Shqipëria mes flakëve
Shqipëria është përfshirë nga zjarre të mëdha ditët e fundit. Situata paraqitet e vështirë në disa zona ku janë urdhëruar shpërngulje teksa të paktën një person ka humbur jetën.
Zjarret dolën nga kontrolli në Gramsh pasditen e së martës dhe po kështu ditën e sotme duke nxitur autoritetet të largonin banorët e tetë fshatrave: Nartë, Skënderbegas, Kullolas, Bletëz, Menkollarë, Ërmenj, Harunas dhe Zenelas.
Në mbrëmje situata u bë kritike edhe në Delvinë, ku u urdhërua gjithashtu largimi i banorëve. Njësoj, në Poliçan u urdhëruan edhe banorët e fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit.
Sipas Ministrisë së Brendshme, pesë helikopterë janë angazhuar për shuarjen e flakëve, tre në Gramsh, dy në Delvinë.
Ministria e Mbrojtjes raportoi të mërkurën për 10 mijë forca në terren duke u përballur me 24 vatra aktive zjarresh të 24 orëve të fundit.
Shqipëria në flakë
Temperaturat e larta dhe thatësia e gjatë e kësaj vere ka ndihmuar në përhapjen e zjarreve, ku në disa raste ato kanë qenë edhe të qëllimshme.
Vatrat e para u raportuan më 12 qershor në Qeparo, pasuar nga mali i Krastës më 18 qershor.
Vetëm gjatë atij muaji, sipas ministrisë së Mbrotjjes pati 134 raportime zjarresh në të gjithë vendin: Tiranë, Durrës, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.
Në korrik, numri u trefishua në 373 dhe prirja e lartë e zjarreve vijoi edhe gjatë muajit gusht, favorizuar edhe nga temperatura ekstreme mbi 40 gradë celsius.
Deri të mërkurën, 13 gusht, situata u cilësua kritike me rreth 210 vatra zjarri, ndërsa pati edhe një viktimë në fshatin Skënderbegas, ku zjarri dogji edhe shtëpi.
Ministri i Brendshmëm Ervin Hoxha deklaroi se gjatë muajit gusht ka pasur 59 zjarre të mëdha dhe 961 të vogla.
Kodi Penal në fuqi, përkatësisht neni 206/a parashikon 5 deri në 8 vite burg për shkatërrimin me dashje përmes zjarrit, të fondit pyjor dhe çdo njësie të ngjashme me të, me pasoja të rënda materiale.
“Ndërkaq, kur vënia e zjarrit të qëllimshëm ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit, dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg”, thuhet në Kodin Penal.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2025, deri më tani policia ka proceduar 120 persona për zjarrvënie të qëllimshme dhe ka arrestuar vetëm 21 persona.
Shqipëria pa kapacitete për parandalimin e zjarreve
“Janë rreth 10 mijë forca të angazhuara në terren”, u shpreh Ministri i Brendshëm Hoxha të martën nga Gramshi, ndërsa ishte në ndjekje të situatës së renduar nga zjarret.
Përpos premtimeve për të zgjeruar kapacitete për emergjencat civile, Shqipëria nuk ka në dispozicion avionë për fikjen e zjarreve. Në terren janë vetëm zjarrfikësit dhe skuadrat e emergjencës, të cilat vuajnë nga mungesa e mjeteve dhe veshjeve të duhura.
Edhe këtë vit, Shqipëria është mbështetur në Mekanizmin Evropian, duke marrë ndihmë përmes avionëve “Canadair”, të posaçëm për fikjen e zjarreve.
Ky shqetësim është përcjellë edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një komunikimi në rrjetin social Twitter e relativizoi situatën me vendet e tjera fqinje.
“Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, […] i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se çdo vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?”, u shpreh Kryeministri në Twitter.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme
Në fshatrat e Gramshit, të cilat u përfshinë nga flakët janë djegur rreth 40 banesa, ndërsa dëme të konsiderueshme ka edhe në kullota dhe fonde pyjore.
Sipas legjislacionit shqiptar ka dy raste kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme: kur kemi cenim të rendit publik dhe kur kemi emergjence civile në territore të caktuara.
Edhe pse vendi ynë ka përjetuar situata të vështira për shkak të situatave që lidhen me zjarret apo përmbytjet, asnjëherë qeveria nuk ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Shpallja e saj do të aktivizonte të gjitha strukturat shtetërore dhe mund të kërkonte rishikim të buxhetit.
Përvoja e përmbytjeve në Shkodër tregon se mungesa e shpalljes pengon dëmshpërblimin e qytetarëve.
Në një situatë të ngjashme me zjarret, ku dëmet dhe pasojat janë të rënda për qytetarët që gjithçka kanë është shtëpia dhe bagëtia, mosbesimi se do të dëmshpërblehen qëndron aty.
The post Shqipëria mes flakëve appeared first on Citizens.al.