Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

BE-ja do ta bëjë Britaninë të paguajë, nëse do të bashkohet me fondin europian të mbrojtjes

Mbretëria e Bashkuar do të duhet të paguajë një përqindje të vlerës së çdo arme të blerë nga kompanitë britanike përmes një fondi të ri europian të udhëhequr nga Brukseli, si pjesë e planeve të BE-së për të përballuar kërcënimin në rritje nga Rusia.

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi në maj se Britania do t’i bashkohet projektit të ri prej 150 miliardë eurosh të quajtur “Security Action for Europe” (Safe), i cili synon të rrisë shpenzimet ushtarake në të gjithë kontinentin si pjesë e një “rivendosjeje” të marrëdhënieve dypalëshe me BE-në.

Starmer e cilësoi pjesëmarrjen në këtë fond si një mundësi të re për industrinë e mbrojtjes në Britani, që do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenien ekonomike.

Megjithatë, sipas dy diplomatëve të BE-së që folën për Financial Times, Londra do të detyrohet të kompensojë Brukselin për të drejtën e pjesëmarrjes në këtë skemë të mbështetur nga BE-ja, e cila synon të blejë dronë, sisteme mbrojtjeje kundërraketore dhe pajisje të tjera.

Një diplomat tha se: “Rregullorja e projektit Safe parashikon një balancë të drejtë mes kontributit dhe përfitimeve të vendeve të jashtme, si Britania.”

Fondi Safe është pjesë e përpjekjes së BE-së për të mobilizuar 800 miliardë euro në shpenzime të reja ushtarake deri në vitin 2030, përballë rrezikut të shtuar nga Rusia dhe kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump që Evropa të mbulojë më shumë nga siguria e saj.

Fondi, i nisur në maj, do të ofrojë kredi për shtetet anëtare dhe vendet e “palëve të treta” si Britania, për të mundësuar blerje të përbashkëta armësh. Qëllimi është të rritet fuqia blerëse përmes forcës kreditore të BE-së dhe të bëhet më efikas bashkëpunimi ushtarak europian, i cili sot vuan nga fragmentimi dhe mungesa e koordinimit.

Hakerat sulmojnë “Microsoft”

Gjiganti amerikan i kompjuterëve Microsoft jep alarmin se platforma e tij SharePoint po përballet me një sulm të vazhdueshëm nga hakerët.

Sulmet po godasin serverët e këtij aplikacioni që përdoret gjerësisht nga qeveri, kompani dhe organizata në mbarë botën për shpërndarjen dhe përdorimin në rrjete të brendshme të dokumenteve dhe mesazheve të komunikimit. Në shënjestër janë organizma në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën, por ende nuk janë dhënë emra specifikë.

Hakerët kanë shfrytëzuar një dobësi të sistemit, e njohur si “zero-day”, që nuk ishte konstatuar deri më tani, për të penetruar brenda kësaj platforme. Kjo lejon sulmuesin të hyjë me identitet të rremë, duke u shtirur si një person apo sistem i besuar.

Përdoruesve mund t’u vidhen të dhëna konfidenciale, mund t’u falsifikohen dokumentet, ndërsa dëmet mund të çojnë deri në ndërprerje të funksioneve te brendshme te institucioneve.

Microsoft u bëri thirrje përdoruesve të instalojnë disa mekanizma të sapopublikuar për t’u mbrojtur nga këto sulme. Për disa versione, si ato të viteve 2016 dhe 2019, rekomandohet që serverët të shkëputen nga interneti. FBI ka nisur punën për hetimin dhe parandalimin e rrezikut. Në mbarë botën, dhjetëra mijë serverë mund të jenë në rrezik.

 

Turqia rrit ambiciet detare në Mesdhe, prezanton ‘Anijen Sulmuese Kombëtare’

Turqia po rrit në mënyrë dramatike ambiciet e saj detare në Mesdhe, duke investuar në një anije të re kërcënuese që mban emërtimin “Anije Sulmuese Kombëtare”

Kjo anije raketore, tërësisht me dizajn dhe ndërtim turk, është pjesë e një plani më të gjerë që synon forcimin e vazhdueshëm të pranisë dhe ndikimit turk në zonat detare të Egjeut dhe Mesdheut Lindor.

Zgjedhja e emrit të anijes nuk është aspak e rastësishme, pasi është një mjet sulmi i shpejtë i projektuar pikërisht për të demonstruar vendosmëri dhe fuqi në zonat e tensionit dhe konkurrencës.

Kjo anije e re u zhvillua nga industria turke e mbrojtjes STM, si pjesë e një programi që filloi në vitin 2020 nën mbikëqyrjen e Presidencës së Industrive të Mbrojtjes të vendit. “Prerja e parë e fletëve metalike” u zhvillua më 8 korrik 2025, dhe projekti përfundimtar pritet të prezantohet në ekspozitën e mbrojtjes IDEF, e cila është platforma më e madhe ndërkombëtare për shfaqjen e pajisjeve ushtarake turke. Projektimi i saj u bazua në standardet e përparuara të ndërtimit të anijeve, duke theksuar shpejtësinë, shkathtësinë dhe fleksibilitetin brenda një konteksti operacional me intensitet të lartë.

Anija karakterizohet nga një aftësi e fortë ofensive, pasi është e pajisur me tetë raketa anti-anije ATMACA, një top kryesor 76 mm, si dhe një sistem raketash mbrojtëse ajrore Point Defense, i ngjashëm me RAM-in që kanë shumë anije luftarake greke. Ajo gjithashtu integron një radar të përparuar të kontrollit të zjarrit AKR-D me një rreze veprimi prej 120 km, si dhe një radar navigimi ALPER. Përveç sistemeve të armëve, ajo ka sensorë dhe aftësi të përparuara për misione zbulimi dhe kontrolli të sovranitetit detar në zona me tension të shtuar gjeopolitik.

Sipas asaj që është bërë publike nga mediat teknike turke, platforma bazohet në klasën STM-MPAC, me një gjatësi prej afërsisht 66 metrash, një zhvendosje prej 620 tonësh dhe një rreze veprimi mbi 1,000 milje detare me shpejtësi të ulët. Vlerësohet se shpejtësia e saj do të kalojë 40 nyje, ndërsa ekuipazhi do të arrijë 40 persona. Është projektuar të jetë në gjendje të mbajë një RHIB të fryrë për operacionet e forcave speciale dhe misionet e zbulimit në bregdete ose ishuj.
Retorika turke rreth kësaj anijeje të re po promovohet në mënyrë agresive. Mediat e vendit flasin për një “forcë të re” që po përgatitet të dominojë Mesdheun Lindor, duke vënë në dukje se kjo do t’i vërë forcat greke dhe qipriote në një pozicion të vështirë. Madje bëhet referencë për shqetësimin e supozuar të Greqisë në lidhje me rrezen e veprimit dhe armatimin e anijes, me narrativën turke që nënvizon vendimin e Ankarasë për të imponuar pretendimet e saj detare, jo vetëm përmes diplomacisë, por edhe me mbështetjen e mjeteve ushtarake.

“Anija Kombëtare e Sulmit” nuk vjen vetëm si vazhdim i programit MILGEM ose i fregatave ISTIF, por si një mjet i ri për Marinën Turke që do të operojë në zona gri dhe në zona të karakterizuara nga mungesa e një demarkacioni të qartë. Në të njëjtën kohë, përdorimi i teknologjive vendase dhe shmangia e varësisë nga furnizuesit perëndimorë forcon vetëmjaftueshmërinë e Turqisë dhe funksionon si një mjet politik në kohë krize ose embargoje.

Prania e saj në të njëjtat dete me ishujt grekë përbën një episod tjetër në militarizimin e vazhdueshëm të aspiratave turke dhe krijon një dhimbje koke tjetër për stafet që janë të thirrura të menaxhojnë një sfidë në rritje me mjete të përmirësuara vazhdimisht. / abcnews.al

Rasti Veliaj/ Sufaj: Nuk pengohen të burgosurit për t’u vizituar. Policët, nuk lejohet brenda vizitës mjekësore

Femi Sufaj, zëvendes drejtor i përgjithshëm i burgjeve dha më tepër detaje lidhur me eksponentë të politikës që qëndrojnë pas hekurave, konkretisht për rastin Veliaj.

Pas aludimeve në media mbi gjendjen e tij shëndetësore, Sufaj tha se të shtunën kryebashkiaku i Tiranës ka paraqitur kërkesën, ndërkohë që të mërkurën është realizuar vizita. Sufaj theksoi ndër të tjera se brenda vizitës mjekësore nuk janë lejuar policët, ashtu siç e parashikon rregullorja në fuqi.

“Çdo i burgosur që ka një problem shëndetësor stafi duhet të bëj referimet, ta çojë në spital publik ose nëse nuk bëhet në atë privat. Të shtunën Veliaj ka bërë një kërkesë dhe me konsensusin e tij është bërë të mërkurën, nuk ka pasur vonesë. Dëgjova se kanë shkuar 30 policë, është marrëzi.

Nuk i dërgojmë tek personat me rrezikshmëri kriminale. Kanë qenë 2 makina policie me 8 veta. Është paramenduar se mund të shtrohet. Stafi i policëve nuk kanë ndenjur brenda vizitës mjekësore, nuk ta lejon mjeku. Në mënyrë kategorike, janë standarte vendore që të qëndroj mjeku në vizitë.”

 

Turistët holandezë bllokohen në liqenin e Pogradecit, Policia Kufitare iu vjen në ndihmë

Pogradec : Turistët hollandezë kërkojnë ndihmën e policisë kufitare, nxirren në breg me jet ski.

Vetëm pak minuta më parë, në zonën e Tushemishtit, policia kufitare i ka ardhur në ndihmë dy turistëve hollandezë, babë e bijë, pasi kishin dalë në liqen me kanoe dhe kishin kërkuar ndihmën e policisë në momentin që i kanë parë. Duket se turistët kanë patur probleme me lëvizjen e tyre në liqen, ndërsa mësohet se janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe po dërgohen drejt hotelit ku do të kalojnë disa ditë pushimi në Pogradec.

Policia kufitare vazhdon çdo ditë monitorimin në gjithë zonën e Pogradecit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ndryshme që mund të ndodhin në ujërat e liqenit të Pogradecit. / abcnews.al

‘Kantierët e ndërtimit, shkelje flagrante’, Rama: Do krijohet Agjencia Kombëtare e Planifikimit dhe Zhvillimit, lehtësi për bashkitë në vend

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndërhyrje të thella në sektorin e ndërtimit, duke e quajtur situatën me kantiere të shumta në vend si “të patolerueshme”. Ai theksoi se shumë prej tyre operojnë jashtë çdo standardi të sigurisë, mjedisit dhe ligjshmërisë.

Sipas Kryeministrit, për vite me radhë legjislacioni është ndryshuar në favor të ndërtuesve, ndërsa arkitektët janë përjashtuar nga përgjegjësia direkte ligjore, gjë që do të ndryshojë menjëherë.

Rama njoftoi gjithashtu krijimin e një Agjencie Kombëtare për Planifikimin dhe Zhvillimin, me përfaqësim në të gjithë territorin dhe rol udhëheqës në kontrollin dhe orientimin e zhvillimeve urbane.

Kemi një problem të patolerueshëm që është ai i kantierëve të ndërtimit. Kantier që nuk kanë lidhje me respektin ndaj mjedisit, të tjerëve, sigurinë, kantiere që nuk janë kantiere. Ndotja e patolerueshme dhe për këtë arsye do të bëhet një ndërhyrje kuptimplotë se cfarë kriteresh duhet të përmbushin. Ka një sport tjetër në Tiranë dhe bregdet ku ndërtuesit dhe zhvilluesit marrin një leje, por ende pa marrë lejen kuturisen të hapin gropa. Përdoret dhe një nen 6 a 7 ku kanë prodhuar pallate pa leje. Dhe për këtë masat do të jenë drastike. Në Kuvendin e Shqipërisë ka pasur prej shumë vitesh ngacmime të ligjeve që kanë të bëjën me ndërtyuesin dhe territorin dhe kanë shkuar në favor me ndërtuesin. Kemi përjashtuar si asnjë vend tjetër të Europës arkitektët që të nënshkruajnë deri në fund dhe të marrin përgjegjësinë. Këtë do ta përfshijmë menjëherë dhe do të procedojmë më pas me krijimin e agjensisë kombëtare të planifikimit dhe zhvillimit me shtrirje dhe përfaqësim në territor.

Bashkitë do ta kenë më të lehtë.”

Rilindja urbane, kryeministri Rama: Tirana Ballukut. Reforma e territorit, në dy faza

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria është e angazhuar në një proces të thelluar reformash dhe ndërhyrjesh në territor, përmes disa grupeve pune të strukturuara dhe të specializuara. Ai theksoi se krahas skuadrës kryesore, janë ngritur edhe grupe të tjera pune, të cilat po koordinohen nga figura kyçe të qeverisë dhe institucioneve të zhvillimit.Kryeministri bëri me dije gjithashtu se ai është pjesë e një tjetër grupi pune që po merret me Paketën e re të Reformës së Territorit, e cila do të zhvillohet në dy faza.

“Përveç kësaj skuadre, janë disa grupe të tjera. Një grup që kordinohet nga zv.kryeministrja, një grup që kordinohet nga ministria e financave, një grup që kordinohet nga drejtuesja e Agjensisë së zhvillimit të territorit që përfshin rreth 60 arkitektë të huaj dhe shqiptar që kanë filluar të punojnë për mënyrën e ndërhyrjes. Duhen edhe disa ndërhyrje të tjera që duhet të bëhen në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës. Një grup tjetër ku dhe unë marrë pjesë po merret me Paketën e re të reformës së Territorit që ka dy faza: Fazën imediate ku qeveria do nderhyje ne kushtet e kesaj emergjence me nje numer aktesh qe do jete paralelisht dhe me nje akt tjeter per ujin e pijshem dhe per mbetjet dhe do te kete nje faze te dyte ku do rishikohen te gjitha ligjet qe kane te bejne me territorin duke filluar nga ligji per territorin qe eshte shume i vjeter.

Jemi duke diskutuar një sërë ndërhyjesh shumë të domosdoshme shpresoj me një impakt të nevojshëm.”

 

‘Thirrje publike për aplikime në sektorë të ndryshëm’, Rama: Vlora nisi e para. Bashkia Tiranë, strukturë e re organizative

Një numër bashkish në Shqipëri kanë hapur tashmë thirrjet publike për aplikime në pozicione drejtuese të sektorëve kyç të administratës vendore, në kuadër të reformimit dhe fuqizimit të qeverisjes lokale. Mes tyre janë bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan, si dhe disa të tjera që do t’i bashkohen së shpejti këtij procesi transformues.

Ndërkohë, Bashkia e Vlorës, e cila ishte ndër të parat që nisi këtë proces, është duke vijuar aktualisht me fazën e intervistave me kandidatët e përzgjedhur.

Një zhvillim thelbësor është edhe bashkëpunimi i Bashkisë Tiranë me Institutin Tony Blair, me të cilin është konceptuar një strukturë e re organizative që synon të rrisë efikasitetin dhe transparencën në drejtim.

Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe një sërë të tjerash kanë hapur tanimë thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre

APLIKONI me kurajo dhe besim

Vlora që nisi e para po ecën me fazën e intervistave të të interesuarve, ndërkohë që në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë Tiranë, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore

Eshtë koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.”, shkruan Rama.

Alaska Airlines ndalon përkohësisht të gjitha fluturimet pas një ndërprerjeje të sistemit IT

Kompania ajrore amerikane Alaska Airlines ndaloi përkohësisht të gjitha fluturimet e saj të dielën mbrëma, pas një ndërprerjeje të sistemit informatik që preku operacionet e saj në të gjithë rrjetin.

Sipas një deklarate zyrtare nga kompania me seli në Seattle, ndërprerja ndodhi rreth orës 20:00 me orën lokale. Alaska Airlines nuk dha detaje mbi natyrën e problemit teknik.

“Kërkuam një ndalim të përkohshëm dhe të përgjithshëm të fluturimeve për Alaska dhe Horizon Air derisa çështja të zgjidhet,” thuhej në deklaratë.

Horizon Air, që operon si filial rajonal i Alaska Airlines, u përfshi gjithashtu në pezullimin e operacioneve.

Pas disa orësh, fluturimet rifilluan, por kompania paralajmëroi se do të ketë vonesa dhe ndikime të mëtejshme në itineraret e saj.

Pas incidentit, kompania është duke punuar për të rikthyer funksionimin e plotë të shërbimeve dhe për të ndihmuar pasagjerët e prekur. / abcnews.al

Nuk ndalen sulmet izraelite në Gaza, viktima e të plagosur

Agjencia për Mbrojtjen Civile në Gaza raportoi se sulmet izraelite vranë të paktën 26 persona dhe lanë të plagosur mbi 100 të tjerë pranë dy qendrave të ndihmës në jug të territorit palestinez. Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Basal i tha AFP-së se 22 vetë u vranë në jugperëndim të Han Junisit dhe 4 të tjerë në afërsi të një qendre në veriperëndim të Rafahut, duke fajësuar “sulmet izraelite”. Ushtria izraelite bëri të ditur se po heton këto pretendime.

Për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj mediave ndërkombëtare, raportimet për numrin e viktimave dhe detajet për sulmet e raportuara, nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Lufta në Gaza, që më 7 tetor 2023 u nxit nga sulmi ndaj Izraelit i kryer nga Hamasi, grup palestinez i shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare në enklavën palestineze.

Mbi 2 milion persona që jetojnë në Gaza po përballen me mungesa të furnizimeve ushqimore e të furnizimeve të tjera elementare. Në anën tjetër, mjekët kanë raportuar për rritje të madhe të rasteve të kequshqyerjes.

Raportimet për sulmet ndaj personave që kërkojnë ndihma pranë qendrave të shpërndarjes janë të përditshme dhe autoritetet palestineze fajësojnë Izraelin lidhur me këto raste. Një ditë më parë, Agjencia për Mbrojtjen Civile në Gaza bëri të ditur se ishin 9 persona që mbetën të vrarë pranë qendrës për shpërndarjen e ndihmës në veriperëndim të Rafahut.

Fondacioni Humanitar për Gazën e që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, mori përsipër shpërndarjen e ndihmës në Gaza në fund të muajit maj. Ky fondacion deklaroi se të mërkurën e kaluar, 20 persona vdiqën në Han Junis. Por, për vdekjen e tyre, fondacioni fajësoi “personat e armatosur të lidhur me Hamasin” duke pretenduar se ata shkaktuan “skena kaotike e të rrezikshme”, si dhe “qëlluan drejt personave që kërkonin ndihma”.

Më herët gjatë javës që po lëmë pas, Kombet e Bashkuara njoftuan se kanë regjistruar 875 të vrarë në Gaza. Ata po tentonin të merrnin ndihma dhe mes tyre ishin 674 që kanë humbur jetën “në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën”, që kur ky fondacion nisi operacionet për shpërndarjen e ndihmës. / abcnews.al

Misione kërkim shpëtimi/ Stërvitje e përbashkët mes forcave të armatosura dhe gardës së New Jersey

Një stërvitje e përbashkët për misione të kërkim-shpëtimit dhe mirëmbajtjen e avionëve është zhvilluar përgjatë kësaj jave mes Forcave Ajrore të Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-t.

Në një status në rrjetet sociale, ambasada amerikane thotë se bashkëpunime të tilla janë thelbësore për rritjen e kapaciteteve të përbashkëta të reagimit ndaj katastrofave apo edhe në kuadër të angazhimeve të NATO-s.

“Ata po përdorin të njëjtin helikopter Black Hawk që shpëtoi jetë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit pas Uraganit Sandy në vitin 2012 – dhe po punojnë me të njëjtin ekip mirëmbajtjeje! Aftësia për të përballuar goditje si katastrofat natyrore është një pjesë e rëndësishme e qëndrueshmërisë së Aleatëve – pararojë e mbrojtjes së NATO-s.”

Ambicia e Shqipërisë është që brenda pesë viteve të përgatisë 32 pilotë.  Buxheti prej 52,7 miliard lekë, i dhënë për mbrojtjen,  parashikon investime edhe për përforcimin e flotës me të tjerë helikopterë, pas blerjes së Black Hawk, që aktualisht cilësohen edhe si “krenaria” e forcës ajrore.

Ndërsa ministria e mbrojtjes nuk përjashton edhe mundësinë e blerjes së avionëve ushtarake në të ardhmen, por kjo shihen si një plan afatgjatë.

Kreativiteti i policisë peruane/ Shkatërron grupin e drogës, të veshur si El Chapulin Colorado

Policia peruane përdori një metodë të pazakontë për të kapur një grup shpërndarësish droge: njëri nga oficerët u maskua si personazhi i njohur televiziv El Chapulín ColoradoBuburreci i Kuq, një antihero komik i dashur në gjithë Amerikën Latine.

Sipas kolonelit Pedro Rojas, operacioni u zhvillua të enjten në një zonë ku dyshohej se shitej drogë. Gjatë aksionit, u arrestuan pesë persona dhe u sekuestruan një sasi e madhe kokaine dhe mariuane, megjithatë autoritetet nuk kanë zbuluar më shumë detaje.

Oficeri i maskuar si Chapulín Colorado përdori edhe një çekiç të madh të kuq për të thyer derën, në stilin karakteristik të personazhit që është i njohur për mënyrat e çuditshme dhe rastësore me të cilat “zgjidh” çeshtjet kriminale.

Rojas tha se personazhi u zgjodh me kujdes, pasi është rikthyer në vëmendjen e publikut përmes një seriali të ri biografik që po transmetohet në televizionet spanjishtfolëse. Seriali tregon ngritjen në famë të aktorit dhe shkrimtarit meksikan Roberto Gómez Bolaños, krijues i Chapulín Colorado.

“El Chapulín Colorado gjithmonë shfaqej aty ku nuk e prisje,” tha Rojas. “Edhe ne bëmë të njëjtën gjë.”

Pamjet e agjentit të maskuar kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale në mbarë botën. / abcnews.al /

SHBA, ligj për kriptomonedhat/ Trump: Për rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e amerikanëve

Presidenti Amerikan Donald Trump nënshkroi të premten ligjin historik GENIUS Act, i cili krijon kornizën e parë federale për stabilitetin e kriptovalutave ndaj dollarit amerikan, duke sjell kështu rregullime dhe mbrojte të shtuar për konsumatorët.

Ligji u miratua me mbështetje dypartiake nga  Senati më 17 qershor dhe Dhoma e Përfaqësuesve më 17 korrik. Ai përcakton si do të krijohet stabiliteti I tregut në raport me dollarin amerikan si dhe përcaktimet për rezervat e kriptomonedhave. Ligji ka specifika të qarta gjithashtu për vjedhjen e kriptomonedhave dhe pastrimin e parave përmes tyre.

Në ceremoninë e nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump falënderoi industrinë e kriptove për punën e tyre dhe tha: “Ky është një vërtetim i madh për frymën tuaj pionere”, duke shtuar për mundësitë ekonomike e politike që mbart zgjerimi dhe fuqizimi  i kriptomonedhave .

Ligji i ri synon të rrisë besimin e konsumatorëve në industrinë e kriptomonedhave, e cila është bërë shpejt një lojtar i fuqishëm në Uashington falë donacioneve masive të fushatës dhe shpenzimeve për lobim. Miratimi i tij vjen ndërsa Trump ishte zotuar vazhdimisht ta bënte SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptomonedhave”.

Kreu i Shtepise se Bardhe tha se drejtuesit e industrise se kriptomonedhave ishin injoruar deri me tani, por sipas tij kjo eshte koha qe ata te marrrin  mbeshtetjen qe meritojne. /abcnews.al/ 

Siri, armëpushim me “bekimin” e Izraelit/ Forcat e sigurisë ndalojnë përplasjet mes druzëve dhe beduinëve

Presidenti Sirian Ahmed Al Shara apo I njohur ndryshe edhe si Al Xholani shpalli kete te shtune një armëpushim të menjëhershëm në qytetin jugor Suweida, pas një jave dhune sektare që la qindra persona të vrarë . Përleshje të ashpra të armatosura janë zhvilluar në rrugët e qytetit midis fisnorëve beduinë dhe komunitetit druz, të dyja palët të akuzuara për mizori. Pamjet filmike treguan trupa të pajetë në rrugët e qytetit. Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, deklaroi: “Ky moment kërkon bashkim dhe bashkëpunim të plotë për të kapërcyer atë që po kalojmë.”

Megjithatë, zbatimi i armëpushimit është i paqartë, pasi raportet e pakonfirmuara sugjerojnë se luftëtarët e dy besimeve e kanë shkelur disa here marreveshje.

Forcat e sigurisë së brendshme siriane u vendosën në Suweida për të ndalur përplasjet – një veprim i aprovuar nga Izraeli, për sa kohë që druzët do të mbroheshin.

Komuniteti druz në Suweida ndjek një besim unik dhe sekret, i cili buron nga Islami Shiit, dhe ka mosbesim të thellë ndaj qeverisë në Damask. Ata janë pakicë në Siri, ashtu si në Izrael dhe Liban. Izraeli ndërhyri në konflikt më herët këtë javë duke goditur forcat qeveritare dhe ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes në Damask, duke shpallur mbështetje për druzët.

Të shtunën, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar hodhi dyshime mbi premtimet e reja të presidentit Sharaa për mbrojtjen e pakicave, duke thënë në një postim në rrjete sociale: “Është shumë e rrezikshme të jesh pjesë e një pakice në Siri. Kjo është vërtetuar vazhdimisht në gjashtë muajt e fundit.”
“Komuniteti ndërkombëtar ka detyrimin të garantojë sigurinë dhe të drejtat e pakicave në Siri.” Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me qendër në Britani, 718 persona janë vrarë që nga shpërthimi i dhunës të dielën e kaluar.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, deklaroi se zyra e tij ka marrë raporte të besueshme për shkelje të rënda, përfshirë ekzekutime të menjëhershme dhe vrasje arbitrare gjatë përplasjeve. Midis autorëve të dyshuar janë forcat e sigurisë, elementë të lidhur me qeverinë e përkohshme, si dhe luftëtarë lokalë druz dhe beduinë. Komisioneri I Larte I OKB kerkoi ndalje te dhunes dhe daljen perpara drejtesise per personat pergjegjes.

Presidenti sirian Ahmed Al Shara  premtoi se të gjitha palët përgjegjëse do të përballen me drejtësinë, pa përjashtim:“Qeveria jonë është e përkushtuar për të mbrojtur të gjitha pakicat dhe sektet në vend. Askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë – tha Al Xholani. / ABCNEWS.AL

“I forti” i Pogradecit dhunon kryeplakun/ Jetmir Muçollari e dhunon pasi i kërkoi të lirojë hapësirat e zaptuara

Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka degraduar në përplasje fizike në fshatin Tushemisht në Pogradec. Jetmir Muçollari pronar i “Hotel Driloni”, ka dhunuar kryetarin e fshatit, i cili i ka kërkuar lirimi e hapësirës të zënë prej tij.

Ndërkohë, që operacioni është shtrirë në të gjithë vendin, 52 vjeçari ka zgjeruar aktivitetet e tij në fshatin turistik, duke zaptuar hapësirat deri në prishjen e urave në parkun e Drilonit, duke sjellë ankesa tek banorët e zonës.

Mësohet se Ilirjan Tasellari në cilësinë e kryetarit të fshatit i ka kërkuar Muçollarit të heqë tavolinat e vendosura prej tij në urat e drurit në parkun e Drilonit.

Por, 52 vjeçari ka kundërshtuar lirimin e hapësirës, ndërsa bahskë me të birin Johan Muçllari kanë përdorur dhunën. Në këto pamje shihet momenti kur at e bir, dhunojnë kryetarin e fshatit Ilirjan Tasellari, ndërsa në konflikt janë përfshirë edhe persona të tjerë.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka sqaruar se kanë nisur procedimin penal ndaj personave të përfshirë në konflikt për motive pronësie.

Babë e bir, Jetmir dhe Johan Muçollari janë emra të njohur në zonën e Pogradecit për përplasjet e tyre. Dy vite më parë, Johan Muçollari i është bërë atentat. Po ahstu disa vite më parë, hotel Voloreka në pronësi të familjes Muçollari ishte shënjestër e plumbave.

Aksident i trefishtë në Maliq, dy të plagosurit nisen drejt spitalit

Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin Korçë–Maliq, në afërsi të fshatit Symiz. Tre automjete janë përplasur mes tyre, duke shkaktuar plagosjen e dy personave.

Të lënduarit janë transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Korçës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të sqaruar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit. Trafiku në zonë është normalizuar pas ndërhyrjes së forcave të rendit.

 

 

Makina mësyn mes turmës në Los Angeles, të paktën 28 të plagosur

Të paktën 28 persona u plagosën kur një automjet hyri mes një turme njerëzish në bulevardin Santa Monica në Los Angeles,  mëngjesin e së shtunës, njoftoi Shërbimi i Zjarrfikësve i qytetit.

Sipas autoriteteve, tre persona janë në gjendje kritike, ndërsa gjashtë të tjerë kanë pësuar lëndime serioze.

Pamjet e postuara në rrjetin X tregojnë rrugë të bllokuara nga policia dhe të plagosur që transportoheshin me ambulanca drejt spitaleve.

Ende nuk ka detaje zyrtare mbi shkakun e incidentit apo identitetin e drejtuesit të mjetit. Autoritetet po hetojnë rrethanat dhe nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse përplasja ka qenë e qëllimshme.

❌