Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Stuhia Floris ‘mbërthen’ Skocinë dhe Anglinë/ Kaos në qarkullim, ndërpritet transporti hekurudhor dhe pezullohen fluturime

Stuhia Floris ka paralizuar Skocinë, duke shkaktuar kaos në transport dhe vënë në rrezik sigurinë e qytetarëve. Autoritetet kanë lëshuar disa paralajmërime dhe u kanë kërkuar banorëve të tregohen të kujdesshëm.

Transporti hekurudhor është ndërprerë pothuajse tërësisht. Janë vendosur kufizime shpejtësie dhe anuluar shërbime, ndërsa linjat e trenave do të qëndrojnë të mbyllura deri në një inspektim të dëmeve.

Fluturimet nga aeroporti i Glasgout janë pezulluar. Rreziku i pemëve që bien dhe i ndërprerjeve të energjisë elektrike mbetet i lartë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të kontrollojnë vazhdimisht përditësimet dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme. / abcnews.al

Bashkimi Europian pezullon tarifat ndaj SHBA

Bashkimi Evropian ka marrë vendimin për të pezulluar kundërtarifat ndaj mallrave amerikane, një veprim që synon t’i japë fund luftës tregtare midis dy anëve të Atlantikut.

Sipas La Repubblica, ky vendim konsiderohet si hap për të qetësuar marrëdhëniet me SHBA-në.

Burime nga brenda Komisionit Evropian thonë se udhëzimet e presidentes Ursula von der Leyen kanë qenë të qarta. Sipas saj, duhet besuar te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të shmanget çdo provokim që mund të ndikojë në prishjen e marrëdhënieve.

Kjo lëvizje strategjike shihet si një përpjekje për të mbajtur hapur negociatat dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.

Komiteti për barrierat doganore, që ka kompetencën për të zbatuar ndryshimet në tarifat e propozuara nga Komisioni, do të pezullojë masat e hartuara muajin e kaluar. Kjo hap rrugën për finalizimin e një marrëveshjeje të përbashkët. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së re është se pritet të përfshihet ulja e tarifave për makinat evropiane në 15%, nga 27.5% që ishin vendosur më parë nga administrata Trump, si dhe ulja e tarifave për barnat. Për industrinë e avionëve, tarifa do të bëhet zero.

Megjithatë, pikë diskutimi mbetet çështja e tarifave për çelikun dhe aluminin, ku SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të fortë.

Pavarësisht kësaj lëvizjeje, disa zyrtarë të lartë janë skeptikë, duke theksuar se pezullimi i tarifave është i vlefshëm për 6 muaj.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara duken të vendosura të shfrytëzojnë politikën e tyre tregtare. Vetëm nga prilli në gusht, tarifat kanë sjellë në arkat e qeverisë amerikane 152 miliardë dollarë, pothuajse dyfishi i shifrës së vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu po rihapin bisedimet me Kanadanë dhe Zvicrën, të cilat janë prekur rëndë nga tarifat amerikane. Kjo lëvizje shihet si një përpjekje nga administrata Trump për të rregulluar marrëdhëniet me aleatët kryesorë. / abcnews.al

Revoltohen të dënuarit, ‘i vënë flakën’ burgut/ Itali, plagosen 6 agjentë të policisë

Gjashtë agjentë të policisë në burgun e Porto Azzurro, në ishullin Elba, janë dërguar në urgjencën e spitalit të Portoferraios të intoksikuar nga tymi. Incidenti ndodhi pasditen e së dielës, kur disa të burgosur dyshohet se i kanë vënë zjarrin dy qelive dhe sulmuan stafin e sigurisë. Agjentët ndërhynë për të shuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, por u ekspozuan ndaj tymit të dendur dhe u lënduan gjatë përpjekjes për të kontrolluar situatën.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit dhe për të identifikuar autorët e këtij akti të rëndë brenda ambienteve të burgut. Ngjarja ka rindezur shqetësimet mbi kushtet në burgjet italiane dhe mbi sigurinë e stafit të policisë penitenciare, të cilët gjithnjë e më shpesh përballen me episode të dhunshme nga ana e të dënuarve. / abcnews.al

Asllani, penalltitë “fotokopje”/ Ka realizuar të gjithë 11-metërshat në karrierën e tij

Ndoshta me të vërtetë do të largohet, por detyrën do ta bëjë deri në fund.

Jo vetëm kaq, por Kristian Asllani vazhdon me veçantinë e tij, atë që nuk humbet kurrë një penallti.

Mesfushori I kombëtares shqiptare shënoi sërish, këtë herë në miqësoren verore që Interi e fitoi 7-2 ndaj skuadrës U23 të klubit.

Lojtari 23-vjeçar ishte sërish titullar, dhe luajti pjesën e parë, ndërsa goditja e tij ishte e saktë për rezultatin e përkohshëm 3-2.

Vlen të theksohet se Asllani gjithmonë I gjuan penalltitë sikur t’i ketë fotokopje.

Nuk diskutohet që goditjet janë me të djathtën, dhe në shumicën e herëve janë të forta, në këndin e portës dhe poshtë.

Po kështu, shumica janë në krahun e djathtë të tij, ose në të majtë të portierit, ndonëse ka disa raste që sferën e ka dërguar në të majtën e vet.

Në karrierë, ai ka 11 penallti, dhe që të gjitha të shënuara.

E ka nisur në shtator 2018 në kampionatin italian U17 me Empolin në një fitore ndaj Sasuolos.

Ka vazhduar po në kampionatin U17 me gol ndaj Fiorentinës e dy herë kundër Juventusit, më pas në nivelin e Shpresave, apo siç I quajnë në Itali, Primavera, në fitoren 2-1 kundër Sasuolos.

Me ekipin e Shpresave të Empolit ka realizuar dy gola me 11-metërsha në Championsin për të rinj, në fitoren 5-0 kundër Crvena Zvezdës së Beogradit dhe në barazimin 1-1 kundër Domzhales nga Sllovenia.

Më pas, ka ardhur goli në miqësoren që Shqipëria e fitoi 2-0 kundër Bullgarisë në “Arenën Air Albania” në nëntor 2022.

Tre rrjetat e tjera nga pika e bardhë janë për Interin.

Me zikaltërit, siguroi fitoren 1-0 ndaj Veronës në “San Siro” në Serinë A sezonin e kaluar.

Po ashtu, shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 në fushën e Torinos edicionin e shkuar në kampionatin italian, ndërsa tani erdhi rrjeta në miqësoren kundër ekipit U23 të Interit. / abcnews.al

Izraeli “përplas” Kroacinë/ Debate mes presidentit dhe kryeministrit për tregtinë e armëve me Tel Avivin

Tregtia e armeve me Izraelin eshte bere shkak per nje perplasje mes presidentit kroat dhe kryeministrit Andrej Plenkovic.

Presidenti Zoran Milanovic i beri thirrje qeverise te ndaloje tregtine e armeve dhe pajisjeve ushatarke me Izraelin, duke permendur faktin se zyra e kreut te shtetit ka urdheruar nderprerjen e bashkepunimit ushatark me Tel Avivin qe ne maj.

Ishte Zedhenesi i presidences Nikola Jelic qe saktesoj se presidenti i republikes edhe ne rolin e komandatit te pergjithshem te forcave ushatarke perserit qendrimin e tij qe duhet zbatuar nga ekzekutivi.

Qeveria ka reaguar permes vet kryeministrit Andrej Plenkovic, duke deklaruar se nje kerkese e tille nuk ka pse perseritet dhe se tregeti armesh me Izraelin nuk ka.

Edhe ministri I mbrojtjes pergenjeshtroj pretendimin e presidentit.

“Ne nuk blejme arme nga Izraeli dhe as nuk dergojme” deklaroj ministri i mbrojtjes Ivan Anushiç.

Ai shtroj edhe se vendimi per te mos bashkepunuar me Izraelin per armet nuk do te ndikoj ne Forcat e Armatosura te Republikes se Kroacise, pasi ministria e mbrojtjes eshte e perqendruar tek furnizuesit europiane dhe amerikane dhe se armet dhe asetet e meparshme izraelite qe ka patur kjo ushtri mund te zevendesohen lehtesisht me blerjet europiane.

Konkretisht behet fjale per raketat antitank Spike, te cilat kryesisht prodhohen nga Izraeli, por Zagrebi tashme po i merr nga kompania gjermane Eurospike.

Ekzekutivi kroat perseriti qendrimin se per ta situata ne Gaza eshte jashtezakonisht e keqe dhe shqetesuese dhe se asnje veprim nuk do te shkoj ne kundershtim me udhezimet e Bashkimit Europian. / abcnews.al

Shembet banesa e ndërtuar pa leje/ Ksamil, aksion i përbashkët i IKMT dhe Policisë Bashkiake

Një aksion i përbashkët mes IKMT-së dhe Policisë Bashkiake të Sarandës është zhvilluar sot në zonën e Ksamilit, ku është prishur një banesë që konsiderohej ndërtim pa leje.

Ndërhyrja u krye pa përplasje apo rezistencë nga ana e banorëve, ndërsa mësohet se objekti ishte ngritur në mënyrë të paligjshme dhe jashtë kritereve të lejuara nga ligji.

Aksioni vjen në kuadër të operacioneve të vazhdueshme për verifikimin dhe shembjen e ndërtimeve informale, veçanërisht në zonat turistike, ku autoritetet synojnë lirimin e hapësirave publike.

/ abcnews.al

Italia nis hetimet për futjen e inteligjencës artificiale në WhatsApp

Një zëdhënës i Autoritetit italian të Antitrustit në Milano tha bashkë me policinë financiare italiane janë kontrolluar zyrat e biznesit të filialit italian Meta. Hetimi po bëhet në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të Bashkimit Europian. Akuza nga Milano është: Ofruesi i Whatsapp-it, Meta, ka instaluar chatbot-in me IA pa marrë shprehimisht miratimin e përdoruesve. Përmes lidhjes së aplikacionit të inteligjencës artificiale “Meta AI” me Whatsapp-in koncerni i SHBA-së i orienton klientët në drejtim të ofertave të veta, kritikon Autoriteti italian i Antitrustit. Kjo mund të pengojë konkurrencën, sepse përdoruesit janë të detyruar të instalojnë dy aplikacione të IA në aparatet e tyre, në rast se nuk duan ta përdorin “Meta AI”.

Sipërmarrja, së cilës i përkasin rrjeti online Facebook dhe Instagrami, në të kundërt thekson dobinë e ndërlidhjes së aplikacioneve. “Aksesi falas në funksionet tona të IA-së u jep miliona italianëve mundësinë të përdorin IA në një vend, që e njohin, tek i cili kanë besim dhe e kuptojnë.” Nëse akuzat nga Italia kundër Meta-s konfirmohen, kjo do të ishte një goditje e fortë ekonomike për koncernin Facebook. Në rast shkeljeje të rregullave europiane të konkurrencës kërcënojnë gjoba me deri në dhjetë për qind të xhiros vjetore mbarëbotërore.

Ditët e fundit ndërmjet BE-së dhe Meta-s ka pasur edhe një përplasje për një temë tjetër. Koncerni amë Facebook njoftoi, se nga tetori nuk do të lejojë më në platformat e veta njoftime dhe reklama politike në Bashkimin Europian. Arsyeja është se rregullorja e BE-së “nuk mund të zbatohet në praktikë”. Një zëdhënës i sipërmarrjes u ankua, se udhëzimet e BE-së krijojnë “pasiguri ligjore”. Kreu i Meta-s Mark Zuckerberg është mjaft kritik ndaj rregullave të BE-së. Në fillim të vitit ai e akuzoi Brukselin për “censurë”. / abcnews.al

Lufta kundër trafikimit njerëzor/ Britania gati fondin prej 100 milionë paund për goditjen e rrjeteve kriminale

Qeveria britanike ka njoftuar një fond shtesë prej 100 milionë paundësh për të forcuar luftën kundër trafikimit të paligjshëm të njerëzve në Kanalin Anglez, në një përpjekje për të frenuar rritjen rekord të emigrantëve që mbërrijnë në Britani me varka të vogla.

Sipas Ministrisë së Brendshme, fondet do të përdoren për të rekrutuar deri në 300 agjentë të rinj në Agjencinë Kombëtare të Krimeve (NCA), si dhe për të blerë teknologji dhe pajisje moderne që do të ndihmojnë në ndjekjen e rrjeteve kriminale ndërkombëtare që merren me trafikimin e njerëzve nga Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika.

Më shumë se 25,000 persona kanë kaluar Kanalin deri në fund të korrikut – një rekord i ri për këtë periudhë të vitit.

Qeveria gjithashtu po zbaton një program pilot me Francën, i cili synon të dekurajojë kalimet ilegale. Sipas skemës, disa emigrantë që mbërrijnë në MB do të rikthehen në Francë, në këmbim të pranimit të një numri të barabartë azilkërkuesish të kontrolluar.

Qeveria njoftoi gjithashtu një nismë ligjore të re që do të dënojë me deri në 5 vite burg këdo që reklamon në internet kalime ilegale drejt MB. Ligji synon të godasë ata që ofrojnë pasaporta false, viza ose punë të paligjshme në rrjete sociale apo faqe interneti. / abcnews.al

Trump nënshkruan urdhrin e ri ekzekutiv, rikthen testin e fitnesit për nxënësit e shkollave publike

Donald Trump rivendosi nëpërmjet një urdhri ekzekutiv, “Testin Presidencial të Fitnesit” për nxënësit e shkollave publike, një praktikë që filloi në vitin 1966 dhe u hoq gradualisht nën administratën Obama.

Testi përfshin ushtrime si vrapimi i një milje, ushtrimet e barkut dhe testet e fleksibilitetit.

“Është një traditë e shkëlqyer dhe ne po e rikthejmë atë”, tha Trump.

I njëjti urdhër riaktivizon gjithashtu Këshillin e Presidentit për Sportin, Fitnesin dhe Ushqyerjen, me deri në 30 anëtarë, i cili do të përfshijë atletë, trajnerë dhe figura të tjera. Ndër të pranishmit në njoftim ishin miku i presidentit dhe golfisti profesionist Bryson DeChambeau, ish-lojtari i NFL-së Lawrence Taylor dhe golfisti suedez Annika Sorenstam.

“Gjithmonë kam qenë një person që e donte sportin. Isha i mirë në sport. Kur je vërtet i përqendruar në sport, nuk mendon për asgjë tjetër. Në një farë mase, kjo është një nga arsyet pse e dua golfin. Është një arratisje për disa orë”, tha Trump.

Rivendosja e testit është gjithashtu pjesë e përgatitjeve të SHBA-së për të pritur ngjarje sportive si Kupa Ryder 2025, Kupa Botërore 2026 dhe Lojërat Olimpike 2028.

Bordi i ri, i udhëhequr nga Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., do të trajtojë gjithashtu çështje të tilla si liria e lëvizjes së atletëve midis universiteteve përmes portalit të transferimit, si dhe përcaktimi i kritereve për “Çmimin e ri Presidencial të Fitnesit”.

Testi origjinal u transformua në vitin 2012 në Programin e Fitnesit për të Rinj, që synonte promovimin e shëndetit dhe jo të performancës atletike. Zonja e parë e atëhershme Michelle Obama kishte promovuar iniciativën “Le të Lëvizim” kundër obezitetit të fëmijëve.

Sipas Departamentit të Shëndetësisë, testi i ri nuk synon konkurrencën midis fëmijëve, por përmirësimin e fitnesit individual dhe miratimin e zakoneve të shëndetshme.

Megjithatë, përzgjedhja e pjesëmarrësve ka shkaktuar reagime të ashpra. Taylor, e cila u dënua në vitin 2011 për sulm seksual ndaj një të mituri dhe më vonë u arrestua përsëri në Florida, tha në ceremoni: “Nuk e di saktësisht se çfarë duhet të bëj, por jam këtu për të shërbyer.”

Në të njëjtën kohë, rikthimi i testit ka shkaktuar reagime të përziera në komunitetin shkencor. Profesoresha e kineziologjisë Laura Richardson komentoi se testi është një pikënisje pozitive, por jo e mjaftueshme: “Nuk ka të bëjë me marrjen e një rezultati dhe dënimin. Ka të bëjë me marrjen e një rezultati dhe ndërtimin e një programi përmirësimi.” / abcnews.al

Hungaria pro Ballkanit, kundër Ukrainës në BE

Pas takimit me zv/kryeparlamentarin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Dragan Çoviç, shefi i diplomacisë hungareze, Péter Szijjártó, kritikoi sjelljen e zyrtarëve në Bruksel ndaj shteteve ballkanike dhe favorizimin e Ukrainës.

“Ne do të donim që të anëtarësohen me shpejt në BE vendet e Ballkanit Perëndimor sepse ato sjellin freski, vrull të ri, energji të re. Ne nuk e mbështesim Ukrainën që të sjellë luftë në Bashkimin Evropian. Ata po i zhysin vendet e Ballkanit Perëndimor në iluzione, sepse nëse do ta mbështesnin vërtet integrimin, këto shtete nuk do të kishin pritur më shumë se pesëmbëdhjetë vjet për anëtarësim. Ne jetojmë në afërsi të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë arsye është interesi dhe qëllimi ynë themelor të sigurojmë paqen në rajon,” tha Péter Szijjártó, ministër i Jashtëm i Hungarisë.

Szijjártó theksoi se qeveria hungareze po ndjek një politikë fqinjësie të përgjegjshme, ndërsa politika e papërgjegjshme e Brukselit, nga ana tjetër, po dëmton vazhdimisht sigurinë e Evropës.

Ai u ankua për udhëheqësit evropianë që shprehin publikisht mbështetje për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që kjo, sipas tij, është një gënjeshtër.

/ abcnews.al

Mashtroi një qytetare duke i marrë 10 000 euro/ Tiranë, arrestohet 33 vjeçari

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një qytetar për një rast mashtrimi financiar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fraud”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasit E. D., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, i kishte marrë 10 000 euro shtetasit G. D., me pretendimin se do të shlyente detyrimet tatimore të aktivitetit të tij tregtar. / abcnews.al 

FMN: Ekonomia globale, në rritje/ Përmirësohet parashikimi pas lehtësimit të tarifave nga Trump

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia globale pritet të rritet më shumë sesa ishte parashikuar në muajin prill të këtij viti, pas vendimit të presidentit Amerikan Donald Trump për të zbutur disa nga kërcënimet e tij për vendosjen e tarifave të ashpra ndaj vendave të ndryshme të botës. Organizata me qendër në Washington rriti parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2025 nga 2.8% në 3%.Ndërkohë, parashikimi për vitin 2026 u rrit nga 3% në 3.1%. Ekonomia globale është rritur me 3.3% në vitin 2024. Pothuajse të gjitha vendet e botës kanë përfituar nga ky përmirësim i perspektivës ekonomike, përfshirë Britaninë, për të cilën FMN tani parashikon një rritje prej 1.2% për këtë vit – 0.1 pikë përqindje më shumë se në vlerësimin e muajit prill. Kjo përmirësim u paralajmërua fillimisht në rishikimin vjetor të Fondit Monetar Ndvrkombëtar për ekonominë britanike në maj.

Trump kishte kërcënuar në prill se do të vendoste tarifa të larta mbi importet nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, përfshirë BE-në, Kinën, Korenë e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar, në përpjekje për të luftuar atë që ai e cilëson si konkurrencë të padrejtë. Këto kërcënime tronditën tregjet: aksionet ranë dhe dollari amerikan u dobësua, teksa investitorët u drejtuan drejt aseteve të sigurta.

Më vonë, Shtetet e Bashkuara reduktuan ose shtynë disa tarifa, në këmbim të zotimeve për blerje mallrash amerikane, gjë që qetësoi tregjet. Kjo sjellje e përsëritur e presidentit është cilësuar në tregje si “Trump gjithmonë tërhiqet” ndërsa termi që ekspertët ekonomik  po përdorin si trend është TAKO (Taco) . Në fundjavë, Trump konfirmoi se nuk do të vendoste tarifa 30% mbi importet nga BE, por do të kufizohej në 15%, në këmbim të blerjeve nga BE-ja të naftës dhe gazit amerikan në vlerë afro 800  miliardë dollare.

Shtëpia e Bardhë ka vendosur afatin e 1 gushtit që disa vende, përfshirë Vietnamin dhe Korenë e Jugut, që të nënshkruajnë marrëveshje tregtare me Washingtonin. Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme sa I përket aktivitetit ekonomik global. Të dhënat tregtare të publikuara këtë javë treguan se importet e mallrave në SHBA ranë me 11.5 miliardë dollarë në qershor, duke arritur 264.2 miliardë dollarë, pas një rritjeje të mëparshme në përpjekje për të shmangur tarifat. Kjo e uli deficitin tregtar amerikan në 86 miliardë dollarë, nga 96.4 miliardë që ishte në muajin  maj.

Pasuritë e etnografisë së krahinave shqiptare/ Rama: Të skalitura në kostumografinë tonë dhe të dokumentuar në fondin e Agjencisë së Turizmit

Kryeministri Edi Rama ka promovuar pasuritë e trashëgimisë shqiptare përmes një postimi në rrjete sociale, ku vë në pah madhështinë e kostumeve popullore nga krahinat e ndryshme të vendit.

Ai ndau disa nga imazhet më përfaqësuese të kostumografisë shqiptare, të dokumentuara nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në kuadër të një konkursi të posaçëm kulturor.

“Pasuritë e çmuara të etnografisë dhe shpirtit të krahinave shqiptare, të skalitura përjetësisht në kostumografinë tonë madhështore, disa prej të cilave dokumentuar në fondin e Agjencia Kombëtare e Turizmit përmes konkursit.”, tha Rama.

Asnjë negociatë! Pas TikTok dhe Instagram, Australia ndalon aksesin e të miturve nën 16 vjeç në platformën Youtube

Australia ka vendosur të përfshijë YouTube në listën e platformave sociale të ndaluara për fëmijët nën moshën 16 vjeç, në kuadër të një ligji të ri që synon të mbrojë të miturit nga ndikimet e dëmshme të rrjeteve sociale.

Ligji, i cili hyn në fuqi në dhjetor, tashmë ndalon aksesin në TikTok, Instagram, Facebook, X  dhe Snapchat për adoleshentët nën 16 vjeç. Me përfshirjen e YouTube, fëmijët do të mund të shikojnë video, por nuk do të lejohen të kenë llogari, të ngarkojnë përmbajtje apo të ndërveprojnë me të tjerët në platformë.

YouTube ka reaguar ndaj vendimit duke thënë se nuk është një rrjet social dhe se platforma ofron “përfitime dhe vlerë” për të rinjtë australianë. Kompania njoftoi se do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me autoritetet.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se vendimi është pjesë e një përpjekjeje për të mbrojtur fëmijët nga dëmet sociale që vijnë nga rrjetet. “Ne e dimë që kjo nuk është zgjidhja e vetme, por do të përbëjë një ndryshim të rëndësishëm,” u shpreh ai.

Ligji po ndiqet nga afër edhe nga vende të tjera. Norvegjia ka shpallur një masë të ngjashme, ndërsa Mbretëria e Bashkuar po e konsideron zbatimin e të njëjtit model.

Përjashtim nga ndalimi do të kenë aplikacionet për lojëra online, mesazhe, edukim dhe shëndet, të cilat konsiderohen me rrezik më të ulët për të miturit.

Kompanitë e teknologjisë që nuk respektojnë ligjin do të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë. Ato janë të detyruara të çaktivizojnë llogaritë ekzistuese të përdoruesve nën 16 vjeç dhe të ndalojnë krijimin e të rejave. / abcnews.al

Tarifat ‘hidhërojnë’ çokollatën amerikane/ Kakao importohet me çmim të lartë, favorizohet tregu në Kanada e Meksikë

Tarifat tregtare të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump, të cilat synojnë të nxisin prodhimin vendas, po japin efekt të kundërt në industrinë e çokollatës: po rrisin ndjeshëm koston e importit të kakaos – një përbërës kyç që nuk kultivohet në SHBA dhe po dëmtojnë konkurrueshmërinë e fabrikave amerikane ndaj atyre në Kanada dhe Meksikë.

Sipas bisedave me 11 drejtues, ekspertë dhe tregtarë të industrisë, tarifat po e vështirësojnë operimin e fabrikave amerikane, ndërkohë që nën marrëveshjen e lirë tregtare USMCA, Kanadaja dhe Meksika mund të eksportojnë çokollatë në SHBA pa tarifa, pavarësisht nga origjina e kakaos që përdorin.

Kanadaja, nga ana tjetër, nuk vendos tarifa mbi importet e kakaos së papërpunuar ose të përpunuar pjesërisht (si gjalpi dhe pluhuri i kakaos), ndërsa Meksika kultivon vetë një pjesë të kokrrave të saj. Kjo u jep fabrikave në të dy vendet avantazh të qartë përballë atyre amerikane, të cilat aktualisht paguajnë tarifa nga 10% deri në 25% për lëndët e para – me rrezikun që ato të shkojnë deri në 35% më 1 gusht.

Një zyrtar i qeverisë amerikane deklaroi se Shtëpia e Bardhë po monitoron situatën dhe po dëgjon reagimet e industrisë për të realizuar agjendën ekonomike të Presidentit Trump.

Gjiganti amerikan i çokollatës Hershey, i cili prodhon kryesisht në SHBA, por ka edhe fabrika në Kanada dhe Meksikë, ka vlerësuar se do të përballet me një kosto shtesë prej 100 milionë dollarësh në tremujorin e tretë dhe të katërt të këtij viti, nëse tarifat mbeten në fuqi. / abcnews.al

❌