Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Takimi në Alaskë, Shtëpia e Bardhë: Me Trump do të jenë Rubio dhe Witkoff

Takimi kokë më kokë që ishte planifikuar midis presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin nuk do të ndodhë, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Sekretarja e shtypit Karoline Leavitt u tha gazetarëve në bordin e Air Force One se Trump tani do të shoqërohej nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff për pjesën dypalëshe të bisedimeve, shkruan CNN.

Leavitt tha më parë këtë javë se udhëheqësit do të takoheshin kokë më kokë, dhe nuk ishte menjëherë e qartë pse këto plane kishin ndryshuar.

Pas pjesës dypalëshe të samitit, delegacionet do të takohen për drekë. Rubio, Witkoff, Sekretari i Thesarit Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe shefja e shtabit Susie Wiles pritet të bashkohen gjithashtu./abcnews.al

Samiti në Alaskë, mbërrin presidenti Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbërritur në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaska me aeroplanin Air Force One.

Trump ka mbërritur në bazën ushtarake përpara Vladimir Putinit, shkruan Sky News.

Trump dhe Putin do të takohen ballë për ballë për t’i diskutuar mënyrat për dhënien fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Para se të nisej nga Uashingtoni në Alaskë, Trump u ka thënë gazetarëve se shpreson që do të ketë rezultat.

Para këtij takimi, dy liderët kanë biseduar të paktën pesë herë përmes telefonit, prej kur Trump e ka marrë mandatin në janar të këtij viti./abcnews.al

Plagosi 27-vjeçarin, kush është autori në Korçë. Pak kohë më parë doli nga burgu (EMRI)

Aleks Qiqi është autori i plagosjes së 27-vjeçarit Ari Kodra në Korçë.

ABC News mëson se 41-vjeçari Qiqi ka qen, i dënuar për falsifikime, dhe vepra të tjera penale. Ai ka dalë pak kohë më parë nga burgu, teksa është dënuar për drogë.

Gjithashtu, ka qenë i dënuar edhe në Greqi.

Nga ngjarja e sotme, edhe vetë Qiqi mbeti i lënduar, teksa u transportua në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

OKB: Që nga maji, mbi 1700 të vrarë teksa po prisnin për ndihma në Gazë

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha të premten se të paktën 1.760 palestinezë janë vrarë teksa po kërkonin që të merrnin ndihma humanitare në Rripin e Gazës që prej fundit të majit.

“Që nga 27 maji e deri më 13 gusht, ne kemi regjistruar të paktën 1.760 palestinezë të vrarë teksa po kërkonin të merrnin ndihma. Prej tyre, 994 u vranë në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën [GHF] dhe 766 përgjatë rrugëve ku kalojnë kamionët me ndihma. Shumica e këtyre vrasjeve u kryen nga ushtria izraelite”, tha zyra e agjencisë së OKB-së për territoret palestineze.

Më 1 gusht, kjo zyrë kishte raportuar për 1.373 të vrarë.

Përditësimi i të dhënave vjen pasi agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se të paktën 23 persona u vranë nga Izraeli të premten, përfshirë 12 persona të cilët po prisnin për ndihma humanitare.

Më herët gjatë javës, shefi i ushtrisë izraelite tha se janë miratuar planet për ofensivën e re në Gazë. Ofensiva ka për synim mposhtjen e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

Përkujtohet fundi i luftës/ Japoni, 80 vjetori i dorëzimit pas Luftës së dytë Botërore

Japonia shënoi këtë të premte 80 vjetorin e dorëzimit në Luftën e Dytë Botërore, që i dha fund konfliktit të përgjakshëm.

Zyrtarë të lartë të vendit i bënë homazhe më shumë se 3 milionë viktimave që vendi aziatik pati nga lufta, teksa gjithnjë e më shqetësues është fakti se mësimet e hidhura nga epoka e militarizimit japonez, po zbehen për gjeneratat e reja.

Perandori Naruhito në fjalimin e tij tha se shpreson shumë që shkatërrimi i lufës të mos përsëritet.

Nga ana tjetër, kryeministri Shigeru Ishiba shprehu keqardhje për luftën, të cilën e quajti një gabim. Fjalimi i tij ishte i pari nga një kryeministër japonez që nga viti 2013, që kur ish udhëheqësi i vendit Shinzo Abe e shmangu ne vitin 2013.

Pikërisht që nga ky vit kryeministrat japonezë kishin ndaluar së kërkuari falje ndaj viktimave aziatike të luftës, sipas precedentit të vendosur nga Shinzo Abe.

Ndërkohë dhjetëra ligjvënës japonezë u lutën në Faltoren Yasukuni në Tokio të premten, edhe pse ky vend shihet nga fqinjët aziatikë si një simbol i militarizmit.

Mohimi nga disa ligjvënës i rolit ushtarak të Japonisë në vdekjet masive të civilëve ka ngjallur polemika.

Në një ceremoni kombëtare në sallën Budokan të Tokios, rreth 4,500 zyrtarë dhe pasardhësit e familjeve te prekura nga lufta ne gjithë vendin, mbajtën një moment heshtjeje në mesditë, koha kur filloi fjalimi i dorëzimit të perandorit të atëhershëm më 15 gusht 1945./abcnews.al

Zyrtari i opozitës bjelloruse i bën thirrje Trumpit të vazhdojë presionin ndaj Lukashenkos për sanksione

Shefi i stafit të udhëheqësit të opozitës bjelloruse tha se nuk duhet të ketë ndryshime në politikën e SHBA-së ndaj Alexander Lukashenkos derisa të lirohen të burgosurit politikë dhe udhëheqësi i fortë të ndryshojë sjelljen e tij.

“Derisa të shohim një ndryshim të vërtetë të politikës, nuk duhet të hiqen sanksionet, nuk duhet të ndodhë asnjë njohje. Nuk duhet të ndodhë asnjë takim”, tha Franak Viačorka për CNN pas telefonatës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump me Lukashenkon sot.

Ishte “shumë e sjellshme” që Trump ta quante Lukashenkon “shumë të respektuar”, tha Viačorka, por “nëse kjo ndihmon në lirimin e njerëzve, një gjuhë e tillë është në rregull”.

«Qëllimi ynë është t’i lirojmë të gjithë këta njerëz», tha ai për më shumë se 1,000 të burgosur politikë që mbahen në paraburgim në Bjellorusi.

Burri i udhëheqëses së opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, Siarhei Tsikhanouski, u lirua nga burgu bjellorus në qershor pas një vizite në Minsk nga i dërguari special i SHBA-së, Keith Kellogg.

Ministri Vengu: Vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu thotë se vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu shprehet se do të ndiqet një procedurë e veçantë.

“Vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë, e cila nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve, i ngritur me urdhër të kryetarit të Bashkisë.

Ky grup realizon inventarizimin e dëmeve në banesa infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe plotëson formularët me kostot financiare.

Më pas, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës dhe pas vlerësimit financiar çdo bashki përcaktohen koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile”, shkruan Vengu në Facebook./abcnews.al

Fluturimi i avionit të Trump ndiqet live nga mijëra njerëz, e gjithë bota pret takimin e tij me Putin në Alaskë

Avioni presidencial Boeing C-32A i Air Force One në fluturimin e tij për në Alaska po gjurmohet nga 12,300 persona në aplikacionin Flight Radar, gjë që konfirmon interesin global për rezultatin e takimit midis dy presidentëve.

Avioni i Trumpit u nis nga Baza Ajrore Andrews, SHBA, me një delegacion të udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

Përveç Rubios, delegacioni amerikan do të përfshijë Sekretarin e Thesarit Scott Bessent, Sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick, të Dërguarin Special Steve Witkoff, Zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë Caroline Leavitt, Drejtorin e CIA-s John Ratcliffe, Shefin e Shtabit Susie Wiles dhe Zëvendësin Dan Scavino.

Air Force One është i pajisur për të fluturuar edhe përballë një lufte bërthamore, me elektronikë speciale, komunikime të sigurta dhe aftësinë për t’u furnizuar me karburant në ajër.

Brenda avionit ka një zyrë presidenciale, një sallë takimesh, një departament mjekësor dhe hapësirë për rreth 70 pasagjerë dhe më shumë se 20 anëtarë të ekuipazhit.

Gjithashtu, avioni fluturon me një shpejtësi deri në 1,000 km/h dhe ka një rreze veprimi prej rreth 12,600 km pa furnizim me karburant.

Çdo fluturim koordinohet me kujdes nga shërbimet sekrete dhe ushtria, dhe itinerari dhe orari i saktë janë të dhëna të ruajtura me kujdes.

“Kurti s’do e respektojë Kushtetuesen”/ Rid Berisha: Vështirë të kemi një qeveri për momentin

Gazetari Rid Berisha thotë se është e vështirë që të krijohet një qeveri në Kosovë.

Në një intervistë për “Ballkan Update” në ABC News, Berisha u shpreh se po kryeministri në detyrë, Albin Kurti po godet institucionet në vend.

“Mendoj se nuk do të kemi qeveri. Habitati politik, partia e parë, ajo e zotit Kurti, nuk jep shenja që do respektojë vendimin e Kushtetueses. Duhet të shohim arsyetimin, por nuk i humbi privilegjin kushtetues partisë së Kurtit. Partia e zotit Kurti po godet sistemin konstitucional të Kosovës. Duket se zoti Kurti është i zemëruar që nuk po i bën institucionet. Nga zoti Kurti, aktualisht nuk shoh që ai ta bëjë qeverinë. Unë pres që deri në fund të javës, Gjykata Kushtetuese të bëjë publik arsyetimin. Nuk pres që zoti Kurti të jetë kryeministër. Pres zgjedhjet e reja të parakohshme.”, theksoi ai./abcnews.al

“Haga po shkel të drejtat e njeriut”/ Rid Berisha: Ndalimi i familjarëve për të takuar krerët e UÇK, akt brutal

Gazetari Rid Berisha e cilëson akt brutal vendimin e Hagës për të mos lejuar ish krerët e UÇK që të takojnë familjarët e tyre.

Në një intervistë për “Ballkan Update” në ABC News, Berisha u shpreh se po shkelen të drejtat themelore të njeriut.

Sipas Berisha, trupi gjykues dhe prokuroria po mbyllin sytë kundrejt këtij vendimi.

“Është mjeruese ta konstatojmë se procesi gjyqësor ka kaluar me një situatë jo normale. Vendimmarrja e fundit e prokurorisë, përbën një akt brutal, duke mos e justifikuar prokuroria këtë vendim. Gjykata Speciale e Hagës, në sytë tanë, i ka dënuar ata. Është shqetësuese, po përballen me një proces kaq brutal të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut. Gjykata po karakterizohet me këto shkelje. Është mjeruese kur shohim që trupi gjykues bashkë me prokurorinë, mbyll sytë. Duket që trupi gjykues kishte rekrutuar gardianë burgu, që kishin përgjuar vizitat e Thaçit me familjarë të tij.”, theksoi ai./abcnews.al

Kremlini: Samiti Trump-Putin mund të zgjasë deri në shtatë orë

Bisedimet midis Donald Trump dhe Vladimir Putin nuk do të jenë të shkurtra, teksa Kremlini thotë se mund të zgjasin të paktën gjashtë deri në shtatë orë.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA raporton se takimi në Alaskë do të zhvillohet edhe me pjesëmarrjen e ndihmësve dhe se Moska pret që ai të sjellë rezultate, shkruan Sky News.

Trump dhe Putin do të takohen ballë për ballë për t’i diskutuar mënyrat për dhënien fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Para se të nisej nga Uashingtoni në Alaskë, Trump u ka thënë gazetarëve se shpreson që do të ketë rezultat.

Para këtij takimi, dy liderët kanë biseduar të paktën pesë herë përmes telefonit, prej kur Trump e ka marrë mandatin në janar të këtij viti./abcnews.al

Apeli rrëzon ish krerët e UÇK/ Nuk ka lirim të përkohshëm për Veselin, Jakupin dhe Selimin

 Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale e ka refuzuar kërkesën e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për ta hedhur poshtë vendimin e Gjykates Themelores që nuk ua mundësoi lirimin e përkohshëm treshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kërkesa e tyre për t’u liruar përkohësisht pas përfundimit të rastit të Prokurorisë së Specializuar ishte hedhur poshtë nga Themelorja më 13 maj 2025, ndërkaq Veseli, Selimi dhe Krasniqi e apeluan vendimin dhe hoqën dorë përkohësisht nga e drejta për rishikim  çdo dy-muajshëm të paraburgimit deri në vendimin e ri.

Hashim Thaçi nuk e ka dorëzuar fare një kërkesë të tillë për lirim të përkohshëm meqë ndaj tij po zhvillohet edhe një proces tjetër gjyqësor për pengim të drejtësisë.

 

Autoret e krimeve të luftës/ Prokuroria mbyll dosjet për 21 të dyshuarit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë eshte dorezuar sot aktakuza e Prokuroria Speciale te Kosovës kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.

Në një konferencë për media në Prishtinë, prokurori që ka hetuar rastin, Atdhe Dema, tha se aktakuza është përgatitur pas pesë vjetëve hetime intensive.

“Aktakuza është ngritur për krime lufte kundër popullsisë civile, e cila lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës janar – qershor 1999 gjatë luftës në Kosovë. Që të gjithë 21 të dyshuarit kanë pasur kontroll të plotë mbi ushtrinë e atëhershme jugosllave dhe mbi policinë serbe dhe nuk i kanë parandaluar pjesëtarët e tyre nga kryerja e krimeve të luftës kundër popullsisë në Kosovë.
Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushatë të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863.000 civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare.”

Veprimet për të cilat ata akuzohen përfshijnë shkatërrimin e pronës civile, sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike, të cilat kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje.

Prokuroria ka bërë kërkesë për fletarreste ndërkombëtare për të dyshuarit, për të cilët tha se janë të paarritshëm për prokurorinë në këtë kohë.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./abcnews.al

Para takimit me Putin, Trump bisedë telefonike me Lukashenkon: Folëm për lirimin e të burgosurve dhe samitin në Alaskë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike me një nga aleatët më të rëndësishëm të Vladimir Putinit, Aleksandër Lukashenko, presidentin e Bjellorusisë, përpara samitit me udhëheqësin rus në Alaska.

Trump u shpreh se diskutoi me Lukashenkon,ndërsa po udhëtonte drejt Anchorage për samitin.

Ndër të tjera, Trump tha se e falenderoi Lukashenkon për lirimin e 16 të burgosurve dhe shtoi se pret me padurim të takohet me presidentin bjellorus në të ardhmen.

“Pata një bisedë të mrekullueshme me Presidentin shumë të respektuar të Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko. Qëllimi i telefonatës ishte ta falënderoja për lirimin e 16 të burgosurve. Po diskutojmë gjithashtu lirimin e 1,300 të burgosurve të tjerë. Biseda jonë ishte shumë e mirë. Diskutuam shumë tema, përfshirë vizitën e Presidentit Putin në Alaska. Pres me padurim të takohem me Presidentin Lukashenko në të ardhmen. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkruan Trump në Truth Social.

Lukashenko është një aleat i ngushtë i Putinit dhe ata janë afruar më shumë gjatë luftës në Ukrainë. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës në vitin 2022 u nis pjesërisht nga territori bjellorus dhe Putini ka vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi./abcnews.al

❌