Turistët shijojnë freskinë e Syrit të Kaltër në Sarandë
TIRANË, 11 korrik/ATSH/ “Syri i kaltër” në Sarandë, i cilësuar si parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh, sidomos gjatë sezonit veror.
Ai ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga momentet që turistët kalojnë në këtë pikë turistike.
“Me freskinë që ofron Syri i Kaltër në Sarandë”, shkruan Rama.
Turistët ndalen në këtë pikë turistike, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike që ndodhen në park. Nuk mungojnë edhe të rinjtë guximtarë që hidhen në ujin e ftohtë të burimit për t’u larë.
“Syri i kaltër” është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin Monument Natyre. Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Ai është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla, i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.
Ai është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të Parkut Natyror, me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër që mban brenda parkut.
/k.s//r.e//a.f/
The post Turistët shijojnë freskinë e Syrit të Kaltër në Sarandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.