Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

David Luiz bën rikthimin shokues në futbollin evropian në moshën 38-vjeçare

Ish-ylli i Chelseat dhe Brazilit, David Luiz, ka bërë një rikthim befasues në futbollin evropian duke u bashkuar me skuadrën e  Pafos në Qipro. 

Mbrojtësi u largua nga Evropa në vitin 2021 pas dy sezonesh me Arsenalin. Ai u aktivizua në disa periudha me klubet braziliane Flamengo dhe Fortaleza, por tani është rikthyer në Evropë në moshën 38-vjeçare. 

Luiz, i cili nënshkroi për skuadrën braziliane , Fortaleza, në janar të vitit 2025 me një kontratë njëvjeçare, e ndërpreu atë me marrëveshje të ndërsjellë më 1 gusht, përpara se të siguronte transferimin në Pafos të Qipros. 

Ai ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin, i cili do të marrë pjesë në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve. 

From Brazil to Europe, from Champions League glory to Copa Libertadores — now writing a new chapter in Cyprus.

A historic day for our club.
A new era begins.

𝗧𝗵𝗲 𝗙𝗨𝗧𝗨𝗥𝗘 𝗶𝘀 𝗡𝗢𝗪 and @DavidLuiz_4 is part of it! 🔵 pic.twitter.com/XYIcft2XIC

— Pafos FC (@pafosfcofficial) August 3, 2025

“Pafos FC është krenar të njoftojë nënshkrimin e ikonës së futbollit brazilian, David Luiz, i cili i bashkohet klubit me një kontratë deri në vitin 2027”. 

“Kjo lëvizje historike përbën momentin më të rëndësishëm në historinë e futbollit qipriot – ardhja e një superylli global, emri i të cilit ka jehuar në stadiumet më të mëdha të botës”, thuhej në deklaratën e klubit qipriot. 

Luiz ndërpreu parakohe kontratën me Fortalezan pas vështirësive për të fituar minuta nën drejtimin e trajnerit Renato Paiva, për shkak të dëmtimeve të shpeshta. Ai pati vetëm 17 paraqitje me klubin. 

Mbrojtësi veteran është rikthyer tani në Evropë pas katër vitesh mungesë dhe pritet të garojë sërish në Ligën e Kampionëve gjatë sezonit 2025/2026./Telegrafi/

The post David Luiz bën rikthimin shokues në futbollin evropian në moshën 38-vjeçare appeared first on Telegrafi.

Zbulohet arsyeja pse Arabia Saudite ka hequr dorë nga transferimi i Viniciusit

Real Madrid po përqendrohet për momentin në shitje, pasi tashmë ka shtuar katër transferime në skuadrën e Xabi Alonsos për sezonin 2025/2026. 

Lojtarë si Rodrygo, Ferland Mendy dhe David Alaba janë identifikuar si të gatshëm për t’u shitur, por emri më i madh që është lidhur me një largim është Vinicius Junior. 

Në javët e fundit, ka pasur shumë spekulime rreth situatës së kontratës së Viniciusit. 

24-vjeçari ka më pak se dy vjet në kontratën aktuale, dhe deri më tani nuk është arritur një marrëveshje për ta zgjatur qëndrimin e tij pas vitit 2027. 

Kjo ka hapur një mundësi për Arabinë Saudite, që është admirues afatgjatë e Viniciusit, për të bërë një ofertë, por sipas Cadena SER, ata nuk kanë plane për ta shfrytëzuar këtë mundësi dhe nuk synojnë të bëjnë asnjë ofertë. 

Megjithë interesin e tyre, Arabia Saudite nuk ka plane për të bërë ofertë as për Real Madridin, as për vetë Viniciusin. 

Besimi është se lojtari nuk do të konsideronte një transferim në Ligën Saudite këtë verë, pasi Kupa e Botës 2026 po shërben si nxitje për shumë lojtarë që të qëndrojnë në Evropë, duke rritur shanset për të qenë të grumbulluar nga ekipet e tyre kombëtare. 

Nuk ka dyshim se Vinicius është nën presion për t’u rikthyer pas një sezoni 2024/2025 të dobët dhe të paqëndrueshëm, si nga vetë ai, ashtu edhe nga Real Madrid./Telegrafi/

The post Zbulohet arsyeja pse Arabia Saudite ka hequr dorë nga transferimi i Viniciusit appeared first on Telegrafi.

Pamja e shpatullës së Bellingham pas operacionit shqetëson tifozët

Real Madrid do të duhet të përballojë mungesën e Jude Bellingham për të paktën muajt e parë të sezonit të ardhshëm 2025/2026, pasi mesfushori anglez ka kaluar një ndërhyrje kirurgjikale për një dëmtim  në shpatull. 

Bellingham e pësoi dëmtimin në muajt e parë të sezonit 2023/2024, në një barazim pa gola ndaj Rayo Vallecano, dhe që prej asaj kohe ai ka luajtur me mbështetje të veçantë në shpatull. 

Me kalimin e kohës, mbështetja është bërë më e dobët dhe dhimbja është shtuar, ndaj u vendos që lojtari të kryente një operacion për ta zgjidhur përfundimisht problemin. 

Kanë kaluar dy javë që prej operacionit dhe Bellingham ka nisur fazën e rikuperimit. Si pjesë e saj, ai është parë me pushime, dhe në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi ku shihet i qetë jashtë fushës së lojës. 

Një fotografi në veçanti ka bërë bujë, pasi tregon një plagë të dukshme kirurgjikale në shpatullën e majtë, shenjë e ndërhyrjes që ka kryer. 

🚨 Jude Bellingham’s post-surgery scar after shoulder surgery. pic.twitter.com/YwPiFWhC7E

— The Touchline | 𝐓 (@TouchlineX) August 3, 2025

Siç është raportuar, Bellingham pritet të qëndrojë jashtë fushave për rreth tre muaj. Nëse gjithçka shkon sipas planit, rikthimi i tij në fushë pritet të ndodhë pas pushimit ndërkombëtar të tetorit. 

Për fat të mirë për Real Madridin, trajneri Xabi Alonso ka disa opsione në dispozicion për të mbuluar boshllëkun e Bellingham. 

Brahim Diaz, Arda Guler dhe transferimi i ri Franco Masantuono janë të gjithë lojtarë që mund të luajnë si mesfushorë ofensivë./Telegrafi/

The post Pamja e shpatullës së Bellingham pas operacionit shqetëson tifozët appeared first on Telegrafi.

Kur marketingu shënon gola – Barcelona arkëton më shumë se shumica e klubeve nga sponsorët

  Suksesi aktual sportiv i Barcelonës po përkthehet edhe në përfitime të mëdha komerciale, me klubin që ka regjistruar të ardhura rekord nga sponsorët në fanella.  

Sipas presidentit Joan Laporta, ‘Barcelona Licensing & Merchandising’ (BLM) raportoi të ardhura mes 140 dhe 150 milionë eurove në vitin financiar të fundit. 

Klubi përfiton nga disa sponsorë të mëdhenj që janë të pranishëm në fanellat e ekipeve si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Dy partnerët më të mëdhenj janë Spotify dhe Nike, të cilët kontribuojnë pjesën më të madhe të të ardhurave. 

Spotify, sponsori kryesor i fanellës, paguan rreth 65 milionë euro në sezon, plus bonuse që e çojnë totalin në rreth 70 milionë euro. 

Kjo përfshin 57.5 milionë euro për reklamën në pjesën e përparme të fanellës, 5 milionë për logot në veshjet stërvitore, 5 milionë për të drejtat e emërtimit të stadiumit ‘Spotify Camp Nou’, dhe bonuse të tjera. 

Nike, e cila rinovoi marrëveshjen në nëntor të vitit 2024, i paguan klubit 122 milionë euro në vit. Kjo shumë përfshin një bonus nënshkrimi prej 158 milionë eurosh, i shpërndarë gjatë kontratës, si dhe bashkëpunime në shitjen me pakicë. 

Gjatë turneut aktual në Azi, sponsorë të tjerë si Ambilight TV dhe Cupra janë gjithashtu të pranishëm në fanellat e ekipit. 

Ambilight TV kontribuon me rreth 12 milionë euro në vit, duke u shfaqur në mëngën e majtë, ndërsa Cupra paguan 7 milionë euro në vit për të drejtat globale të partneritetit dhe për branding gjatë miqësoreve dhe fazës përgatitore. 

Në total, Barcelona përfiton mbi 209 milionë euro në vit nga sponsorët në fanella, një shifër që po rritet lehtësisht nga partneritete të reja si ai me Cupra. 

Kjo rrjedhë e fuqishme financiare nga sponsorët siguron një bazë të fortë ndërsa klubi synon të ndërtojë suksese të reja sportive./Telegrafi/

The post Kur marketingu shënon gola – Barcelona arkëton më shumë se shumica e klubeve nga sponsorët appeared first on Telegrafi.

Gjiganti italian po synon transferimin e Greenwoodit këtë verë

Mason Greenwood thuhet se po tërheq gjithnjë e më shumë interes nga klubet italiane, me sulmuesin e Marseille që tashmë është futur në radarët e Interit.

Reprezentuesi anglez me një paraqitje me kombëtaren i cili është në proces të ndërrimit të shtetësisë, pati një sezon shumë të suksesshëm në Ligue 1 gjatë edicionit 2024/25, duke realizuar sezonin më të mirë në karrierë për nga numri i golave të shënuar. 

Me 21 gola të shënuar në kampionat, Greenwood e ndau Këpucën e Artë me yllin e Paris Saint-Germain, Ousmane Dembele, një ndër kandidatët kryesorë për Topin e Artë. 

Performanca të tilla kanë bërë që lojtari të tërheqë vëmendjen e shumë klubeve në të gjithë botën. 

Ka pasur raportime për interes nga klubet e Arabisë Saudite, ndërkohë që Atletico Madrid, Juventus dhe Lazio gjithashtu po ndjekin nga afër situatën e tij. Tani edhe Interi është shtuar në listën e pretendentëve. 

Sipas Corriere dello Sport, Greenwood është kthyer në një objektiv alternativ për Interin, pasi përpjekjet për të afruar Ademola Lookman nga Atalanta nuk kanë sjellë rezultat. 

Ofertat deri në 45 milionë euro janë refuzuar nga klubi bergamask dhe Inter nuk dëshiron të shkojë më lart. 

Megjithatë, as transferimi i Greenwood nuk do të jetë i lirë. Gjysma e shumës së shitjes do t’i takojë Manchester United, si pjesë e marrëveshjes që u bë kur lojtari u largua nga klubi anglez./Telegrafi/

The post Gjiganti italian po synon transferimin e Greenwoodit këtë verë appeared first on Telegrafi.

Antony refuzon ribashkimin me Ronaldon tek Al-Nassr

Antony, i cili është jashtë planeve te Manchester United, raportohet se ka refuzuar mundësinë për t’u ribashkuar me Cristiano Ronaldon duke hedhur poshtë një ofertë nga Al-Nassr. 

Sipas gazetës Sport, klubi arab ka shprehur interes për të nënshkruar me brazilianin, por lojtari 25-vjeçar ‘refuzon të dëgjojë’ për ofertën e majme nga Arabia Saudite. 

Antony, i cili luajti përkrah Ronaldos te United në vitin 2022, më parë ka refuzuar edhe ofertat nga klubet braziliane Botafogo dhe Sao Paulo, pasi ai ka bërë të qartë se dëshiron një destinacion të vetëm. 

Raporti shton se ish-lojtari i Ajax-t nuk është i gatshëm të bashkohet me asnjë klub tjetër përveç Real Betis, ku kaloi me shumë sukses pjesën e dytë të sezonit të kaluar si i huazuar, dhe është madje i gatshëm të pranojë një ulje page për të realizuar transferimin. 

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse skuadra spanjolle do të mund të përballojë çmimin prej 30 milionë që kërkon Manchester United. 

Antony, i cili shënoi nëntë gola dhe dha pesë asistime në 26 ndeshje për Betis, duke ndihmuar klubin të përfundojë në vendin e gjashtë në La Liga dhe të arrijë finalen e Ligës së Konferencës mund të rikthehet në skuadrën e parë të trajnerit Ruben Amorim, nëse Manchester United nuk arrin ta shesë gjatë kësaj vere./Telegrafi/

The post Antony refuzon ribashkimin me Ronaldon tek Al-Nassr appeared first on Telegrafi.

Milani i vendos afat ofertës për Ardon Jasharin – gati ‘plani B’ nëse dështon ylli shqiptar

Milan raportohet se ka vendosur afat deri të hënën për të arritur një përparim në negociatat me Club Brugge për Ardon Jasharin, përndryshe do të shohin tek Javi Guerra i Valencias si alternativë. 

‘Rossonerët’ besojnë se kanë arritur ofertën maksimale prej 38 milionë eurosh (përfshirë bonuset), por belgët vazhdojnë të kërkojnë më shumë.  

Lojtari vetë është i vendosur të transferohet në ‘San Siro’ dhe pretendon se Club Brugge kishte premtuar se do ta lëshonte për ofertë prej 32.5 milionë eurosh plus bonuse. 

Ai ka kërkuar takimin me drejtuesit e klubit për të siguruar realizimin e kalimit, por Milan po humb durimin.  

Sipas Corriere dello Sport, afati për një përparim është dita e hënë, nëse jo, klubi do të aktivizojë ‘planin B’. 

Alternativa e mundshme është Javi Guerra, 22-vjeçari i akademisë së Valencias. 

 Ai është lidhur gjithashtu me Manchester United, e mbetet në radarët e tyre, ndërsa Valencia po tenton nënshkrimin e kontratës së re me të. 

Ky është një tjetër arsye pse Milani nuk mund të vonohet më tej, përndryshe rrezikojnë të humbasin edhe opsionin e dytë./Telegrafi/

The post Milani i vendos afat ofertës për Ardon Jasharin – gati ‘plani B’ nëse dështon ylli shqiptar appeared first on Telegrafi.

Zyrtare: Jorrel Hato, lojtari më i ri i Chelseat

Chelsea ka zyrtarizuar transferimin e ish-talentit të madh të Ajaxit, Jorrel Hato. 

‘Blutë’ thuhet se kanë paguar 43 milionë euro për 19-vjeçarin Hato, i cili ka nënshkruar një kontratë shtatëvjeçare me klubin londinez. 

Jorrel Hato debutoi për Ajaxin në shkurt të vitit 2023, kur ishte vetëm 16 vjeç, 10 muaj e 23 ditë, duke u bërë kështu lojtari i pestë më i ri që ka luajtur ndonjëherë për klubin nga Amsterdami. 

Më pas, Hato u bë kapiteni më i ri në historinë e klubit, si dhe lojtari më i ri që ka arritur të luajë të paktën 100 ndeshje për Ajaxin. 

Jorrel Hato is officially a Blue. 🔵✍ pic.twitter.com/j1d1o88yWu

— Chelsea FC (@ChelseaFC) August 3, 2025

Mbrojtësi holandez e përfundoi aventurën e tij në Amsterdam me gjithsej 111 paraqitje.  Ai realizoi katër gola dhe dhuroi 10 asistime për gjigantin holandez. 

Shuma prej 43 milionë eurosh e bën Haton lojtarin e pestë më të shtrenjtë në historinë e Ajaxit, duke u barazuar me transferimin e Mohammed Kudus te West Ham. 

Hato i bashkohet skuadrës së Chelseat që sezonin e kaluar fitoi Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube./Telegrafi/

The post Zyrtare: Jorrel Hato, lojtari më i ri i Chelseat appeared first on Telegrafi.

Shkëlqen tandemi nga Kosova – Kololli dhe Nivokazi shënojnë për Sionin

Sioni ka marrë një fitore të thellë me rezultat 4-0 në shtëpi ndaj Luganos në kuadër të javës së dytë në elitën e futbollit zviceran. 

Ishte kjo një tjetër përballje me plotë futbollistë shqiptarë në fushë, me Kreshnik Hajrizin, Benjamin Kolollin dhe Rilind Nivokazin në anën fituese. 

Tek Lugano u paraqitën Amir Saipi, Ezgjan Alioski dhe Uran Bislimi. 

Në fitoren e Sionit nuk mungoi kontributi i Benjamin Kolollit i cili realizoi në minutën e 60-të për 3-0, teksa edhe Nivokazi gjeti rrugën e rrjetës duke realizuar në minutën e 80-të për rezultatin përfundimtar 4-0. 

Kololli u paraqit në këtë ndeshje për 66 minuta, teksa Nivokazi u zëvendësua në minutën e 81-të. 

Kreshnik Hajrizi në ndërkohë si lider i fazës së mbrojtjes tek Sioni e kompletoi ndeshjen. 

Tek Lugano në anën tjetër Alioski po ashtu luajti 90 minuta, ndërsa Bislimi u zëvendësua pas 60 minutash lojë./Telegrafi/

The post Shkëlqen tandemi nga Kosova – Kololli dhe Nivokazi shënojnë për Sionin appeared first on Telegrafi.

Ruben Amorim zbulon arsyen pse e përjashtoi Garnachon nga ekipi i Man United

Alejandro Garnacho është përjashtuar nga planet e ekipit të parë të Manchester United nga trajneri Ruben Amorim, i cili ka këmbëngulur se vendimi nuk është personal. 

Argjentinasi po stërvitet veçmas nga pjesa tjetër e skuadrës dhe tashmë pritet të largohet nga ‘Djajtë e Kuq’, me Chelsea dhe Aston Villan që po tregojnë interes serioz për ta transferuar sulmuesin këtë verë. 

21-vjeçari nuk u përfshi në turneun përgatitor në Shtetet e Bashkuara, duke e bërë të qartë se e ardhmja e tij në ‘Old Trafford’ është pothuajse e mbyllur, ashtu siç e konfirmoi edhe ish-trajneri i Sportingut. 

“Garnacho është një djalosh shumë i talentuar, por ndonjëherë gjërat thjesht nuk funksionojnë. Nuk mund ta shpjegosh saktësisht pse”. 

“Por kam ndjesinë se Garnacho dëshiron diçka ndryshe, një drejtim tjetër. Dhe unë e kuptoj këtë. Nuk është problem”. 

“Ndonjëherë përshtatesh me dikë, ndjen lidhjen. Herë të tjera, dëshiron një sfidë të re”. 

“Përpiqemi që çdo gjë të shkojë mirë për të gjitha palët, klubin, trajnerin dhe lojtarët. Kjo është diçka krejtësisht natyrale në futboll”. 

Tekniku portugez foli gjithashtu edhe për lojtarët që nuk duan të qëndrojnë në klub. 

“Ka lojtarë që tregojnë qartë se nuk duan të jenë këtu, dhe kjo është diçka normale. Nuk do të thotë që ata janë të këqij dhe unë jam i mirë, apo që unë jam i keq dhe ata janë të mirë”, përfundoi ai./Telegrafi/

The post Ruben Amorim zbulon arsyen pse e përjashtoi Garnachon nga ekipi i Man United appeared first on Telegrafi.

Partey po i bashkohet një klubi nga La Liga pavarësisht akuzave për përdhunim

Thomas Partey raportohet se pritet të bashkohet me Villarreal me parametra zero, pas largimit nga Arsenali. 

Mesfushori 32-vjeçar është pa skuadër që nga skadimi i kontratës me Arsenalin në qershor, por The Athletic raporton se ai do të nënshkruajë një marrëveshje dyvjeçare me klubin spanjoll. 

Ish-lojtari i Atletico Madridit nuk arriti marrëveshje për rinovim me ‘Topçinjtë’, dhe thuhet se ka kaluar tashmë vizitat mjekësore përpara transferimit. 

Menjëherë pas largimit të Parteyt nga Arsenali, mesfushori nga Gana u akuzua për pesë akuza për përdhunim dhe një për sulm seksual. 

Partey i mohon këto akuza, por është planifikuar të paraqitet në Gjykatën e Westminster më 5 gusht. Megjithatë, ai është afër finalizimit të transferimit te Villarreal. 

Raporti shton se çështja ndaj Parteyt është hetuar që nga shkatori i vitit 2022. 

Pavarësisht situatës ligjore, ai vazhdoi të ishte pjesë e Arsenalit, duke grumbulluar 167 paraqitje dhe duke shënuar nëntë gola gjatë kohës atje./Telegrafi/

The post Partey po i bashkohet një klubi nga La Liga pavarësisht akuzave për përdhunim appeared first on Telegrafi.

Lando Norris fiton Çmimin e Madh të Hungarisë – ia doli ta mposhtë shokun e skuadrës

Britaniku Lando Norris fitoi sot në Hungari në pistën ikonike të Hungaroringut, ku u zhvillua gara e 14-të e këtij sezoni dhe e fundit para pushimeve verore. 

Pozicioni i dytë i shkoi shokut të tij të skuadrës, Oscar Piastri, ndërsa vendi i tretë në podium u mor nga George Russell nga Mercedes.  

Charles Leclerc nga Ferrari kaloi vijën e finishit në vendin e katërt pavarësisht pozicionit të parë para garës. 

Leclerc pati një nisje të shkëlqyer sot dhe e ruajti kryesimin, ndërsa humbësi më i madh ishte Norris, i cili u kalua nga Russell dhe Alonso dhe ishte i pesti në fillim të garës. 

LANDO NORRIS WINS THE HUNGARIAN GRAND PRIX!!! 🤩#F1 #HungarianGP pic.twitter.com/UfrM1wEWzo

— Formula 1 (@F1) August 3, 2025

Norris u ankua për gomat në xhiron e 18-të, ndërsa Piastri hyri në pistë me qëllim që të përpiqej ta kalonte Leclerc duke hyrë më herët. Megjithatë, në xhiron tjetër, Leclerc hyri në pistë dhe doli përpara Piastrit. 

Dhjetë xhiro më vonë, Leclerc u ankua në radio se diçka nuk shkonte me makinën dhe se me këtë ritëm do ta humbiste garën. Ai hyri përsëri në pistë në xhiron e 40-të, Piastri e bëri këtë në të 46-tin, kështu që Norris mori kryesimin. 

the fans chanting lando’s name and him giving them a thumb’s up🤍 pic.twitter.com/d3Tc46EE64

— ray (@ln4norris) August 3, 2025

Piastri e kaloi Leclerc në xhiron e 51-të, dhe Leclerc shpejt konfirmoi prishjen e Ferrarit në radio. Tetë xhiro nga fundi, Leclerc humbi gjithashtu vendin e tretë pasi Russell e kaloi atë. 

Norris dhe Piastri më pas krijuan dramë në fazat e fundit të garës, dhe pas një beteje të ashpër, fitorja përsëri i shkoi britanikut./Telegrafi/

The post Lando Norris fiton Çmimin e Madh të Hungarisë – ia doli ta mposhtë shokun e skuadrës appeared first on Telegrafi.

Ruben Amorim zbulon se kur do të debutojë Mbuemo me fanellën e Man Utd

Bryan Mbeumo pritet të debutojë së shpejti me Manchester United, siç ka bërë të ditur trajneri Ruben Amorim për ndeshjen e së dielës. 

Trajneri i ‘Djajve të Kuq’ shpjegoi se sulmuesi nga Kameruni, i cili u transferua nga Brentford për 71 milionë euro në këtë afat kalimtar, do të bëjë paraqitjen e tij të parë me fanellën e United. 

Klubi ka luajtur tashmë miqësore ndaj Leeds, West Ham dhe Bournemouth gjatë përgatitjeve verore, por Mbeumo nuk ka qenë i gatshëm për të marrë pjesë. 

Megjithatë, me ndeshjet e ardhshme ndaj Everton dhe Fiorentina në këtë periudhë përgatitore, Mbeumo do të ketë mundësinë të përshtatet me skuadrën dhe të marrë minuta para nisjes së sezonit. 

“Do të luajë. Jam shumë i emocionuar ta shoh duke luajtur dhe se çfarë mund të sjellë për ekipin tonë. Por isha gjithashtu shumë i kënaqur me lojën e skuadrës në ndeshjen e fundit”. 

“Ndoshta në fillim duke parë formacionin do të thoshit ‘asgjë për të parë sot’, por unë isha shumë i emocionuar sepse e di që mund të bëjmë më mirë. Kështu që gjithmonë jam entuziast, sidomos në këtë moment”, ka thënë Amorim. 

Edhe pas transferimeve të Mbeumo dhe Matheus Cunha, Manchester United vazhdon të kërkojë përforcime të tjera. 

Sipas lidhjeve të fundit, klubi është interesuar për sulmuesin e Leipzig, Benjamin Sesko, por raportet e së shtunës sugjerojnë se lojtari slloven mund të jetë afër kalimit te Newcastle./Telegrafi/ 

The post Ruben Amorim zbulon se kur do të debutojë Mbuemo me fanellën e Man Utd appeared first on Telegrafi.

Vinicius i vendos ultimatum Real Madridit: Kaq para ose nuk ka marrëveshje

Vinicius Jr. ka vendosur një kusht për rinovimin e kontratës së tij, duke kërkuar një pagë neto vjetore prej 25 milionë eurosh, duke pohuar se nëse Real Madrid nuk mund ta përmbushë këtë shifër, nuk do të ketë marrëveshje, sipas raportimeve të Cadena SER

Aktualisht ai fiton rreth 15 milionë euro neto në sezon, në një kontratë që zgjat deri në vitin 2027, dhe beson se ia vlen shumë më shumë, pavarësisht nga pagat e të tjerëve në skuadër, përfshirë edhe Kylian Mbappe. 

Nëse Real Madrid plotëson kërkesat e Viniciusit, ai do të tejkalojë pagën e Mbappes dhe do të bëhet lojtari më i paguar në Real Madrid. 

Bisedimet raportohet se janë bllokuar për shkak të strukturës strikte të pagave në Madrid, e cila kufizon pagat në një nivel aktual për të ruajtur ekuilibrin e brendshëm. 

Për momentin, Madrid nuk është i prirur të negociojë një kontratë që kalon politikat aktuale.  

Ndërkohë, Vinicius deri tani ka refuzuar ofertat nga Arabia Saudite dhe insiston se dëshiron të qëndrojë. 

Burime të tjera thonë se presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, do të marrë pjesë personalisht në negociata për të zgjidhur ngërçin, por kjo mund të ndodhë vetëm kur Vini të kthehet nga pushimet në gusht. 

Megjithatë, performancat e Viniciusit në sezonin e ardhshëm do të kenë ndikim të madh në vendimin nëse Real Madrid do të pranojë kërkesat e tij apo do ta lejojë të largohet për të mirën e klubit./Telegrafi/

The post Vinicius i vendos ultimatum Real Madridit: Kaq para ose nuk ka marrëveshje appeared first on Telegrafi.

Real Madridi konfirmon një ndeshje miqësore – do ta luajë në Austri

Real Madridi ka konfirmuar një përditësim në orarin e përgatitjeve parasezonale përpara fillimit të sezonit 2025/2026 në La Liga. 

‘Los Blancos’ mbyllën sezonin e zgjatur 2024/2025 me një humbje ndaj PSG-së në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube. 

Ndeshjet që zgjatën deri në korrik patën efekt zinxhir në planet parasezonale të klubit, ndërsa La Liga nuk tregoi shumë mirëkuptim për situatën. 

Skuadra e Xabi Alonsos tashmë është kthyer për testet mjekësore dhe vlerësimet fizike, përpara ndeshjes hapëse të sezonit më 19 gusht kundër Osasunës në ‘Santiago Bernabeu’. 

Kjo datë e fillimit ka shkaktuar polemika, pasi Real Madridi ka kërkuar dy herë që të shtyhet për t’i dhënë lojtarëve më shumë kohë për përgatitje pas një vere të ngarkuar. 

Mungesa e kohës mes rikthimit nga pushimet dhe stërvitjeve ka shkaktuar ndryshime të mëdha në orar, por klubi tashmë ka shtuar një ndeshje miqësore në kalendarin e tyre. 

🆚 @WSGTIROL
🗓 12/08 | 19:00 CEST
🏟 Estadio Tivoli
📍 Innsbruck pic.twitter.com/9TZvchhY7Q

— Real Madrid C.F. (@realmadrid) August 1, 2025

Fillimisht ishte planifikuar që të mos zhvillohej asnjë ndeshje parasezonale, vendim që ngjalli reagime, por tani skuadra e Alonsos do të përballet me ekipin austriak WSG Tirol më 12 gusht në ‘Tivoli Stadion’ të Innsbruck, me fillim nga ora 19:00 sipas kohës lokale. 

Alonso do të udhëtojë me një formacion të plotë drejt Austrisë për të përshpejtuar përgatitjet, por Jude Bellingham nuk do të jetë pjesë e ekipit që do të udhëtojë. 

Mesfushori anglez iu nënshtrua një operacioni të vonuar në shpatull pas Kupës së Botës për Klube dhe pritet të mungojë deri të paktën në muajin nëntor./Telegrafi/

The post Real Madridi konfirmon një ndeshje miqësore – do ta luajë në Austri appeared first on Telegrafi.

Dele Alli po e konsideron pensionimin nga futbolli në moshën 29-vjeçare

Dele Alli po shqyrton mundësinë e pensionimit nga futbolli, pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit Cesc Fabregas te Como, sipas raportimeve nga Italia. 

Ish-mesfushori i Tottenham dhe Anglisë ka pasur vështirësi me formën dhe dëmtimet gjatë viteve të fundit, duke kaluar kohë te Everton dhe Besiktas pas largimit nga Spurs në vitin 2022. 

Në janar, ai u transferua te Como në Serie A me një kontratë 18-mujore, duke marrë një mundësi të re për të ringjallur karrierën nën drejtimin e legjendës së Chelsea dhe Arsenal, Fabregas. 

Megjithatë, fillimi në Itali ishte i vështirë. Në debutimin e tij ndaj Milanit në ‘San Siro’ në mars, paraqitja e tij e parë zyrtare pas më shumë se dy vitesh, Alli u ndëshkua me karton të kuq pas vetëm nëntë minutash për një ndërhyrje të gabuar ndaj Ruben Loftus-Cheek. 

Ai nuk luajti më për Como gjatë sezonit, edhe pse u rikthye në stërvitje pas një tjetër dëmtimi. Tani, situata e tij është përkeqësuar, pasi 29-vjeçari nuk është marrë fare në kampin stërvitor parasezonal të skuadrës në Marbella. 

Sipas La Gazzetta dello Sport, Alli është lënë të stërvitet me lojtarët jashtë planeve të klubit dhe po e shqyrton seriozisht largimin nga futbolli, ndonëse i ka mbetur edhe një vit kontratë me klubin. 

Dikur i konsideruar si një nga talentët më premtues në Evropë, karriera e Alli mori tatëpjetën pas dëmtimeve të shpeshta dhe problemeve jashtë fushës që e mbajtën për një kohë të gjatë larg lojës. 

Ai ka shënuar 67 gola në 269 paraqitje për Tottenham, ka zhvilluar 37 ndeshje me Anglinë dhe ka qenë pjesë e ekipit në Kupën e Botës 2018. 

Që nga largimi nga Spurs, Alli ka folur publikisht për betejën e tij me varësinë, kohën e kaluar në rehabilitim dhe përvojat traumatike të fëmijërisë së tij./Telegrafi/

The post Dele Alli po e konsideron pensionimin nga futbolli në moshën 29-vjeçare appeared first on Telegrafi.

Liverpooli mund të tërhiqet nga gara për Isak pas refuzimit të ofertës marramendëse

Liverpool mund të mos bëjë një ofertë të dytë për Alexander Isak këtë verë, pasi oferta fillestare prej 120 milionë eurosh nga ‘Të Kuqtë’ u refuzua menjëherë nga Newcastle United. 

Sipas BBC Sport, Liverpool mund të jetë ‘gati të tërhiqet’ nga marrëveshja për Isak pasi oferta e tyre fillestare u hodh poshtë me vendosmëri. 

Newcastle raportohet se kërkon rreth 150 milionë euro për yllin e tyre më të çmuar, gjë që ka bërë që drejtuesit e Liverpoolit të vënë në pikëpyetje nëse marrëveshja për sulmuesin suedez është e realizueshme këtë verë. 

Liverpool ka shprehur interes të fortë për Isak prej disa muajsh, por kjo ishte oferta e tyre e parë zyrtare, dhe deri tani nuk ka asnjë shenjë që Neëcastle është i gatshëm ta shesë gjatë këtij afati kalimtar. 

Kjo mund të varet nga aftësia e Newcastle për të gjetur një zëvendësues të denjë, teksa ata janë lidhur me disa emra si Benjamin Sesko, Yoane Wissa dhe Ollie Watkins, sipas The Times. 

Liverpool tashmë ka shpenzuar rreth 265 milionë euro këtë verë dhe me blerjen e mundshme të Isak, shifra totale mund të kalojë 400 milionë. 

Me disa shitje që ende mund të realizohen, përfshirë Darwin Nunez dhe Harvey Elliott, kampioni anglez mund ta përfundojë afatin kalimtar me mbi 200 milionë euro të fituara në një verë jashtëzakonisht aktive./Telegrafi/

The post Liverpooli mund të tërhiqet nga gara për Isak pas refuzimit të ofertës marramendëse appeared first on Telegrafi.

Chelsea i ofron Man Unitedit dy lojtarë në përpjekje për transferimin e Garnachos

Chelsea i ka ofruar dy lojtarë Manchester Unitedit në përpjekje për të gjetur një zgjidhje kreative që do ta sillte Alejandro Garnachon në ‘Stamford Bridge’. 

‘Blutë’ kanë qenë të interesuar për Garnachon që në afatin kalimtar të janarit dhe kanë ringjallur interesimin për reprezentuesin argjentinas këtë verë. 

Manchester United e ka nxjerrë në shitje 21-vjeçarin, pasi trajneri Ruben Amorim e informoi në fund të sezonit të kaluar se ishte i lirë të largohej. 

Garnacho ka stagnuar në ‘Old Trafford’, duke kaluar nga një prej lojtarëve më të vlerësuar në klub në një lojtar i zakonshëm i skuadrës, me paraqitje të paqëndrueshme. 

Chelsea beson se mund ta rikthejë në formë Garnachon dhe synon ta sjellë në Londrën Perëndimore, pavarësisht konkurrencës së madhe në repartin e sulmit. 

Edhe pse United e ka ulur kërkesën fillestare, klubi vazhdon të kërkojë rreth 50 milionë euro për Garnachon, i cili ka zhvilluar 93 paraqitje në Ligën Premier dhe ka fituar tetë ndeshje me Argjentinën. 

Chelsea heziton të paguajë këtë shumë dhe, si kompromis, ka ofruar Nicolas Jackson dhe Christopher Nkunku si pjesë të marrëveshjes, sipas The Athletic. 

Manchester United ka shprehur interes për të dy lojtarët, pasi Amorim kërkon të forcojë më tej repartin ofensiv pas transferimeve të Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo. 

Megjithatë, ‘Djajtë e Kuq’ raportohet se e kanë përjashtuar mundësinë e një shkëmbimi Garnacho-Jackson, pasi besojnë se sulmuesi i Chelseat është i vlerësuar mbi çmimin real./Telegrafi/

The post Chelsea i ofron Man Unitedit dy lojtarë në përpjekje për transferimin e Garnachos appeared first on Telegrafi.

“Janë përforcuar me disa lojtarë mjaft të mirë”, ylli i Barcelonës flet për Real Madridin

Ylli i Barcelonës, Gavi, ka ndezur atmosferën e El Clasicos përpara nisjes së sezonit 2025/26 në La Liga, që fillon këtë muaj. 

Blaugranasit dominuan në sezonin 2024/25, teksa trajneri Hansi Flick fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës në sezonin e tij debutues. 

Suksesi i Barcelonës u përforcua edhe më tej nga dominimi në përballjet ndaj Real Madridit, me Carlo Ancelottin që e përfundoi sezonin pa asnjë trofe. 

Barcelona fitoi si në shtëpi ashtu edhe në transfertë ndaj Real Madridit në ndeshjet e kampionatit, përfshirë një fitore spektakolare 4-0 në Madrid dhe një tjetër 4-3 në shtëpi në muajin maj. 

Këto rezultate u shoqëruan me fitore ndaj ekipit të Ancelottit edhe në finalet e Kupës së Mbretit dhe Superkupës, me rezultatet përkatëse 3-2 dhe 5-2. 

Gavi, i cili ka qenë shpesh një pengesë e madhe për Real Madridin, pranoi se përparësia psikologjike luajti një rol kyç në sezonin 2024/25, por paralajmëroi se këtë vit mund të ndodhë një ringjallje e rivalëve. 

“Sigurisht që ishin të shqetësuar. Ishin katër fitore në katër ndeshje, dhe kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë”.  

“Është e kuptueshme që janë të shqetësuar. Në fund, ne patëm një sezon spektakolar dhe ata nuk fituan asgjë”. 

“Këtë vit janë përforcuar me disa lojtarë shumë të mirë, për të qenë i sinqertë, por do të shohim se çfarë do të bëjnë këtë sezon”.  

“Ata kanë një skuadër të madhe, por ne duhet të jemi vetvetja dhe kjo mjafton”, përfundoi ai./Telegrafi/

The post “Janë përforcuar me disa lojtarë mjaft të mirë”, ylli i Barcelonës flet për Real Madridin appeared first on Telegrafi.

Milani synon transferimin e një sulmuesi nga kampionati francez

Sulmuesi më i fundit që është lidhur me një transferim te Milani këtë verë është francezi Armand Kalimuendo, i cili ka shkëlqyer me fanellën e Stade Rennes.  

Nuk është e fshehtë që kuqezinjtë janë në kërkim të përforcimeve në repartin ofensiv, pasi janë ndarë nga Tammy Abraham, Luka Jovic dhe Francesco Camarda.  

Milani ka hasur vështirësi për të siguruar objektivat e tij kryesorë për sulmin, dhe emri më i fundit i përfolur nga Sky Sport Italia është pikërisht Kalimuendo.  

Ai është një alternativë qe po merret seriozisht në konsideratë nga drejtuesit e klubit. 23-vjeçari u rrit në akademinë e të rinjve të Paris Saint-Germain dhe u shit te Stade Rennes në vitin 2022 për një shumë prej 20 milionë euro. 

Që nga atëherë, ai është bërë pjesë kyçe e skuadrës franceze. Kalimuendo ka qenë titullar i përhershëm për Francën U-21 dhe pjesë e ekipit olimpik, ndërsa aktualisht ka gjashtë paraqitje me ekipin A të Francës, ku ka shënuar edhe një gol. 

Në sezonin e fundit, sulmuesi qendror shënoi 18 gola dhe kontribuoi me katër asistime në 34 ndeshje zyrtare me Rennes. 

Forma e tij mbresëlënëse bëri që të përmendej më parë edhe si objektiv për Juventusin. 

Milani kishte mundësinë ta vëzhgonte nga afër Kalimuendon gjatë ndeshjeve të play-off-it të Ligës së Evropës në shkurt të vitit 2024. 

Sipas Sky Sport Italia, nuk ka ende një ofertë konkrete, por klubi italian ka kërkuar informacione dhe është i interesuar ta studiojë më në thellësi mundësinë e transferimit të tij./Telegrafi/

The post Milani synon transferimin e një sulmuesi nga kampionati francez appeared first on Telegrafi.

❌