Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Organizatat e shoqërisë civile kundër Kodit Penal: Përhap kriminalizimin dhe kufizon gazetarët!

Nga Gazeta ‘SI’ – Organizatat e shoqërisë civile në vend kanë reaguar kundër Kodit të ri Penal, duke shprehur shqetësim për përhapje të gjerë të kriminalizimit dhe kufizim të lirisë së shprehjes.

Qëndresa Qytetare ngre alarmin për ngre alarmin për ndryshimet që parashikojnë dënim me eqje lirie për shkelje administrative.

“Kodi i Ri Penal përtej valës së eksodit drejt vendeve të Bashkimit Europian, në kushtet kur drejtësia e re është larguar nga qytetari rrezikon që burgjet të popullohen dhe të krijojë një kaos të paprecedentë në sistemin e drejtësisë. Qëndresa Qytetare kërkon që Kodi i ri penal të kalojë në një fazë të gjerë konsultimi publik ku të jenë të përfshirë qytetarët, shoqëria civile, mediat dhe ekspertët e fushës”, thuhet në deklaratën e QQ.

Organizata SCiDEV dhe rrjeti rajonal SafeJournalists shprehin shqetësim për disa nga nenet që mund të kufizojnë dhe cënojnë gazetarët në punën e tyre.

Organizatat theksojnë se nenet 865 dhe 863 që prekin fyerjen dhe shpifjen jo vetëm që nuk respektojnë rekomandimet e tyre të përsëritura dhe ato të institucioneve evropiane për dekriminalizimin e këtyre veprave, por përkundrazi, zgjerojnë sanksionet penale dhe fusha e zbatimit të tyre krijon rrezik frikësimi ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve të angazhuar.

“Zgjerimi i përgjegjësisë penale për komentet në media apo rrjete sociale, rritja e gjobave dhe paqartësitë ligjore mund të çojnë në abuzim dhe ndëshkim selektiv. Në mënyrë të veçantë, dispozita si ajo që lejon justifikimin e deklaratave në ‘gjendje zemërimi’ krijon standarde të dyfishta për zyrtarët e pushtetshëm,” thuhet në reagim.

Sipas organizatave drafti nuk parashikon as mbrojtje të gazetarëve dhe dekriminalizim të shpifjeve, siç është rekomanduar.

Organizatat theksojnë se formulimi i përgjithshëm dhe i paqartë i disa neneve të draftit lë hapësirë për interpretim arbitrar dhe zbatim selektiv, në dëm të gazetarëve dhe lirisë së medias.

“Është shqetësuese mungesa e garancive ligjore për gazetarët që raportojnë për çështje të ndjeshme si korrupsioni apo abuzimi me detyrën. Ky draft, nëse miratohet në formën aktuale, do të përkeqësojë më tej klimën e pasigurisë për median e pavarur në Shqipëri,” përfundon deklarata.

The post Organizatat e shoqërisë civile kundër Kodit Penal: Përhap kriminalizimin dhe kufizon gazetarët! appeared first on Gazeta Si.

Shqipëria target i hakerave, shtohen sulmet kibernetike ndaj institucioneve dhe individëve

Nga Gazeta ‘SI’ – Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2025, Shqipëria është përballur me 29 sulme kibernetike.

Bazuar në statistikat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, gjashtëmujori i parë 2025 numëron 43 incidente kibernetike, rreth 34% më tepër incidente se në gjithë 2024.

Sulmet më të shpeshta kanë qenë të tipit DDoS, me qëllim ndërprerjen e shërbimeve publike, ndërsa incidenti me pasojat më të rënda ka qenë sulmi WIPER ndaj Bashkisë së Tiranës, i cili synonte fshirjen përfundimtare të të dhënave dhe dëmtimin e funksioneve digjitale.

Krahas tyre, janë identifikuar edhe 4 tentativa phishing,(vjedhja e të dhënave) spear phishing, 3 skanime të paautorizuara të rrjeteve, 2 komprometime aplikacionesh, 3 trojanë, dhe 1 shfrytëzim i dobësive në sisteme të ndryshme.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) shprehet se këto shifra tregojnë nevojën që ka Shqipëria për vigjilencë të vazhdueshme dhe përforcimin e kapaciteteve reaguese.

Në 3 muajt e parë të këtij viti, Autoriteti identifikoi dhe menaxhoi gjithsej 14 incidente kibernetike, duke ndërmarrë masa konkrete për neutralizimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike. Ndërkohë, në vitin që lamë pas, numri i incidenteve kibernetike ka qenë vetëm 32.

The post Shqipëria target i hakerave, shtohen sulmet kibernetike ndaj institucioneve dhe individëve appeared first on Gazeta Si.

Tirana e rrëfyer nga muralet…

Çfarë ju vjen në mendje kur mendoni për kryeqytetin shqiptar? Me siguri jo muralet që kanë mbushur rrugët e Tiranës. Do të gjeni shumë prej tyre të shpërndara në të gjithë qytetin, megjithëse janë vetëm një pjesë e skenës së gjallë të artit të rrugës duke pritur ata që vizitojnë këtë vend të jashtëzakonshëm.

Muralet janë shpërndarë në të gjithë qytetin, por unë munda t’i vizitoja shumicën e tyre në këmbë—pa pasur nevojë për makinë apo transport publik. Disa ndodhen pikërisht në zemër të qytetit, pranë sheshit Skënderbej, ndërsa të tjerat kërkojnë pak më shumë ecje. Unë do të thoja se me një planifikim të mirë dhe një dashuri për të ecur, ju mund të shihni shumicën e muraleve më interesante në një mëngjes të vetëm.

Sigurisht, skena e artit të rrugës në Tiranë është shumë më e madhe sesa thjesht veprat e artit që kam shënuar dhe vizituar. Muralet mund të gjenden në shumë cepa të qytetit dhe ato që kam eksploruar janë që nga vizita ime e parë në kryeqytetin shqiptar.

Ndërsa hetoni për murale, ju keni mundësinë të eksploroni edhe vetë Tiranën. Shumë vepra arti ndodhen pranë atraksioneve të dukshme dhe ndërsa kërkoni, do të zbuloni se sa i larmishëm është me të vërtetë ky qytet. Do të ndesheni me shtëpi të vogla, rrokaqiej të lartë, xhami, kisha ortodokse, kisha katolike, supermarkete dhe tezga në oborrin e shtëpisë – duke ju ndihmuar të kuptoni më thellë karakterin unik të qytetit.

Jo shumë kohë më parë, Tirana ishte kryeqyteti i një vendi që sapo kishte dalë nga sundimi komunist dhe pjesa më e madhe e arkitekturës së saj pasqyronte atë epokë të shkuar. Vitet e fundit, megjithatë, qyteti ka parë një valë modernizimi, me ndërtesa të reja në rritje dhe murale – vepra arti në shkallë të gjerë që shpesh mbulojnë anët e tëra të blloqeve shumëkatëshe – duke u shfaqur në strukturat më të vjetra (dhe jo vetëm ato). Ndërsa dendësia e muraleve nuk është veçanërisht e lartë, ka padyshim më shumë se një duzinë që ia vlen të kërkohen.

Artistë të ndryshëm kanë marrë përsipër detyrën për t’i dhënë ngjyra ndërtesave të Tiranës dhe rezultatet mund të admirohen edhe sot. Madje qyteti pret Mural Fest Tirana, gjatë të cilit krijohen vazhdimisht pjesë të reja. Që nga fillimi i festivalit, mbi 30 artistë kanë kontribuar në pasurimin e hapësirës urbane të Tiranës. Muralet në Tiranë nuk ndjekin një stil të vetëm. Ndërsa eksploroni rrugët, do të hasni në dizajne gjeometrike, portrete, vepra të stilit komik dhe shumë shprehje të tjera krijuese.

Një pjesë veçanërisht interesante, e krijuar gjatë festivalit, paraqet një qen të gjelbër, të pikturuar për të rritur ndërgjegjësimin për çështjen e kafshëve endacake (që ndodhet në rrugën Myslim Shyri). Kjo vepër përfshin gjithashtu një lidhje polake – krijuesit e saj janë kolektivi i artit polako-portugez Mots.

Një tjetër mural i spikatur, veçanërisht për fansat e Avengers, është “Spiderman / I Have to Go”. Krijuar nga artistët italianë Flavio Solo & Diamond, pjesa komenton luftën e ditëve moderne për të mos pasur kohë të mjaftueshme. Një vepër tjetër e shquar është “Vajza e Katmandusë”, një mural që simbolizon ëndrrat e brezit të ri, si dhe lidhjet e tyre me rrënjët kulturore.

Në foton e dytë më poshtë, mund të shihni një pjesë të artistit serb Artez, të titulluar “Mos gjykoni”. Kjo murale, si shumë të tjera në Tiranë e krijuar nga artistë ndërkombëtarë, eksploron temën se sa lehtë gjykojmë të tjerët – duke na kujtuar se gjërat rrallë janë ashtu siç duken në shikim të parë.

Më poshtë janë disa murale në Tiranë, të cilat personalisht i kam parë më të habitshmet—dhe akoma më shumë ju presin në fund të këtij artikulli.

Shkruar nga Jakub Juszyński, gazetar polak*

The post Tirana e rrëfyer nga muralet… appeared first on Gazeta Si.

Në një vit, depozitat bankare u rritën me 87 mld lekë

Nga Gazeta ‘SI’ – Kursimet në banka janë rritur lehtë gjatë qershorit 2025.

Sipas shifrave nga Banka e Shqipërisë, në muajin qershor raportohen 1.389 trilionë lekë depozita bankare, me rritje 0.3% nga maji. Nga një vit më parë, depozitat janë shtuar me 87 mld lekë.

Kursimet janë rritur në lekë, që mbetet monedha dominuese, por kanë rënë në valutë, kryesisht euro.

Llogaritë e bizneseve kanë vlerën më të madhe të depozitave, por rritja më e lartë raportohet për individët.

Nga një përpunim i të dhënave në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave rezulton se janë 1.98 mln depozitues në sistemin bankar vendas, ku 80% janë individë.

The post Në një vit, depozitat bankare u rritën me 87 mld lekë appeared first on Gazeta Si.

Rritje e fortë e transportit ajror të mallrave, zbehet ai detar

Nga Gazeta ‘SI’ –Transporti ajror në vend ka shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, si në volum mallrash ashtu edhe në numrin e pasagjerëve.

Sasia e mallrave të transportuar, përfshirë edhe postën, ka arritur në afro 799 tonë, duke regjistruar një rritje prej 42.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e këtij volumi, rreth 67.5%, përbëhet nga mallra të ardhura, ndërsa pjesa tjetër prej 32.5% janë mallra të nisura drejt destinacioneve të tjera.

Ndërkohë, numri i udhëtarëve që kanë përdorur linjat ajrore ka kaluar shifrën e 3 milionëve, një rritje me 6% krahasuar me periudhën prill-qershor të vitit 2024, kur u regjistruan rreth 2.8 milionë pasagjerë.

Sa i përket tregtisë ajrore, janë regjistruar 583 tonë mallra të importuara dhe eksportuara, me një rritje modeste prej 2.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht rritjes, mallrat e importuara me rrugë ajrore zënë vetëm 0.02% të totalit të importeve në vend.

Gjatë kësaj periudhe, transporti ajror është kryer nga 29 kompani ajrore, ku vetëm njëra prej tyre është shqiptare, ndërsa 28 janë të huaja. Hapësira ajrore shqiptare ka përpunuar mbi 110 mijë fluturime, nga të cilat rreth 83% janë fluturime mbikalimi.

Rrugët detare mbeten pikat kyçe të tregtisë së mallrave për Shqipërinë, me portin e Durrësit që kryen rolin kryesor, ndjekur nga Vlora, Saranda dhe Shëngjini. Në tremujorin e dytë 2025, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është 1.545 mijë ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky tregues është ulur me 0.1 %. Volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e dytë 2025 zë 27.9 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara. Volumi i mallrave të importuara me det në tremujorin e dytë 2025 zë 66.9 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara

Në total, në portet shqiptare kanë hyrë 276 anije, nga këto 253 anije janë të huaja dhe 23 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është rritur me 10%, ku numri anijeve të huaja është rritur me 16,1 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2024.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është 330.630 persona. Porti i Sarandës është porti nga i cili kanë udhëtuar 54% e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Durrësit me 40.3 % dhe më pas porti i Vlorës me 5.7%.

The post Rritje e fortë e transportit ajror të mallrave, zbehet ai detar appeared first on Gazeta Si.

Plagosja me armë në Borsh, arrestohet autori i dyshuar, shpallet në kërkim një tjetër

Nga Gazeta ‘SI’- Policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar të plagosjes në Borxh, ndërsa një tjetër i përfshirë është shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 02:20, pas një sherri për motive të dobëta, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është goditur me grushte nga shtetasi E. V, 55 vjeç, banues në Tiranë. Më pas, H. Ç. është larguar nga lokali dhe është rikthyer me armë zjarri, duke qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi E. Sh, 33 vjeç, të cilin e ka plagosur në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu, H. Ç. ka goditur me qytën e armës shtetasin A. D., 43 vjeç.

Pas ndërhyrjes së policisë dhe hetimeve të shpejta, H. Ç. u arrestua në flagrancë, ndërsa E. V. është shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Në vendngjarje u sekuestruan 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijon puna për gjetjen e armës së përdorur dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

The post Plagosja me armë në Borsh, arrestohet autori i dyshuar, shpallet në kërkim një tjetër appeared first on Gazeta Si.

Qeveria miraton Strategjinë e Turizmit: Objektiv, vizitorët elitarë!

Nga Gazeta ‘SI’- Në mbledhjen e sotme, Qeveria Shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një video-mesazhi ku shprehet se është finalizim i një pune dyvjeçare.

“Qeveria Shqiptare sot miratoi Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, pas një procesi gati 2-vjeçar hulumtimesh, studimesh dhe konsultimesh, ndërsa kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve, ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit”, njofton Kumbaro.

Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

Oferta turistike e Shqipërisë 2030, do të orientohet drejt vizitorëve elitarë. Strategjia e turizmit 2024-2030, përfshin masa stimuluese për më shumë investime, lehtësi në taksa, përmirësim të ofertës turistike, marketing dhe disiplinim të ndërtimeve në turizëm.

Përtej ofertës turistike të detit dhe diellit, Shqipëria do të synojë të kthehet në një atraksion të ‘pazbuluar’ ku do të ndërthurur pasuritë natyrore, me ato të aventurës dhe më tej drejt kampingjeve të luksit.

Për të arritur në këtë stad vendit i duhen më shumë investime për të shtuar kapacitetet akomoduese, që me strategjinë e re nuk do të jenë më në fokus ‘fshatrat turistikë’ me vila 2-3 katëshe që po shtrihen në të katër anët e vendit, por resortet me hotele dhe struktura multifuksionale. (Pishina, restorante, shërbimet SPA, aktivitete argëtuese etj)

Kjo masë frenuese e resorteve aktuale që në qendër kanë vilat, dhe jo hotelet, sipas Ministrisë nuk i ka shërbyer turizmit, por vetëm tregut të pronave për shitje.

Vendi do të kalojë në fazën e resorteve me hotele, që ofrojnë edhe më shumë shtretër e kapacitete akomoduese, përmes një skeme të re investimi, që përfshin subvencione për mbulimin e normës së interesit të kredisë që marrin bizneset për këto investime, lehtësirat tatimore, proceset e thjeshtuara të dhënies së lejeve, e deri tek mekanizmat financiarë të tillë si PPP-të.

Po ashtu në strategji theksohet se duhet të punohet më shumë për të rritur cilësinë e shërbimit, ku ndihmë për këtë fazë do të jetë sistemi arsimor, që duhet të përshtatet me nevojat e tregut të shërbimeve thotë Ministria e Turizmit.

Me gjithë këto investime, Ministria e Turizmit thotë se do të bëhet i mundur shtimi i numrit të shtretërve nga 270 mijë në vit, në 477 mijë në vitin 2030.

The post Qeveria miraton Strategjinë e Turizmit: Objektiv, vizitorët elitarë! appeared first on Gazeta Si.

Ashpërsim të dënimit për zjarrvënësit. Qeveria, paketë mbështetëse për dëmtimet nga flakët

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.

Lajmin e dha kryeministri Edi Rama.

“Masat e marra, rritja e gatishmërisë për muajin Gusht 2025 dhe mobilizimi i strukturave përkatëse për menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, ku qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit”, shkruan Rama në Facebook.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme, e Bujqësisë dhe Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile njoftuan se kanë përgatitur një plan masash për rritjen e gatishmërisë për muajin gusht.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bëri një bilanc të situatës së zjarreve në vend, duke theksuar se këtë vit janë regjistruar 59 vatra të mëdha dhe 961 zjarre të vogla, kryesisht në banesa dhe pyje.

Ai njoftoi se 21 persona janë arrestuar dhe 120 të tjerë janë proceduar lidhur me zjarrvënien, që në shumicën e rasteve është e qëllimshme.

Ministri kërkoi ashpërsimin e dënimeve për ata që shkaktojnë zjarre, duke nënvizuar se ky vit ka qenë ndër më të vështirët për shkak të flakëve dhe se përgjegjësia për mbrojtjen e natyrës dhe jetës është e madhe.

Nga zjarret më e prekur është Vlora me 17 mijë e 500 hektarë sipërfaqe të djegur, ndjekur nga Dibra, Tirana dhe më pas Berati.

The post Ashpërsim të dënimit për zjarrvënësit. Qeveria, paketë mbështetëse për dëmtimet nga flakët appeared first on Gazeta Si.

Klima e biznesit në Shqipëri u përkeqësua në 2024-n

Nga Gazeta ‘SI’ – Klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar me 1.1 pikë gjatë vitit 2024, sipas Indeksit të matur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Shumica e indikatorëve që mat Indeksi kanë pësuar rënie gjatë vitit 2024, ndërsa kërcënimi më madhor për bizneset mbetet rekrutimi i stafit të kualifikuar brenda vendit.

Konkurrenca e padrejtë, informaliteti, burokracitë në qeveri mbeten problematikat kryesore me të cilat hasen bizneset në Shqipëri.

Rreth 53% e bizneseve të anketuara pranojnë se janë përballuar me korrupsion nga 47% një vit më parë.

62% raportojnë kushte të pafavorshme konkurrence, nga 58% në 2023-shin.

Nga ana tjetër, “Furnizimi me energji” dhe “Rendi dhe siguria në vend” janë perceptuar pozitivisht nga kompanitë, ndërsa infrastruktura ka pësuar një përmirësim të lehtë me +0.60 pikë. Megjithëse marrëdhënia me autoritetet publike është perceptuar si kryesisht pozitive gjatë 2024-ës, disa indikatorë kanë shënuar rënie: -Marrëdhëniet me ministritë: -1.35 pikë -Marrëdhëniet me pushtetin vendor: -2.87 pikë -Marrëdhëniet me gjykatat: -3.50 pikë

Perceptimi për “Performancën e Ekonomisë Shqiptare” ka shënuar rënie me -3.05 pikë, i shoqëruar nga një ulje në kërkesën për mallra dhe shërbime me -3.83 pikë.

The post Klima e biznesit në Shqipëri u përkeqësua në 2024-n appeared first on Gazeta Si.

Censi i Bujqësisë, INSTAT kërkon 9 mln euro. Gjobë kush s’jep informacion

Nga Gazeta ‘SI’– INSTAT do t’i duhen rreth 9 mln euro për të kryer Censin e Bujqësisë, ku 5 mln parashikohen vetëm për burimet njerëzore.

Sipas projektligjit që ka dalë në konsultim, Censi do të ekzaminojë 98 për qind të sipërfaqes së përdorur për bujqësi, me përjashtim të kopshtarisë, si dhe 98 për qind të njësive blegtorale në të gjithë vendin.  Sipas draftit, ai do të regjistrojë gjithçka që ka të bëjë me ekonominë bujqësore të vendit, nga sipërfaqja e kulturave të mbjella, por edhe numri i bagëtive.

Sipas projektligjit, refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar apo dhënia e të dhënave të rreme do të gjobitet me vlerë që varion nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë. Dita e Censit do të përcaktohet nga INSTAT.

Ky Cens i Bujqësisë është një nga proceset më të rëndësishme statistikore në vend, i cili do të sigurojë të dhëna të sakta dhe të përditësuara për sektorin bujqësor dhe blegtoral, duke ndihmuar në hartimin e politikave zhvillimore dhe menaxhimin më të mirë të burimeve rurale në Shqipëri.

The post Censi i Bujqësisë, INSTAT kërkon 9 mln euro. Gjobë kush s’jep informacion appeared first on Gazeta Si.

Qeveria i ka hapur ‘luftë’, por paraja jashtë bankave në rekord historik

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndërsa qeveria i ka hapur “luftë”, paraja jashtë sistemit bankar ka prekur një rekord të ri.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në qershor 2025, jashtë bankave qarkullojnë 441 mld lekë, me një rritje rreth 12% nga qershori i shkuar, kur shënohej 395 mld lekë.

Shifrat e BSH-së tregojnë një rritje të të gjithë agregatëve monetarë, pra një ofertë të rritur të parasë në vend.

M3 që njihet si paraja e gjerë u rrit në 1.830 trilionë lekë, nga 1.818 trilionë lekë që ishte në muajin maj.

Sipas shifrave të BSH-së, në qershor 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është shtuar me rreth 16 mld lekë nga maji dhe raportohet 884 mld lekë.

Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 22 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1.097 trilion lekëve.

Qeveria Rama dhe Banka e Shqipërisë parashikojnë vendosjen e një kufiri të parave cash midis individëve, por edhe midis individëve dhe biznesit. Qeveria ka propozuar vlerën 100.000-150.000 lekë, ndërsa Shoqata e Bankave lobon për një nivel deri në 70.000 lekë.

Në kuadër të kësaj nisme, qeveria dhe BSH do të ulin tarifat e përdorimit të kartave, për të inkurajuar kështu pagesat në terminalet POS dhe ato online.

The post Qeveria i ka hapur ‘luftë’, por paraja jashtë bankave në rekord historik appeared first on Gazeta Si.

Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese!

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë ka kundërshtuar ndryshimet në Kodin Penal dhe ka njoftuar kontestim në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i Dhomës, Maks Haxhia e ka cilësuar si “represiv” Kodin e ri Penal dhe duke shprehur se na rikthen në kohën e komunizmit.

“Kodi që lamë pas në kohën e diktaturës po ta krahasojmë me dënimet ka dënime represive… Nuk ka logjikë që ta pranojë që një kod i tillë i cili është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknikë juridike që s’e pranon asnjë mendje profesionale që të jetë ky një draft që do ta pranojë Europa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal europian”, tha avokati.

Haxhia u shpreh se Kodi i propozuar ka “dispozita konfuze, të paargumentuara dhe të paorientuara”. 

“Janë bërë nene që nuk i pranojnë dhe janë tepër diskriminuese siç është neni 537 që bien ndesh me parimet e Dhomave të Avokatisë. Ata që kanë bërë këtë ligj nuk e njohin avokatinë. Nëse e njohin do jetë turp për ata që e kanë bërë, që nuk dinë një gjë që avokatia është një profesion i lirë, i vetëdrejtuar, i vetëadministruara dhe i pavarur. janë katër shtylla që nuk i ka ligji shqiptar si shpikje, por i ka sjellë eksperienca legjislacioni ndërkombëtar”, tha Haxhia.

Haxhia bie dakord se për momentin nuk ka qenë nevoja për krijimin e një kodi të ri. Problem është procedura penale dhe burimet njerëzore.  

Ndër të tjera Haxhia kërkoi të mos kalojë drafti në Kuvend. Ai theksoi se Kodi i ri duhet t’i nënshtrohet jo vetëm një diskutimi në opinion, por mbi të gjitha me aktorët në fushën e drejtësisë.

“Gushtin do punoj për të argumentuar teknikisht qëndrimin e Dhomës për të dalë në përfundim në një material që do ua bëjmë prezent të gjithë forcave politike në parlament duke kundërshtuar me forcë të mos kalojë ky draft, komisionit të ligjeve, organizatës sonë ku Shqipëria bën pjesë në ÇBE që është organizata e Dhomave të Avokatisë së BE-së ku Shqipëria është me status të veçantë”, tha Haxhia, i cili theksoi se mjeti i fundit do të jetë Gjykata Kushtetuese, por shpreson që çështja të mos shkojë deri aty.

Një ditë më parë, rezerva për Kodin e ri shprehu edhe kryeprokurori Olsian Çela, i cili tha se masat e ashpëra që parashikohen, rrisin potencialin për kriminalizimin e individëve.

“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve“.

Në reagimin e tij  Çela thekson se përpara çdo diskutimi mbi një draft të ri, do të ishte e domosdoshme një reflektim i gjerë shoqëror mbi vetë nevojën për ndryshim. Sipas tij, drafti i ri nuk i ka paraprirë një proces reflektimi mbi vlerat që duhet të përfaqësojë një kod penal në një shoqëri demokratike. Ai thekson se ndryshimi i kodit duhet të burojë nga një nevojë e thellë historike dhe jo si veprim i nxituar institucional, që rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë.

The post Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese! appeared first on Gazeta Si.

Familjet me ndihmë ekonomike do të marrin ujë falas deri në 5m kub në muaj

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar një skemë të re subvencionimi për konsumin e ujit.

Familjet në nevojë nuk do të paguajnë tarifë uji deri në 5m3 ujë në muaj, përllogaritur si sasia e nevojshme jetike.

Zbritja do të aplikohet automatikisht në faturat mujore dhe pa nevojë për aplikim nga qytetarët. Bashkitë i dërgojnë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve listat e individëve përfitues, dhe këto të fundit janë të detyruara të aplikojnë uljen përkatëse në faturat mujore të ujit.

Skema përfshin të gjitha familjet që përfitojnë nga ndihma ekonomike sipas legjislacionit në fuqi, por edhe kategori të tjera sociale, si personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit pa mbështetje apo individë në kushte të vështira. Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në vështirësi dhe të garantojë akses të barabartë në një shërbim jetik siç është uji i pijshëm.

Në këtë rast, kostot mbulohen nga vetë fondet e shoqërisë, deri në lidhjen e marrëveshjes me AKUK-në. Në rast se pas subvencionimit për familjet në nevojë mbetet fond i papërdorur, ai mund të shfrytëzohet për mbulimin e kostove të energjisë elektrike nga shoqëritë UK, por vetëm në rastet kur ato prodhojnë mbi 75% të ujit përmes ngritjes mekanike.

The post Familjet me ndihmë ekonomike do të marrin ujë falas deri në 5m kub në muaj appeared first on Gazeta Si.

Fondet e IPARD mbeten të bllokuara! BE: Shqipëria t’a trajtojë çështjen me prioritet

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndonëse qeveria pati njoftuar rihapjen e fondeve IPARD në vitin 2025, kjo duket se do të ndodhë në një kohë më të largët.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësues të Bashkimit Europian në Tiranë kanë treguar se financimi për bujqësinë nga IPARD do të mund të rikthehet me kusht që të garantohet mbrojtja  e interesave europiane.

“Bashkimi Europian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Europian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigjen e publikuar nga Report TV.

Komisioni Europian i bën thirrje autoriteteve shqiptare që ta shohin me prioritet këtë çështje, që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, thotë KE.

Aktualisht KE thotë se është vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare që po bëhet një auditim për pagesat e IPARD II.

“Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Europian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Europian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm”, thotë KE.

Pak ditë më parë, një grup audituesish nga BE dhe IPARD zbarkuan në Tiranë për të vlerësuar masat e marra nga qeveria në kuadër të shkeljeve, por nuk ka ende një njoftim publik.

Fondet IPARD për Shqipërinë u bllokuan verën e 2023-shit, pasi u konkluduan abuzime.

OLAF, zyra anti-korrupsion pranë Bashkimit Europian, shpjegoi se procedura  edhënies së këtyre fondeve ka qenë abuzive. Aplikantëve i kërkohej që të paguanin një pjesë shumë të madhe të grantit që fitonin, tek një nga kompanitë e përzgjedhura të konsulencës, që më pas do të lehtësonte proceset me AZHBR-n, që menaxhonte fondet e IPARD. Konkursi për fituesit ishte i korruptuar ose tërësisht fals, kishte çmime të fryra dhe shkelje të rregullave.

Pas këtyre gjetjeve OLAF i rekomandoi BE-së, që të ngrijë financimin e dytë të IPARD II 33 milionë euro dhe financimin e IPARD III 112 mln euro.

The post Fondet e IPARD mbeten të bllokuara! BE: Shqipëria t’a trajtojë çështjen me prioritet appeared first on Gazeta Si.

Shqiptarët po paguajnë më pak për sigurimin e banesave

Nga Gazeta ‘SI’ – Kompanitë e sigurimit kanë arkëtuar 12.8 mld lekë në 6-mujorin e parë të vitit, me rritje vjetore 8%.

Tregu dominohet nga sigurimet e detyrueshme në 56% të masës, ku kryesojnë sigurimet motorike. Nga janari në qershor 2025, sigurimi motorik ka kaluar vlerën e 7.5 mld lekëve, përkthyer në 13.4% rritje.

Sigurimet vullnetare arkëtuan 5.2 mld lekë, me rritje vjetore 11.5%. Sigurimi i pronës nga zjarri dhe forca e natyrës mbetet primi më i shitur, por vlera e sigurimit është ulur. AMF tregon se kontratat u rritën me 9% dhe vlera e sigurimit u ul me 2.3%.

Gjatë periudhës janar – qershor 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4 mld lekë, ose 0.73% më pak se në janar – qershor 2024. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3 mld lekë, apo 76.38% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

The post Shqiptarët po paguajnë më pak për sigurimin e banesave appeared first on Gazeta Si.

Të rinjtë, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Të rinjtë janë shoferët me rrezik më të lartë në rrugët e Shqipërisë.

Shifrat e INSTAT tregojnë se për muajin qershor, 28 nga 107 aksidente në total i përket grupmoshës 25-34 vjeç. Sjellja e drejtuesit të mjetit mbetet shkaku kryesor i aksidenteve.

Në qershor raportohen 140 viktima (të plagosur dhe të vdekur) nga aksidentet automobilistike.

Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së hënë me 19.6%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur gjatë ditës së martë, me 6.5%. Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 19:00 – 24:00, duke zënë 22.4% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.

Gjatë periudhës janar-qershor 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

The post Të rinjtë, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Shqiptarët mbajnë 35 mld lekë të borxhit të qeverisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Në gjysmën e parë të vitit 2025, shqiptarët kanë blerë 35 mld lekë të borxhit të qeverisë. Shifrat tregojnë një rritje vjetore prej 24%.

Përkthyer në numër transaksionesh, AMF tregon se ka pasur 30% më pak të tilla.

Bonot e Thesarit mbeten forma më e preferuar e investimit, 20 mld lekë me rritje vjetore 3%. Por Obligacionet kanë përjetuar rritje më të fortë, 50%, me një vlerë totale investimi 15 mld lekë. Bonot me maturim 6 mujor dhe Obligacionet me maturin 7 vjeçar kanë investimet më të larta.

AMF tregon se ka një rënie të interesit nga qytetarët e thjeshtë, pra klientët joprofesionistë, transaksionet e të cilëve janë pakësuar me 20% nga një vit më parë. Ndërkohë ka një rritje të transaksioneve nga persona juridikë dhe klientë të kualifikuar.

Përgjatë 2 viteve të fundit, yield-et e letrave me vlerë kanë qenë në nivele minimale, shumë pranë normës së interesit, duke e bërë këtë investim jo shumë tërheqës për qytetarët.

The post Shqiptarët mbajnë 35 mld lekë të borxhit të qeverisë appeared first on Gazeta Si.

Jo më burg për përdorim vetjak të drogës. Sasia e kokainës dhe kanabisit që do të lejohet në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka vendosur të dekriminalizojë përfundimisht përdorimin vetjak të lëndëve narkotike.

Një nga ndryshimet e parashikuara në Kodin Penal është vendosja e një limiti për drogërat, sipas llojit.

Konkretisht, për kanabis me qëllim përdorimin vetjak, nuk është e dënueshme deri në 10 gram. Për heroinën dhe kokainën limiti ësht 3 gram, njësoj sa edhe për lëndë të tjera të ngjashme që nuk janë emërtuar.

Gjithashtu, nuk ka rëndësi vendi ku është kapur autori në posedimin e hashashit, me kushtin që të jetë mbajtur larg demonstrimit në publik.

Në rast se substancat janë për qëllime përfitimi a shpërndarje, poseduesit do të përballen me ligjin që parashikon deri në 10 vite heqje lirie.

Lehtësimi vjen pak kohë pasi qeveria është fokusuar në legalizimin e kanabisit, kultivimin dhe tregtimin, por vetëm me qëllime shëndetësore dhe industriale e jo konsum apo të ngjashme.

The post Jo më burg për përdorim vetjak të drogës. Sasia e kokainës dhe kanabisit që do të lejohet në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Marrëveshja SHBA-BE, zhgënjen euro. Fuqizohet dollari

Euro nuk po performon mirë tashmë që për investitorët u bë e qartë se përfituesit e marrëveshjes SHBA-BE janë vetëm amerikanët.

Franca e quajti “një ditë të zezë” për Europën duke thënë se blloku iu dorëzuar presidentit Donald Trump. Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se ekonomia e tij do të vuante shumë nga tarifa 15% e dakordësuar me SHBA.

Euro ra me 1.3% dhe këmbehet me 1.15 dollarë. dollari nga ana tjetër u rrit me 1%.

 “Ndërsa forca e dollarit amerikan…mund të pasqyrojë perceptimin se marrëveshja e re SHBA-BE është e anashkaluar në favor të SHBA-së, forca e dollarit amerikan mund të pasqyrojë gjithashtu një ndjenjë se SHBA-ja po ri-angazhohet me BE-në dhe me aleatët e saj kryesorë,” tha Thierry Wizman, strateg global i FX dhe Rates Group në Macquari.

Megjithatë, Trump tha të hënën se shumica e partnerëve tregtarë që nuk negociojnë marrëveshje të veçanta tregtare së shpejti do të përballen me tarifa prej 15% deri në 20% për eksportet e tyre në Shtetet e Bashkuara, shumë më tepër se tarifa e gjerë prej 10% që ai vendosi në prill./Reuters

The post Marrëveshja SHBA-BE, zhgënjen euro. Fuqizohet dollari appeared first on Gazeta Si.

Rama paralajmëron ndëshkim për arkitektët: Do të krijojmë treg të ri imobiliar, jo klering dhe shitje në gropë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndëshkuese edhe për arkitektët që i bashkohen ndërtuesve në shkeljet e tyre.

Duke ripërmendur se do të krijohet një “Listë e Zezë” me ndërtuesit që kanë abuzuar, kreu i qeverisë tha se dhe arkitektët do të vendosen përballë përgjegjësisë ligjore në rast se ndërtimi ka devijuar nga projekti për të cilin është dhëna leja.

Rama e cilësoi një ndër problemet më të mëdha në vend, theksuar se ndërtuesve u jepet leja dhe më pas ndërtimi shkon në drejtim të paditur. 

“Ky është një problem që e kemi sot të shtruar në tryezë, si do të arrijmë që projektet ti realizojmë besnikërisht. Bëhet ajo punë bashkë me investitorët dhe ndërtuesit, bëhet ajo punë për ti filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, i jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur. Ndryshojnë edhe volume, këtu është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që do përfshijnë arkitektin si personin garant, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Kjo nuk është çështje masash ligjore, por vetëdije nga ana e investuesve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë”, tha Rama.

Ai shtoi se ndërtuesit që kanë abuzuar nuk do të mund të marrin më leje ndërtimi.

 “Karrota nga një ana, shkopi nga ana tjetër, në të kundërt e kemi të pamundur, mund të humbasim shans historik dhe s’do afrohet njeri për të financuar. Këto projekte të mëdha s’mund të realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit e rastit brenda vendit. Listë të zezë për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat, pamundësi për të marrë leje”, tha Rama.

Në takim, kreu i qeverisë së bashku me një grup të rinjsh, u prezantuan ndërtuesve edhe një formë të re financimi, që sipas Ramës shmang nevojën për shitjet në gropë.

“Këto projekte të mëdha s’mund të realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit e rastit brenda vendit. janë projektet të financuara nga institucione dhe nga fonde investimesh që nuk janë banka drejtpërdrejtë dhe që përfaqësojnë investitorë të interesuar, që nga investitorë të mëdhenj, deri te investitorë fare të vegjël, që janë investitorë që duan të blejnë një apartament apo duan të blejnë një shtëpi në plazh”, tha Rama. 

The post Rama paralajmëron ndëshkim për arkitektët: Do të krijojmë treg të ri imobiliar, jo klering dhe shitje në gropë! appeared first on Gazeta Si.

❌