Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Janaq Zarkës, me 41 vite karrierë në Polici

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u zhvillua sot ceremonia e daljes në pension të kryekomisar Janaq Zarkës, një prej figurave më të respektuara dhe me kontribute të çmuara në strukturat e Policisë së Shtetit.

Pas 41 viteve shërbim, me një karrierë që ka përfshirë sektorë të rëndësishëm si Policia Shkencore, Hetimi i Krimit dhe për shumë vite në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, kryekomisar Zarka përmbylli me dinjitet një rrugëtim të gjatë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar profesionalizmi, ndershmërie dhe përkushtimi.

Për këtë kontribut, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda i dorëzoi Certifikatën e Karrierës, si vlerësim simbolik për dekada shërbimi shembullor.

Në fjalën e tij, Proda vlerësoi 41 vitet e shërbimit me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.

“Prania e kaq shumë kolegëve, familjarëve dhe miqve sot në këtë sallë është dëshmi se Kryekomisar Janaqi nuk ka ndërtuar vetëm një karrierë, por një trashëgimi vlerash që do të kujtohet. Jam i sigurt se ai do të ishte gati të shërbente edhe 41 vite të tjera, por ky është cikli i jetës. Rëndësi ka që ta përmbyllësh me nder, ashtu siç po bën ti sot. Si Drejtor i Përgjithshëm, e konsideroj një nder të veçantë t’i dorëzoj këtë certifikatë, e cila është vetëm një pikë uji në detin e kontributeve që ke dhënë për Policinë e Shtetit”, u shpreh Proda.

Ndërsa drejtori i DVP Vlorë, Elidon Çela vlerësoi se kryekomisar Janaq Zarka është një nga figurat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Policinë e Vlorës.

“I qetë, profesionist dhe i përkushtuar, ai ka qenë për shumë prej nesh një shembull në çdo aspekt, në sjellje, në mënyrën si e ka trajtuar detyrën, por mbi të gjitha në dinjitetin me të cilin e ka përfaqësuar uniformën blu”, shtoi ai.

Në përshëndetjen e tij, kryekomisar Zarka falënderoi drejtuesit dhe kolegët për vlerësimin.

“Policia ka qenë jo vetëm vendi im i punës, por edhe familja ime e dytë. Jam krenar për gjithçka kam dhënë, dhe më shumë për atë që kam mësuar gjatë këtij rrugëtimi”, u shpreh ai.

1 nga 5

/m.m/r.e/

The post Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Janaq Zarkës, me 41 vite karrierë në Polici appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryente manovra të rrezikshme në liqenin e Pogradecit, gjobë dhe sekuestrim i mjetit lundrues

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, bllokuan një mjet lundrues “Jet ski” i cili po kryente manovra të rrezikshme në liqenin e Pogradecit dhe po rrezikonte pushuesit.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar pronarin e mjetit lundrues, shtetasin A. B. (babai i dy të miturve që drejtonin “Jet ski”-në), me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të ligjit “Për mjetet lundruese”, dhe 10 000 lekë, për shkelje të ligjit “Për aktivitetin e turizmit detar”.
Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.
1 nga 2

/m.m/r.e/

The post Kryente manovra të rrezikshme në liqenin e Pogradecit, gjobë dhe sekuestrim i mjetit lundrues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria rrugore, vendosen rreth 4300 masa administrative në qarkun e Vlorës

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Në kuadër të sezonit veror dhe rritjes së ndjeshme të fluksit të automjeteve dhe turistëve vendas e të huaj, strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë qarkun e Vlorës janë angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rrugët që të çojnë drejt zonave turistike.

Gjatë 10 ditëve të para të muajit gusht, janë hequr me mjet karroatrec dhjetëra automjete të parkuara gabim, të cilat pengonin qarkullimin dhe rëndonin trafikun, kryesisht në zonat bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore, Policia Rrugore ka intensifikuar monitorimin e pandërprerë të rrugëve hyrëse dhe dalëse të qyteteve dhe zonave bregdetare.

Po ashtu janë intensifikuar kontrollet ndaj shpejtësisë, parakalimeve të gabuara, drejtimit nën efektin e alkoolit dhe mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në këtë kuadër janë vendosur gjithsej 4297 masa administrative, ndër to 1374 masa për shpejtësi tej normave të lejuara; 83 masa për parakalime të gabuara; 39 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit; 361 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjeteve; 13 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 2510 masa për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Vlorës dhe Sarandës do të vijojë kontrollet intensive në të gjitha segmentet rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë për qytetarët dhe pushuesit.

Policia u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të mos parkojnë në vende ku parkimi është i ndaluar, pasi përveç masës administrative, parkimi i gabuar që pengon qarkullimin e mjeteve përbën vepër penale, sipas legjislacionit në fuqi.

/m.m/r.e/

The post Siguria rrugore, vendosen rreth 4300 masa administrative në qarkun e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Hapësira ime publike”, raportohen 2383 raste në 24 orë, zgjidhen 12 prej tyre

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Lirimi i hapësirave publike po vijon në gjithë territorin, ndërkohë që në dispozicion të qytetarëve për denoncimin e rasteve është vënë në dispozicion edhe portali “Hapësira ime publike”.

Në më pak se 24 orë nga vënia në funksion e këtij portali janë regjistruar 2383 problematika të raportuara, ndërsa kanë marrë zgjidhje 12 prej tyre dhe pjesa tjetër po shqyrtohet.

Kjo iniciativë e re e qeverisë në përballjen me problemin e hapësirave publike të zaptuara, i jep mundësi qytetarëve të denoncojnë duke bashkëlidhur foto dhe video për 7 problematika të ndryshme.

Në rast se qytetarët nuk marrin përgjigje për ankesën e parë brenda 24 orësh, në portal është vendosur në dispozicion një formular për ndjekje të mëtejshme të problematikës.

Në portalin “Hapësira ime publike” mund të denoncohen të gjitha rastet që shqetësojnë komunitetin duke nisur nga zënia e trotuareve, parkimet e paligjshme, ndërtime pa leje, dëme të pronës publike, ndotje fizike apo akustike të hapësirës publike, zaptim të rrugëve kombëtare, përfshirë kantieret e ndërtimit me rrethime të pasigurta.

Më herët sot, kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët të denoncojnë në portalin “Hapësira ime publike” rastet e shkeljeve që konstatojnë.

“Në rast se brenda 24 orësh nuk ka reagim, keni mundësi të denonconi dhe mungesën e reagimit për institucionet përkatëse, gjë që do të vendosë përpara përgjegjësisë ata njerëz prej të cilëve me të drejtë kërkojmë përgjegjësi që të gjithë”, siguroi ai.

/m.m/r.e/

The post “Hapësira ime publike”, raportohen 2383 raste në 24 orë, zgjidhen 12 prej tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndërtimet e paligjshme do të shemben ose sekuestrohen për interes publik

TIRAË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndërtuesit se çdo ndërtim i paligjshëm ose do të shembet, ose do të sekuestrohet nga shteti.

Në një komunikim në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili shprehet dyshues nëse do të prishen 8 kate pa leje në një objekt shumëkatësh të ndërtuar afër sheshit “Skënderbej” në Tiranë.

Rama siguroi se çdo metër katror tek ajo ndërtesa që u konstatua asokohe e paligjshme, nuk është më e ndërtuesit.

“Janë bërë të gjitha procedurat dhe, sikundër edhe në disa raste të tjera, ato metra katrorë do t’i marrë shteti. Do t’i marrë shteti për interes publik, pra për zyra, për aktivitete të natyra të ndryshme publike. Pra, do të jenë të një institucioni të caktuar të qeverisë, bashkisë, etj. Kjo nuk është vendosur, por ama janë ndërkohë kaluar me letra dhe në momentin kur do të kryhet ndërtimi, do të jenë të shtetit”, shtoi Rama.

Ashtu sikundër, Kryeministri theksoi se “të gjitha ato të cilat u publikuan si raste me shtesa kanë kaluar në procese të ndryshme”.

“Një pjesë janë parablerë nga ndërtuesit me çmimin e tregut. Një pjesë tjetër janë sekuestruar dhe konfiskuar, dhe kështu do të vazhdojmë në vijim. Kush do të ndërtojë një metër katror të paligjshëm, duhet ta dijë që nuk do ta gëzojë dot, ose do ta marrë shteti aty ku është e mundur të merret ose do të bjerë në tokë e gjithë godina. Kjo do të jetë e qartë dhe e prerë për të gjithë”, siguroi Kryeministri.

/r.e/

The post Rama: Ndërtimet e paligjshme do të shemben ose sekuestrohen për interes publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama thirrje qytetarëve: Denonconi shkeljet te “Hapësira ime publike”, autorët para drejtësisë

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje dhe lirimit të hapësirës publike, ndërsa siguroi se “kur ka fakte dhe prova, gjithsekush do të ballafaqohet me ligjin dhe me drejtësinë”.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, Rama tha se ndërtesat me leje nuk mund të cenohen.

“Kjo puna e burgut, duhet të jemi shumë të qartë, që unë jam kryeministri i Shqipërisë, e kam shpjeguar këtë shumë herë. Nder i madh, privilegj i madh dhe natyrisht përgjegjësi shumë e madhe, por ndër të gjitha pjesët e shumta të kësaj përgjegjësie nuk hyn përgjegjësia për të futur në burg njerëz. Këtë e bën drejtësia, dhe drejtësia funksionon me fakte dhe me prova. Lavdi Zotit, nuk kemi më drejtësinë që e bënte partia, qeveria dhe i pari i shtetit”, shtoi ai.

Kryeministri solli në vëmendje edhe platformën ”Hapësira ime publike” në e-Albania, ku ftoi qytetarët të denoncojnë rastet e shkeljeve.

“E keni në çdo telefon apo kompjuter, ku do doni ta vendosni apo ta kërkoni dhe aty mund të na ndihmoni, mund të bashkëpunojmë, që thoni: shiko, keni harruar edhe këtë, shiko, keni harruar edhe këtë, dhe pastaj, në rast se brenda 24 orësh nuk ka reagim, keni mundësi të denonconi dhe mungesën e reagimit për institucionet përkatëse, gjë që do të vendosë përpara përgjegjësisë ata njerëz prej të cilëve me të drejtë kërkojmë përgjegjësi që të gjithë”, siguroi ai.

/r.e/

The post Rama thirrje qytetarëve: Denonconi shkeljet te “Hapësira ime publike”, autorët para drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Reformim i strukturës së kontrollit të territorit

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se shumë shpejt do të nisë reformimi i strukturës së kontrollit të territorit dhe Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama u ndal tek aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje, duke evidentuar përgjegjësinë e strukturave shtetërore.

“Unë nuk mendoj se këtu janë të gjithë njësoj dhe se të gjithë kanë të njëjtën përgjegjësi, por patjetër, ashtu siç ka pasur një përshkallëzim të valës së lëvizjeve me drejtuesit nëpër bashkitë e qytete të mëdha, ku kanë nevojë për një shkundje për të kaluar në një nivel tjetër, ashtu do të ketë një shtrirje të kësaj vale pa diskutim në strukturat e kontrollit të territorit, duke filluar nga IMT-të e famshme, Inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit, tek policitë bashkiake dhe deri te strukturat e planifikimit dhe të zhvillimit urban”, theksoi kryeministri.

Këto, sipas tij, “do të jenë pjesë e kësaj pakoje reforme”.

“Por ama, nga ana tjetër, do të jetë teknologjia që do të vendoset në qendër. Dhe tanimë ne e kemi të ngritur pothuajse plotësisht të gjithë bazën e të dhënave vizuale mbi territorin e qyteteve të mëdha dhe zonave kryesore që janë afektuar dhe afektohen nga ndërtimtaria, nga ndërtimtaria pa leje ose nga ndërhyrjet e paligjshme”, u shpreh Rama.

“IMT e bashkive do të reformohen, do të ndryshojë struktura, dhe patjetër që kush ka drejtuar në IMT nuk do jetë më drejtori i një IMT-je. Kjo as nuk diskutohet dhe kjo po ndodh ndërkohë që flas. Dhe nuk janë prapë të gjithë njësoj për të futur në një thes, pa diskutim. Por gjëja që është më e rëndësishme është që burgu është një adresë ku përcillet robi me prova dhe me fakte, dhe përcillet nga drejtësia, jo nga Facebook-u dhe jo nga qeveria. Që të jemi shumë të qartë me njëri-tjetrin”, u shpreh Rama.

Duke iu përgjigjur një tjetër komentuesi, Rama sqaroi se “kryeministri nuk bën punën e drejtorëve, por kryeministri është këtu pikërisht për të shkundur kudo që duhet, edhe drejtorët që s’bëjnë punën”.

/r.e/

The post Rama: Reformim i strukturës së kontrollit të territorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turizmi, Rama: Një pjesë e industrisë nuk po mendon strategjikisht, masa radikale për plazhet

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama tërhoqi sot vëmendjen ndaj një pjese të subjekteve që operojnë në fushën e turizmit, të cilat sipas tij, nuk po mendojnë strategjikisht për të ardhmen, por po mendojnë për fitimet e momentit, me çmime shumë të larta.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj komentuesve lidhur me impaktin që ka në turizëm aksioni për lirimin e hapësirave publike gjatë sezonit veror.

“Nuk e linim dot në dimër. Thonë përse tani që keni turistë nëpër këmbë, por mos kini merak se çështja e turistëve nuk lidhet me këtë. Çështja e turistëve lidhet me dy a tri gjëra të tjera për të cilat do flasim shumë hapur dhe shumë qartë në shtator”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se kjo lidhet me atë pjesë të industrisë që nuk po mendon fare strategjikisht, por mendon “kap çfarë të kapësh sot”.

“Dhe praktikisht po i bën gropën vetes për nesër, pasi të gjitha ato investime që po bën nuk do të mund dot t’i kthejë në investime të qëndrueshme për fëmijët, nëse sot vendos çmime të cilat do të hapim me shumë shpejtësi fjalën se është shumë shtrenjtë në Shqipëri”, tha Rama.

Po ashtu, lidhur me plazhet, kryeministri vlerësoi se kemi bërë një hap të madh përpara këtë vit, por të pamjaftueshëm.

“Do të marrim masa radikale edhe me plazhet për vitin e ardhshëm, ku bashkitë do të marrin shumë më tepër forcë. Por, ama, shkundja e bashkive sot është një domosdoshmëri që të gjitha gjërat të shkojnë shumë më mirë nesër dhe që pushteti vendor që ka bërë shumë gjëra, por që ka shumë të meta, të ngrihet në një nivel tjetër”, tha Rama.

/r.e/

The post Turizmi, Rama: Një pjesë e industrisë nuk po mendon strategjikisht, masa radikale për plazhet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Rilindja Urbane 2.0”, program konstant i mandatit të katërt

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se aksioni për lirimin e hapësirave publike nuk është një “sulm veror”, por është një proces i vazhdueshëm që do të shoqërojë mandatin e katërt.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, Rama u shpreh se “Rilindja urbane 2.0” është program që do të vazhdojë 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant.

Po ashtu kryeministri theksoi se po përgatitet një rregullore e re kombëtare për menaxhimin e hapësirës së përbashkët.

“Për arsye se isha në listën e Tiranës kam bërë një fushatë me shumë ndalesa në Tiranë dhe kam konstatuar gjëra, kam dëgjuar njerëz, siç duhet të ndodhi në normalitetin e përditshëm të dikujt që përfaqëson njerëzit, dhe kam parë pikërisht këtë ngulfatjen e hapësirës së përbashkët. Për këtë arsye kam angazhuar të gjithë grupin e deputetëve të qyteteve të mëdha për t’u rikthyer tek njerëzit dhe për të bërë një inventar të këtyre”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se në territor janë konstatuar mbi 1800 pika që duhen çliruar.

“Tani në këtë çlirim ka një gjë pozitive, nuk jemi në kushtet kur ishim më parë. Nuk bëhet fjalë për ndërtime pa leje të natyrës mur, llaç, tulla. Bëhet fjalë për ndërtime të çmontueshme në pjesën dërrmuese të tyre dhe ka një mirëkuptim të madh nga ata që e kanë kuptuar se kjo punë nuk mund të vazhdojë më, pavarësisht se kanë ngritur këto ngrehina dhe po i çmontojnë në mënyrë vullnetare”, tha Rama.

Kryeministri informoi se qeveria po përgatit një rregullore kombëtare që do të vendosë qartë kufijtë dhe do të japë qartë hapësirat e lirisë për njësitë tregtare që të bëjnë jetën e tyre, por pa e kapërcyer kufirin e komunitetit.

“Shqipëria ka ardhur në një përparim të vazhdueshëm dhe ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Para pak ditësh një nga institutet më prestigjioze në botë të matjes së parametrave të qeverisjes, në Singapor, e përcaktoi Shqipërinë si një nga yjet në ngjitje të hapësirës europiane së bashku me 4 vende të tjera. Pikërisht për reformat dhe transformimin, ndërkohë që Shqipëria sot është diçka krejt tjetër dhe këtë e tregojnë shumë gjëra ku interesi për Shqipërinë i turistëve, investitorëve, medieve ndërkombëtare është pakrahasimisht më i lartë sesa ishte”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se teknologjia është ajo që do të na ndihmojë tani në këtë fazë që është arritur në procesin e lirimit të hapësirave publike.

“Siç kemi shkuar nga faza kur të tërë hapnin themele, hidhnin llaç e ngrinin mure, tek faza kur kanë shkelur, por me elementë të përkohshëm, të çmontueshëm, të kalojmë te faza kur nuk do ketë më as të tilla”, shtoi Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se “teknologjia do të na çlirojë përfundimisht nga ky fenomen duke e reduktuar atë në maksimum”.

“Të mos harrojmë që në vendet fqinje dhe në Mesdheun e poshtëm ky është një fenomen që e gjen pa merak edhe në Greqi, Turqi e Italinë e jugut, ne do të vazhdojmë ta luftojmë”, siguroi Rama.

/r.e/

The post Rama: “Rilindja Urbane 2.0”, program konstant i mandatit të katërt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pako e re masash ndaj zyrtarëve që lejojnë ndërtime pa leje, autorët nuk amnistohen

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se për t’iu përgjigjur problematikës së ndërtimeve pa leje po përgatitet edhe një paketë masash ligjore ndaj zyrtarëve të shtetit që janë përgjegjës për shkeljet në këtë drejtim.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre komentuesve që duke marrë shkas nga shembja e një godine pa leje të ndërtuar buzë detit në Vlorë, ngrenë pyetjen se përse u lejua një gjë e tillë.

“Lajtmotivi është: pse u lanë të bëhen? Kjo është një pyetje legjitime, por pastaj vjen pjesa tjetër, që fajin për çfarë ka ndodhur për ndërtimin e një ngrehine buzë detit me gjithë atë volum betoni e ka ekskluzivisht shteti dhe kush e ka bërë këtë trajtohet si një subjekt totalisht i pafajshëm”, shtoi Rama.

Madje, Rama theksoi se “kalohet edhe në ekstrem duke folur për familje të ndershme që mezi mbajnë frymën gjallë dhe kriminalizohet tërësisht shteti, ndërkohë që amnistohen tërësisht autorët e këtyre shkeljeve”.

“Në njëfarë mënyre është si të thuash: Çfarë faji ka hajduti pse shteti nuk e kapi dhe pse duhet kapur e dënuar hajduti në rast se shteti e lejoi që ai të vidhte?! Çfarë faji ka vrasësi nëse shteti nuk e ndaloi të vriste dhe pse e kap më mbrapa?! Çfarë faji ka çdo shkelës i ligjit nëse shteti nuk është aty në sekondë për ta ndalur ta bëjë atë shkelje?! Kush bën shkeljen është i pafajshëm, ndërkohë fajin e ka shteti dhe të gjithë ata që punojnë në emër të shtetit që nuk i shohin këto gjëra'”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se pa diskutim që në rastin e ndërtimeve të tilla ka një përgjegjësi të madhe të strukturave përkatëse, por pyetja tjetër që vjen është: A është kjo përgjegjësi përkatëse e mjaftueshme për të mos ndërhyrë dhe për të mos rivënë në vend ligjin aty ku është shkelur?

“Nga ana tjetër, me shumë të drejtë kërkohet kjo përgjegjësi përkatëse të mbahet. Pikërisht për këtë arsye ne kemi përcaktuar në pakon e re të masave që së shpejti do të aprovojmë, që të gjithë ata inspektorë, punonjës policie dhe me radhë që kanë përgjegjësi të kenë sytë hapur, do të mbajnë përgjegjësi në rast se do të konstatohen shkelje të kësaj natyre që nuk bëhen në një ditë, por duhen muaj dhe vite për t’u materializuar, siç është rasti i kësaj godine skandaloze të ngritur totalisht pa leje në buzë të detit në bashkinë e  Vlorës”, theksoi Rama.

(vijon…)

/r.e/

The post Rama: Pako e re masash ndaj zyrtarëve që lejojnë ndërtime pa leje, autorët nuk amnistohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Zjarri në Finiq nën kontroll, vatra aktive edhe në Bulqizë, Mat, Himarë e Tepelenë

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu informoi sot se zjarri në Finiq aktualisht është vënë nën kontroll, ndërkohë që ka vatra aktive në Bulqizë, Mat, Bolenë të Himarës dhe Tepelenë.

Në një intervistë televizive, Vengu informoi se për menaxhimin e situatës në Finiq janë angazhuar 120 forca ndërkohë që pritet të ndërhyhet gjithashtu edhe me një avion “Canadair” nga Mekanizmi i Mbrojtjes i BE-së.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi qenë prezentë në gjithë hapësirën e Finiqit. Patëm një situatë shumë të vështirë në krahun përballë Syrit të Kaltër, bëmë evakuim të përkohshëm në dy fshatra, në Livinë dhe Ardhasovë. Aktualisht banorët janë rikthyer. Ndërkohë kemi përqendruar më shumë se 120 trupa në këtë perimetër të 5 fshatrave”, shtoi Vengu.

Aktualisht, sipas tij, situata paraqitet më e stabilizuar. “Kemi pasur ndërhyrje nga ajri në orët e para të mëngjesit. Vijon operacioni për të siguruar perimetrin dhe infrastrukturën kritike, pasi kemi HEC-in e Bistricës. Do të vijojmë të jemi prezentë gjatë ditës me helikopterë që ndërhyjnë herë pas here dhe me avionë ‘Canadair’ që janë në dispozicion nga Mekanizmi Europian”, shtoi ai.

I pyetur për dëmet, ministri theksoi se nga vlerësimi paraprak janë të vogla, duke marrë parasysh intensitetin e madh që pati zjarri në këto fshatra gjatë natës.

“Fillimisht u krye ndërhyrja në zonat e banuara. Rreth orës 22:00 deri në mesnatë bëmë evakuimin e përkohshëm të fshatrave të rrezikuara. Më pas forcat ndërhynë shtëpi më shtëpi duke mbrojtur çdo banesë të rrezikuar nga flakët. Nga vlerësimet paraprake dëmet janë minimale, duke marrë parasysh vatrën intensive. Këto ndërhyrje në terren kanë mundësuar që të mos kemi dëme në jetë njerëzish e në prona”, shtoi ai.

Në vijim, ministri bëri të ditur se u realizua ndërhyrja për të krijuar perimetrin e sigurisë në hidrocentralin e Bistricës.

“Kemi kërkuar që të pezullohet aksesi i mjeteve nga Muzina drejt Bistricës që të vijojë aktiviteti i ndërhyrjes nga ajri në kushte optimale. Ka nisur ndërhyrja nga ajri që në orët e para të mëngjesit. Për më shumë se një orë po ndërhyhet me helikopter. Do vijojmë të ndërhyjmë me një mjet ‘Canadair’ në Dhrovjan, ku kemi konstatuar me dronët ‘Bayraktar’ disa vatra të vogla dhe duhet t’i mbajmë në kontroll që të mos përhapen”, u shpreh ministri.

Duke folur për situatën nga zjarret në gjithë territorin e vendit, Vengu theksoi se “çdo mëngjes dy dronë të Forcave të Armatosura mbikëqyrin territorin në veri dhe në jug të vendit”.

“Në Bulqizë, Mat, Bolenë të Himarës, Tepelenë dhe Finiq, që mbetet vatra më intensive sa i përket përhapjes dhe zonave të banuara. Do vijojmë të mbetemi vigjilentë. Kemi kërkuar gatishmëri të plotë të të gjitha bashkive dhe madje vendosjen në dispozicion të mjeteve private si betonieret që mund të shpërndajnë ujë në zonat me terren të vështirë apo edhe cisternave”, shtoi ai.

Ministri tha gjithashtu se synojnë që të blejnë helikopterë të specializuar për situata të tilla, pasi ato të FA-së kanë shumë misione.

“Prej disa vitesh mbarë Mesdheu ka hyrë në një epokë të zjarreve masive. E kemi parë çfarë ka ndodhur në vende shumë më të mirëpajisura se ne si Franca, Italia, Greqia, Turqia. Edhe Shqipëria është pjesë e këtij zinxhiri të riskut të zjarreve masive”, shtoi ai.

Sipas Vengut, “kurrë më parë Shqipëria nuk ka pasur kaq shumë mjete të dedikuara tokësore dhe ajrore dhe personel të mirëstërvitur dhe mirëpajisur.

“Do të vijojmë specializimin e trupës sonë për zjarret. Kemi investime me qendrat rajonale zjarrfikëse. Prej pak javësh kemi një instrument të ri, KAYO do të fillojë prodhimin e mjeteve zjarrfikëse. Kemi gjithashtu në proces prokurimi edhe mjetet ajrore për të përforcuar flotën ajrore. Do ta pasurojmë flotën ajrore dhe modernizojmë flotën tokësore. Dhe të kemi qendra rajonale për një zinxhir më të fortë reagimi”, shtoi ai.

/r.e/

The post Vengu: Zjarri në Finiq nën kontroll, vatra aktive edhe në Bulqizë, Mat, Himarë e Tepelenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U bllokuan në plazhin e Akuariumit, Policia e Himarës ndihmon tre turistë të huaj

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Shërbimet e Policisë Himarë u kanë ardhur në ndihmë 3 turistëve të huaj, të bllokuar në zonën e plazhit të Akuariumit.

Patrulla e rendit me shërbim në zonën e Jalës, pas një njoftimi se tre turistë të huaj kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur shkëmbore, në plazhin e Akuariumit, ndërhyri mbrëmë, duke shkuar menjëherë në vendin ku kërkohej ndihmë.

Pas kërkimeve në terren, u bë i mundur lokalizimi i tre turistëve të huaj, të cilët u nxorën nga zona shkëmbore ku kishin mbetur të bllokuar. Aktualisht, të tre ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për ndihmën e menjëhershme dhe profesionalizmin e treguar.

Të gjitha strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë vijojnë të jenë të pranishme 24/7, për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe për ndërhyrjen në çdo situatë emergjente.

Krahas detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Policisë mbeten të angazhuara edhe për të ndërhyrë dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari apo turisti në raste emergjente.

/m.m/r.e/

The post U bllokuan në plazhin e Akuariumit, Policia e Himarës ndihmon tre turistë të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan fotot: Qetësi nga plazhi i Livadhit në Himarë

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Plazhi i Livadhit në Himarë, i njohur për ujin e tij të kristaltë dhe shkëmbinjtë e lartë që e rrethojnë, është shndërruar në një destinacion të preferuar për turistë vendas e të huaj që zgjedhin Rivierën Shqiptare për të pushuar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ky plazh, i cili përveç ujërave të kristalta të Jonit ofron qetësi për çdo pushues.

Ky plazh ndodhet poshtë Kalasë së Himarës, duke ofruar një kombinim të mrekullueshëm të historisë dhe natyrës.

Me një shtrirje prej rreth 1,2 kilometra dhe një gjerësi prej 100 metrash, me rërë të pastër dhe të mineralizuar, plazhi i Livadhit tërheq çdo vit vizitorë të shumtë, sidomos të huaj.

Ai ofron një qetësi jo të zakontë, gjë e cila është një nga kriteret kryesore që kanë pushuesit, dhe sidomos familjarët në përzgjedhjen e destinacioneve turistike gjatë sezonit veror.

Vendi është i përshtatshëm për t’u larë në thellësi dhe për hedhje nga shkëmbinjtë.

Plazhi i Livadhit ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për pushime relaksuese, me një larmishmëri hotelesh, lokalesh, restorantesh të çdo lloj portofoli. Ai është i përshtatshëm për çdo tipologji turistësh, vendas e të huaj.

Po në veçanti vizitorët e huaj duket sikur janë magjepsur nga ky plazh, për shkak të ujit të pastër dhe mundësisë që jep natyra për të eksploruar.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Rama ndan fotot: Qetësi nga plazhi i Livadhit në Himarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Aktivitet ekonomik i formalizuar dhe qytete më europiane

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike nga një subjekt me aktivitet gomisterie që kishte zaptuar pa leje hapësirën publike.

Rama siguroi se ky aksion do të sigurojë më shumë aktivitet ekonomik të formalizuar dhe qytete më europiane dhe më të pastra.

“Më shumë hapësira të lira e më pak ndotje në çdo komunitet si fillim dhe pastaj më tej, më shumë gjelbërim, më shumë kënde komunitare për të gjithë, më shumë aktivitet ekonomik i formalizuar dhe qytete më europiane, më të pastra, më të bukura, më të gatshme për Shqipërinë 2030 në BE. Ecim”, shkruan Rama.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: Aktivitet ekonomik i formalizuar dhe qytete më europiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: I hap rrugë Rilindjes Urbane 2.0


TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike, një nismë që i paraprin vizionit të qeverisë për Rilindjen Urbane 2.0, po vijon në të gjitha bashkitë e vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Durrës, ndërhyrje që sipas tij, do të rrisë cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve.

Rama siguroi se do të rivendoset qartë kufiri mes lirisë publike për të lëvizur e marrë frymë lirisht dhe të drejtës për aktivitet ekonomik të subjekteve private, gjithnjë në respekt të komunitetit.

“Edhe në Durrës vazhdon çlirimi i hapësirave publike, për t’i hapur rrugën Rilindjes Urbane 2.0 që do të rrisë cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve tona të mëdha, ku do të rivendoset qartë kufiri mes lirisë publike për të lëvizur e marrë frymë lirisht dhe të drejtës për aktivitet ekonomik të subjekteve private, gjithnjë në respekt të komunitetit”, shkruan Rama.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Ky aksion ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: I hap rrugë Rilindjes Urbane 2.0 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KSHH publikon raportin përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit: Nevojitet depolitizimi i administratës zgjedhore

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi sot raportin përfundimtar të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të datës 11 maj 2025, një dokument gjithëpërfshirës që pasqyron gjetjet më të rëndësishme, vlerësimet dhe rekomandimet përkatëse.

Raporti bazohet në një monitorim të detajuar të të gjithë ciklit zgjedhor, përfshirë periudhën parazgjedhore, ku u vëzhgua funksionimi i administratës zgjedhore, respektimi i afateve ligjore, ndalimi i përdorimit të burimeve publike dhe barazia në garë ndërmjet subjekteve politike.

KSHH nënvizon se ditën e votimit u evidentuan praktika pozitive, por edhe problematika si mungesa e energjisë elektrike në disa qendra, defekte teknike dhe raste të përpjekjeve për ndikim mbi votuesit.

Ndërkohë në procesin e numërimit KSHH vëren se u konstatua transparencë në shumicën e rasteve, por edhe prezenca e personave të paautorizuar dhe nevoja për depolitizim të administratës zgjedhore.

Në këtë raport, KSHH ripërsërit rekomandimin se reforma e mëtejshme zgjedhore kërkon konsensus dhe dialog të gjerë politik, transparencë dhe gjithëpërfshirje.

“Është e nevojshme të merren në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të pasqyruara në raportet e viteve të fundit. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk duhet të jenë monopol i partive politike dhe as të realizohen në periudha të afërta zgjedhore, por të marrin në konsideratë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare”, thuhet në raport.

KSHH rekomandon po ashtu krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore menjëherë pasi të konstituohet parlamenti i ri, për të filluar menjëherë nga puna, bazuar në parimet dhe standardet e nevojshme.

KSHH vlerëson se zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë vërtetuan edhe një herë se anëtarët e komisioneve zgjedhore lokale, në mjaft raste, profesionalisht nuk ishin në nivelin e duhur.

“Në punën e tyre u vërejt edhe njëanshmëria partiake. Për rrjedhojë qëndron nevoja imediate për të marrë në shqyrtim rekomandimin prioritar e të hershëm të OSBE/ODIHR-it, për depolitizimin total të tyre”, vlerësohet në raport.

KSHH rekomandon që objekt diskutimi në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore të jenë edhe ankesat e partive të vogla për sistemin zgjedhor në fuqi, që sipas tyre cenon barazinë e votës midis zonave dhe për rrjedhojë shpërndarjen e mandateve.

Për sa i përket votimit me postë, KSHH shprehet se duhet pasur parasysh Kodi i Praktikës së Mirë të Komisionit të Venecias, të vitit 2002 ku thuhet: “Votimi me postë duhet të lejohet vetëm në qoftë se shërbimi postar është i sigurt dhe i besueshëm. E drejta për të përdorur votimin me postë mund të kufizohet vetëm për njerëzit në spital ose në burg, ose njerëzit me aftësi të kufizuar për të lëvizur, ose zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit, por duhet të merren masa për të parandaluar mashtrimin dhe shantazhin”.

Po ashtu, KSHH rekomandon zgjerimin e votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme, pas konsultimit me partitë politike dhe me ekspertizën e ekspertëve të kualifikuar të fushës.

Lidhur me ndalimin e përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale, KSHH vlerëson se duhet të rishikohet në parashikimet e Kodit Zgjedhor duke e shtrirë këtë ndalim që prej datës së dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti.

KSHH i rekomandon po ashtu KQZ-së që të realizojë hetime administrative të shpejta, efikase dhe objektive të rasteve apo sinjalizimeve të lidhura me shpërdorimin e aseteve publike, duke treguar rigorozitet në zbatimin e ligjit dhe sanksionimin e shkelësve.

Po ashtu, KSHH vlerëson se trajnimi dhe certifikimi i detajuar dhe cilësor i komisionerëve duhet të jetë prioritet, duke u fokusuar jo vetëm në njohjen e procedurave, por edhe në menaxhimin e situatave të paparashikuara dhe respektimin e plotë të ligjit.

Forcimi i masave për kontrollin e aksesit në vendvotime dhe vendnumërime është thelbësor për të parandaluar praninë e personave të paautorizuar dhe për të shmangur çdo formë ndikimi të paligjshëm. Kësaj praktike të dëmshme duhet t’i jepet një zgjidhje përfundimtare në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet më tej në raport.

/m.m/r.e/

The post KSHH publikon raportin përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit: Nevojitet depolitizimi i administratës zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Albanian Trails”, platformë kushtuar turizmit të natyrës

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Rritja e numrit të turistëve të cilët zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë shoqërohet edhe me rritjen e numrit të vizitorëve në shtigjet natyrore të të gjitha vështirësive.

Ndaj, duke ndjekur interesin, por edhe problematikat e hasura nga numri i lartë i frekuentimit të shtigjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka krijuar të parin website zyrtar shtetëror të quajtur “Albanian trails”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video informuese mbi këtë website, i cili i vjen në ndihmë çdo vizitori të përjetojë itinerare dhe eksperienca frymëzuese në peizazhet, parqet dhe monumentet tona të natyrës.

“Shtigjet tona natyrore, aq të shumta në zonat e mbrojtura të Shqipërisë tashmë mund t’i zbuloni dhe informoheni rreth tyre paraprakisht në platformën dedikuar turizmit të natyrës www.albaniantrails.al krijuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, për të përjetuar itinerare dhe eksperienca frymëzuese në peizazhet, parqet dhe monumentet tona të natyrës”, u shpreh Rama.

Turizmi i natyrës është konsideruar tepër i përshtatshëm për gjeografinë shqiptare, me një terren të thyer nga jugu në veri të territorit.

Ndaj, Zonat e Mbrojtura në të 12 qarqet e vendit po përgatiten që ta shfrytëzojnë më së miri këtë lloj turizmi mjaft fitimprurës gjatë gjithë vitit.

/m.m/r.e/

The post Rama: “Albanian Trails”, platformë kushtuar turizmit të natyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, ndër vendet më të mira për nomadët digjitalë

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Shqipëria renditet një ndër vendet më të mira për nomadët digjitalë.

Raporti “Albania Digital Nomad 2025” nga Global Citizen Solutions tregon se vendi ynë renditet i 31-ti me një vlerësim prej 77,59 pikë për nomadët digjitalë në botë, ndërsa Tirana një nga 10 vendet më të mira në Europë.

Kjo lidhet me infrastrukturën e teknologjisë si lidhja e mirë e internetit, procedurat e lehtësuar të përfitimeve të vizës (për vendet ku nevojitet), cilësi të mirë të jetesës etj.

Nomadët digjitalë janë persona që punojnë në mënyrë të pavarur nga vendndodhja (freelancer/remote), zakonisht përmes internetit dhe udhëtojnë shpesh duke jetuar në vende të ndryshme për periudha të caktuara kohore.

/m.m/r.e/

The post Shqipëria, ndër vendet më të mira për nomadët digjitalë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla 9-vjeçare “Liri Gero” në Fier, Rama: Hap dyert këtë vit të ri shkollor me ambiente të reja

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Liri Gero” në Fier do të hapë dyert në shtator me kushte më të mira për nxënësit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ambientet e reja të kësaj shkolle, e cila është një tjetër institucion arsimor me standarde bashkëkohore për mësuesit dhe nxënësit që i shtohet “zinxhirit” të shkollave të reja që po transformohen në të gjithë vendin.

“Drejt përfundimit rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Liri Gero” në Fier, që do të hapë dyert këtë vit të ri shkollor me ambiente të reja, klasa moderne dhe kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Bashkinë Fier”, tha Rama.

Shkolla ofron për nxënësit dhe stafin mësimor ambiente të standardeve të larta, që përfshijnë laboratorë, hapësira për aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe ambiente rekreative.

Cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore mbetet prioritet i qeverisë.

/m.m//a.f/

 

The post Shkolla 9-vjeçare “Liri Gero” në Fier, Rama: Hap dyert këtë vit të ri shkollor me ambiente të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra Rinore në Korçë, një hapësirë bashkëkohore për të rinjtë

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Me investimet e fundit, Qendra Rinore në Korçë ofron një ambient modern dhe mikpritës ku të rinjtë mund të zhvillojnë talentet e tyre.

E transformuar në një hapësirë të përmirësuar për energjinë dhe kreativitetin e të rinjve, kjo qendër ofron të gjitha kushtet e nevojshme që ata të marrin pjesë në aktivitete kulturore, të argëtohen dhe të mësojnë së bashku.

Bashkia Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, mbështet fuqimisht krijimin e hapësirave që fuqizojnë rininë dhe nxisin pjesëmarrjen aktive në jetën e komunitetit.

“Investimi te rinia është investimi te e ardhmja e Korçës”, thuhet në njoftimin e bashkisë Korçë.

Qendra Rinore në Korçë ka një sallë kinemaje, tavolina ping pongu, bilardoje, ambjentin e podcast-it, salla ku të rinjtë mund të punojnë në grupe për realizimin e projekteve shkollore e jashtëshkollore.

Bashkia e Korçës ofron edhe të tjera ambiente për të rinjtë siç është zona sportive e qytetit e biblioteka, ndërsa janë të shumta edhe aktivitetet e organizuara që kanë në qendër të rinjtë.

/m.m//a.f/

The post Qendra Rinore në Korçë, një hapësirë bashkëkohore për të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌