Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 13 July 2025Main stream

Siguria rrugore, njësi të posaçme policore në zonat me numër të lartë turistësh

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Numri i lartë i turistëve të huaj dhe atyre vendas, në pikun e sezonit turistik për këtë vit, ka bërë që Policia Rrugore të dalë me një plan masash shtesë për mirëmenaxhimin e trafikut gjatë sezonit turistik si dhe minimizimi i numrit të ngjarjeve rrugore.

Policia Rrugore ka krijuar disa Njësi të Posaçme Policore, sidomos në zonat me trafik të dendur automjetesh për një mirëmenaxhim të situatës së trafikut rrugor.

“Janë marrë masa për krijimin e disa nukleve të reja që do të jenë me shërbim vetëm për sezonin turistik. Janë nukli në Ksamil, Himarë, Manzë dhe Velipojë”, tha drejtuesi Artur Selimaj.

Sipas Selimajt, “fokus shumë i lartë në planin e masave të Policisë Rrugore në këtë sezon turistik janë përdorimi i pajisjeve dhe teknologjisë, kamerat, radarët dhe pajisjet e tjera që do të zëvendësojnë pjesën e shërbimeve fizikisht në rrugë. Mbikëqyrja e trafikut do të jetë e monitoruar 24 orë në të gjithë territorin, kryesisht në akset kryesore që kanë fluksin më të lartë të lëvizshmërisë”.

Sa i përket trafikut të rënduar nëpër qytetet kryesore bregdetare, Policia ka një apel për të gjithë ata drejtues automjetesh që njohin rrugët alternative.

“Në qytete siç është Vlora, Durrësi apo Shkodra, qytetarët që njohin rrugët alternative është mirë që të mos përdorin rrugët kryesore, me qëllim që të çlirojmë sadopak fluksin e lëvizjes”, tha ai.

Plani i masave i hartuar nga Policia Rrugore synon menaxhimi e trafikut, uljen e numrit të aksidenteve, evidentimin e shkeljeve me dhe pajisje teknologjie 24 orë në 24.

/e.i//a.f/

The post Siguria rrugore, njësi të posaçme policore në zonat me numër të lartë turistësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Aksidentet/ Policia Rrugore do të vendosë 3 radarë inteligjentë për monitorim 24 orë në të gjitha akset

By: V K
12 July 2025 at 08:09

Policia Rrugore, do të vendosë 3 radarë inteligjentë “Poliscan”, për monitorim 24 orë në të gjitha akset rrugore.

Sipas një komunikate zyrtare, policia thotë se po intensifikon kontrollet përmes pajisjeve teknologjike të avancuara për matjen e shpejtësisë dhe identifikimin automatik të shkelësve, jo vetëm për shpejtësinë, por edhe për disa shkelje të tjera që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si: përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara dhe mosvendosja e rripit të sigurimit.

Qëllimi nuk është masa administrative, por parandalimi i aksidenteve, nëpërmjet ndërgjegjësimit të përdoruesve të rrugës.

Tejkalimi i shpejtësisë është një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore me pasoja fatale.

The post Aksidentet/ Policia Rrugore do të vendosë 3 radarë inteligjentë për monitorim 24 orë në të gjitha akset appeared first on Albeu.com.

Policia Rrugore monitorim intensiv në Tiranë, procedohen 11 drejtues mjetesh

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Policia Rrugore, prej 72 orësh ka qenë në monitorim intensiv në të gjitha akset e kryeqytetit.

Në një njoftim, Policia e Shtetit bën me dije se fokuset e monitorimit kanë qenë parkimi i automjeteve në trotuar duke penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve në korsitë e dedikuara për biçikleta, taksi ose autobusë, si edhe zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor/përdorimi i kaskës mbrojtëse, nga përdoruesit e monopatinave/motomjeteve.

Sipas Policisë, si rezultat i kontrolleve, 19 automjete të parkuara gabim u tërhoqën me mjetngritës, u vendosën masa administrative për shtetasit që lëvizin me monopatina dhe nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa u arrestua 1 shtetas që lëvizte me automjet, me doza Cannabis me vete dhe një tjetër që lëvizte pa rrip sigurimi, i cili nga verifikimet rezultoi me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Policia njofton se janë arrestuar/proceduar 11 drejtues automjetesh.

Policia Rrugore apelon sërish për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, me theks të veçantë te mosparkimi i automjeteve në hapësirat e rezervuara për transportin publik ose lëvizjen e biçikletave.

Gjithashtu, apelon për përdorim të rregullt të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve dhe monopatinave, si një detyrim jetik për sigurinë në rrugë.

/e.i/j.p/

The post Policia Rrugore monitorim intensiv në Tiranë, procedohen 11 drejtues mjetesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bilanci ‘i hekurt’ i muajit qershor/ Policia Rrugore raporton shkelësit dhe dënimet e tyre

2 July 2025 at 16:45

Policia Rrugore e Shkodrës njoftoi sot se gjatë muajit qershor janë arrestuar 11 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 22 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjithashtu policia njoftoi se janë vënë gjithsej 4161 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Shkodrës bëri me dije se “kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore”.

Konkretisht sipas policisë Rrugore: 376 masa për mosvënien e rripit të sigurimit; 228 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse; 80 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 68 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit; 53 masa për xhama të errësuar; 672 masa për parakalime të gabuara; 1503 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar; 235 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 946 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Policia po ashtu fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

 

The post Bilanci ‘i hekurt’ i muajit qershor/ Policia Rrugore raporton shkelësit dhe dënimet e tyre appeared first on Sot News | Lajme.

Kontrollet intensive/ Policia Rrugore e Tiranës njoftim: 22 të arrestuar dhe 29 mjete të bllokuara në një javë

9 June 2025 at 12:54

Me patrulla shtesë dhe mjete teknologjike moderne, strukturat e Komisariatit të Policisë Rrugore kanë ndërmarrë një sërë masash ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit.

Shërbimet e Policisë Rrugore në kryeqytet kanë vijuar kontrollet intensive për të parandaluar aksidentet dhe për të përmirësuar sigurinë rrugore. Gjatë javës që lamë pas, 39 shtetas janë proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa 22 prej tyre janë arrestuar.

Në të njëjtën periudhë janë bllokuar 29 automjete për shkelje të ndryshme. Një vëmendje e veçantë u kushtua drejtuesve të motomjeteve që udhëtojnë pa kaskë mbrojtëse, ku janë vendosur plot 987 masa administrative.

Po ashtu, Policia ka ndërhyrë për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme nga automjete të parkuara gabim në korsitë e autobusëve, taksive dhe biçikletave, duke larguar me mjet ngritës 29 automjete.

The post Kontrollet intensive/ Policia Rrugore e Tiranës njoftim: 22 të arrestuar dhe 29 mjete të bllokuara në një javë appeared first on Sot News | Lajme.

“Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut gati për t’u hapur”, Qato: Synimi ta çojmë në zero numrin e aksidenteve

By: Rovena
5 June 2025 at 20:41

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, ka bërë me dije se së shpejti do të hapet Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, që pritet të mbulojë deri në 800 kilometra rrugë në të gjithë vendin.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Qato tha se në fillim pritet rritje e numrit të shkeljeve të konstatuara, por me ndërgjegjësimin e qytetarëve kjo shifër do të bjerë.

Ai theksoi se objektivi madhor i Policisë Rrugore është ulja drastike e aksidenteve, deri në synimin final të “zero viktimave”, në përputhje me vizionin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2050.

“Në të ardhmen shumë shpejt do të hapet dhe qendra kombëtare e monitorimit të trafikut, e cila do të ketë 200 kilometrat e para deri në 800 kilometra dhe është normale që në fillim do të ketë një rritje të numrit të konstatimit të këtyre shkeljeve. Por, më pas do të vijë në ulje, sepse qytetarët do të ndërgjegjësohen.

Është arritur projeksioni sipas strategjisë, në vitin 2009 kishim 324 aksidente me pasojë, kurse vjet ishin 175. Dhe jemi duke avancuar me strategjinë e re të Policisë Rrugore, e cila është duke u hartuar. Kemi punuar me të gjithë faktorët që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore, ne synojmë që të arrijmë objektivin, ta ulim këtë shifër.

Synimi është zero, por ne flasim në projeksion, duke parë gjithë infrastrukturën. Nuk është një regres është në progres, qëllimi jonë është që të ketë zero aksidente. Ky është objektivi madhor, sepse dhe objektivi i OBSH-së është që në 2050-ën të ketë zero aksidente. Por, kjo lidhet me teknologjinë e mjeteve, infrastrukturën, dhe ndërgjegjësimin, ka shumë faktorë nuk është vetëm Policia Rrugore”, tha Qato./abcnews.al

Policia Rrugore bën bilancin e javës: Arrestime, bllokime makinash dhe mbi 14 mijë gjoba

By: Oldi
2 June 2025 at 13:10

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar ndjeshëm kontrollet në akset kryesore të kryeqytetit, duke përdorur drone, radarë, kamera inteligjente dhe prani fizike të shtuar të shërbimeve, për të garantuar rend dhe siguri në qarkullimin rrugor. Në bilancin e javës që lamë pas, autoritetet njoftojnë për 49 shtetas të arrestuar ose proceduar penalisht, për shkelje të […]

The post Policia Rrugore bën bilancin e javës: Arrestime, bllokime makinash dhe mbi 14 mijë gjoba appeared first on BoldNews.al.

Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, e pëson keq 38-vjeçari

26 May 2025 at 14:55

Një 38-vjeçar është proceduar nga Policia e Durrësit pasi tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore duke i ofruar para për të shmangur masën administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Shtetasi i proceduar akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftim i Policisë:

Gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit kanë ndaluar në rrugën “Pavarësia”, drejtuesin e një autobusi që po përdorte celularin ndërkohë që ishte në lëvizje. Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para, punonjësve të Policisë, për të shmangur ndëshkimin me masë administrative për shkeljen e kryer.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 38 vjeç, banues në Gjakovë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.

The post Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, e pëson keq 38-vjeçari appeared first on Sot News | Lajme.

Gjobat e policisë në Gjirokastër, Policia Rrugore “ndëshkon” 1209 shoferë në maj

25 May 2025 at 13:17

Policia Rrugore në Gjirokastër përgjatë muajit maj ka ndëshkuar me masa administrative 1 209 drejtues mjetesh. Gjatë periudhës 1 maj-23 maj pjesa më e madhe e gjobave me 392 të tilla janë vendosur për parakalime të gabuara duke vazhduar me 291 gjoba për parkime të gabuara, 285 për tejkalim shpejtësie, etj.

Masa administrative ka patur ndaj drejtuesve të mjeteve edhe për mosvendosjen e rripit të sigurimit, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosrespektimin e këmbësorëve, etj. Brenda këtij muaji janë pezulluar 4 leje drejtime mes të cilave për përdorimin e alkoolit nga drejtuesit e mjeteve.

Në këtë sezon pranvere vëmendje të veçantë blutë e rrugores po i  kushtojnë monitorimit të qarkullimit të automjeteve si shkak edhe i pranisë së shtuar të turistëve që vizitojnë jugun e vendit.

Për të evituar aksidentet rrugore policia ka rritur praninë në rrugët kombëtare Tepelenë-Gjirokastër-Kakavije dhe Kardhiq-Delvinë. Specialistët  e policisë apelojnë për respektimin e Kodit Rrugor duke evituar aksidentet dhe pasojat e tyre.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Gjobat e policisë në Gjirokastër, Policia Rrugore “ndëshkon” 1209 shoferë në maj appeared first on Euronews Albania.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Policia: Rrugët që do të bllokohen

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Shqipëria është mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që pritet të mbledhë nesër në Tiranë liderët e vendeve evropiane. Në kuadër të samitit, Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë këtij aktiviteti ndërkombëtar.

Policia Rrugore gjithashtu ka hartuar dhe po zbaton një plan masash që përfshin kufizime në lëvizje, gjatë ditës së sotme dhe ditës së nesërme.

Nga ora 06:00 deri në orën 18:00 të datës 16.05.2025, do të jetë i paaksesueshëm nga këmbësorë dhe mjete, i gjithë perimetri i sheshit “Skënderbej”, konkretisht: Nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan d’Ark” deri në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri”, segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri në kryqëzimin me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ibrahim Rrugova” nga kryqëzimi me rrugën “Myslym Shyri” deri në kryqëzimin me Rrugën e Kavajës, rruga “Ded Gjo Luli”, rruga “Urani Pano” në vazhdim te Rruga e Barrikadave deri në kryqëzimin me rrugën “George W. Bush” dhe bulevardi “Zogu I” deri tek kryqëzimi i rrugës “Fortuzi”,-Ministria e Drejtesisë.

Më datë 15.05.2025, nga ora 08:00 deri në orën 24:00, do të ketë bllokim të plotë të lëvizjes së automjeteve, në intervalin kohor të lëvizjes së delegacioneve në akset rrugore: “Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas – Hyrja te autostrada e re “Thumanë-Kashar” – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Mbikalimi i Kasharit – Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Re/krahu i Astirit – Kryqëzimi te “Pallati me shigjeta” – Rrethrrotullimi i Saukut të Vjetër – Rruga e Elbasanit – Hotel “Plaza” – Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori” – Rruga e Dibrës – Rruga “Urani Pano”- Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit).”

Më datë 16.05.2025, nga ora 06:30 deri në orën 11:30, do të ketë bllokim të plotë të lëvizjes së automjeteve në aksin rrugor: “Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas – hyrja e autostradës së re “Thumanë – Kashar”, Autostrada “Durrës-Tiranë-Durrës” – Mbikalimi i Kasharit – Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Re/krahu i Astirit – Kryqëzimi te “Pallati me shigjeta” – Rrethrrotullimi i Saukut të Vjetër – Rruga e Elbasanit – Hotel “Plaza” – Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori” – Rruga e Dibrës – Rruga “Urani Pano” – Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit).”

Më datë 16.05.2025 nga ora 13:00 deri në orën 18:00, do të ketë bllokim të plotë të lëvizjes së automjeteve në akset rrugore: “Sheshi “Skënderbej” – Rruga George W. Bush” – Rruga e Elbasanit – Rrethrrotullimi i Saukut të Vjetër – Unaza e Re/krahu i Astirit – Autostrada “Tiranë-Durrës” – Autostrada e re “Thumanë-Kashar” – Aeroporti “Nënë Tereza ”Rinas.”

Rrugëkalimet do të jenë të bllokuara në të dyja krahët, në momentin e kalimit të delegacioneve.

Në datat 15.05.2025 dhe 16.05.2025 do jenë të paaksesueshme parkimet publike/private:

Në Rinas, 2 parkimet tek zona VIP dhe 2 parkimet private përballë zonës VIP;

Në Tiranë, parkimet nëntokësore te sheshi “Skenderbej”, Hotel “Plaza”, Hotel “Tirana”, Godina “Torre Drini”, Qendra Tregtare “Toptani” dhe Kulla “Green Toëer”.

Nisur nga kufizimet, këshillojmë evitimin e lëvizjes me mjete private, në drejtim të aeroportit “Nënë Tereza”.

Do të ketë kufizime të qarkullimit në zonat përreth vendeve ku zhvillohen aktivitetet e samitit. Në datat 15.05.2025 dhe 16.05.2025, do të ketë kufizim të përkohshëm të lëvizjeve të automjeteve në akset rrugore:

  • Hotel “MAK Albania” – Stadiumi “Air Albania” – Rruga “Dervish Hima” – Rruga e Elbasanit – Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori” – Rruga e Dibrës – Rruga “Urani Pano” – vendi i aktivitetit;
  • Hotel “Marriot” – Rruga “Dervish Hima”- Rruga e Elbasanit- Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”- Rruga e Dibrës- Rruga “Urani Pano”- vendi i aktivitetit;
  • Hotel “Rogner” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Rruga “Gjergj Filipi” – Rruga “Dervish Hima”, – Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori” – Rruga e Dibrës, Rruga “Urani Pano”- vendi i aktivitetit;
  • Hotel “Plaza” – Rruga “George Ë. Bush” – Rruga “28 Nëntori”- Rruga e Dibrës – Rruga “Urani Pano”- vendi i aktivitetit, Hotel Tirana Internacional në aktivitet;
  • Hotel “Xheko Imperial” – Rruga “Ibrahim Rugova”, Rruga “Lek Dukagjini” – Rruga “Dervish Hima”, Rruga e Elbasanit – Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori” – Rruga e Dibrës -Rruga “Urani Pano” – vendi i aktivitetit;
  • Hotel “Radison” – Rruga “Hamdi Garunja” – Rruga e “Ullishtes” – Rruga e liqenit të thatë-Unazë e Madhe-Sauk- Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano” – Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit);
  • Hotel “Hilton” – Bulevardi ”Gjergj Fishta”-Rruga e Kavajës- Unaza e Madhe-Sauk- Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano”-aktivitet;
  • Hotel “Ark Boutique” – Rruga “Ibrahim Rugova” – Rruga “Abdyl Frashëri”-Rruga “Gjergj Filipi”-Rruga “Dervish Hima”,Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush” – Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano” – Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit);
  • Hotel “Diplomat 1” – Rruga “Sulejman Delvina”-Rruga “Abdyl Frashëri”-Rruga “Gjergj Filipi”- Rruga “Dervish Hima”, Rruga e Elbasanit-Rruga “George W. Bush”-Rruga “28 Nëntori”-Rruga e Dibrës-Rruga “Urani Pano” – Sheshi “Skënderbej” (vendi i aktivitetit);
  • Hotel “Holiday In”, Rinas – Mbikalimi në Qafë Kashar – Autostrada Tiranë-Durrës -Mbikalimi i Kasharit- kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja”-Unaza e re/krahu i Astirit-kryqëzimi te “Pallati me shigjeta” – rrethrrotullimi i Saukut të vjetër – Rruga e Elbasanit – Hotel “Plaza” (drejtim i ardhjes nga aeroporti në qytetin e Tiranës);

(Kufizimet e mësipërme do të jenë më datë 15.05.2025, sipas orareve të lëvizjeve dhe më datë 16.05.2025, nga ora 08:00 deri në orën 11:00).

  • Më datë 15.05.2025, nga ora 19:00 deri në orën 24:00, do të ketë kufizime të pjesshme në akset: “Rruga e Elbasanit – Rrethrrotullimi i Saukut – Autostradë – Rrethrrotullimi te TEG-u – “Rezervat e Shtetit.”

NDALIMI, PUSHIMI DHE QËNDRIMI

Në datat 15.05.2025 dhe 16.05.2025, gjatë fashës orare 06:00-20:00, ndalohet qëndrimi dhe pushimi i automjeteve, nga rrethrrotullimi te Fakulteti i Ekonomisë – Rruga e Elbasanit – Rruga “George W. Bush” dhe te i gjithë perimetri që është devijuar lëvizja.

Policia ju bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e kufizuara dhe të respektojnë udhëzimet e Policisë. /j.p/

The post Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Policia: Rrugët që do të bllokohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhunohet efektivi i policisë rrugore në Kukës, u konfliktua me disa persona

By: user 6
6 May 2025 at 20:37

Një efektiv policie jashtë shërbimit ka njoftuar pasditen e kësaj të marte sallën operative në Kukës se po konfliktohet me disa persona.

Bëhet fjalë për një efektiv të policisë rrugore, i cili ka qenë duke u kthyer për në banesë kur është përplasur me disa persona në rrugë. Mediat raportojnë se efektivi ka marrë lëndime nga përplasja.  

Fillimisht ai ka bërë një kallëzim në komisariatin e Kukësit dhe më pas edhe në Prokurorinë e këtij qyteti. Policia e Kukësit pritet të dalë në një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë denoncim.

The post Dhunohet efektivi i policisë rrugore në Kukës, u konfliktua me disa persona appeared first on Lapsi.al.

E gjeneruar foto e rrëzimit të shefit të Qarkullimit të arrestuar

23 April 2025 at 14:52

Pretendimi: Kjo foto tregon shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Roven Zekën, teksa rrëzohet në një përpjekje për t’iu arratisur agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Verdikti: Gjeneruar me AI

——————————————————–

Një lajm i botuar më 19 prill nga portali JOQ Albania shoqërohet më një imazh që duket se tregon Shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Roven Zeka, të rrëzuar në tokë duke u përpjekur t’i arratiset arrestimit nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Megjithëse personazhi në imazh i përngjan Zekës dhe mban mbiemrin Zeka në uniformë, ai nuk është i vërtetë, por gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). 

Elementët kryesorë tregues janë stema në krahun e djathtë të uniformës, e cila përmban disa shenja që përngjajnë me tekst, por janë të padeshifrueshme, dhe nuk i përngjason stemës zyrtare të Policisë Shqiptare. Ylli i deformuar në spaletën e djathtë, homologu i tij që mungon nga spaleta e majtë, dhe sfondi i fumuar në mënyrë jo natyrale, gjithashtu, duhet ta bëjnë lexuesin skeptik të dyshojë.

Për konfirmim, nëse analizojmë imazhin e mësipërm me anë të mjeteve të detektimit të imazheve të gjeneruara me AI, tre nga tre mjete të përdorura e vlerësojnë atë si të gjeneruar me AI.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

Megjithëse imazhet e gjeneruara me anë të programeve AI sa vijnë e bëhen më të shpeshta në rrjet, lexuesi skeptik mund t’i dallojë si të pavërteta duke i kushtuar vëmendje detajeve dhe duke përdorur të menduarit kritik.

The post E gjeneruar foto e rrëzimit të shefit të Qarkullimit të arrestuar appeared first on Faktoje.al.

Monitorimi me dron, 2355 shoferë të gjobitur në 10 ditët e fundit

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Gjatë 10 ditëve të fundit, Njësia Operacionale e Policisë Rrugore ka intensifikuar monitorimet me dron të akseve rrugore, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, kryesisht të atyre që kryejnë parakalime të gabuara, rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Ministria e Brendshme njoftoi se “si rezultat i monitorimit me dron janë evidentuar 1988 parakalime të gabuara dhe janë ndëshkuar me masë administrative 3 000 lekë”.

Gjithashtu, sipas Ministrisë së Brendshme “janë evidentuar edhe 367 raste të drejtuesve të mjeteve që kanë qarkulluar kundërvajtje në karrexhatë, përfshirë kthesat, rakordimet konvekse ose segmente të tjera me fushëpamje të kufizuar”.

Sipas Ministrisë së Brendshme “për këta shkelës janë marrë masat administrative 12 000 lekë dhe zbritje prej 10 pikësh nga Leja e Drejtimit”.

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.

/r.e/a.f/

The post Monitorimi me dron, 2355 shoferë të gjobitur në 10 ditët e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMP arreston kreun e Policisë Rrugore Tiranë dhe dy të tjerë

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit për tre punonjës policie të dyshuar për veprën penale “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

AMP ka ndaluar R. Z., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë; S. N., me detyrë Shef i hetimit të aksidenteve rrugore në Komisariatin e Policisë Tiranë dhe E. T., me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Tiranë.

Sipas AMP-së “ndalimi i tyre lidhet me një ngjarje të ndodhur më datë 16.04.2025, në qytetin e Tiranës, ku pas një aksidenti rrugor me pasoja për pesë persona, punonjësit e policisë rrugore dyshohet se i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit të përfshirë në aksident, shtetases A.V., shumën prej 2000 euro, për të shmangur arrestimin e saj”.

/r.e//a.f/

The post AMP arreston kreun e Policisë Rrugore Tiranë dhe dy të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ushtaraku me motor nuk i bindet policit rrugor në Tiranë

14 April 2025 at 13:11

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë, pranë rrugës së Elbasanit.

Një efektiv i Policisë Rrugore i ka bërë shenjë për të ndaluar drejtuesit të një motori, por ai nuk ka respektuar urdhrin dhe ka vazhduar përpara.

Sipas burimeve 25-vjeçari Merson Ferizaj, që drejtonte motorin e ka kundërshtuar policin duke i dhënë gaz motorit dhe duke shkaktuar një përplasje që ka lënduar efektivin në krah.

Policia thotë se i riu 25-vjeçar është konfliktuar fizikisht me punonjësin e policisë dhe pas kësaj ngjarjeje, ai është shoqëruar në komisariat ndërsa burime thonë se M.F rezulton të jetë punonjës i Forcave Ushtarake.

Ndërkohë, punonjësi i policisë është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak.

Njoftimi i policisë

“Këtë të hënë rreth orës 08:45, në rrugën e Elbasanit, dyshohet se shtetasi M. F., rreth 25 vjeç, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë Rrugore, për të ndaluar motomjetin që drejtonte, me qëllim kryerjen e verifikimeve.

Gjithashtu, shtetasi M. F., dyshohet se për shkak të detyrës, është konfliktuar fizikisht me punonjësin e Policisë, i cili po merr asistencë mjekësore.

Shtetasi M. F. është shoqëuar në ambientet e Policisë, me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit.

The post Ushtaraku me motor nuk i bindet policit rrugor në Tiranë appeared first on Telegrafi.

Policia Rrugore 165 masa administrative për shkelje në Tunelin e Murrizit në 2 javë (VIDEO)

By: V K
14 April 2025 at 08:09

Policia Rrugore intensifikoi monitorimet e akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me dronë, radarë, kamera, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pauniformuara, 24 orë në 7 ditë të javës.

Po ashtu, policia njoftoi se në bashkëpunim me administratorët e mirëmbajtjes së tuneleve, po monitorohen 24/7 lëvizjet në tunele dhe pamjet filmike të kamerave dhe radarëve të tuneleve administrohen nga Policia Rrugore.

Për të gjitha shkeljet e konstatuara, Policia Rrugore, vendos masën administrative, e cila pasqyrohet menjëherë në portalin e-Albania, në adresën e drejtuesit të automjetit apo subjektit që është konstatuar në shkelje të Kodit Rrugor, për të cilin, krahas masës administrative, aplikohet edhe sanksioni plotësues i zbritjes deri në 15 pikë nga leja e drejtimit.

Përgjatë dy javëve të fundit, në Tunelin e Murrizit janë ndëshkuar 165 drejtues automjetesh me masë administrative 40000 lekë të rinj dhe me zbritje prej 15 pikësh nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve, motomjeteve, këmbësorët, si dhe nga ata që lëvizin me biçikleta ose me monopatina.

 

The post Policia Rrugore 165 masa administrative për shkelje në Tunelin e Murrizit në 2 javë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Hoxha: Rritje e sigurisë dhe masa shtesë për monitorimin e trafikut rrugor

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato ishin në një nga pikat e kontrollit në hyrjen lindore të Tiranës, për të inspektuar masat që janë ndërmarrë për menaxhimin e trafikut.

Ministri Hoxha foli mbi rëndësinë e sigurisë rrugore, si një nga elementët kyç për qarkullimin e lirë të mjeteve, njerëzve dhe mallrave, në të gjitha akset. Policia Rrugore ka në përdorim mjete teknologjisë së lartë, përfshirë dronë e makina inteligjente, të cilat skanojnë çdo drejtues mjeti që tejkalon normat e shpejtësisë dhe ndëshkon në kohë reale kundërvajtjet rrugore.

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato informoi se në vijim të masave parandaluese, është rritur monitorimi i akseve rrugore, veçanërisht në ato që janë identifikuar si njolla të zeza. Rreth 70% e ngjarjeve rrugore ndodhin për shkak të tejkalimit të shpejtësisë, e kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që ka sjellë rritjen e masave të kontrollit.

Qato shtoi se monitorimi kryesor është ai i tejkalimit të shpejtësisë nga përdoruesit e rrugës, si dhe respektimi i sinjalistikës rrugore nga këmbësorët.

“Kemi identifikuar akset problematike dhe shkeljet më të zakonshme, si shpejtësia, përdorimi i telefonit dhe parakalimi i gabuar. Po ashtu, Policia Rrugore ka një flotë pajisjesh, të cilat monitorojnë çdo strukturë vendore dhe çdo vit shtohen në buxhet për të forcuar këto kapacitete”, shtoi ai.

Ministri Hoxha gjithashtu nënvizoi se janë duke u forcuar kapacitetet për të siguruar rrugë të sigurta, sidomos në periudhën e zhvillimit të infrastrukturës.

“Rrugët që janë në zhvillim kërkojnë një siguri rrugore të shtuar dhe më shumë vëmendje nga Policia Rrugore”, u shpreh ministri.

Policia Rrugore ka ndërtuar një plan të detajuar për të menaxhuar flukset e mjeteve në akset kombëtare në prag të sezonit dhe për të minimizuar ngjarjet me pasoja.

Ky plan përfshin përdorimin e mjeteve, patrullime të shpeshta dhe, së shpejti, hapjen e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, për të kontrolluar dhe garantuar sigurinë në kohë reale.

Po ashtu, Policia Rrugore është përgatitur për të menaxhuar ngjarje të rëndësishme si Giro d’Italia, ku qindra çiklistë do të garojnë në territorin shqiptar, dhe Samiti i Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet në maj. Paralelisht, po punohet për zhvillimin e projektit ‘Smart City’, i cili do të sjellë përmirësime të mëtejshme në infrastrukturë, duke integruar teknologjinë për të ndihmuar në parandalimin e aksidenteve dhe rritur sigurinë rrugore. /j.p/

The post Hoxha: Rritje e sigurisë dhe masa shtesë për monitorimin e trafikut rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtohen kontrollet nga Policia Rrugore/ Në një javë 26 të proceduar dhe mbi 150 gjoba në qarkun e Tiranës

By: Rovena
6 April 2025 at 15:21

Policia Rrugore intensifikon kontrollet në të gjithë qarkun e Tiranës, si rezultat e të cilave u arrestuan/proceduan 26 shtetas dhe u vendosën mbi 15 000 masa administrative gjatë javës të fundit. Në vëmendje të kontrolleve janë dhe automjetet, të cilan zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera dhe automjetet e tonazhit të rëndë.

Gjatë kontrolleve parandaluese me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore e DVP Tiranës ka arrestuar/proceduar 26 shtetas për veprat “Drejtimi i automjetit në menyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjithashtu, gjatë javës së fundit, janë vendosur gjithsej 15 637 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, mesatarisht 2233 masa në ditë.Më tej, gjatë javës, janë tërhequr me mjet ngritës 10 automjete që kishin penguar lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, janë bllokuar 25 automjete për shkelje të ndryshme rrugore, si dhe janë vendosur 174 masa adminstrative ndaj mjeteve të tonazhit të rëndë, autobuzave dhe fugonave.

Policia Rrugore apleon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të menjehershëm./abcnews.al

Shkelje të qarkullimit rrugor, 1800 gjoba dhe shtatë në pranga

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Policia Rrugore e qarkut të Vlorës ka arrestuar shtatë persona dhe ka vendosur mbi 1800 masa administrative gjatë 10 ditëve të fundit, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

“Me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore e DVP Vlorë ka vijuar me kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore të qarkut”, njoftoi Policia.

“Si rezultat, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh që qarkullonin nën efektin e alkoolit: G. I., 39 vjeç, banues në Vlorë, u kap në rrugën “Sazani” duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur; E. Sh., 39 vjeç, banues në Kavajë, u konstatua nga shërbimet në rrugën “Gjergj Araniti” në të njëjtën gjendje; D. F., 46 vjeç, banues në Sarandë, u ndalua nga shërbimet në rrugën “Skënderbeu”, duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit”, njoftoi më tej Policia.

Sipas policisë “gjatë 10 ditëve të fundit, janë vendosur gjithsej 1804 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht: 124 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 48 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 53 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 12 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit; 316 masa për shpejtësi tej normave të lejuara; 208 masa për parakalime të gabuara; 345 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar; 698 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”.

Policia Rrugore e DVP Vlorë vijon kontrollet e pandërprera në të gjitha akset rrugore të qarkut! Apelojmë për respektimin e rregullave të qarkullimit, pasi çdo shkelje mund të rrezikojë jetën tuaj dhe të të tjerëve.

/r.e//a.f/

The post Shkelje të qarkullimit rrugor, 1800 gjoba dhe shtatë në pranga appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit kontrolle me makina inteligjente, apel drejtuesve të mjeteve për kujdes

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se, Policia Rrugore ka rritur masat parandaluese në qarkullimin e mjeteve, duke intensifikuar kontrollet me makina inteligjente, radarë, dronë dhe alkool-testues, në të gjitha akset rrugore dhe qendrat e banuara.

Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të mendojnë për familjet e tyre kur udhëtojnë.

“Mos drejtoni automjetin me shpejtësi që varion 3 deri në 3.5 herë më shumë se limiti i lejuar, në tunele apo akse rrugore kombëtare duke u kthyer në rrezik të madh për jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës!

Mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur! Alkooli mpin trurin dhe vret jetën. Vendosni rripin e sigurimit dhe mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit! Mos kryeni parakalime të gabuara dhe qëndroni në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes, për shkak të fluksit të madh përgjatë fundjavës, kryesisht në zonat bregdetare dhe ato turistike.

Përqëndrohuni në timon. Për shkak edhe të lagështirës si pasojë e motit me reshje shiu, rreziku është më i lartë për përfshirje në ngjarje rrugore”, njofton Policia.

Sipas Policisë, në të gjitha rrugët e vendit, 24/7, është prezente Policia Rrugore me makinat inteligjente.

/r.e/

The post Policia e Shtetit kontrolle me makina inteligjente, apel drejtuesve të mjeteve për kujdes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌