Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka publikuar të tjera pamje nga kamerat e Qendrave të Votimit në qarkun Fier. Sipas Bardhit, pamjet tregojnë komisionerë të Partisë Socialiste duke nxjerrë fletët e votimit nga kutia për të kontrolluar si kanë votuar qytetarët. Bardhi shprehet se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë […]
Miku i kryeministrit Edi Rama, Ron Yeffet, ka përfituar monopolin e furnizimit të ushtrisë dhe strukturave të sigurisë me automjete, përmes krijimit të kompanisë së re “Timak Defence”. Shoqëria u themelua më 4 gusht mes kompanisë private “Timak” (me 80% të aksioneve) dhe shoqërisë shtetërore “Kayo” (me 20%). Vendimet, duket se janë marrë nga Rama […]
Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Sipas aktgjykimi thuhet se Gjykata, në mënyrë të përmbledhur rikujton që përmes Aktgjykimit të të 26 qershorit 2025 lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit konstatoi që “Seanca Konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve.
Në aktgjykimin e Kushtetutës bëhen të ditura “Meritat e kërkesës” që mund t’i lexoni më poshtë:
Gjykata, fillimisht rithekson që në rastin KO124/25 për objekt shqyrtimi të kërkesës së parashtruesve kishte vlerësimin (i) e çështjes ndërlidhur me konstituimin e Kuvendit dhe afatit për konstituimin e tij, si dhe (ii) të pretendimit të parashtruesve të kërkesës për “ndryshimin e rendit të ditës së Seancës Konstituive” dhe propozimin e Kryesuesit për themelimin e “Komisionit për Votim të Fshehtë”.
Gjykata, në mënyrë të përmbledhur rikujton që përmes Aktgjykimit të saj në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit konstatoi që “Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit/es sipas paragrafit 2 të nenit 67 dhe nënkryetarëve sipas paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës.
Çdo interpretim ndryshe do të relativizonte rendin kushtetues, respektivisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të nënkuptonte tolerim të bllokimit institucional, në kundërshtim me natyrën funksionale të një demokracie të udhëhequr nga parimet e demokracisë dhe të sundimit të ligjit.” (shih, paragrafin 145 të Aktgjykimit). Këtë konstatim, Gjykata e mbështeti ndër tjerash në atë që përcaktimet në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës nënkuptojnë se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re. Sipas Gjykatës, kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë po që kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit, të cilat përfshijnë (i) verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, (ii) dhënien e betimit nga ana e tyre dhe (iii) zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe (iv) zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Thënë këtë, Gjykata ka ritheksuar që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar (shih, paragrafët 131-132 të Aktgjykimit në rastin KO124/25).
Përderisa në kuptimin të vlerësimit të çështjes ndërlidhur me pretendimet për “ndryshimin e rendit të ditës” së seancës konstituive dhe propozimin e Kryesuesit të Seancës Konstituive për themelimin e “Komisionit për Votim të Fshehtë”, Gjykata konkludoi që “marrë për bazë vlerësimin dhe konstatimet si më sipër konsideron që zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”(shih, paragrafin 187 të Aktgjykimit në rastin KO124/25).
Në vijim të këtyre konstatimeve, Gjykata përmes pikës IItë Aktgjykimit në rastin KO124/25 vendosi që deputetët e zgjedhur të Kuvendit, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe në përputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij.
Gjykata rikujton që parashtruesit e kërkesave në thelb pretendojnë që (i) propozimi i Kryesuesit të Seancës Konstituive për propozimin e anëtarëve për Komisionin për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, gjatë seancave të 29 qershorit, 1 dhe 3 korrikut 2025 nuk është në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25; dhe (ii) në vijim të kësaj specifikojnë që “Vendimi i Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.” është nxjerrë në kundërshtim me nenet 65 [Kompetencat e Kuvendit], 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], 74 [Ushtrimi i Funksionit] dhe 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesave kundërargumentohen nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Znj. Saranda Bogujevci, e cila në komentet e dorëzuara në Gjykatë, në emër te Lëvizjes Vetëvendosje!, në thelb, thekson që (i) votimi i fshehtë është i lejueshëm si një kompromis i mundshëm mes deputetëve, me qëllim të konstituimit të Kuvendit; dhe (ii) propozimi i Kryesuesit të Seancës për formimin e komisionit për votim të fshehtë paraqet përpjekje të sinqertë për të gjetur “kompromisin apo konsensusin” e nevojshëm për mënyrën e votimit, me qëllim të konstituimit të Kuvendit; (iii) mos-pjesëmarrja e deputetëve në votimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë bllokon shprehjen e vullnetit të shumicës; dhe (iv) të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit kanë për obligim gjetjen e një mënyre për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. /Telegrafi/
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka denoncuar përdorimin e mbi gjysmë miliard eurosh nga qeveria gjatë periudhës para zgjedhjeve të 11 majit 2025, për organizimin e aktiviteteve dhe prokurimeve me qëllim ndikimin e votës së qytetarëve shqiptarë.
Berisha tha se gjatë periudhës janar-maj, që sipas ligjit elektoral është e ndaluar për aktivitete që mund të ndikojnë në zgjedhje, u zhvilluan mbi 4,500 ngjarje kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe ‘Giro d’Italia’.
Ai theksoi se bashkitë e vendit kanë kryer prokurime me vlerë rreth 57 milionë euro, nga të cilat 14 milionë euro janë përdorur për blerje të përqendruara, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpenzuar 10 milionë euro në aktivitete elektorale.
Berisha kritikoi ashpër Altin Dumanin, duke e cilësuar si njeriun e dytë më përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve. Berisha shtoi duke thënë se Dumani mohon ekzistencën e fakteve dhe provave për shkeljet, duke e cilësuar atë si “avokat të verbër të krimit elektoral” dhe bashkëfajtor në farsën elektorale së bashku me qeverinë.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Njëri nga aspektet më kriminale të farsës elektorale 11 maj 2025, ishte përdorimi i ngjarjeve, prokurimeve të cilat tejkalojnë mbi gjysmë miliardi euro për qëllime elektorale për të ndikuar votën e qytetarëve shqiptarë.
Në periudhën janar gjer në 11 Maj, periudhë në të cilën ligji elektoral, neni 91/3 i tij ndalon prokurimet, ndalon ngjarjet, aktivitetet, organizimin e tyre, aktivitetet që mund të kenë ndikim në zgjedhje dhe sipas raportit të OSBE-ODIHR, pikërisht në këtë periudhë u organizuan 4500 veprimtari kombëtarë dhe ndërkombëtare, përfshirë ‘Giro d’Italia’, 7 mln euro një organizate private ditën e votimit dhe një ditë para zgjedhjeve.
Pra përveç këtyre, bashkitë e vendit kanë prokuroruar tërësisht për qëllime elektorale në total 57 mln euro, nga të cilat rreth 14 mln para xhepi të themi, blerje të përqendruara. 32 mln bashkitë të ndryshme dhe Fondi shqiptar i grabitjes apo plaçkitjes, apo i zhvillimit siç quhet, ka përdorur për qëllime elektorale 10 mln euro.
Standardet e OSBE/ODIHR për ndarjen e shtetit nga partia, përfshirë Dokumenti i Kopenhagenit pika 5/4 dhe Kodi i Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias, sanksionojnë të njëjtin parim.
Këtu kemi më poshtë tenderat e bashkive të vendit, të cilat nuk kanë respektuar asnjë ligj, as kushtetutën, por kanë bërë gjithçka që të ndikojnë në elektoratin e tyre në veprimtari kriminale antiligjore dhe për këtë njeriu i dytë më përgjegjës për farsën elektorale Altin Dumani, thotë se nuk kemi të dhëna, fakte dhe prova, sepse për Dumanin ligji është letër e vdekur, dokumentet zyrtare janë letra pa vlerë, mbasi ai është një fanatik i verbër, një avokat i verbër i krimit elektoral të qeverisë dhe bashkëfajtor në farsën elektorale, njëlloj me Edi Ramën dhe ministrat e tij.
Vazhdojmë …
Me blerje të përqendruara tani.
14.5 mln euro të ndaluara me ligj përdorimi i tyre dhe këto i ligjëron vetëm Altin Troplini, i cili bën mashtrimin publik se thotë nuk kemi prova dhe fakte.
Për atë dokumentet zyrtar dhe aktet në shkelje flagrante të ligjit për interesa të partisë shtet, nuk përbëjnë vepër penale.
Vazhdojmë …
Tenderat elektronik të Fondit shqiptar të grabitjes dhe plaçkitjes, të famozit Agolli që i dha 500 mln lekë djalit të vet për restorantin, për të bërë një manual për kuzhinën, nga kuzhinieri i restorantit të tij.
Këtu janë vlerat në lek, janë përpjekjet pra … poli i festivaleve të industrisë. E kuptoni ju terminologjinë e Lubi Ballukut.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm lidhur me letrën e publikuar një ditë më parë nga vetë ai, e cila sipas Berishës u dërgua misioneve ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit për zgjedhjet e 11 majit. Berisha e cilësoi këtë veprim si provë të qartë […]
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka publikuar sot një video nga zgjedhjet e 11 majit në qendrën e votimit nr. 3153/1, në Njësinë Administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Sipas tij, pamjet tregojnë sesi vëzhgues të PS-së kanë votuar në vend të qytetarëve, në shkelje flagrante të fshehtësisë së votës. Sipas tij, vetëm gjatë […]
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot gjatë një konference për mediat disa pamje që, sipas tij, dokumentojnë manipulime në procesin zgjedhor të 11 majit, përmes asaj që ai e cilësoi si “Treni Bullgar”. Berisha pretendon se pamjet tregojnë një komisioner që del jashtë qendrës së votimit me një fletë votimi në dorë, ia […]
Shqipëria përdor një sistem proporcional me lista gjysmë-të hapura, të ndarë në 12 qarqe.
Kjo do të thotë se vota ka dy efekte:
E para mund të përcaktojë sa mandate merr një parti në një qark
dhe e dyta mund të çojë në parlament kandidatët e listës së hapur.
Por jo të gjitha votat kthehen automatikisht në mandate. Ato kalojnë përmes një formule matematikore të quajtur D’Hondte e cila favorizon partinë që del shumicë.
Funksionon kështu: Votat totale të çdo partie pjesëtohen me 1, 2, 3, 4… aq mandate sa ka një zonë zgjedhore. Më pas, rezultatet e pjesëtimeve radhiten në një tabelë nga numri më i madh te më i vogli, dhe partia që merr mandatin është ajo që ka numrin më të lartë në secilën kolonë. Për shembull, qarku i Gjirokastrës ka katër mandate.
Në vitin 2021 LSI mori mbi 5,700 vota në Gjirokastër, por ato nuk prodhuan dot mandat deputeti pasi mandati i tretë që i kaloi partisë socialiste u mor me 6,133 vota që janë rezultat i totalit, pjesëtuar për 3. Ndërsa PD mori vetëm një mandat edhe pse grumbulloi 13,971 vota. Votat e të gjitha partive të tjera quhen të djegura. Por nuk është tamam kështu, pasi votat që digjen ndihmojnë partinë shumicë të marrë një mandat më shumë.
Nëse Partia Demokratike do të garonte më një listë me LSI në Gjirokastër në vitin 2021, mandatet do të ndaheshin 2 me 2.
Formula në fjalë ishte shpjegimi se përse LSI mori vetëm 4 mandate në vitin 2021, pavarësisht se 108 mijë qytetarë votuan për të.
Në zgjedhjet aktuale këtë rezultat rrezikojnë të marrin disa nga partitë e reja, që po grumbullojnë më shumë se 50 mijë vota dhe vetëm një mandat.
Për herë të parë në tre dekada, socialistët po shkojnë drejt një shumice të cilësuar në parlament me 82-84 mandate. Përballë një opozite të fragmentarizuar rezultati i jep asaj mundësinë për një kontroll të gjerë mbi proceset legjislative dhe institucionale në vend. Nisur nga përvoja politike, ekspertët e shohin me shqetësim këtë përqendrim pushteti.
Ashtu si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, edhe në zgjedhjet e 11 majit 2025, opozita dështoi të paraqiste në fletën e votimit një koalicion gjithëpërfshirës, teksa partitë e reja sfiduan ndjeshëm “status-quo”-në e saj.
Ky polarizim i la rrugë një rezultati të thellë të Partisë Socialiste, e cila megjithëse mori thuajse të njëjtin numër votash me zgjedhjet e shkuara, siguroi numër më të lartë mandatesh.
Për herë të parë që prej vitit 1997, socialistët po shkojnë drejt një shumice të cilësuar në parlament. Asokohe në një parlament me 155 deputetë PS e drejtuar nga Fatos Nano siguronte 101 mandate përballë PD-së së Sali Berishës, e cila u ndëshkua me votë për krizën piramidale të periudhës janar-gusht.
Duke parë prirjen e votave të 11 majit 2025, legjislatura e XI-të mund të shohë rikthimin e PS-së në një “supermaxhorancë” të tillë – edhe pse jo fiks në numër për të përbërë 3/5 e Kuvendit për atë që konsiderohet si shumicë e cilësuar.
Sidoqoftë, për Lutfi Dervishin, gazetar dhe njohës i mirë i politikës, rikthimi i një situate të tillë në pushtetin legjislativ mund të ketë ndikim të madh për demokracinë e vendit.
“Kjo shumicë e madhe i jep qeverisë avantazh në miratimin e reformave dhe ligjeve, por gjithashtu, vë në pikëpyetje forcimin e institucioneve dhe cilësinë e demokracisë,” tha ai për Citizens.al.
Ngjashëm mendon dhe Afrim Krasniqi, studiues dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike (ISP). Sipas tij me një situatë të tillë mund të vihen në diskutim ligje apo reforma, të cilat janë miratuar apo kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.
“Ky është rasti i parë pas 20 viteve kur një parti politike ka numrin e nevojshëm të votave për të ndryshuar ligje specifike, siç quhen ligjet organike të tilla, me votat e saj, ose me aleatë siç mund të jetë rasti i PSD-së, e cila voton gjithmonë për PS-në,” komentoi Krasniqi.
Partia Socialdemokrate, e drejtuar nga Tom Doshi, rezultoi e para në Vaun e Dejës, teksa siguroi 2 mandate në qarkun e Shkodrës duke thyer raportet mes partive kryesore. Së bashku me një mandat në qarkun e Tiranës, PSD mund të përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021 ku fitoi 3 mandate.
Zakonisht, për ligjet bazë kërkohet shumicë e thjeshtë. Ndërsa për të ndryshuar kodet, ligjet që organizojnë pushtetin gjyqësor, prokurorinë apo dhe institucione të tjera nevojitet shumica e cilësuar.
Ngjashëm kërkohet shumicë e cilësuar për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Avokatin e Popullit, Kontrollin e Lartë të Shtetit etj.
Thënë këtë, një “supermaxhorancë” mundet t’i ndryshojë ligjet kyçe dhe të zgjasë kontrollin mbi institucionet më të larta të shtetit, pa pasur nevojë për gjetjen e një dakordësie me opozitën.
Këtë pikë, Dervishi e sheh me shqetësim, pasi rrezikohen balancat. Ai thotë në mënyrë figurative se “me gërshërën e madhe që mori më 11 maj, shumica socialiste mundet t’i presë më lehtë thonjtë SPAK-ut.”
Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, përpara fushatës zgjedhore, Kryeministri Rama, mbajti një qasje të ashpër ndaj SPAK-ut duke paralajmëruar ndërhyrje për të ndryshuar kompetencat apo mënyrën se si kjo strukturë vepron.
Krasniqi sheh te ky paralajmërim ndërhyrjen në sistemin legjislativ për të hequr nga vlerësimi si vepër penale të “shpërdorimit të detyrës” nga zyrtarët.
“[Rama] nuk e ka fshehur asnjëherë prirjen për të larguar përgjegjësitë publike që vijnë nga zyrtarët e lartë, në lidhje me këtë vepër penale që është objekt i SPAK-ut,” thekson Krasniqi, sipas së cilit nëse PS ndërhyn për ta ndryshuar kuadrin ligjor do të deformonte të gjitha aktet që lidhen me funksionimin e SPAK-ut.
Një mazhorancë kaq e fortë numerikisht e ka më të lehtë edhe të ndryshojë Kushtetutën, e cila kërkon “2/3-at e votave”, pra 93 vota. Numrat e bëjnë më të lehtë për të negociuar duke ulur ndikimin e opozitës në situata të tilla.
Në këtë perspektivë, nisur nga përvoja e shkuar në zgjedhje ku PS është forcuar, prej 2017 qeveris e vetme, Krasniqi është i mendimit se rezultati tregon një cenim të besimit se vota mund të ndryshojë qeverisjen në Shqipëri.
“Është një lloj zhvillimi anti-historik në aspektin e qeverisjes dhe në aspektin e sovranitetit qytetar”, analizon Krasniqi, ndërsa shpjegon se kjo tregon që problemi është sistemi dhe se PS-ja ka krijuar “një lloj sistemi patronazhist që kontrollon gjithë territorin, kontrollon votën, kontrollon burimet shtetërore dhe si të tilla i përkthen këto në vota”.
Ndarja e mandateve në 34 vite sistem pluralist në Shqipëri
Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri u zhvilluan në vitin 1991. PS, e cila ishte ende e organizuar si Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH), fitoi 169 nga 250 mandate që kishte asokohe në total të Kuvendi – PD mori 75 mandate.
Mirëpo në zgjedhjet e parakohshme të vitit 1992, për Kuvendin e riformatuar me 140 mandate, PD fitoi bindshëm duke siguruar 92 deputetë, ndërsa PS u tkurr në 38, partitë e tjera: PSD 7, Partia Republikane 1, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 2.
Zgjedhjet e vitit 1996, u shoqëruan me bojkot të pjesshëm të PS-së dhe aleatëve të saj, pasi PD kishte miratuar një kuadër ligjor që kufizonte pjesëmarrjen e ish-funksionarëve të sistemit komunist në proces. Për rrjedhojë, PD fitoi 122 mandate, por procesi, i cili u shoqërua me parregullsi, u kontestua ashpër.
Për shkak edhe të krizës politike dhe piramidale që pasoi këto zgjedhje, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme në vitin 1997 ku PS u kthye në pushtet duke fituar 101 mandate nga 155 të Kuvendit që u riorganizua.
Në zgjedhjet e vitit 2001, me mbështetjen e aleatëve të saj, PS ruajti pushtetin duke siguruar 73 nga 140 mandate.
Në vitin 2005, pushteti kaloi në duart e PD-së, e cila fitoi 56 mandate, ndërsa Partia Socialiste mori vetëm 42 mandate. PR fitoi 11, PSD 7 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 5.
Në zgjedhjet e vitit 2009, PS rriti numrin e mandateve në 65, por PD qëndroi në pushtet përmes një koalicioni me LSI, pasi asnjëra prej tyre nuk kishte shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Ky koalicion u përmbys në zgjedhjet e vitit 2013, kur PS fitoi sërish 65 mandate, por arriti të formojë qeverinë përmes aleancës me LSI-në, duke çuar numrin e përgjithshëm të mandateve në 83.
Në vitin 2017, PS fitoi e vetme shumicën në Kuvend me 74 mandate dhe të njëjtin rezultat e përsëriti edhe në zgjedhjet e vitit 2021.
Rreziku i përqendrimit të pushtetit
Një parti që zotëron një shumicë kaq të gjerë në Kuvend e ka të lehtë të anashkalojë debatet parlamentare dhe të përjashtojë opozitën nga procesi vendimmarrës duke vënë kështu në rrezik sistemin demokratik.
Paralelisht “supermaxhoranca” mund të zbehë rolin e Presidentit, mund të çojë përpara reforma të njëanshme dhe të kthejë opozitën në një “lloj dekori”.
“Një shumicë prej 3/5 në Kuvend mund të jetë një shpatë me dy tehe. Njëra anë ofron stabilitet dhe efikasitet në qeverisje, ana tjetër përbën rrezik për minimin e institucioneve të pavarura,” shpjegon Lutfi Dervishi.
Në shumë raste, Kuvendi ka fuqinë të rrëzojë dekretet e Presidentit me shumicën prej 3/5, duke e reduktuar rolin e Kreut të Shtetit në një funksion kryesisht ceremonial.
Në këto kushte, reforma të rëndësishme si ato në drejtësi, procesin zgjedhor apo ndryshimet kushtetuese, mund të kalojnë pa dakordësi të gjerë dhe pa konsensus me opozitën.
Ky përqendrim i pushtetit krijon një realitet, ku shumica qeverisëse kontrollon edhe Kuvendin, duke e kthyer atë në një mekanizëm miratues të vendimeve të saj duke i zhbërë rolin kontrollues që ka parlamenti. Sipas Dervishit një situatë e tillë do ta kthente parlamentin “në noter të qeverisëdhe ndoshta zeron dhe debatet e brendshme”.
Për Afrim Krasniqin, një mazhorancë e tillë është “gati vrasëse” për konceptin e demokracisë.
“Edhe në kuadër integrimi, një numër i tillë votash, tregon që maxhoranca nuk do të ketë nevojë për opozitën. Ose do të ketë nevojë për një opozitë fasadë, që do të thotë nuk do të ndjejë asnjë lloj presioni për të pasur dakordësi politike për çdo lloj nisme që ajo mund të marrë në kuadër të procesit të integrimit dhe në përfaqësimin e Shqipërisë,” analizon Krasniqi.
Edhe Dervishi shpreh gjithashtu shqetësimin për dekurajimin e alternativave të reja politike dhe dobësimin e demokracisë pluraliste.
“Në kuadër të përafrimit me legjislacionin e BE-së, shumica nuk ka më nevojë për konsensus me opozitën,” thotë ai.
Në mungesë të balancave dhe kontrollit të vërtetë opozitar, një përqendrim i tillë i pushtetit mund të çojë në kapjen e institucioneve dhe në dobësimin e sistemit demokratik.
“Pyetja është ‘A do ta përdorë PS/Rama këtë fuqi për të forcuar institucionet demokratike, apo për të konsoliduar më tej kontrollin mbi to?’ Druaj se do të ndodhë kjo e dyta,” përmbyll Dervishi.
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit u organizuan mirë, por u zhvilluan në një mjedis të polarizuar, me Partinë Socialiste që keqpërdori asetet publike ndërsa pati raportime për trysni ndaj administratës dhe votuesve në qendrat e votimit.
Kështu deklaroi të hënën misioni ndërkombëtar i vëzhguesve të zgjedhjeve, OSBE/ODIHR, teksa bëri me dije vlerësimin paraprak për zgjedhjet.
Në raportin e publikuar pasditen e 12 majit, OSBE/ODIHR i vlerësoi zgjedhjet të mirë-organizuara nga ana teknike, por u theksua se vendi ka nevojë për media të pavarur dhe një reformë të mëtejshme zgjedhore.
Teksa paraqiti raportin krah përfaqësuesve të tjerë, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Michael Gahler, tha se në gjendjen aktuale, vendi ynë nuk mund të hyjë në BE.
Gahler shtoi se zgjedhjet janë një mjet thelbësor i demokracisë dhe se të gjithë aktorët politikë duhet të punojnë për një konsensus mbi kuadrin zgjedhor dhe të forcojnë besimin në integritetin e procesit.
“Për më tepër, i bëj thirrje qeverisë së re të [vijojë] sukseset e arritura [tashmë], si në fushën e drejtësisë,” përfundoi Gahler.
Por kush ishin pikat kryesore të raportit parakrak, Citizens.al sjell të përmbledhura të gjitha pikat si më poshtë:
1- Kuadri ligjor dhe sistemi zgjedhor
Zgjedhjet parlamentare mbështeten në Kushtetutën e vitit 1998 dhe Kodin Zgjedhor të vitit 2008, i cili është plotësuar me ndryshime të kryera në vitin 2021, 2024 dhe 2025, përfshirë këtu dhe votimin e diasporës nga jashtë vendit.
OSBE/ODIHR vëren se, megjithëse kuadri ligjor është “i mjaftueshëm për të zhvilluar zgjedhje demokratike”, ai mbetet i paqartë dhe i pambështetur nga një reformë gjithëpërfshirëse.
Në raport sistemi elektoral proporcional me lista të mbyllura dhe preferenciale në 12 qarqe përshkruhet si favorizues për dy partitë e mëdha dhe se shumica e mandateve ndahen përmes listave të mbyllura, pavarësisht votave preferenciale ndaj kandidatëve duke reflektuar ndikimin e madh që kanë liderët e partive në përfaqësimin parlamentar.
Kreu i delegacionit të PE për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Michael Gahler/Facebook.
2- Administrimi i zgjedhjeve
Administrimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri u drejtua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 93 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe mbi 5,000 Komisione të Qendrave të Votimit.
OSBE/ODIHR vlerëson se procesi u zhvillua në mënyrë transparente, me mbledhje të hapura dhe pjesëmarrje të rregullt të aktorëve politikë. Megjithatë citohen pretendime të ngritura për politizim të anëtarëve të KQZ-së, dhe afate të ngushta kohore dhe logjistike për të realizuar votën e diasporës.
Komunitetet e margjinalizuara mbetën jashtë fushatës së KQZ-së për edukimin e qytetarëve për mënyrën e votimit, ndërsa u vunë re ndryshime të shpeshta të anëtarëve të KZAZ-ve nga partitë, veçanërisht në ditët e fundit para votimit. Kuota gjinore u respektua në mënyrë minimale, me 31% gra në KZAZ, por me përfaqësim të ulët në pozita drejtuese.
3- Përdorimi i teknologjisë
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, identifikimi biometrik i votuesve u përdor në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik vijoi në vetëm dy qarqe.
Kjo përfaqësonte vetëm 1.4% të zgjedhësve të regjistruar, në kundërshtim me kërkesën ligjore për mbulim minimal prej 10%, për shkak të një ngërçi politik.
Votimi elektronik përdori pajisje me ekran prekje që prodhonin fatura të printuara të votës, ndërsa rezultatet transmetoheshin elektronikisht pas përfundimit të votimit. Megjithëse u organizuan demonstrime publike për rritjen e ndërgjegjësimit, OSBE/ODIHR vlerësoi se këto nuk ishin mjaft proaktive.
Përfaqësuesit e OSBE/ODHIR gjatë prezantimit të raportit për zgjedhjet e 11 majit/Facebook.
4- Regjistrimi i votuesve
Regjistrimi i votuesve brenda vendit u realizua në mënyrë pasive përmes regjistrit civil dhe u vlerësua si proces transparent dhe gjithëpërfshirës nga aktorët zgjedhorë, megjithatë, aplikimi i masës së heqjes automatike të personave mbi 100 vjeç nga listat për të shmangur emrat e të ndjerëve, u konsiderua si një barrë e padrejtë për këtë kategori.
Subjektet zgjedhore kishin të drejtë të merrnin një kopje të plotë të listës së votuesve, çka rriti transparencën e procesit, edhe pse pati shqetësime për mbrojtjen e të dhënave personale.
Lista përfundimtare u publikua më 2 prill me 3,713,761 votues të regjistruar, përfshirë edhe ata jashtë vendit (11 janar-4 mars) me 245,935 votues nga 85 vende, ndërsa rreth 41,000 aplikime u refuzuan për mungesë dokumentacioni të përshtatshëm.
5- Regjistrimi i kandidateve
KQZ regjistroi të 8 partitë politike dhe 3 koalicionet që aplikuan deri më 12 mars ku vetëm një prej tyre, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare, drejtohej nga një grua – Elena Kocaqi.
Në total për 140 vende në parlament garuan 2,046 kandidatë ku 787 (38.47%) ishin gra ishin gra – pak mbi minimumin ligjor, por të gjitha listat respektuan kuotën.
Në përputhje me rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, u hoq mundësia që drejtuesit e partive të kandidonin në disa qarqe zgjedhore njëkohësisht.
Nuk pati kandidatë të pavarur të regjistruar në këto zgjedhje. Gjatë verifikimit të kandidatëve, KQZ hoqi 16 prej tyre nga lista e partive përkatëse, bazuar në vetëdeklarimet mbi dënimet penale, të konfirmuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Asnjë subjekt nuk kundërshtoi këtë vendim dhe paraqiti kandidatë zëvendësues në kohë.
Përfaqësues të OSBE/ODHIR përpara raportimit për zgjedhjet e 11 majit/Facebook.
6- Klima e fushatës
Sipas OSBE/ODIHR socialistët përfituan gjatë fushatës nga burimet shtetërore dhe aktivitetet institucionale, të cilat ligjërisht lejohen nëse ato kryhen si pjesë e detyrës zyrtare.
Përfaqësues të qeverisë morën pjesë në promovime investimesh dhe inspektime që, në disa raste, kaluan në fushatë të drejtpërdrejtë. Ndërkohë, qeveria miratoi politika për falje gjobash dhe lehtësira për grupe të caktuara votuesish para periudhës katërmujore të ndaluar, por që u zbatuan gjatë fushatës, duke ngritur dyshime për synime elektorale.
KQZ kishte përgjegjësinë të shqyrtonte rastet e abuzimit me burimet publike. Nga 4,522 aktivitete publike të raportuara, vetëm 18 u ndaluan si abuzive.
Nga 166 ankesat e marra, shumica lidheshin me përdorimin e burimeve shtetërore, tenderët dhe ndihmën sociale. Deri më 9 maj, KQZ kishte marrë vendim vetëm për 118 raste, duke ngritur shqetësime për efikasitetin e këtij mekanizmi.
Në raport thuhet se gjatë fushatës pati akuza të shumta për presion ndaj administratës dhe komuniteteve të margjinalizuara për të mbështetur PS-në, blerje votash dhe ndikim të krimit të organizuar në disa zona.
7- Financimi i fushatës
OSBE/ODIHR thotë se kuadri zgjedhor lë boshllëqe që cenojnë transparencën dhe barazinë mes partive në zgjedhje.
Partitë mund të financojnë fushatat me fonde publike, private, donacione apo kredi. Edhe pse ligji kërkon publikimin e burimeve të financimit, OSBE/ODIHR vëren se asnjë parti nuk ka publikuar të dhëna për donacionet apo kreditë, dhe KQZ nuk ka mjetet ligjore për t’i detyruar në zbatimin e kësaj dispozite.
Kufiri i përgjithshëm për shpenzimet e një partie është rreth 3.3 milionë euro, ndërsa ndryshimet ligjore të vitit 2025 përjashtuan shpenzimet e kandidatëve nga ky kufi, pa vendosur një tavan të veçantë për ta. Mungesa e rregullimit për reklamat online dhe shpenzimet nga palë të treta krijon hapësira për përdorimin e fondeve të padeklaruara dhe për anashkalimin e kufizimeve ligjore.
Një rast tipik i këtij anashkalimi citohet rast i përmendur në media për një kontratë lobimi prej 6 milionë dollarësh që synonte krijimin e aksesit për PD-në në nivelet e larta të administratës amerikane.
Përfaqësues të OSBE/ODHIR duke vëzhguar zgjedhjet e 11 majit/Facebook.
8- Media
Sipas monitorimeve të ODIHR, dy partitë kryesore, PS dhe PD, dominuan mbulimin mediatik, ndërsa partitë e tjera morën më pak se 5% të hapësirës në TV. Shumica e mbulimit përfshinte materiale të prodhuara nga vetë partitë, pa u shënuar si reklama politike, në kundërshtim me ligjin.
Emisionet politike nuk sollën përballje reale mes liderëve, ndërsa reklamat televizive u përdorën vetëm nga partitë e mëdha.
OSBE/ODHIR vëren se pavarësia, pluralizmi dhe integriteti i medias në Shqipëri janë të komprometuara nga financimet jo-transparente dhe lidhjet e ngushta mes pronarëve të mediave, interesave politike dhe ekonomike, shpesh të varura nga kontratat publike.
RTSH kritikohet për mungesë audience të gjerë ndërsa Autoriteti i Medias Audiovizive që nuk garanton pavarësi reale institucionale.
Edhe pse Kushtetuta mbron lirinë e shprehjes, shpifja mbetet vepër penale dhe rastet e padive SLAPP kundër gazetarëve janë në rritje. Ndalimi i përkohshëm i aksesit në TikTok dëmtoi mundësinë për një fushatë të barabartë, veçanërisht për partitë jo-parlamentare.
9-Minoritetet
Pjesëmarrja e pakicave në zgjedhje si votues dhe kandidatë ishte e lirë, si brenda partive kryesore kombëtare, ashtu edhe përmes dy partive të pakicave kombëtare që ishin pjesë e koalicionit të drejtuar nga PD.
Megjithatë, OSBE/ODIHR vëren se kërkesa për të kandiduar në të gjitha qarqet elektorale përbën një pengesë për partitë e pakicave për të fituar vende në parlament.
U raportuan gjithashtu raste presioni mbi komunitetet rom dhe egjiptian për të shitur votën, ndërsa në disa zona, votuesit romë nuk ishin të qartë për vendndodhjen e qendrave të tyre të votimit.
Përfaqësues të OSBE/ODHIR duke vëzhguar zgjedhjet e 11 majit/Facebook.
10-Dita e zgjedhjeve
OSBE/ODHIR vlerëson se dita e zgjedhjeve u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe transparente, por u vunë re mospërputhje të shpeshta me procedurat gjatë hapjes dhe votimit, përfshirë vonesa, probleme me pajisjet biometrike dhe praninë e personave të paautorizuar.
Vëzhguesit raportuan se në shumë qendra votimi nuk u respektua fshehtësia e votës, pati raste të votimit në grup, si dhe mungesë edukimi të votuesve për procedurat e reja të votimit me lista preferenciale.
Pati edhe raste presioni, intimidimi, dhe blerje të mundshme votash, ndërsa në disa qendra u shfaqën persona që mbanin shënime për votuesit.
Mungesa e aksesit për personat me aftësi të kufizuara ishte shqetësuese: 50% e qendrave nuk ishin të përshtatshme për ta dhe nuk kishte metoda alternative për ata që janë të palëvizshëm apo të shtruar në spitale.
Në disa qendra, numërimi u bë në atmosferë të tensionuar, dhe pati raste ku fletët e votimit nuk u shfaqën në kamera sipas rregullit apo rezultatet nuk iu dhanë vëzhguesve të partive.
Vonesa në transmetimin e votave elektronike dhe ankesat për verifikimin e votave nga jashtë vendit treguan mungesë të plotë besimi në sistemin elektoral, sidomos nga PD.
Një koalicion i organizatave të shoqërisë civile ka evidentuar një sërë problematikash që vënë në diskutim integritetin e procesit elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, megjithëse ato vlerësohen se u zhvilluan nën një klimë të qetë.
“Procesi shfaqi të njëjtin trend të disa zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, kryesisht një klimë e qetë dhe pjesëmarrje të pjesës aktive qytetare, mbulim të gjerë mediatik dhe prani të zgjeruar të partive politike dhe kandidatëve, mesazhe sensibilizuese për pjesëmarrje dhe administrim aktiv nga KQZ për problematikat e shfaqura,” u tha sot në një deklaratë të përbashkët nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Qëndresa Qytetare (QQ) dhe Instituti i Studimeve Politike (ISP).
Megjithatë raporti paraprak i vëzhgimit të këtyre tre organizatave hedh dritë mbi parregullsitë dhe sfidat e vazhdueshme që rrezikojnë demokracinë funksionale në vend.
Me mbi 60 vëzhgues të shpërndarë në 17 bashki të vendit, raporti paraprak i bërë me dije sot zbuloi shkelje të heshtjes zgjedhore, tensione mes vëzhguesve partiakë dhe komisionerëve, si dhe prezencë të individëve të paautorizuar në qendrat e votimit.
Të dhënat përfshijnë gjithashtu shqetësime për ndërhyrje të jashtme në procesin e votimit, probleme me pajisjet e identifikimit elektronik dhe trajtimin jo të denjë të personave me aftësi të kufizuara.
Vëzhguesit vunë re postime elektorale në rrjete sociale të kandidatëve të caktuar, shpërndarje të materialeve propagantistike në hapësirën publike me afishimie të billboard-ve dhe raste kur zyra elektorale janë mbajtur hapur gjatë heshtjes zgjedhore.
Gjatë procesit pati sinjalizime nga vëzhgues partiakë, komisionerë dhe deputetë për abuzime dhe intimidim të zgjedhësve sikurse ishin rastet e shenjuara në Bashkitë Lushnje, Tiranë (afër Shkollës Petro Nini), Pogradec, Vorë, etj.
Problematika pati dhe në mungesë të energjisë elektrike , mangësi për përdorimin dhe regjistrimin me kamera të procesit, mungesa e komisionerëve , vonesat për hapjen e qendrave të votimit dhe probleme teknike në funksionimin e pajisjeve PEI .
“Në raportet tona finale do të ketë qëndrime dhe vlerësime për të gjithë elementët e monitorimit,” thuhet në deklaratën paraprake të tre organizatave, të cilat theksojnë se vëzhguesit e tyre u lanë ta kryenin monitorimin e plotë, pavarësisht disa rasteve ku u ndeshën pengesa.
“Për mua ishte një shans i humbur, që Shqipëria për 35 vite të mos krijojë standarde normale të zgjedhjeve të një vendi demokratik, që supozohej të shkoj drejt BE,” u shpreh Afrim Krasniqi, drejtues i ISP, sipas të cilit, për përvojën e kaluar Shqipëria duhej të shfaqte maturi dhe të kishte zgjedhje me tregues të tjerë.
Ndërkohë, numri i ulët i pjesëmarrjes në votime (42%) krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ngre pikëpyetje mbi besimin e qytetarëve në proceset politike.
KShH, QQ dhe ISP, argumentojnë se fushata e karakterizuar nga gjuha e urrejtjes dhe mungesa e platformave konkrete mund të ketë kontribuar në thellimin e apatisë politike dhe distancimit të votuesve.
Deklarata hedh dritë gjithashtu mbi shqetësimin për mosfunksionimin e duhur të organeve të drejtësisë dhe nxit nevojën për hetime më konkrete dhe të pavarura lidhur me krimet zgjedhore.
Me 54 kallëzime penale deri më 9 maj dhe 123 të tjera pranë SPAK, problematika si shitblerja e votës vijon të mbetet plagë e hapur e sistemit zgjedhor.
Në një atmosferë ku polarizimi politik sfidon rendin demokratik, raporti thekson domosdoshmërinë për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe forcimin e rolit të institucioneve të pavarura.
Më 11 maj 2025, Shqipëria voton në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Gjatë këtij muaji, Citizens.al zgjodhi një formë ndryshe të raportimit të fushatës elektorale, duke u distancuar nga propaganda e partive politike, për t’u fokusuar tek ajo që ndodh realisht.
Çfarë na tregoi kjo fushatë? Më shumë sesa një garë idesh politike, partitë e vjetra vunë në skenë një lojë të pabarabartë, me shumë zhurmë dhe pak substancë. Aktorët kryesorë shfrytëzuan çdo aset për të ndikuar te publiku, ndërsa partitë e reja u fokusuan kryesisht me fushata njerëzore dhe aktivitet në rrjetet sociale.
Nën këtë dinamikë qytetarët u lanë shpesh përballë një oferte të mjegullt dhe të pashtjelluar politike teksa premtimet variuan nga “Pasaporta Evropiane”, te “Pastrimi i Shqipërisë”, “Heqja e vizave me SHBA-në”, “Vendosja e euros si monedhë zyrtare” etj.
Ky artikull sjell një panoramë të asaj që ndodhi — nga premtimet që sfidojnë logjikën ekonomike, te heshtja përballë komuniteteve të margjinalizuara; nga televizionet që përqafuan pushtetin, te diaspora e trajtuar si rezervuar votash.
Një vështrim kritik përtej retorikës, për të kuptuar dhe shpjeguar ofertën politike 2025.
Ne analizuam retorikën e zbrazët për përfaqësim dhe barazi, duke treguar se vetëm dy parti ofruan një qëndrim të qartë për barazinë gjinore. Për pjesën tjetër, kjo çështje trajtohet si një instrument për stabilitet familjar, jo si një çështje e demokracisë.
Premtimet për fuqizimin e vajzave dhe grave mbeten më shumë një dekor elektoral sesa një synim konkret. Për këtë çështje Citizens i kushtoi edhe një nga seritë e podkastit “Zëra”.
Nga “Shqipëria bëhet!” te “Shqipëria Madhështore”, e deri te slogane si “Shqipëria 2030 në BE vetëm me Edi Ramën dhe PS”, fushata e vitit 2025 u karakterizua nga mesazhe të mëdha dhe të personalizuara.
Partitë shqiptare vijuan të shmangin apo ngatërrojnë pozicionimin e qartë ideologjik, duke harruar konceptet tradicionale të së majtës dhe së djathtës.
Në këtë kontekst, Citizens i kushtoi vëmendje mënyrës sesi sloganet u përdorën si mjete të fuqishme emocionale për të tërhequr votues, më shumë sesa për të artikuluar vizione politike të qarta.
Monitorimi i edicioneve informative të tre televizioneve kombëtare për tre javët e para të fushatës tregoi një prirje të qartë favorizuese ndaj partisë në pushtet dhe partisë më të madhe të opozitës, ku figura si Edi Rama dhe Sali Berisha dominuan ekranin.
Diversiteti politik u mbyt nga një propagandë e drejtuar te pushteti, duke lënë zërat alternativë pa mbulim. Partitë e reja nuk gjetën hapësira duke u shtyrë kështu gjithmonë e më shumë në një fushatë online, si një zgjidhje pa shumë kosto dhe përtej “duopolit mediatik PS-PD”.
Një raport i Altax vlerësoi se realizimi i premtimeve elektorale kërkon disa dhjetëra miliardë euro, ndërkohë që buxheti vjetor i shtetit është vetëm 7-8 miliardë. Premtimet elektorale, në këtë kontekst, u dukën më afër “spekulimeve të mirëmenduara” sesa strategjive për zhvillim.
Edhe në këto zgjedhje, komuniteti rom dhe egjiptian u la jashtë vëmendjes. Jeta e tyre në skajet e politikës pasqyron një mungesë të thellë të vullnetit për përfshirje dhe integrim të barabartë.
Ndërkohë PS me kandidimin e një figure të spikatur në shoqërinë civile nga ky komunitet u mundua ta portretizojë veten si alternativën e duhur që mund të japë zgjidhje dhe përfaqësim.
Por kjo dukej lëvizje e qëllimshme, pasi kështu PS la menjëanë përgjegjësitë e 12 viteve qeverisje për këtë komunitet.
Raportimet të ndryshme treguan për shfrytëzim të aseteve publike – shkolla dhe zyra shtetërore – në funksion të partisë në pushtet. Kjo praktikë që thellon mosbesimin ndaj institucioneve dhe dëmton integritetin e procesit zgjedhor u theksua në rrethe.
Mësues të ndryshëm treguan për trysninë që ndeshën nga politika, teksa shkollat dhe profilet e tyre online u kthyen në një makineri për të përzgjatur propagandën e qeverisë.
“Oferta e gjelbër” mbeti një deklaratë pa substancë nga ana e partive politike duke e lënë të pashpresë idenë se qeveria e ardhshme mund t’u japë zgjidhje problemeve të mjedisit përballë ndryshimeve klimaterike, projekteve për zhvillim dhe trysnisë për të prodhuar më shumë energji.
Premtimet për të kaluar nga hidrocentralet drejt energjisë diellore dhe erës përballen me sfida dhe pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë dhe realizueshmërinë e tyre në një raport të balancuar ndërmjet interesave ekonomike dhe sociale.
Diaspora, me gjithë të drejtën historike për të votuar për herë të parë nga jashtë, u trajtua më shumë si një burim votash sesa një zë për përfaqësim të sinqertë.
Në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e emigrantëve për zgjedhjet parlamentare, partitë politike kryesore kanë zhvilluar dhjetëra takime me diasporën, nga Evropa në Amerikë, por asnjë prej tyre nuk ofroi transparencë për shpenzimet, ndërsa kandidatët që vinin nga diaspora ishin të paktë.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, rreth 245 mijë shqiptarë jorezidentë në Shqipëri u regjistruan për të votuar nga jashtë. Shumica ishin nga Italia (36.5%), Greqia (27.3%), Gjermania (10.2%) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (8.2%).
Me këtë numër dhe shpërndarje, votat e diasporës mund të ndikojnë në fatet e deri 4 mandateve në Tiranë dhe të paktën të 6 mandateve në Durrës, Fier dhe Elbasan.
Partitë e mëdha përfituan më shumë nga fondet publike, ndërsa të rejat mbetën jashtë skemës. Ndërkohë në listat zgjedhore u përfshinë 16 kandidatë nën hetim nga SPAK.
Ky fakt e vë në pikëpyetje besueshmërinë e sistemit të filtrimit etik të kandidatëve ndërsa ngarkon me përgjegjësi direkte partitë politike, dhe kryetarët e tyre të cilët jo vetëm që i përfshinë në lista, por disa prej tyre i vunë edhe në lista të mbyllura.
Fushata në rrjetet sociale u shoqërua edhe me angazhimin e profileve anonime dhe manipulimeve vizuale ku u përdor edhe inteligjenca artificiale. Kjo shndërroi informimin publik në një terren të vështirë për të dalluar të vërtetën nga publiku dhe qytetarët.
Këta të fundit u ekspozuan rrezikshëm përballë manipulimit, teksa mediat tradicionale dështuan të bëjnë filtrin e duhur.
Në prag të zgjedhjeve, ekspertja e të drejtave të njeriut dhe çështjeve të integritetit në politikë, Edlira Cepani, iu përgjigj pyetjeve të ndjekësve të Citizens.al mbi financimin e partive politike, premtimet elektorale dhe transparencës gjatë fushatës.
Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri mund të përshkruhen si një garë formale e zhvilluar në një “skenografi të kontrolluar”.
Edhe pse procesi u shënua nga një klimë më e qetë se në të shkuarën, zgjedhësit shpesh mbetën të painformuar, të papërfaqësuar dhe të papërfshirë realisht. Në një muaj ku format ishin të shumta, batutat të zëshme dhe ngjyrat të forta, ajo që mungoi më së shumti ishte përmbajtja.
Citizens.al do të vazhdojë të jetë këtu, pavarësisht fushatave dhe propagandës, për të ndjekur, analizuar dhe raportuar me integritet, ngjarjet që kanë vërtetë rëndësi.
Vetëm dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria e Partisë Socialiste ka vendosur të falë gjobat e dhjetë viteve të fundit. Vendimi u bë me dije sot teksa socialistët kishin njoftuar mbylljen e fushatës elektorale me një event në fushat e Parkut Olimpik në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Vendimi parashikon anulimin e sanksioneve administrative të paekzekutuara nga institucionet deri më 15 janar 2025. Ai është ankimuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga “Qëndresa Qytetare” (QQ) si shkelje e garës zgjedhore.
Sipas vendimit, sanksionet e dhëna nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga një sërë institucione përfshirë Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, autoritetet vendore të mbrojtjes së territorit, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor.
Sipas dokumentit zyrtar, institucionet përkatëse do të mbulojnë vetë shpenzimet administrative që lidhen me fshirjen dhe heqjen e këtyre masave.
Kjo lëvizje ka ngjallur reagime të forta nga organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të opozitës, të cilët e kanë interpretuar si një përpjekje të qeverisë për të ndikuar votuesit në një moment kritik elektoral.
Në një kallëzim zyrtar pranë KQZ-së, QQ, e cilësoi këtë veprim si shkelje flagrante të garës së barabartë dhe një devijim të qartë nga standardet demokratike të pranuara në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo organizatë, e cila është angazhuar për të denoncuar shkeljet gjatë fushatës e konsideroi amnistinë një drejtim të kundërt me atë çka premtohet nga partia në pushtet: integrimi.
Drejtuesi i QQ-së, Rigels Xhemollari, e konsideroi si ngjarjen më të shëmtuar në tre zgjedhjet e fundit sa i përket keqpërdorimit të burimeve shtetërore.
“Dekurajuese për çdo qytetar që kërkon të zbatojë ligjin dhe inkurajuese për shkelësit përsëritës, të cilët do të presin amnistinë e radhës për shkeljet që do të kryejnë në të ardhmen,” tha Xhemollari për Citizens.al.
QQ pret tashmë nga KQZ të vihet në lëvizje për të bllokuar aktin, organet e hetimit dhe task forca zgjedhore të hetojë procedurën, përfshirë inspektoratet dhe hartuesit e miratuesit e këtij akti.
Në një retrospektivë politike, ky vendim vjen në kontrast të fortë me retorikën e hershme të Kryeministrit aktual, Edi Rama, i cili në vitin 2014, gjatë nisjes së fushatës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, deklaronte se “boll e ka pësuar kush paguan.”
Faljet e përsëritura të gjobave para zgjedhjeve minojnë ndjeshëm besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe nxisin kulturën e informalitetit dhe të pandëshkueshmërisë.
Sipas nenit 91 të Kodit Zgjedhor, katër muaj para zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re ndalohet propozimi, miratimi dhe nxjerrja e akteve ligjore apo nënligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë.
“…të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive, të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”.
Në një demokraci funksionale, roli i medias gjatë fushatave zgjedhore është i pazëvendësueshëm: ajo filtron premtimet elektorale, analizat dhe përplasjet politike për publikun.
Por në Shqipëri, para çdo procesi zgjedhor, shtrohen pyetje mbi mënyrën se si media ushtron këtë rol, nëse siguron transparencë, apo bëhet pjesë aktive e garës, duke ndikuar në rrjedhën e saj.
Për zgjedhjet e 11 majit, Citizens ka monitoruar për tre javë (1–20 prill) edicionet informative të tre televizioneve kombëtare: Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus.
Të dhënat janë të qarta: mbi 80% e kohës editoriale të lajmeve i është kushtuar Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, dhe figurave kryesore të politikës shqiptare: Edi Rama dhe Sali Berisha. Dominimi i ekraneve prej tyre ka qenë i theksuar, por edhe brenda këtij “dueti”, ndarja e minutazhit në televizionet kombëtare ka qenë e pabarabartë.
PS ka dominuar hapësirat në të gjitha edicionet informative duke zënë 35-42% të kohës, ndërsa PD ka pasur një mbulim më të ulët 26-31%.
Ngjashëm, sa i përket figurave të partive, Rama ka dominuar në të treja televizionet duke qenë më i pranishëm në Top Channel (23.08%) ndërsa Berisha në Vizion Plus (12.6%).
Ky përqendrim bie ndesh me Nenin 84 të Kodit Zgjedhor, që kërkon shpërndarje të balancuar të kohës televizive për partitë me mbi 20% të mandateve.
Pyetur për këtë çështje, gazetari dhe pedagogu Lutfi Dervishi vë në dukje se fushata është transformuar në një garë personalitetesh, të cilat synojnë të riformësojnë opinionin publik.
“Në këtë mënyrë, zgjedhjet nuk janë më një proces reflektimi mbi programet, por një ‘reality-show’ me protagonistë të përhershëm,” thotë Dervishi.
Monitorimi i edicioneve informative Top-Channel, Vizion Plus, TV Klan/Citizens.al
Partitë dhe kandidatët e rinj “strehohen” në rrjetet sociale
Partitë e reja dhe kandidatët e rinj rezultojnë “të padukshëm” në edicionet informative të tre televizioneve më të mëdha në vend. Nga analizimi i të dhënave, këto subjekte kanë marrë 1% të minutazhit në edicionet informative.
Në këto kushte, shumica prej tyre kanë riformatuar fushatën në platformat sociale.
Gerti Metani, kandidat për deputet i Partisë Socialdemokrate, dhe Edona Haklaj kandidate e koalicionit “Nisma, Shqipëria Bëhet”, janë mjaft aktivë në rrjetet sociale, e sidomos në Instagram, duke e konsideruar si aplikacionin kryesor për të komunikuar me zgjedhësit.
Për Citizens, tregojnë se si po ndikon kjo metodologji në fushatën e tyre, shumë larg tradicionales.
“E vërteta është që kjo ndikon në perceptimin publik, duke e vështirësuar për kandidatët alternativë të shfaqin programin apo të arrijnë audienca të gjera në të njëjtën mënyrë,” thotë Metani.
“Televizionet shpesh shërbejnë si burimi kryesor i informacionit për një pjesë të mirë të popullsisë dhe, kur hapësira shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, krijohet një perceptim sikur vetëm partitë e mëdha kanë zgjidhje për vendin,” thotë Haklaj.
Sipas saj qytetarëve i mohohet mundësia të dëgjojnë zëra të rinj, ide të reja dhe alternativa jashtë sistemit të vjetër.
Drejtori i “Qëndresës Qytetare”, Rigels Xhemollari thotë se aktiviteti në rrjetet sociale mund të jetë edhe në favor të këtyre kandidatëve. Sipas tij këto zgjedhje mund të jenë të fundit që televizioni të ketë peshë në garat elektroale.
“Partitë e reja kanë shansin të përdorin në masë rrjetet sociale, formë që mund të jetë efikase, për ta përdorur si balancues të faktit që s’kanë hapësirë në ekranet kombëtare. Gjithsesi, ka më shumë lodhje dhe sakrificë,” thotë Xhemollari për Citizens.
Media si “treg”
Media është kthyer dhe në hapësirë tregu. Disa redaksi lajmesh kanë ofruar çmime për hapësirë televizive gjatë fushatës, një praktikë që rrezikon të zhbëjë parimin bazë të informimit të paanshëm.
Çdo minutë në ekran ka çmimin e vetë, dhe shifrat qe televizionet u ofrojnë partive për promovim nuk janë më një sekret, por një praktikë e pranuar dhe e normalizuar.
Syri TV, për shembull, ka publikuar tarifa të qarta për secilin kandidat, duke e shndërruar fushatën në një garë jo vetëm për vota, por edhe për pagesa.
Çmimet variojnë nga 4 mijë euro për 10-15 minuta në emision mëngjesi, deri në 8 mijë euro në emision “prime time”. Sipas Lutfi Dervishit ky fenomen dobëson rolin e votuesit.
“Media që nuk hulumton, nuk i sfidon kandidatët, por i amplifikon,” thekson Dervishi, sipas së cilit vakumi i informimit i dobëson qytetarët si votues duke i ekspozuar ndaj manipulimeve.
“Procesi zgjedhor, në këto kushte, rrezikon të jetë një ritual i zbrazët, ku zgjedhja nuk bazohet në njohuri, por në perceptime të manipuluara”, thotë ai.
Në kushtet kur çdo fjalë kushton dhe barazia në garën elektorale nuk është më një realitet.
Ku qëndrojnë gazetarët?
Në një fushatë zgjedhore ku partitë çojnë materiale të gatshme dhe linjat editoriale janë të përcaktuara, gazetarët që mbulojnë çështjet politike shpesh gjenden përballë një sfide të heshtur: të informosh drejt një realitet të shtrembëruar.
Pa kohë për të verifikuar premtimet elektorale apo për të bërë analiza të thelluara, gazetarët shndërrohen në një “postier” të mesazheve politike.
Këtë e tregon dhe rezultati i monitorimit të edicioneve informative, që nuk nxjerr asnjë analizë të thelluar, investigim apo verifikim të premtimeve që partitë politike bëjnë pa kursim.
Gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha tregon se në shumë pak raste i ka ndjekur në terren aktivitetet elektorale të partive.
“Ka qenë një dakordësi mes të dyja palëve, si nga ana e drejtuesve të televizionit, por edhe meje si gazetar që kryesisht mbuloj zhvillimet e kampit opozitar,” thotë Hoxha për Citizens.
Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku thotë se ngarkesa e madhe e materialeve që duhet të përgatisin për transmetim lë pak kohë për të bërë thellim të çështjeve që diskutohen.
“Janë me dhjetëra kronika televizive që duhet të përgatiten gjatë ditës. Jemi të kufizuar për të bërë thellime të ngjarjeve,” thotë ndër të tjera.
Problemet me të cilat përballen gazetarët në fushatën zgjedhore, për të disatën herë janë evidentuar dhe nga OSBE/ODHIR. Në raportin paraprak nënvizohen ndërhyrjet në pavarësinë editoriale dhe vetëcensura.
“Mungesa e qëndrueshmërisë financiare për shumë media, e shkaktuar nga rënia e të ardhurave nga reklamat dhe modelet alternative të biznesit të pazhvilluara, ndikon në pavarësinë dhe diversitetin e medias dhe raportimit,” thuhet në raport.
Kur mediat kryesore zgjedhin të amplifikojnë vetëm të njëjtët zëra, ato jo vetëm deformojnë garën politike, por edhe besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Nëse votuesit informohen vetëm për një pjesë të garës, atëherë vetë zgjedhjet rrezikojnë të mos jenë më një akt i lirë, por një formalitet me rezultate të parashikueshme.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, me anë të një postimi në facebook është shprehur se deputetët e opozitës, kanë përfituar mandate nga listat e mbyllura pa ndonjë kontribut real në terren apo në kauzën opozitare. “Po të ishin listat 100% të hapura, sa prej këtyre deputetëve do të kishin fituar mandat?”, pyet Maliqi me […]
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga Selia Blu, paraqiti disa fatura të DHL për zarfet që janë dorëzuar në datë 10 maj. Sipas Berishës firmat në fatura janë të falsifikuara, gjë kjo që tregon qartë se procesi është i manipuluar. Berisha u shpreh se ky proces i manipuluar duhet […]
Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Fierit, i cili nisi pas kërkesave për verifikim të rezultatit të 11 majit, po shkon drejt përfundimit. Deri më tani janë rinumëruar 488 kuti votimi nga gjithsej 582, ndërsa pritet që procesi të përmbyllet brenda ditës së sotme. Kandidatja e Partisë Demokratike, Silva Hasaj, ka rezultuar me […]
Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si një fushatë hakmarrjeje politike ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët hetuan rastin e njohur si “treni bullgar” në fshatin Pekisht të Peqinit, ku u kapën materiale zgjedhore dhe para në një lokal privat. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në […]
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar këtë të enjte kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Vlorës, duke i hapur rrugën certifikimit të rezultatit për këtë qark. Vendimi vjen pas certifikimit të mëparshëm të zgjedhjeve të 11 majit në qarqet Korçë, Kukës, Lezhë dhe Gjirokastër. Ndërkohë, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka […]
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot ankimimin e Partisë Demokratike për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në qarkun e Beratit. PD kërkonte pavlefshmërinë e tabelës përfundimtare të rezultatit, duke pretenduar se procesi zgjedhor ishte i manipuluar dhe i ndikuar në mënyrë të paligjshme nga pushteti. Por Kolegji vendosi të mos e pranojë kërkesën, duke lënë në fuqi […]