saj first appeared on JavaNews.al.

  •  

Europa po armatoset me shpejtësi/ “Por s’do blejmë armë nga Donald Trump”!

Riarmatimi evropian shërben për të vazhduar luftën në Ukrainë, për të menaxhuar përçarjen me Shtetet e Bashkuara dhe për të konsoliduar industrinë evropiane të mbrojtjes.

Strategjia e Ursula von der Leyen është një lojë në rritje të vazhdueshme, e cila bëhet më e qartë në çdo hap që hidhet.

Dje ishte radha e Librit të Bardhë mbi Mbrojtjen, White Paper for European Defence Readiness 2030, ku Readiness do të thotë “gatishmëri”.

Pra, gati për vitin 2030, në një plan që synon t’i japë një shtysë të madhe industrisë evropiane të mbrojtjes, deri në pikën e integrimit të saj me atë ukrainase – e cila sot është kthyer në pikën kyçe të tregut të armëve.

Dokumenti u prezantua nga Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, polaku Andrius Kubilius, dhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas – përfaqësuesit më radikalë të strategjisë ushtarake kundër Rusisë.

Kubilius u përpoq gjithashtu t’i bënte një ofertë Italisë dhe qeverisë së saj, e cila është e lëkundur për planin e riarmatimit, duke lavdëruar gjigantin e industrisë së mbrojtjes, Leonardo, si një aktor vendimtar në mbrojtje dhe duke u kujtuar skeptikëve se ky riarmatim “do të krijojë vende pune”.

Libri i Bardhë përshkruan një projekt për forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes, duke argumentuar se ky sektor ka qenë i “nënfinancuar” me kalimin e kohës dhe duke rikthyer gjithashtu “mitin” se shpenzimet ushtarake të Rusisë janë më të larta se ato të 27 vendeve të BE-së në kushte të barabarta të fuqisë blerëse.

Në fund të fundit, për të mbështetur idenë se “kemi nevojë për një bazë industriale të mbrojtjes më të fortë dhe më të qëndrueshme”, është e nevojshme të thuhet se sektori aktualisht është i dobët.

Plani i riarmatimit, tashmë i diskutuar në Komision dhe i miratuar nga Këshilli i BE-së, përbën shtyllën kryesore të Librit të Bardhë, me 800 miliardë euro burime financiare.

Këto fonde vijnë kryesisht nga zbutja e Paktit të Stabilitetit, gjë e cila do të lejojë një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes me të paktën 1.5% të PBB-së duke filluar nga fundi i prillit. Brenda kësaj pakete financiare përfshihet edhe instrumenti i ri financiar për mbështetjen e investimeve në mbrojtjen e shteteve anëtare, i quajtur Security and Action for Europe (SAFE), me një potencial prej 150 miliardë eurosh në formën e huave të garantuara nga buxheti evropian.

“Shtetet anëtare – thuhet në dokument – ftohen të rrisin me shpejtësi blerjet e përbashkëta në sektorin e mbrojtjes, në përputhje me objektivin e të paktën 40% të propozuar nga Strategjia Evropiane për Industrinë e Mbrojtjes (EDIS), gjithashtu nën mbikëqyrjen e instrumentit SAFE.”

Këto hua do të përdoren për “mbështetjen e industrisë evropiane të mbrojtjes” përmes “prokurimeve të përbashkëta”, të cilat duhet të përfshijnë të paktën dy vende – ku njëri prej tyre duhet të jetë një shtet anëtar i BE-së.

Shteti tjetër mund të jetë:

• Një tjetër shtet anëtar i BE-së,

• Një vend anëtar i EFTA-s (Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë),

• Një vend anëtar i EEA-s (Zonës Ekonomike Evropiane),

• Ukraina.

(EFTA dhe EEA janë aleanca ekonomike më të gjera se BE-ja, që përfshijnë vende jashtë Unionit si Norvegjia, Islanda dhe Zvicra.)

Pra, asnjë përfshirje e Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi, prokurimet e përbashkëta, veçanërisht për blerjen e “municioneve ose për lëvizshmërinë ushtarake”, duhet të përputhen me kërkesat e programit EDIRPA (Instrumenti Evropian për Prokurimin e Mbrojtjes).

Ky program “synon të inkurajojë shtetet anëtare të blejnë së bashku produkte mbrojtëse” dhe “të forcojë bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes evropiane (EDTIP)”.

Partnerët shtesë që mund të integrohen në një plan prokurimi të përbashkët duhet:

• Të kenë një marrëveshje me BE-në, ose

• Të jenë vende kandidate për anëtarësim në BE, si Turqia.

Financimi dhe burimet

Pjesa tjetër e planit mbështetet në disa masa kryesore:

• Rritjen e investimeve në mbrojtje përmes buxhetit të BE-së.

• Rritjen e kapaciteteve të Bankës Evropiane të Investimeve për të mbështetur sektorin e mbrojtjes.

• Përfshirjen e kapitalit privat, veçanërisht përmes zhvillimit të Bashkimit të Kursimeve dhe Investimeve.

Kjo do të arrihet duke ndryshuar rregulloren SFDR (Sustainable Finance Disclosure Regulation), e cila përcakton rregullat mbi financat e qëndrueshme. Këto rregulla do të zbuten për të lejuar financimin e projekteve të mbrojtjes.

Plani i blerjeve të përbashkëta bazohet në shtatë fusha kryesore të investimeve në mbrojtje:

1. Mbrojtja ajrore dhe raketore

2. Sistemet e artilerisë

3. Municionet dhe raketat

4. Dronët dhe sistemet kundër dronëve

5. Lëvizshmëria ushtarake

6. Inteligjenca artificiale, lufta elektronike dhe kibernetike

7. Mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe e faktorëve strategjikë. (Bota.al)

The post Europa po armatoset me shpejtësi/ “Por s’do blejmë armë nga Donald Trump”! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Madhështorë dhe…në SPAK!

Nga Skënder Minxhozi/

E keni gjysmën e qeverisë në burg, u mbushën qelitë me zyrtarë të PS, jua mori Altin Dumani në pranga partinë. Këto batuta hokatare dhe të tjera të ngjashme me to i dëgjon rëndom në studiot televizive, podiumin e parlamentit dhe kudo tjetër ku opozita sulmon çdo ditë qeverinë. Ka të drejtë në ato që thotë sepse lista e zyrtarëve socialistë është bërë vërtetë e gjatë dhe emrat kanë nisur të jenë të rëndë.

Megjithatë, kur ndodhesh në klimë zgjedhjesh, një kohë kur gjithçka krahasohet, matet e peshohet në raport me atë që ke përballë, kjo fanfarë e gëzuar akrobatësh duket se nuk i mendon shumë fjalët para se t’i nxjerrë nga goja. Kur ju thua socialistëve, fjala vjen, që ju kanë futur në burg numrin dy të maxhorancës, duhet të ndalesh një çast e ta mendosh atë që po thua. Sepse replika që mund të të vijë nga karrigia përballë mund të të vendosë në vështirësi. “…Kurse ju keni në SPAK si të pandehur ose prapa hekurave të tre krerët e partive kryesore të opozitës së sotme, Berishën, Metën dhe Mediun”!

Arrestimi i Veliajt, përveçse ka bërë që Rama të hapë gojën kundër SPAK, e ka futur në një pozitë delikate edhe raportin e opozitës me drejtësinë e re. Në harkun e pak orëve, Sali Berisha kaloi nga kërcënimet e hapura për ta shkrirë SPAK pas 11 majit, në një qëndrim më të butë për korigjimin e asaj që nuk shkonte me Strukturën e Posaçme dhe deri në deklaratat e fundit këtë të hënë, kur tha se Rama i ka çuar fjalë për ta shpërndarë SPAK pas zgjedhjeve, porse ai nuk pranon!

Ky balet fjalësh pasqyron një vështirësi konkrete intepretimi dhe qasjeje që Berisha dhe të tjerët rrotull tij kanë me hetimet e fundit dhe sidomos me arrestimin e kreut të bashkisë Tiranë. Dëshira për t’u gëzuar dhe rrahur shuplakat nga kënaqësia, por edhe përdorimi elektoral i arrestimit në fjalë, përplasen brenda opozitës së sotme me hallin konkret që ka në lidhje me SPAK i gjithë lidershipi opozitar. Nuk dinë ç’të bëjnë me prangat në duart e zyrtarëve të maxhorancës, të gëzohen e të thonë ndonjë fjalë të mirë për prokurorët, apo të vazhdojnë t’i mallkojnë ata në emër të halleve të Doktorit, Ilirit dhe Fatmirit?!

Zgjatja e radhës së të hetuarve VIP në dyert e drejtësisë po e bën të paefektshme lojën dhe përdorimin politik lara-lara të SPAK dhe viktimave të tij. Nuk mund të jesh dakord me Dumanin “deri në ora tre” e të jesh kundër tij pas kësaj ore! Njëherësh nuk mund të fërkosh barkun dhe të tallesh me prangat e kundërshtarit, pa shikuar më parë duart e tua ku shndrijnë byzylykët e burgut. Madhështorë dhe në SPAK, e thënë ndryshe!

E të mendosh se jemi ende në suazën e hetimit dhe gjykimit të dosjeve që lidhen me akuzat për vjedhje. Nuk kemi ardhur akoma tek dosjet e vrasjeve politike, ato të hershmet ende të pazgjidhura, ku shteti zhduku provat dhe pengoi hetimet. Aty paneli i madhështorëve tkurret edhe më shumë sepse edhe akuzat janë më të rënda dhe më të kobshme. Megjithatë ngushëllimi për opozitën është që SPAK vijon të mendohet edhe gjashtë vjet pasi ka nisur nga puna, për të bërë drejtësi për vrasjet në fjalë. Gjumë të mbarë!

  •  

Ndahet nga jeta Andis Harasani, ish-deputet dhe zyrtar i lartë i PS

Andis Harasani, ish-drejtori i KESH dhe deputet i Partisë Socialiste për 2 legjislatura është ndarë nga jeta si pasojë e një sëmundje të rëndë, prej së cilës kishte 2 vjet që vuante.

Lajmin e ka shpërndarë në rrjete sociale një mik i tij Agim Muco, i cili shkruan: “Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti.”

Andis Harasani, u largua nga politika në vitin 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet dhe jetoi në SHBA, ku u zhvendos me familjen e tij. Megjithatë, nuk ju larguar jetës publike, duke qenë prezent në rrjete sociale si një kritik i ashpër i Ramës dhe PS-së.

  •  

Gazetari: SPAK përgjoi 15 ditë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ja arsyeja!

Më 30 Dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese legjitimoi hetimet bazuar në “Sky ECC”, duke rrëzuar kështu kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka. Edhe pse u mor ky vendim, Prokuroria e Posaçme ka përgjuar për 15 ditë anëtarët e kësaj gjykate. Kështu deklaroi sonte në “Opinion” gazetari Flamur Vezaj.

Sipas tij, me autorizim të prokurorit Klodian Braho, oficerët e policisë pranë SPAK kanë hetuar anëtarët e GJK. Por pse?

“Prokurori Klodian Braho i SPAK, ka vendosur që më datë 10 Shkurt, ka regjistruar procedimin penal me iniciativën e tij. Avokatë të Pëllumb Gjokës po tentojnë të ndërhyjnë në GJK. Në autorizimin që ka dhënë prokurori për nisjen e hetimeve, me miratimin e drejtuesit të SPAK, në shkresë thuhet që ka nisur hetimi kryesisht bazuar në sloganin e famshëm “mbi dyshime të arsyeshme”, por pa dhënë një argument specifik dhe pa ju referuar një rasti konkret. Me nisjen e hetimit më 10 Shkurt të këtij viti, ka autorizuar oficerët e policisë pranë SPAK-ut për të kryer një përgjim 15-ditor, nga data 10 Shkurt deri më 15.Thuhet që ka dyshime e informacione se këto persona po tentojnë të influencojnë për të favorizuar në vendimmarrje”, shpjegoi Vezaj.

Gazetari tha se “është e palogjikshme që një hetim të nisë për këtë arsye”, pasi ka raste që vendimet e një gjykate shkojnë deri në 90 ditë pa u zbardhur.

“Hetimi ka nisur pasi Gjykata Kushtetuese është shprehur. Me datë 30 Dhjetor është rrëzuar kërkesa e Gjokës, hetimi ka nisur më 10 Shkurt. Në arsyetim, Prokuroria thotë se duke qenë se brenda 30 ditëve nuk është zbardhur vendimi i GJK, ne dyshojmë që mund të ndërhyhet për të favorizuar të dyshuarit. Kjo është non sense. Prandaj autorizohet përgjimi ambiental, publik. Kryerja e përgjimit të subjektit të procedimit penal, shtetasi Gent Ibrahimi dhe subjekte të tjera të shoqëruar me vëzhgim, filmim dhe fotografim.”/KLAN/

  •  

Demalia: Rama ngriti 10 mijë flamuj në mes të Athinës, Berisha uli brekët!

Analisti Ilir Demalia i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv foli për takimin e Sali Berishës me shqiptarët e Athinës, ndërsa krahason me takimin e kryeministrin Rama, në 2024-ën.

Demalia thotë se asnjë lider nuk e ka bërë atë që u bëri Rama, grekëve, që ngriti 10 mijë flamuj shqiptarë në mes të Athinës.

“Atë që i bëri Rama grekëve, nuk e ka bërë asnjë lider në historinë e Shqipërisë. I shkoi në mes të Athinës, ia plasi bombën midis Athinës.

Ngriti 10 mijë flamurë shqiptarë aty në atë pallat sporti. Berisha le të thotë ca të dojë. Ai nuk kishte asnjë flamur shqiptar në Greqi.

I hoqi dhe brekët, i uli në fund të këmbëve. Por turpi është i medias që merret me një njeri si Berisha”, thotë Demalia.

  •  

“Pati ndonjë deklaratë nga ambasada amerikane pasi unë fola për SPAK?”, Rama: Kriticizmi im do të vazhdojë!

Kryeministri Edi Rama, në komunikimin live me ndjekësit në Facebook, u shpreh se opozita e përdor luftën kundër korrupsionit si një “mjet” politik, pavarësisht se vetë është subjekt i drejtpërdrejtë i drejtësisë.

“Jemi përpara një fakti të thjeshtë, dua ata që insistojnë që këtu jemi të gjithë njësoj, janë të gjithe për burg. SPAK është një instittucion i krijuar nga vullneti politik i PS, SPAK e solli Amerika, e mban Amerika, se është Amerika, Amerika nuk është më, i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK, shkonin, hynin e dilnin në mëngjes, nuk janë më, i ka tërhequr Amerika.

Keni dëgjuar ndonjë ambasadës amerikane për SPAK, për drejtësinë? Pati një deklaratë nga BE, unë ato që thashë i them prapë, bëhet fjalë për institucionet e reaj që kanë 5 vjet dhe kanë nevojë edhe për kriticizëm konstruktiv. Këneta është e përbetuar nëpëmjet gojës së bufit vet, që do e shkrijë SPAK.

Nëse do të isha dhe unë i interesuar, i trembur, i shqetësuar, kjo do ishte më e thjeshtë, një fishkëllime dhe a e di si vinte bufi? E sillte tmerri që ka nga SPAK. SPAK është aty dhe do të jetë aty me mbështetjen e kësaj fuqie, të PS. Populli shqiptar kërkon që SPAK të jetë aty, të fuqizojë veten. Sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK. Por duhet edhe profesionalizmi dhe integriteti.

  •  

Komisioni Xhafaj: Kemi përmbyllur draftin e analizës për tetë institucionet e sistemit të drejtësisë

Në mbledhjen e kësaj të mërkure të Komisionit Anti-korrupsion, kryetari Fatmir Xhafaj ka deklaruar se tashmë ka një draft që është bërë për sistemin e drejtësisë, i cili pritet të hidhet për diskutim.

Sipas gazetares Greta Bullari, ekspertët kanë propozuar edhe ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar që do të monitorojë punën e institucioneve të drejtësisë.

“Kemi përfunduar në komponentin e tretë për analizën për sistemin e drejtësisë, për atë që kemi konsideruar konsolidimin e reformës në drejtësi. Kemi qarkulluar brenda nesh draftin e parë për të parë sugjerimet dhe më pas për të kaluar te diskutimi publik të këtij drafti së bashku me 8 anekset që janë tetë profilet institucionale për secilin nga institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë”, ka thënë Fatmir Xhafaj.

Ekspertët e pranishëm kanë propozuar ngritjen e një komisioni parlamentar për të monitoruar ecurinë e 8 insstitucioneve  të drejtësisë. Mbetet të shihet sesa kjo lëvizje lidhet me raportet aktuale të klasës politike me SPAK.

/abcnews.al

  •  

Kur Rama e Berisha lenë takim tek kangjellat e SPAK!

Nga Skënder Minxhozi/

 

I ranë nga rrugë të ndryshme por e panë veten të dy në të njëjtën pikë: te kangjellat e Prokurorisë së Posaçme. Të martën Edi Rama dhe Sali Berisha u shanë e u copëtuan në distancë siç bëjnë çdo ditë të kalendarit politik. Veçse që të dy, duke përdorur fjalë e terma në dukje të kundërt e kontradiktorë mes tyre, thanë diçka në lidhje me SPAK që shumëkujt ju duk si një sinonim përfekt i të njëjtit koncept. I pari, kryeministri, u shpreh në esencë se tani SPAK ka mbetur vetëm pa amerikanët dhe se e vetmja garanci për egzistencën e tij është PS dhe ai vetë. Në anën tjetër Berisha qe më i drejtpërdrejtë. Doktori premton shkrirjen e SPAK sapo të vijë në pushtet.

Janë dy qajse në dukje të ndryshme, por që në thelb i bashkon një element i rëndësishëm i përbashkët: statuquoja ku SPAK përgjon, heton dhe fut në burg cilindo sipas qejfit dhe interesit, duhet të marrë fund. Është një reagim paralel që distancohet vetëm së jashtmi si pozicionim ndaj drejtësisë së re, por që i unifikon qëndrimet kur vjen puna tek urgjenca për ndërhyrje. Rama tha se tani garancia jam unë (kupto, nëse nuk dua, unë jua heq garancinë), Berisha tha se unë jam fundi juaj. Ngjajnë si dy pika uji në faktin që janë në thelb dy kërcënime. Njëri i fshehur nën një guackë çokollate, tjetri i ngopur në tretësirë acidi!

Ky qëndrim i ashpër dhe gjithnjë e më konvergjent, e ka një arsye madhore. Me kalimin e javëve e muajve po përvijohet gjithnjë e më qartë se drejtësia e re po nxjerr në pah disa defekte të cilat bien ndesh jo vetëm me të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, por po krijojnë një situatë surreale ku e gjithë ngrehina e drejtësisë dhe pse jo edhe e shtetit, ka frikë nga një prokurori e cila ka pushtete dukshëm më të forta sesa sinoret kushtetuese që lejon një demokraci liberale.

Në vakumin e lënë nga tërheqja amerikane, e cila shërbente si mburojë e palëvizshme për drejtësinë e re, duket se do të ketë zëra në rritje kundër standartit ligjor që ofrohet në punën e organeve të saj kryesore. Në rresht të parë, të Prokurorisë së Posaçme, e cila ka krijuar në dy vitet e fundit një profil agresiv hetimi dhe vënieje para drejtësisë të disa figurave qëndrore politike, duke shfaqur njëherësh edhe defektet e deformimet për mënyrën sesi po heton. Në këtë botë të re, ku në Shtëpinë e Bardhë është ulur një president tejet alergjik ndaj termave “prokuror” e “gjykatës”, nuk është aspak e rastit që Rama i kujton Dumanit se ka mbetur vetëm, kurse Berisha betohet se do ta shkrijë SPAK, pasi ka shtrënguar duart me Chris Lacivitën.

Arrestime si ai i Erion Veliajt, por më parë edhe arresti shtëpiak i Berishës apo arrestimi i shëmtuar i Ilir Metës, po preokupojnë, krahas kënaqësisë jo gjithmonë të pastër e korrekte të një shumice që kërkon ndëshkim të politikanëve me çdo kusht, edhe një grupim të heshtur për momentin qytetarësh, të cilët shohin me shqetësim se kjo drejtësi mbi rreshtat dhe jashtë çdo kontrolli, po kthehet gradualisht në abuzivizëm dhe arbitraritet.

Ky shqetësim momentalisht është i shtypur e i kompleksuar nga ilariteti i klakerëve që duartrokasin sa herë që cirku i drejtësisë bën ndonjë viktimë, pa u merakosur asfare se të drejtat e atyre që hetohen, gjykohen apo burgosen, janë një e mirë e vyer publike që përcakton në fakt sesa e përsosur, cilësore dhe e kujdesshme është demokracia në një vend normal.

Të fusësh në burg një politikan të profilit të Veliajt, i cili nuk është i pandehur por vetëm i hetuar, është diçka që kërcet edhe për më fanatikun e SPAK. Ky trajtim nuk i duhet rezervuar askujt që nuk ka vrarë apo nuk ka kryer një vepër penale në kushte flagrance. Hetoje, gjykoje e dënoje nëse ja del, por s’ke pse e linçon publikisht duke e bërë dosjen hetimore pretencë për gjyqet televizive dhe “drejtësinë” e pisët të rrjetit social. Erion Veliaj dhe e shoqja tashmë janë dënuar në kuptimin më konkret të fjalës. Janë bërë preja e një turme që kërkon të kalben në burg megjithëse as SPAK s’i ka marrë ende të pandehur e as gjykata s’i ka shpallur ende fajtorë. Ky linçim publik e ka zanafillën tek mënyra sesi SPAK ka trajtuar dosjen në fjalë.

Në këtë sens, takimi virtual i Ramës dhe Berishës tek kangjellat e SPAK shënon jo vetëm sinjalin se mburoja atlantike ka rënë, por edhe se koha ka ardhur që të ketë një reflektim serioz për punën, funksionimin dhe të drejtat e kompetencat e drejtësisë së re. Bazuar në çfarë ka ndodhur në vitet që kanë kaluar nga ajo verë e nxehtë e 2016 kur 140 deputetë inicuan një kompakt reforme, ku sot shohim sesi një prokuror merr nën përgjim gjykatësin që merr ndonjë vendim që atij s’i pëlqen, e plot deformime të tjera që dëmtojnë më së pari vetë drejtësinë e re dhe imazhin e saj tek shqiptarët.

 

 

 

 

  •  

Ish-ministri i brendshëm i 21 janarit: Rama ka frikë se Veliaj e merr me vete, ndaj po sulmon SPAK-un

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë pohoi se kryeministri Rama ka frikë se kryebashkiaku i Tiranës Veliaj mund ta marrë me vete.

Sipas Bashës, sulmi dhe shantazhet që kreu i qeverisë ka nisur ndaj prokurorisë tregon pikërisht frikën e tij lidhur me atë që mund të ndodhë.

“Do thoja që me Ahmetajn Rama ka një histori më të vjetër sesa me Veliajn. Sigurisht është shumë i lidhur dhe me të, por lidhja me Veliajn besoj që është e qartë dhe frika e Ramës është pikërisht ajo që Veliaj dje pak a shumë e dha një shenjë që nuk do heshtë më. Pavarësisht se e kamufloi “nuk do të hesht për prokurorin” por s’ka çfarë të heshtë për prokurorin, se prokurorin e ka kundërshtar në gjykatë.

Ai është mesazh që i drejtohet Ramës dhe Rama ka 24 orë dhe do vazhdojë nesër që është hedhur në një sulm të ndërkryer kundër SPAK-ut, duke provuar se e para e punës të gjithë broçkullat që ka shitur këto kohë në mbështetje të SPAK nuk kanë qenë gjë tjetër veçse propagandë. Dhe së dyti, për fat të keq, duke u bërë së bashku me dinozaurët e vjetër të tranzicionit, duke u demaskuar para qytetarëve shqiptarë si armiqtë e vërtetë të Reformës në Drejtësi.

Padiskutim që Rama ka frikë se Veliaj mund ta marrë me vete. Ajo që më shqetëson në rradhë të parë dhe mbi të gjitha është presioni i hapur që kryeministri i vendit i bën SPAK-ut. Tonet kërcënuese që kanë ardhur në rritje, tregojnë që zoti ka një shqetësim të jashtëzakonshëm. Nuk e ka fshehur edhe për bashkëpunëtorë të tjerë, është përpjekur më së koti të distancohet”, tha Basha për Report TV.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë tha se mbështet pa rezerva SPAK-un në luftën kundër korrupsioni ndërsa shtoi se prokurorët kanë treguar se nuk janë më në xhepin e asnjë politikani.

Basha nënvizoi se sulmi ndaj SPAK-ut nuk vjen vetëm nga Rama, po edhe nga Berisha e Meta.

“Pra, është fat për shqiptarët që për Shqipërinë dhe për shqiptarët, për herë të parë kemi një grup prokurorësh të cilët jo vetëm nuk janë në xhepin e një politikani, apo një grupi politik. Sepse kemi pasur prokuror në xhepat e një politikani që janë përdorur kundër një politikani tjetër.Është arritje e madhe që për herë të parë kemi një strukturë të posaçme ku një pjesë e madhe, jo e vogël e individëve që përbëjnë këtë strukturë po demonstrojnë me vepra që janë të pandalshëm në luftën kundër korrupsionit. Që janë të pandikueshëm për të marrë anën tjetër të pyetjes që shtruat.

Ndërsa ana e drejtëpërdrejtë e asaj pyetje, përgjigja e drejtpërdrejtë e asaj, padiskutim zoti Rama tregon tashmë në rritje një nervozizëm të jashtëzakonshëm. Dhe tregon se kur vjen fjala tek interesi i tij përdor të njëjtën gjuhë, madje edhe më të egër ndaj SPAK, sesa zoti Berisha të cilin e ka sulmuar pikërisht për të njëjtën gjë. Gjuha e zotit Rama nuk i lë asgjë mangut gjuhës së zotit Berisha në sulmin që i bën SPAK. Pse? Për interes të shqiptarëve? Sigurisht që jo, për interes të tij” – shtoi Basha.

  •  

Një çerek milion vota që kanë futur në ankth Tiranën politike

Nga Skënder Minxhozi/

 

Nëse futesh në faqen e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, një shifër bie në sy para shumë të tjerave. Nga 1.1 milion shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, deri më tani, kur na ndan edhe një muaj nga afati i mbylljes së aplikimeve (4 marsi), masa e atyre që kanë aplikuar e ka kaluar kuotën e 140 mijë personave. Shifrat vijnë në përditësim dhe ky numër mund të jetë tejkaluar tashmë.

Prej tyre, 57% e aplikantëve, ose 86 mijë shqiptarë jashtë vendit, kanë tashmë në xhep të drejtën për të votuar në distancë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas ekspertëve të zgjedhjeve në Tiranë, pritet që shifra e atyre që do të marrin dritën jeshile për të votuar nga jashtë vendit, do të shkojë afër numrit magjik 200 mijë, ose edhe mund ta kalojë këtë barrierë të pamenduar kur nisi procesi. Sipas specialistëve, kjo shifër e madhe pjesëmarrjeje ka qenë thjesht e paparashikuar kur nisi procesi i regjistrimit 22 ditë më parë, në 11 janar. Ata shprehen se pritshmëria ishte për jo më shumë se 50-60 mijë votues të aprovuar deri në 4 mars, kur është afati i fundit i regjistrimit.

Një skenar elektoral me mbi 200 vota të reja prurje nga jashtë vendit, është i komplikuar për t’u analizuar sipas qarqeve dhe sipas shpërndarjes së 140 mandateve parlamentare. Databaza e KQZ na tregon se 27 mijë vota të ardhura nga diaspora deri tani në Tiranë, përbëjnë një premisë të mjaftueshme që vota e shqiptarëve jashtë vendit të jetë përcaktuese për ndarjen finale të 37 mandateve në kryeqytet. Në qarqet më të vogla, disa mijëra vota të shqiptarëve jashtë vendit do të jenë edhe më përcaktuese sesa në “kazanin” e madh elektoral të Tiranës. Në vitin 2021 në Berat fjala vjen, mandati i pestë për PS u nda me 77 vota. Dhjetë mijë votues nga diaspora janë regjistruar deri tani në qytetin e një mbi një dritareve, çka e fut në një realitet të ri shifror garën, të paktën në një pjesë të saj. Kjo pritet të ndodhë kudo ku votimet do të jenë të ekuilibruara, siç rasti i vitit 2021 në Berat.

Nuk është e rastit se kjo peshë e papritur që ka marrë vota e diasporës, ka zgjuar të gjitha strukturat e partive kryesore. Të gjithë krerët kryesorë të pozitës dhe opozitës, pa harruar partitë e reja, kanë lënë makinat e kanë marrë avionët. Ka një “mësymje” të vërtetë të politikës shqiptare në qendrat e mëdha urbane të Greqisë, Italisë, Gjermanisë e Britanisë, për të joshur një votues i cili përbën parimisht një objekt të padeshifrueshëm për politikën e Tiranës në 11 maj.

Në këtë përballje të parë me votuesit nga diaspora, secila palë politike vjen me rezerva dhe mosbesim. Së pari vështirë se e kishin pritur kaq të shumtë në numër. Së dyti, ky grup votuesish del nga hija e influencës e partive të mëdha në Tiranë, të cilat janë mësuar që zgjedhësit t’i kenë fizikisht në Shqipëri. Qasja në distancë është në vetvete problematike. Për këtë arsye ndoshta edhe vota e emigracionit është shtyrë për 30 e kusur vite!

Që 200 mijë votues të mos jenë të influencueshëm me medotat klasike të joshjes, presionit apo edhe blerjes në 11 maj, kjo përbën një hije të errët tejet të rrezikshme në planet elektorale të partive politike.

Ky votues që vjen për herë të parë në zgjedhjet shqiptare, ka krijuar jetën e tij të pavarur në botë, një egzistencë e ndërtuar mbi punën dhe aftësinë e tij, e jo të influencueshme nga partitokracia e Tiranës. Më tej akoma, ky votues sheh dhe thith një tjetër ajër nga ai i zgjedhjeve shqiptare, aty ku jeton e punon.

Votuesit që jetojnë në vendet perëndimore janë të mësuar me përballjet e forta elektorale, rotacionet, krizat qeveritare dhe zgjedhjet e parakohshme apo edhe  referendumet.

Në anën tjetër, duke e parë nga larg atdheun e tyre, këta votues kanë një perceptim të zhveshur nga emocionet, propoganda apo influencat e tjera, ndaj asaj që ndodh në Shqipëri, mënyrës sesi qeveriset, sesi bëhet politikë, sesi shkon ekonomia dhe jeta në përgjithësi. Kësisoj, përtej grupimit të votuesve që vijojnë të jenë të atashuar pas preferencave partiake që kanë lënë pas, të tjerët janë të ftohtë dhe logjikë në mënyrën sesi votojnë.

Këtu nis e panjohura dhe problemi i madh i partive në Tiranë. Rama ka frikë se mos kjo masë tashmë jo e vogël votuesish i kthehet kundër duke i prishur planet e mandateve nëpër qarqe, Berisha i tutet konsumit të tij të tejskajshëm dhe dëshirës eventuale të diasporës për një ndërrim kuajsh në krye të opozitës 33 vjeçare, partitë e vogla i shohin këta zgjedhës si terrenin e tyre të natyrshëm por i tremben faktit që për shumë prej votuesve në Evropë apo Amerikën e Veriut ata mbeten të panjohur dhe në hije.

Shkurt, politika në Tiranë do të donte të kishte më pak pjesëmarrje nga shqiptarët jashtë vendit, pasi ata janë një koeficient që mund të prishë të gjithë ekuacionin në 11 maj. Dyndjet e politikanëve e zyrtarëve partiakë që këto ditë kanë zbarkuar në qendrat e mëdha të emigracionit shqiptar, janë lakmuesi i shqetësimit që ka ngjallur në Tiranën politike fryrja graduale e listës së zgjedhësve nga diaspora.

Megjithatë këto janë llogaritë të vogla e meskine në krahasim me aktin e dhënies zë dhe figurë të mbi një milion votuesve që deri dje shihnin e dëgjonin (pasi kishin sjellë në atdhe remitancat e majme), sesi ndahej pushteti në vendin e tyre, pa pasur mundësi të influenconin sadopak në procesin politik. Në 11 maj kjo heshtje nis e thyhet. Shqiptarët më në fund po fillojnë të flasin jo përgjysëm, jo vetëm si një pjesë, por si një e të tërë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

  •  

Ushtarët francezë në Groenlandë dhe politika e re e jashtme amerikane

Nga Skënder Minxhozi/

 

Presidenti i Panamasë Jose Raul Mulino iu përgjigj i ngrysur në Davos pyetjeve që i vinin nga të gjitha anët në lidhje me Kanalin e Panamasë dhe fatin e tij të ardhshëm. “Tregohuni seriozë” që përgjigja e tij për kërcënimet në distancë që vendi i tij ka marrë nga presidenti i ri amerikan Donald Trump për rikthimin e Kanalit nën zotërimin e Shteteve të Bashkuara. Më pas, në një postim të gjatë në rrjetin social Mulino deklaronte se “Kanali është dhe do të mbetet pronë e Panamasë”, duke shtuar se “asnjë shtet i botës nuk po ndërhyn në menaxhimin e tij”. Nënkuptonte Kinën.

Një shtet tjetër fqinj i Panamasë ndodhet aktualisht i përfshirë në një vorbull nacionalizmi e frike, në lidhje me kërcënimet që po i vijnë nga i njëjti burim: Uashingtoni. Meksika ka parë manifestime masive në qytetet e saj ditët e fundit, pasi krerët e shtetit replikuan në distancë me Presidentin Trump, në lidhje me kërcënimet e fundit për vendosjen e tarifave tregëtare dhe shpalljen e karteleve të drogës si organizata terroriste nga Uashingtoni. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum konfirmoi orët e fundit se mbi 4000 persona të deportuar nga autoritetet amerikane, kanë kapërcyer kufirin që ndan Meksikën me SHBA.

Një kapitull tjetër që tregon sesa të trazuara janë në këto momente raportet mes qeverisë Trump dhe vendeve latino-amerikane, përfshiu edhe Kolumbinë, ku presidenti socialist Gustavo Pedro ktheu fillimisht avionët ushtarakë amerikanë që sillnin mbrapsht emigrantët në Kolumbi. Më pas fituan “gringot”, për të përdorur një term historik.

Fillimi i operacionit masiv të deportimeve të emigrantëve të paligjshëm nga SHBA ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në marrëdhëniet tradicionalisht nevralgjike të Amerikës me vendet latine.

Në këtë vorbull disamilionëshe personash që pritet të përzihen nga shtëpitë, fabrikat e fushat ku punojnë prej vitesh në të gjithë territorin amerikan, janë mbivendosur edhe kërcënimet për aneksime shtetesh apo ndryshime emrash si në rastin e Gjirit të Meksikës. Nga Kanadaja e deri poshtë në Amerikën Latine, politika e re e jashtme e Donald Trump po kërkon të nxjerrë përfitime përmes strategjisë së tensionit dhe presionit mbi vendet fqinje.

Megjithatë Donald Trump nuk e ka harruar as Evropën, në skakierën e tij të diplomacisë së kaosit dhe luftës verbale. Ai pati një telefonatë të tensionuar me kryeministren e njërit prej vendeve më paqësorë dhe më “në rregull me letrat”, siç është Danimarka. Motivi i sherrit telefonik: dëshira e afishuar dhunshëm nga Trump për të aneksuar ishullin më të madh në botë, Groenlandën. Konflikti me Danimarkën, i dyti me një aleat perëndimor dhe anëtar të NATO-s, ka futur në mendime të gjithë kontinentin e vjetër.

Në 20 janar, kur mori detyrën e presidentit, Trump u kujdes të mos ftonte thuajse asnjë lider evropian, ndërkohë që në fjalimin e tij fjala “Evropë” nuk u artikulua asnjëherë. Në sallën e ceremonialit nga Evropa ndodheshin vetëm krerët e atyre forcave politike që e djathta dhe e majta klasike evropiane i konsideron sot si ekstremiste dhe ksenofobe. Edhe Von Der Leyen e pa ceremoninë televizor si 440 milion evropianë të tjerë!

I shoqëruar nga agresiviteti vulgar i Elon Musk, Presidenti Trump duket i fokusuar në misionin e acarimit të skajshëm të raporteve me vendet evropiane. Nuk është e rastit që kjo qasje në kufinjtë e armiqësisë të nxisë rrudhje buzësh dhe ngritje supesh kudo në këtë anë të Atlantikut.

Dhe çeshtja e Groenlandës duket lakmuesi më i sigurt i kësaj klime të re të prishur. Kjo sepse synimet për aneksim të një territori që menaxhohet nga shtet i vjetër anëtar i BE dhe NATO, shoqëruar me kërcënimet të përditshme për tarifa dhe luftë tregtare, realisht duhen parë si një akt (jo)zyrtar armiqësie ndaj një komuniteti shtetesh që deri dje ishin aleatët historikë dhe të palëvizshëm të SHBA në rang global.

Deklaratat e orëve të fundit të ministrit të jashtëm francez Jean-Noël Barrot pasqyrojnë frustrimin dhe mllefin e kancelarive kryesore evropiane për këtë kurs përplasjeje që po kërkon tani Uashingtoni me Evropën. “Nëse Danimarka bën thirrje për ndihmë, Franca do të jetë aty së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Europian, të cilët kanë shprehur mbështetje shumë të fortë për Danimarkën gjatë një takimi të fundit të ministrave të jashtëm të BE-së, me disa vende që konsiderojnë gjithashtu vendosjen e trupave në Groenlandë”, tha Barrot.

Donald Trump po kërkon të imponojë një rend të ri botëror, përmes filozofizë së nacionalizmit ekonomik dhe instalimit të një rrjeti interesash të cilat po zëvendësojnë dhunshëm, në harkun e disa ditëve nga marrja e detyrës prej tij, të gjitha piketat historike mbi të cilat është ndërtuar politika e jashtme e SHBA pas Luftës së Dytë Botërore. Jo më angazhim dhe qëndrim proaktiv ndaj vlerave e standarteve të demokracisë, jo më prezencë në konfliktet e luftrat ku Amerika ka qenë tradicionalisht protagoniste, jo më çek i bardhë në duart e ukrainasve, por shkelje syri dhe qëndrim pritës ndaj Rusisë. Lista e risive të trump drejt shmontimit të librit të trashë të diplomacisë së SHBA, është mjaft e gjatë.

Në anën tjetër, sa i përket evropianëve, Trump e di mirë se po luan me nervat e një koncerti shtetesh që sot ndjehen të lodhura e të përçara së brendshmi. Gjermania e Franca rrezikohen nga e djathta ekstreme, vendet e tjera gjithashtu flirtojnë me idenë e regjimeve të forta, shtetet joliberale të Lindjes si Polonia e Hungaria synojnë të përhapin modelin e tyre, kurse vende si Italia kërkojnë të qëndrojnë në dy karrige njëherësh. Edhe në ceremoninë e inaugurimit të Trump, edhe në vijën e parë të frontit  me Zelenskyn.

Kërcënimi për dërgimin e ushtarëve francezë/evropianë në Groenlandë, për të mbrojtur ishullin nga ameërikanët(!!!), shënon një nga habitë me të cilat po na mëson mandati i dytë presidencial i Donald Trump. Do të shohim të tjera surpriza në vazhdim. Mesa duket s’do na takojë të presim gjatë.

  •  

Rroftë Trump, poshtë Kushner!

Nga Skënder Minxhozi/

 

Kjo është vetëm njëra dilemat e mëdha që turbullojnë këto orë PD e sotme dhe kryetarin e saj. Të tjera dilema, nëse duam të shtyhemi më tej, kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj SPAK (Berisha e quan Skap, Bardhi thotë se ka respekt), apo me futjen ose jo të Metës në listat e sigurta të kandidatëve në zgjedhje. Sa për thirrjet që vijnë për bashkim mes partive opozitare, këtu s’ka dilema: PD është dorëzuar tashmë. Nuk do bashkudhëtarë në kursin humbës që ka vendosur të ndjekë në 11 maj.

Kur kujtuan se hoqën qafe administratën “komuniste” të Joe Biden, në PD ka dalë një tjetër shkëmb i papritur nënujor: projekti enigmatik i ishullit të Sazanit i vajzës dhe dhëndërrit të Donald Trump! Një lloj rreziku nga ata që ngjajnë me një pazar apo shkëmbim influence të minutës së fundit, që nuk i dihen as përmasat e as pasojat. Pikërisht tani kur “demokratët e kuq” u shporrën nga Uashingtoni, del një projekt turistik i çiftit Xhared-Ivanka, nga ata që Edi Rama ka qejf t’i këqyrë nëpër makete e rendera, t’i shesë nëpër rrjete sociale dhe t’i propogandojë nëpër fjalime e statistika turistike, i cili prish të gjitha pritshmëritë.

Sulmi që Berisha i bëri projektit të Xhared Kushner në Sazan, duke thënë se ishte një akt trafikimi influence nga ana e Ramës, tregon pezmin që ka shkaktuar në PD kjo kthesë e mundshme në raportet me administratën e re amerikane. E cila në imagjinatën e demokratëve të Tiranës, duhej të vinte me kamzhik në dorë në derën e Edi Ramës, e jo me makete vilash e hotelesh.

Pas tre ditësh Donald Trump do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Eshtë ngjarja ku Sali Berisha ka depozituar të fundmet shpresa për daljen nga kuadrati i hekurt i statusit non grata, megjithë përfitimet politike e elektorale që ky vendim do të sillte me vete. Projekti i Sazanit, i cili merr prej muajsh konfirmime nga media dhe aktorë seriozë në SHBA dhe Evropë, ka premisat që të krijojë një turbulencë të vogël në planet e kryetarit të opozitës për izolimin amerikan të kryeministrit nga fitimtarët e rinj të zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Nuk ka zot që e gjen sot se çfarë influence mund të ketë një projekt si ky në qëndrimin e Uashingtonit zyrtar ndaj elitës tonë politike, ndaj kryeministrit dhe kreut të opozitës, por s’do të ishte fantashkencë që të parashikohej një rritje e vëmendjes së amerikanëve ndaj Shqipërisë, qoftë edhe prej faktit që ky do të ishte investimi më i rëndësishëm amerikan në vendin tonë (1,4 miliard USD), që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe siç dihet, amerikanët punojnë gjithmonë me qeveritë, jo me opozitat.

Momentit i inaugurimit të Presidentit Trump po afrohet së bashku me ripërtëritjen e zhurmës rreth projektit të Sazanit, si dhe dhënien ndaj kompanisë ndërtuese të statusit të investitorit strategjik nga qeveria shqiptare. Ky lëmsh rrethanash kontradiktore që po përkojnë në një mënyrë fatale si në një skenar filmi, natyrisht që krijon humore të skajshme në Tiranë, aty ku çdo zhvillim, çdo premisë, çdo firmë apo vulë, shihet si një zgjatim mistik i dorës amerikane, si një shenjë supreme e vullnetit të tyre, si një lëvizje poshtë tavolinës që ngre ose ul karriera politikanësh.

Prej muajsh projekti i Xhared Kushner merr bekime ose mallkime, sipas rastit, nga populli i hareshëm shqiptar i rrjeteve sociale. Një sfidë e vërtetë ka nisur në lidhje me efektin që do të ketë hoteli në ishull i çiftit Trump, për fatet e atyre që na qeverisin në Tiranë. Edhe në këtë pikë jemi ata që kemi qenë: shqiptarë të mirë dhe naivë që më së pari duhet të mendojmë sesa mirë i bën ekonomisë një projekt i tillë, sa turistë do të sjellë, cilat do të ishin përfitimet për të gjithë vendin etjetj.

Egocentrizmi e ka përjetësisht këtu shtëpinë. S’ka forcë në botë që të na bindë se të tjerët nuk janë duke menduar për ne gjatë gjithë kohës, pa na i ndarë sytë. Në një botë të madhe me tetë miliard njerëz brenda ky është një trill që të bën për të qeshur.

Ndaj kur qëllon që të njëjtët persona të thërrasin një herë “Rroftë Trump” e më pas “Poshtë Kushner”, ata që na dëgjojnë s’duhet të na marrin as seriozisht, e as me inat. Kujtojmë thjesht se ata që po shajmë apo lavdërojmë rrinë duke marrë shënim e analizuar çdo marrëzi tonën. Sëmundje e vjetër!

  •  

E kërkon tregu

Nga Ergys Mërtiri

Kur nëpër studio dikush flet mbi të këqijat e mediave, mbi banalitetin, programet e dobëta dhe shpesh vulgare që ato transmetojnë apo mbi efektin e tyre të dëmshëm për shoqërinë moderatorët justifikohen se këto programe shiten, i kërkon tregu.

Edhe kur kritikon muzikën vulgare të këngëtarëve që çajnë tregje, do dalin gjithmonë tufa “mendimtarësh praktikë” që të tregojnë fuqinë e tyre komerciale si vlerë absolute, supreme dhe të pakundërshtueshme.

Nëse një gjë shitet, nuk ka më rëndësi nëse bart apo jo vlera morale, njerëzore, estetike, artistike, profesionale etj. Atë e kërkon publiku, sovrani.

Mjaft që diçka të jetë e shitshme dhe ajo fiton automatikisht legjitimitet. Tregu është zëvendësuesi i çdo vlere dhe çdo kriteri mbi ofertën mediatike. Atij i nënshtrohet gjithçka, madje edhe vetë e vërteta. Të ekzistosh sot, do të thotë të jesh në treg.

Përndryshe, nën modelin e parimeve të empirizmit radikal që thonë se guri që bie në pyll ku askush nuk e dëgjon nuk bën zhurmë, vlerat nuk ekzistojnë jashtë shqisave të komercit.

Tregu është zoti i botës moderne të shkatërruar nga vlerat, është njësia matëse e gjithëçkaje: të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës, të bukurës dhe të shëmtuarës…

Feja është konsumizmi dhe komrecialiteti është parimi kryesor që ndërton të gjithë ritualin e adhurimit të tregut. Në emër të tij, ithtarët e kësaj feje i kundërvihen çdo sistemi tjetër vleror duke shkatërruar çdo arritje të qytetërimit.

Në fakt, arsyeja përse ne i afrohemi tregut është vërtetë fitimi, por të fituarit nuk mund të jetë vlerë supreme e orientimit tonë në jetë.

Njeriu që arsyeton se media duhet të transmetojë gjithçka që ka audiencë, zbret në nivelin e atij që gjykon se gjithçka është e shitshme, përfshirë, nderin, virtytin, familjen apo vetë jetën.

Të ofrosh programe komerciale, të dëmshme për shoqërinë, me justifikimin se këtë e kërkon publiku, do të thotë të mos njohësh vlerë tjetër përveç fitimit. Me këtë arsyetim ecin edhe ata që shesin drogë apo bëjnë prostitucion e trafiqe. Edhe për to ka një treg që i kërkon.

Ti ofrosh publikut gjithçka që kërkon mund të jetë fitimprurëse, por nuk do të thotë se është e drejtë. Media nuk mund të punojë për shkatërrimin e vlerave, për çedukimin e të rinjve, për turbullimin e turmave me idenë se ato transmetojnë çfarë të tjerët kërkojnë. Kjo do të thotë të ushqehesh nga shkatërrimi. Ky është thjesht prostitucion dhe nuk ka rëndësi nëse shfaqet në formën e tutorit apo prostitutës.

Të fitosh, pa djersë, përmes rrugëve të lehta dhe të pandershme, nuk është dinjitoze. Nëse dikush e bën këtë, le të ulë kokën dhe të vazhdojë të ushqehet në llucën e vet, por të paktën mos të propagandojë legjitimimin e së keqes duke u munduar të na imponojë parimet e pusetës si virtyt publik.

  •  

Policia: Biznesmeni 56 vjeçar pa precedentë penalë, u qëllua brenda makinës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën “Myrte Zeneli,” pranë “Pallatit me Shigjeta”, mbrëmjen e sotme, teksa raportohet se një automjet me drejtues shtetasin Bujar Nasufi, 56 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar atij humbjen e jetës.

Grupi hetimor, i udhëhequr nga Prokuroria, ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për të sqaruar rrethanat, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të ngjarjes.

Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po ushtron kontrolle të imtësishme për të ndalur përgjegjësit.

Më shumë detaje priten pas përfundimit të veprimeve hetimore paraprake.

 

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.

Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.

  •  

Vritet 56-vjeçari në kryeqytet/ Viktima u qëllua me 6 plumba në makinën e tij

Një 56-vjeçar i identifikuar si shtetasi Bujar Nasufi është vrarë mbrëmjen e sotme me armë zjarri pranë Pallatit me Shigjeta në kryeqytet.

Sipas asaj që është raportuar deri më tani biznesmeni 56-vjeçar, i cili nuk ka precedentë të mëparshëm penalë, është qëlluar me 6 plumba, ndërsa besohet se ai ka qenë duke shkuar në banesën e tij, e cila ndodhet pranë vendit të ngjarjes.

Sakaq, besohet se veprimet e autorëve janë pikasur nga kamerat e sigurisë së zonës ku u krye vrasja, pasi aty pranë ndodhen një sërë biznesesh.

 

Deri më tani besohet se në vrasjen e 56-vjeçarit janë përfshirë dy persona, të cilët fillimisht i janë afruar makinës së viktimës dhe më pas mendohet se janë larguar drejt zonës së Selitës.

 

  •  

VENDIMI/ Gjyqi ndaj pornostares Stormy Daniels, Presidenti Trump do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë si një i dënuar

Gjyqi i paprecedentë që çoi në dënimin penal të një presidenti të Shteteve të Bashkuara për herë të parë ka përfunduar në mënyrë surreale. Në të njëjtën sallë gjyqi në katin e 15-të të Gjykatës së Lartë Penale të Nju Jorkut ku Donald Trump u shfaq për herë të parë më 4 prill 2023, një sallë gjyqi që duket shumë e vogël për rolin epokal që i ra, dëshmuam me një grup gazetarësh në dënimin për atë që njihet zakonisht si “çështja Stormy Daniels” . 

Trump ishte dënuar tashmë në maj nga një juri prej 12 njujorkezësh për falsifikimin e dokumenteve për të fshehur marrëdhënien e tij me yllin porno gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, por ai u përpoq në çdo mënyrë të shmangte dënimin, i cili duhej të vendosej nga gjyqtari Juan Merchan. . Siç u njoftua, gjykatësi vendosi një dënim me “lirim pa kushte”: Trump u dënua, por u lirua pa kushte .

Asnjë burg, pa gjobë, por një njollë që do të mbetet kur të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë pas nëntë ditësh, edhe nëse do të jetë në gjendje të apelojë dhe tashmë ka njoftuar se do ta bëjë këtë (megjithatë, ai nuk mund ta falë veten sepse dënimi vjen nga një gjykatë shtetërore). Presidenti i zgjedhur kishte luftuar në çdo mënyrë, madje kishte apeluar në Gjykatën e Lartë për të shmangur këtë vendim. Pavarësisht shumicës së gjyqtarëve konservatorë në Gjykatën e Lartë, tre prej tyre të emëruar nga vetë Trump, njëra prej tyre – Amy Coney Barrett – befasoi mediat amerikane duke treguar pavarësinë dhe u rreshtua në anën e gjyqtarëve më liberalë (me një vendim përfundimtar prej 5-4 ) duke argumentuar se aktvendimi nuk duhet të pengohet.

“Është një ditë e trishtuar për Presidentin Trump, familjen dhe miqtë e tij, por edhe për këtë vend”, tha avokati Todd Blanche gjatë seancës përfundimtare. Blanche, e cila do të bëhet zëvendësministre e drejtësisë , shtoi: “Presidenti Trump është dakord me mua se diçka e tillë nuk do të ndodhë më kurrë në vendin tonë”. “Ishte një përvojë e tmerrshme,” tha vetë Trump, duke akuzuar Departamentin e Drejtësisë të Biden se kishte pilotuar këtë çështje kundër rivalit të tij politik. “Unë jam plotësisht i pafajshëm”  

Një vit e nëntë muaj më parë, kur filloi ky gjyq penal, i vetmi nga katër kundër Trump që pa fundin dhe humbjen e tij të vetme, ai ishte kandidat për Shtëpinë e Bardhë, tani ai është presidenti i zgjedhur. 

Seanca zgjati vetëm 34 minuta , por një dënim normal zakonisht zgjat pesë. Gjykatësi lejoi jo vetëm avokatët, por edhe Trumpin të flasin gjatë. Presidenti i zgjedhur e shfrytëzoi këtë pasi heshti për muaj të tërë ndërsa dëgjoi dëshmitarët që nuk mund të përgjigjen në këtë sallë gjyqi.  Krahasohen dy paradigma të ndryshme : një sistem që deklaron se askush nuk është mbi ligjin, kundrejt një presidenti që e konsideron rëndësinë e zgjedhjes mbi gjykimin. 

Presidenti tundi kokën katër herë ndërsa prokurori foli dhe së bashku me avokatin e tij Blanche kundërshtuan bazën shumë ligjore të gjyqit , “i cili nuk duhej të bëhej kurrë”. Trump citoi me emër dhe mbiemër gjysmë duzinë ekspertësh që pajtohen me të , por mbi të gjitha si provë të qëndrimit të tij ai përmendi vazhdimisht fitoren e tij në zgjedhjet e nëntorit dhe faktin që shumica e amerikanëve e lexuan atë “pasi ndoqën procesin e tij”, tha ai. te gjyqtari.  “Dhe me qytetet amerikane që digjen, luftërat, inflacionin, unë jam dënuar për falsifikimin e tarifave ligjore . E turpshme. Më trajtuan shumë padrejtësisht. Faleminderit shumë”, përfundoi ai. 

Merchal e la të fliste, siç nuk do të ndodhte kurrë në një seancë të ngjashme, vunë në dukje disa reporterë. Me një ton më pak të ashpër se sa pritej, ai më pas shpjegoi se për një gjyqtar “momenti i dënimit është gjithmonë vendimi më i vështirë” dhe se ai është marrë me raste të vështira, nga vrasjet e deri te dhuna seksuale ndaj fëmijëve, “asnjëherë më parë nuk kam parë një rast kaq unik”, “i jashtëzakonshëm për interesin e medias dhe për sigurinë, por pasi u mbyllën këto dyer ishte edhe i zakonshëm në shumë drejtime”. 

Vendimi i tij diktohet nga fakti se nëse pushteti i presidencës është i jashtëzakonshëm , personi që e zë atë rol është megjithatë i zakonshëm ; Fakti i të qenit i zgjedhur “nuk e zvogëlon seriozitetin e krimeve të kryera më parë” dhe as nuk e fshin vendimin e një jurie. Por është e vërtetë që votuesit i dhanë sërish imunitet presidencial Trump duke e zgjedhur president, e njeh gjyqtari. Ligji mbron zyrën, jo personin . Në dritën e gjithë kësaj, shpallja e tij fajtor, por lirimi i tij pa kushte është “i vetmi dënim i mundshëm ligjor që nuk ndërhyn në zyrën më të lartë të Shteteve të Bashkuara”, përfundoi Merchan, duke i uruar “Godspeed”, “fat të mbarë”.  

Është ndoshta hera e fundit për një kohë të gjatë që Trump kujtohet për kufijtë e pushtetit të tij, por duke i qëndruar besnik të tretës së rregullave të tij të famshme (Gjithmonë sulmoni, mohoni gjithçka, kurrë mos pranoni humbjen) shkruan presidenti i zgjedhur në rrjetet sociale. : “Demokratët humbën një tjetër gjueti patetike shtrigash… Më liruan pa kushte, një rezultat që dëshmon se nuk ka asnjë rast… Juria e vërtetë, populli amerikan, ka folur për rizgjedhjen time.” 

  •  

Bosi i futbollit serb: Nëse nuk mundim dot Shqipërinë, mos të kërkojmë Botërorin

Stojkoviç ka pësuar kritika të rënda që kur u ul në stolin e Serbisë dhe nuk e ndihmuan as dy kualifikimet në kompeticionet madhore radhazi dhe ngjitja në Ligën A të Ligës së Kombeve.

Goditja më e rëndë u bë pas Kampionatit Evropian në Gjermani, kur serbët nuk e kaluan grupin me Slloveninë, Danimarkën dhe Anglinë.

Tani, Zvezdan Terzic, njeriu që drejton Crvena Zvezda-n, por që e sundon futbollin serb në prapaskenë, ka vendosur për të komentuar të gjithë shortin dhe fjala e tij ka vërtet peshë.

Në një intervistë për Informer, Terzic i dërgoi një mesazh të qartë trajnerit serb. Nëse nuk e mund Shqipërinë, atëherë Serbia nuk ka vend në Botëror.

“Nëse nuk mundim Shqipërinë, atëherë nuk bëjmë pjesë as në Botëror, të mos gënjejmë veten. Jam dakord që mund të kishim bërë më mirë dhe të kishim një kundërshtar më të lehtë nga vazo e parë, sepse kombëtarja angleze është një kombëtare e fortë dhe favorit absolut”, tha Terzic.

  •  

Vdes në moshën 100 vjeçare ish-Presidenti amerikan Xhimi Karter

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, i cili fitoi Çmimin Nobel për Paqen, ka vdekur në moshën 100-vjeçare, njoftoi të dielën Atlanta Journal-Constitution.

Carter ishte presidenti më jetëgjatë në historinë e SHBA. Demokrati u bë presidenti i 39-të i SHBA kur mposhti ish-presidentin Gerald Ford në vitin 1976.

Ai shërbeu vetëm një mandat në Shtëpinë e Bardhë dhe u mund nga Ronald Reagan në 1981.

Por Carter i kaloi dekadat më pas duke u fokusuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, përpjekje që i dhanë atij çmimin Nobel për paqe në 2002.

Ish-presidenti i SHBA-së, Jimmy Carter, ka mbyllur sytë në moshën 100-vjeçare.Ai ishte një avokat që luftoi me fushata për shëndetin global dhe të drejtat e njeriut.

Një demokrat nga Xhorxhia, Carter ishte presidenti më jetëgjatë në historinë e SHBA dhe shërbeu vetëm një mandat në Shtëpinë e Bardhë, pasi u mund më pas nga Ronald Reagan në 1981.

100-vjeçari i kaloi dekadat më pas duke u fokusuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, përpjekje që i dhanë atij çmimin Nobel për paqe në 2002.

Vdekja e Carter vjen pasi gruaja e tij, Rosalynn Carter vdiq në nëntor 2023 në moshën 96-vjeçare.

Jimmy Carter, presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, një ndërmjetës i paqes në Lindjen e Mesme në kohën e tij.

  •  

Qyfyre nga opozita

Nga Ergys Mërtiri

Mosbindja e djeshme ka tmerruar gjer në palcë Edi Ramën dhe narkokraturën e tyre…

Narkoshteti mbrëmë përdori patronazhistë qesharakë që indinjoheshin se u bllokuan rrugët e kryeqytetit tre orë” – Sali Berisha

Edi Rama u tmerrua ndersa njerezit, u kenaqen te bllokuar 3 ore ne rruge. Ne shenje gezimi shoferet i bini borive, ndersa ne fund brohoriten njezeri: Na bllokoni prape, mundesisht cdo dite!

Por opozita, bujare sic di ajo te jete, kundershtoi, per hir te popullit. Jo, – tha, – nuk duam t’ju mundojme me shume. Do ta mbajme ne, perfaqesuesit tuaj, zjarrin e revolucionit. Kismet pas nja dy-tre muajsh do bejme goditjen tmerruese te rradhes per Ramen.

Revolucioni marshon, ngadale e me terezi, dy hapa para tre hapa mbrapa. Populli mbushet plot shprese e ben valixhen gati per ne emigrim. Rama dridhet e sperdridhet i tmerruar.

  •  
❌