Rregullore e re për kantieret e ndërtimit, Rama: Masa drastike nëse cenohet komuniteti
TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po përgatit një rregullore të re për kantieret e ndërtimit.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetin sociale Facebook, kreu i qeverisë tha se kantieret e ndërtimit nuk mund të bëhen problem për komunitetin dhe se duhet të merren masa që qytetarët mos ta ndjejnë. Rama tha se në rast se rregullorja nuk zbatohet, masat për ndërtuesit do të jenë drastike.
“Rregullorja e re kantiereve të ndërtimit. Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problem i zonës, por duhet të marrë të gjitha masat që zona aty ku bëhet fjalë për një zonë të banuar të mos e ndjeje fare mundësisht. Duhen marrë masat për të bërë rrethimet e duhura të kantiereve për të bërë pastrimet e duhura për të mos nxjerrë asgjë në rrugë nga ato që po punon brenda jo duke u hapur dhe duke marrë dhe trotuarin se po ndërton ti pallat, por duke bërë kalimet në trotuar me strehën mbrojtëse. Është një rregullore që do t’u jepet ndërtuesve dhe masat për to do të jenë drastike në rast se do të cenojnë komunitetin”, tha Rama.
Rama theksoi se përveç tendave dhe strukturave të përkohshme po kryhen kontrolle edhe në kantieret e ndërtimit.
“Ne nuk po bëjmë në këtë përpjekje një punë vetëm për t’i hequr tendat, apo struktura të përkohshme por edhe një kontroll të kantiereve. Mirëpo kantieret nuk dalin në televizor, sepse sikundër edhe kur beteja shkon në gjykatë, ata kanë në forcë të caktuar për të kontrolluar mediat dhe gjykatat. Kemi bërë konfiskime përsëri dhe do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht së rrugës na del edhe ndonjë si një gjykatës i pacipë, krejtësisht i pacipë, që merr masë sigurie për një pallat të tërë të ndërtuar pa leje që tashmë është kthyer në një godinë për ASHK e cila duhet të largohej nga godina ekzistuese pasi është godinë me rrezik qysh pas rënies së tërmetit dhe tani del ky tipi dhe vë masë sigurie për ato që kanë ndërtuar komplet pa leje”, tha Rama.
Rama shtoi se qeveria është e vendosur në mbrojtjen e natyrës dhe hapësirës publike për qytetarët.
“Gjithsesi këto janë sfida, por Shqipëria e bukur, që jeton në harmoni me të drejtat e njerëzve, për të qenë zotër të hapësirës publike, për të qenë në harmoi me natyrën, është një ambicie që është një detyrim i gjeneratës sonë dhe në këto kohë kur forcat e zhvillimit janë bërë shumë të mëdha, duhet të vendosmi shumë më fort në mbrojtje të natyrës dhe ekuilibrave. Ekuilibrave të humbur siç e vumë re në Tiranë”, tha Rama.
Sa u përket komenteve për aksionin në kryeqytet për lirimin e hapësirave publike, kreu i qeverisë theksoi se ai është deputet i qarkut të Tiranës dhe se do të bëj edhe detyrën si deputet i kryeqytetit.
Rama ftoi qytetarët që mos të kursejnë dërgimin e denoncimeve në të gjitha rastet kur shikojnë se ka nevojë për ndërhyrje.
/m.q//a.f//r.e/
The post Rregullore e re për kantieret e ndërtimit, Rama: Masa drastike nëse cenohet komuniteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.