TMZ Sports raporton se Hulk Hogan, një nga figurat më të njohura të mundjes profesionale në SHBA, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare. Shërbimet emergjente u thirrën në shtëpinë e tij në Clearwater, Florida, herët në mëngjesin e së enjtes, pas një telefonate për një arrest kardiak.
Sipas dëshmitarëve, disa automjete të policisë dhe të ambulancës u panë në vendngjarje, ndërsa Hogan u transportua me urgjencë në spital.
Vetëm pak javë më parë, bashkëshortja e tij Sky kishte mohuar zërat se ish-ylli i WWE ishte në gjendje kome, duke deklaruar se zemra e tij ishte e fortë dhe se po shërohej pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale.
I lindur me emrin Terry Bollea, Hulk Hogan ishte një figurë kyçe në shndërrimin e mundjes amerikane nga një sport i ndjekur në mënyrë të kufizuar, në një spektakël global. Me karizmën dhe figurën e tij ikonike, ai u bë fytyra kryesore e WWE gjatë viteve ’80.
Në vitin 1996, Hogan tronditi publikun duke kaluar nga heroi i fëmijëve në “armikun” e ringut, kur themeloi grupin legjendar NWO dhe mori pseudonimin “Hollywood Hogan”, një lëvizje që i dha karrierës së tij një jetë të dytë.
Ai u fut në Hall of Fame të WWE për herë të parë në 2005, por u përjashtua në 2015 pas publikimit të një videoje ku shfaqej duke bërë komente raciste. Më vonë fitoi një proces të bujshëm gjyqësor kundër medias që publikoi pamjet dhe në vitin 2020 u rikthye në Hall of Fame, këtë herë si anëtar i NWO.
Përveç ringut, Hogan la gjurmë edhe në kinematografi, që nga roli i tij në “Rocky III”, e deri tek filmat familjarë si Suburban Commando dhe seriali televiziv Hogan Knows Best në VH1, që ndoqi jetën e tij dhe të familjes.
Trashëgimia e Hulk Hogan mbetet e paharrueshme për botën e argëtimit sportiv dhe kulturës pop.
The post Ndahet nga jeta legjenda e ringut Hulk Hogan, në moshën 71-vjeçare appeared first on iconstyle.al.