Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) është duke vazhduar procesin e njohjes dhe përmirësimit të përvojës së punës për mësimdhënësit.
Sipas njoftimit, procesi po udhëhiqet nga drejtori i DKA-së, Shefki Begu, ndërsa deri më tani janë dorëzuar mbi 140 aplikime.
Komuna bën të ditur se rreth 50 për qind e aplikimeve të pranuara tashmë janë trajtuar dhe përfunduar, ndërsa pjesa tjetër mbetet në proces shqyrtimi.
Drejtori Begu, sipas njoftimit, ka deklaruar se përmes këtij angazhimi disa mësimdhënësve u është njohur përvoja e punës deri në 10 vjet, duke zgjidhur një shqetësim të kahershëm.
Po ashtu, Komuna thekson se DKA mbetet e përkushtuar që të gjitha kërkesat të shqyrtohen me përgjegjësi dhe brenda afateve sa më të shkurtra. /Telegrafi/
Komuna e Fushë Kosovës ka shprehur ngushëllime për familjen Aliu pas vdekjes së Leonit Aliut, i cili humbi jetën në një ngjarje të rëndë në Shëngjin të Shqipërisë, në zonën Rana e Hedhun.
Në këtë incident në det kanë humbur jetën dy persona, ndërsa tre të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor dhe kanë qenë nën kujdes intensiv, si pasojë e qëndrimit në ujë, pasi dallgët e forta dyshohet se u kanë shkaktuar humbje orientimi.
Në telegramin e ngushëllimit, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, në emër të komunës dhe qytetarëve, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Aliu, të afërmit dhe miqtë e tyre.
“Kryetari Valon Prebreza, në emër të Komunës së Fushë Kosovës dhe qytetarëve të saj, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Aliu, të afërmit dhe miqtë e tyre, me rastin e humbjes tragjike të më të dashurit të tyre, Leonit Aliu”, thuhet në telegram.
Prebreza ka thënë se komuna ndan dhimbjen me familjen Aliu dhe është lutur që ata të gjejnë forcë për ta përballuar humbjen.
“Ndajmë pikëllimin me familjen Aliu dhe lutemi që të gjejnë forcë e kurajo për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, thuhet më tej.
Në telegram theksohet se kujtimi për Leonin Aliu do të mbetet i përhershëm, ndërsa shprehen ngushëllime edhe për të gjithë të prekurit nga tragjedia.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Leonit Aliun. Ngushëllimet më të thella për familjen Aliu dhe të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi”, përfundon telegrami. /Telegrafi/
Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Rahovecit ka njoftuar se më 05.06.2026 në fshatin Zatriq dhe më 06.06.2026 në fshatin Drenoc do të realizohet dezinsektimi selektiv kundër rriqnave, në kuadër të projektit për parandalimin dhe kontrollin e EHKK-së (Etheve Hemorragjike Krime-Kongo).
Në njoftimin e publikuar në Facebook, drejtoria u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm dhe të respektojnë udhëzimet e ekipeve që do të jenë të angazhuara në terren gjatë realizimit të dezinsektimit.
“...i lusim qytetarët të informohen që të jenë të vëmendshëm dhe të respektojnë udhëzimet e ekipeve të angazhuara në terren gjatë realizimit të dezinsektimit…”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Drejtoria e Bujqësisë ka njoftuar bletarët që gjatë datave të lartcekura të mos i nxjerrin bletët në kullosa.
“…bletarët informohen të mos i nxjerrin bletët në kullosa gjatë datave të lartcekura”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/
Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se më 4 dhe 5 qershor 2026, në intervalin 08:00–17:00, do të ketë ndryshim të përkohshëm të trafikut dhe ndalim të qarkullimit të automjeteve në një segment të rrugës “Hasan Prishtina” në Obiliq.
Sipas njoftimit, bllokimi do të bëhet në kuadër të projektit për mirëmbajtjen dhe sanimin e infrastrukturës rrugore urbane, për shkak të realizimit të punimeve të natyrës inxhinierike.
Komuna ka bërë të ditur se punimet përfshijnë rregullimin dhe nivelimin e pusetave të rrjetit të kanalizimit/shkarkimit, me qëllim që ato të vendosen në kuotën e duhur projektuese të rrugës, si dhe sanimin e gropave dhe dëmtimeve strukturore në shtresat e asfaltit për të rritur sigurinë në komunikacion.
“Do të ndalohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në segmentin kryesor të rrugës ‘Hasan Prishtina’ në Obiliq… Ky bllokim i përkohshëm vjen si rezultat i nevojës për realizimin e punimeve të natyrës inxhinierike”, thuhet në njoftim.
Devijimi i trafikut
Për të garantuar rrjedhshmërinë e lëvizjes, Komuna njofton se qarkullimi do të devijohet përmes unazave dhe rrugëve dytësore të qytetit.
Sipas planifikimit:
Nga ana veriore, qarkullimi do të bëhet përmes rrugëve “Pjetër Bogdani” dhe degëzimeve lidhëse;
Nga ana jugore, devijimi do të bëhet përmes rrugëve “Vëllezërit Frashëri”, “Vëllezërit Gërvalla” dhe segmenteve rrethuese.
Komuna u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë mirëkuptim, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, të kenë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën e përkohshme rrugore të vendosur në terren, e cila orienton drejt rrugëve alternative.
Komuna e Obiliqit ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim. /Telegrafi/
KRU “Mitrovica” ka njoftuar konsumatorët në Vushtrri se nesër, më 04.06.2026, nga orët e mëngjesit deri në mesditë, disa zona do të mbesin pa furnizim me ujë të pijshëm.
Sipas njoftimit, pa ujë do të mbesin Gojbula, disa pjesë të Sllatinës dhe Vneshtat.
Kompania ka bërë të ditur se ndërprerja do të ndodhë për shkak të pastrimit dhe dezinfektimit të rezervuarit në Vneshta, aktivitet që, sipas saj, realizohet me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ujit.
“Ky aktivitet realizohet me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ujit dhe për të mirën e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.
KRU “Mitrovica” ka falënderuar qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim. /Telegrafi/
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka përfunduar vendosjen e ndriçimit “smart” në hapësirën e “Stacionit të Autobusëve”, me qëllim rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit për qytetarët.
Në njoftimin e publikuar, Komuna thekson se ndriçimi i ri e bën këtë zonë “më të sigurt, më funksionale dhe më të këndshme” për përdoruesit.
“‘Stacioni i Autobusëve’ tashmë është në dritë! Sapo kemi vendosur ndriçimin smart, duke e bërë këtë hapësirë më të sigurt, më funksionale dhe më të këndshme për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Komuna ka bërë të ditur se ndërhyrjet përfshijnë edhe më shumë gjelbërim, ndriçim modern e efikas, si dhe masa që synojnë më shumë siguri dhe pastërti.
“Investimet për përmirësimin e hapësirave publike nuk do të ndalen. Prishtina po transformohet çdo ditë”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/
Polemikat rreth aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe deklarimeve të Presidentes Vjosa Osmani kanë nxitur një përplasje argumentesh mes publicistit Veton Surroi dhe juristit Bardhyl Hasanpapaj, shkruan Gazeta Infokus.
Pas qëndrimeve të shprehura nga Surroi lidhur me interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin presidencial, Hasanpapaj ka reaguar publikisht me një sqarim të detajuar në tetë pika, duke kundërshtuar vlerësimet e tij dhe duke argumentuar se Gjykata nuk ka konstatuar asnjë shkelje kushtetuese nga Presidentja Osmani.
Hasanpapaj, i cili është Dr. Sc., profesor universitar, jurist dhe analist i njohur në mediat kosovare, thekson se debati nuk duhet të përqendrohet në pyetjen nëse dekreti ka prodhuar efekt juridik, por nëse Presidentja ka shkelur Kushtetutën. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar një shkelje të tillë.
Në reagimin e tij, ai argumenton se ekziston një dallim i qartë juridik ndërmjet një akti që nuk prodhon efekt juridik dhe një akti që përbën shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se Gjykata ka konstatuar vetëm të parën.
Hasanpapaj vlerëson gjithashtu se nuk qëndron pretendimi se Gjykata ka rrëzuar arsyetimin e Presidentes Osmani. Sipas tij, aktgjykimi konfirmon premisën themelore se Presidenti duhet të zgjidhet të paktën 60 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit në detyrë, ndërsa trajton vetëm rrethanat e jashtëzakonshme të krijuara pas zgjedhjeve të parakohshme dhe konstituimit të vonuar të Kuvendit.
Sipas Hasanpapajt, afati 34-ditor i përcaktuar nga Gjykata nuk është korrigjim i një shkeljeje kushtetuese, por një zgjidhje për një situatë të jashtëzakonshme që Kushtetuta nuk e kishte parashikuar në mënyrë eksplicite.
Ai thekson se po të kishte pasur shkelje kushtetuese, Gjykata do ta kishte konstatuar qartë në dispozitiv dhe arsyetim, pasi gjykatat kushtetuese nuk komunikojnë përmes insinuatave, por përmes konstatimeve të drejtpërdrejta juridike.
Hasanpapaj është gjithashtu kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në zgjedhjet e ardhshme, ku garon me numrin 34 në listën zgjedhore të kësaj partie.
Për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë ka vendosur të shkurtojë kohëzgjatjen e orëve mësimore në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta.
Drejtori i Arsimit në Gjakovë, Hysen Brahimaj, tha për RTK-në se vendimi është marrë për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve adekuate në shumicën e objekteve shkollore.
Sipas tij, shumë shkolla nuk janë të pajisura me sisteme klimatizimi, gjë që e vështirëson zhvillimin normal të procesit mësimor gjatë ditëve me temperatura të larta.
“Për shkak të temperaturave të larta që mbizotërojnë në rajonin tonë dhe paralajmërimit për temperatura të larta, për shkak të shëndetit të fëmijëve… shumica e shkollave nuk i kanë kushtet që ne i kemi si qëllim për mbarëvajtjen e orës mësimore si duhet. Të gjitha shkollat nuk kanë klima në objektet e tyre, andaj kemi marrë një vendim prej 45 minutave orët të zgjasin 40 minuta”, tha Brahimaj.
Ai theksoi se siguria dhe shëndeti i nxënësve mbeten prioritet për institucionet arsimore, ndërsa shtoi se aktualisht nuk është vlerësuar e nevojshme ndërmarrja e masave të tjera.
“Siguria edhe shëndeti i fëmijëve është primare për neve, andaj jemi munduar me u përshtat. Për momentin nuk e shohim të arsyeshme ndonjë masë tjetër, mirëpo këtë kemi pasur mundësi edhe e kemi bërë për shkak të shëndetit të fëmijëve”, u shpreh ai.
Brahimaj vlerësoi se shkurtimi i orëve mësimore nuk do të ndikojë negativisht në procesin arsimor. Përkundrazi, sipas tij, vendimi ndihmon në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e mësimit gjatë temperaturave të larta.
Ai bëri të ditur se masa është e përkohshme dhe se situata do të monitorohet në vazhdimësi.
“Kjo gjendje do të shihet në vazhdimësi varësisht prej situatës, është një vendim i përkohshëm. Do ta shqyrtojmë ndoshta prej 40 minutash në 35, varësisht, mirëpo nuk shohim në zbritje të kohëzgjatjes së orës mësimore më tutje”, tha drejtori i Arsimit.
Vendimi ka hyrë në fuqi këtë javë dhe përfshin të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në komunën e Gjakovës.
Në Gjakovë kanë mbetur edhe rreth dy javë deri në përfundimin e vitit shkollor, ndërsa autoritetet arsimore thonë se do të vazhdojnë ta përcjellin situatën meteorologjike dhe gjendjen në shkolla për të vlerësuar nevojën për masa të mëtejshme.
Qytetarët janë njoftuar se rruga për në Moknë do të jetë e bllokuar për qarkullim nesër pas orës 16:00, për shkak të punimeve që po zhvillohen në minimin e rrugës.
Sipas njoftimit nga punëkryesi, drejtuesit e automjeteve dhe banorët e zonës janë kërkuar të tregojnë mirëkuptim dhe kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, si dhe të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në përfundimin e punimeve.
“Ju lusim për mirëkuptim dhe kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në atë zonë, si dhe të shfrytëzoni rrugë alternative”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se bashkë me Ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, kanë vizituar punimet në rrugën “Gurët e Gjatë” në fshatin Harilaq, ku po realizohet asfaltimi i kësaj rruge.
Në një postim në Facebook, Prebreza ka thënë se investimi është i rëndësishëm për banorët e zonës dhe se punimet po zhvillohen sipas planit.
“Sot, së bashku me Ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, vizituam nga afër punimet në rrugën ‘Gurët e Gjatë’ në fshatin Harilaq, ku po realizohet asfaltimi i kësaj rruge me rëndësi për banorët e zonës”, ka shkruar Prebreza.
Ai ka theksuar se investimi, sipas tij, dëshmon përkushtimin për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët, duke nënvizuar edhe bashkëpunimin mes nivelit lokal dhe atij qendror.
“Ky investim është dëshmi e përkushtimit tonë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët. Me bashkëpunim të ngushtë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, po vazhdojmë të realizojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Në fund, Prebreza ka shtuar se punët po ecin sipas planifikimit dhe ka paralajmëruar angazhim për investime të tjera në komunë.
“Punët po zhvillohen sipas planit dhe do të vazhdojmë me angazhim të plotë për të sjellë investime të reja në çdo pjesë të komunës sonë”, ka përfunduar Prebreza. /Telegrafi/
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Shëngjin, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova.
Përmes një mesazhi publik, kreu i shtetit shprehu ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroi shërim të shpejtë për tre personat e tjerë të lënduar në këtë ngjarje.
“Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre”, shkroi Begaj.
Presidenti theksoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e respektimit të masave të sigurisë në plazhe.
Ai u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe vendore, si edhe operatorëve turistikë, që të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror.
Sipas Begajt, forcimi i masave të sigurisë është i domosdoshëm për të parandaluar ngjarje të ngjashme dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe vizitorëve në zonat bregdetare të vendit. /Telegrafi/
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Riza Krasniqi, ka deklaruar se largimi i të rinjve nga Kosova po ndikon drejtpërdrejt në familjet dhe në vetë shtetin, duke theksuar se, sipas tij, ky fenomen nuk lidhet vetëm me pagat, por edhe me mungesën e besimit te institucionet.
“Fëmijët tanë po largohen jo sepse nuk e duan Kosovën, por sepse nuk besojnë se shteti po ecën me ta”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka theksuar se familja është një nga vlerat më të mëdha të shoqërisë shqiptare, por sipas tij nuk mjafton kujdesi vetëm për familjen, pa u kujdesur edhe për funksionimin e shtetit.
“Kam bindjen se nuk mjafton të kujdesemi vetëm për familjen. Duhet të kujdesemi edhe për shtetin. Sepse një familje e fortë nuk mund të ekzistojë pa një shtet që funksionon”, është shprehur Krasniqi.
Duke folur për pritjet e prindërve, ai ka thënë se arsimimi cilësor, kujdesi shëndetësor dhe siguria janë kërkesa që nuk mund t’i garantojë një familje e vetme, por janë përgjegjësi e shtetit.
“Çdo prind dëshiron që fëmijët e tij të kenë arsim cilësor, kujdes shëndetësor të mirë dhe siguri. Por këto nuk mund t’i sigurojë asnjë familje e vetme. Këto janë përgjegjësi të shtetit dhe institucioneve”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka shtuar se të rinjtë po largohen “sepse kërkojnë më shumë mundësi, më shumë siguri dhe më shumë besim” në një sistem që funksionon, ndërsa ka paralajmëruar se pasojat janë të dyfishta – për familjen dhe për shtetin.
“Kur largohet një i ri, humbet një familje. Kur largohen mijëra të rinj, humbet një shtet”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë të ditur se për këto arsye ka vendosur të kandidojë për Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se politika, sipas tij, duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe e orientuar drejt ndërtimit të institucioneve më të forta.
“Kam vendosur të kandidoj për Kuvendin e Kosovës. Besoj se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe se detyra jonë është të ndërtojmë institucione më të forta, shkolla më cilësore, shërbime më të mira dhe më shumë mundësi për gjeneratat e reja”, ka deklaruar ai.
Në fund, Krasniqi ka bërë thirrje që në zgjedhje të mendohet “përtej premtimeve të momentit”, duke ngritur pyetjen se çfarë shteti do t’u lihet brezave të rinj.
“Në këto zgjedhje duhet të mendojmë përtej premtimeve të momentit… Duhet të pyesim veten se çfarë shteti duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Një shtet nga i cili largohen, apo një shtet në të cilin zgjedhin të qëndrojnë?”, ka përfunduar ai.
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është përuruar nënstacioni policor në Orllan të Podujevës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë publike dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve policore për qytetarët e kësaj zone.
Sipas njoftimit të Policisë, ceremonia e përurimit është mbajtur në kuadër të angazhimit për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore, me synim ofrimin e shërbimeve “sa më cilësore dhe efikase”.
Në ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, si dhe eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Policia thekson se po punon në zbatimin e Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, ndërsa përurimi i këtij nënstacioni, sipas saj, forcon kapacitetet dhe thellon bashkëpunimin me komunitetin lokal.
“Nënstacioni Policor në Orllan dhe nënstacionet tjera policore do të kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike, forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe në ofrimin e shërbimeve policore më të shpejta, më efikase dhe më të afërta për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe rendit publik, si dhe për ndërtimin e besimit të vazhdueshëm me qytetarët në të gjitha pjesët e vendit. /Telegrafi/
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka njoftuar se më 5, 6 dhe 7 qershor 2026 (e premte, e shtunë dhe e diel) Federata e Çiklizmit e Kosovës do të organizojë Garën Ndërkombëtare të Çiklizmit në disa segmente rrugore të vendit, përfshirë autoudhët “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.
Sipas njoftimit, gjatë zhvillimit të garës do të ketë mbyllje të përkohshme të një korsie të qarkullimit në segmentet e parapara, sipas itinerarit.
“Gjatë zhvillimit të garës, në segmentet e parapara do të ketë mbyllje të përkohshme të një korsie të qarkullimit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Itinerari i mbylljeve të përkohshme
5 qershor 2026 (e premte)
Mbyllet njëra korsi në Autostradën “Arbën Xhaferi”
Ora 13:00
Nisja: Sheshi “Metush Krasniqi”, Kamenicë
Itinerari: në drejtim të Prishtinës
Përfundimi: kthimi në kilometrin 28
6 qershor 2026 (e shtunë)
Mbyllet njëra korsi: Ferizaj (Bibaj) – Lipjan – Hani i Elezit (73 km), ora 09:00
Mbyllet njëra korsi: Ferizaj – Hani i Elezit (32 km), ora 11:30
Mbyllet njëra korsi: Ferizaj – Prishtinë – Hani i Elezit (95 km), ora 13:00
Mbyllet njëra korsi: Ferizaj – Lipjan – Hani i Elezit (80 km), ora 16:00
7 qershor 2026 (e diel)
Mbyllet njëra korsi: Ferizaj – Podujevë (kthimi në Trudë) – Lipjan – Ferizaj – Hani i Elezit (120 km), ora 10:00
Mbyllet njëra korsi: Ferizaj – Trudë (kthim) – Fushë Kosovë – Llapushnik – Duhël (kthim) – Llapushnik – Fushë Kosovë – Ferizaj (183 km), ora 14:00
MIT ka bërë të ditur se, për mbarëvajtjen e garës dhe sigurinë e pjesëmarrësve, Federata e Çiklizmit e Kosovës do të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik për kufizimet e përkohshme gjatë zhvillimit të garës, si dhe apelon për respektimin e udhëzimeve të Policisë së Kosovës, zyrtarëve të garës dhe sinjalizimit rrugor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se ka filluar ofrimin e një shërbimi të ri për të gjitha foshnjat e porsalindura, përmes të cilit do të realizohet skriningu neonatal në ditët e para të jetës.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, ky test synon zbulimin e hershëm të disa sëmundjeve të rralla, të cilat në fazat e para mund të mos shfaqin shenja, por që mund të shkaktojnë probleme serioze në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen me kohë.
“Çdo foshnjë e lindur në Spitalin e Pejës nga tani do të kontrollohet për 5 sëmundje të rënda që në ditët e para të jetës”, thuhet në njoftim.
Spitali bën të ditur se përmes këtij programi do të bëhet kontrolli për pesë sëmundje: hipotiroidizmin kongjenital, fenilketonurinë, fibrozën cistike, galaktozeminë dhe atrofinë muskulore spinale (SMA).
“Përmes këtij programi bëhet kontrolli për pesë sëmundje: Hipotiroidizmi kongjenital… Fenilketonuria… Fibroza cistike… Galaktozemia… Atrofia muskulore spinale – SMA”, thuhet më tej.
Sipas spitalit, ky shërbim i ri konsiderohet hap i rëndësishëm për përmirësimin e kujdesit ndaj të porsalindurve në rajonin e Pejës, pasi zbulimi i hershëm u mundëson mjekëve të fillojnë trajtimin në kohë dhe të parandalojnë komplikime që mund të ndikojnë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së fëmijës.
“Me fillimin e skriningut neonatal, Spitali i Përgjithshëm në Pejë po ofron një standard më të avancuar të kujdesit shëndetësor për foshnjat dhe familjet e tyre që nga ditët e para të jetës”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
Pas raportimit se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka përfshirë në stok farmaceutik artikuj me afat të skaduar, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka reaguar duke thënë se artikujt e evidentuar nuk janë rezultat i furnizimeve apo blerjeve të realizuara me afat të skaduar.
“Produktet e evidentuara nuk janë rezultat i furnizimeve apo blerjeve të realizuara me afat të skaduar nga ShSKUK. Asnjë material nuk është pranuar në stok me afat të skaduar në kuadër të procedurave të furnizimit të institucionit”, thuhet në reagimin e QKUK-së.
Sipas QKUK-së, produktet e përmendura në raport lidhen me uniforma të siguruara për nevojat e personelit gjatë pandemisë Covid-19, me qëllim të garantimit të mbrojtjes dhe gatishmërisë së stafit shëndetësor në kushte emergjente.
“Produktet e përmendura në raport përbëhen nga uniforma të siguruara për nevojat e personelit gjatë periudhës së pandemisë Covid-19… në kushtet e një situate emergjente dhe të paparashikueshme”, thuhet më tej.
Institucioni thekson se, për shkak se një pjesë e këtyre artikujve nuk është përdorur, ato kanë mbetur në stok deri në afatin e përdorimit, i cili – sipas reagimit – ka qenë deri më 31 dhjetor 2025.
“Për shkak se një pjesë e këtyre artikujve nuk është përdorur, ato kanë mbetur në stok deri në arritjen e afatit të tyre të përdorimit, i cili ka qenë deri më 31.12.2025. Nga data 01.01.2026, këto produkte janë larguar automatikisht nga sistemi dhe nuk figurojnë më në stok”, thuhet në reagim.
QKUK vlerëson se evidentimi i artikujve në regjistrat e stokut nuk nënkupton se ShSKUK ka blerë apo pranuar produkte me afat të skaduar, por se një pjesë e rezervave të krijuara për nevoja emergjente nuk është shfrytëzuar dhe për pasojë ka arritur afatin e skadencës.
“Evidentimi i tyre në regjistrat e stokut nuk nënkupton se ShSKUK ka blerë apo pranuar produkte me afat të skaduar, por se një pjesë e rezervave të krijuara për nevoja emergjente nuk është shfrytëzuar dhe, si pasojë, ka arritur afatin e skadencës”, thuhet tutje.
Në fund, QKUK thekson se ShSKUK vazhdon të zbatojë procedurat dhe kontrollet për monitorimin e afateve të përdorimit dhe trajtimin e produkteve të skaduara në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kishte përfshirë artikuj me afat të skaduar në stokun farmaceutik.
Në raportin e auditimit të vitit 2025, ZKA thekson se në regjistrat e stokut farmaceutik figuronin shtatë artikuj në vlerë rreth 58 mijë euro të cilëve ju kishte kaluar afati i përdorimit gjatë vitit dhe si rrjedhojë për to nuk ishte bërë dalje si artikuj të skaduar në Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik.
Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së monitorimit të rregullt të afateve të skadencës së barnave në stok si dhe kontrollit të pamjaftueshëm periodik të stokut për të siguruar që barnat me afat të skaduar të evidentohen dhe të trajtohen sipas procedurave përkatëse.
“Mbajtja e barnave me afat të skaduar në stok ndikon në paraqitjen jo të saktë të vlerës së stokut në pasqyrat financiare duke i mbivlerësuar ato”- thuhet në raportin e ZKA-së, shkruan Kallxo.com.
Raporti i ZKA-së për SHSKUK-në i vitit 2025 ka rezultuar me 12 rekomandime, prej tyre pesë të reja dhe shtatë rekomandime të përsëritura.
Raporti i auditimit për vitin 2024 kishte rezultuar me nëntë rekomandime, dy prej të cilave janë zbatuar ndërsa për shtatë të tjera nuk ka nisur zbatimi.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar opinion të kualifikuar në raportin e auditimit të pasqyrave financare për vitin 2025. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Të hyrat e realizuara nga SHSKUK në 2025 ishin në vlerë 3,123,932 euro. Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga participimi, certifikatat mjekësore, parkingu, etj.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se, me hyrjen në sezonën verore dhe rritjen e konsumit të ujit, po përballet me vështirësi në furnizimin e rregullt të zonave dhe pikave të larta me ujë për pije.
Në njoftimin e publikuar, KRU “Mitrovica” thekson se rritja e konsumit lidhet edhe me, siç thuhet, keqpërdorimet e ujit të pijes, ndaj nga sot kërkohet zbatim rigoroz i masave kundër këtij fenomeni.
“Me qëllim të mbrojtjes së burimeve ujore, garantimit të furnizimit të barabartë për të gjithë qytetarët dhe përdorimit të ujit të pijes vetëm për qëllimet për të cilat është i dedikuar – pije, higjienë personale dhe përgatitje të ushqimit – nga sot kërkohet zbatim rigoroz i masave kundër keqpërdorimit të ujit”, thuhet në njoftim.
Kompania paralajmëron se konsumatorët që zihen duke përdorur ujin e pijes për qëllime të palejuara do të shkyçen nga rrjeti i ujësjellësit, pavarësisht nëse konsumimi regjistrohet me ujëmatës dhe nëse pagesat janë të rregullta.
“Çdo konsumator që haset duke përdorur ujin e pijes për qëllime të palejuara, si ujitja e kopshteve, mbushja e pishinave, larja e trotuareve, larja e automjeteve apo aktivitete të tjera që cenojnë furnizimin e rregullt të qytetarëve me ujë për pije, duhet të shkyçet nga rrjeti i ujësjellësit, pavarësisht se uji regjistrohet përmes ujëmatësit dhe konsumatori është i rregullt me pagesa ndaj KRU-së”, thuhet më tej.
KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje qytetarëve për përdorim të kujdesshëm dhe racional të ujit, duke e cilësuar ujin e pijes si “pasuri të përbashkët” dhe “burim jetik”.
“Uji i pijes është një pasuri e përbashkët dhe një burim jetik, ndaj secili prej nesh ka përgjegjësi sociale dhe qytetare për ta përdorur atë në mënyrë të kujdesshme dhe racionale, duke respektuar nevojat e të gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Kompania ka kërkuar respektim maksimal të masave dhe angazhim të përbashkët për ruajtjen e burimeve ujore. /Telegrafi/
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me Komunën e Graçanicës për realizimin e projektit të rregullimit të rrugës së Uglarit, përkatësisht segmentit të rrugës “Agron Rrahmani”.
Në postimin e publikuar në Facebook, Komuna ka bërë të ditur se projekti ka gjatësi 2.9 kilometra dhe vlerë investimi 1.1 milion euro, ndërsa synon, sipas njoftimit, t’i japë fund një problemi shumëvjeçar, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve.
“Sot u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe Komunës së Graçanicës për realizimin e projektit të rregullimit të rrugës së Uglarit, përkatësisht segmentit të rrugës ‘Agron Rrahmani’”, thuhet në njoftim.
Komuna thekson se, falë bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, procedurat për realizimin e projektit pritet të nisin së shpejti, me synimin që punimet të fillojnë sa më herët.
“Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë ndërinstitucional, procedurat për realizimin e projektit do të nisin së shpejti, me qëllim që punimet të fillojnë sa më parë”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas Komunës së Fushë Kosovës, rregullimi i kësaj rruge pritet të krijojë kushte më të mira për banorët dhe bizneset që veprojnë në atë zonë, duke kontribuar në zhvillimin lokal.
“Vazhdojmë me investime konkrete dhe projekte në shërbim të qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
Komuna e Obiliqit ka njoftuar se kryetari Halil Thaçi ka pritur në takim ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, me të cilin kanë diskutuar për projektet që janë duke u realizuar dhe ato që planifikohen të zbatohen në këtë komunë.
Sipas njoftimit të komunës, gjatë takimit është nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e një projekti infrastrukturor në rrugën “Sokoli” në fshatin Plemetin.
Memorandumi parasheh asfaltimin e pesë segmenteve të rrugës dhe ndërtimin e kanalizimit.
Kryetari Thaçi ka falënderuar ministrin Rashiq për bashkëpunimin dhe mbështetjen përmes këtij memorandumi, duke vlerësuar se projekti do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët e Plemetinit.
Ndërkaq, ministri Rashiq, sipas komunës, e ka përgëzuar kryetarin Thaçi për punën dhe angazhimin në zhvillimin e Komunës së Obiliqit, duke vlerësuar përkushtimin në përmirësimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve. /Telegrafi/