Pesë presidentë amerikanë – Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Joe Biden dhe Donald Trump – janë përballur me dilemën nëse duhet përdorur forca ushtarake kundër Iranit. Nga të pestë, vetëm Donald Trump vendosi të ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak, një veprim që tashmë konsiderohet si pjesë e pandashme e trashëgimisë së tij politike.
Pamjet e publikuara nga Shtëpia e Bardhë gjatë operacionit ajror kundër impianteve bërthamore iraniane pritet të bëhen ikonike, krahasuar me ato të presidentëve të mëparshëm në momente kyçe si operacioni kundër Osama bin Laden apo fillimi i luftës në Irak. Trump shfaqet me kapele të kuqe “Make America Great Again”, simboli i lëvizjes së tij, duke ndjekur operacionin në “Situation Room”, dhomën e krizave të Shtëpisë së Bardhë.
Në pamje dallohet Trump i ulur mes bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, duke ndjekur në ekran detajet e goditjeve ndaj tre impianteve bërthamore iraniane. Në tavolinë shihen shishe uji, dosje dhe stilolapsa me ngjyra. Ndër personat pranë presidentit janë nënkryetari J.D. Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe kreu i CIA-s John Ratcliffe. Ndërkohë, vërehet mungesa e drejtoreshës së inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, e njohur për përplasjet e mëparshme me Trump mbi çështjen iraniane.
Një rol qendror në operacion kishte gjenerali në pension Dan “Razin” Caine, i cili shihet në pamjet nga “Situation Room” duke dhënë udhëzime të drejtpërdrejta. Caine, i emëruar nga Trump si shef i shtabit të ushtrisë dhe ish-pilot F-16, kishte fituar besimin e presidentit që prej kohës së luftës kundër ISIS-it.
Trump e kishte theksuar qartë për The Atlantic se sipas tij filozofia “America First” nuk e përjashton përdorimin e forcës nëse përballesh me kërcënime bërthamore: “Nuk mund të ketë paqe nëse Irani ka armë bërthamore.”
Pas ndërhyrjes, edhe skeptikët brenda Partisë Republikane u bashkuan pas presidentit, duke e vlerësuar si një veprim të matur dhe të kufizuar. Aktivisti Charlie Kirk deklaroi se “Irani nuk i la zgjedhje Trump-it”, ndërsa ish-deputeti Matt Gaetz e cilësoi ndërhyrjen si “një mesazh të qartë paqeje”.
Senatori Lindsey Graham, një nga përkrahësit më të fortë të veprimeve ushtarake, u shpreh se “ky ishte vendimi i duhur”, ndërsa senatori Tim Sheehy tha se “Trump mori vendimin e duhur. Kjo nuk është fillimi i një lufte, por fundi i saj.”
Nga ana tjetër, Steve Bannon paralajmëroi në emisionin e tij War Room për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, duke thënë se “tani je pjesë e luftës, edhe nëse thua se nuk do të ndryshosh regjimin.”
The post Pamjet nga “Situation Room” bëhen historike/ Trump, i vetmi president amerikan që urdhëroi sulm ushtarak ndaj Iranit appeared first on Sot News | Lajme.