Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Një ikonë e rikthyer: Christina Aguilera në fustanin legjendar të Versace pas dy dekadash

Christina Aguilera është rikthyer në mënyrë magjepsëse, duke dëshmuar se është ende “e bukur në çdo kuptim”, sipas E! News

22 vjet pas fushatës ikonike të Versace për vjeshtën 2003, këngëtarja e “Genie in a Bottle” u shfaq me të njëjtin stil në premierën londineze të “Burlesque: The Musical” më 21 korrik. Me një fustan pa rripa, korse të kryqëzuar dhe fund me volane, ajo e kompletoi pamjen me çizme të zeza të gjata dhe buzë të errëta, ndërsa flokët biond platin i la të rrjedhin natyrshëm — një homazh i qartë për dukjen e dikurshme

Christina, producente e shfaqjes skenike të filmit të vitit 2010 ku luajti me Cher, riktheu jo vetëm stilin, por edhe frymën krijuese. Donatella Versace, e cila e zgjodhi atë për fushatën e vitit 2003, u shpreh: “Zëri i saj është i jashtëzakonshëm. Doja të ishim mikesha, kjo ishte më e rëndësishmja”.

Christina tha atëherë se ishte e emocionuar për të eksploruar një fushë të re, dhe ky vizion i saj vazhdon: “Jam më e përqendruar se kurrë në atë që dua të bëj”, tha ajo për Vogue. “Gjithmonë kam dashur të zbuloj pjesë të reja të vetes”./KultPlus.com

‘Nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit’

Thënie nga Herakliti:

Njeriu bëhet më së shumti vetvetja kur arrin seriozitetin e një fëmije që është duke lozur.

Askush nuk mund ta kalojë të njëjtin lum dy herë, sepse ai rrjedh, dhe nuk është i njëjti lumë, dhe ai vetë ndryshon, nuk është më i njëjti njeri.

Nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit.

Koha është një lojë që fëmijët e luajnë bukur.

Bollëku i informacionit nuk garanton urtësinë te njeriu.

Karakteri yt o njeri, është fati yt!

Është nëpërmjet ndryshimit që ne gjejmë qëllimin.

Shpirti është pikturuar me ngjyrat e mendimeve të tij.

Heshtja, shëron.

Çfarë është ndarë do të bashkohet, dhe çfarë është bashkuar do të shpërthejë.

Të zgjuarit ndajnë të njëjtën botë, ndërsa të fjeturit janë secili në botën e vet.

Rruga për t’u ngjitur dhe rruga për të zbritur është një dhe e njëjta.

Të gjitha gjërat vijnë në ekzistencë si konflikt midis dy të kundërtave.

Sytë dhe veshët janë dëshmitarë të këqinj për njeriun me shpirt barbar.

Historia është një fëmijë që bën kështjella prej rëre në breg të detit, ndërsa ai fëmija është gjithë madhështia e pushtetit të njeriut.

Nuk është asnjëherë tepër vonë për të kërkuar një botë të re.

Zjarri jeton për shkak të vdekjes së Tokës, ajri jeton për shkak të vdekjes së zjarrit, uji jeton prej vdekjes së ajrit, dhe Toka jeton prej vdekjes së ujit.

Natyrës i pëlqen të fshihet.

Njerëzit duhet t’i mbrojnë ligjet ashtu siç mbrohen muret e qytetit.

Pendimi

Poezi e shkruar nga Jorge Luis Borges.

Përktheu: Orjela Apolloni.

E kam ba nji prej mëkateve ma t’mëdhá
që nji njeri mundet me ba: s’kam qenë
i lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë,
m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.

Prindët m’lindën që ta lu’j
Nji lojë t’rrezikshme e t’bukur në këtë botë,
për tokë, ajër, zjarm e ujë.
I mashtrova. S’qeshë i lumtun.

Qe e kotëdëshira e tyne e rinisë. Trunin tim
ia fala me vullnet e këmbëngulje
simetrive t’artit gjithë lajlelule.
Ata m’lanë trashëgim vlerat. Unë s’kam qenë trim.

Nuk më braktis kurrë, gjithmonë më rri pran’
hija e të qenit nji mjeran.

Parku Kombëtar i Butrintit hap dy prej mozaikëve për publikun

Parku Kombëtar i Butrintit njoftoi vizitorët e tij, përmes rrjeteve sociale, për hapjen e dy prej mozaikëve të tij.

Mozaikët e hapur rishtazi për publikun janë: mozaiku i Termës Romake dhe mozaiku i Gjimnazit. Të dy këta mozaikë, të cilët u hapën dje (22 korrik) do të qëndrojnë të hapur deri më datën 15 gusht dhe më pas mbulohen përsëri për t’u ruajtuar.
Parku Kombëtar i Butrintit fton të zbuloni nga afër bukurinë dhe historinë që fshehin këto mozaikë të rrallë, të cilët gjatë një pjese të vitit qëndrojnë të mbyllur, mbuluar me rërë, për t’i ruajtur. Kjo ndodh edhe për shkak të nivelit të lartë të ujit të liqenit.

Butrinti është një nga qendrat arkeologjike dhe natyrore më të vizituara të Shqipërisë, që mbrohet nga UNESCO. Ritmi i turistëve këtë vit vlerësohet të jetë më i lartë se vitet pararendëse.

Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu Monument Kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s./atsh/KultPlus.com

Aristoteli, babai i logjikës dhe përplasjet me Platonin: Një ndikim që ka mbijetuar shekuj

Aristoteli lindi në vitin 384 p.e.s. në qytetin Stageira të Maqedonisë, në Greqinë e lashtë. Ishte biri i Nikomakut, një mjek oborri i mbretit të Maqedonisë, gjë që i dha Aristotelit qasje të hershme në rrethin e dijes dhe elitës.

Në moshën 17-vjeçare u dërgua në Athinë për të studiuar në Akademinë e Platonit, ku qëndroi për rreth 20 vjet. Megjithëse ishte nxënës i devotshëm, Aristoteli shpesh nuk pajtohej me mësuesin e tij, duke zhvilluar një qasje më empirike ndaj dijes në kontrast me idealizmin e Platonit. Pas vdekjes së Platonit, Aristoteli u largua nga Athina dhe u thirr nga mbreti Filipi II i Maqedonisë për të qenë mësuesi i djalit të tij, Aleksandrit të Madh. Kjo periudhë pati ndikim të madh në mendimin e Aristotelit, por edhe në përhapjen e ideve të tij më vonë, përmes ekspeditave të Aleksandrit. Pas kthimit në Athinë, ai themeloi shkollën e tij filozofike, Liceun, ku ligjëroi dhe shkroi për gati 13 vjet. Aristoteli kontribuoi në mënyrë madhore në një gamë të gjerë fushash: filozofi, logjikë, etikë, politikë, metafizikë, fizikë, biologji, retorikë dhe estetikë.

Ai është i njohur si themeluesi i logjikës formale përmes sistemit të silogjizmave dhe për trajtimin e lëndëve shkencore me metodë sistematike e të bazuar në vëzhgim. Ndryshe nga Platoni që mbështeste ekzistencën e botës së ideve, Aristoteli këmbëngulte se realiteti duhet studiuar në formën e tij konkrete. Në “Etika Nikomake”, një nga veprat e tij më të njohura, ai zhvillon konceptin e “mesit të artë”, duke theksuar se virtyti qëndron në ekuilibrin ndërmjet dy ekstremeve. Ndërkohë, në “Politika”, ai analizoi sistemet e qeverisjes, duke e përkufizuar njeriun si një “qenie politike” që lulëzon vetëm në shoqëri. Ai e shihte shtetin si mjetin kryesor për realizimin e të mirës së përbashkët. Në biologji, Aristoteli ishte një nga të parët që përshkroi me saktësi shumë specie kafshësh dhe hodhi themelet e klasifikimit natyror, një gjë e jashtëzakonshme për kohën, shkruan panorama.

Ai studioi gjithashtu letërsinë dhe në “Poetika”, ai dha një analizë të thellë të tragjedisë, duke prezantuar terma kyç si “katharsis”, “mimesis” dhe struktura dramatike. Pas vdekjes së Aleksandrit, klima politike në Athinë u bë armiqësore ndaj maqedonasve. I përballur me kërcënime, Aristoteli u largua në Kalkidë, ku vdiq në vitin 322 p.e.s. Trashëgimia e Aristotelit është monumentale. Veprat e tij u ruajtën pjesërisht nga nxënësit e tij dhe u rishfaqën në Europë gjatë Mesjetës përmes përkthimeve arabe. Ai u bë figura më e rëndësishme për mendimin mesjetar, duke ndikuar thellësisht në filozofinë islame dhe atë perëndimore. Qasja e tij empirike mbeti bazë e kërkimit shkencor deri në epokën moderne. Aristoteli mbetet një nga mendimtarët më me ndikim të historisë, një figurë që ndryshoi mënyrën se si njerëzimi e sheh vetveten, botën dhe dijen.

“Dasma shkodrane” – Vepra që mishëron kulturën dhe historinë e Shkodrës

Nga Albert Vataj

Ka çaste kur një vepër arti bëhet më shumë se një dritare mbi të shkuarën; ajo kthehet në një rit të gjallë, një këngë pa zë që rreh në zemrën e kujtesës. “Dasma shkodrane”, kjo kryevepër e Kol Idromenos e vitit 1924, është një prej atyre mrekullive ku historia dhe arti bashkëjetojnë në një përqafim të rrallë. Një kanavacë ku ngjyrat janë të rrahura nga drita e një qyteti që mbartte mbi supe peshën e traditës dhe hijeshinë e një elegance qytetare, që e shndërron momentin e dasmës në një ikonë të shpirtit kombëtar.
Vështroni këtë peizazh të gjallë: oborri me kalldrëm, muret e larta, portiku që hapet si një skenë teatri, aty ku përplasen zërat e këngëve dhe hapa të veshjeve të trasha, të gjera e të hijshme. Femrat me çitjane të zeza e përparëse të bardha, me shallin e mbështjellë rreth kokës, ecin në një ritëm solemn, një koreografi e lashtë që përçon rregulla dhe krenari. Fëmijët e vegjël, të veshur me rroba festive, mbahen prej dore nga nënat apo qëndrojnë kureshtarë në skaj, duke marrë pjesë pa e ditur në një liturgji të përjetshme. Në sfond, një minare e hollë përshëndet qiellin dhe tingujt e largët të qytetit.

Idromeno nuk e pikturoi thjesht një dasmë; ai ngriti një monument të një qytetërimi të tërë, një kod të heshtur zakonesh e marrëdhëniesh që merr formë përmes veshjes, qëndrimit dhe hapit. Dhe kjo tablo, e veshur me atë tejdukshmërinë e kujtesës që na bën të ndjehemi sikur jemi të fshehur pas xhamit të një dritareje, ose hipur mbi një pemë të lagjes, është një dëshmi e rrallë se si arti shndërrohet në dokument dhe rit njëherësh.
Në të vërtetë, kjo nuk është vetëm një pikturë, por një mjet për të eksploruar shpirtin e një bashkësie. Në fjalët e antropologut Clifford Geertz, një vepër arti është një mekanizëm që forcon rregullat, vlerat, lidhjet shoqërore. Dhe “Dasma shkodrane” bën pikërisht këtë, na lejon të lexojmë kodin e heshtur të një shoqërie ku familja, nderi dhe riti janë të shenjtë.
Nga kjo tablo mësojmë se si ndërtohej marrëdhënia midis fiseve, si peshoheshin rolet gjinore, si merreshin vendimet që mbartnin peshën e një fisi të tërë. Dhe ndonëse sot emocionet tona janë të tjera, ndonëse syri ynë modern sheh më shumë folklor se sa kod social, fuqia e kësaj vepre është se ajo i tejkalon kohët, ajo na lidh me një identitet që, edhe pse i kaluar, është ende i gjallë në rrënjët e shpirtit shqiptar.
Kështu, Kol Idromeno nuk na la thjesht një pikturë; ai na la një rrëfim të përjetshëm, një akt solemn dashurie ndaj qytetit të tij dhe kulturës që e ushqeu. Dhe çdo herë që sytë tanë ndalen mbi këtë kryevepër, ne bëhemi pjesë e asaj dasme, dëgjues të këngëve të vjetra, pjesëmarrës në një vallëzim që nuk resht kurrë.
“Dasma shkodrane” mbetet kështu një dritare drejt një kohe kur arti, tradita dhe jeta ishin një, dhe ku çdo hap i nuseve e çdo vështrim i burrave ishte një poezi e shkruar me ngjyrë e dritë.

Klementi XI Albani, papa me origjinë shqiptare

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot papa Klementin XI (1649-1721) me rastin e përvjetorit të 376- të të lindjes, duke e cilësuar atë si një simbol të urtësisë, besimit, kulturës dhe diplomacisë evropiane.

Papa Klementi XI lindi më 23 korrik 1649, në Urbino (Itali), në një familje fisnikësh me origjinë shqiptare nga Laçi i Kurbinit. Emri i pagëzimit ishte Xhovani Françesko Albani.

U emërua kardinal nga papa Inocenti XI në vitin 1690, dhe u zgjodh papë më 23 nëntor 1700, rreth dy muaj pas vdekjes së Inocentit XII. Papa Klementi luftoi kundër nepotizmit brenda Kishës Katolike. Gjatë viteve 1715–1718, ai mbështeti Republikën e Venedikut dhe perandorin Karl VI në luftën kundër Osmanëve.

Ideoi dhe mbështeti projektin Illyricum Sacrum, një vepër monumentale historike me qëllim dokumentimin tërësor të historisë kishtare të trevave ilire përfshirë Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.

Gjatë pontifikatit të tij, nën drejtimin e kryeipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviq, u mblodh Kuvendi i Arbërit në vitin 1703, dhe procesverbali i tij u botua më 1706, në shqip dhe latinisht.

Ky dokument me vlerë të dyfishtë, shërben si burim historik i rëndësishëm për traditën kishtare shqiptare dhe si dëshmi e hershme e përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës amtare, arsimimin dhe vetëdijen kombëtare.

Papa Klementi XI i ashtuquajturi papë Albani, krenohej vazhdimisht me origjinën e tij kur pohonte se “me gjak ishte shqiptar”. Ai u nda nga jeta më 19 mars 1721, në Romë./atsh/KultPlus.com

Bashkëthemeluesit dhe fansat nderojnë Ozzy Osbourne, ikona e rock-ut

Ozzy Osbourne, vokalisti legjendar i grupit ikonik të heavy metal Black Sabbath, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Lajmi i hidhur ka tronditur botën e muzikës, ndërsa yje të shumtë, fansa dhe ish-anëtarë të grupit i kanë bërë homazhe figurës së pazëvendësueshme të skenës rok.

“Ne humbëm vëllain tonë,” u shpreh me dhimbje Tony Iommi, bashkëthemelues i grupit. Basisti Geezer Butler kujtoi me mall koncertin e fundit të tyre, ndërsa bateristi Bill Ward ndau një fotografi të vjetër që i tregonte së bashku në ditët e lavdisë, transmeton KultPlus.

Vdekja e ikonës së muzikës erdhi më pak se tri javë pas koncertit të lamtumirës në qytetin e tij të lindjes, Birmingham, ku Black Sabbath u rikthyen në skenë për herë të fundit. “Ai e donte muzikën dhe e jetonte skenën. Jam mirënjohës që u ribashkuam për t’i dhënë atij lamtumirën që e meritonte,” shtoi Iommi.

Grupi Metallica reagoi gjithashtu me një deklaratë emocionale në rrjetin X, ku e përshkruan Osbourne si “hero, ikonë, pionier, frymëzim, mentor dhe, mbi të gjitha, mik”.

Black Sabbath ishin pionierë të zhanrit heavy metal, me këngë të paharrueshme si Paranoid, War Pigs dhe Iron Man. Pas largimit nga grupi në vitin 1979 për shkak të mosmarrëveshjeve, Osbourne nisi një karrierë të suksesshme solo, ku kënga e tij e parë Crazy Train mbetet ndër më të famshmet.

Në vitet 2000, publiku e njohu ndryshe përmes reality-show-t të MTV-së The Osbournes, ku ai u portretizua si një baba i dashur dhe shpesh i hutuar, duke fituar zemrat e një brezi të ri fansash.
Ozzy Osbourne la pas gruan e tij Sharon Osbourne dhe gjashtë fëmijë nga dy martesat e tij. Muzika e tij do të jetojë gjatë, ndërsa trashëgimia që la pas do të frymëzojë breza të tërë artistësh./KultPlus.com

Muzika e filmave shqiptarë në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të japë një koncert të veçantë në parkun “Rinia”.

Repertori i zgjedhur me këtë rast do të jetë me pjesë nga kolonat zanore të filmave më të dashur të kinematografisë shqiptare.  Mjedisi, muzika dhe interpretimi “live” premtojnë për një mbrëmje magjike me “Retro Film”.

Orkestra Simfonike e RTSH-së ftoi artdashësit të përjetojne emocionet e kinemasë përmes muzikës në zemër të Tiranës.

Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962. Ajo mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Shqipërisë. Në radhët e saj marrin pjesë instrumentistë virtuozë.

Këtë sezon veror, një tjetër angazhim i rëndësishëm për këtë orkestër do të jetë koncerti i datës 2 gusht, në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të edicionit të pestë të Ramë Lahaj & Friends Concert, ku do të jenë të ftuar interpretues të mirënjohur të muzikës klasike nga vendi dhe bota./atsh/KultPlus.com

“Mos harro…” – Zbulohet letra e panjohur e Lasgush Poradecit

(Fragment nga një letër e pabotuar e Lasgush Poradecit)

As një detyrë qoftë ajo sado e vështirë, sado kundërshtonjëse s’mund të na ndalojë – s’DUHET të na ndalojë në qëllimin t’onë. Mos harro, se qëllimi jonë, – (ne, të cilët pat qënë shkruar të jemi fatosët mistikë në tempullin e IDESË, të IDESË që shpirtëzon… përmban… dhe rilind jetën e gjithësisë), – është: DESTINI jonë. DESTINI jonë na URDHËRON, me një urdhër IMPERIOS, t’i çfaqim botës idenë t’onë. T’i-a çfaqim, dyke i-a IMPOZUAR me dy mënyra të njëshme. Ata, që janë para-lindur ose pàs-edukuar për kuptimin e idesë s’onë, e kanë pranuar impozimin vetvetiu, pá e ndjerë si një element të TË RI të vetëvetes; po atyre, të cilët, – të greminë-udhëhequr (jo të udhë-hequr!) gjithënjë as prej paralindjes ose pasedukimit, po vetëm prej GJYSMALAKËRISË së qënjes së tyre së mos-qënur, d.m.th. prej mëndjes së tyre të cekët, prej zemrës së tyre së cekët, prej vullnetit të tyre të cekët, prej trupit të tyre të cekët, mendje, zemër, vullnet dhe trup ku VEGJETON (jo JETON) një shpirt PA DASHURI për idenë, PA DASHURI për jetën, PA DASHURI PËR DASHURINË VETË…, – atyre, ne do t’i-a u IMPOZOJMË idenë… IMPOZIMËRISHT, do t’i-a u ngulim në shpirt me fuqinë mposhtëse të saj, do t’i RILINDIM me gjeniun rilindës të DRITËS SË MADHE ku po përvëlohemi.
Gjeniu jonë, është gjeniu i racës shqipëtare. Raca shqipëtare, për ne, është gja ku që na këndon nër dej, dyke na falur IMPULSIN E VEPËRIMIT. Impulsi i vepërimit t’onë është REALIZIMI I IDESË s’onë. IDEJA JONË, është MUNDIMI dhe PËRPJEKJA jonë e palodhur, e pa dëshpëruar, e padëshpëruarshme…për të bërë VETËVETEN dhe për të bërë TË TJERËT dita-me-ditën MË TË MIRË… MË TË PASTËR… MË TË NDRITUR… QËLLIMI FUNDOR (FINAL) I IDESË S’ONË, ËSHTË DRITA E PËRJETËSISË!
Për këtë DRITË GAZMORE, na duhet – e di ç’na duhet??? Studentërija, d .m.th. STUDIMËRIJA e përjetëshme! Ja, kjo është UDHA – Udha e ZOTIT – së CILËS duhet t’i bjemë PAS! Në KËTË udhë DO MË KESH, SHOK TË SHPIRTIT! “Janë të pakë ata që na kuptojnë” thua në poshtallkën t’ënde të 14 Janarit??? Ha!!, i dashuri im!! Të pakët qofshin, ose të shumë, ne do t’i-u rrëfejmë IDENË t’onë, UDHËN t’onë, të gjithëve!! Ata, që do na kuptojnë “para-lindursisht” ose “pas-edukimërisht”, janë T’ANËT!!; ata që s’do na kuptojnë “gjysmalakërisht” ose “vegjetimërisht” janë T’ANËT!!: t’anët, Ha!!. IMPOZIMËRISHT!!
Sepse ZOTI, kur s’”dashuron” – IMPOZON. Dhe kur impozon ZOTI, domethënë se ZOTËRON ZOTËRIJA. Dhe zotërija, domethënë: ZOTËSIJA!!

*Marrë nga faqja në Facebook e bijës së Lasgushit, Marie Lasgush Poradeci

Dashuri pas dashurie

Poezi nga Derek Walcott

Do të vijë koha
kur me një gëzim të papërshkruar
do të përshëndesësh veten teksa mbërrin
tek dera jote, në pasqyrën tënde
dhe secili do të buzéqeshë për ardhjen e tjetrit

dhe të thuash, ulu këtu. Ha, pi.
Dhe ta duash përsëri té panjohurin
që ishte vetja jote.
T’i japësh verë, bukë. T’i japësh zemrën tënde
kësaj vetje, të panjohurit që të ka dashur.

të gjithë jetën, të cilin e ke shpërfillur
për një tjetër, ai që të njeh përmendësh
Merri letrat e dashurisë nga rafti,

fotografitë, shënimet e dëshpërimit,
qëroje imazhin tënd nga pasqyra.
Ulu. Gëzoju jetës tënde!/ KultPlus.com

Përvjetori i ndarjes nga jeta e Amy Winehouse: Kujtojmë një zë që nuk vdes kurrë

Sot shënohet përvjetori i ndarjes nga jeta e Amy Winehouse, një prej zërave më të veçantë dhe më të dhimbshëm të muzikës bashkëkohore. Më 23 korrik 2011, bota humbi jo vetëm një këngëtare të talentuar, por edhe një shpirt të trazuar që me muzikën e saj la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e miliona fansave.

E lindur në Londër më 14 shtator 1983, Amy Winehouse shpërtheu në skenën ndërkombëtare me albumin e saj të dytë “Back to Black”, i cili u shndërrua në një sukses global dhe i solli asaj pesë çmime Grammy, një rekord i rrallë për një artiste britanike në atë kohë. Këngë si “Rehab”, “You Know I’m No Good”, dhe “Tears Dry on Their Own” nuk ishin thjesht hite, por rrëfime të sinqerta të shpirtit të saj, të mbushura me dhimbje, dashuri, vuajtje dhe ndjeshmëri të thellë. Vokali i saj i pasur me ndikime soul, jazz dhe R&B e bëri të dallueshme menjëherë dhe e shndërroi në një ikonë kulturore të papërsëritshme, shkruan KultPlus.

Por fama dhe suksesi u shoqëruan me beteja të ashpra personale. Lufta e Amy-t me varësinë, vështirësitë emocionale dhe presioni i jashtëzakonshëm i medias krijuan një rreth vicioz nga i cili ajo nuk arriti të çlirohej. Vdekja e saj në moshën 27-vjeçare e bëri pjesë të asaj që shpesh quhet “Klubi 27”, një listë tragjike artistësh të mëdhenj që u ndanë nga jeta në të njëjtën moshë. Megjithatë, trashëgimia që ajo la pas vazhdon të jetojë.

Çdo vit, në këtë datë, fansat në mbarë botën ndezin qirinj, dëgjojnë këngët e saj dhe e kujtojnë me mall, por edhe me mirënjohje për artin që na dhuroi. Amy Winehouse ishte më shumë se një këngëtare – ajo ishte një shpirt i trazuar që përdori muzikën për të folur për të vërtetat që shumë të tjerë i fshehin. Në këtë përvjetor, nuk kujtojmë vetëm fundin e saj tragjik, por mbi të gjitha jetën dhe artin e saj të pavdekshëm. Në skenën e përjetshme të muzikës, zëri i Amy-t nuk do të shuhet kurrë./KultPlus.com

Nën tingujt e Pagarushës – Nis sonte edicioni i 5-të i Festivalit ‘Rame Lahaj’

Sonte, më 23 korrik nga ora 20:30, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ngrihet sipari i edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend dhe rajon. Nën moton inspiruese “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, festivali hapet me një koncert të veçantë, dedikuar ikonës së pavdekshme të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus

Publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje të jashtëzakonshme artistike ku emocionet dhe nderimi ndërthuren në mënyrë të paharrueshme. Në skenë do të ngjiten emra të mëdhenj të muzikës operistike dhe moderne, përfshirë mezzosopranon e njohur egjiptiane Gala El Hadidi, e cila për herë të parë do të këndojë në gjuhën shqipe, një moment historik dhe emocionues për artdashësit vendas. Ajo do të shoqërohet nga artistë të afirmuar shqiptarë si Edona Reshitaj, Adhurim Grezda dhe A R B Ë R E SH Ë, nën përcjelljen muzikore të Gent Rushi Group.

Ky koncert i parë do të sjellë në skenë interpretimet e disa prej këngëve më të dashura të Nexhmije Pagarushës, duke ringjallur frymën, pasionin dhe artin e saj përmes një qasjeje të re muzikore që bashkon traditën me modernitetin.

Pas Prishtinës, festivali do të vazhdojë më 24 korrik në Pejë dhe më 25 korrik në Mitrovicë, duke përhapur emocionin e operës dhe muzikës shqiptare në qytete të ndryshme të Kosovës.

Edicioni i këtij viti do të zgjasë deri më 2 gusht, kur do të përmbyllet me një natë të madhe gala “Rame Lahaj & Friends – Gala Night”, një mbrëmje kulmore që premton interpretim të nivelit ndërkombëtar dhe një përvojë muzikore që nuk duhet humbur.
Prishtinë – Pejë – Mitrovicë | 23 korrik – 2 gusht
Opera shqiptare jeton, frymon dhe ndërton ura pa kufij, pa mure./KultPlus.com

​116 vite nga Kongresi i Dibrës

Kongresi i Dibrës, i quajtur gjithashtu Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman u mbajt në 23-29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës.

Kongresi u sponsorizua nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim”, me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.

Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres refuzuan kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga komiteti, dhe krijuan një komision të përbashkët me xhonturqit, vendimet e të cilit, edhe pse ishin në thelb për besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë Otomane, përfshinë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore.

Interpretimet e historianëve për vendimet dhe rëndësinë e Kongresit të Dibrës janë te dyfishta: nga njëra anë ato theksojnë pamjaftueshmërinë e këtyre vendimeve për qëllimet e Lëvizjes Kombëtare dhe përftimet që pati qeveria xhonturke nga ato, nga ana tjetër pranohet rëndësia e këtij kongresi në bashkimin e shqiptarëve dhe në prodhimin e rezultateve konkrete në plan kombëtar brenda perandorisë.

Pas 6 dite pune Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit më 28 korrik, miratoi një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve u quajtën “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që iu bënë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë.

Në këtë pjesë shprehej uniteti i të gjithë osmanlinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit, vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin kushtetues, për të mbrojtur me armë në dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda vendit do t’u shërbenin ideve të huaja; kërkohej gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit u quajtën “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare.

Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin këtu kishin të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Parashikohej ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat të mësohej filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.

Krahas këtyre përfshiheshin edhe disa masa të veçanta për Shqipërinë. Kërkohej që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshpëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i liheshin për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë.

Masat e veçanta për Shqipërinë, edhe pse krijonin mundësinë për mësimin e gjuhës shqipe, ishin larg kërkesës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për themelimin e shkollave kombëtare shqipe dhe për futjen e mësimit të detyruar të shqipes në shkolla. Vendimi që u mor në lidhje me alfabetin e gjuhës shqipe, për të përdorur “lirisht alfabetin turk ose shqiptar”, ishte gjysmak dhe u çelte rrugën xhonturqve e gjithë kundërshtarëve të alfabetit shqip për të penguar e për të luftuar përhapjen e shkrimit shqip.Megjithatë, sipas disa dijetarëve masat e veçanta patën rëndësi historike për gjuhen shqipe, pasi për herë të parë u arrit zyrtarizimi i gjuhës shqipe në perandorinë Osmane. / KultPlus.com

Rock-u humb zërin e tij më të veçantë, Ozzy Osbourne nuk jeton më

Ozzy Osbourne, ikonë e muzikës rock dhe “Prince of Darkness” është ndarë nga jeta në moshën 76 vjeçare.

Familja e tij konfirmoi lajmin duke kërkuar respekt për privatësinë në këtë moment të vështirë. Arsyeja e vdekjes nuk është zbuluar, por Ozzy kishte vuajtur nga probleme të shumta shëndetësore në vitet e fundit.

Osbourne ishte themeluesi i grupit legjendar Black Sabbath, grupi që revolucionarizoi muzikën heavy metal me tingullin e tyre të errët dhe shpërthyes.

Me këngë si “Iron Man” dhe “War Pigs”, ai ndihmoi në krijimin e një zhanri të ri muzikor dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e rockut.

Pas një karriere të gjatë me Black Sabbath, ku u largua për shkak të problemeve me alkoolin dhe drogën, ai vazhdoi me një karrierë të suksesshme solo, duke lëshuar albume të njohura si “Blizzard of Ozz” dhe “Ordinary Man”.

Një nga momentet më të famshme në karrierën e tij ishte kur gjatë një koncerti kafshoi kokën e një lakuriqi nate, një episod që e bëri atë një figurë legjendare të rockut.

Përveç muzikës, Ozzy u bë i njohur edhe për serialin televiziv “The Osbournes”, i cili shfaqte jetën e tij familjare me humor dhe sinqeritet.

Në vitet e fundit, Osbourne vuajti nga sëmundje të ndryshme, përfshirë Parkinsonin dhe pasojat e disa aksidenteve. Më 5 korrik 2025, ai u rikthye në skenë për një koncert lamtumire me Black Sabbath në Birmingham, një performancë e emocionuar pas shumë viteve luftë me shëndetin.

Ozzy la pas bashkëshorten Sharon, me të cilën kishte katër fëmijë dhe një trashëgimi të jashtëzakonshme muzikore që do të mbetet për brezat e ardhshëm./KultPlus.com

Në kujtim të Tahir Baçovës, mjeshtrit të kafshëve dhe shpirtit të cirkut shqiptar

Me ndarjen nga jeta të Tahir Baçovës, Shqipëria humbi një nga figurat më të dashura dhe më të respektuara të skenës artistike. Një emër që nuk lidhet vetëm me cirkun, por me një epokë të tërë të edukimit përmes artit, përkushtimit dhe dashurisë ndaj kafshëve dhe publikut. Tahir Baçova nuk ishte thjesht një zbutës kafshësh, ai ishte një artist i lindur, një novator që solli emocione të papërsëritshme në arenën shqiptare, një njeri që gjithë jetën ia kushtoi një misioni të rrallë: të sjellë magjinë përmes kafshëve.

I lindur në Tiranë në vitin 1936, Baçova u rrit mes dashurisë për natyrën dhe artin. Në moshë të re iu bashkua trupës së Cirkut Kombëtar, atëherë në hapat e parë të formimit të saj, duke kontribuar që prej fillimit në ngritjen dhe zhvillimin e këtij institucioni që do të bëhej vatër e shpirtit artistik për shumë breza. Në vitin 1960, ai solli për herë të parë në skenën shqiptare një risi të padëgjuar: numrat me kafshë të stërvitura. Njerëzit e panë me habi e admirim qenin që reagonte si aktor, ariun që luante me top, dhe biçikletat e vogla të hipura nga kafshët, gjithçka e ndërtuar me mjeshtëri, durim dhe dashuri, shkruan KultPlus.

E veçanta e Tahirit ishte lidhja e tij emocionale me kafshët. Ai nuk i shihte ato si mjete spektakli, por si partnerë të skenës, si qenie me të cilat kishte ndërtuar një marrëdhënie të thellë respekti. Për këtë, jo rrallë u konsiderua si një “magjistar” i arenës. Bashkë me bashkëshorten e tij, Sanie Baçova, gruaja e parë shqiptare që stërviti kafshë për cirk, krijuan një trashëgimi unike që frymëzoi shumë të rinj të ndjekin rrugën e tyre.

Për dekada të tëra, Tahir Baçova ishte zemra e Cirkut Kombëtar. Emri i tij lidhej me çdo shfaqje të madhe, me çdo buzëqeshje fëmije në publik, me çdo duartrokitje që ngrihej në arenë. Ai nuk mungoi kurrë, as atëherë kur u tërhoq nga skena si artist aktiv sepse cirku mbeti gjithmonë pjesë e jetës së tij. Dhe ai, gjithmonë pjesë e tij.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, u vlerësua me titullin “Artist i Merituar”, por për publikun ai do të mbetet përgjithmonë mjeshtri i cirkut, “njeriu që i dha shpirt arenës dhe i mësoi Shqipërisë se edhe kafshët mund të jenë artistë”.

Me ndarjen e tij nga jeta më 2 shtator 2024, në moshën 88-vjeçare, një epokë mbyllet. Por vepra e tij, dashuria që mbolli dhe emocionet që krijoi nuk do të harrohen. Tahir Baçova do të mbetet një simbol i përjetshëm i artit të gjallë, i një Shqipërie që besonte tek përkushtimi, pasioni dhe mjeshtëria.

U prehsh në paqe, Mjeshtër. Arena e cirkut do të ndjejë mungesën tënde, por kujtimi yt do të rrojë përherë në rrethin e dritave dhe buzëqeshjes së publikut./KultPlus.com

Bukowski: Nuk ka asgjë më tërheqëse në këtë planet se sa një grua e mençur!

Nuk ka asgjë më tërheqëse në këtë planet se sa një grua e mençur.

Një grua që të vret me vetëbesimin e saj, madhështine, hijen e rëndë të një sundimtareje, një grua që peshon karakter e që të vret me mendimet e saj, e sigurtë për botën e saj; një që është pronare e trupit dhe shpirtit të saj.

Një që duket e ftohtë dhe egër, por që mund të të vrasë me ëmbëlsinë e zemrës.

Një që adhurohet nga burrat e mëdhenj dhe urrehet nga gratë e vogla.

Një që thotë jo aty ku nuk ka vend për vlerën dhe respektin e saj, një që vështirë thotë po, jo nga frika as nga guximi i tepruar.

Një që nuk admirohet vetëm për bukuri, sepse bukurinë e ka si bonus dhe jo si shkallë arritje, as si mjete joshje për t’i marrë gjërat që i do.

Ajo mundohet shumë për veten dhe punon që të jete dikush në jetë, që nesër asnjë, askush mos ta shkelë.

E kështu nuk ka gjë më të bukur se sa një grua tmerrësisht e pavarur dhe vetëvetja.

65 vite nga lindja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit

Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij.

Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina  e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Fadili i rrethuar nga tifozët

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.

Flamurtari – Partizani i Beogradit

Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”

Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.

Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.

Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.

Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.

Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.

Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak.

Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa, kujtojmë se sot shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të përurohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com

“WeBalkans” në zemër të Tiranës – ekspozitë që bashkon kulturat ballkanike

Nën kujdesin e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u çel sot në Shtëpinë e Evropës ekspozita e fotografive “Gati. Qëndro. Evropa jonë!”, një shfaqje vizuale e fotografive më përfaqësuese të realizuara nga të rinj të talentuar nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Ambasadori Gonzato hapi zyrtarisht ekspozitën, duke vënë në dukje rëndësinë e nismës si një platformë për të afruar të rinjtë e rajonit përmes artit dhe për t’i inkurajuar ata të mendojnë dhe veprojnë në frymën evropiane.

“Së pari, ju uroj mirëseardhjen në shtëpinë e Europës, pavarësisht klimës. Natyrisht që sot nuk po shohim thjesht disa foto, por po dëgjojmë zëra, zëra të të rinjve nga i gjithë rajoni, që kanë përdorur kamerën e tyre, aparatin, për të na treguar si e shohin Evropën, si e përjetojnë vlerat e saj dhe cili është përfytyrimi që ata kanë për vlerat e kësaj Evrope.

Në fakt, është një këndvështrim që rezonon me mënyrën sesi ne duam të bëjmë këto gjëra. Në javën e Evropës që organizuam, në fakt ishin dy javë, ajo çfarë ne bëmë ishte që të mos e thonim ne mesazhin por të ishin njerëzit këtu, artistët, që ndërvepruan me aftësitë e tyre artistike dhe intelektuale, në mënyrë që të përcillnim mënyrën sesi e shihnin

Është mënyra më efektive për të përçuar mesazhin përmes këtyre njerëzvve. Nxitëm një hapësirë për dialog, për të shprehur aspiratat dhe ndoshta ndonjë kritikë për ndërveprimin midis vendit dhe BE, nëse ka ndonjë të tillë.”

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe figura të njohura të sportit dhe artit. Klodiana Shala, kampione evropiane në atletikë dhe e para grua që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Athinë 2004”, iu drejtua publikut me një mesazh frymëzues mbi përkushtimin dhe përfshirjen e të rinjve në shoqëri.
“Ne kemi marrë pjesë më përpara në Olimpiadë në vitin 1996. Sepse unë siç dihet jam zëri i të vërtetës dhe gjithmonë ngre zërin për sportistët. Siç dihet unë kam vendosur rekorde në sprinte. Kam bërë gara të vështira në sprinte sepse jam sportiste e sprinteve.”/ballkanweb/

Dua Lipa “braktis” skenën për një gotë verë në Palermo, fansat të mahnitur nga thjeshtësia e saj

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, është fotografuar së fundmi në një nga rrugicat karakteristike të Palermos, teksa shijonte disa ditë pushimi mes pjesëve të turneut të saj ndërkombëtar “Radical Optimism”.

Në një video të shpërndarë në rrjet, 29-vjeçarja shihet ulur thjesht në një trotuar nën diellin italian, me një gotë verë në dorë dhe një cigare, duke qeshur me të fejuarin e saj, aktorin britanik Callum Turner, 35 vjeç, shkruan DailyMail, transmeton KultPlus.

Pamjet bënë bujë të menjëhershme në rrjetet sociale, me fansat që e përgëzuan Duan për natyrshmërinë dhe qetësinë që e karakterizon, ndryshe nga yjet e tjerë të nivelit të saj. “Thjesht është ulur në rrugë me verë në dorë… E adhuroj!”, shkroi një ndjekës në TikTok. Të tjerë komentuan: “Ka famën, pasurinë dhe suksesin por nuk duket aspak e përfshirë në botën e luksit bosh.”

Megjithatë, jo të gjithë ishin pozitivë. Disa përdorues shprehën kritika për pirjen e duhanit, duke u shqetësuar për ndikimin që kjo mund të ketë në zërin dhe karrierën e saj si këngëtare.

Kujtojmë se turneu “Radical Optimism”, që nisi në maj, e ka çuar këngëtaren në Australi dhe Britaninë e Madhe, ku së fundmi performoi në stadiumin Wembley. Turneu do të rifillojë në fillim të gushtit në Amerikën e Veriut dhe do të përfundojë më 5 dhjetor në Mexico City.

Në një intervistë për British Vogue, Dua Lipa konfirmoi fejesën me Callum Turner, duke shtuar se e sheh këtë kapitull si një hap të rëndësishëm drejt ndarjes së jetës me dikë që e quan “mikun më të mirë përgjithmonë”.

“Do të doja të kem fëmijë një ditë. Por gjithmonë mbetet pyetja: kur është koha e duhur? Mendoj se është një nga ato gjëra që do të ndodhin kur t’i vijë koha,” – u shpreh ajo./KultPlus.com/

❌