Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Aksioni i IMT në Tiranë: Mbi 53 mijë m² hapësira publike të çliruara, shumica e çmontimeve vullnetare

53 031 metra katrorë sipërfaqe janë liruar në kuadër të aksionit të nisur për lirimin e hapësirave publike në Tiranë.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit bën me dije se gjatë kësaj periudhe janë bërë 1 408 çmontime, 1 167 prej të cilave janë kryer vullnetarisht nga bizneset, ndërsa 241 me ekzekutime vendimesh.

Aksioni që vijon prej javësh tashmë do të jetë konstant përgjatë 4 viteve. Kryeministri Edi Rama tha se nuk do të jetë një aksion veror dhe se nuk bëhet fjalë për sulme ndaj bizneseve.

Për të ardhur në ndihmë, qeveria ka lancuar edhe një platformë denoncimi zaptimin e hapësirave publike, e cila, tha kreu i qeverisë, do të ndihmojë për evidentimin në kohë të zaptuesve.

 

Radhë kilometrike në Rrugën e Kombit, kosovarët “zbarkojnë” në bregdetin shqiptar, vonesa te Trau i Kalimashit

Shqiptarë të Kosovës kanë zgjedhur përsëri fundjavën për të shkuar në bregdet.

Në Pikën e kalimit kufitar të Morinës ka fluks por jo radhë pasi kalohet pa kontroll për shkak të marrëveshjes ndërqeveritare për sezonin turistik për kalimin pa kontroll, por radhë është krijuar edhe këtë fundjavë në pagesën te Trau i Kalimashit duke krijuar radhë kilometrike siç edhe shihet nga pamjet të marra mëngjesin e sotëm.

Sipas të dhënave nga PKK Morinit, në 24 orët e fundit kanë kaluar më shumë se 20 mijë shtetas, ndërsa vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë kaluar më shumë se 4 mijë shtetas.

Tragjedi në Greqi: 4-vjeçarja shqiptare mbytet në pishinë, në pranga e ëma

Një ngjarje e rëndë është shënuar të premten në ishullin e Paxosit në Greqi, ku një vajzë 4-vjeçare me origjinë shqiptare është gjetur e vdekur në pishinën e një vile. Sipas mediave greke, vajza ishte fëmija i vetëm i familjes shqiptare, që jeton prej vitesh në këtë ishull.

Tragjedia ndodhi në orën 15:00, kur vajza po luante në kopshtin e shtëpisë në zonën e Loggos. Për disa minuta, ajo i shpëtoi vëmendjes së të ëmës dhe u largua. E ëma nisi ta kërkonte nëpër shtëpi dhe më pas të fqinjët. 4-vjeçarja u gjet më pas nga kuzhinieri i vilës që ndodhej 150 metra larg shtëpisë.

Në  kohën e ngjarjes, turistët që kishin marrë me qira shtëpinë nuk ndodheshin aty. Policia dhe mjekët nga Qendra Shëndetësore e Paxos mbërritën menjëherë në vendngjarje. Pavarësisht përpjekjeve , 4-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte.

E ëma e vajzës është arrestuar dhe ndodhet në gjendje shoku.

Aksident tragjik në Nju Jork, humbin jetën pesë persona

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor që ndodhi të premten pasdite në shtetin e Nju Jorkut. Ngjarja tragjike u raportua nga The Buffalo News.

Sipas autoriteteve, një autobus turistik me më shumë se 50 pasagjerë – kryesisht turistë nga Kina, Filipinet dhe India – po udhëtonte drejt qytetit të Nju Jorkut pasi kishte vizituar Ujëvarat e Niagarës. Në një moment, autobusi doli nga rruga dhe u përmbys, duke shkaktuar humbje të mëdha në njerëz.

“Ne besojmë se shoferi ishte i shpërqendruar, humbi kontrollin dhe më pas reagoi tepër”, deklaroi policia, duke shtuar se hetimet mbi shkaqet e aksidentit janë ende në vijim.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë ekipet e ndihmës së shpejtë, ndërsa disa të plagosur u transportuan me urgjencë në spitalet më të afërta. Gjendja e disa prej tyre raportohet të jetë kritike.

Ky aksident ka tronditur komunitetin lokal dhe po trajtohet si një nga më të rëndët në rajon për këtë vit. Autoritetet po punojnë për të identifikuar viktimat dhe për të kontaktuar familjarët e tyre.

Rama nis fushatën “Male të Pastra” dhe u bën thirrje qytetarëve për t’u bashkuar

Kryeministri Edi Rama ka bërë këtë mëngjes një thirrje publike përmes një postimi në Facebook, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në nismën “Male të Pastra”, një aksion pastrimi që do të zhvillohet më 26 gusht në dhjetë parqe kombëtare dhe natyrore të vendit.

“MIRËMËNGJES 😊 dhe me ftesën për t’iu bashkuar nismës ‘Male të Pastra’, një aksion pastrimi organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura… si një kontribut modest i gjithësecilit e njëkohësisht mesazh kuptimplotë për kujdesin ndaj natyrës së përbashkët, ju uroj një fundjavë të mbarë,” shkroi Rama në rrjetin social.

Kjo nismë synon të rrisë ndërgjegjësimin qytetar për ruajtjen e mjedisit dhe pastrimin e zonave të mbrojtura, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen e natyrës dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.

 

 

 

Gjermania kërkon ushtarë, spiunë dhe infermiere! Lojërat kompjuterike, “karrem” për të tërhequr të rinjtë

Gjermania po plaket dhe ka nevojë për ushtarë dhe spiunë të rinj për të garantuar dhe mbrojtur sigurinë e vendit, si dhe për infermierë për t’u kujdesur për të moshuarit.

Shërbimi Sekret Gjerman (BND) dhe ushtria gjermane, Bundeswehr, janë të pranishme me stenda rekrutimi në panairin ndërkombëtar të lojërave kompjuterike Gamescom që po zhviillohet në Këln.

Zëdhënësja e BND-së, Julia Linner, thotë se në stendën e shërbimit sekret vizitorët mund të marrin pjesë në lojën kompjuterike “BND Legends — Operation Blackbox”, ku lojtarët marrin identitetin e një agjenti të fshehtë për të penguar një sulm kibernetik. Loja, të cilën BND planifikon ta bëjë të disponueshme edhe në një platformë publike, teston aftësinë e lojtarëve në një numër situatash specifike dhe synon të tërheqë të rinj për t’u punësuar në agjencinë e shërbimit sekret ttë Gjermanisë.

Zëdhënësja Linner, thotë se për shumë njerëz BND-ja është një e panjohur e madhe dhe ne duam të zbulojmë disa nga sekretet e punës sonë, në mënyrë që të thithim punonjës të rinj. Ajo vëren se mjaft të rinj që luajnë lojëra kompjuterike kanë aftësi që janë të favorshme për të shtuar efektivitetin e punës së agjencive të spiunazhit – si p.sh. aftësi digjitale, aftësi komunikimi, frymë bashkëpunimi në ekip dhe rezistencë ndaj stresit.

Bundeswehri në kërkim të ushtarëve
Për arsye të ngjashme, pra rekrutimin e të rinjve dhe të rejave për ushtrinë gjermane, i pranishëm me një stendë në Gamescom është edhe Bundeswehri. Në stendën e Bundeswehr-it vizitorët mund të drejtojnë në simulatorë tanke ose të fluturojnë helikopterë, apo të bëjnë një stërvitje të vërtetë fizike të veshur me jelekë antiplumb pranë një posteri gjigant në të cilin shkruhet: “A je gati për nivelin tjetër?”

Sikurse zëdhënësja e BND-së, Linner, edhe zëdhënësi i ushtrisë, Marco Mann, thotë: “Ne jemi aty ku janë njerëzit që synojmë të bëjmë për vete”. Bundeswehr-i, i cili ka qenë i pranishëm në Gamescom që nga viti 2009, dëshiron t’u tregojë të rinjve se sa punëdhënës tërheqësështë, thotë Marco Mann.

Megjithatë kritikët hedhin dyshime duke shtruar pyetjen se sa të përshtatshme janë aktivitete të tilla. Pacifistët si Jürgen Grässlin nga Shoqata Gjermane e Paqes (DFG) thonë: “Në lojërat me vrasje, lojtarët futen në role të ndryshme në të cilat simulojnë vrasjen; ata madje marrin pikë bonus për vrasjen e një kundërshtari”.

Sipas tij “Bundeswehr-i nuk ka asnjë arsye që të jetë i pranishëm në Gamescom”.

Ministri i Jashtëm në kërkim të infermiereve në Indonezi
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e shfrytëzoi vizitën e tij në Indonezi, për të rekrutuar infermierë dhe infermiere nga ky vend. Ndërsa të dhënat demografike tregojnë se popullsia e Gjermanisë po plaket, rreth gjysma e 284 milionë qytetarëve të Indonezisë janë nën moshën 30 vjeç.
Në kryeqytetin e Indoneziasë, Xhakarta, Wadephul vizitoi i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë i Indonezisë Budi Gunadi Sadikin një shkollë infermierie dhe foli me nxënësit dhe nxënëset për planet e tyre për të ardhmen.

Megjithatë interesin për fuqi punëtore aktualisht Gjermania lëshon çdo vit vetëm rreth 1,000 viza pune për indonezianë. Berlini thotë se pengesë për lëshimin e vizave janë mungesa e arsimimit të nevojshëm, aftësitë e pamjaftueshme gjuhësore në gjuhën gjermane dhe mungesa e njohjes së certifikatave dhe diplomave nga Indonezia në Gjermani.

Kallashnikov në mes të ditës, zbulohet konflikti që çoi në të shtënat në Kombinat

Zbardhenb ermat e dy personave të arrestuar nëlidhej em ngjarjen e ndodhur në Kombinat ditën e djehsme.

Bëhet fjalë për shtetasit Oltjon Asllani(Vodollari) dhe Serxho Bajza.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Quick Response”. Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dje, në Kombinat.

Qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin po lëviznin dy shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta me ta, duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve në afërsi, vihet në pranga autori.

Në pranga vihet edhe një 30-vjeçar, pasi dyshohet se drejtonte automjetin nga ku autori qëlloi me armë zjarri.

Sekuestrohet automjeti i përdorur nga autorët gjatë ngjarjes, ndërsa vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit.

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:10, në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në kuadër të operacionit “Quick Response”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
• O. A(V)., 28 vjeç
• S. B., 30 vjeç, të dy banues në Kombinat

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 4 shtetasit e proceduar penalisht janë konfliktuar fizikisht me 2 autorët e ngjarjes. Pas konfliktit, për motive të dobëta, shtetasi O. A(V). ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 38-vjeçarit, ndërsa shtetasi S. B. drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri 28-vjeçari.

Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Aksident i rëndë në Ksamil, 29-vjeçari në gjendje kritike dërgohet në Spitalin e Traumës

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Ksamil. Sipas informacioneve, një automjet i ka prerë rrugën motomjetit, me drejtues 29-vjeçarin, Mario Selishta.

Ky i fundit është lënduar rëndë dhe është nisur drejt spitalit të Traumës në kryeqytet. Bëhet me dije se 29-vjeçari i plagosur me origjinë nga Dibra, ndodhej në Ksamil për pushime pasi jetonte në Itali.

Aksidenti ka ndodhur në rrugën “Butrinti” pranë një karburanti, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të përplasjes.

Aksident në Vlorë: Makina godet motorin, motoristi dërgohet në spital

Në orët e mbrëmjes në qytetin e Vlorës është regjistruar një aksident rrugor, fatmirësisht pa pasoja për jetën

Ende nuk dihen rrethanat kur një automjet tip “Audi” u përfshi në një aksident me një motomjet, kur për pasojë i lënduar mbeti drejtuesi i këtij të fundit, i cili u transportua në spital.

Njoftim i policisë:

Sot, rreth orës 20:15, në rrugën “Murat Tërbaçi”, Vlorë, shtetasi R. J., 33 vjeç duke drejtuar automjetin tip “Audi”, është përfshirë në një aksident rrugor me motomjetin me drejtues shtetasin L. K., 52 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Tiranë, 3 autorët i shkojnë në shtëpi, e godasin me shishe në kokë dhe i presin njërin vesh

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tiranë, ku një 21-vjeçar u plagos rëndë nga 3 shtetas.

Burimet bëjnë me dije se sherri ka nisur në rrjetet sociale, më pas 3 autorët i kanë shkuar 21-vjeçarit te shtëpia dhe e kanë goditur me shishe në kokë.

Mes dëmtimeve të shumta, mësohet se 21-vjeçarit i është prerë totalisht edhe njëri vesh.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ka arrestuar 3 autorët, shtetasit Florjan Faslia, Mentor Daja dhe Samuel Tahiraj.

Po ashtu bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobta, ndërkohë që 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi:

Tiranë-Plagosën rëndë për motive të dobëta një 21-vjeçar, identifikohen dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Mihal Popi”, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me sende të forta një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: F. F., 18 vjeç, M. D., 21 vjeç dhe S. T., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, në rrugën “Mihal Popi” pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin M. B., 21 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Aktualisht, 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

SPAK: Kemi nën hetim 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë e ish-ministër

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka konfirmuar se aktualisht janë duke u hetuar 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, mes tyre tre deputetë, një ish-deputet dhe një ish-ministër.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, SPAK bëri të ditur se hetimet përfshijnë vepra penale që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave. Për shkak të sekretit hetimor, emrat dhe akuzat konkrete ndaj tyre nuk janë bërë publike.

Institucioni ka sqaruar gjithashtu se gjatë periudhës 2022–2024 janë dërguar letërporosi drejt autoriteteve të huaja për sigurimin e materialeve hetimore shtesë, veçanërisht nga aplikacione të enkriptuara si SKY ECC, EncroChat dhe ANOM, të përdorura nga rrjete kriminale për komunikime të fshehta.

Sipas SPAK, ky bashkëpunim ndërkombëtar ka ndihmuar në zbardhjen e një sërë çështjesh të rënda penale në Shqipëri, Europë dhe më gjerë.

Zelensky: Moska po lëshon vetëm ultimatume, do të vazhdojë luftën

‘Rusia vazhdon të lëshojë ultimatume thjesht sepse dëshiron të vazhdojë luftën\’. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përsëriti këtë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, i cili po viziton Kievin.

“Çështja e përfundimit të luftës duhet të zgjidhet në nivel udhëheqësish. Por ne shohim se rusët po bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar takimin. Ne jemi të gatshëm të punojmë në mënyrë produktive, në masën më të plotë. Shpresojmë që partnerët tanë do të ndihmojnë në sigurimin e të paktën një pozicioni minimalisht produktiv nga pala ruse. Nëse ata nuk pranojnë një zgjidhje diplomatike për këtë luftë, nëse nuk duan ta përfundojnë atë, nevojiten sanksione shumë të ashpra. Ne mbështetemi shumë në paketa të forta sanksionesh nga partnerët tanë”, përfundoi ai.

OKB shpalli zyrtarisht zi për bukë në Gaza, reagon Netanyahu: Gënjeshtër! Të vetmit që po vdesin nga uria janë pengjet izraelite

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu sot e denoncoi si një “gënjeshtër të hapur” një raport të OKB-së që zyrtarisht shpalli zi për bukë në Gaza dhe fajësoi Hamasin për mungesat.

“Izraeli nuk ka një politikë për rritjen e urisë. Izraeli ka një politikë për parandalimin e urisë”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë, duke shtuar se “të vetmit që vdesin qëllimisht nga uria në Gaza janë pengjet izraelite” të Hamasit.

OKB sot zyrtarisht shpalli gjendje urie në Gaza, duke vlerësuar se ajo “mund të ishte shmangur” pa “pengimin sistematik të Izraelit”.

Megjithatë, raporti i OKB-së “injoron përpjekjet humanitare të Izraelit dhe vjedhjen sistematike të ndihmës nga Hamasi”, shkroi Netanyahu, duke shprehur pakënaqësi, sipas të cilit “këto vjedhje janë ato që shkaktuan mungesat e përkohshme, të cilat Izraeli i kapërceu falë” veprimeve të tij.

Tragjike në Itali! Furgoni shtyp djalin 2-vjeçar, shoferi nuk e dinte se çfarë kishte bërë derisa u njoftua nga policia

Një tragjedi ndodhi në pjesën veriore të qytetit të Catanzaros, në rajonin e Kalabrisë në Itali, pasi një djalë 2-vjeçar u shtyp për vdekje nga një furgon që po manovronte pranë shtëpisë së tij.

Sipas informacioneve nga mediat italiane, tragjedia ndodhi kur fëmija ishte vetëm në oborr dhe i kishte shpëtuar vëmendjes së prindërve të tij. Ekipet e shpëtimit nxituan menjëherë në vendngjarje, megjithatë djali i vogël tashmë ndërruar jetë.

Shoferi i furgonit nuk e kuptoi se e kishte goditur fëmijën dhe vazhdoi rrugën e tij. Ai u gjet më vonë nga autoritetet dhe kur u informua për rezultatin tragjik të incidentit, u sëmur rëndë.

Policia po heton rrethanat e sakta të aksidentit.

Negociatat për programin bërthamor të Iranit, ministri i Jashtëm iranian do të takohet me homologët e tij europianë javën e ardhshme

Irani do të zhvillojë bisedime të reja mbi programin e tij bërthamor me Gjermaninë, Francën, Britaninë dhe Bashkimin Evropian të martën, njoftoi Ministria e Jashtme iraniane.

“U ra dakord që negociatat midis Iranit dhe tre vendeve europiane dhe Bashkimit Europian do të vazhdojnë të martën e ardhshme në nivelin e zëvendësministrave të jashtëm”, ​​tha ministria në një deklaratë të lëshuar pas një bisede telefonike midis ministrit të jashtëm iranian dhe homologëve të tij nga vendet evropiane, si dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaia Kallas.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se “koha po mbaron” për të arritur një zgjidhje dhe për të shmangur rivendosjen e sanksioneve kundër Teheranit. Ai gjithashtu konfirmoi se bisedimet midis Iranit dhe fuqive evropiane mbi programin bërthamor të Iranit do të zhvillohen javën e ardhshme.

“Sapo patëm një bisedë të rëndësishme telefonike që përfshinte kolegët e mi Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lamy, Ministrin e Jashtëm Gjerman, Johann Vandeful dhe Kaia Kallas me homologun tonë iranian mbi programin bërthamor dhe sanksionet kundër Iranit që po përgatitemi të rivendosim”, shkroi Barrot në mediat sociale.

Evropa mbetet e përkushtuar ndaj diplomacisë, por koha po mbaron për bisedime mbi programin bërthamor të Iranit, tha ministri i jashtëm gjerman pas bisedimeve me homologët e tij britanikë dhe francezë, si dhe me shefen e politikës së jashtme të BE-së.

“Koha po mbaron dhe Irani duhet të bëjë një angazhim thelbësor për të shmangur një rikthim të papritur. Ne ishim të qartë se nuk do ta lëmë mekanizmin e sanksioneve të skadojë nëse nuk ka një marrëveshje të verifikueshme dhe të qëndrueshme”, shkroi Johann Vandeful.

Administrata Trump vijon luftën ndaj imigracionit të paligjshëm, SHBA do të kontrollojë 55 milionë viza amerikane për shkelje

Autoritetet amerikane do të kontrollojnë më shumë se 55 milionë mbajtës vizash për të parë nëse kanë shkelur kushtet e qëndrimit të tyre në SHBA.

“Vizat do të revokohen nëse ka prova të pranisë së paligjshme, aktivitetit kriminal, kërcënimit për sigurinë publike, pjesëmarrjes në çdo formë aktiviteti terrorist ose ofrimit të mbështetjes për një organizatë terroriste”, tha një zyrtar.

Mbajtësit e vizave do t’i nënshtrohen “kontrollit të vazhdueshëm”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Associated Press.

Njoftimi i fundit erdhi pasi Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Shtetet e Bashkuara do të ngrinin menjëherë lëshimin e vizave të punës për shoferët e kamionëve.

“Numri në rritje rrezikon jetën amerikane dhe dëmton jetesën e shoferëve amerikanë të kamionëve”, shkroi Rubio në X të enjten.

Presidenti, Donald Trump e ka bërë luftën kundër imigracionit një gur themeli të mandatit të tij të dytë, vëren BBC.

Si pjesë e shqyrtimit të gjerë, studentët dhe vizitorët e ardhshëm në SHBA do t’i nënshtrohen kontrolleve të mediave sociale. Autoritetet amerikane do të kërkojnë “çdo tregues armiqësie ndaj popullit, kulturës, qeverisë, institucioneve ose parimeve themelore të Shteteve të Bashkuara”.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit janë udhëzuar gjithashtu të identifikojnë njerëzit “që mbështesin, ndihmojnë ose inkurajojnë terroristët e huaj të caktuar dhe kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, ose që kryejnë ngacmime ose dhunë të paligjshme antisemite”.

Matthew Tragesser, një zëdhënës i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së, tha se “përfitimet e Amerikës nuk duhet t’u jepen atyre që përçmojnë vendin tonë dhe promovojnë ideologji antiamerikane”. Ai shtoi se agjencia e imigracionit është e përkushtuar për të “zbatuar politika” që “zhdukin antiamerikanizmin”.

 

Trump flet për takimin dypalësh Trump-Zelensky: Ata janë si vaji dhe uthulla, nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se do të shihte nëse Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të punonin së bashku për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Do të shohim nëse Putin dhe Zelensky do të punojnë së bashku. E dini, ata janë si vaji dhe uthulla. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye të qarta”, tha presidenti i SHBA-së gjatë një bisede të shkurtër me gazetarët.

Trump tha gjithashtu se nuk ishte i sigurt nëse duhej të merrte pjesë në një takim që po përpiqej të organizonte midis Putinit dhe Zelensky-t, pas bisedimeve të fundit me Putinin në Alaska.

Megjithatë, siç vuri në dukje, ai do të preferonte të mos merrte pjesë.

E trishtë, qyteti i Gazës zyrtarisht në zi për bukë!

Autoriteti kryesor botëror për krizat ushqimore njoftoi të premten se qyteti më i madh i Rripit të Gazës është përfshirë nga zia e bukës dhe se ajo ka gjasa të përhapet në të gjithë Gazën, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për armëpushim dhe për heqjen e kufizimeve ndaj ndihmave humanitare.

Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore, apo IPC, tha se zia e bukës po ndodh në Qytetin e Gazës, ku jetojnë qindra mijëra palestinezë, dhe se ajo mund të përhapet drejt jugut në Deir al-Balah dhe Han Junis deri në fund të muajit të ardhshëm.

Ky përcaktim i IPC-së vjen pasi për muaj të të tërë organizatat humanitare paralajmëruan se kufizimet që Izraeli i ka vendosur ndaj ushqimit dhe ndihmave të tjera në Gazë, si dhe lufta e ushtrisë izraelite, po shkaktonin shkallë të larta të urisë mes civilëve palestinezë, sidomos fëmijëve.

Izraeli e hodhi poshtë qëndrimin e IPC-së. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e quajti atë “gënjeshtër të hapur”.

Kjo është hera e parë që IPC-ja konfirmon zyrtarisht zi buke në Lindjen e Mesme.

Raporti i IPC-së pritet ta rrisë trysninë ndërkombëtare mbi Izraelin, i cili është në një luftë të përgjakshme me Hamasin që nga sulmi që grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE e kreu në Izrael më 7 tetor 2023.

Izraeli thotë se ka për qëllim ta ashpërsojë luftën duke rimarrë nën kontroll Qytetin e Gazës dhe bastionet e tjera të Hamasit, pavarësisht se ekspertët paralajmërojnë se kjo do ta rëndojë edhe më shumë krizën e urisë.

IPC-ja theksoi se uria është shkaktuar nga luftimet dhe bllokimi i ndihmave, si dhe është përkeqësuar nga shpërnguljet e mëdha dhe dështimi i prodhimit ushqimor në Gazë, duke e çuar urinë në shkallë kërcënuese për jetën banorëve në të gjithë vendin pas 22 muajsh lufte.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gazë, rreth një e katërta e popullsisë, po përballen me shkallë katastrofike të urisë dhe shumë prej tyre rrezikojnë të vdesin nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen, tha raporti i IPC-së.

Muajin e kaluar, IPC-ja paralajmëroi se “skenari më i keq i urisë” po zhvillohej në Gazë, por nuk kishte bërë përcaktim zyrtar.

Netanyahu mohon se ka uri në Gazë, duke i quajtur raportet për urinë “gënjeshtra” të promovuara nga Hamasi.

“Raporti i IPC-së është një gënjeshtër e hapur. Izraeli nuk ka politikë të urisë. Izraeli ka politikë për të parandaluar urinë”, tha zyra e tij në një postim në X.

Edhe Ministria e Jashtme e Izraelit hodhi poshtë gjetjet, duke thënë se mbi 100.000 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gazë që nga nisja e luftës, përfshirë një rritje të madhe në javët e fundit.

Por, ekspertët theksojnë se Gaza është ende duke u rimëkëmbur nga forcimi i bllokadës prej fillimit të marsit deri në mesin e majit, kur Izraeli ndaloi futjen e ushqimeve, barnave dhe mallrave të tjera.

“Një numër gjithnjë në rritje i njerëzve, sidomos fëmijët e vegjël, po vdesin nga uria dhe sëmundje të parandalueshme, sepse Izraeli e ka bërë urinë pjesë thelbësore të fushatës për të kontrolluar Rripin”, tha Chris Newton, analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Ai shtoi se plani i Izraelit për ta përshkallëzuar luftën në Qytetin e Gazës vetëm disa javë pasi u dha paralajmërimi për fillimin e urisë tregon se “uria është e qëllimshme dhe se Izraeli po e përdor atë si armë”.

Netanyahu thotë se nevojitet më shumë trysni ushtarak për t’i arritur synimet e Izraelit: lirimin e pengjeve që mbahet nga Hamasi dhe asgjësimin përfundimtar të grupit militant.

Si përcaktohet zia e bukës?

IPC-ja tha se raporti i publikuar të premten përfshin vetëm njerëzit që jetojnë në qarqet e Gazës, Deir al-Balah dhe Han Junis. Nuk u arrit të klasifikohej qarku i Gazës veriore për shkak të mungesës së qasjes dhe të dhënave, ndërsa popullsia e mbetur në Rafah u përjashtua, pasi është kryesisht e pabanuar.

OKB-ja është ankuar për pengesa në shpërndarjen e ndihmës në Gazë, duke fajësuar Izraelin dhe gjendjen e pasigurt.

Nga ana tjetër, Izraeli ka kritikuar operacionin e udhëhequr nga OKB dhe akuzon Hamasin për vjedhjen e ndihmave, gjë që ky i fundit e mohon.

Ky është rasti i pestë në 14 vjetët e fundit që IPC-ja shpall zyrtarisht zinë e bukës – një iniciativë që përfshin 21 organizata ndihmash, agjenci të OKB-së dhe organizata rajonale, e financuar nga Bashkimi Evropian, Gjermania, Britania dhe Kanadaja.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe mori rreth 250 pengje, sipas shifrave izraelite.

Prej atëherë, më shumë se 62.122 palestinezë janë vrarë gjatë luftës së Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila është pjesë e qeverisjes së Hamasit dhe e përbërë nga profesionistë mjekësorë.

Përveç këtij bilanci, 154 të rritur kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen nga fundi i qershorit, kur Ministria nisi t’i llogariste këto raste, dhe 112 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja që prej fillimit të luftës.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po përpiqen të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund konfliktit./REL

Britania e Madhe mbështet OKB-në: Zia e bukës e shkaktuar nga Izraeli në Gaza është një turp moral

Kjo u deklarua nga Sekretari i Jashtëm Britanik David Lammy pas publikimit të raportit të Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) mbi urinë në Rrip. Dokumenti “thekson qartë pasojat katastrofike, veçanërisht për fëmijët”, shtoi Lammy.

“Pikërisht kur duket se nuk kanë mbetur fjalë për të përshkruar ferrin në Gaza, është shtuar një e re: zia e bukës. Kjo nuk është mister, është një katastrofë e shkaktuar nga njeriu, një akuzë morale dhe një dështim i vetë njerëzimit. Zia e bukës nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin; është shembja e qëllimshme e sistemeve të nevojshme për mbijetesën njerëzore”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Njerëzit po vdesin nga uria, fëmijët po vdesin dhe ata që kanë detyrë të veprojnë po dështojnë. Si fuqi pushtuese, Izraeli ka detyrime të qarta sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë detyrën për të siguruar furnizime ushqimore dhe mjekësore për popullsinë. Ne nuk mund të lejojmë që kjo situatë të vazhdojë pa u ndëshkuar. S’ka më justifikime. Koha për të vepruar nuk është nesër, është tani.” Guterres përsëriti më pas nevojën për “një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe akses të plotë dhe të pakufizuar humanitar”.

Kukës/ Drejtonin automjetet pa leje drejtimi, arrestohet një shofer, procedohen dy të tjerë

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Kukës në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore ka arrestuar një drejtues mjeti pasi u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe dy të tjerë.

Njoftim i Policisë:

 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Kukës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin I. Sh., 58 vjeç, banues në Krumë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në qytetin e Krumës, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.

 

Po këto shërbime referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, banues në Kukës, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, si dhe për shtetasin H. C., 41 vjeç, banues në fshatin Cahan, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin pa dëshminë përkatëse të aftësisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon ndaj drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin çdo veprim që pengon lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve. Parkimet e gabuara, veçanërisht në trotuare apo rrugëkalime, do të përballen me masa të menjëhershme penale dhe administrative

❌