Të ruash fëmijërinë përmes librit/ Marjeta, gruaja që po ‘ringjall’ traditën e leximit në Rrogozhinë
Nga Liridon Mulaj – Në një shkrim të fundit të analistit britanik me titull “Lufta moderne kundër fëmijërisë”, ai parashtron të gjitha ritualet dhe zakonet e fëmijërisë, të cilat e bënin brezin e viteve ’90-të që, përmes interaktivitetit fizik dhe personal, të ndërtonte një jetë më të denjë e po ashtu plot me kujtime. Por sa e mundur është kjo sot, në një shoqëri që rend drejt ndryshimeve shpesh të dëmshme?
Marjeta, dikur mësuese, sot specialiste e bibliotekës në Rrogozhinë ka arritur të mbajë gjallë tek të rinjtë dashurinë për të lexuar, një dashuri që po zbehet çdo herë e më shumë.
Teksa kërkoja në rrjete sociale për bibliotekat e rretheve, ajo që më ra në sy ishte faqja në Facebook e Bibliotekës së Rrogozhinës.
Postimet me fotot e fëmijëve, por edhe të rinjve, të cilët e frekuentonin këtë ambient edhe gjatë muajve të nxehtë të korrikut, ishin të shumta. Të jem i sinqertë, gati-gati surreale, duke pasur parasysh kohën e papërshtatshme, e cila fëmijët dhe të rinjtë ose i gjen në fshat, ose në plazh, por rrallë në bibliotekë.
Pas një ore udhëtim nga Tirana, bibliotekën e gjeta lehtësisht. Një godinë njëkatëshe, e lyer dhe e sistemuar mirë, gjendej në anën e majtë të rrugës kryesore që përshkon qytetin.

Marjeta, specialistja e bibliotekës, doli të më priste sapo më pa. “Mirë se erdhët!” – foli ende pa u afruar.
Brenda na prisnin disa të rinj, të cilët, sapo hymë brenda, u ngritën në këmbë.
Deri këtu nuk kishte asgjë për t’u çuditur. Fundja, disa të rinj i gjen kushdo, mendova, për një takim mbasditeje. Por kur Marjeta nisi të rrëfejë, atëherë kuptova se nuk ishte një takim çfarëdo.
Të rinjtë e pranishëm ishin të gjithë studentë që shkolloheshin dhe jetonin në Tiranë. Edhe pse ata praktikisht kishin ikur nga Rrogozhina për të mos u kthyer më aty (na e pohuan vetë), ardhja e tyre në bibliotekë dhe vizita që ata bënin sa herë ktheheshin për pushime ishte mbresëlënëse.
Ajo që unë parashtrova ishte pyetja se, mos ndoshta në Rrogozhinë, të rinjtë dhe të rriturit së bashku po tentojnë, në një farë mënyre, të mos e lënë fëmijërinë e dikurshme , atë tradicionale me libra e lojëra aktive të ikë?
Por përgjigjja më erdhi prej secilit mëvetësisht. Arsyeja pse ata riktheheshin në bibliotekën e qytetit ishte Marjeta, zonja me buzëqeshje, e cila e konsideronte bibliotekën jo si një vend pune ku në fund të muajit do të marrë një rrogë, por si misionin e saj të jetës: t’i ndryshojë faqen një qyteti të tërë, duke nisur nga biblioteka.
Marjeta është specialistja e bibliotekës, e cila, prej një viti e gjysmë, i ka dhënë një tjetër shtysë bibliotekës, por edhe impaktit të librit te lexuesit, kryesisht te fëmijët dhe të rinjtë.
Gjithçka për të nisi kur ajo pati një problem shëndetësor, i cili nuk e lejoi më të ushtronte profesionin e saj të mësueses.
“Unë pata një problem shëndetësor, prej të cilit u detyrova të heq dorë nga profesioni i mësuesisë. Dhe erdha të kërkoja punë në Rrogozhinë, diku në Bashki. Por fati e deshi që unë të emërohesha specialiste në bibliotekë. Në Rrogozhinë ka shumë njerëz që e duan punën, dhe unë këtu ndihem shumë mirë, pasi kam mbështetje për çdo aktivitet apo nismë që organizoj.” thotë Marjeta për GazetaSi.al.

Pyetjes sesi arrin t’i bindë apo t’i tërheqë ende të rinjtë që kanë ikur nga Rrogozhina, por që kthehen sërish këtu njësoj si dikur, Marjeta thotë se në Rrogozhinë ka shumë njerëz që janë të etur për dije, për kulturë, dhe prandaj përpiqet t’i bëjë ata pjesë të përhershme të takimeve dhe mbledhjeve të bibliotekës. Këtë e dëshmon edhe prezenca e të rinjve të cilët janë rikthyer nga kryeqyteti, ku studiojnë, për t’iu dedikuar jetës kulturore edhe gjatë pushimeve.
Mario, student i vitit të tretë për mjekësi në Tiranë, thotë për Gazetasi.al se leximi për të ka nisur si dëshirë e vonë, por që nga libri i parë ai nuk i është ndarë më leximit.
“Nuk kisha ndonjë tendencë të madhe të lexoja i vogël, por nisa të dashurohesha me librat non-fiction, të cilët më ndihmonin për rritje personale. I lexoja dhe librat e detyrueshëm të shkollës në programe, por për mua një nga autorët më të dashur mbetet Robert Greene.”
Ai thotë se sa herë kthehet në Rrogozhinë, e frekuenton bibliotekën për të qëmtuar ndonjë libër të mirë, por edhe për t’u mbledhur me miqtë e fëmijërisë. Madje, shton se vetë ai ka nxitur edhe të ëmën që të bëhet lexuese.

“Sa herë kthehem në Rrogozhinë, kthehem dhe në bibliotekë. Shkolla që bëj nuk më jep shumë hapësira për të lexuar libra artistikë, por sa herë mundem e shfrytëzoj kohën për ndonjë libër të mirë. Madje, unë kam shtyrë dhe mamin tim që të lexojë, dhe ajo sot është një nga lexueset më të mira të bibliotekës.”
Mario thotë se ikja nga Rrogozhina për të studiuar në Tiranë ishte për arsye rritjeje në karrierë dhe formim. Edhe pse ai pëlqen jetën e qetë të qytetit të tij, kthimi nuk është më opsion për të.
Të njëjtën gjë thotë edhe Amari, një tjetër i ri i lindur dhe rritur në Rrogozhinë, por që studion në Tiranë për inxhinieri informatike. Ai thotë se në fëmijëri lexonte kryesisht libra fetarë.
“Të them të drejtën, që i vogël kam lexuar më shumë libra fetarë sepse jam edhe praktikant i besimit islam. Por ishte zyshë Marjeta që më shtyu drejt leximit të letërsisë, duke më sugjeruar fillimisht Ismail Kadarenë. E mbarova shpejt atë libër dhe, në fakt, më pëlqeu shumë. Libri, sipas meje, është një mësues personal që komunikon vetëm me ty dhe që të ndihmon të bëhesh i zoti i vetes.”
Ai thotë se rikthimi i tij në bibliotekën e qytetit është edhe për arsye se brezi i tij nuk ishte mësuar ende me teknologjinë, por edhe nga shtysa e madhe që i jep zysha, e cila e ka mësuar me librin që në fëmijëri. Kur pyetet për njerëzit e Rrogozhinës, Amari ka një përgjigje sa të sinqertë, po aq edhe origjinale.

“Njerëzit e Rrogozhinës janë njerëz që nuk e duan ndryshimin. Ndihen rehat në atë komfort zonën e tyre, e gjithashtu nuk i presin mirë ndryshimet, derisa shohin më pas efektet e këtyre ndryshimeve. Vetëm atëherë binden se ndryshimet jo gjithmonë janë për keq,” – përfundon Amari.
Një nga vajzat më aktive në Bibliotekë, Lejla, është edhe një nga lexueset më të mira mes të rinjve në Rrogozhinë. Fakti se Marjeta është mamaja e saj, ka ndikuar thelbësisht në dashurinë e saj për librin.
“E vogël kam qenë vajzë që më pëlqenin aventurat, pra më shumë të luaja sesa të lexoja. Librat e parë që lexoja ishin ato me figura. Sot kam arritur të lexoj libra me një mijë e pesëqind faqe pa figura, sepse kuptova se imazhin e ushqen mendja. Pasionin për leximin ma kanë ushqyer prindërit e mi, të cilët kanë lexuar gjithë kohës.”
Lejla thotë se, si bashkëmoshatarët e saj, edhe ajo do të studiojë në Tiranë. Madje për mjekësi.
“Unë do të studioj për mjekësi dhe ky është viti kur edhe unë do të largohem nga Rrogozhina. Por e ndjej si detyrim që në të ardhmen një pjesë e vetes sime dhe kontributit tim profesional i përket dhe do t’i përkasë Rrogozhinës.”

Por, përtej pasionit për letërsinë, duket se edhe qasjet e të rinjve për profesionin e së ardhmes përputhen. Pas Marios dhe Lejlës, të dy mjekë të ardhshëm, edhe Aleksi është një i ri nga Rrogozhina, i cili studion në Tiranë për imazheri dhe po ashtu frekuenton Bibliotekën e qytetit të tij sa herë kthehet.
“Unë nuk kam lexuar kur isha më i vogël. Shtysën më të madhe e kam nga zysha e shkollës së mesme, e cila më ngjizi pasionin për letërsinë. Kur fillova të lexoj, u ndjeva dhe keq pse nuk kisha lexuar më herët. Gjithashtu, unë preferoj edhe poezinë. Rikthehem në bibliotekën e qytetit sepse më pëlqejnë shumë aktivitetet që organizohen këtu.”
Aleksi thotë se, sa herë kthehet në qytetin e tij, i duket tashmë më i vogël dhe me më pak njerëz.
“Sa herë kthehem në Rrogozhinë, qyteti më duket më i vogël dhe me më pak njerëz. Edhe pse e dua qytetin tim, nuk besoj se do të kthehem më këtu,” – thotë ai.

Në shoqërinë e sotme, misioni konsiderohet shpesh si një sipërmarrje utopike. Shtoji këtu fenomenet që e kanë shndërruar shoqërinë tonë në një shoqëri konsumi, por edhe në grupime të cilat rendin pas një jete të vrullshme, shpesh të pakuptimtë, duket sikur Marjeta dhe biblioteka e Rrogozhinës janë një kundërthënie e gjithçkaje që na rrethon.
Ajo e thotë me krenari se, prej një viti e gjysmë, janë shtuar lexuesit të cilët e frekuentojnë bibliotekën dhe gjejnë aty libra të mirë.
Sa mallëngjyese kjo nismë është edhe njëfarë stopimi i jetës së shpejtë dhe teknologjisë, e cila duket sikur i ka shpallur luftë një jete organike dhe një fëmijërie plot me kujtime.

Marjeta beson se, nëpërmjet librit dhe kulturës, një qytet mund të ndryshojë, ose së paku të ruajë me fanatizëm ato rituale dhe tradita të cilat nuk duhet të humbasin, ku një ndër to, padyshim, mbetet leximi.
The post Të ruash fëmijërinë përmes librit/ Marjeta, gruaja që po ‘ringjall’ traditën e leximit në Rrogozhinë appeared first on Gazeta Si.