HAARP nuk mund të shkaktojë përmbytje apo tërmete
Pretendimi: HAARP qëndron pas përmbytjeve të Korrikut 2025 në Turqi dhe tërmetit të Qershorit 2025 në Kolumbi
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Në rrjetet konspiracioniste vijon të qarkullojë pretendimi se projekti studimor HAARP është një armë që kontrollon motin dhe shkakton një sërë fatkeqësish natyrore.
Së fundmi, atij po i vishet përgjegjësia për përmbytjet në Turqi në Korrik 2025 dhe tërmetin në Kolumbi në Qershor 2025.
Shira të rrëmbyeshëm më 19 korrik 2025 shkaktuan përmbytje në Ankara, Turqi. Fatmirësisht, nuk raportohen viktima.
Më 8 qershor 2025, një tërmet 6.3 ballë goditi Departamentin e Cundinamarca në Kolombi. Si pasojë, 31 persona mbetën të lënduar. Fatmirësisht, nuk pati humbje jete.
Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve, sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
Profesor Bruce Malamud nga King’s College në Londër tha se “nuk ka lidhje të besueshme apo të mundura mes HAARP dhe shkaktimin e tërmeteve të çfarëdo shkalle […] HAARP është një program kërkimor përkushtuar studimit të jonosferës, që është pjesë e atmosferës së sipërme të Tokës (rreth 48 deri në 965 km mbi nivelin e detit). Nuk ka një mekanizëm të njohur fizik me anë të të cilit HAARP mund të ketë shkaktuar tërmete, dhe çdo pretendim për ndonjë lidhje të tillë qëndron jashtë fushëveprimit të shkencave natyrore. Përkrahësit e ekzistencës së një lidhje të tillë, si konspiracionistët, duhet të shpërfillen dhe pretendimet e tyre duhet të trajtohen si lajme të rreme.”
Sa i përket fenomenit të “tërmeteve artificialë”, është e vërtetë se veprimtaria njerëzore mund të shkaktojë tërmete (zakonisht të shkallës së ulët) duke ndryshuar forcat e tensionit në koren e Tokës. Shkak për këtë është shpesh nxjerrja apo futja e lëngjeve nga/në thellësi të Tokës. Këto veprimtari, që janë pjesë e procedurave të shfrytëzimit të minierave dhe nxjerrjes së gazit dhe naftës, mund të bëhen shkas për tërmete duke ndikuar në presionin nëntokësor, si në diagramin e mëposhtëm.
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.
The post HAARP nuk mund të shkaktojë përmbytje apo tërmete appeared first on Faktoje.al.