Fotografi kazak që dokumentoi Covid-in nga brenda një spitali

Në verën e vitit 2020, fotografi kazak Andrey Khludeyev u infektua me Covid-19. Ai kontrabandoi një aparat të vogël fotografik në spital për të dokumentuar jetën në vijën e parë të pandemisë.
Ndërsa bota reagonte ndaj përhapjes së Covid-19 në fillim të vitit 2020, vendi i madh i Azisë Qendrore, Kazakistani, dukej ende i paprekur. Edhe pse kufizohej me Kinën, burimin e pandemisë globale, asnjë rast nuk ishte konfirmuar. Më 13 mars 2020, kjo ndryshoi. Dy qytetarë kazakë që ishin kthyer nga një udhëtim në Gjermani dolën pozitiv, rastet e para në një vend me mbi 20 milionë banorë. Vetëm dy ditë më vonë, presidenti Kassym-Jomart Tokayev shpalli gjendje emergjente për një muaj, por pandemia do të shkaktonte mbi 13,000 viktima në vend, përpara se autoritetet të deklaronin se situata ishte nën kontroll.
Megjithatë, Khludeyev thotë se nuk ishte veçanërisht i shqetësuar në fillim.
“Për herë të parë dëgjova për Covid nga një shofer taksie. M’u duk si një shaka, si ‘fake news’. Së shpejti, u tregova se sa gabim isha.”
Fillimisht kishte plan të dokumentonte situatën në spitale si fotograf, por u bind se nuk ishte e mundur:
“Nuk jam fotograf i akredituar, nuk ka shans,” mendoi ai. Por do të gabonte sërish.
Në verën e vitit 2020, gjatë izolimeve, Khludeyev u infektua. Simptomat ishin të ngjashme me gripin, temperaturë 38-39°C, kollë, por rezultatet e skanerëve treguan pneumoni dypalëshe me përhapje të gjerë.
Kur një mik fotograf humbi jetën papritur nga komplikimet e Covid-it, Khludeyev u alarmua dhe kërkoi ndihmë mjekësore. Një mike me përvojë mjekësore e këshilloi të shkonte urgjentisht në spital.
“Më tha se nuk do të mbijetoja po të qëndroja në shtëpi. Kështu që nuk pata zgjidhje tjetër.”
Ai u shtrua në një spital në Almaty, në juglindje të Kazakistanit, ku shumë nga stafi ishin vullnetarë.
“Nga njëra anë ndihesha mirë, isha nën përkujdesje 24-orëshe, me ilaçe dhe injeksione. Por shihja njerëz rreth meje që dukej se ishin mirë, dhe papritur fillonin të mbyteshin… Ishte një ndjesi e çuditshme, sikur gjithçka mund të ndryshonte përnjëherë.”
Mes sendeve që mori me vete për në spital ishte dhe një aparat fotografik i vogël, model Chaika-II, një aparat gjysmë-frame nga epoka sovjetike që i lejonte të dyfishonte numrin e fotografive në një film.
“Pa ditur nëse do të mbijetoja apo jo, nuk doja të humbja këtë mundësi. Mund të ishte seria ime e fundit fotografike.”
Ai përdori një film me 36 poza bardhë e zi, dhe fotografonte gjithçka, përfshirë me telefonin e tij. Fillimisht, mjekët dhe pacientët ishin skeptikë, por pasi u tregoi portretet që kishte bërë, reagimi i tyre ndryshoi.
“Një ditë një mjek më tha: ‘Zotëri, tani ka një radhë me gjashtë mjekë në korridor që duan të fotografohen. Doni të ju them që nuk ndiheni mirë, që të mos i prisni?’ ‘Sigurisht që jo,’ i thashë. ‘Le të fillojmë!’”
Fotot që realizoi Khludeyev kanë një atmosferë të zymtë dhe thuajse halucinante. Mjekët të veshur me veshje mbrojtëse ngjasojnë me pastruesit e katastrofës së Çernobilit, ndërsa rrjedhjet e dritës në film i shtojnë mister fotografive.
Spitali, që ishte planifikuar për rikonstruksion para pandemisë, u vendos të shërbente si spital për Covid-in, duke shtuar ndjesinë e braktisjes dhe pasigurisë.
“Doja të tregoja një histori të vërtetë, se Covid-i nuk është shaka apo mashtrim, por një rrezik i vërtetë për jetën. Prandaj, edhe stili i fotografive e pasqyron këtë luftë.”
Sot, pesë vite pas shërimit, Andrey Khludeyev thotë se i sheh ato fotografi me nostalgji dhe mirënjohje.
“Ata mjekë dhe infermierë ishin vullnetarë. Rrezikuan jetën për ne. Disa ishin studentë, disa ishin në pushime që i ndërprenë. Bënë një gjë të madhe dhe shpëtuan mijëra jetë.”
Ai gjithashtu falënderon bashkëshorten, miqtë dhe familjen për mbështetjen.
“Ishte një nga periudhat më të vlefshme të jetës sime. Bëra fotografi që njerëzit i vlerësuan. E ndjeva jetën në çdo sekondë. Ishte një përvojë njëkohësisht e tmerrshme dhe e mrekullueshme.”/BBC/KultPlus.com