Zjarrfikësit heronj luftojnë me duart bosh/ Nga avionët fantazmë te satelitët pa punë: Shqipëria digjet, qeveria hesht
Flakët kanë pushtuar Shqipërinë në orët dhe ditët e fundit, duke kthyer në panik të plotë jetën e mijëra qytetarëve. Fshatra të tëra janë mbuluar nga tymi e nxehtësia përvëluese, ndërsa banorët po detyrohen të braktisin shtëpitë, pronat, bagëtitë, madje edhe pacientët e spitaleve po nxirren me urgjencë për të mos u djegur të gjallë. Në rrugët e ngushta të zonave të prekura shihen kolona makinash e karrocash të ngarkuara me ç’të mund të shpëtohet, ndërsa pas tyre mbetet vetëm një peizazh i zi e i shkrumbuar.
Bilanci i këtyre ditëve është i rëndë: një i vdekur, dhjetëra banesa të rrënuara, mijëra hektarë pyje e toka bujqësore të shkatërruara. Por përballë kësaj tragjedie, shteti duket i zhdukur. Të vetmit që luftojnë janë zjarrfikësit, pa asnjë pajisje moderne apo lehtësuese, të detyruar të përballen me murin e flakëve vetëm me degë pemësh, lopata të prishura dhe zorrë uji që nuk arrijnë as të mbajnë presionin. Shumë prej tyre punojnë pa maska mbrojtëse, pa veshje të posaçme, me uniforma të vjetra e të grisura.
Qeveria, ndërkohë, nuk shfaqet aty ku duhet. Kryeministri Edi Rama shfaqet vetëm në Facebook dhe X me mesazhe boshe, duke lavdëruar “heroizmin” e zjarrfikësve, ndërkohë që i lë ata të përballen të vetëm me zjarrin.
Në vend të avionëve zjarrfikës që premtoi personalisht në fushatë vetëm tre muaj më parë, vendi ka mbetur me duar bosh. Rama deklaronte në prill se “flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion dy avionë zjarrfikës këtë verë” dhe se marrëveshjet ishin bërë. Sot, kur Shqipëria digjet, avionët nuk ekzistojnë. Ministri Pirro Vëngu doli më 29 korrik të thotë se procedura ishte realizuar, por Ministria e Mbrojtjes e kundërshtoi, duke pranuar se procesi “është ende në zhvillim” pa dhënë asnjë afat.
Në vend të llogaridhënies, Rama përpiqet të justifikohet duke krahasuar Shqipërinë me Greqinë, Italinë e Spanjën, vende që kanë flotë të madhe avionësh e mijëra mjete operative. Po atëherë, pse Shqipëria nuk ka as dy avionët që ai vetë premtoi? Pse qytetarët duhet të digjen në pritje të ndihmës nga jashtë, kur për vite me radhë kanë paguar taksa për një shërbim që nuk ekziston?
Edhe në vitin 2021, pas një vere tjetër të mbushur me zjarre, Rama u shfaq para kamerave duke shpallur me krenari nisjen e projektit të satelitëve Albania 1 dhe Albania 2, me kosto mbi 6 milionë dollarë, që sipas tij do të ndihmonin edhe në parandalimin e zjarreve. Premtoi përdorim ekskluziv për “zbulimin dhe reagimin ndaj emergjencave natyrore”.
Realiteti? Drejtoresha e ASIG, Vilma Tomço, e pranoi publikisht se satelitët përdoren vetëm për të bërë foto dhe harta pasi dëmet kanë ndodhur. Asnjë paralajmërim, asnjë masë parandaluese, asnjë shpëtim nga flakët. Pra, edhe këto miliona të shqiptarëve janë hedhur në erë për propagandë e për xhepa personalë.
Ndërkohë, çdo verë historia përsëritet: vendi digjet, qeveria fle. Nuk ka flota ajrore, nuk ka trajnime, nuk ka mjete moderne, nuk ka parandalim. Banorët shohin zjarrin që afrohet dhe ikin me ç’të mundin; zjarrfikësit luftojnë deri në rraskapitje me lopata e kazma, ndërsa qeveria fshihet pas statusesh në rrjete sociale.
Një braktisje e plotë e popullit nga ata që duhet ta mbrojnë. Shqipëria nuk po digjet vetëm nga flakët, por edhe nga papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe mashtrimet e një pushteti që prej vitesh premton e nuk bën, por vetëm shet mend dhe vjedh!
The post Zjarrfikësit heronj luftojnë me duart bosh/ Nga avionët fantazmë te satelitët pa punë: Shqipëria digjet, qeveria hesht appeared first on iconstyle.al.