Nga Gazeta ‘SI’- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur një rrjet ndërkombëtar të drogës duke vënë nën hetim gjithsej 16 persona. SPAK thotë se gjatë kësaj kohe ka sekuestruar edhe 6 tonë lëndë narkotike me një vlerë në treg prej 411 milionë eurosh.
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Posaçme ka vendosur caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për shtatë persona. Vendimi është ekzekutuar për gjashtë prej tyre, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
“Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim: A. H, K. H, E.N, E. A, P. D, I. Ll. Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë. Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona”, njoftoi SPAK.
Sipas asaj që ka mësuar gazetarja Glidona Daci bëhet fjalë për emra të rëndësishëm të botës së krimit. Mes tyre edhe Plarent Dervishaj dhe Erion Alibej.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shumë monetare (43 mijë euro), karta banke, automjete (një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volkswagen Sharan), tre pistoleta, celularë, karta banke, dornë, hard disqe, si dhe një skaf luksoz.
Në dorën e SPAK kanë rënë edhe dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.
SPAK ka arritur të zbulojë akvitietin kriminal të rrjetit të kryer përgjithësisht gjatë periudhës 2020-2021 në disa shtete të Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Episodet e trafikut të drogës
Bëhet fjalë për disa episode të sekuestrimit të kokainës dhe hashashit.
Në shkurt të vitit 2020 në Spanjë janë sekuestruar 400 kilogramë kokainë. Në prill në Belgjikë janë sekuestruar 989.1 kilogramë kokainë. Po në atë muaj në Kanalin e La Manshit janë sekuestruar 250 kilogramë kokainë që kishte destinacion Britaninë.
Në qershor në Holandë janë sekuestruar mbi 2 mijë kokainë, me një vlerë tregu prej 151 milionë eurosh. Po në Holandë, në tetor janë sekuestruar mbi 1484 kilogramë kokainë. Të gjitha këto sekuestrime janë bërë në vitin 2020.
Ndërkohë në Rimini (korrik 2020) dhe Bari (mars 2021) janë sekuestruar përkatësisht 275 kilogramë dhe 4000 kilogramë hashash. Në Spanjë në Mars dhe Shtator të vitit 2020 janë sekuestruar në total 1142 kilogramë hashash. Një episod që lidhet me këtë grup është regjistruar edhe në Francë ku autoritetet kanë sekuestruar një makinë dhe 72 mijë euro cash.
Si funksiononte grupi
Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe. Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.
“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare”, sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi.
Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.
Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.
Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.
Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve. Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.
Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Haëala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.
Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Në këtë hetim SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, agjencitë partnere britanike dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE dhe në mënyrë më specifike me shtete si Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kroacia. Një koordinim mjaft cilësor ka qenë edhe ai me agjencitë ligjzbatuese vendase.
“Ky hetim i suksesshëm i drejtuar nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, veçanërisht me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e shteteve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë ligjzbatuese partnere në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ofruan mbështetje përmes një analize të thelluar të të dhënave dhe zbatimit të një koordinimi efektiv ndërkombëtar policor. Vlera e materialit të zbuluar përmes analizës së të dhënave të komunikimit të dekriptuara nga Sky/ECC ka qenë thelbësore për të plotësuar provat e mbledhura gjatë hetimit dhe mbetet ende e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore. Ky informacion ka qenë thelbësor në identifikimin e veprave penale të rënda, të të dyshuarve, si dhe për përcaktimin e rolit të tyre në këtë grup të strukturuar kriminal”, nënvizuan prokurorët e çështjes. Altin Dumani dhe Adnan Xholi.
The post 16 persona nën hetim, SPAK godet rrjetin e drogës. Sekuestrohen mjete luksoze dhe lëndë narkotike appeared first on Gazeta Si.