Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Gazeta Si

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni në revistën ‘Time’: Ku po e udhëheq Europën?

24 July 2025 at 15:54

Gazeta Si – “Where Giorgia Meloni is leading Europe”, “Ku Giorgia Meloni po e udhëheq Evropën” – me këtë titull dhe një foto në kopertinë, revista “Time” zë sërish një vend të spikatur në profilin e kryeministres italiane, pasi e ka kandiduar atë si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë.

Në bisedën e saj me intervistuesin, kryeministrja theksoi nevojën për të “mbrojtur atë që jemi, kulturën tonë, identitetin tonë, qytetërimin tonë”. “Je një person i ndershëm”, filloi Meloni, duke iu drejtuar gazetarit: “A ka ndonjë gjë rreth fashizmit që ta kujton përvoja ime, rreth asaj që bëj në qeveri?”.

Gjatë intervistës, Giorgia Meloni kundërshtoi atë që e quajti një globalizëm “homogjenizues”, ndërsa mbështeti integrimin evropian.

Përpara se të bëhej kryeministrja e parë femër, asaj iu desh të “përballej me stereotipe qesharake” në karrierën e saj.

TIME's new cover: Nearly three years into her term, Giorgia Meloni has emerged as one of Europe's most interesting figures—and how she leads could change the world https://t.co/1NGdSF8bAn pic.twitter.com/Rqhp0UJvOp

— TIME (@TIME) July 24, 2025

Megjithatë, ajo hodhi poshtë përpjekjet e qeverisë për t’i adresuar ato ose format e tjera të diskriminimit, duke i quajtur ato “kuota”.

“Ne jemi trashëgimtarë të partisë së krahut të djathtë”, tha këshilltari kryesor politik i Melonit, nënsekretari Giovanbattista Fazzolari.

Por dega që ajo themeloi, Vëllezërit e Italisë, është “bërë partia që bashkon të djathtët, njerëz që janë patriotë të vendit tonë, të moderuar, pavarësisht nga prejardhja e tyre e mëparshme politike”.

Kryeministrja më pas deklaroi qëllimin e saj për të “rindërtuar identitetin tonë, për të rindërtuar krenarinë tonë, krenarinë e të qenit kush jemi me çdo kusht”.

Meloni mbrojti me forcë Volodymyr Zelenskin dhe nevojën për të mbështetur Ukrainën deri në fund. Edhe me Donald Trump, të cilin e quajti “një luftëtar, si unë”.

Meloni theksoi gjithashtu për “Time” se si kritikët e saj e kanë përdorur prejardhjen e saj të ekstremit të djathtë si armë kundër çdo politike që ajo miraton.

“Më kanë akuzuar për gjithçka të imagjinueshme, nga lufta në Ukrainë deri te njerëzit që vdesin në Mesdhe. Thjesht sepse nuk kanë argumente. Unë nuk jam raciste, nuk jam homofobike. Nuk jam gjithçka që kanë thënë”.

Kur u pyet se çfarë lloj nacionalizmi mbështet, udhëheqësja e “Fratelli d’Italia” u përgjigj, se i saji është “kryesisht një mënyrë për të mbrojtur veten nga një globalizim që nuk ka funksionuar”.

The post Kryeministrja italiane Giorgia Meloni në revistën ‘Time’: Ku po e udhëheq Europën? appeared first on Gazeta Si.

Si u zhdukën nga arka 40 mln lekë nga 4 zyrtarët, skema e abuzimit në Bashkinë e Fierit

24 July 2025 at 15:37

Gazeta Si – Një aferë me vlerë prej 40.9 milionë lekësh, ku rezulton se janë kryer një sërë veprimesh të paligjshme me shmangie taksash, ka çuar në vënien nën hetim nga Prokuroria e Fierit 4 zyrtarë të kësaj bashkie, mes tyre dhe ish-nënkryetarja, Adela Hysenaj.

Sipas Prokurorisë, funksionarët nuk kanë lejuar që të arkëtohen të ardhurat për parkimin nëntokësor (që administrohet nga bashkia), duke mos vendosur kasën e fiskalizimit.

Po ashtu, ata kanë favorizuar subjekte tregtare përmes uljes së paligjshme të taksave, në këmbim të përfitimeve personale. Bëhet fjalë për dy drejtoresha në bashki, një drejtor të Kontrollit Tatimor dhe Sekretarin e Përgjithshëm të bashkisë Fier.

Personi nën hetim Adela Hysenaj, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, duke shfrytëzuar pozicionin e saj, në pesë episode, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek Drejtoresha e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë Fier, me qëllim që kjo e fundit të lëshonte vërtetime për pagesën e detyrimeve dhe përllogaritje të taksave e tarifave vendore nën vlerën e përcaktuar.

Gjithashtu, Hysenaj nuk ka marrë masat e nevojshme për vendosjen e pajisjes fiskale në parkimet e Bashkisë Fier dhe si pasojë e mosveprimeve të saj, vlera e të ardhurave të krijuara për të cilat nuk është paguar asnjë tatim është 40.912.640 lekë dhe detyrimi tatimor i shmangur është i lartë.

Personi nën hetim Anisa Cjapi me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale, për subjekte të caktuara, vlera e të cilave ka ndryshuar pas ankesës së subjekteve, në disa raste duke u ulur tej parashikimeve të vendimeve të Këshilli Bashkiak Fier.

Po ashtu, në funksion të detyrës, Cjapi nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve të cilat janë në administrimin e Bashkisë.

Personi nën hetim Martin Dodi me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek personi nën hetim Cjapi, me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për t’i ulur vlerën e detyrimeve që do të paguante më pas shtetasi A.M. subjekt privat.

Personi nën hetim Vasil Ceku me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Kontrollit Tatimor Rajoni Jugor, me një urdhërin të nxjerrë prej tij në muajin maj të vitit 2024 ka detyruar inspektorët tatimorë të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Pas kryerjes së kontrollit, Ceku nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme. Rezulton gjithashtu se nga ana e personit nën hetim nuk është mbikëqyrur fushata sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër. Procedura e ndjekur në kontrollin e vitit 2024 bie ndesh me procedurën e ndjekur në vitin 2025.

The post Si u zhdukën nga arka 40 mln lekë nga 4 zyrtarët, skema e abuzimit në Bashkinë e Fierit appeared first on Gazeta Si.

I hodhën makinën në erë pas plagosjes me armë në Sarandë, arrestohet i 31-vjeçari

24 July 2025 at 15:05

Gazeta Si – Klaus Jaçaj, 31-vjeçarit të cilit i hodhën makinën në erë me eksploziv pas përfshirjes në plagosjen e dyfishtë në Sarandë, është arrestuar nga policia e qytetit bregdetar.

Jaçaj ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet për veprat penale përkrahje e autorit të krimit dhe moskallëzimi, akuza që lidhen me ngjarjen e 17 Korrikut në Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë dy persona nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj shtetasve në hetim apo të dënuar. Në këtë kuadër, u ndalua K. J., 31 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit Prokuroria e Sarandës ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në Sarandë, ku u plagosën me armë zjarri dy shtetas”, njofton policia.

Blutë e akuzojnë Jaçajn se ka përkrahur Ramadan Canajn, i cili akuzohet si personi që qëlloi me armë ndaj dy të plagosurve.

Katër ditë pas kësaj ngjarje, më 22 Korrik, Klaus Jaçajt i hodhën makinën në erë me eksploziv. Video më poshtë tregon edhe momentin në flakë të automjetit tip BMW, pak sekonda pas shpërthimit të tritolit në automjetin e parkuar.

The post I hodhën makinën në erë pas plagosjes me armë në Sarandë, arrestohet i 31-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

Conference League kthen skuadrat shqiptare në fushë

24 July 2025 at 14:28

Nga Gazeta Si – Pas dy fitoreve të Ballkanit (Conference League) dhe Shkëndijës (UCL) dhe humbjes së Dritës (UCL) të martën, skuadrat shqiptare kthehen sot në turin e dytë kualifikues të Conference League. Prej orës 16:00 në “Estadi FAF” kur Dinamo City do të luajë përballë vendasve të Escaldes në Andorra. Blutë janê të favorizuar në letër, por duhet të kenë kujdes nga surprizat. Në orën 20:30 Vllaznia pret në “Loro Boriçi” miqtë e Vikingur. Islandezët vijnë pas goleadës 8-0 ndaj Malishevës.

15 minuta më vonë në “Municipal Stadium Mezokovesd” të Minskut, vendasit e Dinamos presin Egnatian që ja doli të federojë në kohë dy blerjet e fundit, Guliem Jaime dhe Xheferson (kompletojnë krahët e mbrojtjes). Në orën 21:00 në “Tusko Polje”, Decic pret austriakët e Rapid në një sfidë që i sheh miqtë të favorizuar ndaj shqiptarëve në Malin e Zi.

The post Conference League kthen skuadrat shqiptare në fushë appeared first on Gazeta Si.

Raporti: Nota mesatare në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi rënie historike, për herë të parë nën 7

24 July 2025 at 13:49

Nga Gazeta Si- Notat në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi kanë shënuar një rënie drastike, duke rënë për herë të parë nën notën 7 në vitin 2025.

Sipas raportit të fundit nga Qëndresa Qytetare, kjo sinjalizon dobësim në përgatitjen gjuhësore dhe shprehjen e nxënësve.

Ndërkohë, në të gjitha lëndët e maturës ka një rënie të kalueshmërisë nga viti 2024 në 2025. Rënia më e madhe shënohet në Matematikë, me një ulje prej -2.19% të kalueshmërisë së maturantëve në këtë provim, duke vijuar ta shkallëzojë lëndën e matematikës edhe këtë vit si më të vështirën për maturantët.

Pas matematikës, rënia më e lartë regjistrohet në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi, me -1.18%, duke vijuar me Gjuhën e Huaj, e cila ka pasur gjithashtu një rënie të lehtë prej -1.12%, por e cila nisur nga numri më i lartë i maturantëve pjesëmarrës vazhdon të mbetet lënda me përqindjen më të lartë të kalueshmërisë në të dy vitet.

Po t’i referohemi vetëm vitit të fundit, në provimet e Maturës Shtetërore, kemi një diferencë me rreth 0,34 njësi note krahasuar me vlerësimin e vazhduar gjatë 3 viteve të shkollimit.

“Të dhënat krahasuese midis notave mesatare të Maturës Shtetërore (NM) dhe notave mesatare vjetore (NV) tregojnë një diferencë të përgjithshme negative e cila përkthehet në një vështirësi në përballimin e provimit të maturës në mënyrë të konsoliduar me njohuritë e fituara përgjatë shkollimit”, thuhet në raport.

The post Raporti: Nota mesatare në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi rënie historike, për herë të parë nën 7 appeared first on Gazeta Si.

Një ditë në kërkim të ushqimit në Rripin e Gazës (ku mund të humbësh dhe jetën)

24 July 2025 at 13:41

Gazeta Si – Që nga 27 maji, e vetmja organizatë e autorizuar për të shpërndarë ushqim në Rripin e Gazës është Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i themeluar me nxitjen e Izraelit për të zëvendësuar rrjetin e shpërndarjes së ushqimit, i cili për shumë vite përbëhej nga afërsisht 200 OJQ.

Ka përjashtime të kufizuara dhe të rastit, por palestinezët mund të gjejnë ushqim pothuajse ekskluzivisht në qendrat e drejtuara nga GHF-ja.

Ekzistojnë katër qendra, krahasuar me 400 pikat e shpërndarjes që ishin më parë aktive: për të mbërritur aty, duhet një udhëtim i gjatë e i rrezikshëm dhe kalim netësh ose ditësh në radhë, me pak siguri për të marrë diçka.

Pikat e shpërndarjes mbeten të hapura për disa minuta çdo ditë: gjatë kësaj kohe, njerëzit nxitojnë të marrin çfarëdo që munden, pa shumë rregulla.

Vetëm një grusht njerëzish arrijnë të kthehen në shtëpi me disa furnizime ushqimore, ushtarët izraelitë dhe kontraktorët amerikanë shpesh qëllojnë mbi turmat, duke vrarë dhjetëra njerëz çdo herë.

Një qendër shpërndarjeje e ruajtur nga një tank

Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga 27 maji, më shumë se 1.000 palestinezë janë vrarë, ndërsa përpiqen të sigurojnë ushqim. Katër qendrat zyrtarisht quhen SDS, ose “Vende të Sigurta Shpërndarjeje”, edhe pse nuk janë të sigurta.

Ato kanë struktura të ngjashme: një zonë të rrethuar me gardh të ruajtur nga kulla vrojtimi ushtarake, pranë instalimeve ushtarake, me një rrugë hyrëse në pjesën e prapme për kamionë dhe dy shtigje për këmbësorë, një për hyrje dhe një për dalje.

Tre qendra janë në zonën jugore: Tal al-Sultan (i njohur edhe si Fshati Suedez), Lagjja Saudite dhe Khan Yunis.

Njëra është në qendër të Rripit, pranë korridorit ushtarak Netzarim: Wadi Gaza. Të gjitha janë brenda zonave që Izraeli i përcakton si “operacione ushtarake” (ushtria tani kontrollon 85 përqind të Rripit), që do të thotë zona ku palestinezëve normalisht u ndalohet hyrja: ata mund të hyjnë vetëm kur vendet e shpërndarjes janë të hapura.

Ata veprojnë sipas rregullit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”, prandaj është thelbësore të jesh atje i pari. Megjithatë, të kuptosh kur hapen është problemi i parë. Në javët e para, ato hapeshin krejtësisht në mënyrë të paparashikueshme, madje edhe natën.

A ceasefire is not enough. The Israeli military’s weaponisation of aid and starvation to displace and destroy Palestinian society will not stop as long as Israel controls aid distribution. Our new analysis shows how Israel has imposed a deadly aid system through GHF ration… pic.twitter.com/xFQqSwy59b

— Forensic Architecture (@ForensicArchi) July 14, 2025

Tani sistemi është bërë pak më i rregullt (zakonisht në mëngjes, midis orës 9:00 dhe 12:00), por fillimi i shpërndarjes mund të ndryshojë me disa orë. Ka edhe ditë kur biznesi është pezulluar.

GHF njofton orarin e hapjes përmes kanaleve të ndryshme të mediave sociale: një faqe në Facebook, Telegram dhe WhatsApp.

Megjithatë, e bën këtë vetëm disa minuta para hapjes aktuale dhe ka pasur ditë kur postimi që njoftonte mbylljen për shkak të mungesës së stokut, mbërrinte para sinjalizimit të hapjes.

Pra, mediat sociale nuk janë një burim i mjaftueshëm, veçanërisht për ata që duhet të largohen orë më parë për t’u bashkuar me radhët. Njerëzit duhet të afrohen në qendër, pastaj të presin dhe të shpresojnë.

Për të arritur në qendra, nga al Mawasi ose Deir al Balah, mund të duhet të udhëtosh rreth dhjetë kilometra (pothuajse gjithmonë në këmbë): nisja bëhet natën, për t’u afruar sa më shumë me vendin dhe pastaj pritet njoftimi për hapjen.

Turma njerëzish mblidhen jashtë qendrës Khan Yunis

Duhet të kalohet zona ushtarake dhe ata që e bëjnë këtë shumë herët konsiderohen një “kërcënim” nga ushtria izraelite: ushtarët, dronët dhe tanket qëllojnë. Megjithatë, ata që e bëjnë këtë shumë vonë, mbeten pa ushqim.

Ata që kanë qenë atje, raportojnë se sapo hapet vendi, njerëzit nxitojnë drejt portave dhe pikave të kontrollit: nëse është një alarm i rremë, jeta e tyre është në rrezik.

Ditët e fundit, disa vende të GHF kanë futur një sistem flamujsh: një flamur i gjelbër tregon se vendi është i hapur, një i kuq tregon se është i mbyllur.

Ata e kanë publikuar gjerësisht, madje duke postuar edhe karikatura të krijuara duke përdorur inteligjencën artificiale.

Segmenti i fundit i radhës përfshin një shteg midis gardheve me tela me gjemba, me një seri korsish dhe një pikë kontrolli përfundimtar: skanimet supozohej të verifikonin se kush ishte i kualifikuar për paketën javore, por këto kontrolle shpesh anashkalohen, sipas vetë GHF-së.

Një kuti me ushqime për banorët e Gazës

Kjo është një fazë tjetër ku mund të lindin probleme të mëdha, për shkak të presionit të turmës dhe dëshpërimit të atyre që kuptojnë se nuk do të marrin asgjë.

Në disa raste, grupe njerëzish janë përpjekur të ngjiten mbi ose të rrëzojnë gardhet: ushtarë dhe kontraktorë janë pushuar nga puna dhe vendet e punës janë mbyllur menjëherë.

Burra të rinj, beqarë, pothuajse gjithmonë mbërrijnë në krye të radhës, ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuarit lihen pas.

Kontraktorët ndonjëherë përpiqen të krijojnë korridore të rezervuara, por këto iniciativa janë sporadike dhe ndonjëherë reagojnë provokime nga ata që mendojnë se janë tejkaluar.

Në faqen e saj në Facebook, GHF njoftoi një shpërndarje vetëm për gra për të enjten (24 korrik), në qendrën “Lagjia Saudite”, me detaje që do të pasojnë një ditë më pas, të premten. Kutitë me ushqim vendosen brenda hapësirës së hapur, mbi tavolina, në arka ose në dysheme.

Ata që hyjnë, marrin çfarë të munden, shpesh duke e transferuar përmbajtjen në qese të sjella nga shtëpia.

Një burrë palestinez kthehet në një tendë pranë Rafah pas një dite kërkimi ushqimi

GHF pretendon se çdo kuti përmban mjaftueshëm për 60 vakte, dhe kështu i numëron vaktet e shpërndara (pretendohet se ka tejkaluar 80 milionë).

Përmbajtja nuk është gjithmonë e njëjtë, por zakonisht ka 4 kilogramë miell, disa pako makarona, dy pako me fasule, dy pako oriz, një kuti me qese çaji dhe disa biskota.

Vaj gatimi, thjerrëza dhe sheqer gjenden vetëm në disa kuti. Brenda dhjetë, deri 15 minutash, gjithçka mbaron, në një garë që shpesh shndërrohet në të dhunshme.

Për këtë arsye, shumë njerëz duhet të përpiqen të kthehen disa herë, dhe disa po i zhvendosin tendat e tyre në vende më të afërta. Për ata që jetojnë larg, ekspedita mund të zgjasë pjesën më të madhe të ditës dhe të jetë e kotë.

Edhe për ata që kanë arritur të marrin ushqim, problemet nuk kanë mbaruar: ata duhet të rikthehen në udhëtimin e tyre të gjatë për në shtëpi, dhe disa palestinezë se janë ndaluar gjatë kthimit nga burra të armatosur me kapuçë që vodhën të paktën një pjesë të ushqimit.

Megjithatë, rreziku më i madh është ushtria izraelite. Mjeku spanjoll, Raúl Incertis Jarillo, i cili punon në një spital pranë pikave të shpërndarjes, thotë se të gjithë të plagosurit raportojnë se ushtarët qëllojnë civilët “pa paralajmërim dhe pa arsye”.

Një djalë palestinez mban një kuti me ushqime nga Fondacioni Humanitar i Gazës në Rafah, në jug të Rripit të Gazës

Nuk janë vetëm situatat e përshkruara më sipër që mund të shkaktojnë masakrat: dëshmitarë të ndryshëm thonë se sulmet ndaj civilëve shpesh janë plotësisht të paparashikueshme dhe duken të qëllimshme.

Për këtë arsye, një pjesë e madhe e popullsisë palestineze ka shmangur afrimin në qendrat e GHF në javët e fundit, pavarësisht mungesës së ushqimit.

Alternativat e tyre janë të blejnë ushqim në treg, në sasi gjithnjë e në rënie dhe me çmime gjithnjë e më të paqëndrueshme; të hanë ato pak perime të kultivuara në vend; ose ndonjëherë të mbështeten në furnizimet nga kamionët e paktë të OKB-së që kalojnë kufirin verior.

Por është gjithnjë e më e vështirë, rastet e kequshqyerjes janë gjithnjë e më të shpeshta dhe gjithnjë e më shumë njerëz detyrohen të provojnë fatin e tyre në qendrat e SDS-së, pavarësisht se janë të vetëdijshëm për rreziqet.

Të mërkurën, 109 organizata humanitare lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i kërkuar qeverisë izraelite të lejojë hyrjen e ushqimeve  dhe mallrave të tjera thelbësore në Rripin e Gazës, duke thënë se “rrethimi” i Rripit nga Izraeli “po i vret njerëzit nga uria”.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Një ditë në kërkim të ushqimit në Rripin e Gazës (ku mund të humbësh dhe jetën) appeared first on Gazeta Si.

Ndërtimet mbi 6 kate dhe ato në zonat bregdetare do të miratohen vetëm nga kryeministri

24 July 2025 at 13:12

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka bërë disa ndryshime në vendimin për planfikimin e territorit.

Ndryshimi parashikon zgjerim të veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Territorit, që varet direkt nga kryeministri. Tashmë çdo leje ndërtimi për zhvillimet brenda zonës bregdetare dhe ato që kalojnë 6 kate do të miratohen vetëm nga KKTU. Deri më tani, KKTU ka miratuar vetëm ndërtesat mbi 14 kate dhe projektet infrastrukturore kritike si aeroportet, spitalet, resortet turistike dhe të ngjashme.

Sipas vendimit, rregullorja e re do të prekë edhe lejet që janë në proces aplikimi, të cilat edhe pse do të trajtohen nga bashkitë duhet të marrin miratimin nga KKTU.

“Për të gjitha lejet e ndërtimit, për të cilat është paguar tarifa e aplikimit para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, procedura do të vijohet nga autoritetet vendore të zhvillimit të territorit, me kushtin e marrjes së konformitetit nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit,” thuhet në vendim.

Një ndryshim tjetër është ai që ndalon dhënien e lejeve të ndërtimit apo për kryerje punimesh në prona me qëllim publik edhe kur ato janë private, si p.sh rrugëdalje nga objektet, rrugë kalimi, sheshe, parqe etj. Po ashtu ndalohet dhe vendosja e çdo lloj mjeti kufizues, trarë apo rrethim.

The post Ndërtimet mbi 6 kate dhe ato në zonat bregdetare do të miratohen vetëm nga kryeministri appeared first on Gazeta Si.

Shfrytëzonin të mitura për marrëdhënie se*suale kundrejt pagesës, arrestohen dy 19-vjeçarë

24 July 2025 at 13:02

Nga Gazeta Si- Dy 19-vjeçarë, S.C dhe A.K. janë arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi dyshohet se shfrytëzonin për marrëdhënie seksuale dy të mitura, 16 dhe 14 vjeçare.

Nga hetimet ka rezultuar se dy autorët shfrytëzonin për marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës dy të miturat.

Gjatë kontrolli fizik, A.K iu gjet edhe nja sasi kanabis.

The post Shfrytëzonin të mitura për marrëdhënie se*suale kundrejt pagesës, arrestohen dy 19-vjeçarë appeared first on Gazeta Si.

Mbaron mandati i Komisionit Antikorrupsion, Xhafaj: Nuk u kap as SPAK-u, as drejtësia

24 July 2025 at 12:20

Gazeta Si – Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, prezantoi këtë të enjte në një konferencë shtypi përmbylljen e mandatit 14-mujor të komisionit që ai drejtoi.

Xhafaj vlerësoi punën e bërë si një ndër proceset më gjithëpërfshirëse dhe profesionale që ka zhvilluar ndonjëherë Kuvendi i Shqipërisë, duke theksuar se komisioni përmbushi qëllimin për të cilin u ngrit.

Në lidhje me akuzat se komisioni synonte të ndikonte te drejtësia, Xhafaj e mohoi kategorikisht këtë. Ai tha se asnjë ndërhyrje nuk është bërë në kompetencat e institucioneve të drejtësisë dhe se dokumentet nuk përmbajnë asnjë masë që prek reformën në drejtësi.

“Qëllimi ynë nuk ishte të kapnim SPAK-un apo institucionet e drejtësisë, por të hartonim dokumente që ndihmojnë integrimin, – theksoi ai. – Këto interpretimet e superkomisionit, që do kapte drejtësinë, do kapte SPAK-un, ma bëni me dije pas 14 muajve pune të Komisionit, ku gjendet në një faqe të dokumentit dhe punës? Kur të ma gjeni ma bëni me dije, se u thanë shumë gjëra”, shtoi Xhafaj.

AI gjithashtu tha se maxhoranca nuk ka kërkuar ndonjëherë që njerëzit e drejtësisë të jenë pjesë e Komisionit dhe as të institucioneve të pavarura.

“Ata janë të pavarur dhe detyrimi i tyre lind nga kjo pavarësi. Ne u thamë atyre që mblidhuni ju vetë me grup ekspertësh dhe bëjeni vetë një analizë. Nuk u thamë ejani ju te ne. Është e gabuar mënyra se si interpretohet. Ne nuk i detyruam as u ndërhymë në kompetenca. Në u thamë bëni analizë dhe na thoni çfarë ndryshime doni. Nuk u kemi thënë asnjëherë ejani ju në Komision me grup ekspertësh, na një numër arsyesh, nuk është Komisioni, por mund të ketë ndër ta që nuk duan ta bëjnë këtë”, tha ai.

Sipas tij, rezultati më i rëndësishëm i punës së komisionit është hartimi i dy dokumenteve kombëtare: një analizë e thelluar me 709 faqe dhe Plani Kombëtar i Veprimit me 238 masa konkrete për mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Këto dokumente, tha ai, do të shërbejnë si baza për negociatat me Bashkimin Europian dhe për reformimin e vetë Kuvendit.

“Komisioni ka funksionuar mbi katër parime: gjithëpërfshirje, transparencë, profesionalizëm dhe standarde ndërkombëtare. Metodologjia e ndjekur është një model që mund të përdoret edhe në procese të tjera reformuese,” u shpreh Xhafaj.

The post Mbaron mandati i Komisionit Antikorrupsion, Xhafaj: Nuk u kap as SPAK-u, as drejtësia appeared first on Gazeta Si.

Vrau vëllain dhe kunatën, Prokuroria Tiranë kërkon burg përjetë për Arsen Muskurtin

24 July 2025 at 12:11

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Arsen Muskurtin, i cili vrau vëllain e të tij Dritan Muskurti dhe kunatën, Nora Muskurti në 30 gusht 2022, pas konflikteve të përsëritura.

Në mesditë, Arsen Muskurti hyri brenda agjencisë turistike “Nour Tours” dhe qëlloi për vdekje me armë të vëllanë dhe kunatën e tij.

Sipas Prokurorisë, i pyetur për ngjarjen, Arsen Muskurti është shprehur se drejt vrasjes e çuan problematikat e vazhdueshme me të vëllain, të cilin e akuzoi se shantazhonte atë dhe prindërit prej kohësh.

Debatet dhe konfliktet midis tyre kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe nuk janë zgjidhur edhe pse i ishin drejtuar gjykatës.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve asokohe, ai tregoi se krimin e rëndë e kishte kryer pasi kishte marrë një fletë-thirrje nga Gjykata Civile e Tiranës e cila do të shqyrtonte një kërkesë për urdhër-mbrojtje që kishte bërë vëllai i tij.

Ndërkohë, konfliktet mes tyre kishin nisur që prej vitit 2016 për bizneset, teksa viktima, i vëllai, i kërkonte në Gjykatë edhe kthimin e një borxhi, për të cilin Arsen Muskurti nuk pranonte se ia kishte.

Pasi ka vrarë vëllain dhe kunatën, Meskurti ka shkuar parë dyqanit të tij, që ishte afër me vendin e ngjarjes, ka lënë armën në kasafortë dhe më pas tentoi të arratisej, ndërsa u kap 2 orë më pas, në prani të bashkëshortes së tij dhe të një prej fëmijëve.

The post Vrau vëllain dhe kunatën, Prokuroria Tiranë kërkon burg përjetë për Arsen Muskurtin appeared first on Gazeta Si.

Iu gjetën fishekë në banesë, lirohet nga burgu vëllai i deputetit të PS

24 July 2025 at 12:05

Gazeta Si – Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu Denis Hasallën, vëllain e deputetit të Partisë Socialiste Saimir Hasalla.

Pak ditë më parë gjatë kontrollit në banesën e tij në kuadër të hetimit të nisur në 2024-ën për djegien në fushën e mbetjeve, u gjetën 30 fishekë luftarakë të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa Hasallës iu vunë prangat.

Këtë të premte ndaj tij është caktuar masa “detyrim paraqitje” me kërkesë të prokurorisë. E njëjta masë u caktua edhe për Bledar Çullhajn të cilit iu gjet një armë e ftohtë në banesë.

Banesa e 35-vjeçarit Denis Hasalla me detyrë Drejtor Kabineti dhe mbikqyrës i menaxhimit të mbetjeve urbane në Bashkinë e Peqinit, ishte një prej 14 banesave që u kontrolluan me urdhër të prokurorisë lidhur me hetimet që po kryheshin prej një viti për djegien e mbetjeve në landfillin e inceneratorit të Elbasanit.

The post Iu gjetën fishekë në banesë, lirohet nga burgu vëllai i deputetit të PS appeared first on Gazeta Si.

Shkencëtarët paralajmërojnë se një lloji bakteri, rezistent ndaj antibiotikëve, po përhapet në Europë

24 July 2025 at 11:53

Nga Gazeta Si- Një lloj i ri bakteri që mund të shkaktojë infeksione serioze tek fëmijët, por që i shmang trajtimet standarde, po përhapet në Europë.

MRSA (Staphylococcus aureus rezistent ndaj meticilinës) është një lloj bakteri që ka evoluar deri në atë pikë sa antibiotikët nuk funksionojnë më kundër tij, duke e bërë më të vështirë trajtimin e tij. Mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore nëse futet brenda trupit, duke shkaktuar më shumë se 100,000 vdekje në të gjithë botën në vitin 2019.

Një lloj i ri i MRSA-së u identifikua në Gjermani dhe Holandë gati një dekadë më parë dhe që atëherë është përhapur në të paktën nëntë vende të tjera europiane, sipas një studimi të ri nga Instituti Statens Serum (SSI) i Danimarkës.

Shkencëtarët filluan të shqetësoheshin se lloji mund të qarkullonte në Danimarkë pasi 32 fëmijë dhe anëtarë të familjes zhvilluan ulçera që u shkaktuan nga një lloj specifik i bakterit stafilokok në verën e vitit 2023. Një vit më vonë, ata identifikuan një shpërthim tjetër nga i njëjti bakter diku tjetër në vend.

Ata dyshuan se Danimarka nuk ishte vendi i vetëm i prekur nga lloji i ri, të cilin e quajnë “klon” i një lloji tjetër të MRSA-së sepse kanë disa ngjashmëri gjenetike.

Kur analizuan mostrat në të gjithë Europën, ata gjetën bakteret në 11 vende: Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Luksemburg, Holandë, Norvegji, Spanjë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Ky klon, i cili u gjet për herë të parë në Gjermani dhe Holandë në vitin 2014, është një nëntip i ri” i baktereve”, tha në një deklaratë Andreas Petersen, studiues i MRSA në SSI i cili drejtoi studimin.

Hulumtuesit publikuan gjetjet e tyre në revistën Eurosurveillance.

Lloji është gjenetikisht i ngjashëm me një formë tjetër të MRSA që duket se shkakton impetigo, një infeksion bakterial i lëkurës që shkakton formimin dhe shpërthimin e plagëve të kuqe rreth hundës dhe gojës.

Më i zakonshmi tek fëmijët e moshës dy deri në pesë vjeç, impetigo është shumë ngjitës dhe mund të përhapet lehtësisht brenda familjeve. Shpërthimet zakonisht ndodhin në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës.

Impetigo zakonisht nuk është e rrezikshme, por ndërlikimet e rralla përfshijnë dëmtimin e veshkave si dhe mund të jetë kërcënues për jetën nëse përhapet në nyjet limfatike dhe qarkullimin e gjakut.

Acidi fusidik, një krem antibiotik, përdoret zakonisht për të trajtuar infeksionet e impetigos, por nuk funksionon mirë kundër llojit MRSA.

Kjo është arsyeja pse mjekët në të gjithë Europën duhet të dinë nëse infeksioni mund të jetë duke u përhapur në komunitetet e tyre, thanë studiuesit.

MRSA është vetëm një nga shumë kërcënimet shëndetësore që shfaqen për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve. Infeksionet nga të ashtuquajturit superbaktere mund të vrasin më shumë se 39 milionë njerëz në të gjithë botën gjatë 25 viteve të ardhshme, sipas një studimi historik të publikuar vitin e kaluar.

Rezistenca ndaj antibiotikëve gjithashtu ndikon negativisht në sistemin shëndetësor. Së bashku, 11 vendet ku është identifikuar lloji i ri i MRSA-së shpenzuan gati 11.4 miliardë euro duke trajtuar pacientët me infeksione rezistente ndaj ilaçeve në vitin 2022, sipas vlerësimeve të fundit nga Qendra për Zhvillim Global.

Hulumtuesit danezë besojnë se lloji i ri mund të përhapet pa u zbuluar edhe në pjesë të tjera të Europës.

Ai është gjetur tashmë jashtë spitaleve dhe azileve të pleqve, të cilat kanë protokolle të rrepta për të shmangur MRSA-në.

The post Shkencëtarët paralajmërojnë se një lloji bakteri, rezistent ndaj antibiotikëve, po përhapet në Europë appeared first on Gazeta Si.

Projektet luksoze të Trump dhe Alabbar/ Çmimet referencë në Sazan dhe Durrës arrijnë 2.000 euro/m2

24 July 2025 at 11:48

Nga Gazeta ‘SI’- Nisma e qeverisë për të rivlerësuar pronat është shoqëruar dhe me rritje të çmimeve të referencës nga veriu në jug.

Zona e ish-Bllokut në Tiranë kryeson listën me çmim referencë 228 mijë lekë për metër katror ose 2.2 mijë euro.

Pas kryeqytetit, zonat më të shtrenjtë janë ishulli i Sazanit dhe porti i Durrësit, ku një metër katror tokë kushton 200.000 lekë ose 2 mijë euro. Çmimet e rritura duket të jenë të lidhura me dy projektet luksoze që pritet të zhvillohen në Sazan nga familja Trump dhe në Durrës nga miliarderi arab Mohammed Alabbar.

Tabela e miratuar nga ministria e Financave tregon një rritje të konsiderueshme të çmimeve përgjatë të gjithë bregdetit. çmimet e reja për Himarën kapin 1.4 mijë euro/m2.

Drafti i qeverisë thotë se Këshilli Bashkiak mund të miratojë shkallë të taksës brenda kufijve +30% (plus tridhjetë për qind) -30% (minus tridhjetë për qind). Sipas metodologjisë çmimeve mesatare referuese janë bazuar mbi shitblerjet e 4 viteve të fundit, vendndodhjen dhe sistemin urban dhe një parashikim për tendencat e ardhshme të tregut imobiliar.

Mungesa e referencave të pronave për të gjitha bashkitë e vendit po mbante peng dhe Rivlerësimin, që qeveria e kishte projektuar prej dy vitesh. Referencat e reja u miratuan në korrikun e vitit 2023 vetëm për Tiranën, e cila është e ndarë në 32 zona ku çmimi çmimet u rritën deri në 76 për qind në pika të ndryshme të kryeqytetit.

Qeveria Rama ka njoftuar se ky do të jetë Rivlerësimi i fundit në vend, të paktën nën qeverisjen e socialistëve.

The post Projektet luksoze të Trump dhe Alabbar/ Çmimet referencë në Sazan dhe Durrës arrijnë 2.000 euro/m2 appeared first on Gazeta Si.

Studimi i ri: Vetëm 7,000 hapa në ditë ulin rreziqet shëndetësore

24 July 2025 at 11:30

Një studim i ri sugjeron se të ecësh 7 mijë hapa në ditë mund të jetë e mjaftueshme për të rritur fuqinë e trurit dhe për të ndihmuar në mbrojtjen nga një sërë sëmundjesh të ndryshme.

Mund të jetë një objektiv më realist sesa 10,000 hapa, i cili shpesh shihet si pikë referimi për t’u arritur.

Hulumtimi, i botuar në Lancet Public Health, zbuloi se shifra ishte e lidhur me një rrezik të reduktuar të problemeve serioze shëndetësore, duke përfshirë kancerin, demencën dhe sëmundjet e zemrës.

Gjetjet mund të inkurajojnë më shumë njerëz të ndjekin hapat e tyre si një mënyrë praktike për të përmirësuar shëndetin e tyre, thonë studiuesit.

“Ne kemi këtë perceptim se duhet të bëjmë 10,000 hapa në ditë”, thotë autorja kryesore Dr. Melody Ding, “por kjo nuk bazohet në prova”.

Shifra prej 10,000 hapash mund të gjurmohet që nga një fushatë marketingu e viteve 1960 në Japoni. Në prag të Lojërave Olimpike të Tokios në vitin 1964, u lançua një markë pedometri e quajtur manpo-kei, që përkthehet si “metër 10,000 hapash”.

Ding thotë se kjo shifër u “nxor jashtë kontekstit” dhe u bë një udhëzues jozyrtar, të cilin shumë gjurmues dhe aplikacione fitnesi vazhdojnë ta rekomandojnë.

Studimi i Lancet analizoi hulumtimet dhe të dhënat e mëparshme mbi shëndetin dhe aktivitetin e më shumë se 160,000 të rriturve në të gjithë botën.

Krahasuar me ata që ecnin 2,000 hapa në ditë, u zbulua se 7,000 hapa lidheshin me uljen e rrezikut të:

-sëmundjeve kardiovaskulare – më pak se 25%

-kancerit – më pak se 6%

-demencës – më pak se 38%

-dhe depresionit – më pak se 22%

Megjithatë, studiuesit thonë se disa shifra mund të jenë më pak të sakta se të tjerat pasi ato nxirren vetëm nga një numër i vogël studimesh.

Në përgjithësi, shqyrtimi i tyre sugjeron që edhe numri modest i hapave prej rreth 4,000 hapash në ditë është i lidhur me shëndet më të mirë krahasuar me aktivitetin shumë të ulët prej vetëm 2,000 hapash në ditë.

Për shumicën e problemeve shëndetësore, përfitimet uleshin përtej 7,000 hapave, megjithëse kishte avantazhe shtesë për të ecur më tej për zemrën.

Shumica e udhëzimeve për ushtrime përqendrohen në kohën e kaluar duke bërë aktivitet fizik në vend të numrit të hapave.

Për shembull, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se të rriturit duhet të bëjnë të paktën 150 minuta aktivitet aerobik të moderuar ose 75 minuta aktivitet aerobik të fuqishëm çdo javë.

Dr. Daniel Bailey, ekspert i sjelljes sedentare dhe shëndetit nga Universiteti Brunel i Londrës, thotë se studimi sfidon “mitin” se 10,000 hapa në ditë janë të nevojshëm.

Ndërsa 10,000 hapa është një qëllim i përshtatshëm për ata që janë më aktivë, ai thotë se synimi për 5,000 deri në 7,000 mund të jetë një “objektiv më realist dhe i arritshëm” për të tjerët.

Andreë Scott, pedagog në Universitetin e Portsmouth, pajtohet që numri i saktë nuk është i rëndësishëm.

Ai thotë se “më shumë është gjithmonë më mirë” dhe njerëzit nuk duhet të shqetësohen shumë për arritjen e një objektivi specifik, veçanërisht në ditët kur aktiviteti është i kufizuar.

The post Studimi i ri: Vetëm 7,000 hapa në ditë ulin rreziqet shëndetësore appeared first on Gazeta Si.

Formacioni që Barcelona transferoi nga Premier League

24 July 2025 at 11:22

Marcus Rashford la pas kalvarin dhe siguroi huazimin për një sezon te Barcelona në La Liga. Sulmuesi anglez që sezonin e kaluar e mbylli (i huazuar) te Aston Villa shpreson që nën drejtimin e Flick në “Camp Noë” të rigjejë edhe një herë formën e tij më të mirë. Pas zyrtarizimit të huazimit ai u bë një ndër 11 futbollistët (vetëm i 2 nga Manchester United) që ndër vite janë transferuar nga Premier League te Barcelona. Nga Arsenal gjithashtu u transferuan dy lojtarë. Ndërkohe Manchester City dhe Liverpool transferuan nga 3 lojtarë secili dhe vetëm 1 futbollist u largua nga Leeds drejt Barcelonës.

Sergio Aguero nga Manchester City
Gerard Pique nga Manchester United
Marcus Rashford nga Manchester United
Javier Mascherano nga Liverpool
Ilkay Gundogan nga Manchester City

Raphinha nga Leeds United
Philippe Coutinho nga Liverpool
Joao Cancelo nga Manchester City
Thierry Henry nga Arsenal
Cesc Fabregas nga Arsenal
Luis Suarez nga Liverpool


The post Formacioni që Barcelona transferoi nga Premier League appeared first on Gazeta Si.

Aksident i rëndë në Gjirokastër, përplaset ambulanca, 6 të plagosur

24 July 2025 at 11:19

Rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm, një aksident rrugor ka ndodhur pranë urës së Kardhiqit, ku një autoambulancë me drejtues Gj. Sh. është përplasur me një automjet tjetër të drejtuar nga D. K.

Si pasojë e përplasjes janë plagosur drejtuesi i ambulancës, pacienti që po transportohej, shoqëruesja dhe infermierja që ndodheshin në autoambulancë, si dhe drejtuesi dhe një pasagjere në automjetin tjetër.

Pacienti, I. M., ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.

The post Aksident i rëndë në Gjirokastër, përplaset ambulanca, 6 të plagosur appeared first on Gazeta Si.

WRC, Oliver në gjurmët e babait Peter… 7245 ditë më pas

24 July 2025 at 11:15

Oliver Solberg ndoqi hapat e babait Kampion Bote (Petter Solberg) kur arriti fitoren e parë në FIA World Rally Championship në “Delfi Rally Estonia”. 23 vjeçari suedez befasoi elitën e WRC me paraqitjen dominuese në rrugët e shpejta mbi çakullin e Estonisë së jugut në bordin e Toyota GR Yaris Rally1. Sukses i arritur pothuajse 20 vite pas fitores së fundit të Petter në WRC. Solberg dhe bashkëpiloti, Elliott Edmondson kishin vetëm dy ditë në dispozicion për testet përpara garës së parë pas “Repco Rally New Zealand” në vitin 2022. Por ata nuk humbën kohë për të lënë shenjën e tyre në fitoren e 100th të Toyota-s në WRC me një diferencë prej 25.2 sekondash përpara heroit vendas dhe Kampionit të Botës në vitin 2019 Ott Tänak.

Pavarësisht se nuk fitoi, rezultati i Tänak, ishte i mjaftueshëm që të kalonte Elfyn Evans në kryesimin e klasifikimit të pilotëve me 1 pikë. Thierry Neuville mori një penalitet prej 10 sekondash për një start të gabuar që e la 23.1 sekonda pas Tänak në vendin e 3. Kalle Rovanperä bëri një paraqitje pozitive por nuk ishte në gjëndje të arrinte podiumin. Dy herë Kampioni i Botës dhe 3 herë fituesi i “Rally Estonia”, u rendit 7.3 sekonda pas Neuville në vendin e 4. Adrien Fourmaux u rendit në vendin e 5 përpara Evans që u ndoq nga Sami Pajari. Top 10 u plotësua nga Mārtinš Sesks, Josh McErlean dhe Grégoire Munster. WRC do të spostohet në Jyväskylä për raundin e 9 në “Secto Rally Finland” në datat 31 Korrik – 3 Gusht.



The post WRC, Oliver në gjurmët e babait Peter… 7245 ditë më pas appeared first on Gazeta Si.

Sigurimi i detyrueshëm/ Sa do të paguajnë shqiptarët për banesat? Shërbimin e ofron privati!

24 July 2025 at 11:12

Nga Gazeta ‘SI’ – Projektligji i ri i qeverisë për sigurimin e detyrueshëm të banesave përcakton edhe masën e dëmshpërblimit të mbuluar në raste katastrofe.

Në draft thuhet se pronari i banesës do të mbulojë deri në 2% të dëmit dhe pjesa tjetër nga shteti me anë të parave që paguhen nga qytetarët si sigurim i detyrueshëm. Primi do të llogaritet sipas një metodologjie ku përfshihen lloji i ndërtesës dhe nëse shtëpia është e ndërtuar në një zonë shumë sizmike apo jo. Dëmshpërblimi do të jepet brenda 3 muajve.

Këto para shkojnë në Fondin për Tërmetet, që parashikohet të vihet në funksion pas miratimit të draftit.

Edhe pse e gjithë skema parashikohet të jetë shtetërore, ka vend edhe për kompanitë private. Ato do të jenë “ndërmjetësit” që i ofrojnë qytetarëve produktin dhe paratë ia kalojnë shtetit. Kompanitë e sigurimit, në këmbim, do të përfitojnë një komision. Për shtresat sociale në nevojë, do të jetë shteti ai që do të financojë primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Ky sigurim do të mbulojë vetëm dëmet në pronë dhe jo ato që lidhen me jetën.

Në të njëjtin projektligj, qeveria thekson se kush refuzon të paguajë sigurimin, do t’i mohohen shërbime kadastrale, shërbime nga e-Albania dhe QKB.

The post Sigurimi i detyrueshëm/ Sa do të paguajnë shqiptarët për banesat? Shërbimin e ofron privati! appeared first on Gazeta Si.

Macronët kundër teorisë së rreme sipas së cilës Brigitte është burrë!

24 July 2025 at 11:11

Gazeta Si – Presidenti francez Emmanuel Macron dhe gruaja e tij, Brigitte, kanë paditur Candace Owens, një influencuese dhe podkastere e njohur në të djathtën ekstreme amerikane, për shpifje, për pretendimin se Brigitte Macron është burrë.

Ky është një pretendim i pabazë, por ka qarkulluar për vite me radhë në qarqet konspirative si në Francë ashtu edhe jashtë saj. Emmanuel dhe Brigitte Macron e injoruan atë për një kohë të gjatë, por kohët e fundit kanë filluar ta kundërshtojnë.

Në vitin 2024, Owens tha se do të “vërë bast të gjithë reputacionin e saj profesional” mbi idenë se Brigitte Macron “është në të vërtetë burrë”.

Fillimisht ajo e tha këtë në një episod të një podkasti të organizuar nga faqja konservatore e internetit “The Daily Wire” dhe që atëherë e ka përsëritur disa herë në kanalet e saj të mediave sociale dhe në një seri me tetë pjesë në YouTube, të publikuar këtë vit dhe të titulluar “Becoming Brigitte”.

Candace Owens në vitin 2022

Owens ka mbështetur gjithashtu teori të tjera konspirative rreth çiftit, të cilat janë të gjitha të pabazuara, të tilla si ajo se Emmanuel dhe Brigitte janë të afërm gjaku dhe se presidenti francez iu nënshtrua një eksperimenti të kontrollit të mendjes nga CIA.

Macronët thanë se i kishin kërkuar vazhdimisht asaj, nëpërmjet avokatëve të tyre, të tërhiqte këto pretendime, por Owens nuk e bëri kurrë.

Ata tani kanë ngritur një padi në një gjykatë të Delaware, SHBA, ku ndodhen kompanitë e Owens, duke e akuzuar atë për shfrytëzimin e teorive të konspiracionit për të “promovuar platformën e saj të pavarur, për të fituar famë dhe fitim”.

Avokati i çiftit, i tha “Financial Times” se ata janë të gatshëm të udhëtojnë personalisht në Delaware për të dëshmuar.

Teoria se Brigitte Macron është burrë filloi të qarkullonte në Francë gjatë mandatit të parë presidencial të Macron në vitin 2017.

Më pas ajo u përhap jashtë vendit dhe u ringjall nga shumë figura të njohura në të djathtën ekstreme në SHBA, përfshirë Tucker Carlson dhe Joe Rogan.

Emmanuel Macron foli publikisht për këtë për herë të parë në mars të vitit të kaluar, duke u thënë gazetarëve se “gjëja më e keqe” është “informacioni dhe rrëfimet e rreme, të cilat njerëzit përfundojnë duke i besuar, duke ju shkatërruar jetën, madje edhe jetën tuaj private”.

Në vitin 2022, Brigitte Macron ngriti një padi për shpifje në Francë kundër dy grave që mbështetën teorinë e konspiracionit në një video të gjatë.

Macron fitoi, por disa javë më parë vendimi u rrëzua në apel: gjyqtarët vendosën se deklarata binte brenda të drejtës së lirisë së fjalës. Macron apeloi përsëri.

Teoritë e konspiracionit rreth çiftit janë nxitur gjithashtu nga spekulimet rreth asaj se si filloi marrëdhënia e tyre: ata u takuan kur Emmanuel Macron ishte një nxënës 15-vjeçar i shkollës së mesme dhe Brigitte, 24 vjet më e madhe se ai, ishte mësuesja e tij e dramës.

The post Macronët kundër teorisë së rreme sipas së cilës Brigitte është burrë! appeared first on Gazeta Si.

Parlamenti i Kosovës bën të njëjtën gjë prej disa muajsh, çdo dy ditë!

24 July 2025 at 10:59

Gazeta Si – Gjatë tre muajve të fundit, parlamentarët e Kosovës janë takuar 51 herë, afërsisht një herë në dy ditë, për të bërë të njëjtën gjë: duke u përpjekur të zgjedhin kreun e Kuvendit, gjë që është thelbësore për formimin e një qeverie.

Deri më tani, të gjitha votimet kanë qenë të pasuksesshme. Kjo situatë po bllokon jo vetëm punën e parlamentit, por edhe formimin e një qeverie pas zgjedhjeve të shkurtit të kaluar, më shumë se pesë muaj më parë.

Arsyeja e bllokimit është se nuk ka shumicë të qartë në Parlament. Partia e krahut të majtë, nacionaliste Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e fundit, por mori vetëm 48 nga 120 vende dhe nuk ishte në gjendje të formonte një koalicion me forca të tjera: marrëdhëniet midis udhëheqësit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti dhe partive opozitare, janë përkeqësuar ndjeshëm me kalimin e kohës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti (në qendër), së bashku me Albulena Haxhiun (në foto djathtas), në një aktivitet në janar (foto e marrë nga faqja e Facebook-ut e Albulena Haxhiut)

Ligji i Kosovës i jep Vetëvendosjes, partisë më të madhe për sa i përket vendeve, të drejtën për të nominuar një kandidat për postin e kryetarit të parlamentit.

Për më shumë se tre muaj, Kurti u përpoq të zgjidhej kandidatja e tij, ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, por pa sukses.

Qeveria e mëparshme është aktualisht në detyrë, duke menaxhuar çështjet aktuale. Kurti është ende kryeministër; ai dha dorëheqjen në maj, por meqenëse është ende në detyrë, ai nuk ka nxitim për të arritur një kompromis me partitë e tjera për të zgjidhur krizën.

Do të ishte e rëndësishme që Kosova të emëronte shpejt një qeveri të re, sepse përballet me shumë sfida, të tilla si zbutja e marrëdhënieve me Serbinë dhe pakicën serbe, veçanërisht në veri të vendit.

Përpara se të fitonte pavarësinë, Kosova ishte një provincë autonome e Serbisë, e cila nuk e njohu kurrë pavarësinë e saj.

Pa një parlament funksional, Kosova nuk mund të ratifikojë as disa marrëveshje me Bashkimin Evropian, të cilat janë të nevojshme për të marrë fonde të rëndësishme.

Arianit Koci qeth kokën para Parlamentit të Kosovës të hënën, më 21 korrik (foto nga faqja e tij në Facebook)

Disa protesta janë raportuar gjerësisht. Për shembull, Arianit Koçi, një avokat i njohur kosovar, organizoi disa protesta të improvizuara për t’u ankuar për pamundësinë e partive politike të Kosovës për të arritur një marrëveshje. Të hënën, më 21 korrik, ai e qethi kokën me makinë para parlamentit.

Në fund të qershorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës urdhëroi parlamentin të gjente një zgjidhje për krizën dhe të zgjedhte presidentin brenda 30 ditëve.

Në teori, ky afat është e shtuna, më 26 korrik. Megjithatë, Gjykata nuk shpjegoi se çfarë do të ndodhte nëse presidenti dhe nënkryetarët e parlamentit nuk do të zgjidheshin: presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës të sqarojë pasojat.

Osmani theksoi gjithashtu se institucionet e tjera në vend, aktualisht nuk mund të ushtrojnë pushtetet e tyre të plota, pasi ato shpesh varen nga bashkëpunimi me parlamentin.

Sipas shumë ekspertëve, nëse nuk arrihet një marrëveshje, zgjedhjet e reja janë shumë të mundshme. Megjithatë, shumë kanë frikë se kjo mund të jetë fillimi i një periudhe paqëndrueshmërie të zgjatur.

The post Parlamenti i Kosovës bën të njëjtën gjë prej disa muajsh, çdo dy ditë! appeared first on Gazeta Si.

❌
❌