Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Eskortat VIP që sfidojnë ligjin: Pse nuk i heton askush dhe a është koha të legalizohet prostitucioni?

By: Iconstyle
13 August 2025 at 20:56

Në Shqipëri, prostitucioni i luksit është kthyer në një skenë të hapur, por të paprekshme. Vajza shumë të njohura të showbiz-it, këngëtare, modele dhe influencuese, shfaqen në publik si yje të ndritshme, por në prapaskenë shërbejnë si eskorta për klientët më të pasur e më të rrezikshëm të vendit.

Nga të dhënat e siguruara nga investigimet e fundit, shumat që këto vajza marrin janë tronditëse: një eskortë VIP ka përfituar deri në 150 mijë euro për vetëm një javë nga një prej bosëve më të njohur të krimit. Të tjera, për një fundjavë luksoze në Dubai apo destinacione të tjera, paguhen 10 deri në 20 mijë euro, ndërsa marrëveshjet afatgjata arrijnë në qindra mijëra euro.

Shumë prej tyre, me iniciale si A.K., L.B., E.M., D.G., S.K., R.M., K.N., J.P., A.Z., M.L., R.R., A.D., E.Dh., M.P., E.D., T.S., N.R., Zh.F., L.D., N.I., A.L., janë emra që ndriçojnë në skenë dhe në Instagram, por shfrytëzojnë famën për të tërhequr klientelë të fuqishme, shpesh nga bota e drogës, trafikimit dhe krimit të organizuar.

Nuk është më sekret që këto lidhje ekzistojnë, është realitet i njohur për publikun. E megjithatë, askush nuk guxon t’i hetojë. As policia, as prokuroria nuk thërret asnjë nga këto vajza në pyetje, edhe kur të gjithë e dinë se mjafton të ndjekësh gjurmën e parave për të mbërritur tek bosa më të mëdhenj të drogës dhe krimit në Shqipëri.

Është bërë kulturë e heshtur: të gjithë e dinë, askush nuk vepron. Ato trajtohen si të paprekshme, si të imunizuara ndaj ligjit. Kjo paprekshmëri i ka kthyer në sipërmarrëse të prostitucionit të luksit, me fitime që shpesh tejkalojnë edhe pasurinë e “bossave” që i mbajnë.

Në një kohë kur SPAK fokusohet kryesisht në goditjen e grupeve kriminale, kjo mund të jetë një nga ato çështje ku fijet e krimit të organizuar lidhen drejtpërdrejt me politikën. Eskortat VIP, për shkak të klientelës së tyre, prekin të dyja botët, atë të trafikut, drogës e parave të pista dhe atë të pushtetit politik.

Hetimi i këtij rrjeti do të nxirrte në dritë jo vetëm marrëdhënie të fshehta mes figurave të njohura të showbiz-it dhe bosëve të krimit, por edhe lidhjet e tyre me njerëz kyç të politikës, duke ekspozuar një sistem bashkëpunimi të heshtur që ka funksionuar për vite.

Nga apartamente dhe vila luksoze në bregdet, makina sportive që kushtojnë mbi 200 mijë euro, pushime në destinacionet më të shtrenjta të botës, deri te çanta e orë që vlejnë më shumë se një pagë vjetore e një shqiptari të zakonshëm, të gjitha të blera me para të zeza, të padeklaruara dhe pa asnjë taksë të paguar.

Ndërkohë, paratë që qarkullojnë në këtë treg të zi nuk deklarohen, nuk monitorohen dhe nuk sjellin asnjë të ardhur për buxhetin e shtetit. Nëse këto shuma, që shkojnë nga dhjetëra deri në qindra mijëra euro për një klient, do të ishin pjesë e ekonomisë formale, vetëm nga taksimi i tyre do të siguroheshin miliona euro në vit. Por për sa kohë prostitucioni është ilegal dhe institucionet heshtin, përfituesit e vetëm mbeten krimi i organizuar dhe vetë “VIP”-at që e kanë kthyer trupin e tyre në biznesin më fitimprurës në vend.

Mos vallë ka ardhur momenti që prostitucioni të legalizohet dhe të tatohet, duke sjellë transparencë dhe kontroll mbi një industri që po lulëzon jashtë çdo norme ligjore? Apo duhet të vazhdojmë të jetojmë me një realitet ku Shqipëria shndërrohet çdo ditë e më shumë në parajsë për aferat e prostitucionit luksoz dhe parave të pista? Ju ftojmë të ndani mendimin tuaj në koment dhe të diskutojmë së bashku një ndër temat më të nxehta dhe shqetësueseve të kohëve të fundit.

Heshtja institucionale është bashkëfajësi. Sa më shumë të tolerohet ky fenomen, aq më thellë zhytet vendi në një kulturë ku krimi, paratë e zeza dhe showbiz-i shkrijnë kufijtë, duke krijuar një botë ku ligji vetëm ëndërrohet.

The post Eskortat VIP që sfidojnë ligjin: Pse nuk i heton askush dhe a është koha të legalizohet prostitucioni? appeared first on iconstyle.al.

Rënia e frikshme e lindshmërisë: Shqipëria po mbetet pa fëmijë, a kemi ende kohë për ta kthyer?

By: Iconstyle
5 August 2025 at 16:06

Në fillim të viteve 1990 lindnin mbi 15 foshnja për çdo 1 000 banorë. Sot lindin rreth 9,2. Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025 lindjet ranë edhe 14 % krahasuar me një vit më parë. Çdo grua sjell në jetë rreth 1,6 fëmijë, kur duhen të paktën 2,1 për ta mbajtur popullsinë pa rënie. Nëse kjo kurbë vazhdon, klasat do të boshatisen, tregu i punës do të tkurret dhe sistemi i pensioneve do të ketë më shumë marrës se kontribues. Shqipëria po hyn në një epokë ku mosha mesatare rritet, ndërsa shpresa për një të ardhme të gjallë venitet.

Pse po ndodh kjo dramë?

Pagat nuk mbulojnë shpenzimet bazë. Çmimet e banesave në qytet po i tejkalojnë mundësitë e çiftit të ri. Mjekët ikin, spitalet publike mbeten pa pajisje, ndërsa denoncimet për tendera të fryrë nuk mungojnë. Çerdhet dhe kopshtet janë të pakta. Kujdesi privat kushton sa gjysma e rrogës. Leja prindërore nuk mjafton dhe shpesh bie vetëm mbi nënën. Siguria ligjore mbetet e dobët, korrupsioni perceptohet i rrënjosur dhe qytetet tona nuk ofrojnë kthim të sigurt për emigrantët. Në këto kushte, shumë të rinj emigrojnë jo për luks, por për normalitet, duke marrë me vete edhe fëmijët e ardhshëm që vendi nuk do t’i shohë kurrë.

Çfarë mund të ndryshojë sot, jo nesër

Ky që vijon është SUGJERIMI YNË për praktikat që duhet të zbatohen, masa që besojmë se mund të jenë shumë të vlefshme për të kthyer trendin. Nëse keni ide të tjera, ju lutemi ndani mendimet tuaja në komente.

  1. Banesa dhe mbështetje financiare reale

Kredi strehimi me interes zero të garantuara nga shteti. Ndihmë mujore për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë për të paktën pesë vjet. Çerdhe dhe kopshte publike në çdo lagje, që prindërit të mos shpenzojnë gjysmën e pagës te babysitter. Kujdesi privat kushton sa gjysma e një rroge mesatare.

  1. Punë që respekton familjen

Leje prindërore e paguar për të dy prindërit, jo vetëm për nënën. Orar fleksibël dhe mundësi pune hibride në administratë dhe sektorin privat. Zbritje tatimore që rritet me numrin e fëmijëve.

  1. Shëndetësi dhe arsim që japin siguri

Financim të plotë dhe transparencë për çdo kontratë spitalore. Shkolla të rinovuara me laboratorë dhe libra falas. Pa një sistem publik të fortë, çdo pagesë shtesë është fasadë.

  1. Narrativë pozitive, jo propagandë boshe

Fushata që tregojnë histori të vërteta prindërish që ia dalin këtu, jo spot reklamash të zbukuruara. Media, komunitetet e ndryshme dhe shoqëria civile të flasin hapur për vlerën e familjes dhe sigurinë që ofron një shoqëri solidare.

Shqipëria ka edhe pak kohë për ta kthyer këtë spirale. Pa një paketë të tillë masash, të financuar, të matur dhe të monitoruar publikisht, foshnjat do të bëhen më të rralla, punëtorët më të paktë dhe shpresa për të ardhmen do të zbehet. Lindshmëria është oksigjeni ynë kolektiv.

Nëse keni sugjerime shtesë, mos hezitoni t’i ndani, debati i hapur është hapi i parë drejt zgjidhjes.

The post Rënia e frikshme e lindshmërisë: Shqipëria po mbetet pa fëmijë, a kemi ende kohë për ta kthyer? appeared first on iconstyle.al.

18 vjeç, vritet “për nder” nga babai dhe ish-burri/ Një plagë që ende kullon në vitin 2025

By: Iconstyle
5 August 2025 at 01:34

Në një kohë kur bota pretendon të jetë më e përparuar, më e vetëdijshme dhe më e barabartë, lajmet që vijnë nga Pakistani sjellin një tronditje të thellë për çdo njeri me ndërgjegje. Sidra Bibi, vetëm 18 vjeç, u vra në mënyrë makabre nga njerëzit që duhej ta donin më shumë: nga babai dhe ish-bashkëshorti i saj. Faji i saj? Zgjodhi të martohej me njeriun që dashuronte, pa lejen e të tjerëve. Me pak fjalë: guxoi.

Me urdhër të një këshilli lokal pleqsh në qytetin e Rawalpindit, ajo u mbyt me një jastëk dhe më pas u varros fshehurazi. Toka u rrafshua për të zhdukur çdo provë. Asnjë shenjë dhembjeje. Asnjë pendesë. Autopsia, e kryer pas zhvarrosjes së trupit, konfirmoi torturën dhe mënyrën çnjerëzore të vdekjes. Një dëshmitar i arrestuar pranoi të tregonte gjithçka. Por çfarë vlere ka e vërteta, kur jeta është flijuar për një koncept të shpërfytyruar si “nder”?

Aktivistët në protestë për vrasjen e Sidra Bibi

Në vitin 2024, sipas Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Pakistan, 405 gra u vranë për arsye të tilla. Po, në vitin 2024. Ky është vetëm numri i regjistruar, realiteti është me siguri edhe më i errët, për shkak të heshtjes, frikës dhe turpit që shoqëria u imponon viktimave. Nuk është një problem vetëm i Pakistanit; është një problem universal, që vesh fytyra të ndryshme në kultura të ndryshme.

Fatmirësisht, Shqipëria, ndonëse një shoqëri patriarkale, rrallë herë mund të ketë parë raste kaq brutale. Por kjo nuk duhet të na bëjë të ndjehemi të përjashtuar nga përgjegjësia. Rastet e dhunës në familje, vajza që detyrohen të martohen të mitura, gratë që rrihen, fyhen apo kontrollohen në çdo hap, të gjitha janë pjesë të të njëjtës mendësi mizore që çon drejt vrasjeve për “nder”.

Nuk ka traditë që justifikon torturën. Nuk ka njeri që fiton respekt duke zhdukur jetën e një tjetri. “Nderi” nuk qëndron në trupin e një vajze, por në shpirtin e një shoqërie që nuk hesht përballë padrejtësisë.

Në Pakistan, në Shqipëri, kudo në botë, vrasja për “nder” është vrasje. Në këtë shoqëri, që shpesh i ngatërron burrninë me mizorinë dhe nderin me kontrollin, ne kemi një detyrë: të flasim. Të reagojmë. Të edukojmë. Të shkundim sistemin dhe mendësinë që i justifikon këto krime, qoftë edhe vetëm me heshtje.

Sepse nesër, ajo që guxon të jetë vetvetja, mund të jetë vajza jote, motra jote, shoqja jote. Dhe asnjëra prej tyre nuk duhet të ketë frikë nga vetë jeta. Asnjëra!

The post 18 vjeç, vritet “për nder” nga babai dhe ish-burri/ Një plagë që ende kullon në vitin 2025 appeared first on iconstyle.al.

Dënohet fjala, jo krimi: Shkarkohen dy gazetarë kritikë, Kodi i ri Penal mbyll gojët në emër të drejtësisë

By: Iconstyle
5 August 2025 at 00:48

Shkarkimi i gazetarëve Erion Dushi dhe Alba Alishani nga A2 CNN është një akt i pastër politik që flet shumë më tepër sesa një ndryshim emrash në një studio lajmesh. Dy zëra të qartë, kritikë dhe profesionistë, u larguan nga ekrani në një kohë kur liria e shprehjes në Shqipëri po goditet nga të gjitha anët: nga pushteti, nga ligji dhe nga një sistem mediatik i kapur.

Paralelisht me këtë zhvillim, qeveria ka propozuar një seri ndryshimesh në Kodin Penal që në thelb synojnë të heshtin çdo formë kritike ndaj institucioneve të drejtësisë dhe të pushtetit. Neni 536 parashikon dënim me burg deri në 3 vjet për çdo koment që perceptohet si presion ndaj vendimeve gjyqësore. Në praktikë, ky nen i jep gjykatësve dhe prokurorëve mbrojtje totale ndaj çdo llogaridhënieje publike.

Ndërsa neni 517 dënon publikimin e të dhënave hetimore, një nen që godet drejtpërdrejt gazetarët investigativë, duke i bërë ata të ndëshkueshëm për çdo raportim mbi abuzimet e drejtësisë.

Me këto ndryshime, pushteti po blindon heshtjen. Po kthen opinionin në krim, gazetarinë në rrezik dhe transparencën në kërcënim për autorët. Fjala e lirë po penalizohet haptazi.

Një rrjet oligarkësh qëndron në qendër të çdo vendimmarrjeje strategjike në vend. Ata nuk janë më pas ekranit, janë pronarët e tij. Kanë në dorë ndërtimet, koncesionet, infrastrukturën, tregtinë, energjinë, median. Janë aty kur ndahen lejet e ndërtimit, kur ndahet buxheti, kur ndahen heshtjet.

Ata nuk përmenden, nuk kritikohen, nuk hetohen. Media flet për projekte, jo për pronarë. Politika flet për zhvillim, jo për përfitues. Ndërsa komunitete të tëra humbasin shtëpitë e pronat e tyre “në emër të investimit”, oligarkët rrisin pasurinë në emër të zhvillimit. Asnjë nuk mban përgjegjësi. Asnjë nuk përmend emrat. Sepse në këtë sistem, emrat janë tabu, ndërsa gazetarët që i shqiptojnë, ndëshkohen.

Gazetarët nuk pushohen nga puna sepse janë të dobët, por sepse janë të fortë. Ata që pyesin, përjashtohen. Ata që hetojnë, përbuzën. Ata që emërtojnë, ndëshkohen. Kështu funksionon një regjim që ka frikë nga e vërteta.

Raporti i Progresit i Bashkimit Europian për vitin 2024 e cilëson situatën si “kritike”. Gazetarët nuk kanë mbrojtje ligjore nga kërcënimet dhe dhuna. Dispozitat civile nuk janë të përputhshme me standardet europiane. Por mazhoranca në Kuvend nuk ka marrë asnjë hap për reformim. Përkundrazi, po ndërton ligje për burgosjen e fjalës dhe heshtjen e publikut.

Gazetaria është kthyer në një profesion të rrezikshëm. Jo për shkak të punës, por për shkak të sistemit që e shtyp. Media është bërë arenë shantazhi, jo informacioni. Zëri i lirë është i papranueshëm. Të vërtetat janë të padëshiruara. Gazetarët e vërtetë janë shënjestra.

Shkarkimi i Erion Dushit dhe Alba Alishanit është vetëm një tjetër kapitull i një libri që shkruhet prej vitesh: një sistem që kontrollon gjithçka dhe ndëshkon çdo zë që nuk i shërben.

Në këtë Shqipëri, fjala dënohet. Jo krimi. Dhe kjo është arsyeja pse asnjë prej nesh s’duhet të heshtë më!

The post Dënohet fjala, jo krimi: Shkarkohen dy gazetarë kritikë, Kodi i ri Penal mbyll gojët në emër të drejtësisë appeared first on iconstyle.al.

Nuk jemi të shitur, por të sulmuar: e vërteta vazhdon, edhe pa foto

By: Iconstyle
4 August 2025 at 21:54

Fotoja që bëri xhiron e rrjetit, Krenar Çoçaj dhe Endi Demneri shumë pranë në një resort në Ibiza, shkaktoi edhe shumë trazira. Jo vetëm në rrjet. Bëri zhurmë tek ata që nuk durojnë dot të shohin realitetin pa filtra. Dhe kur nuk funksionuan presionet, ofertat për para, ndërmjetësit dhe kërcënimet nga “gangot prej kartoni” që u rropatën për të na ndalur, kaluan në tjetër fazë: denoncime e raportime për të na çuar drejt penalizimit të llogarisë tone në Instagram.

Ndaj, po: jemi detyruar ta fshijmë postimin. Jo sepse u tërhoqëm. Jo sepse u shitëm. Por sepse llogaria e IconStyle në Instagram po përpiqet të sulmohet. Ky është realiteti shqiptar i mediave: kur nuk mund të blejnë lajmin, përpiqen të zhdukin vetë mediumin.

Çifti në fjalë mund të mos jetë zyrtarisht në një lidhje dashurie, por është mëse e qartë që kanë një lidhje interesi, si çdo marrëdhënie tjetër e këtij lloji që njihni. Interes edhe për të kontrolluar narrativën, për të pastruar imazhin, për të treguar atë që u shërben dhe për të heshtur çdo zë që ua prish këtë plan.

Media të tjera? Heshtin. Bëjnë sikur s’e panë. Apo më keq: i shesin si çift simpatik. Pse? Sepse në Shqipëri jo të gjithë paguhen për të thënë të vërtetën. Disa paguhen për ta fshehur.

Ndaj, për të gjithë ata që pyesin pse IconStyle fshiu foton: Për të mbrojtur praninë tonë në një platformë që po përdoret si armë kundër lirisë së fjalës. Jo sepse u tërhoq, por sepse ka beteja që nuk fitohen në Instagram, por në këmbëngulje, transparencë dhe zgjuarsi.

Dhe për këtë, po ju themi qartë: fjalën tonë nuk do ta heshin dot. As me presion. As me raportime. As me para.
Na gjeni në Telegram. Na gjeni në Twitter/X. Aty ku lajmet nuk fshihen sepse dikujt i prishen hesapet.
E vërteta nuk ka nevojë për filtër. Vetëm për zë. Dhe zëri ynë nuk ka ndërmend të pushojë ndonjëherë.

The post Nuk jemi të shitur, por të sulmuar: e vërteta vazhdon, edhe pa foto appeared first on iconstyle.al.

Mes varfërisë, heshtjes dhe propagandës: Sportistët e Shqipërisë sfidojnë shtetin që i braktis

By: Iconstyle
28 July 2025 at 14:25

Sportistët e Shqipërsë janë kthyer në heronj të një kombi që nuk kujtohet për ta, veçse kur i duhet për ndonjë foto propagandistike apo për ndonjë status në rrjete sociale. Ndërsa Shqipëria vidhet përditë, ndërsa miliarda euro shkojnë në xhepat e oligarkëve dhe qeveritarëve që nuk u dridhet qerpiku për skandal pas skandali, sportistët tanë vazhdojnë të punojnë në heshtje, të sakrifikojnë, të ngrenë flamurin kuqezi në arenat ndërkombëtare, shpesh pa mbështetje, pa shpërblim, pa kushte minimale jetese.

Nga sportet individuale te ato kolektive, nga atletët profesionistë deri te talentet në ngritje, të gjithë ndajnë të njëjtin fat të dhimbshëm: një shtet që i braktis, institucione që nuk funksionojnë dhe një sistem që sheh vetëm interesin e vet. Shumë prej tyre jetojnë në kushte ekonomike të vështira, pa qendra trajnimi dinjitoze, pa dietë ushqimore të garantuar, shpesh të detyruar të mbështeten vetëm te forca personale dhe dashuria për sportin.

Ndërkohë, qeveria vazhdon të investojë në fasada, në luks, në “miqtë” e saj biznesmenë, në tendera dhe koncesione të dyshimta. E ndërsa për një sportist të ri nuk ka fonde për një palë këpucë apo për një udhëtim në kampionat, për një oligark ka qindra milionë euro për çdo “projekt strategjik”.

Enkileda Carja, peshëngritësja e talentuar së fundmi ka rrëmbyer tre medalje në Kampionatin Europian për moshat U-17 në Madrid. Me një performancë mbresëlënëse, ajo theu gjashtë rekorde europiane për këtë grupmoshë, duke dëshmuar nivelin e jashtëzakonshëm të saj dhe potencialin që zotëron.

Në atletikë, Luiza Gega vazhdon të jetë figura më madhështore e viteve të fundit. Kampione e Europës, rekordmene dhe simbol i përkushtimit në një sport që kërkon sakrificë dhe disiplinë të jashtëzakonshme, Gega është bërë frymëzim për brezat e rinj dhe shpesh ka ngritur zërin për të gjitha padrejtësitë në botën e sportit.

Edhe gjimnastika shqiptare ka shkëlqyer. Në kampionatin botëror “World Gym for Life Challenge” në Portugali, Shqipëria fitoi medaljen e bronztë me një performancë që u vlerësua si ndër më emocionueset e garës. Vajzat e vogla kuqezi, të moshës nga 7 deri në 12 vjeç, dhanë një shembull të pastër të talentit dhe pasionit që rritet në hije, larg dritave të propagandës.

Në mundje, suksesi ka qenë i njëpasnjëshëm. Turneu Ndërkombëtar në Prizren solli pesë medalje për sportistët nga Kukësi, të cilët përfaqësuan Shqipërinë me krenari dhe sukses. Vëllezërit Ernest dhe Erglena Domi u nderuan si “Kolosët e Vitit 2025”, duke u kthyer në modele frymëzimi për brezat e rinj.

Ndërkohë, në Kampionatin Europian në Bratislavë, Chermen Valiev u shpall kampion Europe në kategorinë deri në 72 kg, ndërsa Zelimkhan Abakarov siguroi medalje bronzi. Këto suksese tregojnë rritjen e vazhdueshme të mundjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Në peshëngritje, Ertjan Kofsha i dhuroi Shqipërisë medalje ari dhe dy bronzi në kampionatin europian në Poloni. Me një ngritje prej 162 kg dhe një total prej 337 kg në dygarësh, ai u shpall nënkampion Europe, duke konfirmuar potencialin dhe përgatitjen serioze të sportistit.

Një tjetër moment historik erdhi në Lojërat Olimpike, ku Islam Dudaev fitoi medaljen e dytë olimpike për Shqipërinë në histori. Triumfi i tij në finalen e bronzit kundër një kundërshtari të fortë si Ismail Musukaev me rezultatin 13-12 është dëshmi e guximit dhe përgatitjes së shkëlqyer.

Por kulmi i suksesit erdhi me Zelimkhan Abakarov, i cili u shpall kampion bote në stilin e lirë për peshën 57 kg në Beograd, duke fituar medaljen e parë të artë botërore për Shqipërinë në këtë sport. Fitorja ndaj kampionit amerikan Gilman Thomas me rezultatin 7-2 është një ngjarje historike për sportin shqiptar.

Këto janë vetëm disa nga emrat që po lartësojnë Shqipërinë me mundin dhe djersën e tyre. Në një vend ku shteti shpesh i përdor sportistët për propagandë dhe i harron sapo mbyllen kamerat, ata vazhdojnë përpara me vetëm një mision: të përfaqësojnë me dinjitet vendin e tyre.

Pavarësisht se nuk kanë mbështetjen që meritojnë, pavarësisht se jetojnë me premtime boshe, këta sportistë janë heronjtë e vërtetë të kohës sonë. Ata kanë edhe një mision më të madh: t’u japin shqiptarëve krenari, shpresë dhe një arsye për të besuar se suksesi vjen edhe nga sakrifica, jo vetëm nga pushteti.

The post Mes varfërisë, heshtjes dhe propagandës: Sportistët e Shqipërisë sfidojnë shtetin që i braktis appeared first on iconstyle.al.

E bija përdhunohet nga i ati, nëna dhe 6 fëmijët përzihen nga shtëpia – Ligji hesht

By: Iconstyle
16 July 2025 at 15:56

Një ngjarje tronditëse u regjistrua në Sheqishtë të Fierit, ku një vajzë vetëm 12 vjeçe denoncoi përdhunimin sistematik nga babai i saj, Zamir Meta. Sipas dëshmisë së saj, abuzimi kishte nisur që në moshën 5-vjeçare dhe kishte vazhduar edhe gjatë kohës që familja jetonte në Gjermani.

Zamir Meta është arrestuar dhe akuzohet për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” (neni 100 i Kodit Penal) dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari” (neni 106/a). Për këto vepra, ligji parashikon dënim që varion nga 10 vite deri në burgim të përjetshëm.


Megjithatë, përvojat e mëparshme në Shqipëri tregojnë se shumë nga këto krime nuk ndëshkohen me ashpërsinë që meritojnë. Në emër të sjelljes së mirë, faljes apo procedurave ligjore lehtësuese, shumë autorë dalin nga burgu pas vetëm një dekade. A mund të quhet kjo drejtësi?

Pas denoncimit, vajza është marrë në mbrojtje në një institucion të posaçëm në Tiranë. Por ndërkohë, nëna e saj, Juela Meta dhe gjashtë fëmijët e tjerë janë përballur me kërcënime dhe urrejtje nga komuniteti. Pronari i banesës ku ata jetonin i ka nxjerrë jashtë, ndërsa pronarja i ka kërcënuar hapur me fjalët: “Keni dy ditë kohë. Do të derdhet gjak.”

Për këto veprime, Kodi Penal parashikon dënime deri në 2 vite burg për kanosje (neni 84) dhe deri në 3 vite burg për detyrim me kërcënim për të kryer një veprim të padëshiruar (neni 102). Por në praktikë, këto dënime janë minimale dhe shpesh nuk zbatohen.

Shqetësuese është edhe sjellja e policisë. Juela Meta ka kërkuar mbrojtje zyrtare, por nuk iu dha asnjë urdhër mbrojtjeje. Ndërkohë, pronarja e banesës ka ndryshuar deklaratat në polici duke pretenduar se ndihej e kërcënuar. Ligji nr. 9669/2006 për masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare e detyron policinë të lëshojë urdhër mbrojtjeje në rastet kur ka kërcënime të qarta. Moszbatimi i këtij detyrimi përbën shpërdorim detyre (neni 248 i Kodit Penal), me dënim deri në 7 vite burg. Sërish, asnjë zyrtar nuk u procedua.

Por nuk është vetëm përdhunuesi që ka nevojë për ndëshkim të rreptë. Rasti në fjalë zbulon edhe një hallkë tjetër të çoroditur të sistemit: reagimin e komshinjve dhe mungesën e mbrojtjes nga institucionet.

Për këtë deklaratë, ligji shqiptar parashikon vetëm deri në 2 vjet burg për kanosje dhe deri në 3 vjet për detyrim me kërcënim. Këto masa janë qesharake për një situatë ku rrezikohet jeta e një nëne dhe e gjashtë fëmijëve. Janë masa që nuk trembin askënd. Janë masa që në vend të frenojnë, nxisin sjellje të tilla.

Bëjmë thirrje për ashpërsim të ndëshkimeve për kërcënimin ndaj viktimave të krimit, për dënime shembullore për zyrtarët e policisë që nuk zbatojnë ligjin dhe për marrje përgjegjësie penale dhe institucionale nga çdo autoritet që refuzon të mbrojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Sepse në raste të tilla, heshtja dhe neglizhenca janë pjesë e krimit.

Ky rast është një thirrje e dhimbshme për të gjithë: për legjislatorët, për sistemin e drejtësisë, për shoqërinë. Përdhunimet ndaj të miturve janë shtuar ndjeshëm dhe shteti nuk po reagon me vendosmëri.

A është momenti që Kodi Penal të ndryshojë rrënjësisht? A duhet të eliminohet çdo mundësi uljeje dënimi për autorët e krimeve seksuale ndaj fëmijëve? A duhet këta individë të dënohen me burgim të përjetshëm, pa të drejtë amnistie, lirimi të parakohshëm apo apelimi?

Dhe më tej akoma: a është koha të diskutojmë seriozisht rikthimin e dënimit me vdekje për përdhunuesit e fëmijëve?

Në Shqipëri, dënimi me vdekje u hoq përfundimisht në vitin 2007, në përputhje me Protokollin nr. 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Por krimet që ndodhin sot po sfidojnë çdo limit njerëzor. Shteti shqiptar është i detyruar të respektojë angazhimet ndërkombëtare, por a është kjo arsyeja për të mos vepruar më ashpër?

A ka drejtësi për një fëmijë që është përdhunuar për vite me radhë nga vetë prindi? A ka kuptim një sistem që ofron falje për krime të pafalshme?

A është më e drejtë të lejojmë që këta njerëz të dalin sërish në shoqëri? Vetëm kur ligji ndëshkon siç duhet, plagët e viktimave mund të fillojnë të shërohen!

The post E bija përdhunohet nga i ati, nëna dhe 6 fëmijët përzihen nga shtëpia – Ligji hesht appeared first on iconstyle.al.

Ronaldo në jaht, Cruz në Greqi/ Kur rehatia personale vlen më shumë se përgjegjësia

By: Iconstyle
8 July 2025 at 18:33

Cristiano Ronaldo dhe Ted Cruz: dy figura të njohura në botë, në fusha krejt të ndryshme, por me një sjellje që ngjason çuditërisht në thelb; shmangie ndaj një përgjegjësie publike, për hir të rehatisë personale. Të dy u gjendën në qendër të vëmendjes për të njëjtën arsye: vendosën të mos e prishin qetësinë e pushimeve, edhe pse përreth tyre kishte dhimbje, krizë dhe pritshmëri.

Në rastin e Ronaldos, gjithçka nisi pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës, bashkëlojtarit të tij në kombëtaren portugeze. Lajmi tronditi gjithë vendin. Varrimi i Jotës ishte një ngjarje e rëndë dhe me shumë simbolikë për futbollin portugez.

Por Ronaldo nuk mori pjesë. Arsyeja zyrtare që dha ishte “për të ruajtur privatësinë e familjes Jota” dhe për të mos krijuar “një spektakël mediatik” që do të tërhiqte vëmendjen nga dhimbja. Një arsye që në letër mund të duket e kuptueshme.

Por situata u komplikua kur, vetëm pak ditë pas varrimit, Ronaldo u fotografua i buzëqeshur në jahtin e tij luksoz, në një destinacion veror, me familjen pranë. Dhe komentet nisën menjëherë. Nëse nuk kishte dashur të tërhiqte vëmendje, pse zgjodhi pikërisht atë moment për t’u shfaqur në mënyrë aq publike? A nuk ishte ky, në vetvete, një “spektakël tjetër”?

Rastësisht, në të njëjtën periudhë, një tjetër figurë publike, këtë herë në politikë, përjetoi një episod të ngjashëm. Senatori amerikan Ted Cruz ndodhej me pushime në Greqi kur përmbytjet masive goditën shtetin e tij, Teksasin. Qindra shtëpi u përmbytën, njerëzit humbën gjithçka, ndërsa senatorit të zgjedhur për t’i përfaqësuar nuk iu prish qetësia.

U fotografua duke vizituar Parthenonin, tempullin e lashtë grek në Akropol dhe pamjet bënë xhiron e botës. Zëdhënësit e tij deklaruan se ai u kthye “sa më shpejt që ishte e mundur”, por dokumentet e fluturimit treguan se mund të ishte kthyer edhe më herët, nëse do të donte.

Kjo nuk ishte hera e parë. Në vitin 2021, gjatë një tjetër krize në Teksas, këtë herë për shkak të temperaturave të acarta që lanë mijëra njerëz pa energji, Cruz u largua me familjen për në Cancun, në Meksikë. I kapi vala e kritikave dhe u kthye vetëm pas presionit publik.

Në thelb, të dy rastet ngrejnë të njëjtën pyetje: a i bën fama njerëzit më pak të ndjeshëm? Kur ke arritur majat, kur je aq i suksesshëm sa Ronaldo në futboll apo Cruz në politikë, a bëhet e lehtë të harrosh përse të ndjekin njerëzit? A krijon fama një flluskë ku përgjegjësitë zbehen dhe rehatia personale merr përparësi ndaj detyrimit moral?

Nuk është qëllimi të gjykojmë me ashpërsi. Askush nuk mund të diktojë si duhet të përballesh me dhimbjen. Por kur je figurë publike, çdo vendim i tillë, sado personal, bëhet gjithmonë politik. Dhe në fund, njerëzit nuk të kujtojnë për çfarë the, por për çfarë bëre… apo nuk bëre. Në këtë rast, të dy nuk bënë. Dhe kjo, edhe pse e trishtë, është shumë më domethënëse sesa çdo fjali që mund të kishin thënë!

The post Ronaldo në jaht, Cruz në Greqi/ Kur rehatia personale vlen më shumë se përgjegjësia appeared first on iconstyle.al.

Kur fëmijët abuzohen seksualisht… A duhet të rikthehet dënimi me vdekje?

By: Iconstyle
1 July 2025 at 18:30

Një ngjarje makthi ka tronditur Shqipërind. Në Patos, një vajzë vetëm 12 vjeçe ka denoncuar babain e saj, duke rrëfyer përdhunim sistematik që në moshën 5-vjeçare.

Në dëshminë e saj, e mitura ka treguar para një psikologeje se abuzimi ka ndodhur edhe kur familja ndodhej në Gjermani. Ajo u largua nga banesa në orët e para të mëngjesit dhe kërkoi ndihmë te fqinjët. Në polici, tregoi gjithçka. Ndërkohë, babai, 36-vjeçari Zamir Meta, ka pranuar marrëdhënien seksuale me vajzën, por pretendon se ka ndodhur “vetëm një herë”.

Nëna e vajzës, me lot në sy, deklaroi: “Vajza më tregoi gjithçka. Është vetëm 12 vjeç. E kishte përdhunuar që kur ishte 5 vjeçe. Dua të kalbet në burg. Unë nuk e dua më.”

Ky rast është një ndër më të rëndët që është raportuar ndonjëherë. Por, për fat të keq, nuk është i vetmi. Ngjarje të tilla, ku fëmijët abuzohen seksualisht nga vetë prindërit, të afërmit apo kujdestarët, po shtohen ndjeshëm.

Dhe jo vetëm në Shqipëri. Ky është një fenomen global që po rritet me shifra alarmante. Në shumë vende të botës, qytetarët kërkojnë ndëshkime maksimale, pa mëshirë dhe pa asnjë ulje dënimi për përdhunuesit e fëmijëve. Disa kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje.

Por a është kjo një zgjidhje?

Në Shqipëri, dënimi me vdekje u hoq përfundimisht në vitin 2007, në përputhje me Protokollin nr. 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon këtë formë ndëshkimi në çdo rrethanë. Që prej asaj kohe, burgimi i përjetshëm mbetet dënimi më i rëndë i parashikuar në Kodin Penal.

Në Europë, dënimi me vdekje është i ndaluar në të gjitha vendet. Në SHBA, ai aplikohet në disa shtete, por jo për përdhunim fëmijësh, përveçse kur akti përfundon me vrasje/vdekje.

Pra, edhe pse ndjesia e drejtësisë kërkon ndëshkimin më ekstrem për raste si ky, ligji ndërkombëtar dhe angazhimet e shtetit shqiptar nuk lejojnë më rikthimin e tij.

Atëherë, çfarë zgjidhje kemi?

A është momenti për të kërkuar burgim të përjetshëm pa kusht, pa ulje, pa dalje me sjellje të mirë?

A duhet të aplikohen masa të jashtëzakonshme, ku autorët e krimeve seksuale ndaj fëmijëve të izolohen përgjithmonë, pa kontakt me jashtë, pa shpresë për liri?

A duhet të investohet më shumë në parandalim, psikologji, edukim dhe identifikim të hershëm të viktimave?

A mundet një shoqëri që hesht, të mbrohet nga barbaritë që ndodhin në heshtje, brenda familjes?

Në këtë pikë, duam t’ju pyesim ju, lexuesit tanë:

A është i nevojshëm rikthimi i dënimit me vdekje në raste abuzimi seksual me të mitur?

Na tregoni mendimin tuaj. Sepse vetëm kur shoqëria reagon, ligji mund të ndryshojë. Dhe vetëm kur drejtësia vihet në vend, viktimat mund të fillojnë të shërohen.

The post Kur fëmijët abuzohen seksualisht… A duhet të rikthehet dënimi me vdekje? appeared first on iconstyle.al.

Kur fëmija bërtet, kush dëgjon? Shqipëria që sheh, por nuk reagon

By: Iconstyle
19 June 2025 at 12:27

Një djalë i vogël, vetëm 4 vjeç, ndalet për të luajtur disa hapa larg prindërve të tij që shëtisin buzë detit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Një i ri i afrohet, e merr në krahë me rrëmbim dhe largohet në drejtim të kundërt. Në pak sekonda, pushimi familjar kthehet në makth. Pamjet e filmimit amator janë tronditëse. Prindërit e kuptojnë çfarë po ndodh, reagojnë me vrap dhe arrijnë ta ndalojnë. I riu thotë se “e ngatërroi, mendoi se djali kishte humbur”. Por askush nuk e di nëse ky ishte një keqkuptim i tmerrshëm… apo një tentativë që për pak nuk u kthye në tragjedi.

Pak ditë më parë, në një zonë të banuar të Tiranës, një tjetër rast rrëqethës tronditi shoqërinë. Vajza 6-vjeçare e detektives private, Shkënda Lili, bie pre e një tentative rrëmbimi. Një grua e panjohur, rreth të pesëdhjetave, i afrohet të miturës në hyrje të pallatit, i ofron çokollata dhe më pas përpiqet ta tërheqë me forcë. Ndërhyrja e disa fqinjëve shmang më të keqen. Autorja largohet. Policia është ende në kërkim të saj.

Tabloja bëhet edhe më e zymtë, kur në rrjet qarkullon një video eksperimentale e realizuar në Tiranë me lejen e Policisë së Shtetit. Një aktor mashkull simulon rrëmbimin e një vajze të mitur, gjithashtu aktore. Vajza bërtet për ndihmë, ai e tërheq me forcë. Dhjetëra kalimtarë e shohin skenën, asnjëri nuk ndërhyn. Askush nuk afron një hap. Nuk pyet, nuk nxiton, nuk thërret për ndihmë. Disa flasin mes tyre. Disa shikojnë të hutuar. Por asnjë nuk guxon të veprojë.

 

@homelandalbania Vogëlushja “rrëmbehet” në mes të ditës në Tiranë, si reagojnë kalimtarët? __ ⚠ Kujdes: Ky është një eksperiment social! Të gjitha skenat janë të simuluara. Fëmija dhe i rrituri janë aktorë dhe janë pjesë e eksperimentit. Asnjë person nuk ka qenë realisht në rrezik. Ky projekt është realizuar me lejen dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit, me qëllim edukimin dhe informimin e qytetarëve për të reaguar si duhet në situata të ngjashme. 📞 Në rast se jeni dëshmitarë të një situate të ngjashme reale, kontaktoni menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 129. __ Për të ndjekur videon e plotë klikoni në kanalin tonë zyrtar në Youtube të “Homeland Albania” #homelandalbania #schocking #socialexperiment #tirana #albania #kidnapped #experiment ♬ original sound – HomelandAlbania

Dhe ja ku jemi. E vërteta e dhimbshme është kjo: kemi ndalur së ndjeri!

Jo vetëm ndaj fëmijëve. Por ndaj gjithkujt. Ndaj hallit të tjetrit. Ndaj dhimbjes që nuk na përket drejtpërdrejt. Ndaj padrejtësive që nuk na kapin ne vetë për krahu. Edhe kur dikush bërtet në rrugë për ndihmë, nuk afrohemi. Edhe kur dikush proteston për drejtësi, nuk bashkohemi. Edhe kur një qytetar, një grua, një nënë, një fëmijë është në rrezik, nuk guxojmë të ndërhyjmë.

Kemi krijuar një iluzion sigurie në vetvete, ku gjithçka jashtë vetes është “punë e tjetrit”. Nuk reagojmë se “s’ka ç’na duhet ne”. Nuk flasim se “s’na përket”. Jemi shkëputur nga ideja më e thjeshtë: që për të qenë njerëzor, nuk të duhet asnjë ftesë zyrtare. Të duhet vetëm zemra.

Fatkeqësisht, kemi mbërritur në një pikë ku askush nuk e ndjen më urgjencën morale për të bërë diçka. Për të vepruar. Për të marrë përgjegjësi jo ligjore, por njerëzore. Kjo është më e rrezikshme se çdo ligj i munguar. Sepse, në fund të fundit, ligjet nuk shpëtojnë jetë, reagimi i menjëhershëm i njerëzve po.

Sepse jo, nuk është vetëm detyra e policisë të ndalojë një rrëmbyes. Është detyra e parë e qytetarit që ndodhet pranë. Është refleksi i një shoqërie të shëndetshme që reagon menjëherë kur sheh rrezik. Dhe nëse ky refleks mungon, atëherë ne nuk kemi më shpresë për drejtësi, për siguri, për dinjitet.

Nëse nesër është fëmija yt, a do të duash që të tjerët të mbyllin sytë?

Ndaj, nuk mund të presim më që tragjeditë të na trokasin në derë që të kujtohemi për njerëzinë. Duhet të ndërgjegjësohemi. Të ngrejmë zërin. Të guxojmë. Të veprojmë. Të hapim zemrën. Të bashkohemi. Nuk është turp të ndërhysh. Turp është të shohësh dhe të mos bësh asgjë.

Nëse shihni një situatë të dyshimtë, nëse dikush sillet në mënyrë të pazakontë me një fëmijë, nëse një i mitur duket i frikësuar, i vetëm, i tërhequr apo po thërret për ndihmë, mos prisni që ta bëjë dikush tjetër.

📞 Telefononi menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 129.

Telefonata jote mund të jetë gjithçka që bën dallimin mes frikës dhe shpëtimit. Një shoqëri e vërtetë nuk ndërtohet me heshtje, por me zemër, me reagim, me guximin për të thënë: po, është edhe puna ime!

The post Kur fëmija bërtet, kush dëgjon? Shqipëria që sheh, por nuk reagon appeared first on iconstyle.al.

Kur bebet kthehen në “content”: Loja e gjinive, rrjetet sociale dhe një reflektim i munguar

By: Iconstyle
17 June 2025 at 14:50

Në epokën ku çdo moment personal transmetohet “live”, edhe lindja e një fëmije nuk i shpëton dot ekranit. Influencuesja Eliona Pitarka është bërë nënë për herë të tretë, një gëzim i madh që padyshim ka emocionuar shumë ndjekës. Por ajo çfarë pasoi pas këtij lajmi të bukur, ndezi një debat publik për një çështje më të madhe: deri ku shkon ekspozimi i fëmijëve në rrjet?

Pasi mbajti të fshehtë gjininë gjatë gjithë shtatzënisë (një zgjedhje personale dhe e respektueshme) Eliona publikoi menjëherë pas lindjes një quiz në Instagram ku ndjekësit ftoheshin të gjenin: është vajzë apo djalë?

Një moment që për disa u duk si një mënyrë kreative për të ndarë lajmin, për shumë të tjerë u perceptua si një vazhdim i lojës me ndjenjën e kuriozitetit, tashmë në kurriz të një foshnje të porsalindur.

Ndarje gëzimi apo ndarje për algoritmin?

Në një shoqëri ku emocionet ndahen me filtra, është gjithnjë e më e vështirë të kuptohet nëse një postim është reflektim i një ndjenje të sinqertë, apo një strategji për angazhim. Kjo ndarje bëhet edhe më e ndjeshme kur përfshihet një fëmijë, një qenie që ende nuk ka mundësi të japë pëlqimin apo të kuptojë çfarë ndodh me imazhin e tij në internet.

Pjesa më e madhe e komenteve nën postimin e Elionës nuk ishin as urime, as kritika personale, por reflektime të shoqërisë ndaj një fenomeni që po përhapet gjithnjë e më shumë: kthimi i bebeve në pjesë të pandashme të “content-it” ditor.

 

Influenca si profesion dhe kufijtë e ekspozimit të të miturve

Askush nuk mohon që të qenit influencues është sot një profesion më vete. Por, një pjesë e ndjekësve në Shqipëri po ngrenë shqetësimin se përdorimi i fëmijëve si pjesë e këtij “produkti online” po tejkalon çdo kufi. Komente si “i kanë kthyer bebat në biznes”, “nuk janë më fëmijë, janë quiz-e online”, apo “shijojeni për vete, jo për botën” janë shenja të një lodhjeje kolektive ndaj spektaklit të pandërprerë në rrjet.

Po jashtë Shqipërisë, çfarë ndodh? A ka pasoja ligjore?

Në vende si Franca dhe Gjermania, mbrojtja e privatësisë së fëmijëve është e rregulluar ligjërisht. Prindërit që publikojnë në mënyrë të tepruar apo komerciale imazhin e fëmijëve mund të përballen me sanksione, ndalime publikimi apo dhe gjoba, veçanërisht në rastet ku postimet perceptohen si shkelje të të drejtave të të miturve.

Në Francë, Kodi Civil parashikon të drejtën e fëmijës për të mbrojtur imazhin e tij – dhe në të ardhmen, një fëmijë mund të kërkojë edhe dëmshpërblim ndaj prindërve, nëse ndihet i cënuar nga postimet e fëmijërisë së tij.

Në Shqipëri? Ky debat është ende në hapat e parë.

Ky artikull nuk ka për qëllim të gjykojë një nënë të re në ditët e para të gëzimit të saj. Përkundrazi, është një ftesë për të gjitha nënat, prindërit, dhe sidomos për figurat publike që ndikojnë në opinion: të ndalemi dhe të pyesim veten: po e ndaj këtë moment për vete apo për botën? Për gëzim apo për klikime? Për kujtim apo për shikueshmëri?

Sepse përpara se të jetë “content”, një fëmijë është një shpirt i pastër që ka nevojë për mbrojtje. Jo për kureshtjen e publikut. Dhe sigurisht, jo për algoritmin.

Lindja është mrekulli. Dhe nëse zgjedhim ta ndajmë këtë moment me të tjerët, le ta bëjmë me dashuri. Me maturi. Dhe mbi të gjitha, me ndjeshmëri njerëzore, që shpesh harrohet pas ekranit.

/iconstyle.al

The post Kur bebet kthehen në “content”: Loja e gjinive, rrjetet sociale dhe një reflektim i munguar appeared first on iconstyle.al.

Pamje ekskluzive: Sara Hoxha dhe Erik Fullani në bregdet

By: gaze tare
16 June 2025 at 12:11

Prej disa ditësh rrjeti po zien nga thashethemet për një lidhje të mundshme mes Sarës Hoxha dhe Erik Fullanit. Dyshimet nisën pas disa postimeve të dyshimta nga i njëjti destinacion në jug të vendit, por tashmë duket se çdo dyshim është konfirmuar me këto pamje ekskluzive të siguruara nga IconStyle.

Në foto, Sara dhe Eriku shihen duke shijuar një ditë plazhi në shoqërinë e njëri-tjetrit, të relaksuar dhe të buzëqeshur, në një ambient privat dhe larg syve të publikut.

The post Pamje ekskluzive: Sara Hoxha dhe Erik Fullani në bregdet appeared first on iconstyle.al.

“I hedhin me motor turistët”/Gjarpërinjtë dhe teoritë sabotuese po kafshojnë turizmin shqiptar

By: Iconstyle
10 June 2025 at 17:00

Në një vend ku vera është sinonim i turizmit, pushimit dhe gjallërisë në bregdet, pak kush do të imagjinonte se në qendër të vëmendjes do të viheshin… gjarpërinjtë. E megjithatë, ky është realiteti që ka shpërthyer në Shëngjin e Velipojë këto ditë. Qytetarë të shqetësuar po ndajnë video, foto dhe përshkrime të detajuara mbi një prani të pazakontë të gjarpërinjve nëpër rrugë, trotuare dhe madje pranë zonave të frekuentuara nga pushuesit.

Një qytetare që po udhëtonte me makinë në këtë aks rrugor tregoi se gjatë një pjese të rrugës pa të paktën shtatë apo tetë gjarpërinj që kalonin asfaltin në qetësi të plotë. Në një tjetër rast, një grua ka deklaruar se është pickuar dhe ka kaluar 12 ditë në reanimacion në gjendje të rëndë. Tashmë, kjo është një situatë që po shqetëson publikun dhe po krijon ndjesi të forta pasigurie.

Ajo që bie menjëherë në sy, përveç vetë rrezikut fizik, është mosbesimi masiv ndaj institucioneve dhe mungesa totale e një sqarimi zyrtar. Në komente, qytetarët nuk ngurrojnë të shprehen se ky është një sabotim i qëllimshëm. Disa fajësojnë turistët me motorë që “kanë sjellë gjarpërinjtë në çanta”, të tjerë përmendin shërbime sekrete të huaja që duan të pengojnë zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Këto teori nuk janë të reja. Qarkullojnë prej vitesh, sidomos gjatë stinëve të verës, kur gjarpërinjtë shfaqen në mënyrë më të dukshme. Prej më shumë se një dekade, në rrjetet sociale dhe në bisedat e përditshme përmenden Serbia dhe Greqia si burime të mundshme të një “importi të qëllimshëm” të zvarranikëve. Problemi madhor qëndron tek pasojat e futjes së një specieje në një mjedis që nuk e ka evoluar natyrshëm për ta përballuar.

Gjarpërinjtë, sado të rëndësishëm të jenë në një ekosistem të vetin, kur futen në një ekosistem të huaj mund të bëhen jashtëzakonisht të dëmshëm. Përshtatja ekologjike kërkon mijëra vjet, dhe futja e një specie të re, qoftë edhe një zvarraniku, mund të destabilizojë balancën biologjike të një territori të tërë.

Gjarpërinjtë janë grabitqarë natyralë. Ata mund të zhdukin zogj të vegjël, bretkosa, brejtës të vegjël që luajnë rol të rëndësishëm në shpërndarjen e farave apo në ciklin e tokës. Në zona rurale, mund të përbëjnë rrezik për blegtorinë, për fëmijët dhe për ata që punojnë tokën. Nëse pickimet fillojnë të shtohen, ngarkohet sistemi shëndetësor, rritet paniku dhe krijohet një klimë mosbesimi që përhapet më shpejt se vetë zvarranikët.

Kjo ka ndodhur në shumë vende të botës: gjarpërinjtë invazivë kanë zhdukur zogj, brejtës dhe zvarranikë autoktonë, kanë ndryshuar ciklet e riprodhimit të specieve të tjera dhe kanë shkaktuar një varfërim të ndjeshëm të biodiversitetit. Në një vend si Shqipëria, ku kontrolli ekologjik dhe monitorimi i faunës janë minimalë, futja e një specieje të re është rrezik serioz që mund të kalojë pa u kuptuar deri sa të jetë shumë vonë.

Ka edhe nga ata që mendojnë se ndokush nga brenda vendit po i hedh qëllimisht për të krijuar panik, për të frenuar zhvillimin lokal apo për të zhvendosur interesat turistike diku tjetër.

Një pushues që has në rrugë një zvarranik, nuk do të kthehet më aty. Ndikimi është zinxhir. Turistët ikin. Sipërmarrjet humbasin të ardhura. Të rinjtë humbasin besimin në zhvillimin e zonës. Mediat e huaja kapin rastin dhe e shpërndajnë, duke zbehur imazhin e Shqipërisë si destinacion i sigurt.

Heshtja krijon mjegull. Dhe mjegulla, në Shqipëri, mbart gjithmonë rrezik. Por përtej heshtjes, ka një problem më të madh: mungesa totale e investimeve për monitorimin e biodiversitetit, mbrojtjen e florës dhe faunës, dhe kontrollin ekologjik të territorit. Shqipëria shpenzon miliona euro çdo vit në tendera që kanë më shumë interes financiar se publik, në projekte luksi, në fasada dhe spektakël, ndërkohë që nuk arrin të mbulojë nevojat minimale për studime mjedisore, për pastrim terreni, apo për reagim të specializuar ndaj fenomeneve të tilla. Institucionet që duhet të jenë në terren, janë shpesh vetëm në letra. Ndërsa qytetarët përballen me pasoja të drejtpërdrejta, më shumë përfitojnë ata që vjedhin me letra, jo ata që mbrojnë me dije.

Askush nuk është i sigurt që kemi një komplot ndërkombëtar. Por as nuk mund të përjashtohen veprime dashakeqe nga individë apo grupe që duan të shkatërrojnë një potencial ekonomik. Shqipëria nuk është e paprekshme. Dhe as nuk ka imunitet nga sabotimet.

Gjarpërinjtë mund të jenë pjesë e natyrës. Por paaftësia për t’i kontrolluar është pjesë e gabimeve tona. Dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë një tjetër verë, një tjetër potencial, një tjetër betejë, as nga “armiqtë”, por as nga vetja.

/iconstyle.al

The post “I hedhin me motor turistët”/Gjarpërinjtë dhe teoritë sabotuese po kafshojnë turizmin shqiptar appeared first on iconstyle.al.

Të pasmet në ofertë: Personazhet shqiptare shesin trupin për algoritëm/ Si na ndikon në psikologji?

By: Iconstyle
2 June 2025 at 21:05

Zgjedhja është e jona. Çdo klik, çdo pëlqim, çdo follow është votë për llojin e kulturës që duam. Ndoshta është koha të riprogramojmë jo vetëm algoritmet e mediave sociale, por edhe ato të mendjes sonë kolektive.

Kur Enca Haxhia u shfaq sërish në një videoklip me të pasmet plotësisht të ekspozuara për të disatën herë, rrjeti shpërtheu. Për disa ishte thjesht një moment artistik. Për të tjerë, një tjetër provokim i tepruar. Por Enca nuk është e vetmja. Artiste të tjera si dhe shumë influencuese të reja që ndërtojnë imazhin publik mbi ekspozimin trupor, janë pjesë e një modeli që po bëhet trend dominant në industrinë e famës.

Ky trend po shndërrohet në një model që riformaton të gjithë mënyrën si përkufizohet vlera dhe suksesi, sidomos për vajzat e reja. Jemi përballë një fenomeni që po prodhon pasoja reale, të dukshme dhe të dokumentuara në mënyrë shkencore.

Në botën e rrjeteve sociale, trupi i zhveshur ka vlerë të matshme. Një analizë e vitit 2021 nga Social Media Examiner tregoi se përmbajtjet me ekspozim seksual gjenerojnë mesatarisht 40 deri në 60% më shumë aktivitet sesa postimet neutrale. Algoritmet favorizojnë këtë lloj përmbajtjeje. Sa më shumë lëkurë, aq më shumë pëlqime, komente dhe shpërndarje. Ky sistem e kthen trupin në instrument për sukses të menjëhershëm dhe të matshëm.

Këngëtaret dhe personazhet publike që ndjekin këtë rrugë janë produkte të një industrie që përfiton direkt nga seksualizimi. Në këtë sistem, zhveshja nuk është më zgjedhje personale, por kërkesë për t’u vënë re. Dhe kur shpërblimi për ekspozimin është fama, vështirë që dikush të zgjedhë të mbulohet pa u zhdukur nga vëmendja.

Pasojat psikologjike dhe vetëobjektifikimi

Raporti i American Psychological Association mbi seksualizimin e vajzave në media ka sjellë disa nga alarmet më të mëdha në dekadën e fundit. Sipas këtij raporti, vajzat që rriten duke konsumuar përmbajtje që paraqet trupin e femrës në mënyrë seksuale janë më të prirura të vuajnë nga vetëobjektifikimi, ankthi, depresioni, çrregullime të të ngrënit dhe rënie të vetëbesimit.

Vajza të moshës 13-17 vjeç ndihen të detyruara të duken “më seksi” në rrjetet sociale për të qenë të pranuara nga rrethi i tyre. Ky presion është një përzierje e nevojës për vëmendje dhe modelit të vazhdueshëm të një sjelljeje që shpërblehet.

Ekspozimi i vazhdueshëm në forma seksuale, kur bëhet mënyra e vetme për të komunikuar me botën, lidhet me çrregullime që janë trajtuar edhe në literaturën klinike.

Ekshibicionizmi, për shembull, është një çrregullim psikoseksual, që shpesh vjen si reagim ndaj traumave, pasigurive të thella dhe mungesës së ndjesisë së kontrollit. Edhe kur nuk flasim për diagnoza të qarta, shumë psikiatër e psikologë bien dakord se sjelljet e këtij lloji janë mekanizma kompensues për boshllëkun emocional dhe varësinë ndaj vëmendjes.

Like-u nuk është më vetëm një klikim, është formë miratimi, është dozë dopamine. Psikologët e zhvillimit e krahasojnë këtë ndjesi me efektin e një substance stimuluese. Sa më shumë like e komente, aq më shumë truri përforcon modelin që i solli ato. Dhe kur modeli është “trego trupin për të marrë dashuri”, çdo herë do të kërkosh ta bësh pak më tepër. Një spirale e rrezikshme që nis si zgjedhje personale, por përfundon si model i imponuar.

Në këtë kuadër, nuk kemi më të bëjmë me liri, por me një detyrim të heshtur për të qenë i dukshëm. Trupi i femrës është kthyer në monedhë sociale. Nëse nuk ekspozohesh, nuk vlen. Nëse nuk të shohin, nuk ekziston. Nëse nuk e përdor trupin, askush nuk të dëgjon mendjen.

Nëse sot një adoleshente mendon se për të qenë e bukur duhet të dalë nudo, kjo është pasojë e një kulture që po rrit fëmijë në një realitet ku seksi është më i rëndësishëm se identiteti. Një kulturë që nuk ofron alternativa, nuk promovon diversitet idesh apo vlerash, por vetëm një standard: tërheqjen fizike. Shoqëria hesht. Media e shet. Ne të gjithë bëhemi bashkëpunëtorë të një gënjeshtre të përmasave kulturore.

Kur ekspozimi i trupit vjen pa edukim për pasojat që sjell, krijojmë një brez që nuk ka më mjete të tjera për të ndërtuar vetveten. Vajzat ndihen më shumë si produkte sesa si persona. Dhe kur arrijnë në një moshë ku kërkojnë kuptim më të thellë, e gjejnë veten të zbrazëta në një shoqëri që vetëm i shikoi, por asnjëherë nuk i dëgjoi.

Zgjedhja është e jona. Çdo klik, çdo pëlqim, çdo follow është votë për llojin e kulturës që duam. Ndoshta është koha të riprogramojmë jo vetëm algoritmet e mediave sociale, por edhe ato të mendjes sonë kolektive.

Ky artikull nuk synon të gjykojë individë specifikë, por të analizojë një fenomen kulturor që na prek të gjithëve. Çdo person ka të drejtën e zgjedhjes së lirë. Por sa të lira janë vërtet zgjedhjet tona në epokën e algoritmeve manipuluese?

The post Të pasmet në ofertë: Personazhet shqiptare shesin trupin për algoritëm/ Si na ndikon në psikologji? appeared first on iconstyle.al.

Ekskluzive/ Zbulohet arsyeja pas largimit të Albës dhe Lim Hotit nga “Ferma VIP”

By: gaze tare
14 May 2025 at 19:07

Ashtu sikurse Iconstyle raportoi, ditën e djeshme, Alba Pollozhani u largua nga “Ferma VIP”, duke i uruar publikisht fitoren partnerit të saj, Lim Hoti. Por vetëm pak orë pas largimit të saj, produksioni njoftoi edhe daljen e menjëhershme të Limit nga formati.

Deri dje, arsyet e kësaj vendimmarrjeje mbeteshin të paqarta, duke krijuar përshtypjen se Limi nuk mund të qëndronte në fermë pa praninë e Albës. Por, sipas burimeve ekskluzive të Iconstyle, nga një spital privat në Tiranë, e vërteta është më e thellë.

Mësohet se Albës i janë kryer testet e gjakut për shtatzëni pak përpara largimit nga programi. Dyshohet se çifti mund të jetë në pritje të një fëmije, dhe kjo të ketë qenë arsyeja e largimit të tyre të përbashkët dhe të papritur nga spektakli.

Deri në këto momente, as Alba dhe as Limi nuk kanë reaguar publikisht, po ashtu as produksioni nuk ka dhënë ndonjë sqarim zyrtar në lidhje me situatën.

The post Ekskluzive/ Zbulohet arsyeja pas largimit të Albës dhe Lim Hotit nga “Ferma VIP” appeared first on iconstyle.al.

“Top Channel” shet bashkimin kombëtar në emër të audiencës

By: Iconstyle
15 April 2025 at 11:27

Ka një vijë shumë të hollë mes spektaklit dhe shfrytëzimit emocional. “Top Channel” e ka kaluar me shumë lehtësi këtë vijë. Në vend që të ndërtojë një program që reflekton vlerat e bashkëjetesës shqiptare, siç pretendon në ekran, ka zgjedhur të minojë themelin më të ndjeshëm të shoqërisë sonë: marrëdhënien mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ngjarja e fundit në “Big Brother VIP 4”, ku një konkurrent goditi me dhunë një tjetër, është pasqyrë e shëmtuar e mënyrës sesi një media kombëtare, me akses të pakufizuar në mendjen e publikut, zgjedh të nxisë ndasi, të përdorë tensionet etnike si monedhë votimi dhe të relativizojë dhunën në ekran, në emër të klikimeve dhe fitimit.

Kur një konkurrent që më herët ka ofenduar rëndë një banor tjetër me gjuhë etnike të neveritshme, rifutet në shtëpi nga e njëjta media që pretendon të jetë “kundër dhunës”, nuk kemi më të bëjmë me një rastësi. Kemi të bëjmë me një strategji. Një strategji e ftohtë e një televizioni që e ka kuptuar prej kohësh se sa më shumë ta ndajë publikun, aq më shumë përfiton. Aq më shumë rritet ndjeshmëria, rrjedhimisht votat, rrjedhimisht paratë. E gjithë kjo është e llogaritur. Shpullat në ekran janë valuta e re e televizioneve të mëdha.

Ajo që ndodhi së fundmi ishte incident i paralajmëruar. Ishte rezultat i një vendimi të vetëdijshëm për të lejuar një person me precedentë problematikë, të rikthehet në një program ku emocionet janë në kufijtë e shpërthimit. Dhe e gjitha shpërtheu. Por për ironi, nuk shpërtheu vetëm një akt dhune. Shpërtheu një plagë më e thellë: ajo e përçarjes shqiptare!

Mjafton një vështrim i thjeshtë në komentet e rrjeteve sociale për të kuptuar se jemi shumë larg prej një “kombësie të përbashkët” kur mediat zgjedhin të fryjnë dallimet mes nesh. Shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, që duhet të ishin zëri i njëri-tjetrit, sot janë kthyer në kundërshtarë të ashpër virtualë. Komente që shpesh kalojnë në gjuhë të urrejtjes, racizëm të ndërsjellë dhe një përçmim që vjen vetëm sepse dikush është “prej andej” dhe tjetri “prej këtej”. Kjo nuk ka ardhur rastësisht. Është produkt i një ekrani që ka nevojë të na mbajë të ndarë për të na bërë konsumatorë më emocionalë.

“Top Channel” nuk ka reaguar me seriozitetin e duhur. Nuk ka reflektuar për incidentin e parë me fjalorin diskriminues dhe as nuk ka marrë përgjegjësinë që i takon si media kombëtare që formëson opinionin publik. Përkundrazi, e ka përdorur konfliktin për të rritur shikueshmërinë dhe për të rritur fitimin, pa llogaritur koston sociale që ky spektakël po lë pas.

Nuk është një rast i izoluar. Dhuna në “Top Channel” është bërë thuajse normale. Nga zënkat fizike, promovimi i dhunuesve, fshehja e deforimimi i lajmeve e deri tek fjalori denigrues dhe nxitja e përçarjes, ky televizion ka vendosur prej kohësh që morali është më pak i vlefshëm se një SMS me 150 lekë. Dhe kur përfitimi financiar bëhet i vetmi kriter, kombi është i fundit që mendohet.

Nëse një reality-show mund të na ndajë në “kosovarë” dhe “shqiptarë”, në “pro-Gjest” dhe “pro-Jozi”, në “ne” dhe “ata”, atëherë problemi nuk është më tek personazhet që hyjnë në një format. Është te formati vetë dhe tek secili prej nesh, të cilët na merr lirshëm rrjedha e urrejtjes e përçarjes kombëtare.

Për televizionin, asnjë fitim nuk e justifikon dëmin që po i bëhet kohezionit mes dy pjesëve të të njëjtit popull. Asnjë votë nuk e justifikon relativizimin e një shpullë në televizion kombëtar. Dhe asnjë emocion televiziv nuk duhet të ngrihet mbi kurrizin e një realiteti kaq të ndjeshëm dhe delikat si marrëdhënia Shqipëri-Kosovë!

Sa shumë po na kushton? Shqiptarët s’mund të jenë bagëti që përçahen për hir të spektaklit!

The post “Top Channel” shet bashkimin kombëtar në emër të audiencës appeared first on iconstyle.al.

Dhunuesit rikthehen në “BBVA”- “Top Channel”, legjitimues zyrtar i dhunës

By: Iconstyle
26 February 2025 at 12:26

“Top Channel” ka arritur kulmin e papërgjegjshmërisë mediatike duke rikthyer në “Big Brother VIP Albania” dy banorë të përjashtuar me zarf të zi për dhunë e sjellje të papranueshme, si dhe një tjetër që zgjodhi vetë të largohej nga formati.

G-Bani, i përjashtuar për dhunë fizike, Jozi, i nxjerrë për gjuhë diskriminuese dhe urrejtje etnike, dhe Amber Candy, e cila u largua me dëshirë të plotë duke deklaruar se “është degjeneruar në mënyrë të tmerrshme”, tani po serviren sërish në ekranet tona përmes një farse votimi që tallet hapur me inteligjencën e publikut.

Ky manipulim i turpshëm, i maskuar si një “votim publik” ku Gjestit iu dha mundësia të zgjidhte shtatë banorë dhe publiku do të votonte për tre, është thjesht një tjetër demonstrim i strategjisë cinike të “Top Channel” për të gjeneruar klikime dhe shikueshmëri me çdo kusht – edhe nëse kjo do të thotë të shkelësh çdo parim etik dhe rregull të formatit ndërkombëtar.

A ka kufi degradimi moral? “Top Channel” ka shndërruar dhunën në spektakël, duke na shitur dhunuesit si yje dhe racistët si argëtues. A duhet të presim skena makabre në një televizion publik që të largohen përfundimisht dhunuesit, ofenduesit dhe bullizuesit?

Këta janë “VIP-at” e dorës së dytë që nuk po promovojnë asgjë përveç dhunës, ofendimeve, bullizmit.

Ky episod i fundit është vetëm një pikë në listën e gjatë të Top Channel për promovimin e dhunës. Rasti i Gerta Gixharit, e cila sulmoi dy herë me alkool Gjestin, u trajtua si një incident i parëndësishëm që mund të zgjidhej me një “votim publik”.

G-Bani, i cili ushtroi dhunë fizike ndaj Gjestit, dhe Jozi, që përdori term racist “kopil shkine”, tani po rikthehen në të njëjtën shtëpi ku shkaktuan kaos – një vendim që çon ujë në mullirin e normalizimit të dhunës.

Amber Candy, e cila e braktisi vetë formatin duke deklaruar se nuk mund të qëndronte më në atë mjedis “degjenerues”, tani rikthehet sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Historia e “Top Channel” në tolerimin dhe promovimin e dhunës është e gjatë dhe e turpshme. Motrat Berisha, pas sulmit brutal ndaj Klea Prengës, u shndërruan në yje mediash, me Antonela Berishën që u prit me duartrokitje në “Goca dhe Gra”.

Egla Ceno, pas sulmit me alkool ndaj Meritonit, jo vetëm u lejua të rikthehej, por u kurorëzua fituese – një mesazh katastrofik që sugjeron se dhuna shpërblehet.

Vrasja e pazbardhur e rojes 60-vjeçar Pal Kola, ku një nga pistat hetimore lidhej drejtpërdrejt me produksionin e Big Brother, u fshi shpejt nga memoria institucionale e televizionit, sikur jeta e një njeriu të ishte thjesht një detaj i parëndësishëm në makinën e tyre të fitimit.

“Top Channel” ka krijuar një precedent të rrezikshëm ku dhuna, diskriminimi, dhe bullizmi shpërblehen me më shumë kohë ekrani. Ky televizion që pretendon se është pasqyrë e shoqërisë shqiptare, po reflekton vetëm një imazh të shëmtuar të saj, duke normalizuar sjellje që në çdo kontekst tjetër do të ishin të dënueshme.

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) duhet të ndërhyjë menjëherë me masa ndëshkuese. “Top Channel-it” duhet t’i hiqet patenta ndërkombëtare e formatit – ky televizion ka provuar vazhdimisht se nuk di të bëjë show brenda rregullave, duke e kthyer çdo situatë në një degjenerim të plotë.

Top Channel nuk është më thjesht një medium argëtimi dhe informimi – është kthyer në një inkubator të sjelljes së dhunshme, ku çdo veprim anti-social jo vetëm tolerohet, por shpërblehet me më shumë famë dhe ekspozim mediatik.

Është koha që publiku shqiptar të ngrejë zërin dhe të kërkojë ndërprerjen e menjëhershme të kësaj farse të rrezikshme që po helmon shoqërinë tonë!

/iconstyle.al

The post Dhunuesit rikthehen në “BBVA”- “Top Channel”, legjitimues zyrtar i dhunës appeared first on iconstyle.al.

Ekskluzive: Arjola Demiri kthehet në kinema pas një mungese të gjatë

By: gaze tare
11 February 2025 at 12:23

Pas një periudhe të gjatë mungese nga ekranet e kinemasë, Arjola Demiri rikthehet në një rol të ri dhe surprizues.

Pas suksesit të madh me rolin protagonist në filmin “I Love Tropoja”, ajo tani është pjesë e produksionit të shumëpritur “Luli & Goni Lemes”.

Ekskluzivisht për Iconstyle, burime të besueshme konfirmojnë se ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e saj artistike, duke shënuar një kthim të fuqishëm në botën e kinemasë.

Pritshmëritë janë të larta dhe me siguri fansat e aktorës mezi po presin të shohin performancën e saj të re.

Filmi me skenar të autores dhe producentes Klaudia Brahimaj dhe regjisor Bjordi Mezini, është një homazh për Vlorën duke përfshirë elemente të muzikës, kulturës dhe traditës jugore. Kjo komedi, sjell Aurela Gaçen në rol kryesor, si dhe Fjoralba Ponarin, Deivis Myslymin e Margent Caushin në kast.

The post Ekskluzive: Arjola Demiri kthehet në kinema pas një mungese të gjatë appeared first on iconstyle.al.

“Luli & Goni Lemes”, zbulohen rolet e komedisë së re me Aurela Gaçen

By: Iconstyle
3 January 2025 at 15:54

Mezi po presim të ulemi me kokoshka para ekranit e të shkulemi së qeshuri, sepse na mungon një komedi e mirë!

Me skenar të Klaudia Brahimajt dhe regji të Bjordi Mezinit, filmi komedi “Luli & Goni Lemes” sjell Aurela Gaçen në rol kryesor, si dhe Fjoralba Ponarin, Deivis Myslymin e Margent Caushin në kast. (Lexo këtu)

Mësuam rolet e tyre dhe erdhëm shpejt t’ju tregojmë.

Lemja” e famshme është padyshim Aurela Gaçe e cila ka mbaruar edhe akademinë për aktrim, ndaj kemi besimin se do ta qajë këtë rol!

Djalin e Lemes tonë (Goni) do ta sjellë në rol Deivis Myslymi.

Lulin? Margent Caushi.

Kuriozë të shohim dinamikat e filmit dhe bashkëpunimin e personazheve.

Për rolin e Fjoralbës në komedi, së bashku me aktorë të tjerë të kastit, na lexoni në artikullin tjetër…

The post “Luli & Goni Lemes”, zbulohen rolet e komedisë së re me Aurela Gaçen appeared first on iconstyle.al.

Ekskluzive: Isida Mollaymeri në pritje të ëmbël, nënë për herë të parë

By: gaze tare
2 January 2025 at 19:06

Balerina e njohur Isida Mollaymeri, është në pritje të ëmbël! Burime të sigurta për Iconstyle kanë konfirmuar se balerina është shtatzënë.

Deri më tani, ajo nuk ka ndarë asnjë detaj publikisht, por burime pranë saj tregojnë se gjithçka po shkon mbarë dhe se çifti është i lumtur për këtë kapitull të ri në jetën e tyre. Iconstyle raportoi më parë se partneri i balerinës është maqedonas dhe jeton jashtë vendit (lexo këtu).

Edhe pse nuk e ka ndarë publikisht, një moment nga video e saj, konfirmon lajmin e Iconstyle, ku duket qenushi i saj, me dy fjongo, një rozë dhe një blu. Ajo foto tregon se në atë muaj ka ndodhur edhe gender reveal.

Urime të përzemërta për Isidën dhe partnerin e saj në këtë rrugëtim të mrekullueshëm!

The post Ekskluzive: Isida Mollaymeri në pritje të ëmbël, nënë për herë të parë appeared first on iconstyle.al.

❌
❌