BM – IA përshpejton diagnostikimin e kancerit të lëkurës në pjesë të largëta të botës
LONDËR, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Një studiuese universitare skoceze ka zhvilluar mjete të inteligjencës artificiale që mund t’u japin njerëzve në zona të largëta të botës qasje në diagnoza të shpejta dhe potencialisht shpëtimtare të kancerit të lëkurës.
Tess Watt, një studente doktorature në Universitetin Heriot-Watt në Edinburg, e cila udhëhoqi projektin për të zhvilluar teknologjinë, tha se ”qëllimi është të mundësojë diagnostikimin e hershëm të problemeve të lëkurës kudo në botë, pa pasur nevojë të konsultohet drejtpërdrejt me një dermatolog”.
Teknologjia funksionon edhe pa qasje në internet.
Sistemi kërkon që një pacient të bëjë një fotografi të problemit të tij të lëkurës duke përdorur një aparat fotografik të vogël të lidhur me një pajisje Raspberry Pi, një kompjuter portativ me kosto të ulët dhe me efikasitet energjetik, i aftë të ruajë sasi të mëdha informacioni.
Fotografia analizohet në kohë reale duke përdorur sistemet më të fundit të klasifikimit të imazheve, duke e krahasuar atë me një grup të dhënash masive prej mijëra imazhesh të ruajtura në pajisje për të arritur në një diagnozë.
Rezultatet më pas ndahen me një klinikë lokale të mjekut të përgjithshëm për të filluar një plan të përshtatshëm trajtimi.
Projekti besohet të jetë i pari i këtij lloji që kombinon diagnozën mjekësore të bazuar në inteligjencën artificiale me qëllimin e ofrimit të shërbimeve për komunitetet e largëta./ /os/
The post BM – IA përshpejton diagnostikimin e kancerit të lëkurës në pjesë të largëta të botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.