Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

NASA: SHBA do të jetë kombi i parë që vendos energjinë në Hënë

Shefi i përkohshëm i NASA-s, Sean Duffy, ka urdhëruar agjencinë hapësinore amerikane të përshpejtojë planet për vendosjen e një reaktori bërthamor në sipërfaqen e Hënës, me synim furnizimin e misioneve të eksplorimit dhe krijimin e një baze të përhershme.

Sipas një udhëzimi të datës 31 korrik, të siguruar nga CNN, kjo lëvizje synon ta mbajë SHBA-në përpara Kinës dhe Rusisë, të cilat kanë shpallur disa herë planet e tyre për një projekt të përbashkët të këtij lloji deri në mesin e viteve 2030.

Duffy paralajmëroi se, nëse një vend tjetër e realizon i pari këtë arritje, mund të shpallë një “zonë të ndaluar” në Hënë, duke penguar planet amerikane përmes programit “Artemis”.

Misioni “Artemis III”, i planifikuar për vitin 2027, synon të rikthejë njerëzit në Hënë për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh, por programi ende ka disa sfida përpara. “Jemi në një garë për në Hënë, në një garë me Kinën. Dhe për të pasur një bazë në Hënë, na duhet energji,” deklaroi Duffy.

Cilat territore mund të detyrohet t’i dorëzojë Ukraina?

Pas tre vitesh lufte brutale dhe rraskapitëse, një marrëveshje e mundshme midis presidentit amerikan, Donald Trumpit dhe homologur rus, Vladimir Putinit në takimin e së premtes mund ta vërë Ukrainën në një situatë pa rrugëdalje.

Po spekulohet se të dy udhëheqësit mund të arrijnë një të ashtuquajtur marrëveshje “tokë për paqe”, sipas së cilës Ukraina do të detyrohej të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj në këmbim të ndalimit të konfliktit, shkruan Sky News.

Një marrëveshje e tillë, në praktikë, do të nënkuptonte aneksimin nga Rusia të territorit sovran të Ukrainës, të ligjëruar me forcë.

Nuk dihet ende nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky apo ndonjë përfaqësues tjetër i Ukrainës do të lejohet të marrë pjesë drejtpërdrejt në samit dhe në çfarë kushtesh.

Rusia aktualisht pushton rreth 19 për qind të territorit ukrainas. Kjo përfshin gadishullin e Krimesë dhe pjesë të rajonit të Donbasit, të cilat i ka pushtuar që përpara fillimit të pushtimit të gjithanshëm në shkurt të vitit 2022.

Trump ka deklaruar se shpreson që t’i kthejë Ukrainës “territor të vlefshëm”, por mbetet e paqartë se për çfarë do të ishte vërtet dakord Putin.

Ekspertët po analizojnë se çfarë do të nënkuptojë ky takim i shumëpritur mes dy liderëve botërorë për të ardhmen e vendit të goditur nga lufta dhe për situatën në vijat e frontit.

Takimi Trump-Putin, bisedimet do të zhvillohen në Anchorage, qytetin më të madh të Alaskës

Takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin do të mbahen në Anchorage – qyteti më i madh i Alaskës.

“Presidenti Trump është i vendosur të përpiqet t’i japë fund kësaj lufte dhe të ndalojë vrasjet”, tha në një konferencë, sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, shkruan Sky News.

“Siç e ka thënë presidenti vazhdimisht, preferenca e tij e fortë do të jetë gjithmonë për paqen dhe partneritetin sa herë që këto rezultate mund të arrihen. Nuk ka asnjë udhëheqës në botë tani që ka qenë më i përkushtuar për parandalimin e luftërave ose përfundimin e tyre sesa Presidenti Trump.”, shtoi ajo.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të tentojë t’ia kthejë Ukrainës një pjesë të territorit të vet në takimin që do ta ketë me presidentin rus, Vladimir Putin më 15 gusht.

Trump u shpreh se bisedimet në Alaskë do të jenë të natyrës fillestare, dhe kanë për qëllim të bindin Putinin për t’i dhënë fund luftës, dhe që do të ketë “disa shkëmbime territoresh”./abcnews.al

 

Irani arrestoi 21 mijë njerëz gjatë luftës kundër Izraelit në qershor

Policia iraniane ka njoftuar se i ka ndaluar rreth 21.000 persona për shkelje të dyshuara të sigurisë gjatë luftës 12-ditore me Izraelin, që është zhvilluar në qershor – shifër shumë më e lartë sesa vlerësimet zyrtare të publikuara më herët.

Zëdhënësi i policisë, Saeed Montazerolmehdi, tha më 12 gusht se informacionet e marra nga qytetarët kanë luajtur rol të rëndësishëm në arrestime. Nuk dihet sa prej tyre vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Në mesin e të ndaluarve janë edhe 2.774 shtetas të huaj të akuzuar për spiunazh. Autoritetet thanë se në telefonat e tyre janë gjetur dëshmi për aktivitete të dyshimta, si fotografi të pozicioneve ushtarake dhe objekteve kyç, si dhe të dhëna për vendndodhjen e transmetuar. Edhe 261 persona të tjerë dyshohen për spiunazh, ndërsa 172 janë arrestuar për xhirime të paautorizuara.

Ky njoftim bie ndesh me deklaratat e fundit të shefit të gjyqësorit, Gholam Hossein Mohseni-Ejei, i cili kishte raportuar për 2.000 arrestime gjatë dhe pas konfliktit, duke theksuar se shumë prej tyre ishin liruar pasi hetimet nuk kishin gjetur prova për spiunazh ose bashkëpunim me Izraelin.

Izraeli intensifikon sulmet në Gazë

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se sulmet ajrore izraelite në Qytetin e Gazës janë intensifikuar në ditët e fundit, pasi kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, miratoi planet për zgjerimin e ofensivës ushtarake në këtë zonë.

Qeveria izraelite nuk ka treguar saktësisht se kur forcat e saj do të hyjnë në këtë zonë, por sipas zëdhënësit të agjencisë për mbrojtje civile në Gazë, Mahmud Bassal, sulmet ajrore mbi Qytetin e Gazës janë shtuar gjatë tri ditëve të fundit.

Bassal tha se lagjet e banuara të Zeitounit dhe Sabrës janë goditur “me sulme të rënda ajrore që kanë shënjestruar shtëpi civile, ndoshta edhe ndërtesa shumëkatëshe”.

“Për të tretën ditë me radhë, Izraeli po i intensifikon bombardimet e tij”, tha ai.

“Izraeli po përdor të gjitha llojet e armëve në atë zonë – bomba, dronë, si dhe municione shumë shpërthyese që shkaktojnë shkatërrime masive të shtëpive civile”, shtoi ai.

Bassal tha se të paktën 24 persona janë vrarë të martën në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë edhe në Qytetin e Gazës.

Tusk: Putin po përdor agjentë të huaj për të krijuar përçarje midis Ukrainës dhe Polonisë

Vladimir Putin po “orkestron” përçarjet midis Ukrainës dhe Polonisë, sipas kryeministrit polak, Donald Trump.

Tusk paralajmëron se një “zgjidhje” e luftës në Ukrainë po afron.

Por gjatë kësaj kohe, “Rusia po bën gjithçka për të mbjellë përçarje midis Kievit dhe Varshavës”.

Ai shton: “Gjestet anti-polake nga ukrainasit dhe nxitja e ndjenjave anti-ukrainase në Poloni janë skenari i Putinit, i orkestruar nga agjentë të huaj dhe idiotë vendas. Gjithmonë të njëjtët.”

Polonia ka qenë një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës që kur Rusia e pushtoi në vitin 2022, por disa polakë janë lodhur nga refugjatët nga fqinji i tyre i shkatërruar nga lufta.

Më 9 gusht, të paktën 57 ukrainas u raportuan se u arrestuan dhe u dëbuan pas trazirave në një koncert repi bjellorus në Varshavë.

Shqipëria nën “pushtetin” e flakëve/ Mbrojtja: 30 vatra janë ende aktive

Informacion mbi situatën e zjarreve. Aktualisht janë evidentuar 37 vatra zjarri, nga të cilat 30 vatra zjarri janë aktive:

Qarku Elbasan.

Problematike paraqitet situata nga zjarri që nisi në fshatin Kullollas, Njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh. Po bëhet evakuimi i banorëve, një pjesë e të cilëve kanë vështirësi të dalin nga zona e mbuluar nga tymi.
U përkeqësua situata në Skënderbegas. Zjarri po shkon drejt fshatit Skenderbegas, ku rrezikohen gjithashtu banesat. Një helikopter ka shkuar në vatrën e zjarrit në fshatin Skëndërbegas. Si pasojë e zjarrit është raportuar një humbje jete.

Në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh vijon të jetë aktiv zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe ferra në situatë të rënduar. Mbi 150 forca tokësore punojnë për izolimin e zjarrit. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.

Qarku Vlorë.

Në bashkinë Finiq, vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit dhe problematike e nisur në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam, e cila tashmë ka kaluar në fshatin Pecë. Kjo vatër është shumë pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër. Në terren operuan 4 mjete zjarrfikëse me 31 efektivë të MZSH Finiq, Delvinë, Sarandë dhe Dropull të ndihmuar nga FA me 4 mjete zjarrfikëse dhe 58 forca ushtarake. Në këtë zonë ka operuar edhe Helikopteri i Forcës Ajrore si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter Çek dhe 1 Sllovak. Zjarri, gjithashtu ka prekur fshatrat Kardhikaq dhe Sirakat të bashkisë Finiq dhe me drejtim të kufirit të bashkisë Delvinë. Nga ana e bashkisë Delvinë po merren masa me skrepa, duke hapur breza mbrojtës. Vlen të theksohet se risku është i lartë dhe është kërkuar ndërhyrje nga ajri për t’i paraprirë çdo situate të mundshme.

Në bashkinë Finiq, vatra e zjarrit pranë varrezave në lagjen Vrion është shuar. Në terren kanë operuar 6 forca operacionale nga FA, 1 mjet FA, 6 forca dhe 2 mjete nga MZSH Sarandë dhe Delvinë. Sipërfaqja e djegur është kryesisht shkurre rreth 1 ha.

Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës. Situata paraqitet e qëndrueshme.

Në bashkinë Vlorë është shuar vatra e zjarrit e evidentuar në afërsi të karburant “Penta” në pyllin e Sodës.

Gjithashtu, raportohen edhe dy vatra zjarri, në fshatin Sevaster, Nj.a Sevaster, për ku është nisur mjeti zjarrfikës Selenic me efektiv e saj, dhe në fshatin Mesaplik Nj.a Brataj, ku është nisur 1 mjet me 3 efektiv zjarrfikës nga bashkia Vlorë.

Qarku Dibër.

Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktiv kjo vatër zjarri. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore.

Vatra e zjarrit e aktivizuar në fshatin Xibër Murriz, njësia administrative Xibër, bashkia Klos është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.

Vatra e zjarrit në Ternovë të Nja. Zerqan, Bashkia Bulqizë ndihmuar nga era po shtrin perimetrin. Forcat po punojnë me intensitet për të neutralizuar flakët.

Qarku Berat.

Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Momentalisht në këtë vatër po operojnë 35 forca FA, 35 forca dhe 6 mjete të MZSH së qarkut Berat, 15 forca dhe 3 mjete nga MZSH Berat, 15 forca dhe 3 mjete MZSH Poliçan, 5 forca dhe 1 mjete MZSH Skrapar.

Situata e zjarrit në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth.

U kërkohet banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Në fshatin Velçan, Njësia Administrative Sinjë, Berat është aktivizuar një vatër e re zjarri.
Në vëndngjarje janë duke punuar grupi i shërbimit dhe një mjet zjarrfikës prej 1 ore.

Qarku Tiranë.

Vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Forcat operacionale vazhdojnë të angazhuara, 3 mjete zjarrfikëse dhe 12 forca operacionale. Aktualisht po operon edhe një mjet ajror.

Vatra e zjarrit e nisur në fshatin Stërbeg, njësia administrative Kryevidh është shuar . Janë angazhuar 50 forca të FA, dhe 31 zjarrfikës.

Vatra e zjarrit në fshatin Hemenraj, Njësia Administrative Sinaballaj u shua.

Vatrat e zjarrit në fshatin Hajdaraj, njësia Administrative Synej, bashkia Kavajë, është shuar.

Në fshatin Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, vazhdon zjarri. Aktualisht, në terren po veprojnë 20 forca zjarrfikëse me 6 mjete, të mbështetura nga 8 forca të APR-së, 8 forca të Policisë Bashkiake si dhe 5 forca të Policisë së Shtetit. Për momentin s’ka rrezik për banesa, por zjarri po përparon në drejtim të Pezë Helmës.

Në fshatin Spanesh, Nj.a Kryevidh, qyteti Rrogozhinë zjarri ka përparuar pranë disa banesave, ndaj forcat e policisë të komisariatit Kavajë kanë vijuar me evakuimin e banorëve.

Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë vazhdon zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po operojnë MZSH Tiranë, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse të 50/1 Institutit Bujqësor dhe grupet e gatshme, po vijon punën për izolimin e vatrës së zjarrit. Në terren ndodhen 10 forca zjarrëfikëse me 2 mjete të B. Tiranë, 10 forca zjarrëfikëse me 2 mjete të B. Kamëz, 5 forcat e APR-së, si dhe forca të Policis së Shtetit.

Qarku Durrës.
Zjarri në fshatin Barkanesh, njësia administrative Krujë, bashkia Krujë po shkon drejt normalizimit dhe nuk ka përhapje. Forcat do të vijojnë të qëndrojnë në monitorim të situatës.

Është aktivizuar një vatër e re zjarri në fshatin Arapaj, ku janë duke u djegur shkurre dhe barishte. Është aktivizuar 1 mjet zjarrfikës nga Autoriteti Portual Durrës me grupin e shërbimit.

Janë shuar vatrat e zjarrit në Ishëm dhe Spitallë. Janë njoftuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës për hetime me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkakut.

Qarku Gjirokastër.

Në fshatin Turan, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder. Në terren operuan forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, me 6 automjete zjarrfikëse me 23 efektivë, 20 forca policore, 20 forca bashkiake, 15 forca vullnetare dhe 20 forca ushtarake. Sot ka patur ndërhyrje nga ajri përmes helikopterëve çekë dhe sllovakë.

Në fshatin Hormovë, bashkia Tepelenë ka rënë një vatër zjarri, ku kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të bashkisë Tepelenë së bashku me trupat e FA për të mos lejuar kalimin e zjarrit në fshat.

Gjithashtu, në bashkinë Memaliaj ka rënë zjarr midis fshatrave Qesarat dhe Iliras, duke marrë drejtimin për në fshatin Kosbtan , Nja. Qesarat, zjarri ka shkuar drejt teqesë së Koshtanit. Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Memaliaj ndodhen në vendin e ngjarjes.

Qarku Shkodër.

Zjarri në hyrje të qytetit Pukë është në kontroll dhe nuk paraqet risk.

Në bashkinë Pukë, zjarri në Mesul ndodhet aktualisht nën kontroll. Në operacion janë angazhuar gjithsej 22 forca, përfshirë 5 efektivë të MZSH-së, 10 nga njësia administrative, 5 nga shërbimi pyjor, 2 nga policia, si dhe banorë të zonës. Situata po monitorohet nga afër, pasi në terren fryn erë e fuqishme që mund të riaktivizojë flakët .

Në fshatin Xhath, njësia administrative Fushë Arrëz, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, të pa aksesueshme nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Gjatë ditë së sotme janë angazhuar: 65 forca të ushtrisë me 2 mjete zjarrfikëse; 16 efektivë të MZSH Fushë-Arrëz me 2 mjete zjarrfikëse; 22 inspektorë të shërbimit pyjor; 55 punonjës të administratës dhe shërbimeve; 16 efektivë të Policisë së Shtetit; 3 përfaqësues të AKMC-së.
Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë e mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithëse terreni i vështirë dhe temperaturat e larta e bëjnë shumë të vështirë zhvillimin e operacionit.

Në zonën pyjore Baks–Rrjoll, pjesë e PUTM Lumi Buna, NJ.a Velipojë është shfaqur një vatër zjarri në Knetën e Domnit në sipërfaqe me kallamishte, aktualisht e izoluar nga sipërfaqja ujore, ku po punohet intensivisht për fikjen nga forcat zjarrfikëse, strukturat e Emergjencave Civile, forca vullnetare dhe administratori i njësisë.

Vatra e zjarrit në Ura e Shtrejtë, Njësia Administrative Postribë raportohet se ndodhet larg banesave dhe nuk paraqet rrezik të menjëhershëm. Po punohet për izolimin e tij nga forcat e Shërbimit Pyjor, Emergjencave Civile dhe banorë vullnetarë të fshatit.

Qarku Lezhë.

Në fshatin Mabë, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë ka rënë një vatër zjarri. Mjetet zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje me efektivët përkatës.

Qarku Kukës.

Është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, Nj.a Tropojë e Vjetër, bashkia Tropojë. Vatra ngelet aktive, por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.

Në bashkinë Kukës vatra e zjarrit në zonë pyjore Parku Natyror i Monellës në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri Nj.a Malzi vazhdon të jetë aktive. Nga forcat e angazhuara po punohet për izolimin e kësaj vatre zjarri. Për izolimin e saj janë angazhuar 9 forca të MZSH-së, 5 punonjës të AdZM-së Kukës dhe 3 punonjës të Nj. Adm. Malzi Bashkia Kukës.

Ndërsa vatra e zjarrit në fshatin Gegaj, Nj. Adm. Tropojë e vjetër bashkia Tropojë është shuar plotësisht.

Qarku Dibër.

Në fshatin Vat të Nja. Martanesh ka rënë një vatër zjarri, ku rrezikohen disa banesa, në të cilën kanë shkuar forca të Policisë së Shtetit, forca të njësisë dhe në mbështetje menjëherë është nisur një zjarrfikëse për të mbrojtur banesat. Policia e Shtetit po ndjek mundësinë e evakuimit të banorëve sipas rrezikut.

Qarku Korçë

Në fshatin Gërmenj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen.
Nga raportimet e deritanishme, zjarri në Parkun Natyror të Gërmenjit, Bashkia Kolonjë, kufiri me Greqinë vijon të jetë aktiv, forcat janë në terren, ku po ndeshen me predha te mbetura nga koha e luftës, nevojitet ndërhyrje për t’i asgjësuar.

Qarku Fier.

Nga qarku i Fierit raportohet se në fshatin Gjonc-Selisht, Nj.a Cakran, ka rënë zjarri në një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre, në të cilën ndodhen 2 mjete zjarrëfikëse me efektivët përkatës.

Mjete Ajrore që po operojnë:

2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe
1 Black Hawk nga Republika Çeke
1 Black Hawk nga Sllovakia
1 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Vendim i ri për Dodikun/ Gjykata në Bosnje dhe Hercegovinë e zëvendëson burgimin me gjobë

Gjykata e Bosnje-Hercegovinës e ka miratuar kërkesën që dënimi me burgim ndaj Millorad Dodikut të ndryshohet në dënim me gjobë, në përputhje me ligjet që e parashohin këtë gjë.

Dodiku ishte kryetar i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, deri kur iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë.

Gjykata ka bërë të ditur të martën se “në përputhje me dispozitat ligjore, është marrë vendimi që, pas deklarimit të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, të miratohet propozimi i mbrojtjes dhe dënimi me burg i shqiptuar ndaj të dënuarit Millorad Dodik të zëvendësohet me gjobë”.

Kodi Penal i Bosnje – Hercegovinës parasheh mundësinë e zëvendësimit të dënimit me burgim që shkon deri në një vit, ku një ditë burg llogaritet 100 marka (50 euro). Për shlyerje të një viti burgim, Dodiku do t’i paguajë rreth 36.500 marka, që janë pak më shumë se 18.000 euro.

Dodiku është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt./abcnews.al

Poliçani përfshihet nga zjarret/ Ministria e Mbrotjes kërkon evakuimin e banorëve të disa fshatrave

Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për evakuime në Poliçan, për shkak të përkeqësimit të situatës, lidhur me zjarret.

Përmes një njoftimi, ministria ka kërkuar që banorët e fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”

Ndër të tjera, ministria kërkon që banorët të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

“URDHËR EVAKUIMI

Situata e zjarrit në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth.

U kërkohet banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.”, thuhet në njoftim.

Rama ndan artikullin e “Wanderlust”: Ka zbuluar një Shqipëri përtej detit dhe plazhit, në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj

Kryeministri Edi Rama ka ndarë artikullin e “Wanderlust” për Shqipërinë, një revistë e njohur e udhëtimeve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se “Wanderlust” ka zbuluar një Shqipëri përtej detit dhe plazhit, në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj.

“Revista e njohur e udhëtimeve “Wanderlust” zbulon vendin tonë të përjetuar përmes përvojave që ofrojnë komunitetet lokale, që nga eksplorimi i natyrës së egër, qyteteve historike, zonave të mbrojtura, lagunave, jetës baritore e deri tek rituali i kafesë turke – një realtitet ku koha ka ngadalësuar për të prekur një Shqipëri përtej detit dhe plazhit, në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj”, shkruan Rama.

Ministria e Mbrojtjes për zjarret: 4 helikopterë po operojnë nga ajri. Prioritet, evakuimi i banorëve nga zonat në rrezik

Katër helikopterë po operojnë nga ajri për shuarjen e flakëve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, teksa dhjetëra mjete janë vënë në dispozicion, përfshirë zjarrfikëse, autoambulanca dhe mjete transporti.

Ministrias thotë se prioritet mbetet evakuimi i banorëve nga zonat në rrezik.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë tërësisht të angazhuara në menaxhimin e situatës së rënduar nga zjarret në bashkinë Gramsh, me trupa të FA në terren, së bashku me zjarrfikës lokalë, forca policie, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat bashkiake.

Dhjetëra mjete janë vënë në dispozicion, përfshirë zjarrfikëse, autoambulanca dhe mjete transporti, ndërkohë që 4 helikopterë po operojnë nga ajri për shuarjen e flakëve në zonat më të vështira.

Prioritet mbetet evakuimi i banorëve nga zonat në rrezik.

Për shkak të situatës, Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje banorëve të fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.”, thuhet në njoftim.

VIDEO/ Gramshi nën “pushtetin” e flakëve, zjarre në disa fshatra

Gramshi po përjeton momente dramatike lidhur me situatën e zjarreve.

Nga pamjet e siguruara nga ABC News, shihet se fshatrat janë përfshirë nga flakët, teksa për shkak të terrenit, ndërhyrja është e vështirë, dhe po operohet me helikopter.

Teksa Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për evakuim, në Gramsh u regjistrua edhe viktima e parë nga zjarret.

Rezulton se një 80-vjeçar në fshatin Kullollas, ndezi zjarr në kopshtin e tij, i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të tjera.

Si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën./abcnews.al

Ndezi zjarr në kopshtin e banesës, por u përhap në disa fshatra/ Gramsh, humb jetën nga asfiksia i moshuari

Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.

Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit.

Liderët e BE-së: Kufijtë e Ukrainës nuk duhet të ndryshohen me forcë

Udhëheqësit evropianë kanë paralajmëruar kundër ndryshimit me forcë të kufijve të Ukrainës, dy ditë para se një samit SHBA-Rusi mbi Ukrainën të zhvillohet në Alaskë.

Në një deklaratë, udhëheqësit evropianë thanë se “populli i Ukrainës duhet të ketë lirinë për të vendosur të ardhmen e tij”, shkruan BBC.

Sipas deklaratës, parimet e “integritetit territorial” duhet të respektohen dhe “kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Deklarata u nënshkrua nga 26 nga 27 udhëheqës. Midis nënshkruesve mungonte udhëheqësi i Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe është përpjekur vazhdimisht të bllokojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka këmbëngulur se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë “një shkëmbim territoresh” dhe mund ta shohë Rusinë duke marrë të gjithë rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore dhe duke mbajtur Krimenë. Në këmbim, ajo do të heqë dorë nga rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat i ka të pushtuara pjesërisht./abcnews.al

“Grabitja e territoreve, e rëndë për bizneset”/ Frrok Çupi: Lirimi i hapësirave publike do të zgjasë më shumë se 4 vite

Analisti Frrok Çupi thotë se reforma për lirimin e hapësirave publike në vend do të kërkojë më shumë se 4 vite.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Çupi u shpreh se ligji duhet të respektohet nga të gjithë.

“Po tentojnë të ngrejnë alarm, grusht shteti kundër sistemit dhe sigurisë së vendit, duke cënuar territorin. Nuk është aq shumë çështje pasurore. Është barazia ndaj biznesit. Disa njerëz me makutëri tentojnë të zgjerojnë bizneset e tyre në territore që nuk iu takojnë. Të tjerë që nuk e bëjnë këtë, respektojnë ligjin. Kush mbron ligjin mbetet i diskriminuar. Kjo disbalancë duhet të ndryshojë në mënyrë të menjëhershme. Besoj se do ketë më shumë se 4 vite, për shumë arsye. Për arsye të pranimit në BE, që do jetë e sigurt dhe e afër. Është problemi i traditës sonë, e dëmtuar shumë pas viteve ’90. Ligji është gjëja më e fundit që respektohet nga njerëzit, prandaj kërkon më shumë se 4 vjet.”, theksoi ai./abcnews.al

Zjarret, Ministria e Mbrojtjes thirrje banorëve të 3 fshatrave në Gramsh: Largohuni menjëherë nga banesat

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorë të 3 fshatrave në Gramsh, Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, që ë largohen menjëherë nga banesat e tyre, për shkak të situatës me zjarret.

Përmes një njoftimi, ministria apelon që banorët të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

“THIRRJE URGJENTE!

Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.”, thotë minsitria.

❌