Një takim me dyer të mbyllura, i mbajtur të enjten në bashkinë e Vlorës nga kryeministri Edi Rama, u pasua me një furtunë dorëheqjesh nga drejtuesit e kësaj bashkie, sipas raportimeve mediatike. Në takim ishin të pranishëm kryebashkiaku socialist, Ermal Dredha, ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe deputetë socialistë në këtë qark. Rama paralajmëroi […]
Rinumërimi i votave në qarkun e Fierit zbuloi qindra vota të tjetërsuara dhe prodhoi ndryshim rezultati brenda listës së hapur të Partisë Socialiste, ku Zegjine Çaushi humbi vendin e deputes ndaj kandidates tjetër socialiste, Maldrita Bardho. Por numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku, njëherazi drejtuese politike e qarkut të Fierit e konsideron këtë si “produkt […]
Në një mëngjes të nxehtë në mes të qershorit, qetësia në kodrat e fshatit Kurdari u ndërpre nga zhurma e thatë metalike e një ekskavatori që u shfaq në shtratin e egër të lumit të Lusës, një nga tributarët e Matit. Makineria dhe punëtorët ishin sjellë nga kompania ‘Global Interprise Group‘ për të nisur gërmimin […]
Teksa po mbyll kapitullin e tij në Kuvend, ish-deputeti socialist Petro Koçi nuk i ka kursyer kritikat ndaj profilit të disa prej kandidatëve të rinj të Partisë Socialiste, duke shigjetuar drejtpërdrejt Zegjine Çaushin, kandidate në Fier që tërhoqi vëmendje me fushatën e saj në rrjete sociale.
Duke komentuar mënyrën e komunikimit të Çaushit me publikun, Koçi tha se ajo “ka bërë një gjë që është e ekzagjeruar dhe është një shpërdorim personaliteti në një përmasë që mendoj se nuk duhet të përsëritet më”, duke shtuar se “nuk është ky imazhi i PS-së. PS-ja është një parti serioze.”
Edhe pse ai pranoi rëndësinë e rrjeteve sociale në fushatat elektorale moderne, Koçi vuri theksin se kjo mënyrë prezantimi nuk duhet të bëhet normë brenda Partisë Socialiste. “Nuk mendoj se kjo duhet të jetë linja e fushatës së PS-së. Sot vendos shumë rrjeti social, padyshim, por duhen bërë gjërat më ndryshe,” përfundoi ai.
Salla e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë nuk do të mirëpresë evente sportive për afro 1 muaj, pasi që nga dita e martë e në vijim do të vihet në shërbim të grupeve të numërimit të ngritura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për procesin e rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 11 majit. […]
Çdo 12 qershor është ditë gëzimi për ata që ende shohin tek Partia Socialiste një bashkësi njerëzish, të lidhur nga vlerat, historia apo bindjet politike. Në këtë ditë përvjetori të ndryshimit të emrit të partisë, anëtarët e saj, aktivistë, deputetë dhe të tjerë ish-drejtues marrin ftesë që të mblidhen në oborrin përballë selisë në qendër të Tiranës për një gotë vere të kuqe apo të bardhë, sipas rastit.
Aty gjejnë rastin të konfirmojnë përkatësinë politike përmes thirrjeve “o shokë” dhe “o shoqe”, rikthejnë me nostalgji histori të shkuara, trokasin gotat dhe presin t’i urojë nga afër edhe kryetari. Ndonjëri madje, që konsiderohet me fat edhe shkëmben edhe ndonjë batutë me Ramën, ndonjë arrin të bjerë në sy kur merr ndonjë rrahje shpatullash apo një përqafim atëror.
Kuptohet se këtë vit, 12 qershori ishte dy herë festë. Edhe përvjetori i partisë, po edhe mandati i katërt.
Pushteti sjell me vete mirëqënien, tenderat, vendet e punës për familjarët, rrogat, dietat, tollonat e naftës dhe lloj lloj privilegjesh që ua bëjnë jetën më të mirë.
Në këtë dolli kolektive, Ramën e prisnin krahëhapur tryezë më tryezë, teksa ai kryen ritualin e përvitshëm; hedh romuze për njërin, dhuron buzëqeshje për tjetrin dhe krijohet ajo atmosferë shlodhjeje dhe pajtimi, që ta imponon t’i lësh mënjanë hatërmbetjet e vjetra e t’i kthehesh me dëshirë një solidariteti që vetëm familja e madhe politike ta dhuron sipas motos “i joti mishin ta ha, po kockën ta ruan”.
Vetëm se prej disa ditësh, qarkulloi një pëshpërimë se festa do të anulohej. Ftesat u vonuan. Dhe paraditen e 12 qershorit konfimimi erdhi; festa është shtyrë për të enjten tjetër. Kryetari ka ikur në SHBA. Gëzimin e familjes së madhe socialiste e ka lënë për një sebep tjetër, të një familjeje tjetër akoma më të madhe; familjen sorosiste.
Dasma e Aleksit me Huma Abedin
Janë të rrallë ato shokë e shoqe socialiste që kanë dëgjuar për Huma Abedin, një amerikane e njohur si njeriu në hije pas Hillari Klinton, ndihmësja e saj më e besuar dhe më e heshtur. Huma, 49 vjeçe ka qenë e martuar me ish-kongresmenin Anthony Ëiener, që u përfshi në një skandal seksual me një të mitur 15-vjeçare, ngacmim që e çoi në burg, i dogji karrierën politike dhe i shkatërroi martesën.
E mbetur fillikat pas zhgënjimit nga ish-bashkëshorti, Huma gjeti shërim në krahët e Aleks Soros, të birin e bilionerit me origjinë hungareze Xhorxh Soros. Lidhja mes tyre u konsolidua shpejt dhe ata vendosën ta kurorëzojnë dashurinë me një dasëm në datën 14 qershor të këtij viti.
Aty ku “bilionerët e vjetër” takojnë “fuqinë politike”, është përshkrimi që mediat amerikane i japin në faqet e tyre kurorëzimit të çiftit që përbën sensacion për të dyja motivet. Detajet e dasmës kanë bërë kureshtarë mediat gossip, por jo vetëm.
Festë në pronat e miliarderit Soros
Screenshot
Është nga ato ngjarje që bën zhurmë edhe para se të ndodhë: dasma e Alex Soros dhe Huma Abedin të enjten, më 14 qershor në pronat e familjes Soros në Hamptons, po konsiderohet që tani qendra e një spektakli politik, social dhe mediatik që nuk ndodh çdo vit.
Huma Abedin, e cila e përshkruan marrëdhënien me Alex si “pak surrealiste”, ka thënë për Neë York Magazine: “Nuk kisha imagjinuar ndonjëherë se do të takoja dikë që i përshtatet kaq mirë me jetën time. Nuk kam nevojë t’i shpjegoj asgjë – dhe as ai mua.”
Ndërsa Soros ka reflektuar për periudhën e tij të beqarisë, kohën kur ka eksperimentuar dhe jep një deklaratë që e shpjegon afeksionin për bashkëshorten e ardhshme: “Nuk kisha qenë në një lidhje për një kohë të gjatë, thuajse 10 vjet apo diçka e tillë që nuk kisha një lidhje më shumë se 3-mujore. Dhe është hera e parë që kuptoj se kisha ngatërruar epshin me dashurinë”.
Prona e tyre, Hamptons është një megavillë 30,000+ metra katrorë në rrugën Old Toën. Siç përshkruan Galavante, ambienti është “çdo grimë aq luksoz sa tingëllon, me kopshte të rregulluara, pishinë, fushë tenisi, biblioteka private dhe një bodrum vere që do i bënte zili çdo somelieri”.
Vlera e pronës është rreth 14.5 milionë dollarë dhe ndodhet në Southampton. Ka dymbëdhjetë dhoma, një bibliotekë private, pishinë olimpike dhe një bodrum vere me standarde Michelin, çdo lëvizje është simbol i një tjetër niveli shoqëror.
“Me gjithë pemët e gjata dhe energjinë e qetë, kjo nuk është thjesht një shtëpi – është një deklaratë” shkruan portali. Ceremonia do të jetë private, por aspak modeste. Page Six shkruan se disa të ftuar do të vijnë me helikopterë privatë nga Manhattan, për të shmangur trafikun e lodhshëm për në Hamptons.
Lista e të ftuarve është e pakonfirmuar, por raportohet se do të ketë mbi 200 emra, përfshirë ambasadorë, senatorë, drejtorë fondacionesh globale dhe një numër të përzgjedhur personazhesh të famshëm.
Një burim për Daily Mail tha se shumë të ftuar do të qëndrojnë në hotele private dhe resort-e të rezervuara enkas, ndërsa një pjesë tjetër do të udhëtojë menjëherë pas ceremonisë drejt Europës për të vijuar festën në brigjet italiane të Positanos dhe Gjenevës.
Nga lista e të ftuarve është e konfirmuar që vjen Hillary, Bill dhe Chelsea Clinton me bashkëshortin e saj Marc Mezvinsky.
Nuk do të mungojë as Anna Wintour, drejtoresha legjendare e Vogue, që – sipas burimeve të Pagesix – ka ndihmuar personalisht Huma-n të zgjedhë fustanin e saj të dasmës.
Një mik i çiftit ka pohuar për Vogue se “është më shumë se një dasmë – është një moment politik”.
Dhe meqë përmendet Vogue, revista prestigjioze do të mbulojë në mënyrë ekskluzive të gjithë ceremoninë, nga ambientet e zbukuruara me lule sezonale te rruga e Abedinit drejt altarit. Do të jenë edhe Nicky Hilton dhe James Rothschild, që konsiderohen si “mblesët”, ata që kanë prezantuar çiftin Soros–Abedin në një festë në 2023.
Ende nuk është bërë publik dizenjuesi i fustanit të Huma-s, por thuhet se ai është “personalizuar me ndihmën direkte të Anna Wintour” dhe kushton mbi 250,000 dollarë.
Sipas burimeve për People, pas dasmës, çifti do të udhëtojë për një “muaj mjalti të dyfishtë” në Portofino dhe në Positano, ndërsa një festë e dytë më e përqendruar tek rrethi diplomatik dhe investitorë të fondacionit Open Society do të organizohet në Gjenevë.
Në rrjetet sociale, kritikët e familjes Soros e kanë cilësuar ceremoninë si “hipokrizi me fustan Oscar de la Renta”, ndërsa vetë Alex Soros është vënë në qendër të vëmendjes për deklaratat e tij për Izraelin, të cilat kanë ngjallur reagime të kundërta mes mbështetësve dhe kritikëve.
Përtej shkëlqimit të luksit, dasma është edhe një moment i shumëpritur për figurat kryesore të Partisë Demokrate, të cilët do të jenë të pranishëm jo vetëm për të festuar, por edhe për të diskutuar prapaskenat e një partie që po kërkon të kapë ritmin përballë presidencës Trump.
“Abedin, Clinton dhe Clooney janë kthyer në një triumvirat të ri të Partisë Demokrate,” raportoi Neë York Post, duke përmendur një takim të fundit të tyre në The Polo Bar në Manhattan, që është konsideruar një mini-samit strategjik me verë të bardhë.
Kuptohet se dasma shkon përtej ceremonisë martesore. Të ftuarit përbëjnë në vetvete janë një shfaqje force e të majtës amerikane, ndaj kush dëshiron t’i ruajë këto lidhje nuk do të guxonte të mungonte, as Edi Rama që me Sorosin ka një histori të gjatë bashkëpunimi në rrugën e pushtetit.
Konteksti politik për Edi Ramën
Rama mund të jetë nga të rrallët në dasmën e Aleks Soros që ka qenë edhe në dasmën e babait, Xhorxh Soros. Prania e tij në vitin 2013, në ceremoninë e bilionerit 83-vjeçar bëri bujë dhe koha tregoi se Soros ishte një mentor i konsolidimit të pushtetit të Ramës në vendin tonë.
Një rol shumë të rëndësishëm, bilioneri hungarez e luajti gjatë hartimit të reformës në drejtësi. Fondacionet e financuara prej tij u imponuan me një nuancë “amerikane” teksa hartoheshin ligjet e reja, duke e detyruar opozitën ta votojë në bllok në parlament.
Në një intervistë të vitit 2017, Rama i hodhi poshtë akuzat se pas dorës së zgjatur të bilionerit Xhorxh Soros tek reforma në drejtësi, ishte në fakt dora e tij që synonte kontrollin e drejtësisë së re.
“Në dijeni time Fondacioni Soros ka kontribuar me një mbështetje financiare për mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtesi. Kjo padyshim ka qenë diçka pozitive sepse ka lehtësuar disa shpenzime jo të vogla për ekspertizë. Ndërsa sa për “dorën e Sorosit” ndjej neveri kur shoh se si e kafshojne ata që deri dje e kane puthur jo një herë atë dore, Saliu in primis!” deklaronte Rama.
Megjithatë nga marrëdhënia me Soros, Rama nuk pati vetëm përfitime. Në vitin 2016, ai bëri një hap fals dhe u ofrua si kamikaz duke sulmuar publikisht në mes të fushatës kandidatin republikan Donald Trump në një intervistë në CNN.
Gafa, në të cilën Rama e quajti Trump “turp i civilizimit” i dedikohej kryesisht lidhjeve politike në radhët e Partisë Demokratike në SHBA dhe marrëdhënies me Xhorxh Soros, një armik i shpallur i Trump në fushatë.
Screenshot
Pas largimit të Trump nga Shtëpia e Bardhë, demokratët u rikthyen në Shtëpinë e Bardhe me Joe Biden, që i dhuroi një mbështetje të pakursyer pushtetit të Ramës, kryesisht përmes sulmeve të Yuri Kim ndaj opozitës, përmes shpalljes non grata të Sali Berishës apo me vlerësimet që mori publikisht nga ish-sekretari i shtetit, Entoni Blinken, i cili e quajti Edi Ramën një “udhëheqës të shquar” pas skandalit McGonigal.
Gjithsesi, gabimet e së shkuarës e mësuan të mbajë një pozicion të baraslarguar nga lufta politike në SHBA.
Në rrugën e Trump për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, Rama jo vetëm nuk u ofrua më si kamikaz, por bëri një përpjekje për të ndërtuar një marrëdhënie biznesi me Jared Kushner, dhëndrin e Trump dhe vajzën e tij, Ivanka për ndërtimin e një resorti luksi në ishullin e Sazanit.
Në fushatën e 11 Majit Partia Demokratike i bëri jehonë lidhjeve të Ramës me Soros dhe fijet që tërhoqi në administratën amerikane për të kapur drejtësinë në Shqipëri. Efektet e kësaj u ndjenë në marrëdhëniet me Aleks Soros, me të cilin u duk sikur pati një krisje, një distancim që mund të shpjegohej vetëm me erërat e reja që po fryjnë në SHBA.
Shembulli më flagrant i këtij ngërçi ishte fakti se Edi Rama fshiu nga rrjetet sociale fotot me Aleks Soros, njeriun që deri dje e quante “vëllaçko”. Burgosja e Erion Veliajt shënoi një tjetër prapakthehu, por dëmet nuk paskan qenë të pariparueshme.
Ftesa për në dasëm ka mbërritur në Tiranë dhe Rama nuk e ka menduar dy herë për të shtyrë festimet e Partisë Socialiste.
Në një kontekst tjetër socialistët e përdhosur dhe të braktisur mund të ishin ndjerë të fyer, të irrituar, të revoltuar nga kjo ikje e kryetarit në dasëm.
Por pas 12 vitesh në pushtet, vlerat dhe bindjet politike të asaj që dikur ishte një parti me aspirata të majta janë kalbur. Historia, simbolikat, traditat ruhen ende si fasadë, por për të maskuar një organizate tjetër, që funksionon sipas një kodi apolitik. Kjo organizatë fshihet pas petkut të PS dhe nuk mbahet me bindje ideologjike, por vetëm me veprime pragmatike, për të arritur pushtetin, mirëqënien, tenderat, vendet e punës, rrogat etj./Lapsi.al
Gjatë garës elektorale për një vend në Kuvendin e Shqipërisë, Ina Majko, përfaqësuesja e vetme nga komuniteti rom në listën e Partisë Socialiste, postoi në faqen e vet në Facebook një video satirike të mikut të saj, aktorit Alex Seitaj. Në videon mbështetëse, Seitaj luan rolin e nënës së tij dhe në një moment i […]
Deputeti i Partisë Socialiste Plarent Ndreca, i cili është në gjykim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit tër Organizuar – për abuzim me tenderat në kohën kur ishte Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ka ndërmarrë të enjten një sulm publik ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) se ka refuzuar të […]
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, të moderuar nga Nisida Tufa, deputeti jetëgjatë i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i zgjedhur rishtaz që nga viti 1996, u shpreh se dashje pa dashje pas fitores bëhesh arrogantë.
Braçe u shpreh gjithshtu se PS duhet të ndryshojë veten në katër vitet e ardhshme qeverisje, të ketë një qasje që të jetë sa më afër në shërbim të njerëzve, duke dëgjuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve.
“Nuk i shoh ato që thotë Berisha, jam i angazhuar në analizën tonë te zgjedhjet. Nuk e prisja që në Njësinë 5 këtë rezultat, prisja më shumë vota, pavarësisht se kemi pasur rritje” – tha Braçe.
Nisida Tufa: Ju si pozitë dhe PS, e patët më të lehtë për të fituar?
Erion Braçe:Problemi ynë nuk është opozita, jemi ne vetë. Nëse ne nuk korrigjohemi dhe nuk kemi një qasje të përulur, jo arrogante, në raport me njerëzit, sepse në disa raste jemi arrogantë, nuk mund të përmisohemi. Nga unë i pari, deri ata që janë në krye, nganjëherë kemi qasje arrogante, ju del natyrshëm, edhe pse mundohemi të përmbahemi. Por nuk është ky thelbi i qeverisjes. Mendoj se qeverisja ka qenë bashkëpunuese dhe e përkushtuar e kështu me radhë, siç ka edhe të meta, që patjetër duhen korrigjuar, duhen të jetë thuajse zero në këtë mandat. Ky manadat, që është marrë me kaq shumë vota, duhet të shërbejë që të jemi gjithnjë e më shumë të përulur, në punë dhe të përkushtuar përballë problematikave, qoftë edhe një njeriu të vetëm. Mbit ë gjitha, ky mandat duhet të shërbejë për të dëgjuar shumë e për të vepruar akoma edhe më shumë në raport me njerëzit.
Nisida Tufa: Çfarë duhet të ndryshojë PS?
Erion Braçe: Veten. Pas 12 viteve në pushtet patjetër që është e domosdoshme të ndryshosh veten. Jo thjesht dhe vetëm si individë, sepse mund të ndryshosh deputetët apo drejtuesit e partisë në nivel qendror e lokal, mund të ndryshosh kryetarët e bashkive, gjithashtu edhe ministrat, por nuk ndryshon qasjen në raport me njerëzit. Ajo që duhet të ndryshojë është qasja. Arroganca duhet të shkojë në zero dhe përkushtimi duhet të shkojë në 100%.
Nisida Tufa: Çfarë ka bërë keq deri tani Partia Socialiste?
Erion Braçe: Do thoja vetëm çfarë duhet të bëhet më mirë. Lufta kundër korrupsionit duhet bërë akoma më mirë. Është thelbësore që qytetarit i mungojnë shërbime publike dhe të mira, ajo që nuk meritojnë është korrupsioni. Kemi bërë një hap të madh dhe kemi lënë drejtim të veprojë drejtësinë, kemi hequr çdo lloj mburoje politike për çdo anëtar të PS në secalin nivel të qeverisjes dhe I kemi lënë të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë nëse kanë një akuzë penale. Kjo është një qasje që më herët nuk ka ekzistuar në Shqipëri. Është një gjë positive që po ndodh në këtë vend. Ama, kjo është vetëm drejtësia penale, ajo që neve na intereson është drejtësia sociale, që buron në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mënyra se si ti e ushtron pushtetin.
Nisida Tufa: Sa e ka goditur SPAK famijen tuaj politike?
Erion Braçe: Në çfarëdo shkalle të jetë tronditja jonë, është shumë më i madh përfitimi i qytetarëve. Ne nuk e kemi bërë drejtësinë e re thjesht për të vënë para përgjegjësisë një ministër, një deputet, president po do, kryeministër apo kështu me radhë. Nuk është hakmarrje pë rata që në kohë të ndryshme kanë gjynahe për mënyrën se si kanë qeverisur dhe i kanë borxhe qytetarëve. Pra, duhet të shihet si proces ku përfitojnë qytetarët, jo një process që trondit PS, trondit Qeverinë apo kështu me radhë. Duhet të çlirohemi nga historia, ja u fut edhe ai në burg. Shikoni se sa ka përfituar siguria publike nga goditja e krimit të organizuar në Shqipëri.
Erion Braçe do të vijojë të jetë deputet i Parlamentit shqiptar, pasi ishte i dyti më i votuar në listën e hapur të PS në Tiranë. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të moderuar nga Nisida Tufa, Braçe pohoi se për shkak të sistemit që garohej edhe brenda partisë, ka humbur miq.
Sipas Braçes, “të promovosh veten, është një gjë krejt legjitime, por që të shash tjetrin, sidomos brenda një partisë, nuk është normale, prandaj unë këtë sistem nuk e dua edhe për këtë arsye”.
Nisida Tufa: Si ishte fushata dhe gara kësaj here?
Erjon Braçe: Lista e hapur ishte një garë e dyfishtë, një garë me opozitën në radhë të parë, por edhe një garë brenda pjesës tënde, brenda partisë tënde. Nëse e para është tradicionale, kjo e dyta patjetër që është e vështirë, veçanërisht për mua, sepse e kam parim që nuk dua të humb miq e shokë për një garë elektorale. Në të dyja aspektet u bë e vështirë, edhe për faktin se opozita nuk ishte inekzistente që thuhet. Në një njësinë 5 ishte i gjithë spektri i opozitës. Në krahun tjetër, ishin kolegët që kishin katër vjet në zonë, një pjesë edhe më shumë se katër vite, ndërsa unë kisha vetëm 2 muaj e pak ditë. Unë nuk kisha kohë për të njohur Tiranën, jo më për të bërë fushatë, pavarësisht se jetoj në Tiranë, por kam qenë i fokusuar në zonën time elektorale (Divjakë).
Nisida Tufa: Si e përjetuat kur e morët vesh që ishit në listë të hapur?
Erjon Braçe: Secili prej nesh duhet të mbajë barrë brenda partisë së tij. Duhet të mbaja peshë. Dy shqetësime kam pasur. E para, ndarja shumë paqësore me Divjakën. Meraku i dytë ishte koha e pamjaftueshme. Lista e hapur apo e mbyllur nuk ka qenë fare problem.
Nisida Tufa: Nuk e ndjetë garën mes kolegësh?
Erjon Braçe: Patjetër që sfidën e ndjeva, por meraku më i madh ishte mos humbja e miqve në këtë histori. Nga Divjaka në Tiranë kam humbur miq. Nuk ka triumf në politikë, mund ta fitosh një garë, por pas një jave mund të humbësh popullaritetin. Nuk ka triumfator në politikë. Ke bërë një garë, ke marrë një kontratë pune dhe shkon në punë. Pra, unë nuk e kam problem garën, edhe brenda partisë. Të promovosh veten, është një gjë krejt legjitime, por që të shash tjetrin, sidomos brenda një partisë, nuk është normale. Prandaj unë këtë sistem nuk e dua edhe për këtë arsye.
Nisida Tufa: Keni patur zhgënjimet e tua lidhur me këtë?
Erjon Braçe: Patjetër që kam pasur. E thashë, përderisa kam humbur miq. Nuk kanë rëndësi emrat. Kjo është është e imja, është personale. Patjetër që ndikoi në fushatë sepse të destabilizon. Të vijnë fjalë të tipit: çfarë do me atë, ai nuk zgjidhet deputet, atë nuk e do Rama, nuk i merr dot votat. Kemi qenë aty, kemi luftuar bashkë, i kemi dalë në krah njëri-tjetrit, për çfarë e bën, për një vend deputeti?
Nisida Tufa: Patët komunikim me Kryeministrin?
Erjon Braçe: Po, komunikimi ka qenë vetëm për punën. Normalisht ky ka qenë shqetësimi. I dyti është pikërisht atë që thashë: nuk jam mësuar të kacafytem me njerëzit. Ka bërë edhe ai ndërhyrjen e vet, siç janë bërë edhe publike. Mora një urim për fitoren, sipas stilit të tij, kuptohet: Hajde urime, se na çmende! Unë nuk ndihem fitues se jam unë, por ndihem fitues se është PS-ja.
Bamir Topi parashikon se PD do të drejtohet nga Sali Berisha për një kohë të pacaktuar. Në “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ish-kreu i shtetit tha se Berisha nuk do të heqë dorë nga PD-ja. Këtë tezë të tij Topi e argumenton me mënyrën se si u ndërtuan listat e mbyllura të PD-së, duke shkelur rregullin që ishin primaret ato që përcaktonin.
Topi tha se Berisha e dinte që do të ishte në opozitë edhe pas 11 majit.
“Këta njerëz janë zgjedhur (në listën e mbyllur) për të garantuar opozitë të qëndrueshme në Parlament. Ai (Berisha) ka qenë i bindur që do të ishte në opozitë”, tha ai.
Ish-Presidenti i Republikws shkoi edhe mw tej kur tha se Edi Rama i konsideron tw fituara edhe zgjedhjet e 2029-ës, konstatim të cilin ai e mbështet në një argument të vetëm. “E kemi bërë këtë analizë për situatën e Shqipërisë në vitin 2030. Këtu kam qenë kur të kam thënë zgjedhjet janë në 2025, ku është 2029-a që ai nuk e përmend? Ai tregon që e ka në xhep. Pse e ka në xhep? Sepse e ka të thjeshtë, rezultati përcaktohet në tavolinë sepse i tillë është sistemi. A ka anomali më të madhe që ti merr vota të duash dhe përkthehen në një mandat ose nuk përkthehen fare. Është anomali”, vijoi Topi.
Intervista në “Kjo Javë”
Nisida Tufa: Ju tha që Berisha nuk është i dëshpëruar por ka një vetëkënaqësi. A shihni ju ndonjë gjasë të afërt apo pak më larg që Berisha mund ta lërë kryetarin e PD dhe dikush tjetër të marrë drejtimin?
Bamir Topi: Jo. Me aq sa e njoh unë kjo nuk ndodh.
Nisida Tufa: Çfarë mund t’i sjellë Berisha PD-së nëse nuk ndodh?
Bamir Topi: Unë nuk shkoj me hipoteza në gjëra kaq të rëndësishme. Do më çosh në krahasime që edhe unë do të pendohem pas emisionit nëse do t’i them. Krahasimin do ta bëja me çfarë ndodh në botën biologjike të njeriut sepse aty i kam krahasimet ndoshta më të vërteta të cilat transkriptohen pastaj në botën politike. Është një e keqe e madhe e demokracisë. Për mua janë të dy, duhet të jem ekuivalent në përcaktim, për mua janë të dy. Tani, njëri nuk gjykohet sepse ai vazhdon dhe vazhdon të fitojë.
Nisida Tufa: Kështu i bie që Rama të jetë gjithnjë në pushtet pas 2025-ës edhe në 2029 e përtej?
Bamir Topi: E kemi bërë këtë analizë për situatën e Shqipërisë në vitin 2030. Këtu kam qenë kur të kam thënë zgjedhjet janë në 2025, ku është 2029-a që ai nuk e përmend? Ai tregon që e ka në xhep. Pse e ka në xhep? Sepse e ka të thjeshtë, rezultati përcaktohet në tavolinë sepse i tillë është sistemi. A ka anomali më të madhe që ti merr vota të duash dhe përkthehen në një mandat ose nuk përkthehen fare. Është anomali.
Nisida Tufa: Për listat e hapura çfarë solli kjo fushatë? Kanë dalë në pah emrat e caktuar më të votuarit si për opozitën dhe mazhorancën. Çfarë sollën këto lista të hapura?
Bamir Topi: Unë para se të dal te listat e hapura, do të qëndroj shumë pak te listat e mbyllura. Listat e mbyllura ishin pjesë e një pazari tjetër dhe vinte nga një koshiencë e brendshme e atyre që bënë pazarin. Janë njerëz të diskredituar në publik dhe dalja e tyre në një terren të hapur, në shkallëzimin sipas votave të marra do të ishin të diskredituar sepse njerëzit nuk i duan. Historia e listave të hapura është historia e njerëzve të cilët nuk kanë bekimin e kryetarëve të partisë. Ata ishin të votuar në primare, u thye një rregull i brendshëm i partisë.
Nisida Tufa: Alimehmeti e ka me sa duket bekimin e Berishës… Berisha po e mbështet që të marrë mandatin…
Bamir Topi: Ky është momenti post factum. Unë po flas për momentin kur bëhen listat dhe vendosen rregullat e lojës. Ai ishte ndër më të votuarit e primareve dhe duhet të ishte në listë të mbyllur, jo për të garantuar vendin e tij në Parlament, por për të garantuar rregullin që e ke vendosur vetë. Nëse thyen rregullin dhe bën sikur e mbështet është post factum. Primaret që zhvillon PD janë gjithmonë autogol. Primaret zhvillohen në një subjekt politik që ka demokraci, ku vota e anëtarëve apo simpatizantëve, përkthehet në një rezultat. Por nëse këtë e kontrollon besniku i kryetarit, çfarë sensi kanë primaret? Vazhdon të na ndjekë ai rregulli i hipokrizisë që vendosim në fillim të emisionit.
Nisida Tufa: Çfarë përfaqësojnë sot besnikët e Berishës të listës së mbyllur?
Bamir Topi: Këta njerëz janë zgjedhur (në listën e mbyllur) për të garantuar opozitë të qëndrueshme në Parlament. Ai (Berisha) ka qenë i bindur që do të ishte në opozitë. Mënyra se si u luajt, për mua ka nxjerrë nga lista e kompeticionit politik në Shqipëri, pothuajse të gjitha partitë që morën pjesë në koalicionin humbës të Sali Berishës. Për më tepër 2-3 kryetarë partish zgjodhën të ishin në listën e hapur dhe morën një rezultat dramatik, që do të thotë se nuk u lejon atyre moralisht që të rikthehen politikisht në krye të partive. Ka një anomali gati totale të opozitës e cila sot përkthehet në një anomali institucionale të opozitës, sepse janë atje bashkërisht.
Nisida Tufa: Berisha tha nuk do të heq dorë deri në shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve dhe do t’ia dal. Po këto deklarata, sipas jush në kuadrin e hipokrizisë janë?
Bamir Topi: Absolutisht që po. Unë e kam vendosur tashmë diagnozën, nuk ndryshon. Niveli i hipokrizisë duhet të vlerësohet, për mua është kthyer në poshtërsi. Unë e kam mbyllur diskutimin për këtë pjesë. Ai mban këtë lloj linje për të garantuar ata njerëz që nuk janë në gjendje të kenë një ndërgjegje politike për të parë, “ore çfarë dua unë me këtë njeri”, “me këtë subjekt politik”, që në mënyrë konstante na mashtron dhe në fund ja ku jemi.
“Pazari vazhdon”! Kështu shprehet ish-Presidenti Bamir Topi teksa analizon zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke ngritur dyshime për një pakt të heshtur mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ai solli në vëmendje bashkimin e votave të përfaqësuesve të PS dhe PD në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve ku u rrëzuan kërkesat e 4 kandidatëve të PD për rinumërimin e votave nominale. Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha pretenduan për parregullsi dhe vota të devijuara tek kandidatët e tjerë. Vendimin e KAS, ish-kreu i shtetit Bamir Topi e quan si vijim të pazarit mes Ramës dhe Berishës.
Pjesë nga intervista
Nisida Tufa: A ishte inspirues programi i PD, për të thithur elektorat dhe për të marrë votë? Bamir Topi: Dëshiroj ta shpjegoj, por kam frikë se nuk do të kuptohem. Disa e kuptojnë. Këtu është çështja e një dominanti. Kush është dominanti? Pra, cili është dominanti, programi, jeta politike e një partie, apo dominanti se çfarë këta të dy kanë gatuar? Zgjidh ti emrin e një personaliteti me famë botërore, sille në Shqipëri të futet në zgjedhje me këtë kod elektoral, të jesh i sigurt që do të largohet i turpëruar. Pra, jo këta të dy, Edi Rama dhe Sali Berisha janë koshientë për çfarë kanë bërë. E pe çfarë ndodhi dje për ta bërë më konkrete historinë, disa zëra që vijnë nga PD që kërkojnë të rilexohet rezultati, praktikisht u rrëzuan me vota të përbashkuara të PS dhe PD në KAS. Pra, pazari vazhdon. Në rast se do të ishte titulli i një editoriali për të dhënë fizionominë e zgjedhjeve do të ishte: “Pazari vazhdon”! Dhe kur pazari vazhdon dhe dikush është në mandatin e 4-ët dhe dikush në disfatën e radhës, unë them që ky i dyti që është në disfatë e mirëpret sepse ka marrë monopolin e opozitës. Ju mendoni se është i dëshpëruar? Prandaj them unë që ka hipokrizi.
Nisida Tufa: Konferenca për shtyp çdo ditë, rreth mesditë, për zotin Berisha dhe nxjerrë të denoncimeve me zë dhe figurë se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj fushate dhe procesit zgjedhor. Si i lexoni këto denoncime zoti Topi?
Bamir Topi: Hipokrizi. I gjithë lajtmotivi i kësaj bisede kur flasim për opozitën, është hipokrizi e liderit të PD. Nëse do të ishte i vërtetë do të ishte inkurajuar dje në KAS që t’i jepte zë deputetëve që ankohen për vjedhje votash. Fenomeni i vjedhjes nuk vjen vetëm nga partia tjetër, por edhe brenda për brenda. Hipokrizia duhet të përfundojë. Këto zëra publikë që dalin i japin mundësi që njerëzit të vijnë në vete, të vijnë në terezi. Por nuk shkon në çdo lloj analize që të bësh, në 35 vjet vazhdimisht duke u ankuar pas çdo zgjedhje dhe para zgjedhjeve thotë që ne do të garantojmë votën. Kë të besojmë? Është ndonjë aktivitet promocional ky, tregtar që i bën reklamë një malli dhe pastaj ikën dhe zhduken? Jo, nuk shkon më kjo histori.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat u shpreh se zgjedhjet nuk ishin të lirë por janë blerë. Berisha denoncoi si në disa qendra paralele të vendosura pranë qendrave të votimit, zyrtarë të lartë të PS-së organizuan dhe drejtuan procesin e blerjes së votave në zgjedhjet e 11 majit.
“Mercenarë të paguar bëjnë çdo gjë që të justifikojnë dhe t’u servirin shqiptarëve farsën elektorale si proces zgjedhor. Këta, edhe njëherë, në minimum mercenarë, që nxijnë letra, shkrime, artikuj dhe të tjerë, janë mashtrues kongenitalë dhe falsifikatorë të paskrupullt. Ata duan të paraqesin, duan të gjejnë në universin e farsës, ishuj në të cilët pretendojnë se ishte paqja në zgjedhje. Këtu do paraqes pak qendrat paralele elektorale me qendrat e votimit të PS, ku zyrtarë të niveleve të larta, qëndrojnë të fshehur, klandestinë, për të drejtuar operacionin e trenit bullgar dhe paguar votat që blejnë. Zyra sekrete pa asnjë shenjë elektorale, në të cilën tentojnë të fshihen prapa xhamit. Ikën me çantën me dokumente. Kjo, Enkelejda Ymeraj, drejtoreshë qendrore e inovacionit. Me kapuçon se kërkon të maskohet. Një kriminele me detyra të larta. Dhe si ia mbathin, shikoni si ikin… Kjo duket si Kokona, po nuk di nëse është ajo apo ndonjë tjetër. Famozja Kokona.”, tha Berisha.
Më 11 maj, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat rezultuan në një fitore dërrmuese për Partinë Socialiste (PS) në pushtet, të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013. Sipas rezultateve, PS mori 52.3% të votave dhe siguroi 83 vende në parlamentin me 140 anëtarë. Koalicioni më i madh i opozitës, i udhëhequr nga Partia Demokratike (PD) nën Sali Berishën, mori 33.8% të votave dhe fitoi 50 vende. Tre deputetë do të përfaqësojnë Partinë Social Demokrate (PSD). Tre grupe të reja anti-establishment hynë gjithashtu në parlament: partia liberale “Mundësia”, e cila fitoi 2 vende, si dhe koalicioni qendror “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë” e krahut të majtë, secila prej të cilave siguroi nga një vend.
Pjesëmarrja në votime ishte 42.3%, gati 5 pikë përqindjeje më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme, duke reflektuar një mosangazhim politik në rritje. Për herë të parë, diaspora ishte në gjendje të votonte me postë; 245 000 njerëz u regjistruan për ta bërë këtë, kryesisht në Itali dhe Greqi. Misioni vëzhgues i OSBE-së dhe Parlamentit Evropian arriti në përfundimin se kontrolli i Partisë Socialiste mbi sektorin publik dhe median i dha asaj një avantazh të konsiderueshëm ndaj rivalëve të saj. Misioni gjithashtu dokumentoi parregullsi të shumta në votim.
Pavarësisht skandaleve të shumta të korrupsionit dhe një rritjeje të ndjeshme të kostos së jetesës – që prek veçanërisht më të varfrit – Partia Socialiste përmirësoi ndjeshëm performancën e saj krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Kjo tregon konsolidimin e një sistemi klientelist dhe ka të ngjarë të rezultojë në një centralizim të mëtejshëm të pushtetit në duart e Edi Ramës.
Komenti
Boshti kryesor i konfliktit politik, si dhe vetë fushata zgjedhore, u soll rreth rivalitetit personal midis udhëheqësve të dy partive kryesore: Edi Rama (Kryeministër që nga viti 2013 dhe ish-Kryetar Bashkie i Tiranës nga viti 2000 deri në vitin 2011) dhe Sali Berisha (President nga viti 1992 deri në vitin 1997 dhe Kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013). Të dy figurat mbështeten nga rrjete oligarkike dhe kriminale që konkurrojnë për ndikim ekonomik dhe politik. Sistemi zgjedhor favorizon partitë e mëdha, të cilat, të kombinuara me strukturat klienteliste të rrënjosura, pengojnë shfaqjen e çdo formacioni alternativ të aftë për të sfiduar dominimin e establishmentit të vjetër. Përpjekjet e partive të reja parlamentare për ta drejtuar fushatën drejt çështjeve në axhendën politike të partive, masave të vërteta kundër korrupsionit dhe reformave që synojnë përmirësimin e standardeve të jetesës, rezultuan kryesisht joefektive.
Rezultatet konfirmuan dominimin e PS-së, e cila vazhdon të fitojë zgjedhje të njëpasnjëshme duke kapur institucionet shtetërore – duke i lejuar asaj të ushtrojë presion mbi punonjësit e sektorit publik – dhe duke ruajtur kontrollin mbi median. Për më tepër, ajo ka zgjeruar rrjetet e saj të ndikimit në diasporë dhe ishte e vetmja parti me burimet e nevojshme për të zhvilluar një fushatë jashtë vendit. PS nuk u prek ndjeshëm nga arrestimi parazgjedhor i figurës së shquar të partisë Erion Veliaj, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, as nga akuzat për korrupsion kundër ministrave nga radhët e saj, përfshirë ata përgjegjës për shëndetin dhe mjedisin. Edhe ikja jashtë vendit e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për të shmangur arrestimin nuk e dëmtoi pozicionin e saj.
Rezultati i arritur nga Partia Demokratike (PD) në opozitë mund të konsiderohet një sukses relativ, duke pasur parasysh gjendjen e dobësuar të partisë për shkak të luftërave të brendshme për pushtet dhe akuzave për korrupsion kundër udhëheqësit të saj. Ai, së bashku me anëtarët e familjes së tij, është sanksionuar si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Mbretëria e Bashkuar për përvetësim të fondeve publike dhe përpjekje për të ndikuar në gjyqësor. Berisha e modeloi fushatën e tij sipas asaj të Donald Trump, madje duke punësuar ish-këshilltarët e presidentit amerikan. Ai e portretizoi veten si viktimë të establishmentit vendas dhe Partisë Demokratike të SHBA-së. Ka të ngjarë që, ashtu si në të kaluarën, PD do të sfidojë integritetin e procesit zgjedhor.
Slogani kryesor i fushatës së Ramës ishte një premtim për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Evropian gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar. Megjithatë, ky qëllim është jorealist për shkak të kapacitetit të kufizuar administrativ të institucioneve shtetërore, të cilat janë kapur nga partia në pushtet. Shqipëria filloi negociatat e pranimit në vitin 2022 dhe deri më tani ka hapur 3 nga 6 grupet negociuese. Një sukses i dukshëm, nën presionin e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, ishte krijimi i një organi të pavarur kundër korrupsionit dhe ndjekjes penale të krimit të organizuar (SPAK), i cili ka rezultuar efektiv në hetimin e figurave të larta politike.
Megjithatë, korrupsioni i përhapur dhe krimi i organizuar mbeten ndër sfidat më urgjente të Shqipërisë, dhe SPAK përballet me kritika nga të dy forcat kryesore politike. Vetë Rama ngurron të zbatojë reforma që synojnë forcimin e pavarësisë institucionale dhe profesionalizimin e shërbimit civil, siç kërkohet nga BE, pasi reforma të tilla do të dobësonin kontrollin e partisë në pushtet.
Qeveria e re pritet të vazhdojë kursin e saj aktual të politikës së jashtme, duke ruajtur marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin dhe duke avancuar integrimin në BE, duke përfituar nga mbështetja e të dy shteteve anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të fituara për shkak të marrëveshjeve të favorshme për këta partnerë – siç është marrëveshja me Italinë për zhvendosjen e migrantëve në Shqipëri – dhe imazhin e saj si një aleat i qëndrueshëm perëndimor në Ballkan, me një orientim të fortë pro-atlantik dhe të lirë nga konfliktet dypalëshe ose të brendshme etnike.
*Autorja është e diplomuar në Universitetin e Varshavës. Ajo është anëtare e stafit të Qendrës për Studime Lindore që nga viti 2008. Ajo bashkëpunon me një numër fondacionesh ndërkombëtare aktive në Poloni (përfshirë Fondacionin Friedrich Ebert dhe Fondacionin Polak Robert Schuman) dhe shumë grupe ekspertësh nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Lektore në Universitetin e Varshavës, Akademinë Diplomatike dhe Kolegjin e Evropës në Natolin.
Ka përfunduar pas 15 minutash seanca plenare në Kuvend .
Seanca u karakterizua nga tone të ashpra dhe akuza të ndërsjellta mes kreut të PD Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.
Berisha akuzoi maxhorancën se ka manipuluar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit me ndihmën e karteleve të drogës dhe parave të ardhura nga bota e krimit.
Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në fazën aktive të stërvitjes ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 25”, një ndër operacionet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në hapësirën euroatlantike. Duke shërbyer si një nga vendet pritëse kryesore Shqipëria merr një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë kolektive dhe në rritjen e gatishmërisë së përbashkët ushtarake.
Për këtë zhvillim, Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi rëndësinë strategjike të vendit në këtë operacion të madh:
“Ka nisur zyrtarisht në orët e para të mëngjesit stërvitja shumëkombëshe ‘Defender Europe ‘25’
Kjo stërvitje ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit, zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA-së (EUCOM), në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s
Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara
‘Defender Europe ‘25’ synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantik”
Fitorja e socialistëve në zgjedhjet e majit në Shqipëri nuk ishte aspak surprizë; megjithatë, pak veta mund ta imagjinonin se demokratët do të humbisnin kaq keq. Partia Demokratike fitoi 50 nga 140 vendet e parlamentit, shumë larg socialistëve të kryeministrit Edi Rama, të cilit me 83 vende, i duhet vetëm një shumicë e madhe për […]
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme që PD-ja pas luftës për paraqitjen ndërkombëtare të farsës pas zgjedhjeve, do bëjë të gjithë diskutimet e brendshme për të gjittë problematikat, defektet, të metat e gabimet. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se përgjimet që kanë ardhur tregojnë për darkat dhe drekat që shtronte Edi Rama me Pojën dhe Ergys Agasin me verërat 30-40 mijë euro shishja. Ndër të tjera Berisha tha se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën.
“Isa, jo vetëm pas farsës, por në çdo kohë dhe në çdo moment, unë kam vetëdijen time se jashtë teorisë së gabimit nuk del askush. Dhe të jeni të bindur ju, se PD pas luftës për paraqitjen ndërkombëtare të kësaj farse, pa diskutim që do bëjë të gjithë diskutimet e brendshme për të gjittë problematikat, defektet, të metat, gabimet, etj. Vetëm një gjë, do t’i marrim me hierarkinë e vlerave dhe koncepteve. Farsa nuk fitohet nga opozita. Çfarë do që të bëjë opozita, opozita nuk e ndalon dot qeverinë që të falë 200 milionë euro gjoba.
Çfarë do që të bëjë opozita, opozita nuk e ndalon do qeverinë që të bëjë dhuratë 100 euro për 760 mijë pensionistë. Çfarë do që të bëjë opozita, opozita nuk e ndalon do qeverinë që të shpërndajë miliona rrënjë kanabis për t’u mbjellë, të cilat në vetvete përbëjnë një potencial të tmerrshëm blerës në katër anët e vendit. Një rrënjë kanabis vlerësohet 1 mijë euro. Çfarë do që të bëjë opozita, opozita nuk mund të arrestojë as Elvis Doçin dhe as Suel Çelën. Por opozita i ka denoncuar me zë dhe figurë në mënyrën më të fuqishme. Opozita e ka bërë punën e vet duke garantuar një rezolutë ndërkombëtare të paprecedent, që i shpall këto zgjedhje farsë pa u zhvilluar.
Duke zhvilluar një hearing të paprecedent në Parlamentin Europian në mes të fushatës zgjedhore. Por opozita farsën nuk mund ta fitojë. Opozita fiton zgjedhjet. Opozita duhet të gjykohet nëse fiton apo jo zgjedhjet. Kurse farsat jo, farsat janë piramidë mashtrimi e qeverisë. Mjafton të lexosh kapitullin për median, është kapitulli më i trishtuar. Kur shkruhet për autocensurën, ai është një fatalitet për vendin. Këtë e imponon regjimi. Njeriu nuk e do autocensurën, por ajo imponohet nga regjimi. Këtu është një strukturë e përbashkët shtet-krim, janë një këta.
Tani më thotë se ato përgjimet që kanë ardhur, tregojnë për darkat dhe drekat që Edi Rama shtronte me Pojën dhe Ergys Agasin me verërat 30-40 mijë euro shishja. Pse ti kujton se do i marrësh vesh ndonjëherë nga Altin Dumani këto? Kurrë. I pastroi ai ato. I cili u faktua se çfarë është. Si të mos i arrestonte ai ata kur i solli Italia? Nuk i arrestoi sepse ishte gjenerali elektoral i krimit. Ja pra, po bëjmë një punë, por njerëzit nuk duhet të mashtrohen. Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka,” tha Berisha.
Një ditë përpara se shqiptarët t’u drejtoheshin kutive të votimit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi nxorri një urdhër të prerë për partitë politike: ‘ndaloni fushatën’. “Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve urdhëron respektimin e plotë të heshtjes zgjedhore, e cila ndalon çdo lloj fushate apo thirrjeje elektorale, përfshirë edhe atë në rrjetet sociale,” shkroi KQZ në […]
Në legjislaturën e re parlamentare që nis në shtator, pritet që të ulen 50 deputete gra që fituan mandatin në zgjedhjet e 11 majit, pas garës së realizuar prej tyre në listat e mbyllura dhe të hapura. Numrin më të lartë të përfaqësimit e ka Partia Socialiste me 35 gra të zgjedhura nga 83 deputetë […]