Normal view

Sqarohet situata e qendërmbrojtësit, Ismajli është gati për Interin

By: gsh
14 January 2025 at 22:02

Ardian Ismajli do të jetë gati për ndeshjen e radhës së Empolit në Serinë A në fundjavë. Konfirmimi vjen nga mediat pranë klubit të cilat kanë mësuar se futbollisti ka lënë plotësisht pas telashet që përjetoi në ndeshjen ndaj Leçes.

Futbollisti nuk ishte në formën optimale dhe la shumë për të dëshiruar në minutat e parë të sfidës, ndërsa më pas kërkoi zëvendësim pasi nuk mund të vazhdonte më. Një gjë e rrallë për lojtarin shqiptar i cili ka spikatur pikërisht për shpirtin e tij të garës.

Deklarata e trajnerit D’Aversa pas ndeshjes, shpjegoi arsyen e vërtetë të kësaj paraqitje të Ismajlit, e cila ishte pasojë e ndërhyrjes kirurgjikale që kishte kryer në dorë. Kjo duket se qetësoi disi situatën rreth mbrojtësit, ndërsa tani bëhet e ditur se çdo telash fizik është lënë pas.

Kësisoj, ai do të jetë gati për ndeshjen e fundjavës kundër Interit, një prej skuadrave që kishte shfaqur interes për një transferim të mundshëm të futbollistit.

PANORAMASPORT.AL

The post Sqarohet situata e qendërmbrojtësit, Ismajli është gati për Interin appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

“Krimi i organizuar në Shqipëri vazhdon të fitojë terren”, kryeprokurorja belge: U pa qartë nga dosjet e SKY ECC

By: gsh
14 January 2025 at 21:54

“Krimi shqiptar ka fituar terren dhe kjo u pa qartë nga dosjet e SKY ECC ”, kështu është shprehur kryeprokurorja belge, Ann Fransen në një intervistë për “DeMorge” ku foli ndër të tjera edhe për krimin në Shqipëri.

Kryeprokurorja tha se po bashkëpunohet ngushtë me drejtësinë shqiptare për sekuestrimin e përfitimeve nga aktivitetet kriminale.

“Së bashku me drejtësinë shqiptare, ne po hartojmë një kuadër për sekuestrimin e përfitimeve nga aktivitetet kriminale. Ne duam të arrijmë këtë edhe në Emirate. Ne duhet jo vetëm të sigurojmë që ata të dorëzojnë pasuritë me vlerë të lartë, por edhe që ne të mund të rikuperojmë asetet e tyre të paligjshme”, tha Fransen.

Më tej ajo tha se grupet kriminale shqiptare po shfrytëzojnë teknologji të avancuar për të ndihmuar trafikun e drogës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

The post “Krimi i organizuar në Shqipëri vazhdon të fitojë terren”, kryeprokurorja belge: U pa qartë nga dosjet e SKY ECC appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Pezullimi i hetimeve për dosjen “Xibraka”, Gazment Bardhi: Ja pse nuk m’u dha statusi i kallëzuesit

By: gsh
14 January 2025 at 21:49

Kryetari i Grupit Parlamentar PD, Gazment Bardhi, foli sot ne emisionin “Open” në News 24 lidhur me vendimin e SPAK për pezulllimin e hetimeve në lidhje me një kallëzim të bërë nga ai për implikimin sipas tij, të Olsi Ramës në atë që njihet si dosja “Xibraka”.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhej se nga hetimet ka rezultuar se ‘nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal’, për të cilin janë dënuar më parë disa individë.

SPAK tha se nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.

Po ashtu SPAK njoftoi se është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar.

Bardhi paraqiti sot në studion e News 24 këndvështrimin e tij lidhur me çështjen. Demokrati tha se Prokuroria nuk i dha statusin e kallëzuesit, në mënyrë që ai mos të depozitonte fakte apo prova shtesë lidhur me kallëzimin e tij.

Bardhi tha se Prokuroria nuk i dha statusin e kallëzuesit, pasi sipas tij dihej “ se si do të përfundonte hetimi”.

Bardhi: Mua nuk më është njoftuar asnjë njoftim pezullimi për dosjen…Kallëzuesi ka disa të drejta. Rama bëri gjasme se sikur u mërzit, ishte lojë që unë mos konsiderohesha si kallëzues, sepse kallëzuesi ka të drejtë që të depozitojë fakte dhe të dhëna shtesë.
Kur unë çoj informacion për fillimin e hetimeve ndaj Ballukut, këtu quhem kallëzues unë.

Nuk hymë në lojën ka çuar kallëzim apo informacion. Kur sjell informacion për Olsi Ramën unë ta quaj informacion, këtu ka dy standarde. Prokuroria nuk ma dha statusin e kallëzuesit, pasi dihej si do përfundonte hetimi.
SPAK në fjalinë e parë thotë unë kam përfunduar hetimet. Olsi Rama nuk është i përfshirë , por unë nuk e çoj në gjykatë dosjen për mbyllje, por e pezulloj.

Sot që flasim edhe SPAK e pranon që këtu ka autorë të pazbuluar, pas 10 vitesh prokuroria nuk ka zbuluar se si është futur lënda narkotike për t’u përpunuar në laborator. Patjetër që janë dyshime sepse unë nuk jam as prokuror, as gjykatës. Sepse nuk jap unë as certifikatë virgjërie, as certifikatë dënimi.

Prokuroria nëse nuk ka diçka për të fshehur e çon në gjykatë për të certifikuar hetimin që ka kryer. Por e çoi në polici dosjen për ta mbajtur në arkiv, sepse dosja ishte në polici dhe nuk bëri asgjë.

The post Pezullimi i hetimeve për dosjen “Xibraka”, Gazment Bardhi: Ja pse nuk m’u dha statusi i kallëzuesit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Forcon kockat dhe shpejton tretjen! Ja 5 arsye pse duhet të hani domate çdo ditë

By: gsh
14 January 2025 at 21:18

Domatet janë më shumë se thjesht një shtesë dekorative për sallatat apo sanduiçet tuaja; kjo perime e lëngshme ka përfitime të shumta shëndetësore që e bëjnë të vlefshme për konsumimin e përditshëm.

Këtu janë pesë arsye kryesore pse domatet duhet të jenë pjesë e rregullt e dietës suaj:

Vlerë të pasur ushqyese

Domatet janë jashtëzakonisht të pasura me vitaminë C, e cila është thelbësore për forcimin e sistemit imunitar, përmirësimin e shëndetit të lëkurës dhe mbrojtjen nga radikalet e lira. Ai përmban gjithashtu vitaminë K, vitaminë A, kalium dhe folate, të cilat luajnë një rol kyç në ruajtjen e shëndetit të kockave, shikimit dhe funksionimit normal të sistemit nervor.

Një antioksidant i fuqishëm

Një nga përbërësit më të rëndësishëm të domateve është likopeni, një antioksidant natyral që u jep atyre ngjyrën e kuqe. Likopeni ka përfitime të shumta shëndetësore, duke përfshirë uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike si kanceri i prostatës, sëmundjet e zemrës dhe degjenerimi makular. Konsumimi i rregullt i domateve mund të ndihmojë në neutralizimin e radikaleve të lira në trup dhe në uljen e stresit oksidativ.

Ndihmon në ruajtjen e lëkurës së shëndetshme

Domatet janë të shkëlqyera për shëndetin e lëkurës tuaj për shkak të përmbajtjes së lartë të vitaminës C dhe likopenit. Vitamina C është e nevojshme për prodhimin e kolagjenit, një proteinë që ndihmon në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe elasticitetit të lëkurës. Likopeni, nga ana tjetër, mund të ndihmojë në mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimet UV dhe zvogëlimin e shfaqjes së rrudhave.

Ndihmon në rregullimin e presionit të gjakut

Domatet janë një burim i mirë i kaliumit, një mineral që luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e presionit të gjakut. Kaliumi ndihmon në balancimin e niveleve të natriumit në trup, gjë që mund të ndihmojë në ruajtjen e presionit normal të gjakut dhe zvogëlimin e rrezikut të hipertensionit.

Mbështet sistemin tretës

Domatet janë të pasura me fibra, të cilat janë thelbësore për një sistem të shëndetshëm të tretjes. Fibrat ndihmojnë në ruajtjen e tretjes së rregullt, parandalimin e kapsllëkut dhe promovimin e florës së shëndetshme të zorrëve. Përveç kësaj, uji në domate kontribuon në hidratimin e trupit, i cili është një tjetër faktor i rëndësishëm për funksionimin optimal të sistemit tretës.

The post Forcon kockat dhe shpejton tretjen! Ja 5 arsye pse duhet të hani domate çdo ditë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Ceremonia e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump nën masa të rrepta sigurie! Washingtoni rrethohet nga 48 km gardhe metalike

By: gsh
14 January 2025 at 20:57

Me dyzet e tetë kilometra gardhe të përkohshme, 25,000 oficerë policie dhe postblloqe sigurie të vendosura për të kontrolluar qindra mijëra spektatorë, Uashingtoni është bërë gati për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump javën e ardhshme.

Ceremonia e betimit në shkallët e Kapitolit dhe parada deri tek Shtëpia e Bardhë do të zhvillohen të hënën, pas një fundjave me protesta nga kundërshtarët e zotit Trump dhe tubime festive të përkrahësve të presidentit republikan.

Inaugurimi vjen pas një fushate zgjedhore gjatë të cilës ndodhën dy përpjekje për atentat ndaj zotit Trump, përfshirë njërin, kur plumbi i preku shkarazi veshin, duke i shkaktuar një plagë të lehtë, si dhe pas sulmeve të natës së Vitit të Ri në disa qytete. Në një nga këto sulme, 14 persona u vranë dhe dhjetra u plagosën kur një veteran i ushtrisë amerikane goditi me makinë turmën që po festonte për Vitin e Ri në Nju Orlins. Po të njëjtën ditë, një ushtar amerikan hodhi në erë makinën Tesla Cybertruck para hotelit që mban emrin e Trumpit në Las Vegas, duke vrarë veten.

“Po operojmë në një mjedis me kërcënime të shtuara”, deklaroi të hënën agjenti përgjegjës nga Shërbimi Sekret amerikan.

Ceremonia e inaugurimit, kur zoti Trump bën zyrtarisht betimin para ligjvënësve të Kongresit, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, zyrtarëve të administratës së re dhe dhjetëra mijëra të pranishmëve, bëhet në shkallët e Kapitolit, përballë Monumentit të Uashingtonit.

Ky është vend i njëjtë ku, më 6 janar të vitit 2021, mijëra përkrahës së zotit Trump thyen xhamat, u përplasën me policinë dhe i detyruan ligjvënësit të kërkojnë strehim, ndërsa synonin të përmbysnin humbjen e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.

Rivalja e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2024, Nënpresidentja Kamala Harris, e pranoi humbjen në zgjedhet e 5 nëntorit, ndryshe nga zoti Trump, i cili vazhdon të bëjë pretendime të rreme se humbja e tij erdhi si rezultat i mashtrimit.

Frika nga sulmuesit që veprojnë vetëm

Zyrtarët e sigurisë thonë se nuk janë të vetëdijshëm për ndonjë kërcënim specifik ndaj ceremonisë së inaugurimit. Ata janë të shqetësuar për sulmuesit që veprojnë vetëm, siç ishte rasti me autorin e sulmit në Nju Orlins, apo në dy incidentet e javës së kaluar. Në njërin incident, një person u arrestua ndërsa u përpoq të hynte në Kapitol me një thikë të madhe. Në incidentin tjetër, një person tjetër u përpoq të ndizte një zjarr në afërsi të Kapitolit, sipas policisë së Kapitolit.

“Kërcënimi nga autorë që veprojnë të vetëm mbetet arsyeja jonë kryesore për këtë gjendje të shtuar sigurie përgjatë javës së ardhshme”, deklaroi shefi i policisë së Kapitolit, Thomas Manger.

FBI-ja dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare paralajmëruan policinë në mbarë vendin për rreziqet ndaj sulmeve që përpiqen të kopjojnë incidentin në Nju Orlins.

Një pjesë e madhe e qendrës së Uashingtonit – që shtrihet rreth 3 kilometra nga Shtëpia e Bardhë deri tek Kapitoli – do të jetë e mbyllur për makinat. Pikat kyçe për të hyrë në këtë zonë do të bllokohen me barrikada çimentoje, kamionë dhe materiale të tjera të rënda.

Gardhi prej 48 kilometrash, me lartësi 2 metra, i menduar për të penguar ngjitjen mbi të, do të jetë më i gjati i vendosur ndonjëherë në Uashington, sipas zyrtarëve. Rreth 7,800 pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe 4 mijë oficerë policie nga departamente të tjera janë dislokuar në mbarë vendin për të përforcuar sigurinë.

Ndërkohë disa nga banorët e kryeqytetit, ku 90 për qind e votuesve mbështetën kandidaten demokrate Harris, po bëhen gati ta kalojnë fundjavën tre ditore, e cila përfshin edhe ditën e hënë, që është ditë pushimi në Shtetet e Bashkuara, jashtë qytetit, apo në shtëpi për t’u ikur turmave.

Rreth 70 për qind e 34,500 dhomave të hoteleve që ka Uashingtoni janë rezervuar për natën para dhe pas inaugurimit, në bazë të të dhënave të javës së kaluar. Për inaugurimin e zotit Trump në vitin 2017, 95 për qind e dhomave të hoteleve ishin rezervuar dhe rreth 78 për qind për inaugurimin për mandatin e dytë të Presidentit Barack Obama në vitin 2013.

Protestat dhe tubimet

Ceremonia e inaugurimit e zotit Trump në vitin 2017 u karakterizua me protesta masive dhe kundër protesta.

Marshi i Grave, një ditë pas ceremonisë, mblodhi qindra mijëra persona në rrugët e Uashingtonit – dhe edhe më shumë, në marshime tjera solidarizuese në mbarë vendin.

Një turmë shumë më e vogël, me 25 mijë pjesëmarrës, pritet të mblidhet në Marshin e Popullit në Uashington të shtunën, sipas shefes së policisë së kryeqytetit, Pamela Smith.

Mijëra protestues protet të marrin pjesë në dhjetëra protesta apo tubime të tjera, të cilave u kanë dhënë leje zyrtarët vendorë për t’u zhvilluar në nga e shtuna deri të hënën, përfshirë një tubim në përkrahje të zotit Trump që do të mbahet të dielën në një sallë me kapacitet prej 20 mijë vendesh.

Profesorja e Harvardit, Juliette Kayyem, e cila shërbeu si zyrtare sigurie gjatë administratës së Presidentit Obama, tha se zyrtarët duket se po ndjekin një praktikë standarde duke bërë plane për të gjitha situatat.

“Planifikimi bëhet duke patur parasysh skenarin më të keq, por dyshoj që do të ketë diçka të tillë, gjë që është lajm i mirë”, thotë ajo. “Sa i përket planifikimit, gjithmonë është më mirë të bësh më shumë se më pak”./VOA

The post Ceremonia e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump nën masa të rrepta sigurie! Washingtoni rrethohet nga 48 km gardhe metalike appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Antony Blinken paraqet planin për qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës

By: gsh
14 January 2025 at 20:52

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 14 janar paraqiti planin për menaxhimin e Gazës në periudhën e pasluftës, duke thënë se administrata në largim e Joe Biden, do t’ia dorëzojë këtë plan ekipit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, nëse arrihet marrëveshje për armëpushim.

Duke folur në Këshillin e Atlantikut në Uashington, në ditët e fundit të mandatit si kryediplomat i SHBA-së, Blinken tha se Uashingtoni ka parashikuar një Autoritet Palestinez të reformuar, që do të udhëhiqte me Gazën, dhe ftoi partnerët ndërkombëtarë që të ndihmojnë në krijimin e një administrate të përkohshme për enklavën palestineze.

Sipas planit amerikan, një forcë e sigurisë do të formohej nga forcat e shteteve partnere dhe personeli palestinez që do të kalonte nëpër procese të verifikimit, tha Blinken gjatë fjalimit.

Fjalimi i tij u ndërpre vazhdimisht nga protestues që e akuzuan atë se po mbështet, siç thanë ata, gjenocidin e Izraelit kundër palestinezëve në Gazë, Izraeli vazhdimisht ka mohuar akuzat për gjenocid.

Fjalimi i Blinkenit erdhi pasi negociatorët u takuan në Katar me shpresën që të finalizojnë një plan për t’i dhënë fund luftës 15-mujore në Gazë, midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që ka zhytur në krizë rajonin e Lindjes së Mesme.

“Për muaj të tërë, ne kemi punuar në mënyrë intensive me partnerët tanë për të krijuar një plan të detajuar për periudhën e pasluftës që do të mundësojë që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza, të parandalohet që Hamasi të marrë pushtetin dhe t’i japë qeverisje Gazës, siguri dhe rindërtim”, tha Blinken.

Trump dhe ekipi i tij nuk kanë thënë nëse do ta zbatojnë këtë plan.

Sipas Blinkenit, ky plan dhe “një horizont kredibil politik për palestinezët” kërkohet që Hamasi të mos rishfaqet në Gazë.

SHBA-ja në të kaluarën e ka paralajmëruar Izraelin se Hamasi nuk mund të mposhtet vetëm me fushatë ushtarake, tha Blinken.

“Ne vlerësojmë se Hamasi ka rekrutuar po aq militantë të rinj sa ka humbur”, tha ai.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë./REL/

The post Antony Blinken paraqet planin për qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Lëkundje tërmeti në vendin tonë, ja sa ishte magnituda dhe ku ishte epiqendra

By: gsh
14 January 2025 at 20:38

Një tërmet me magnitudë 3.8 është rregjistruar mbrëmjen e kësaj të marte, 14 janar.

Mësohet se epiqendra është në Qarkun e Elbasanit.

Ndërkohë, sipas EMSC, thellësia e regjistruar shënon 15 km.

The post Lëkundje tërmeti në vendin tonë, ja sa ishte magnituda dhe ku ishte epiqendra appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

“Në 10 vitet e fundit janë larguar 1 milion shqiptarë”- Zgjedhjet e 11 majit, Topalli: Diaspora, faktor kyç për rotacionin

By: gsh
14 January 2025 at 19:55

Largimi i mbi 1 milionë shqiptarëve në 10 vitet e fundit nga Shqipëria, për drejtuesen politike të PD-së, Jozefina Topalli, është një alarm. Sipas saj, Diaspora e kësaj dekade, duhet t’i japë një përgjigje të fortë me votë qeverisjes socialiste, për të garantuar rotacionin politik.

“Emigrantët duhet të bëhen faktor për rotacionin, për faktin se ata që kanë ikur vitet e fundit në ritme aq të frikshme, sigurisht nuk kanë ikur nga qejfi, por mos mundësia e përballimit të jetesës”, tha Topalli për News24.

Topalli thotë se PS, ka filluar presionet ndaj administratës, e gjithashtu po përdor ambasadat në funksion të saj.

“Ata po përdorin administratën në çdo qelizë të vetë, duke kondicionuar çdo vend pune me vendin duke i detyruar të sjellin numrin e familjarëve të tyre që jetojnë në diasporë dhe për ti kontrolluar nëse janë regjistruar”, tha ajo.

Ka një pikë ku sipas Topallit, PS është përpara, luksi dhe paratë, për të cilat PD do kundërpërgjigjet me ndërgjegje dhe moral.

“Betejën në fushën e parasë dhe luksit e kanë fituar ata. Betejën në fushën morale, etike, të perspektivës dhe ekzistencës së Shqipërisë dhe shqiptarëve është në anën tjetër”, tha Topalli.

Drejtuesja Politike e PD-së në Diasporë, u kërkon shqiptarëve që nuk jetojnë në Shqipëri, të regjistrohen në faqen e KQZ-së, për të qenë votues në zgjedhjet e 11 majit.  Afati i regjistrimit është deri në datën 4 mars.

The post “Në 10 vitet e fundit janë larguar 1 milion shqiptarë”- Zgjedhjet e 11 majit, Topalli: Diaspora, faktor kyç për rotacionin appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Mbi 500 mijë euro në ditë! Ronaldos i propozohet kontrata e re e çmendur në Arabinë Saudite

By: gsh
14 January 2025 at 19:43

Kristiano Ronaldo do të vazhdojë të jetë lojtari më i paguar në botë, me një diferencë të thellë me të gjithë të tjerët, kur të rinovojë marrëveshjen e tij me klubin  e Al Nasr në Arabinë Saudite.

Lojtari portugez është në vitin e fundit të kontratës, por mediat saudite kanë bërë të ditur se klubi i tij po i ofron një tjetër kontratë marramendëse.

Ronaldo përfitonte shifra të përafërta edhe nga kontrata aktuale, mes rrogës dhe aktiviteteve promocionale për Arabinë Saudite. Por sipas ‘Al Khabar’, marrëveshja e re do t’i sigurojë 200 milionë euro në sezon vetëm si rrogë.

Gazeta pretendon se përfitimet e Ronaldos nga kontrata e re janë rreth 3,8 milionë euro në javë, më shumë se 500 mijë euro në ditë, për qëndrimin e tij te Al Nasr në një marrëveshje që mendohet se është “shumëvjeçare”.

PANORAMASPORT.AL

The post Mbi 500 mijë euro në ditë! Ronaldos i propozohet kontrata e re e çmendur në Arabinë Saudite appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Anketa e IRI: SPAK-u institucioni më i besueshëm, por priten më shumë hetime dhe ndëshkime ndaj politikanëve

By: gsh
14 January 2025 at 19:41

Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) sapo ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë, ku spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, i cili vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm në vend. Shumica e të anketuarve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore.

Ata pohuan se nuk do të mbështesin në zgjedhje ato parti, që përkrahin ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut. Drejtori i IRI-t për Shqipërinë, John Fluharty, tha për Zërin e Amerikës se qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit për të përmirësuar jetën e tyre. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit rikthen besimin e njerëzve tek demokracia.

SPAK-u

Anketa Kombëtare e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) gjeti se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është sot institucioni më i besueshëm në Shqipëri (76%), e më pas renditen policia, ushtria dhe institucionet fetare, ndërsa institucionet më pak të besueshme janë Kuvendi dhe partitë politike.

Studimi mbështetet në përgjigjet e një mijë e dyqind qytetarëve të moshave nga 18 vjeç deri mbi 56 vjeç.

Pjesa më e madhe e të anketuarve (59%) mendojnë se reforma në sistemin e drejtësisë është e efektshme, ndërsa (70%) e tyre mendojnë se efektshmëria e drejtësisë u rrit pas vetingut të gjyqtarëve dhe ngritjes së SPAK-ut.

Afro gjysma e të anketuarve (47%) mendojnë se krijimi i SPAK-ut është rezultati më i mirë i reformës në drejtësi, më pas vijnë vettingu (27%) dhe (13%) zbehja e ndikimit politik mbi gjykatat.

Pas kryerjes së reformës në drejtësi qytetarët mendojnë se më të rëndësishmet për t’u bërë tani janë luftimi i korrupsionit, hetimi dhe ndëshkimi i politikanëve, si dhe pavarësia nga ndikimi qeveritar.

Ata i besojnë më shumë SHBA-ve (46%) dhe BE-së (37%) për monitorimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe gjykatat, disa herë më pak kryeministrit (7%), dhe vetëm 1 për qind i besojnë Kuvendit.

Më shumë se gjysma e të anketuarve (51%) nga të gjithë grupmoshat pohuan se nuk do ta përkrahin në zgjedhje asnjë parti, që mbështet ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.

Afro 40 për qind e qytetarëve pohuan se vlerësimi i tyre për SPAK-un do të përmirësohej, nëse SPAK heton politikanë, të cilët ata i kanë mbështetur në të kaluarën.

“Për të tretën herë në anketat tona SPAK-u është institucioni më i besuar në Shqipëri, – tha për Zërin Amerikës, John Fluharty, drejtori i IRI-t për Shqipërinë. – Një numër i madh i qytetarëve pohuan që nëse SPAK-u do të hetonte një kandidat apo parti, që ata kanë mbështetur më parë, kjo do të rriste mbështetjen e tyre për SPAK-un. Akoma më domethënëse është gjetja që nëse njerëzit zbulojnë se kandidati ose partia mbështet kufizimin e SPAK-ut për të bërë detyrën e tij, ata do të kenë më pak gjasa të mbështesin atë parti apo kandidat. Kjo do të thotë se qytetarët kanë shpresë. Ata shohin shpresë në punën e SPAK-ut, shohin shpresë në luftimin e korrupsionit, që më parë nuk e kishin. Kjo është vërtet domethënëse”, tha zoti Fluharty.

Korrupsioni

Nga ana tjetër, korrupsioni mbetet një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri, teksa 71 për qind e të anketuarve e cilësojnë këtë dukuri si një problem serioz.

Pjesa më e madhe besojnë që korrupsioni është më i përhapur në shërbimet publike si doktorët, mësuesit dhe policët, e më pas ata renditin kryeministrin me kabinetin qeveritar, drejtësinë, drejtuesit e partive politike e të biznesit si dhe zyrtarët vendorë.

Pjesa më e madhe të anketuarve shprehen se problemet më të rëndësishme që përballet vendi aktualisht janë ekonomia me çmimet e larta dhe kostot e jetesës, papunësia dhe korrupsioni, pasuar nga shëndetësia, kriminaliteti dhe migrimi.

Krahasuar me një vit më parë, shqetësimi për ekonominë ka rënë me 11 pikë, por shqetësimi për korrupsionin është rritur me 2 pikë.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve pohuan që nëse zgjedhjet mbahen sot, çështjet përcaktuese për votën e tyre janë pensionet, ekonomia dhe antikorrupsioni.

Ata besojnë se arritjet më të rëndësishme të qeverisë aktuale janë infrastruktura, integrimi europian dhe reforma në drejtësi, por tek dështimet më të mëdha të qeverisë qytetarët renditën pensionet, ekonominë, emigrimin dhe korrupsionin.

Qytetarët e anketuar mendojnë se përparësitë kryesore që qeveria duhet të trajtojë janë ekonomia, pagat dhe pensionet, punësimi, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit.

“Korrupsioni nuk është vetëm një çështje paligjshmërie, por është një çështje ekonomike, sepse ai ndikon në aftësinë e njerëzve për të pasur punë, në koston e jetesës, si dhe në meritokraci, -thotë zoti Fluharty i IRI-t. – Njerëzit e cilësojnë korrupsionin si çështje parësore, por nuk mund ta shkëputin nga çështjet e SPAK-ut, sepse ata po dëmtohen ekonomikisht, dhe e shohin korrupsionin si një nga shkaktarët e dhimbjeve të tyre, rritjes së kostos së jetesës, çmimeve të larta të ushqimeve. Njerëzit pohuan në sondazh që gjërat do të përmirësohen, pasi korrupsioni po trajtohet. Fokusimi kundër korrupsionit është si një Reset Button për vendin, një mundësi për të rivendosur në një kurs të ri gjërat e vendit drejt anëtarësimit në BE, ndryshe sa ndodhën në tridhjetë vitet e fundit”, theksoi drejtori i IRI-t.

Demokracia

Nga Anketa e Institutit Republikan doli po ashtu që më pak se gjysma e të anketuarve (49%) janë të kënaqur me mënyrën si po zhvillohet demokracia në vend, ndërsa gjysma tjetër shprehen të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur.

Pjesa dërrmuese e qytetarëve të anketuar besojnë se demokracia është forma më e mirë e mundshme e qeverisjes së vendit.

Por vetëm një e treta e tyre mendojnë se vendi po qeveriset në interes të shumicës së popullatës, ndërsa afro dy të tretat (62%) shprehen se qeverisja punon për interesat e disa grupeve.

Ky perceptim është më shumë i përhapur tek të anketuarit nga 18 deri 35 vjeçarë (72%), por kjo është një përgjigje e qëndrueshme edhe në moshat e tjera nga 36 deri mbi 56 vjeç e lart (59%).

Të pyetur nëse të rinjtë e sotëm kanë një të ardhme të mirë në Shqipëri, më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar (57%) përgjigjen negativisht, kundrejt 40 për qind të atyre që shprehen pro një të ardhme të mirë.

Krahasuar me një vit më parë, përgjigja se rinia nuk ka një të ardhme të mirë në atdhe sivjet është përkeqësuar me 3 pikë. Shumica e të anketuarve në këtë përgjigje negative janë të rinj, por po ashtu janë shprehur njëlloj edhe shumë të anketuar nga të gjithë grupmoshat.

Gjetjet kryesore të sondazhit, – thotë drejtuesi i IRI-t, John Fluharty, – janë se qytetarët shqiptarë vazhdojnë të kenë shqetësime për ecurinë e demokracisë shqiptare, por ata e duan idenë e demokracisë dhe duan të shohin që të hidhen hapa gjigantë përpara. Ata e shohin SPAK-un si një mënyrë për të ndihmuar, që kjo të ndodhë. Qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit, sepse ata e kuptojnë që e gjithë kjo lidhet me përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Lufta kundër korrupsionit është një mënyrë e mirë për të rikthyer besimin e njerëzve tek demokracia, sepse ligji dhe barazia para ligjit është shtylla e demokracisë”, – tha zoti Fluharty.

Zgjedhjet

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, qytetarët shprehin masivisht gatishmëri të lartë për të votuar, ndonëse janë ndarë baras sa i takon pyetjes nëse njerëzit e thjeshtë mund të ndikojnë në vendimmarrjen e vendit.

Afro dy të tretat e të anketuarve (62%) thonë se zgjedhjet apo ofertat në politikën shqiptare janë shumë të kufizuara dhe se forcat e reja politike duhet të ofrojnë alternativa të tjera në zgjedhjet e ardhshme.

Ky mendim mbizotëron në të gjithë grupmoshat. Kjo përgjigje e re vjen tani nga të anketuar, mbi 90 për qind e të cilëve pohuan se në zgjedhjet e kaluara kanë votuar për njërën nga dy a tre partitë më të mëdha.

Aktualisht një e treta e të anketuarve nga të gjithë grupmoshat shprehin pëlqim për partitë e reja, që janë krijuar së fundi. Anketa zbuloi po ashtu se, krahas katër partive më të hershme (PS, PD, PSD, PL), qytetarët shprehin besim edhe në katër parti të reja (Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Nisma).

Drejtori i IRI-it, Fluharty, thekson që partitë politike janë në fund të tabelës së besimit nga qytetarët dhe ky është një mesazh për to.

“Sondazhi, – thotë zoti Fluharty, – nuk i sheh zgjedhjet si një garë kuajsh kokë më kokë; se kush fiton ato, nuk është aq e rëndësishme, sa biseda se kujt i përkasin partitë politike: A i përkasin ato një grupi njerëzish, që kanë të njëjtat pikëpamje, apo që besojnë tek një individ. Ka një hendek midis në të kuptuarit thelbësor për qytetarët se cilës parti i përkasin, çfarë përfaqësojnë ato, çfarë ideologjie dhe programesh kanë, sepse kur njerëzit qëndrojnë të lidhur me individë të veçantë, gjithmonë ka një pyetje për motivin e kësaj”, shtoi drejtori i IRI-t për Shqipërinë.

Në anketën e IRI-t vetëm një pakicë (16%) tha se nuk ka gjasa që të votojnë në maj, për shkak se sipas tyre, vota dhe zgjedhjet nuk kanë rëndësi, se asnjë kandidat apo parti nuk i frymëzon dhe nuk i përfaqëson.

Shumica e të anketuarve (58%) besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira, përballë 40 për qind, që mendojnë të kundërtën.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve që pritet të votojnë për PS-në (90%) mendojnë që zgjedhjet e majit do të jenë të lira, ndërsa tre të katërtat e atyre që pritet të votojnë PD-në shprehen se zgjedhjet nuk do të jenë të lira.

Pjesa më e madhe e të anketuarve (58%) besojnë se KQZ-ja është e aftë të organizojë dhe të mbikëqyrë zgjedhjet, por pjesa tjetër (41%) kanë pak ose aspak besim tek KQZ-ja.

Anketimi zbuloi një shqetësim në rritje të qytetarëve për dhunë të mundshme në zgjedhje, sa afro dyfishi i një viti më parë. Një vit më parë këtë shqetësim e shprehën 27 për qind të qytetarëve, ndërsa sot ata janë afro dyfishi (45%). Pjesa dërrmuese e të anketuarve që e ngrejnë këtë shqetësim mbi dhunën e mundshme në zgjedhje i përkasin asaj pjese, që mendohet se voton për PD-në.

Sa i takon mbështetjes së politikanëve, në sondazh spikatin diferencat e ndjeshme midis kryeministrit socialist Edi Rama (35%), përballë kryetarit të PD-së Sali Berisha (14 për qind), por në skajin tjetër të tabelës besimi për figura të tjera është po a q i lartë (26%), sa edhe mosbesimi i plotë tek asnjë politikan (28%).

Mbi 60 për qind e të anketuarve besojnë dhe shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë, ndërsa pjesa tjetër (afro 40%) nuk kanë shumë shpresë për një të ardhme më të mirë, por pohojnë madje se kanë frikë, shqetësim e pasiguri për të ardhmen dhe nuk besojnë tek ndonjë përmirësim për këtë.

Më shumë se gjysma e të anketuarve nga IRI (52%) pohuan se vendi po shkon në drejtimin e duhur, një shifër kjo me 6 pikë në rënie krahasuar me një vit më parë (58%). Megjithatë qeveria Rama gëzon një aprovim të përgjithshëm nga më shumë se gjysma e të anketuarve (58%), edhe për sa i takon efektshmërisë (55%).

Shumica dërrmuese e qytetarëve (74%) pohuan se janë të informuar mjaftueshëm mbi zgjedhjet e ardhshme, por duan më shumë informacion mbi programet partiake dhe kandidatët e tyre.

Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese (88%) e të anketuarve thanë se nuk kanë parë gjatë 12 muajve të fundit ndonjë aktivist partiak në zonën e tyre./VOA

 

The post Anketa e IRI: SPAK-u institucioni më i besueshëm, por priten më shumë hetime dhe ndëshkime ndaj politikanëve appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Jep dorëheqjen pas akuzave për korrupsion ministrja britanike e financave, Tulip Siddique

By: gsh
14 January 2025 at 19:19

Tulip Siddique, ministrja e financave e Britanisë, njoftoi sot dorëheqjen e saj nga qeveria, pas kritikave të ashpra që mori për lidhjet e saj familjare me kryeministrin e Bangladeshit, si dhe akuzat ndaj saj për korrupsion.

Siç raporton Daily Mail, ministrja e financave është mbesa e ish-kryeministrit të Bangladeshit, Sheikh Hasina, e cila është përfshirë në një rast korrupsioni dhe madje kishte ikur nga vendi i saj mes protestave të përgjakshme.

Përveç kësaj, Siddique akuzohet se ka përdorur prona në Londër të lidhura me bashkëpunëtorët e tezes së saj, ndërkohë që ajo përballet me një hetim për rolin e familjes së saj në përvetësimin e miliarda dollarëve nga një projekt centrali bërthamor. Ndonëse ajo mohon çdo përfshirje, presioni që u bë e çoi në vendimin e saj për t’u larguar nga posti.

Në një letër drejtuar liderit laburist Keir Starmer, Siddique theksoi se këshilltarja e pavarur Laurie Magnus kishte gjetur se ajo nuk kishte shkelur kodin ministror. Megjithatë, raporti Magnus ngriti çështje që lidhen me reputacionin e saj personal dhe besueshmërinë e qeverisë duke pasur parasysh lidhjen e saj me Bangladeshin.

Ai vuri në dukje se përgjegjësitë ministrore të Cindiç, të cilat përfshijnë promovimin e integritetit financiar të MB, kërkojnë standarde të larta vigjilence.

Starmer shprehu “trishtimin” për largimin e saj, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit të saj në të ardhmen.

Emma Reynolds mori menjëherë pozicionin e Siddique në Thesar. Në të njëjtën kohë, konservatorët përfituan nga situata, duke akuzuar Starmer për keqmenaxhim të traktatit.

The post Jep dorëheqjen pas akuzave për korrupsion ministrja britanike e financave, Tulip Siddique appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

“Do shkonim shumë bashkë”- Loredana-Jozit: Më të thjesht e kam të të puth se sa…

By: gsh
14 January 2025 at 19:10

Loredana dhe Jozi kanë treguar afrimitet ndaj njëri-tjetrit, që prej fillimit të edicionit të katërt të Big Brother Vip Albania.

Dyshja kanë pasur momente romantike por edhe përplasje në shtëpi.

Sot gjatë një bisede Loredana i kërkoi Jozit që t’i lërë hapësirë brenda në shtëpi.

Ndërkohë që Jozi i tha se do shkonim shumë bashkë, të njëjtën gjë pohoi edhe Loredana, duke i kërkuar që ta lënë historinë për jashtë, kur të dy të kenë përfunduar lojën.

Por Jozi duket se nuk është dakord me Loredanën.

Në një moment banorja i tha Jozit: “Me ty e kam më të thjeshte të të puth se sa të merrem me ty …”

Pjesë nga diskutimi

Loredana: Nuk të gënjej. Ti nuk e ke idenë se sa e dashur jam unë. Jam jashtëzakonisht e dashur. Unë do bëj më keq se ty. Këtu është ajo gjëja që nuk mund të rri ngjitur. Por jashtë kësaj në momentin që ..s’dua të ndahem fare. Të betohem!

Jozi: Qënke si unë.

Loredana: Është diçka shumë e rëndësishme që të krijohet besimi, respekti dhe pasioni. Por ti bën si beb. Nuk e di a do ketë pasion mes meje dhe teje.

Jozi: Jam më ndryshe jashtë, jam shumë më ndryshe…do skonim shumë bashkë.

Loredana: Edhe unë e di se jashtë do shkonim shumë, pra më li rehat tani këtu brenda.

The post “Do shkonim shumë bashkë”- Loredana-Jozit: Më të thjesht e kam të të puth se sa… appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

VIDEO/ Skandal në Spanjë, arrestohet futbollisti i Seviljes për trukime. Merrte të verdha që të fitonin para shokët

By: gsh
14 January 2025 at 18:52

Kike Salas, mbrojtësi i skuadrës së Seviljes, është arrestuar sot nga policia në Spanjë pasi akuzohet për trukime të ndeshjeve në favor të basteve sportive të paligjshme.

Një gjykatës në Moron de la Frontera, krahina ku ka lindur Salas, ka kërkuar që ai të paraqitej për të dëshmuar pas hetimeve që kanë lidhje me ndeshjet e kampionatit të kaluar.

Sipas hetuesve, futbollisti i Seviljas kishte marrë vazhdimisht kartonë të verdhë për të favorizuar bastet sportive të miqve apo të afërmve të tij, për përfitime financiare të jashtëligjshme.

Ai akuzohet për mashtrim, në një çështje ku edhe La Liga do të përfshihet si palë e dëmtuar. Pasi është marrë gjatë ditës së sotme dëshmia e tij rreth akuzave, ai është lënë në hetim në gjendje të lirë.

Hetimet janë të përqendruara te disa ndeshje të fundit të sezonit të kaluar, në të cilat Sevilja nuk ishte në garë për asgjë, arsye pse ai mendohet se ka rënë dakord me shokët e tij që të merrte të verdhë që të fitoheshin skedina. Kike Salas është ndëshkuar me 10 kartonë të verdhë gjatë sezonit të kaluar, por 7 i ka marrë në 9 javët e fundit të kampionatit.

PANORAMASPORT.AL

The post VIDEO/ Skandal në Spanjë, arrestohet futbollisti i Seviljes për trukime. Merrte të verdha që të fitonin para shokët appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

NATO dhe BE me patrullime në Baltik për shkak të shqetësimeve të sigurisë

By: gsh
14 January 2025 at 18:50

Udhëheqësit e NATO-s dhe Bashkimit Evropian janë pajtuar që të nisin një mision monitorues në Detin Baltik, pas disa “incidenteve serioze” që kanë dëmtuar infrastrukturën kritike nënujore. Për disa nga këto incidente janë përfshirë anije që dyshohet se janë pjesë e të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë.
Në një takim në Helsinki më 14 janar, udhëheqësit nga tetë shtete të Detit Baltik, dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, njoftuan se në misionin në Baltik do të “dislokohen asete shtesë në det, ajër, tokë dhe nën sipërfaqen e detit për të rritur vigjilencën dhe parandalimin”.

“Luftimi i dëmtimeve të kabllove dhe tubacioneve nënujore është një problem global”, tha grupi përmes një deklarate të përbashkët.

“Përdorimi i të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë paraqet një kërcënim për sigurinë detare dhe mjedisore në rajonin e Detit Baltik dhe në aspektin global. Kjo praktikë e dënueshme po ashtu kërcënon integritetin e infrastrukturës nënujore, rrit rreziqet që lidhen me municionet kimike të hedhura në det dhe mbështet ndjeshëm financimin e luftës së paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës”.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, NATO-ja kishte njoftuar se do të rriste praninë në rajon, pas një akti të dyshuar të sabotimit të kabllove mes Finlandës dhe Estonisë.

Disa kabllo të telekomunikimit dhe kabllo të energjisë janë dëmtuar në Detin Baltik që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022. Ekspertët dhe politikanët kanë thënë se në këto incidente kanë qenë të përfshira anijet e “flotës në hije” të Rusisë. Kremlini ka mohuar çdo përfshirje.

Një ditë më herët, Rutte tha në Parlamentin Evropian se “veprime të tilla armiqësore” nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar, duke premtuar për forcim të pranisë ushtarake të NATO-s në rajon./REL

The post NATO dhe BE me patrullime në Baltik për shkak të shqetësimeve të sigurisë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

ZYRTARE/ Cikalleshi dhe Çekiçi bëhen bashkë për objektivin mbijetesë

By: gsh
14 January 2025 at 18:14

Endri Çekiçi është zyrtarizuar si lojtar i Adanaspor. Klubi turk bashkon kështu Cikalleshin me lojtarin tjetër shqiptar, ndërsa objektiv për këtë sezon është mbijetesa.

Adanaspor merr pjesën në ligën e dytë për nga niveli në futbollin turk. Çekiçi dhe Cikalleshi më parë kanë luajtur bashkë për Konjaspor.

Çekiçi ndërkohë kthehet pas një periudhe prej 6 muajsh pa ekip. Prej 4 vitesh karriera e tij është bazuar në Turqi.

PANORAMASPORT.AL

The post ZYRTARE/ Cikalleshi dhe Çekiçi bëhen bashkë për objektivin mbijetesë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Berisha: Janë bërë përpjekje çnjerëzore për ta shuar PD, por ajo u bashkua dhe shkon drejt zgjedhjeve më e sigurt se kurrë në fitore

By: gsh
14 January 2025 at 18:13

Në selinë blu, ish-kryeministri Sali Berisha Mbledhje me të zgjedhurit vendorë, kryetarët e Bashkive dhe këshilltarë bashkiakë të PD, ka shprehur bindjen se forca e tij politike do trumfojë në zgjedhjet e 11 majit.

Berisha u shpreh se PD ka dëshmuar vitalitet të jashtëzakonshëm. Ai tha se janë bërë përpjekje çnjerëzore për ta shuar forcën e tyre politike, por sipas tij ajo u bashkua dhe shkon drejt zgjedhjeve më e sigurt se kurrë në fitore

“Shpreh bindjen time më të thellë se sot forca politike, e cila në ato kushte, shto dhe izolimin më të thellë dhe të pamerituar, mori 600 mijë vota, do të jetë forcë politike e një fitoreje të thellë, të merituar.

Nuk kishte asgjë më të pamundshme se kushtet e një diskriminimi total, e një terrori të vërtet banditesk, e një shteti kriminal elektoral, e kateve më brutale, me listat me bandat, me patronazhistët, aktivistët etj, të vonoheshe nga 600 mijë shqiptare. Në historinë e këtij vendit, do të mbetet habia elektorale.

PD dëshmoi një vitalitet të jashtëzakonshëm. Përpjekje çnjerëzore u bënë për ta shuar këtë forcë. Ajo u bashkua, është në këmbë më e fuqishme se kurrë, shkon drejt zgjedhjeve më e sigurt se kurrë për fitore”, tha Berisha.

The post Berisha: Janë bërë përpjekje çnjerëzore për ta shuar PD, por ajo u bashkua dhe shkon drejt zgjedhjeve më e sigurt se kurrë në fitore appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Sa ditë pas zierjes janë të sigurta për t’u ngrënë vezët, nëse qendrojnë në frigorifer?

By: gsh
14 January 2025 at 17:33

Nutricionistët shpesh i referohen vezëve si ushqimi i përsosur në planet, sepse ato përmbajnë të nëntë aminoacidet thelbësore, të cilat janë blloqet ndërtuese të proteinave.

Kjo është arsyeja pse është mirë të keni disa vezë të ziera në dorë, si një meze të lehtë e të shëndetshme, për të aromatizuar një sanduiç, apo edhe si një garniturë në sallata.

Por sa kohë ruhen vezët e ziera në frigorifer? Është po aq e lehtë për të zier një copë vezë sa vetëm dy, kështu që pyetja është se cili është kufiri midis të qenit i përgatitur dhe të qenit i kotë?

Vezët e ziera do të ruhen në frigorifer për rreth një javë pasi të jenë zier, por kohëzgjatja e tyre ndikohet nga sa të freskëta ishin kur u zien.

Si të dalloni nëse vezët e ziera janë të prishura

Gjithmonë besoni hundës tuaj për të treguar nëse vezët tuaja nuk janë më të përshtatshme për konsum. Nëse nuk jeni të sigurt, hidhini një sy pamjes së tyre. Nëse vëreni një strukturë rrëshqitëse, ngjitëse dhe një ngjyrë gri të hapur, atëherë duhet t’i hidhni ato.

Si t’i ruani ato

Ashtu si vezët e papërpunuara kanë nevojë për frigorifer, po ashtu edhe ato të ziera. Pasi t’i qëroni, vendosini në një enë ushqimore hermetike dhe vendosini në frigorifer.

The post Sa ditë pas zierjes janë të sigurta për t’u ngrënë vezët, nëse qendrojnë në frigorifer? appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Nuredin Dumani tha se e ndihmoi dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë për të dalë nga burgu, reagon Nasip Naço: Distancohem nga çdo mashtrim

By: gsh
14 January 2025 at 17:10

Nasip Naço, ka reaguar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili sot në seancën me dyer të mbyllura në GJKKO ka delaruar se për të dalë nga burgu e ka ndihmuar dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë.

Naço, ish-ministër i Drejtësisë, shprehet duke thënë se distancohet nga çdo akuzë dhe mashtrim, dhe i ka bërë ftesë organeve të drejtësisë të kryejë hetim të thelluar për këtë rast.

Ndër të tjera ai shprehet se “akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër”.

Reagimi i Nasip Naços:

Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:

  1. Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.
  2. Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:

– Nuk heton,

– Nuk ngre akuza,

– Nuk pushon çështje,

– Nuk jep vendime fajsie apo pafajsie.

Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.

  1. Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.
  2. Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër.

Faleminderit!

“Më ndihmoi dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë!”- Nuredin Dumani jep deklaratë në GJKKO, tregon si u lirua nga burgu përmes një raporti mjekësor

The post Nuredin Dumani tha se e ndihmoi dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë për të dalë nga burgu, reagon Nasip Naço: Distancohem nga çdo mashtrim appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Kryeministri Edi Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, merr pjesë në eventet e Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025! Zbardhet agjenda

By: gsh
14 January 2025 at 16:58

Kryeministri Edi Rama udhëtoi sot drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të pjesëmarrjes në eventet e Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025, (Abu Dhabi Sustainability Week (ADSW), një platformë globale, e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe lideri i saj i energjisë së pastër, Masdar, për të adresuar sfidat më emergjente të qëndrueshmërisë në botë, përmes diskutimeve të përbashkëta mes vendeve, që përshpejtojnë zhvillimin e përgjegjshëm dhe nxisin përparimin gjithëpërfshirës ekonomik, social dhe mjedisor.

Për më shumë se 15 vjet, ADSW ka bërë bashkë vendimmarrës nga qeveritë, sektori privat dhe shoqëria civile për të çuar përpara axhendën globale të qëndrueshmërisë përmes dialogut, bashkëpunimit ndërsektorial dhe zgjidhjeve me ndikim.

Mbrëmjen e sotme, Rama do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të ADSW, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe liderëve botërorë, politikëbërësve të lartë dhe specialistëve të industrisë, dhe në mbrëmjen gala të Çmimit Zayed Sustainability, një çmim që nderon trashëgiminë humanitare dhe të qëndrueshme të babait themelues të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, që u akordohet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, organizatave jofitimprurëse dhe shkollave të mesme globale me zgjidhje të qëndrueshme ndikuese, inovative dhe frymëzuese. Deri më sot janë nderuar me këtë çmim  117 fitues, nëpërmjet të cilëve tyre është transformuar jeta e 384 milionë njerëzve.

Ndërsa nesër, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Sesionin plenar me temë “Fuqizimi i Progresit të Qëndrueshëm”, dhe më pas në ceremoninë e nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes vendeve si: “Korniza e partneritetit strategjik trepalësh për energjinë dhe infrastrukturën” e lidhur ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës Italiane dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe marrëveshje të tjera dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara, në fushën e bujqësisë dhe të financave.

The post Kryeministri Edi Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, merr pjesë në eventet e Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025! Zbardhet agjenda appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

FOTO/ Aksident i frikshëm në autostradën Durrës-Tiranë, ‘Golfi’ përfundon mes trafikndarëses dhe kamionit

By: gsh
14 January 2025 at 16:26

Një aksident është regjistruar pasditen e sotme (14 janar) në autostradën Durrës – Tiranë.

Një automjet tip “Golf 5” është përplasur nga një kamion dhe makina ka ngecur mes kamionit dhe trafikndarëseve.

Fatmirësisht nga aksidenti nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Aksidenti ka krijuar radhë të gjata në autostradë, ndërkohë që në vendngjarje pritet të mbërrijnë efektivët e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor që do të zbardhë shkaqet e aksidentit.

The post FOTO/ Aksident i frikshëm në autostradën Durrës-Tiranë, ‘Golfi’ përfundon mes trafikndarëses dhe kamionit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

❌