Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zbulimi i papritur: Botimi origjinal i “The Hobbit” shitet për shifër rekord

Një botim i parë i rrallë i romanit klasik “The Hobbit” nga J.R.R. Tolkien është shitur për një çmim rekord prej 43,000 paund në një ankand online, duke kapërcyer pritshmëritë e ekspertëve katërfish.

Libri u zbulua rastësisht gjatë një pastrimi në një shtëpi në Bristol, ku ishte fshehur në një raft librash. Ky botim i vitit 1937, një nga vetëm 1,500 kopjet origjinale të botuara atëherë, është ndër librat më të kërkuar në literaturën moderne, njofton KultPlus.

I lidhur me pëlhurë jeshile të zbehur dhe i pajisur me ilustrime bardh e zi të autorit, botimi dallon nga versionet e mëvonshme që përmbajnë ilustrime me ngjyra. Libri ishte më parë pjesë e bibliotekës së botanistit të njohur Hubert Priestley, i cili kishte lidhje të ngushta me Universitetin e Oksfordit, ku Tolkien ishte profesor.

“Askush nuk e dinte që ky libër ishte aty,” tha specialistja e librave nga shtëpia britanike e ankandeve që e zbuloi.

Libri u ble nga një koleksionist privat në Mbretërinë e Bashkuar dhe besohet se është një nga çmimet më të larta të paguara ndonjëherë për një botim të parë të “The Hobbit”.

Vepra ikonike e Tolkien-it, së bashku me serinë “Zoti i Unazave”, ka shitur mbi 250 milionë kopje në mbarë botën dhe vazhdon të frymëzojë breza lexuesish dhe artdashësish, më shumë se 50 vjet pas vdekjes së autorit./KultPlus/

Zbulohet se meteoriti që goditi një shtëpi në SHBA është më i vjetër se toka

Një meteorit që goditi një shtëpi në SHBA në qershor zbulohet të jetë më i vjetër se toka.

Universiteti Shtetëror i Xhorxhias përfundoi analizën e meteoritit që goditi një shtëpi në SHBA më 26 qershor dhe shpoi çatinë e shtëpisë.

Sipas një deklarate në faqen e internetit të universitetit, meteoriti u përcaktua të jetë formuar afërsisht 4.56 miliardë vjet më parë.

Sipas kësaj, meteoriti është afërsisht 20 milionë vjet më i vjetër se toka.

Hulumtuesi i Universitetit të Xhorxhias, Scott Harris tha se “Ky meteorit, i cili hyri në atmosferë, kishte histori të gjatë përpara se të godiste shtëpinë”.

Pronarët e shtëpisë ku goditi meteori thanë se ende po gjejnë mbetje të meteoritit përreth zonës./AA/

Festivali “Nona”, tradita e përvitshme kushtuar gjysheve mikpritëse përmetare

Edicioni i pestë i Festivalit “Nona”, gjallëroi fundjavën e Përmetit, duke mbledhur aty një numër të madh këngëtarësh e instrumentistësh të cilët ia shtuan harenë festës.

Festivali “Nona”, i kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, si një hapësirë ku promovohen kulinaria, vlerat dhe burimet e shumta të të gjithë zonës, u bë shkak që në qytet të mblidheshin një numër i madh vizitorësh vendas e të huaj. Pjesëmarrësit në këtë festë me shumë energji pozitike këtë vit ishin edhe nga Vlora, Durrësi, Kosova etj.

Të pranishme tek “Nona” e Përmetit ishin edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, të cilat përgëzuan organizatorët e kësaj feste që tashmë i ka kapërcyer kufijtë e një feste lokale, si dhe veçanërisht kryetaren e bashkisë, Alma Hoxhën, për mbështetjen që i ka dhënë.

Përveç koncertit me emra të njohur të skenës shqiptare, në shesh u promovuan prodhimet vendase, kulinaria, vlerat e zonës dhe mikpritja unike e Përmetit.

Festavali “Nona” është një homazh kushtuar gjysheve shqiptare e veçanërisht atyre përmetare, që e kanë ngritur në majat më të larta mikpritjen, duke bërë që qyteti të rezervohet 100% në çdo bujtinë, hotel e shtëpi pritëse./atsh/

Robin Williams, një yll që ndrin akoma në historinë e filmit dhe komedisë

Më 11 gusht 2014, bota humbi një nga aktorët dhe komedianët më të dashur të të gjitha kohërave, Robin Williams. Me humorin e tij të jashtëzakonshëm, talentin e pashoq dhe energjinë e pakufishme, Williams arriti të bëhej një ikonë globale që preku zemrat e miliona njerëzve përmes filmave, shfaqjeve dhe improvizimeve të tij.

Një karrierë e pasur dhe e larmishme
Robin McLaurin Williams lindi më 21 korrik 1951 në Chicago, SHBA. Ai filloi karrierën e tij në vitet ’70 si komedian stand-up, duke shfaqur një stil të shpejtë dhe të paharrueshëm që kombinonte humor absurd, imitime dhe lojëra fjalësh. Shpejt u bë një figurë e njohur në televizion, sidomos me rolin e tij si Mork në serialin e famshëm Mork & Mindy, që e bëri të famshëm në mbarë botën.

Por ajo që e bëri Robin Williams një yll të vërtetë ishte aftësia për të kaluar me sukses nga komedia në drama. Ai i dha jetë personazheve të paharrueshëm në filma si Dead Poets Society (1989), ku luajti një mësues frymëzues që inkurajonte nxënësit e tij të jetonin me pasion dhe guxim, dhe Good Will Hunting (1997), për të cilin fitoi edhe çmimin Oscar për Aktorin më të Mirë në Rol Dytësor.

Williams i solli ngrohtësi, humor dhe humanizëm roleve të tij, duke lënë një gjurmë të thellë në kinematografi. Filma si Mrs. Doubtfire, Aladdin (ku i dha zërin personazhit të Genit), Patch Adams, dhe Jumanji janë vetëm disa nga momentet ku ai dëshmoi se ishte një artist shumëdimensionale.

Një njeri me sfida personale
Pas shkëlqimit në skenë dhe ekran, Robin Williams përballej me betejat e tij personale. Ai vuajti nga depresioni, ankthi dhe më vonë iu diagnostikua sëmundja Parkinson. Më 2014, ai ndërroi jetë nga vetëvrasja, duke lënë pas një boshllëk të madh në botën e artit dhe te mijëra fansave të tij.

Në vitet e fundit të jetës, Williams ishte edhe më i hapur për sfidat që kalonte, duke u bërë zë i rëndësishëm në nismat për shëndetin mendor dhe ndërgjegjësimin për problemet psikologjike.

Trashëgimia e tij
Robin Williams nuk ishte thjesht një aktor dhe komedian; ai ishte një dritë e vërtetë që shndritte errësirën me humorin dhe mirësinë e tij. Ai la një pasuri të jashtëzakonshme artistike që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.

Në përvjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë energjinë e pakrahasueshme, talentin e rrallë dhe humanizmin e thellë që e bënë Robin Williams një legjendë të përjetshme./KultPlus.com

Moment historik për Shqipërinë: Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mban në shtator mbledhjen e radhës në Tiranë

Më 11 shtator, Tirana do të presë për herë të parë në historinë e saj mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, organi më i lartë drejtues i futbollit europian. Ky takim zyrtar pritet të jetë një moment i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit, ku do të merren vendime strategjike që ndikojnë në zhvillimin e sportit në rajon dhe më gjerë.

Ky event përbën një arritje të madhe për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe vendin tonë, duke theksuar edhe më tej pozicionin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare të futbollit.

Agjenda e mbledhjes dhe temat që do të diskutohen do të bëhen publike disa ditë përpara eventit, përmes komunikimeve zyrtare për mediat dhe opinionin publik.

Në të kaluarën, Shqipëria ka qenë mikpritëse e disa aktiviteteve të rëndësishme të UEFA-s, duke përfshirë takimet e Komitetit HatTrick, panelin e federatave të Europës Juglindore, panelin Grassroots, si dhe mbledhjen për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Përgjegjësinë Sociale./KultPlus.com

Zbulime arkeologjike në vendin e shenjtë etrusk, në Itali

Gërmimet arkeologjike në vendin e shenjtë qendror etrusk në Itali, Fanum Voltumnae, kanë nxjerrë në dritë objekte të rëndësishme fetare që datojnë më shumë se 2,500 vjet më parë.

Sipas mediave italiane, në periferi të qytetit të Orvietos janë zbuluar dy koka deshësh prej guri të ruajtura mirë, një kokë luani, altarë të mëdhenj dhe një rrugë e gjerë procesioni. Ky vend i shenjtë i federatës etruske është ndërtuar në kulmin e epokës etruske në shekullin e 6-të para Erës sonë.

Gërmimet në këtë zonë, të udhëhequra që nga fillimi i viteve 2000 nga arkeologia Simonetta Stopponi, kanë sjellë në dritë një mori objektesh që ofrojnë njohuri të rëndësishme për ritualet dhe besimet e popullit etrusk.

Etruskët u vendosën në Italinë qendrore nga shekulli i 9-të deri në shekullin e parë para Erës sonë. Origjina e tyre mbetet e paqartë dhe kultura e tyre është studiuar vetëm pjesërisht. Epoka e lulëzimit të tyre ishte nga shekulli VII deri në shekullin V para Krishtit.

Sipas historianit Dionisi i Halikarnasos, etruskët ishin popull i hershëm dhe i dalluar nga të tjerët. Sot, studiuesit debatojnë për prejardhjen e tyre, ku një pjesë e madhe mbështet tezën e origjinës nga Azia e Vogël, ndërsa të tjerë i konsiderojnë si popull vendas që u zhvillua me kalimin e kohës. Analizat e ADN-së së popullsisë në Toskanë mbështesin teorinë e origjinës aziatike.

Etruskët u mundën dhe u asimiluan nga romakët gjatë periudhës së Republikës Romake, duke u zhdukur si grup etnik i veçantë.

Ky zbulim i ri në Fanum Voltumnae hap një dritare të re në studimin e një prej kulturave më misterioze të antikitetit dhe rikthen në vëmendje rëndësinë historike të këtij vendi të shenjtë./KultPlus.com

Hazir Reka, mjeshtri i fotografisë që ruan historinë e Ferizajt në imazh

Ferizaj ka mirëpritur ekspozitën personale të mjeshtrit të fotografisë dhe “Nderit të Qytetit”, Hazir Reka, një ngjarje kulturore që bashkoi artdashës, miq e bashkëqytetarë për të parë nga afër punën e tij të vyer.

Fotografitë e Rekës janë dëshmi vizuale të historisë së përjetuar bashkë nga ferizajasit nga ngjarjet e mëdha historike e kulturore, te përditshmëria e thjeshtë e njerëzve të zakonshëm. Përmes objektivit të tij, Reka ka ruajtur jo vetëm imazhe, por edhe emocionet, atmosferën dhe frymën e kohës, duke ndërtuar një arkiv të gjallë që do t’i shërbejë brezave të ardhshëm.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, e vlerësoi lart kontributin e fotografit, duke e quajtur punën e tij një pasuri kulturore të qytetit:

“Fotografitë e Hazirit janë kujtesa jonë e përbashkët. Ato flasin me një gjuhë universale për atë që kemi përjetuar si komunitet dhe do të jenë udhërrëfyese edhe për ata që do të vijnë pas nesh.”

Hazir Reka, i cili prej dekadash ka dokumentuar momente kyçe të jetës në Ferizaj, ka fituar respekt e mirënjohje jo vetëm për mjeshtërinë teknike, por edhe për ndjeshmërinë e tij ndaj subjektit dhe përkushtimin në ruajtjen e identitetit kulturor. Ekspozita e tij është më shumë sesa një ngjarje artistike është një rikthim në kujtimet kolektive të qytetit, një përjetim i historisë në formën më të pastër vizuale./KultPlus.com

Coco Chanel, vajza nga jetimorja që e bëri Parisin të ndiente aromën e guximit

U lind në varfëri, humbi nënën në moshën dymbëdhjetëvjeçare dhe u braktis nga babai. Jetimorja ku e rritën motrat murgesha i mësoi të qepte, me premtimin për “një jetë të ndershme”.

Por Gabrielle Chanel nuk kërkonte thjesht të mbijetonte, ajo donte të fluturonte.

Çdo qepje e saj ishte një betim: askush nuk do të vendoste për të. Me kapelat e para që nisi të shiste, përballej me tallje dhe dyshime: “Një grua me dyqan të vetin? Absurd.” Por Chanel e dinte që nuk ishte thjesht një tregtare ajo ishte Parisi që ata ende nuk e njihnin.

Flokët e shkurtër, fustanet pa korse, dizajnet që sfidonin rregullat të gjitha ishin deklarata lirie. Luftërat botërore i mbyllën dyqanet, por jo frymën e saj. Kur të gjithë menduan se historia e Chanel kishte marrë fund, ajo u rikthye për të treguar se kishte ende kapituj për të shkruar.

Chanel Nº 5 u bë parfumi më i famshëm në botë, por aroma e vërtetë e saj ishte sfida. “Si nuhatet guximi?” – pyeti një stilist i ri. “Si të mos dorëzohesh. Si parfum me plagë,” u përgjigj ajo.

Mesazhi që do t’i jepte asaj vajze të vogël të jetimores ishte i qartë:
“Mos e lejo baltën ku ke lindur të të ndalojë së lulëzuari. Lulet më të forta rriten mbi rrënoja.”/KultPlus.com

160-vjetori i lindjes së poetit arbëresh Zef Skiroi

Zef Skiroi (Hora e Arbëreshëvet, 10 gusht 1865 – Napoli, 17 shkurt 1927) ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh.

I lindur në Horën e Arbëreshëve, Skiroi nisi krijimtarinë në moshë të hershme, duke shkruar në moshën 9-vjeçare një poezi kushtuar Skënderbeut. Në vitin 1887, bashkë me Françesk Petën, themeloi në Palermo revistën “Arbëri i ri”, që u bë tribunë e rëndësishme e identitetit dhe krijimtarisë arbëreshe.

Pas studimeve për drejtësi, ai u emërua docent i letërsisë antike në Liceun “Garibaldi” të Palermos dhe më pas mori drejtimin e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Mbretëror Oriental të Napolit.

Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”, ku çështja kombëtare qëndron në qendër. Eqrem Çabej e ka cilësuar “Te dheu i huaj” si një himn kombëtar për shqiptarët e Italisë.

Zef Skiroi u shua në Napoli më 1927, duke lënë pas një trashëgimi të pasur letrare dhe kulturore që vijon të frymëzojë brezat./KultPlus.com

MTV shpall kandidatët për Çmimet e Muzikës 2025, Lady Gaga kryeson listën e nominimeve

Lady Gaga kryeson listën e kandidatëve për Çmimet e Video Muzikës 2025, me nominime në 12 kategori, përfshirë Artisten e Vitit.

MTV dhe CBS shpallën nominimet për VMA-të e këtij viti, të cilat do të ndahen të dielën, më 7 shtator.

Të nominuar të tjerë kryesorë këtë vit përfshijnë Bruno Mars, me nominime në 11 kategori; Kendrick Lamar, me 10; ROSÉ dhe Sabrina Carpenter, me nga tetë secili; dhe Ariana Grande dhe The Weeknd, me shtatë.

Jo shumë larg janë Billie Eilish me gjashtë; Charli xcx, me pesë; dhe Bad Bunny, Doechii, Ed Sheeran, Jelly Roll, Miley Cyrus dhe Tate McRae, të cilët u nominuan katër herë secili.

Votimi i fansave tani është i hapur për 19 kategori në vote.mtv.com. Votimi përfundon më 5 shtator në orën 6 pasdite sipas orës ET, përveç kategorisë së Artistit më të Mirë të Ri, e cila mbetet aktive deri në shfaqje./KultPlus.com

Ungjilli që tronditi Portugalinë

Kur José Saramago botoi “Ungjilli sipas Jezu Krishtit” në vitin 1991, nuk solli thjesht një roman, solli një shpërthim. Me një stil të fuqishëm e herë-herë ironik, shkrimtari e riktheu historinë e Krishtit në tokë, duke e parë nga një kënd krejt njerëzor. Kritika ndërkombëtare e përqafoi menjëherë: një kryevepër letrare, filozofike dhe narrative.

Por në Portugali, vepra ndezi zemërimin e Kishës Katolike dhe solli censurë të hapur: qeveria e përjashtoi nga garat letrare evropiane, duke e quajtur blasfemi. I zhgënjyer, Saramago u largua përgjithmonë nga vendlindja, por romani mbeti si dëshmi se arti, kur është i vërtetë, nuk kërkon leje për të sfiduar.

Në faqet e librit, Jezusi shfaqet jo si figurë e paarritshme, por si njeri me dyshime, frikëra dhe pasione. Pikërisht kjo qasje njerëzore e bëri romanin të rrezikshëm për disa, por po aq të çmuar për ata që kërkojnë letërsi që guxon të bëjë pyetje.

Sot, “Ungjilli sipas Jezu Krishtit” lexohet jo vetëm si një rishkrim biblik, por si një reflektim i thellë mbi pushtetin, moralin dhe lirinë e mendimit. E ndërsa debati mbi të nuk është shuar, ai vazhdon të mbetet një nga veprat më të guximshme të shekullit XX./KultPlus.com

Fjala

Poezi nga Martin Camaj, prej vëllimit poetik “Palimpsest”

Në fjalë sqarohet qiell e dhé bashkë:

ajo âshtë një strajcë e në tê mundemi 

me bartë stinët e motit, akull e zjarm. 


Pa atê, një lëvizje në ftyrë, buzëqeshja, 

do të vështrohej si një grimasë. 


Për një kukuk! dhe qyqja shndërrohet

me gjithë pupla në drû e del e i këndon 

kohës n’orën e murit:


këndej nis edhè muzika 

e lidhet me dritën e gjithësisë, 

dashuninë, 

pa krahasim me asnjë fjalë tjetër./KultPlus.com

‘My Oxford Year’: Romanca që pushtoi Netflix-in

Më 1 gusht 2025, Netflix publikoi filmin e shumëpritur “My Oxford Year”, një romancë e bazuar në romanin me të njëjtin titull nga autorja Julia Whelan. Vetëm pak ditë pas premierës, filmi u rendit në Top 10 filmat më të shikuar globalisht në Netflix, duke arritur vendin e parë në më shumë se 40 vende, përfshirë Kanada, Francë, Australi, Greqi dhe Argjentinë.

Në qendër të filmit është Anna (luajtur nga Sofia Carson), një studente amerikane ambicioze që lë pas një mundësi të artë pune në politikë në SHBA, për të ndjekur një master në letërsi në Universitetin e Oksfordit. Aty takon Jamie (Corey Mylchreest), një tutor misterioz me një të kaluar të ndërlikuar, i cili do të ndryshojë rrjedhën e jetës së saj në mënyrë të papritur, përcjellë KultPlus.

Ajo që nis si një romancë e ëmbël mes dy të rinjve me botë të ndryshme, kthehet në një histori të ndërlikuar e prekëse, e mbushur me dilema personale, dashuri, dhe sakrificë. Filmi synon të sjellë më shumë se një “rom-com” të lehtë, përpiqet të eksplorojë thellësisht emocionalisht zgjedhjet që bëjmë për veten dhe për të tjerët.

Filmi ka ngjallur reagime të fuqishme dhe të përziera. Nga njëra anë, publiku është ndjerë emocionalisht i lidhur me rrëfimin. Në rrjetet sociale, shumë shikues kanë shprehur se filmi i ka “thyer emocionalisht”, dhe se është një përvojë “e dhimbshme, por e bukur”. Një koment popullor në Twitter thotë:
“I hyra për një romancë klasike, dola me sytë me lot. Dhe e vlen çdo sekondë.”

Nga ana tjetër, kritikët kanë qenë më skeptikë. Portale si The Guardian, Decider dhe Gulf News e kanë përshkruar filmin si të bukur vizualisht, por jo shumë origjinal në narrativë. Kritikët vënë në dukje se skenari është i mbushur me kliçet klasike të dramave romantike, dhe se marrëdhënia mes personazheve nuk arrin gjithmonë të jetë bindëse në thellësi emocionale.

Megjithatë, performanca e aktorit dytësor Harry Trevaldwyn si Charlie, shoku i ngushtë dhe komik i protagonistes, ka marrë vlerësime të larta, duke u cilësuar si një nga aspektet më të freskëta të filmit.

Një tjetër element që i jep forcë filmit është vetë ambienti i Oksfordit. Arkitektura historike, bibliotekat madhështore dhe mjediset akademike i japin filmit një ndjesi elegante dhe poetike, që e bën tërheqës vizualisht edhe për ata që nuk janë të dhënë pas dramave romantike. Regjisorja ka shfrytëzuar në maksimum bukurinë autentike të këtij qyteti të lashtë për të krijuar një atmosferë që flet vetë për përvojat jetësore.

Kolona zanore e filmit, dhe veçanërisht kënga “Kaleidoscope” nga artistja Chappell Roan, është përmendur si një nga momentet më prekëse. Kënga luan në sfondin e një prej skenave më intensive emocionalisht dhe ka fituar popullaritet të madh edhe më vete.

“My Oxford Year” nuk është thjesht një film dashurie, është një udhëtim emocional që të kujton se disa takime ndryshojnë gjithçka. Është nga ato histori që të lënë gjurmë, jo për fundin që kanë, por për ndjenjën që të zgjojnë gjatë gjithë rrugës./KultPlus.com

Antonio Banderas, nga Malaga në majat e Hollywood-it

Më 10 gusht 1960, në qytetin bregdetar të Malagës, në jug të Spanjës, lindi José Antonio Domínguez Bandera, i njohur sot në mbarë botën si Antonio Banderas. Ai do të bëhej një nga aktorët më të njohur spanjollë në kinemanë ndërkombëtare dhe një simbol i suksesit të artistëve evropianë në Hollywood.

Djallëzia e natyrshme, sharmi mesdhetar dhe energjia shpërthyese që ai do të sillte në ekran kishin rrënjët në fëmijërinë e tij të zakonshme në Malaga. Banderas u rrit në një familje modeste: i ati ishte polic, ndërsa nëna mësuese. I apasionuar pas futbollit, ai ëndërronte një të ardhme si sportist, por një dëmtim në këmbë i preu rrugën sportive. Pikërisht atëherë, në adoleshencë, zbuloi teatrin, një pasion që do t’i ndryshonte jetën, transmeton KultPlus.

Pas studimeve në Shkollën e Artit Dramatik në Malaga, ai u zhvendos në Madrid në fillim të viteve ’80, ku iu bashkua Teatrit Kombëtar të Spanjës. Fati i buzëqeshi kur takoi regjisorin Pedro Almodóvar, i cili do ta kthente në një ikonë të kinemasë spanjolle me filma si “Labirinti i dëshirës” (Laberinto de pasiones) dhe “Ligji i dëshirës” (La ley del deseo).

Por ishte viti 1992 kur Banderas bëri hapin e madh drejt Hollywood-it, me filmin “The Mambo Kings”, ndjekur nga rolet në “Philadelphia”, “Desperado”, “Evita”, “The Mask of Zorro” dhe shumë të tjerë. Ai u bë një nga aktorët e parë hispanikë që arriti sukses të madh në tregun amerikan, duke ruajtur identitetin dhe stilin e tij të veçantë.

Lindja e Antonio Banderas nuk është thjesht data e një aktori, është dita kur kinoja europiane fitoi një zë të ri dhe Hollywoodi zbuloi një yll të ndritshëm nga jugu i Spanjës. Që prej 10 gushtit 1960, rrugët e Malagës janë më të pasura me kujtimin e një djali që ëndërroi të bëhej legjendë, dhe ia doli./KultPlus.com

Malësorja Aurora Lumaj shpallet “Miss Bjeshka 2025”, kurorëzohet nga Presidenti, Bajram Begaj

Shkruan Albert Vataj

Malësorja Aurora Lumaj nga Vukli i Kelmendit shpallet “Miss Bjeshka 2025”, kurorëzohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Më 10 Gusht 2025, në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, u zhvillua një nga shpërfaqjet më fantastike dhe më origjinale të etnofolkut, një nga traditat më të shkëlqyera të Malësisë së Madhe, Miss Bjeshka 2025. Pas një beteje konkurruese me vajzat e tjera malësore, juria ka zgjedhur më të bukurën e vajzave, më të bukurën e dheut të Malësisë, vajzën nga Vukli i Kelmendit, që vjen nga Kanadaja për të marrë pjesë dhe për të fituar në Logun e Bjeshkëve, në triumfin e festës së traditës.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit, e bukura e Malësisë, vajza e Logut të Bjeshkëve, Zana e këtyre maleve kreshnike, mbushur me histori e legjenda, u kurorëzua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

“Logun e Bjeshkëve”, është një manifestim më të jashtëzakonshme kulturore, tradicionale dhe historike, me veçori unike dhe karakteristikat e spikatura që e kanë trashëguar dhe e mbajnë atë si një hajmali në gjerdanin e mrekullive të Malësisë.

I rikthyer nga kohë e largët, ky event që zhvillohet çdo vit, që nga vitin 1998, të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, sinjifikon shpirtin e pasur që ka begatuar këtë tokë, këtë natyrë, këtë vend me tradita dhe vlera përfaqësuese.

Malsia e Madhe përmes “Logut të Bjeshkëve”, u rrëfen të gjithëve atë që ka qenë dhe do të mbetet në shekuj e shtrenjtë dhe e çmuar, amanetin e ruajtur thellë në gjirin e këtyre maleve dhe në shpirtin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të thesarit të traditës, të hirit hyjnor të malësores.

Historia e “Logut të Bjeshkëve”, si lindi dhe u kultivua kjo traditë e malësorëve

Është një manifestim kulturor që zhvillohet çdo vit që nga vitin 1998 në të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit.

Në këtë manifestim vajzat e Kelmendit konkurojnë për të qenë më e bukura e Bjeshkëve, për të fituar kurorën “Miss Bjeshka”. Ky është një rast shumë i mirë që ju të njiheni dhe me veshjet tradicionale, këngët dhe vallet e Kelmendit.

Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Dikur njerëzit në mënyrë formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat apo nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. Ajo personifikohej si e veshur mirë, e pastër dhe shëndetplotë. Ky vlerësim bëhej në momentin që ajo shihej në rrugë për tek kroi i fshatit apo ceremoni e festa si të dielave në Kishë. Ajo kthehej në simbol të bukurisë dhe të gjithë mundoheshin ta imitonin në mënyrën se si ajo , vishej, sillej, ecte, këndonte. Dikur kjo ditë logu kishte karakter fetar ajo zhvillohej diten e Shna Prendes, në Malësi njihej si festa e bjeshkatarëve, ndaj kjo festë ka marr emrin “Logu i Bjeshkeve”.

Ndër vite në zonën e Kelmendit ka ekzistuar një “log” që në ato kohëra quhej ‘Logu i Nuseve’ ,ky “log” filloi në kishat kryesore të fshatrave të Komunës Kelmend: Selcë, Vukel, Vermosh. Nuset merrnin pjesë në këto fshatrave në mungesë të kishave të tjera dhe udhëtonin disa orë për të arritur në meshë. Pas meshës të gjithë banorët e fshatrave organizonin një spektakël që në këtë zonë quhet: ”log” (një fushë ku mblidheshin të gjithë banorët e fshatrave për të parë nuset e atij viti që ishin martuar në këto fshatra dhe për të përzgjedhur më të bukurën). Në vitin 1998 nga “logu i nuseve” ky spektakël u quajt “Logu I Bjeshkëve” ku tashmë nuk janë nuset por vajzat e fshatrave që marrin pjesë në këtë konkurs jo vetëm bukurie dhe përzgjidhet më e bukura. “Logu” ka mbi të gjitha një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore pasi shfaqet përveç bukurisë edhe trashëgimia kulturore e trevës, veshjet karakteristike, vallet, këngët, instrumentet, lojërat popullore etj./KultPlus.com

At Zef Pllumi: ‘Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem’

Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?…

Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’.

Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën…

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut./KultPlus.com

‘Greensleeves’ – Një këngë dashurie nga shekujt e largët

“Greensleeves” është një baladë tradicionale angleze që daton që nga fundi i shekullit të 16-të, me tekst dhe melodi që përcjellin një ndjenjë të thellë mallëngjimi dhe dashurie të pamundur. Melodia e saj është e butë, melankolike dhe mbresëlënëse, ndërsa tekstet flasin për një dashuri të braktisur, për një zemër të thyer dhe një mall të pashuar për një grua që nuk e kthen ndjenjën.

Për shumë shekuj, është përfolur se kënga mund të jetë shkruar nga mbreti Henry VIII për Anne Boleyn, gruaja e tij e dytë, megjithëse nuk ka prova përfundimtare për këtë. Kjo legjendë i shton një tjetër shtresë romantike dhe dramatike baladës, duke e lidhur me një nga historitë më të trazuara të dashurisë në historinë britanike, transmeton KultPlus.

Kënga përmend një grua me mëngë të gjelbra (“green sleeves”), simbol i pasionit dhe dashurisë në kulturën popullore të kohës. I dashuri i saj i refuzuar shpreh dhimbjen dhe habinë që dashuria e tij e sinqertë nuk u kthye kurrë.

“Greensleeves” mbetet një kryevepër e thjeshtësisë muzikore dhe emocionale. Ajo ka frymëzuar kompozitorë klasikë, muzikantë modernë dhe është përdorur gjerësisht në filma, seriale dhe muzikë bashkëkohore. Ndikimi i saj është aq i fortë, sa që melodia është përdorur edhe për këngë të tjera, përfshirë dhe himnin e Krishtlindjes “What Child Is This?”.

Në vijim KultPlus ua sjell një fragment të “Greensleeves”:

“Alas, my love, you do me wrong
To cast me off discourteously;
And I have loved you so long,
Delighting in your company.”/KultPlus.com

Aristoteli dhe mendimi teorik letrar

Në historinë e mendimit letrar, Aristoteli zë një vend qendror si filozofi që hodhi bazat e para të studimit sistematik të artit dhe letërsisë. Me veprën e tij madhore “Poetika”, ai i dha formë një kuadri teorik që do të ndikonte për shekuj me radhë, duke përcaktuar konceptet themelore mbi të cilat u zhvillua kritika letrare klasike dhe ajo moderne.

Dy nga nocionet më të rëndësishme që Aristoteli solli në vëmendje janë mimesis dhe diegesis. Me mimesis, ai nënkuptonte procesin e “imitimit” ose “përfaqësimit” të realitetit në art. Për Aristotelin, letërsia, dhe veçanërisht poezia tragjike, nuk është thjesht një pasqyrim mekanik i botës, por një rikrijim i saj, i pasuruar nga talenti dhe zgjedhjet artistike të autorit. Mimesis, në këtë kuptim, nuk është kopjim i verbër, por një mënyrë për ta bërë realitetin më të kuptueshëm, më të thellë dhe shpesh më të bukur, transmeton KultPlus.

Nga ana tjetër, diegesis lidhet me mënyrën rrëfimtare. Në këtë model, përjetimi i historisë nuk ndodh përmes veprimit të personazheve në skenë por përmes një zëri që ndërmjetëson. Ky dallim themelor mes rrëfimit (diegesis) dhe imitimit (mimesis), do të mbetej një pikë referimi për teoritë letrare deri në ditët tona.

“Rrëfimi (diegesis) është njëra nga dy mënyrat e imitimit (mimesis)”

Rëndësia e Aristotelit qëndron jo vetëm në përcaktimin e këtyre koncepteve, por edhe në krijimin e një gjuhe kritike që e bëri të mundur analizën e letërsisë si art me ligje dhe teknika të veta. Në këtë mënyrë, ai nuk hodhi vetëm themelet e teorisë së mimesis dhe diegesis, por edhe të vetë disiplinës së teorisë letrare./KultPlus.com

Kuarteti TOGHA dhe Flaka Goranci magjepsin publikun francez në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike

Në rajonin piktoresk të Dordogne-s, Francë, u zhvillua edicioni i 43-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Klasike, duke mbledhur artistë nga e gjithë bota. Këtë vit, Shqipëria ishte vendi i ftuar i nderit, me një program tërësisht të përbërë nga melodi shqiptare nga të gjitha trevat, interpretuar nga Kuarteti TOGHA, formacion i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, së bashku me sopranon e njohur kosovare Flaka Goranci, e cila jeton dhe vepron në Vjenë.

Presidenti i festivalit, Jean Luc Soule, u shpreh i emocionuar për përfshirjen e Shqipërisë dhe vlerësoi lart kulturën dhe artistët shqiptarë:

“Kemi një grup muzikantësh shqiptarë nga Shqipëria, që luajnë melodi shqiptare në këto vende madhështore, dhe në të njëjtën kohë historia e Shqipërisë vazhdon këtë vit. Unë gjithashtu kam një dashuri dhe pasion të madh, mund ta themi, për Shqipërinë, që kur ambasadori më prezantoi me të 7 ose 8 vjet më parë. Dhe kështu këtë sezon e nisim me një këngëtare të mrekullueshme shqiptare të Kosovës, dhe një kuartet harqesh që rrjedh nga formacioni i njohur i forcave të armatosura shqiptare.”

Edhe drejtori artistik i festivalit, Julien Kieffer, vuri në pah emocionin që solli pjesëmarrja shqiptare:

“Kjo është kisha madhështore e Auriac ku koncerti i parë kushtuar Shqipërisë do të zhvillohet në këtë edicion të festivalit, i cili përqendrohet në Mesdhe. Jemi shumë të lumtur të mirëpresim Kuartetin e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura me mezzo-soprano Flaka Goranci. Festivali do të vazhdojë me pika kryesore për të nxjerrë në pah kulturën e pasur shqiptare. Do të mirëpresim violinistin e madh Tedi Papavrami, do t’i bashkohemi Marie Ange Nguci, e cila është një pianiste e mrekullueshme që luan në skenat më të mëdha në botë.”

Sopranoja Flaka Goranci, e entuziazmuar nga pritja e publikut francez, theksoi:

“Neve sapo kemi përfunduar koncertin sonte i cili është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku francez. Atë që deshëm të sillnim sonte me kuartetin francez e kemi sjellë në mënyrën më të denjë.”

Ky bashkëpunim artistik solli në Francë tingujt e pasur të traditës shqiptare, të gërshetuar me interpretimin e nivelit ndërkombëtar, duke përçuar emocione të forta te publiku dhe duke forcuar imazhin kulturor të vendit tonë në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com

Agron Polovina sjell 38 piktura në një ekspozitë të veçantë verore në Pogradec

Në qytetin e Pogradecit është hapur ekspozita e piktorit të njohur Agron Polovina, një emër që prej kohësh ruan lidhje të ngrohta shpirtërore e profesionale me këtë vend. Dashuria e tij për Pogradecin, tregon vetë autori, lindi që në vitet e Liceut Artistik, kur pedagogu Gjergji Lako e afroi me peizazhet, kulturën dhe atmosferën unike të qytetit.

Ekspozita përfshin 38 punime, kryesisht peizazhe, por edhe tablo që pasqyrojnë veshjet tradicionale shqiptare, të realizuara gjatë udhëtimeve të artistit në zona të ndryshme të vendit. Një vend të veçantë zënë pesë kompozime të reja, të prezantuara pas një periudhe të gjatë, të cilat ndërthurin frymëzimin nga trashëgimia e Pogradecit me reflektime mbi realitetin e sotëm shqiptar, transmeton KultPlus.

Piktori Arben Golemi, mik dhe bashkëpunëtor i hershëm i Polovinës, e cilëson atë një peizazhist të spikatur dhe artist të formuar në mënyrë të plotë. Vlerësime ka dhënë edhe piktori Vagjo Vasili, duke e përshkruar si një krijues me ndjeshmëri të hollë dhe mjeshtëri të veçantë.

Ekspozita do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit gusht, duke ftuar artdashësit dhe vizitorët të zbulojnë nga afër punën e një artisti që e lidh thellë dashuria për qytetin buzë liqenit./KultPlus.com

❌