Asnjë progress domethënës nuk u bë në takimin e Alaskës mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, por presidenti amerikan ka një mesazh të qartë për homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ky i fundit duhet patjetër të pranojë një marrëveshje për paqen, pasi Rusia është një shtet më I fuqishëm se Ukraina.
“Duhet të bëni një marrëveshje. Rusia është një fuqi shumë e madhe, dhe Ukraina nuk është. Ukraina duhet të bjerë dakord, Presidenti Zelenskyy duhet të bjerë dakord. Tani është me të vërtetë në dorë të Presidentit Zelensky ta përfundojë”
Putin dhe Trump nuk thanë pas takimit të tyre se ccfarë u arrit konkretisht nga bisedimet, por mediat ndërkombëtare raportojnë se territoret e Ukrainës ishin pjesë e diskutimit.
Sipas mediave ndërkombëtare presidenti rus i tha homologut të tij amerikan se është gati të ngrijë konfliktin në vijat e frontit, në këmbim të rajonit lindor të Donetskut.
Nëse plotësohet ky kusht Putin tha se do të ngrijë vijën luftimet e frontit në rajonet jugore të Khersonit dhe Zaporizhzhisë dhe nuk do të nisë sulme të reja për të marrë më shumë territor.
Ky veprim do t’i jepte Moskës kontrollin e plotë të një territori që e ka pushtuar që nga viti 2014 me ndimën e separatistëve.
Megjithatë pasi u informua nga Trump, Zelensky e refuzoi këtë kërkesë, pasi kushtetuta e vendit të tij nuk ia lejon këmbimin e territoreve. Pavarësisht kësaj, lideri ukrainas do të ishte i hapur për të diskutuar ccështjen e territorit gjatë një takimi me Trump në Uashington të hënën.
Në një postim në rrjetet sociale kreu i shtetit ukrainas theksoi se asnjë vendim nuk duhet të merret pa Ukrainën, sidomos në lidhje me territorin e vendit.
Ndërkohë në reagimin e tij të parë publik që pas takimit me Trump, presidenti rus Putin tha se vizita e tij në Alaska ishte e dobishme dhe në kohën e duhur. Ai e quajti bisedën me homologun amerikan të sinqertë dhe thelbësore.
Putin u tha gjithashtu zyrtarëve se Rusia respekton qëndrimin e SHBA për konfliktin në Ukrainë.
Pas takimit të tyre të parë pas 7 vitesh, Putin dhe Trump dolën në një konferencë të përbashkët për mediat, ku nuk pranuan pyetje nga gazetarët. Ata njoftuan se arritën të binin dakord për shumë pika, por të tjera mbeteshin ende për t’u diskutuar. Megjithatë ajo që gjithë bota po e pret në ankth nuk ndodhi: një marrëveshje për fundin e luftës në Ukrainë nuk u arrit./abcnews.al