Fillojnë ankesat nga lojtarët e Chelseat para finales me PSG-në
Mesfushori i Chelseat, Enzo Fernandez, ka treguar për një përvojë të frikshme gjatë një ndeshjeje në Kupën e Botës për Klube, duke zbuluar se është rrëzuar në fushë për shkak të marramendjes së shkaktuar nga temperaturat ekstreme.
Zëvendëskapiteni i “Bluve” e përshkroi situatën si jashtëzakonisht të rrezikshme dhe ngriti shqetësime serioze për sigurinë e lojtarëve në kushte të tilla atmosferike.
“E vërteta është se nxehtësia ishte e pabesueshme. Në një moment gjatë ndeshjes, fillova të ndihesha keq”, deklaroi mesfushori argjentinas.
“U shtriva përtokë sepse më merreshin mendtë. Të luash në ato temperatura është jashtëzakonisht e rrezikshme”.
Temperaturat në Filadelfia, ku u zhvillua ndeshja, kanë arritur deri në 39°C. Ndeshjet janë planifikuar sipas orareve të transmetimit në Evropë, gjë që ka shtuar kritikat ndaj FIFA-s për menaxhimin e kohës së ndeshjeve në kushte klimaterike ekstreme.
Fernandez u bëri thirrje organizatorëve që të rishikojnë oraret e fillimit të ndeshjeve për të mbrojtur mirëqenien e futbollistëve dhe për të ruajtur cilësinë e lojës në nivelin më të lartë. /Telegrafi/
The post Fillojnë ankesat nga lojtarët e Chelseat para finales me PSG-në appeared first on Telegrafi.