Rama apel bizneseve në akset kombëtare: Deri më 31 korrik lironi hapësirat ose masa të rënda
TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë në të gjithë vendin ku po ndërhyhet jo vetëm në zonat urbane dhe plazhe, por edhe në akset kombëtare.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ndërhyrja që po kryhet për çmontimin e një strukture në anë të një rruge kombëtare.
“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës”, tha Rama, ndërsa paralajmëroi se bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës.
“Kjo është edhe distanca ligjore e sigurisë, përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH”, shtoi Kryeministri.
Rama tha se “mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi”.
“Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE”, u shpreh kryeministri.
Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.
Lirimi i hapësirave publike në qytete dhe plazhe në të gjithë vendin, synon të garantojë një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë komunitetin.
/m.m/
The post Rama apel bizneseve në akset kombëtare: Deri më 31 korrik lironi hapësirat ose masa të rënda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.