Shitësi i fundit i gazetave në Francë, shpërblehet me një nga nderimet më të larta
Prej më shumë se 50 vitesh, Ali Akbar ecën në rrugët e Bregut të Majtë në Paris, me gazetat nën krah dhe titujt më të fundit në buzë. Ai konsiderohet sot shitësi i fundit i gazetave në Francëndoshta edhe në gjithë Evropën dhe së shpejti do të nderohet për kontributin e tij në kulturën franceze.
Presidenti Emmanuel Macron, i cili si student ka blerë gazeta nga Akbar, do t’i dorëzojë muajin e ardhshëm Urdhrin e Meritës, një nga dekoratat më të larta në Francë.
“Kur fillova këtu në vitin 1973, ishim 35 ose 40 shitës gazetash në Paris,” tregon ai. “Tani jam i vetëm. Gjithçka është dixhitale. Njerëzit mjaftohen të shikojnë telefonin.”
Sot, gjatë xhiros së tij nëpër kafenetë e lagjes Saint-Germain, Akbar shpreson të shesë rreth 30 kopje të Le Monde. Fiton gjysmën e çmimit të shitjes, por nuk merr rimbursim për gazetat e papaguara. Dikur, para internetit, shiste mbi 80 kopje brenda orës së parë pas botimit të pasdites.
“Dikur njerëzit mblidheshin rreth meje për të marrë gazetën. Tani duhet t’i ndjek klientët që t’ua shes,” thotë ai, pa e humbur optimizmin.
Në moshën 72-vjeçare, Ali Akbar është një figurë e dashur e lagjes. “Kam ardhur këtu në vitet ’60 dhe jam rritur me Aliun. Është si vëlla për mua,” thotë një banore. “E njeh të gjithë dhe është shumë gazmor,” shton një tjetër.
I lindur në Rawalpindi, Pakistan, Akbar mbërriti në Evropë në fund të viteve ’60, fillimisht në Amsterdam, ku punoi në një anije turistike. Në vitin 1972, anija u ankorua në Rouen të Francës, dhe një vit më vonë ai u vendos në Paris. Dokumentet e qëndrimit i siguroi në vitet ’80.
Në Saint-Germain, dikur qendër intelektuale e Parisit, ai u njoh me artistë dhe personalitete të shumta. Elton John dikur e ftoi për një çaj me qumësht në Brasserie Lipp, ndërsa para universitetit prestigjioz Sciences Po u miqësua me breza të tërë studentësh që më vonë u bënë politikanë përfshirë vetë Macronin.
Megjithatë, sipas tij, lagjja ka humbur atmosferën e dikurshme. “Dikur kishte botues, shkrimtarë, aktorë e muzikantë. Vendi kishte shpirt. Tani është vetëm një destinacion turistik,” thotë ai me një buzëqeshje të lehtë./abcnews.al