Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga seanca plenare e 23 korrikut, pasi ka lagur me ujë Kryeministrin Edi Rama, raporton A2 CNN.
Deputetët e opozitës bllokuan foltoren teksa votoheshin projektligjet e rendit të ditës dhe në një moment ata nisën të hidhnin ujë në drejtim të Ramës, duke e lagur. Për këtë veprim, krytari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi Bardhin nga seanca. Megjithatë ai vijoi të qëndrojë në sallë, teksa ligjet votohen njëri pas tjetrit.
Pas gati gjysmë ore Peleshi e ndërpreu sërish seancën, diçka që e ka bërë disa herë gjatë kësaj dite. Me mbërritjen e Ramës në Kuvend, tensionet u rritën sërish mes socialistëve dhe demokratëve. Më herët, mazhoranca rrëzoi me votë kërkesën e demokratëve për të zgjatur me tre muaj afatet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Taulant Balla ua bëri të qartë se komisioni e ka përfunduar funksionin dhe se treni për demokratët ka ikur.
Ndërkohë, jashtë sallës së Parlamentit, protesta qytetare u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Si pasojë pati të lënduar mes protestuesve dhe policisë.
Zëvendësministri Lamallari mohoi akuzat e opozitës se ndaj protestuesve është përdorur dhunë dhe lëndë e rrezikshme kimike. Perimetri i sigurisë këtë herë ishte vendosur në një hapësirë më të madhe, duke garantuar hyrjen e sigurt në sallë të deputetëve. Por, megjithatë, pati automjete që nuk i shpëtuan vezëve. (A2 Televizion)
Demokratët u ngritën në këmbë duke bllokuar foltoren dhe duke bërë zhurmë, teksa i binin tavolinave me shuplaka dhe me bidonë plastikë.
Kjo ishte forma e tyre e revoltës për të mos kaluar në votim projektligjet e rendit të ditës, të cilat u kaluan direkt në votim me porozin të PS duke shmangur diskutimet pasi demokratët nuk po lironin foltoren.
Mes zhurmës, mazhornaca po i ka kalon e vetme projektligjet një nga një.
Rendi i ditës ishte:
1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 16.7.2026 dhe 23.7.2026.
2. Njoftime.
3. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”.
4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025”.
6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025”.
7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”.
8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”.
9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025”.
10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.
11. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Bujar Leskaj.
12. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
13. Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026””.
14. Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”.
15. Projektligji “Për grupimet ekonomike me interes evropian”.
16. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”.
17. Projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)”.
18. Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”.
19. Projektligji “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”.
20. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar”.
21. Projektligji “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
22. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 93/2015, “Për turizmin”, i ndryshuar”.
23.Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 08.07.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
24. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar”.
25. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10093, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile””.
26. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare””.
27. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 07.07.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar”.
28. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 173/2014, “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
29. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 82 datë 26.07.2024, “Për Policinë e Shtetit”.
30. Projektvendim “Për emërimin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik”.
31. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
32. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
33. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, ditën e sotme po zhvillohet tubimi i radhës para Kuvendit, e cila ka përshkallëzuar në tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Policia ka blinduar zonën, duke vendosur gardh metalik që nga kryqëzimi i ‘Rrugës së Elbasanit’. Protesta ka përshkallëzuar me vezë dhe domate ndaj efektivëve, ndërsa policia i është kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotësjellës.
Pas disa orësh seancë plenare, në Kuvend ka mbërritur edhe Kryeministri Edi Rama.
Pas mbërritjes së tij demokratët kanë bllokuar sërish foltore dhe pas kësaj janë mbyllur diskutimet dhe u kaluar direkt në votim. /Tch/
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin qershor 2026, të cilat tregojnë rritje të eksporteve dhe importeve, por edhe një zgjerim të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, deficiti tregtar në qershor 2026 arriti në 578.3 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 16.1% krahasuar me qershorin e vitit 2025, kur deficiti ishte 498.3 milionë euro. Eksportet mbuluan vetëm 15.0% të importeve gjatë kësaj periudhe.
Vlera e eksporteve të mallrave në qershor 2026 ishte 102.0 milionë euro, që paraqet një rritje prej 26.9% në raport me një vit më parë. Në të njëjtën kohë, importet arritën në 680.3 milionë euro, me një rritje prej 17.6%.
Në strukturën e eksporteve, pjesën më të madhe e përbënin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 27.4%, të ndjekura nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7%, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.6%, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7% dhe produktet minerale me 7.1%.
Sa i përket importeve, produktet minerale përbënin 15.2% të totalit, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike 13.0%, mjetet e transportit 12.0%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 11.9%, ndërsa metalet bazë dhe artikujt prej tyre 9.8%.
Eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 32.5 milionë euro, ose 31.9% të eksporteve të përgjithshme, duke shënuar një rritje prej 17.7%. Partnerët kryesorë të eksportit në BE ishin Gjermania me 10.1%, Holanda me 3.8% dhe Italia me 3.1%.
Ndërkohë, importet nga vendet e BE-së arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22.2%. Pjesën më të madhe të importeve e zunë Gjermania me 13.3%, Italia me 8.6% dhe Polonia me 4.3%.
Tregtia me vendet e CEFTA-s mbetet një komponent i rëndësishëm i eksporteve të Kosovës. Eksportet drejt këtyre vendeve arritën në 44.0 milionë euro, ose 43.1% të totalit, me një rritje prej 19.3%. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut me 16.7%, Shqipëria me 14.3%, Mali i Zi me 5.7% dhe Serbia me 4.0%.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 98.7 milionë euro, duke përbërë 14.5% të importeve të përgjithshme dhe duke shënuar po ashtu një rritje prej 19.3%. Pjesëmarrjen më të madhe e kishin Maqedonia e Veriut me 5.4%, Shqipëria me 4.8% dhe Serbia me 3.0%.
Sa i përket vendeve të tjera, eksportet e Kosovës arritën në 25.5 milionë euro, ose 25.0% të eksporteve totale, ku partnerët kryesorë ishin Zvicra me 10.0% dhe Turqia me 5.4%.
Nga ana tjetër, importet nga vendet e tjera arritën në 276.7 milionë euro, ose 40.7% të importeve të përgjithshme. Kina mbetet partneri më i madh në këtë kategori me 15.1% të importeve, e ndjekur nga Turqia me 11.6%.
Sipas ASK-së, të dhënat konfirmojnë vazhdimin e rritjes së aktivitetit tregtar të Kosovës gjatë qershorit 2026, megjithatë ritmi më i lartë i rritjes së importeve në vlerë absolute ka ndikuar në zgjerimin e deficitit tregtar.
Ministria e Shëndetësisë vazhdon zbatimin e politikave që synojnë mbështetjen dhe motivimin e profesionistëve shëndetësorë, duke forcuar njëkohësisht sistemin publik të kujdesit shëndetësor.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se edhe këtë vit është nënshkruar vendimi për vazhdimin e shtesës prej 150 euro në muaj për mjekët që punojnë vetëm në sektorin publik shëndetësor.
“Kjo politikë ka për qëllim të kontribuojë në fuqizimin e sektorit publik shëndetësor, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e mjekëve që angazhohen ekskluzivisht në sektorin publik. I falënderojmë për kontributin e tyre dhe u urojmë shëndet e suksese në punë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Sh.B., i akuzuar për tentimvrasjen e 16-vjeçares në Vushtrri, më 27 nëntor 2025..
Lajmi është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.
Sipas saj, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim që masa e paraburgimit të vazhdohet nga 19 korriku deri më 19 shtator 2026.
Sh.B. akuzohet për veprat penale "Vrasje e rëndë në tentativë", "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve" dhe "Asgjësim apo dëmtim të pasurisë".
Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda kishte ngritur aktakuzë më 16 shkurt 2026 ndaj tij për tri veprat e lartpërmendura.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27.11.2025 në oborrin e shtëpisë së Sh.B. në Vushtrri, ku ai dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të dy personave.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se pasi të dëmtuarit kishin hyrë në oborrin e tij, kishte shtënë me pushkë gjysmë-automatike në drejtim të tyre, duke e plagosur 16-vjeçaren E.V. në regjionin e shpatullës së majtë.
“Me pushkën e tij gjysmë-automatike ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve, me ç’rast është plagosur e mitura E.V., në regjionin e shpatullës së majtë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Si pasojë e të shtënave, nga predhat ishte dëmtuar një automjet në pronësi të I.B., si dhe një dritare e banesës së pronarit L.Sh. /Telegrafi/
Dy gra (shtetase të Somalisë) gjatë deklarimit të tyre në polici kanë thënë se kanë kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë në mënyrë ilegale.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 23:10 në pikë kalimin kufitar Kosovë-Shqipëri.
Tutje në njoftim thuhet se dyshohet se janë kontrabanduar nga persona të tjerë deri në afërsi të kufirit.
“PKK Kosovë - Shqipëri, 22.07.2026 – 23:10. Në afërsi të pikës së vjetër kufitare janë hasur dy femra shtetase të Somalisë të cilat gjatë intervistimit kanë deklaruar se kanë kaluar kufirin Shqipëri Kosovë në mënyrë ilegale. Dyshohet se janë kontrabanduar nga persona të tjerë deri në afërsi të kufirit. Është njoftuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Persona të panjohur nga vetura i kanë vjedhur një telefon mobil me vlerë 235 euro një personi tjetër.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosoëvs bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 09:50 në Zveçan.
Tutje thuhet se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve.
“Zveçan 22.07.2026-09:50. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të pa njohur nga vetura i kanë vjedhur një telefon mobil me vlerë rreth 235 euro. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një grua ka ndërruar jetë nga aksidenti që ka ndodhur më 17.07.2026 në Mitrovicë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosoëvs bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Ndërkaq siç thuhet në raport pesë të tjerë nga ky aksident janë dërguar për trajtim mjekësor, dy vozitësit dhe tre pasagjerët.
“Dyshohet se vozitësi mashkull kosovar me veturë nga pa kujdesia ka goditur veturën tjetër me vozitëse femër kosovare. Si pasojë janë lënduar të dy vozitësit dhe katër pasagjeret femra kosovare, të cilët janë dërguar në tretman mjekësor. Më 22.07.2026 nga QKUK është njoftuar që njëra nga të lënduarat femër ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një person është arrestuar nën dyshimin se aksidentalisht ka plagosur një person.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosoëvs bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 19:50, në Skenderaj.
Tutje thuhet se viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se aksidentalisht ka plagosur me armë zjarri viktimen mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Ndërkaq, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se së bashku me ATK-në, IQP dhe IQMT-në kanë bërë kontrollin e 34 autoparkingjeve në disa qytete ku janë identifikuar disa parregullësi.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 09:00, në Mitrovicë.
Tutje bëhet e ditur se kontollet janë realizuar në Mitrovicë të jugut, Vushtrri dhe Skenderaj.
“Mitrovicë Jug 22.07.2026-09:00. Njësia policor se bashku me ATK, IQP dhe IQMT kanë bërë kontrollin e 34 autoparkingjeve në disa qytete (Mitrovicë veri, Mitrovicë jug, Vushtrri dhe Skenderaj), ku janë gjetur dhe identifikuar disa parregullësi”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Policia ka vendosur një gardh metalik që nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit dhe asnjë automjet dhe asnjë qytetar nuk lejohet të kalojë, ndërsa këtë herë është zgjeruar edhe perimetri i sigurisë. /Tch/
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka shprehur shqetësim të thellë për rrënimin e shtëpive pranë liqenit të Ujmanit, duke iu bashkuar shqetësimeve të ngritura më herët nga Bashkimi Evropian, për këtë çështje.
Në një reagim publik, përfaqësia diplomatike e Berlinit në Kosovë thekson se respektimi i procedurave të rregullta ligjore dhe zbatimi i parimeve të shtetit të së drejtës, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të vendit.
“Ne bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe kërkojmë zgjidhje transparente dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermanë.
Reagimi vjen pasi autoritetet kosovare kanë nisur rrënimin e objekteve të ndërtuara në pronat e ndërmarrjes "Ibër-Lepenc" në zonën e liqenit të Ujmanit, një veprim që është kundërshtuar nga pronarët e deritashëm serbë të atyre objekteve e shtëpive, e po ashtu edhe të udhëheqësve politikë të Komunës së Zubin Potokut që ka thënë se nuk ka dhënë leje për këto rrënime. /Telegrafi/
Zyra e Prokurorit të Specializuar kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim të përkohshëm të ish-presidentit të Kosovës nga burgu. Sipas kryeprokurores amerikane, Kimberly est, Thaçi duhet të mbetet në paraburgim.
“Përparimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i këtij procesi gjyqësor, përfshirë afatin kohor për çdo mocion përfundimtar lidhur me provat, gjithashtu mbështet vazhdimin e paraburgimit të Thaçit”.
Gjithashtu prokurorja amerikane përmendi rrezikun për kryerjen e veprave të tjera penale dhe ndërhyrjen në procedura.
“Konstatimet e vazhdueshme mbi ekzistencën e rreziqeve sipas nenit 41(6)(b) që i atribuohen Thaçit në këtë çështje mbeten të vlefshme. Ato janë bërë mbi bazën e një numri të madh faktorësh të arsyetuar dhe të individualizuar, dhe asnjë kusht i mundshëm për lirimin e tij nuk mund t’i zbusë ato në mënyrë të mjaftueshme”, thuhet në kundërshtimin e Prokurorisë Speciale. /Telegrafi/
Ministria e Financave ka nënshkruar marrëveshje granti në vlerë prej 5 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), për financim shtesë të Projektit ‘’Zhvillimi i sektorit të energjisë Faza VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit’’, i cili do të mbështesë realizimin e një sërë projekteve për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media thuhet se projekti zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe mbështet investimet që synojnë fuqizimin e infrastrukturës së transmisionit, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe avancimin e integrimit të tregut energjetik. Investimi i mbështetur përmes këtij financimi paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit energjetik dhe modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmisionit në vend.
"Ministri i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi angazhimin e KOSTT-it në zbatimin e projektit dhe rezultatet e arritura deri më tani, duke theksuar se ky financim shtesë i siguruar nga Qeveria Gjermane përmes KfW do të mbështesë realizimin e investimeve prioritare dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik. Drejtori i KfW-së për Kosovë, Moritz Remé, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës dhe konfirmoi gatishmërinë e KfW-së për të vazhduar mbështetjen për modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë", thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njofitm kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, theksoi se këto projekte po realizohen sipas dinamikës së planifikuar, ndërsa mbështetja shtesë e siguruar nga KfW do të krijojë mundësi për modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmetimit, duke rritur aftësinë e tij për t'iu përgjigjur zhvillimeve të së ardhmes dhe duke forcuar sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar në mobilizimin e financimeve për projekte strategjike që kontribuojnë në forcimin e sigurisë energjetike, zhvillimin e infrastrukturës kritike dhe avancimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/
Tre persona janë përleshur mes vete dy burra dhe një grua (shtetase e huaj) të cilët kanë marrë lëndime trupore.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 19.07.2026, në Gjilan.
Tutje në raport bëhet e ditur se dy nga ta kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa një ka refuzuar.
“Raportohet se janë përleshur fizikisht tre të dyshuar dy meshkuj kosovarë dhe një femër shtetase e huaj. Si pasojë e të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore, dy nga ta kanë pranuar tretman mjekësor ndërsa një ka refuzuar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Policia e Kosovës për rajonin e veriut më 20.07.2026 ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet M.P. (2001), i cili dyshohet se më 10.07.2026 ishte i përfshirë në dy raste të iniciuara në Stacionin Policor Mitrovicë Veri për veprën penale “Dëmtim apo asgjësim i pronës”.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se bazuar në hetimet e zhvilluara, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë.
“Policia ka ndërmarrë veprime operative në terren për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Më 14.07.2026 ai kishte arritur t’i shmangej arrestimit. Pas kërkimeve intensive dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, më 20.07.2026 është bërë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij në qytetin e Mitrovicës së Veriut. Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar sërish t’i shmanget arrestimit, por zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar se ka dëmtuar automjetet në fjalë.
“Personi i arrestuar kishte gjithashtu një urdhërarrest aktiv të lëshuar nga gjykata për veprën penale ‘Kanosje’. Po ashtu, në sistemin policor ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, përfshirë veprat: ‘Vrasje’, ‘Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Telegrafi/
Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve të delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku pritet të kërkohet shkarkimi i kryetarit, Lumir Abdixhiku.
Por, data se kur do të mbahet ky Kuvend ende nuk dihet.
Kështu ka bërë të ditur për Radio Dukagjinin, sekretari i LDK-së, Ilir Ferati i cili tha se aktualisht janë në fazën e përgatitjeve teknike.
“Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve tash po presim përgatitjen e pjesëve të tjera të cilat janë teknike, por si sekretariat jemi duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që me pas të mundshme që sa më shpejt me i dhënë drejtim demokratikë partisë. Në momentin që jemi të gatshëm e njoftojmë kryetarin dhe pastaj ai në një afat sa më të shpejt me bë ftesën për Kuvendin, nuk ka arsye për shtyrje të Kuvendit dhe me sa kam parë edhe kryetari është i interesuar që sa më shpejt ta kryej si proces që me krijuar njëfarë paqe brenda për brenda njerëzve të LDK-së“, tha ai.
Edhe sot, sekretari i LDK-së ka ritheksuar se në takimin Kurti-Abdixhiku nuk është diskutuar për emra, po për parime.
“Ne nuk kemi diskutuar me Vetëvendosjen për pozicione dhe as për emra në këtë takim janë diskutuar parimet të cilat duhet me u respektua tutje për të zhvilluar diskutimin në kuptim të pozicioneve. Ende nuk jemi në atë fazë, në momentin që diskutojmë për parime edhe pse sigurisht një prej tyre duhet të jetë zgjidhja e çështjes që na ka quar në zgjedhje i bie pjesa e presidentes. Kjo është çështje e negociatave ne e kemi kandidate me votë të këshillit të përgjithshëm Vjosa osmani, ka qenë bartëse e listë dhe njëherit edhe kandidate për presidente, por tani është ende herët me diskutua sepse nëse nuk ka dakordancë për parime nuk vazhdojmë tutje”, tha ai.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet Vjosa Osmanin për presidente, Ferati tha se kjo është një çështje që i takon Vetëvendosjes dhe se do të trajtohet në kuadër të negociatave ndërmjet partive.
“Është çështje e Lëvizjes Vetëvendosje jo e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është çështje e negociatave. Thash është herët për të folur për emra jemi ende në diskutim të parimeve nëse ka rezultat në këtë pjesë pastaj flasim për emra”, theksoi ai.
Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje presin rikthimin e negociatave me LDK, nga kjo parti thonë se proceset e brendshme të LDK-së do të trajtohen vetëm nga strukturat e saj, ndërsa për zhvillimet e mëtejshme do të flitet pasi të përfundojë procesi i rikonfirmimit të kryetarit të partisë.
“Ato janë çështje tona të brendshme që nuk ka nevojë as Vetëvendosja dhe as ndonjë parti tjetër me u marr. Në momentin që ne i zgjidhim njëjtë sikurse u deklarua kryetari që i ka pezulluar diskutimet besoj njëjtë deklarohet edhe pasi të rikonfimnrohet si kryetar i LDK-së, pjesën tjetër të formimit dhe konstituimit të institucioneve është obligim i partisë së parë“, tha ai. /Telegrafi/
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke thënë se përplasjet politike rreth mocionit duhet të trajtohen si çështje e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, me votuesit e tij.
Haziri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se analizat dhe qëndrimet publike të zyrtarëve e aktivistëve të ndryshëm, qoftë pro apo kundër, sipas tij, paraqesin më shumë pozicionime personale sesa shqetësim për të ardhmen e LDK-së.
“Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij”, ka shkruar Haziri.
Ai ka kritikuar debatet e ashpra brenda partisë, duke thënë se LDK-ja ka pasur pasoja nga pozicionimet politike që kanë anashkaluar interesat e saj afatgjata.
“Bajagi ia kemi pa sherrin pozicionimeve, duke harru kënd e kemi familje politike, kush janë rivalët politikë dhe pse çdo herë na përsëritet situata e njëjtë”, tha ai.
Sipas tij, procesi i fundit është nxitur nga tri degë dhe tre kolegë të partisë, ndërsa një pjesë e delegatëve janë ftuar të deklarohen përmes nënshkrimeve lidhur me kërkesën e paraqitur.
Haziri ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi në komunikimin publik, duke kritikuar, siç tha ai, gjuhën e ashpër dhe thirrjet për protesta nga disa aktivistë.
“Funksionarët edhe mund të pajtohen, por jo besimtarët në sjelljen e funksionarëve. Koha e ka dëshmu. Ma mirë me thanë na falni për gabimet e së kaluarës, se sa me vazhdu me gabime”, ka shkruar ai.
Nënkryetari i LDK-së ka theksuar se partia ka arritur sukseset më të mëdha kur ka qenë e bashkuar, duke kërkuar ruajtjen e unitetit dhe respektimin e vlerave mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja.
“LDK ka shkaktu procese e ka realizu ëndrra kur ka qenë e bashkuar. Kemi premtu që jemi besë e shpresë për Republikën. Mbajeni fjalën, bashkëpatriotë. Mos hyni në beteja që nuk janë tuajat”, ka thënë Haziri.
Haziri ka cituar një porosi të babait të tij hero, duke thënë: “Me dikënd që duhesh të pajtohesh, kurrë mos u idhno”. /Telegrafi/
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar këtë të mërkurë në gjyq shtetasin S.M., i akuzuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”, si dhe shtetasen braziliane L.J.D.S., e akuzuar për veprën penale “Prostitucion”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, shtetasja braziliane kërkohej nga familjarët e saj, të cilët kishin humbur kontaktet me të prej rreth një muaji.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin S.M., i akuzuar për veprën penale ‘Shfrytëzim prostitucioni’ parashikuar nga neni 114, paragrafi i parë i Kodit Penal si dhe shtetasen braziliane L.J.D.S. e akuzuar për veprën penale ‘Prostitucioni’ parashikuar nga neni 113, paragrafi i parë i Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.121 të vitit 2026, nisën pas një informacioni të përcjellë nga Ambasada e Brazilit në Tiranë, nëpërmjet së cilit kërkohej ndihmë për gjetjen e një shtetaseje braziliane, me të cilën familjarët kishin humbur kontaktet prej rreth një muaji.
Në vijim të veprimeve hetimore, Prokuroria Fier në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të policisë identifikuan personin që kishte pasur kontaktet e fundit me të dhe kryen një sërë veprimesh procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Gjatë hetimeve u administruan deklarime të personave të përfshirë, u kryen këqyrje të aparateve celularë, u analizuan komunikime elektronike dhe u siguruan prova të tjera materiale, nga të cilat rezultoi se shtetasja braziliane L.J.D.S. kishte hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë në muajin shtator 2025 me qëllim ushtrimin e prostitucionit, pas kontakteve të krijuara me persona që vepronin përmes platformave të komunikimit në internet.
Në bazë të provave të administruara, pas mbërritjes në Shqipëri, e pandehura L.J.D.S. ka ushtruar prostitucion në ambiente të ndryshme në Tiranë, Golem dhe më pas në Lushnjë. I pandehuri S.M., pasi kishte krijuar njohje me të pandehurën në fjalë, kishte marrë pjesë aktivisht në shfrytëzimin e saj për prostitucion, duke i siguruar klientë kundrejt pagesës, negociuar çmimet e shërbimeve seksuale dhe duke përfituar nga kjo veprimtari.
Gjithashtu, nga komunikimet elektronike të administruara rezultoi se i pandehuri S.M. u ofronte personave të ndryshëm mundësinë për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës me shtetasen braziliane, duke përcaktuar tarifat dhe duke organizuar takimet.
Në vijim të hetimeve, shtetasja braziliane u gjet në një ambient banimi në fshatin Karbunarë, Bashkia Lushnjë, ku qëndronte në momentin e ndërhyrjes së Policisë Gjyqësore.
Prokuroria Fier mbetet e angazhuar në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave që cenojnë lirinë dhe dinjitetin e personit, duke bashkëpunuar me institucionet ligjzbatuese vendase dhe partnerët e huaj për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të shfrytëzimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Në respekt të parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë, theksohet se përgjegjësia penale e personave të akuzuar do të vlerësohet përfundimisht nga gjykata kompetente. /Euronews.al/